Julian Borger, njëri nga gazetarët më të respektuar britanikë, redaktor i të përditshmes Guardian dhe fitues i çmimit Pulitzer, së fundmi ka nxjerrë në shitje librin e titulluar “The Butcher’s Trail”, që flet për hetimet dhe kërkimet intensive që janë bërë për kriminelët e luftës në ish-Jugosllavi.
Në librin për të cilin thotë se e ka shkruar për vite qysh në kohën kur ishte korrespondent i luftës në vitet e 90-ta në Ballkan, Borger sjellë detaje të panjohura deri më sot në lidhje me “gjuetinë” e Ratko Mlladiqit, Radovan Karaxhiqit, Ante Gotovinës, por edhe për punën e agjentëve amerikanë dhe britanikë në Beograd, Banja Llukë, Zagreb dhe Sarajevë.
Ai së fundmi ka botuar një artikull interesant rreth historisë së kriminelit, kasapit të Balkkanit, Sllobodan Millosheviqit dhe fluturimit të tij me helikopter për në Hagë, detaje këto të nxjerra nga libri i tij!
Më poshtë mund të lexoni momentet më interesante:
Pas negociatave të gjata, ish-presidenti Sllobodan Millosheviq, më 28 qershor të vitit 2001 e gjeti veten në një furgon i shoqëruar nga një Mercedes.
Rreth orës 19:00, kishte arritur në Banjica, ku e kanë pritur tre helikopterë, por edhe Kevin Curtis, hetues i Tribunalit ndërkombëtar. Aty ishte edhe ministri i ri i brendshëm, Dushan Mihajlloviq, i cili insistonte të dinte se sa kohë u nevojitet që Millosheviqi të largohet nga vendi i tij. Por përgjigja e Curtis ishte shumë e shkurtë dhe e qartë - 20 minuta.
Mihajlloviqit i është dukur shumë gjatë. Por, Curtis insistonte që atij gjithsesi t’i lexohen të drejtat si i arrestuar. Ky duhet të jetë një arrestim i drejtë, ka deklaruar ai derisa dikush u kujtua se kryetari Vojisllav Koshtunica, nuk është në dijeni për atë se çfarë është duke ndodhur.
Kurtis kishte dalë për ta pritur Millosheviqin. Por është interesant fakti se si i akuzuari i Hagës, kishte filluar të tallet duke thënë, “Ju lumtë. Tani mund t’i paguani këta njerëz”, duke aluduar në rojet e burgut. Pikërisht në atë ditë me lindjen e diellit, Curtis ia lexoi të drejtat dhe akuzën.
Ish-presidenti e luante njëfarë loje të vet: e ndërpreu përkthyesin duke i kërkuar një cigare, dhe duke e pyetur se ku kishte mësuar të flet aq mirë gjuhën angleze. Pastaj, rrugës për në helikopter, u ndalua sërish.
“A e dini se sot është ‘Vidovdani” o serbë”, tha ai. Dhe kështu më pas filloi të flasë anglisht.
“A po të pëlqen kjo punë që po e bën”, e kishte pyetur Curtis-in. “Çfarë bën në kohën e lirë, kur nuk arreston njerëz të pafajshëm si unë?”
Dhe për herë të fundit ia lëshoi një shikim Beogradit derisa fluturonin me helikopter mbi lumin Sava, dhe kështu sërish kërkoi edhe një cigare. Por Curtis i kishte thënë se nuk lejohet pirja e duhanit, ndërsa Millosheviqi kishte bërë me gisht në drejtim të shpuzores në helikopter.
“Unë edhe ashtu jam pronar i kësaj fluturakeje”, ka thënë ai.
Millosheviq i kishte pyetur se ku janë duke shkuar, dhe kur dëgjoi se rruga fillimisht po e dërgon në Bosnje në Tuzla, ai e përsëriti duke thënë me përbuzje “Bosnje”, thuajse nuk ishte një destinacion i denjë për udhëtimin e tij.
Dhe kështu në Tuzla në kampin “Eagle”, po e priste lejtnanti Andy Milan, komandant i njësisë “Delta Force”.
Fillimisht një ushtar e fotografoi, dhe pastaj Millosheviqi fillojë të bisedojë me të për atë se si fotografia është një profesion i mirë, dhe se cilat janë këndet më të mira për të fotografuar dhe se si duhet përdorur objektivët.
Dhe më në fund, arrin aeroplani BAE 146, i njësisë ajrore mbretërore, i njëjti aeroplan që kishte transportuar trupin e Princeshës Diana për në Britani pas vdekjes së saj në Paris në vitin 1997.
Aterrimi në aeroportin Eindhoven, në afërsi të kufirit holandez-belg, nuk është përcjellë me shkrepje të fotografive.
Aty ishte vetëm një fotoreporter nga Haga, por që i cili kishte harruar ta fus filmin brenda aparatit. Kështu që historia nuk do të mund ta mbajë në mend një moment të tillë.
Kush ishte Sllobodan Millosheviq ?
