2016-01-04

AT ANTON HARAPI O.F.M. (5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)

RREGJENTI I ZBATHUN SHQIPTAR, AT ANTON HARAPI O.F.M. 




Nga Fritz RADOVANI:



RREGJENTI I ZBATHUN SHQIPTAR




Át Anton Harapi në burgjet komuniste
Pikturë nga Pjerin Sheldija


Át Anton Harapi në burgjet komuniste
(Pikturë nga Pjerin SheldijaÁt Anton Harapi në burgjet komuniste )

Kanë kalue  disa  vjet që gjithë Europa ka ba ndryshimet e veta e shqiptarët në të gjitha çeshtjet mendojnë, gjykojnë dhe veprojnë pa ndryshue fare mentalitetin e vet.

I  gjithë Populli Shqiptar e di se Rregjenti i zbathun, Frati i vorfen i Asizit, At Anton Harapi OFM., asht pushkatue i pafaj…por “heshtja” ndaj Tij tregon se mentalisht pajtohemi me “një fajsi”, që “bluejmë” në vetvete pa shkak!

Kjo asht e pafalshme! Faktet ndaj një jete të shkueme në mes të Popullit të vet, aktiviteti fetar, kulturor, qytetar dhe politik deri tek dita e fundit që asht pushkatue me 20 Shkurt 1946 brijë lumit Lana në Tiranë, janë shumë ma të sigurta e jo vetem të sakta, por edhe shumë ma të vërteta dhe të besueshme, se “hamendjet, dyshimet dhe fallsifikimet” e të paaftëve, të papastërve dhe dashakqijve, që me “heshtje” kërkojnë me njollosë Figurën e madhe të Atdhetarit të pastër, At Anton Harapi, që asht flijue për Popullin Shqiptar, Shqipninë e Lirë, të bashkueme dhe demokratike. Veprat dhe dokumentat që kanë mbetë në kujtesën e popullit, arkivat e shumta që shënojnë emnin e At Anton Harapit në të katër anët e Europës, flasin shumë ma tepër, se“truni shterp” i “kujtdo”, që kërkon me vue në dyshim se per At Anton Harapin “ka edhe fjalë që disa mendojnë ndryshej”, kur bahet e diskutueshme mosprania e Tij në listë të Atyne Atdhetarëve dhe Fetarëve, që janë të Shejtë për veprat e Tyne të mëdha ndaj Fesë dhe Atdheut, deri në Flijimin e jetës së vet për Idealin e Madh të Françeskanit tonë të varfen, që mbet i tillë deri sa u mbulue me dhé.