Sllobodan Millosheviq (ser.: Слободан Милошевић) ka lindur në Pozharevc, Jugosllavi më 20 gusht 1941 dhe ka vdekur në Hagë, Holandë më 11 mars 2006. Gjatä karrierës së tij politike, Millosheviq mbajti postin e Presidentit të Republikës së Serbisë për periudhën 1989-1997, dhe postin e presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë për periudhën 1997-2000, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë nga krijimi i saj më 1992 deri në vitin 2001, dhe i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prindërit e Sllobodan Millosheviq, Svetozar Milosheviq dhe Stanislava Milosheviq u divorcuan pak vite pas lindjes së Sllobodan Millosheviq. Babai i tij, prift në Kishën Ortodokse Serbe kreu vetëvrasje në vitin 1962. Nëna, Stanislava, mësuese shkolle, do të kryejë vetëvrasje (varje) në vitin 1974. Gjatë viteve të gjimnazit Millosheviqi e takon gruan e tij të ardhshme Mira Markoviq (Marković), figurë fondamentale e politikës Serbe në vitet 90 dhe inspiruese e rilindjes së nacionalizmit serb. Diplomohet jurist më 1964 në Beograd dhe i bashkohet Lidhjes Komuniste të Serbisë.
Millosheviq fillon të punojë si funksionar në firmat shtetërore të Serbisë: së pari në kompaninë e gazit e pastaj në Beogradska Banka.
Ngritja e karrierës së tij fillon në vitin 1986: Millosheviq zgjidhet president i Lidhjes Komuniste të Serbisë, falë përkrahjes së Presidentit të Serbisë, Ivan Stambolliq (Stambolić), mikut të tij personal dhe tutorit politik. Vitet 90-të karakterizohen nga ringjallja e nacionalizmit serb dhe për largimin nga modeli i Jugosllavisë titiste. Nacionalizmi merr hovë kur më 24 shtator 1986 e përditshmja beogradase Veçernje Novosti (Večernje Novosti) publikon pjesë të një dokumenti të titulluar Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (Memorandum SANU ose Memorandum Srpske Akademije Nauka i Umjetnosti). Në këtë vepër, të redaktuar nga intelektualët serbë të udhëhequr nga novelisti Dobrica Qosiq (Ćosić), përpunohet aktakuza kundër Titos për veprimtari antiserbe, dhe përshkruhet një projekt për eliminimin e plotë të Serbëve nga Kosova. Edhe pse elita komuniste distancohet nga ai memorandum, Millosheviqi heshti.
Në mesin e viteve 80-të situata paraqitej më e vështirë në Kosovë, me tensione ndërmjet serbëve e shqiptarëve, kurse në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë situata ishte relativisht më e qetë. Më 1987 Presidenti i Republikës Socialiste të Serbisë, Stambolliq dërgon Millosheviqin në Kosovë për të dëgjuar ankesat e Serbëve kundër udhëheqjes partiake dhe shtetërore në Kosovë. Në një situatë të tensionuar, të krijuar artificialisht nga grupe të Serbëve, banorë të Kosovës, Milosheviq deklaron para turmës së Serbëve të mbledhur se “askush më nuk do të guxojë tju rrahë juve.”
I aftë për të drejtuar (nëse jo për të krijuar dhe nxitur ) ndjenjat e opinion publik serb, Millosheviqi pastron klasën e tërë politike serbe, nën akuzën për paaftësi. Më 1987 Stambolliq detyrohet të japë dorëheqjen dhe Millosheviqi bëhet President i Republikës së Serbisë në vend të tij. Më 1988 acarohet edhe më tej situata në Kosovë dhe në republikat tjera, veçanërisht në Slloveni. Ndërsa Millosheviqi mbështeste një model centralist në planin ekonomik dhe politik, në drejtim të cilit do të ishte Serbia si republika më e madhe e federatës, Lubjana me kryetarin Millan Kuçan (Milan Kučan) mbështeste të drejtën për vetëvendosje të republikave dhe respektimin e pakicave dhe autonomisë.
Millosheviqi e kuptoi që zotëronte përkrahje të madhe popullore: Serbët panë në të një udhëheqës të një kombi krenar, një udhëheqës karizmatik. Kisha Ortodokse Serbe e përkrahu atë po ashtu. Propaganda serbe e ringjalli mitin e fitores së thyer, i cili sipas Serbëve ju pengua bashkimi politik i të gjithë Serbëve ndërsa në Serbi ishin ndarë dy krahina, Kosova dhe Vojvodina. Në mars 1989 modifikohet njëanësisht kushtetutat kosovare dhe serbe, që ja hoqi autonomin Kosovës. Më 28 qershor 1989, 600 vjet pas betejë së Fushë Kosovës, mblidhen qindra mijëra Serb në Fushën e Mëllenjave ku Millosheviqi jep një fjalim luftënxitës. Shqiptarët qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Më 19 nëntor 1989 mblidhen një milion manifestues në Beograd.
Fundi i Jugosllavisë
Në janar të 1990 mbahet kongresi i 14-të dhe i fundit i LKJ-së. Millan Kuçan (Milan Kučan), që udhëhiqte delegacionin slloven, vendos që delegacioni i Sllovenisë të tërhiqet, dhe pastaj të njëjtën e bëri edhe Kroati Ivica Raçan (Ivica Račan). Ky ishte fundi politik i Jugosllavisë federale dhe multietnike. Në qershor të 1990 Millosheviqi riemëron lidhjen komuniste serbe në Partia Socialiste Serbe, nga e cila zgjedhet kryetar. Në janar 1991 zbulohet shtypja ilegale e monedhës federale nga ana e qeverisë serbe, ndërsa në janar Millosheviqi dërgon ushtrinë për të ndërprere protestat e opozitës në Beograd. Pas referendumeve popullore më 25 qershor të 1991, Sllovenia dhe Kroacia shpallin pavarësinë.
Lufta në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë
Ushtria federale intervenoi në Slloveni. Millosheviqi nuk ishte i interesuar në vendin, etnikisht kompakt dhe i përkrahur nga Austria dhe Gjermania. Lufta përfund pas dhjetë ditëve, më 8 gusht. Vëmendja e Millosheviqit zhvendoset në Kroaci, në veçanti në regjionet e banuara me Serb në fushat e Sllavonisë dhe të regjionit malor të Krajinës. Milosheviqi nuk pranoi që popullatat serb të jetonin jashtë Jugosllavisë së re ku përfshihet Serbia dhe Mali i Zi. Projekti i tij ishte që të aneksoj territoret e banuara me Serb në Kroaci dhe gjysmën e Bosnje-Hercegovinës ku lufta më 1991 ende nuk kishte filluar. Në gjysmën e vitit 1991 Millosheviqi, ushtria federale jugosllave dhe trupat paraushtarake fillojnë një luftës të ashpër kundër Kroacisë. Viktima e parë është qyteti multietnik i Vukovarit, ku bashkëjetesa mes kroatëve dhe serbëve ishte historike. Ushtria jugosllave futet në thellësi të territorit kroat duket arritur të granatoj Zagrebin. Mas referendumit për pavarësi në Bosnje të mbajtur më 29 shkurt 1992, i cili u bojkutua nga Serbët e Bosnjës, filloi lufta e Bosnjës. Millosheviqi përkrahu ushtarakisht dhe politikisht Radovan Karaxhiqin (Karadžić), udhëheqësin e serbëve të Bosnjës dhe kriminelin e luftës. Lufta e Bosnjës u përfundua më 21 nëntor 1995 me marrëveshjet e Dejtonit (Dayton), të cilin Millosheviqi e nënshkruan për Serbët e Bosnjës përkundër dëshirës së tyre. Millosheviqi pas kësaj u cilësua njeri i paqes dhe u la në pushtet.Vlenë të thekësohet se Bosnja nga marrëveshja e Daytonit humbi shumicen e qeverisjes vendore, kështu shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës edhe pse i dëmtuar nga lufta humbi përparsinë politike duke marrë vetem 49% të qeverisjës, ndërsa 51% iu takonin Serbve.
Lufta e Kosovës dhe rënia e Millosheviqit
Në nëntor 1996 Millosheviqi u zgjedh president i Republikës Federale Jugosllave (ku përfshihet Serbia dhe Mali i Zi). Në të njëjtin vit koalicioni opozitar Zajedno (Së bashku) i fiton zgjedhjet lokale në disa komuna, por fitoret nuk pranohen nga pozita. Pas protestave të vazhdueshme të studentëve dhe popullit në Beograd për 11 javë me radhë, Milosheviqi i pranoi zgjedhjet. Më zgjedhjet presidenciale serbe, më vonë, fiton Millan Millutinoviq (Milan Milutinović), bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviqit.
Në këtë kohë u intensifikuan sulmet e UÇK-së në Kosovë. Në Rambuje (Rambouillet) dështuan përpjekjet për zgjedhjet e konfliktit të Kosovës. Në mes marsit dhe qershorit 1999 NATO bombardoi Jugosllavin duke e detyruar Millosheviqin të tërheq forcat nga Kosova. I izoluar në nivelin ndërkombëtar dhe kombëtar (Mali i Zi nuk i pranonte më institucionet federale), Millosheviqi u rikandidua në zgjedhjet e 24 shtatorit 2000, falë një reforme kushtetuese. Ai u mund nga Vojisllav Koshtunica (Vojislav Koštunica), një nacionalist më i moderuar, dhe me 6 tetor u shty të pranoj humbjen pas një proteste të madhe që shpiu te zënia e parlamentit nga protestuesit.
Kryeministri serb Zoran Gjingjiq (Đinđić) e dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi në Hagë me 28 qershor 2001, edhe përkundër kundërshtimit të Koshtunicës dhe një pjesë të opinionit publik serb.
Millosheviqi u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e ushtrisë jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Ai po ashtu u akuzua për vrasjen në mënyrë barbare të Ivan Stambolliqit, mentorit të tij nga vitet 80 dhe kundërshtarit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000.
Millosheviqi u gjet i vdekur në qelinë e tij në Hagë më 11 mars 2006 disa muaj para se të përfundoj gjykimi i tij në Hagë.
Floripress