At Anton Harapi pranoi zhgunin e Shën Françeskut në vitin 1907, atëherë kur Ai shkoi në Austri për studime të nalta dhe deri ditën që asht pushkatue, me datë 20 Shkurt 1946, e mbajti me nder dhe kje Figurë e Nderueme nga mbarë kleri, Malësia e fushat e Shqipnisë, tue përfshi Shkodrën e kudo ku vuni kambën e zbathun të Tij. Ai asht lé vertetë në Shirokë, po asht i pranishëm në Grudë, Hot e Triepsh e deri ndër katedrat Europiane, kur diskutohet coptimi i Tokave tona dhe humbja e identitetit të tyne. I paisun prej Zotit me një oratori të rrallë, i përfshimë në pesë predikatarët ma të mëdhaj që ka pasë Kisha Katolike Shqiptare, mbet i paharrueshëm në Shkoder, Tiranë, Korçë, ku me ligjeratat e Tij u rendit në ajkën e kulturës sonë kombëtare, e pse jo, asaj Europjane.
Në vitin 1940 asht anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Në vitin 1941 asht Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, në atë Kuvend të Gjuhadolit të Shkodrës për të cilin ka sakrifikue gjithë jetën e vet. Po këte vit asht përkrah At Mati Prennushit kur shtrijnë aktivitetin françeskan edhe në Tiranë, ku hapin Kishen e Tyne të parë.
Në vitin 1943, asht Atdhetari Lef Nosi që kërkon praninë e At Antonit në organin e Naltë të Rregjencës Shqiptare. Asnjë veprim, dhe po e përsëris prap qё, “asnjë veprim” At Anton Harapi nuk e ka ba në kundershtim me Vatikanin, Qendrën dhe Urdhnin e Françeskanëve të Asizit, Argjipeshkvinë e Shkodrës, Provincën e Shkodrës, Provinçialin e Shqipnisë dhe Rektorin e Kuvendit të Shkodrës, tue mos përjashtue dhe vullnetin e të gjithë Popullit Shqiptar pa dallim Feje. Nga data 13 Shtator 1943, që shkoi në detyren e Rregjentit, e deri me 20 Shkurt 1946, At Antoni u pushkatue i pafajshem nga gjykata komuniste e Tiranës, që zbatonte vendimet shoveniste të Beogradit, anmikut të eger e të
përjetshëm të zhgunit të Françeskanëve Shqiptarë, vendime që i zbatojnë anadollakët e Tiranës me knaqësi nga një qeveri kukull të drejtueme nga tirani Enver Hoxha. Ai mori detyren e Rregjentit në perputhje me ligjet fetare e shtetnore. Mjetet e komunikimit atëherë nuk ishin të sotmet, tue shtue se ishte edhe koha e Luftës së Dytë Botnore. Vatikani ka vonue disa javë me sjellë shkresën zyrtare në Shqipni, ndonse gojarisht Papa Piu XII e kishte dhanë mendimin e vet, me të cilin aprovonte shkumjen e At Antonit në Rregjencë, tue i dhanë të gjitha kompetencat për këtë veprim Argjipeshkvit Metropolitan të Shkodres, Imzot Gaspër Thaçit, që do të bante komunikimin zyrtar mbas aprovimit nga Ai. Imz. Thaçi, i lëshon dokumentin për At Antonin, At Mati Prennushit, Provinçialit, të cilin e shoqnon me shpjegimin që Imz. Nigris ka sjellë nga Vatikani për këte çeshtje. Imz. Thaçi ka shpjegue se në këte rast Papa ka ba përjashtim të vendimit të vet të lëshuem ma parë, që kleri mos me u përzi në politikë. Ky përjashtim bahej nga Papa Piu XII, vetem per kushtet e vendit tonë, mbasi në Shqipni okupacioni nazist nuk kishte ngjyrat e vendeve të tjera të pushtueme. Gjermania nuk ushtronte terror në Tokat Shqiptare, se ajo asht kenë përkrahëse e fortë e“Bashkimit të Tokave Shqiptare, që gjithnjë janë lakmue, gjakosë e zaptue nga fqinjtë tanë”, tue shtue se edhe komandat ushtarake gjermane kanë deklarue se: “Në Shqipni na nuk kemi ardhë si në vendet tjera me forcën e armëve, por vetëm për siguri kalimi të ushtrive tona gjermane në shtetet tjera në jugun e Ballkanit.”

Image result for anton harapi


Aq asht e vertetë kjo, sa kur asht bisedue çeshtja e Flamurit tonë kombtar, Komanda e Përgjithshme Gjermane nuk asht përzi fare në atë çeshtje, po e ka lanë në kompetenca të Rregjencës Shqiptare. (Dëshmi e ishoficerit z. Prekë Mirija, viti 1995).
Po t’ ishte ndryshej çeshtja e shkuemjes së At Antonit në Rregjencë, ajo nuk mund të mbulohej nga askush, sëpse tue fillue nga i nderuemi Lef Nosi, “pyetja rreth shkuemjes së Tij në Rregjencë Shqiptare u asht ba të gjithë politikanëve dhe klerikëve katolikë e muslimanë që janë arrestue mbas vitit 1944 nga komunistët..” dhe përgjegja asht ndër të gjitha dosjet e tyne të Arkivit të Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, ku “asnjeni nuk dënon shkuemjen e At Antonit në Rregjencë”, po tregojnë se ka shkue tue u përputhë me të gjitha ligjet dhe normat, madje edhe shtojnë: “Se aq sa ka mujtë me ba për mos me u ba gjakderdhje dhe mos me u vra Shqiptarët ndërmjet vedit, At Antoni e ka ba, dhe se na ishim dakord që Ai të shkonte në Rregjencë; edhe kjo asht e vërtetë se ishim të bindun se me punën e Tij, i njohun si Atdhetar, vetëm mirë do t’i bahej prej Tij Shqipnisë e Shqiptarëve!”Kjo përgjegje asht në dosjet e Imz. Frano Gjinit, At Mati Prennushit, At Çiprian Nikës, At Pal Dodaj, Don Tomë Lacës, Don Mikel Koliqit, Don Mark Hasit etj.

Image result for anton harapi

Nëse këta ishin klerikë dhe “nuk flasin” ndryshej...i referohemi një Burri tjetër...
Atij që më ka thanë mue me gojën e vet për At Anton Harapin, në vitin 1968, ishantari i asaj kohë në Rregjencën Shqiptare, Atdhetari Cafo Beg Ulqinaku!
Zotni Cafo Begu hapi bisedën për At Anton Harapin tue kujtue kohën kur kanë kenë në Rregjencë në vitet 1943 - 44: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni aty nga fundi i nandorit po këthehej nga Gjermania ishte ndalue në Podgoricë, dhe në një hotel Ai asht takue me komandantin e trupave gjermane, që po largoheshin nga Shkodra. Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë edhe Ky me ata, tue i sigurue që do ta çonin jashta Shqipnisë ku do të dishronte At Antoni, për mos me ra në duert e komunistave, të cilët, me 28 Nandor do të hynin në Shkodër. At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe po të ishte nevoja do të pranonte edhe vdekjen, për të cilën Ai nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944 dhe, jo me 28 që kishin planifikue ata, mbasi i kishte shpjegue atij që “nuk asht mirë me na njollosë Ditën e Flamurit, me ditën e okupacionit komunist të Atdheut!”. Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit e ushtarët e fundit gjermanë janë largue nga Shkodra në mengjezin e datës 29 Nandor 1944. Për këte veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkodër, ndonse edhe Cafo Begu e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej Ai vetë, por as Cafo Begut Ai nuk i kishte pranue me qendrue andej, mbasi “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kokën tek serbët...”.



Cafo Begu e përfundonte bisedën me një konkluzion:
“Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundet me i ba Atdheut të vet.
Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton!”
Në vitin 1995 këte fakt historik unë e kam bisedue me At Konrrad Gjolaj, kur ky po më tregonte sesi asht tradhёtue At Antoni nga një kushri i veti, shirokas (L.B.) (të cilin nuk jam i autorizuem me e shkrue), kur (L.B) asht mbajtë në Sigurimin e Shkodrës dhe asht shtërngue nga frika e torturave për me tregue se ku asht strehue At Antoni, sepse dyshohej se ky kushri mos e ka nxjerrë nëpër liqe dhe e ka çue aty ku mund t’ishte edhe Cafo Begu i mshefun. Atëherë forcat e Ndjekjes komuniste kanë shkue në Dukagjin të sigurt dhe e kanë arrestue At Antonin. Tjerat mënyra At Konrradi nuk i pranonte, madje i quente trillime të Sigurimit komunist. Edhe At Konrradi e dinte ndryshimin e datës së largimit të trupave gjermane me 29 Nandor 1944, mbasi ato ditë vetë At Konrradi ishte kenë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder, ku kishte pak ushtar gjermanë dhe mjaftë nga njerëzit e politikës. Në librin “Çinarët”, At Gjolaj shkruen gjatë faqe 70.
Pa hy me shkrue për rolin e At Anton Harapit në skenen politike të vitit 1943 – 44, kur Shqipnia po lahej në gjak nga lufta vëllavrasëse sllavokomuniste “nacional – çlirimtare” e partizanëve, apo nga gjakderdhja e hakmarrjeve e borxheve të vjetra në luftën për pushtet dhe veprat kriminale të komunistëve anadollakë shqiptarë në sherbim të shovenizmit serbosllav, nga mashtrimet e krimet për pasionin e kolltukut përsonal të avanturirëve Enver Hoxha me shokë të tij, duhet theksue se cili ishte roli i At Anton Harapit për evitimin e gjakderdhjes dhe epiteti me të cilin i quejti këta kriminelë të pa Atdhé e Fé vetë Ai me 4 shkurt 1944, në zyren e Xhafer Devës:
“Jo kështu, mohni bre burra...jo gjak se edhe ata janë vllaznit tonë..!”
E cila Nanë Shqiptare asht ajo që ia mësyni dyerve të Kuvendeve e të qelave të klerikëve katolik për me shpetue djelmët e vajzat e veta apo nipat e mbesat komuniste...e nuk gjeti shpëtim nga ndërhymja e tyne ndër komandat italiane, gjermane e shqiptare?
Kujt i ka mbyllë derën e zyrës së Tij të Naltë nё Rregjencё At Anton Harapi?
Po komunistët tanë gjeten rasen me shfrye dufin e tyne antikatolik, dhe ashtu si At Anton Harapit, ua shpërblyen të gjithëve papërjashtim, deri tek misionarët e huej që i vranë të pafajshem mbasi i kishin shpëtue kokat e tyne nder kampet naziste e fashiste!
Në Europë janë zhvillue shumë gjyqe...e ndoshta mund të jetë rast i vetem kjo që At Anton Harapi ka parashikue në vitin 1946 para gjyqit komunist nё Tiranё:
“Shqipnia u fitue me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme.
Do të vij dita e me Paqë dhe Drejtsi do të fitohet!”
Jeta e Tij asht vetem model salvimi e vetflijimi për Atdhe, Fe dhe Demokraci!






Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...