Leonard Veizi
-Një Komitet Partie nuk mund të rrethohej nga tanket, për me tepër vetë godina qendrore e Partisë së Punës. Ky ishte një udhëzim i prerë. Përndryshe cilësimi si një akt “puçi ushtarak” kishte garancinë e plotë. Ndërsa njerëzit që merrnin pjesë në një akt të tillë, jo vetëm cilësoheshin “puçistë”, por merrnin dënime të ashpra deri në ekzekutim. Kjo ishte korniza dhe nëse tentoje të bëje diçka të tillë duhet t’i masje mirë forcat. Përndryshe...
..Petro Çeku, një ushtarak me përvojë dhe ish-komisari i brigadës së tankeve të Vorës, rrëfen se si në vitin 1968, menjëherë pasi trupat e traktatit të Varshavës pushtuan kryeqytetin e Çekosllovakisë, Pragën, një brigadë tankesh në Shqipëri mori urdhrin të mbronte Komitetin Qendror dhe vetë bllokun e udhëheqjes në qendër të të cilës ishte dhe vila e Enver Hoxhës. Sipas kësaj dëshmie, Llambi Peçini, Abaz Fejzio dhe Hito Çako, ishin njerëzit që dhanë urdhrat se si duhet të vepronte njësia e specializuar e tankeve, në rast të një sulmi nga trupat e traktatit të Varshavës, menjëherë pas denoncimit zyrtar që ishte bërë nga Partia e Punës.
Si do të njiheshit me situatën e pushtimit të Pragës nga trupat e Traktatit të Varshavës?
Nga mesi i ditës, më 22 qershor 1968, erdhi korrieri i repartit dhe pruri letrat e ushtareve, dërguar nga familjarët dhe gazetat e repartit. Unë mora gazetën “Luftëtari” e shpalos në faqen e parë dhe lexova komunikatën e KQ të PPSH ku thuhej: “Bashkimi Sovjetik kryesuese e Traktatit të Varshavës në agimin e ditës së sotme, ndërmori me trupa të blinduara një agresion të hapur ndaj popullit Çekosllovak, anëtare e Traktatit të Varshavës dhe ka pushtuar kryeqytetin, Pragën. Populli çekosllovak e ka pritur me urrejtje dhe indinjatë të thellë invazion. Partia dhe populli Shqiptar e dënojnë këtë agresion të hapur e të pa besë dhe shpallim publikisht se dalim nga Traktati i Varshavës”. Sigurisht ky ishte një lajm i hidhur. Me gazete në dorë, u drejtova atje ku ishte mbledhur efektivi. Lexova komunikatën e K.Q. dhe porosita të mos humbasim toruan, të intensifikonim stërvitjen e të ishim në gatishmëri për çdo detyrë që do të na dilte përpara për mbrojtjen e Atdheut. Ndërkohë më lajmëron oficeri i rojës se më kërkonte në telefon komandanti i brigadës Vangjo Sopi. Ee ndjeva se kjo telefonatë në atë çast, nuk mund të ishte diçka e mire. Me vrap mora të përpjetën për në truprojë, dhe në kufjen e telefonit, dëgjova zërin e komandantit i cili më urdhëroi me sinjalin e koduar të hap zarfin “Nr.1”.
Çfarë urdhri fshihej në këtë zarf të koduar?
Në fakt unë e dija se ç’donte të thoshte ky sinjal. D.m.th njësia të kalonte në gatishmërinë Nr.1. Formalisht e hapa zarfin, bëra shënimet përkatëse e mblodha veten nga emocionet dhe porosita të jepnin sinjalin e alarmit me të rëna të shpeshta të çangës. Stërvitja u ndërpre dhe efektivi me shpejtësi e rregull të plotë mori pajimet dhe armatimin personal dhe zuri vendet në tank. Ndezën radion, hynë në ndërlidhje me ekuipazhin dhe pritnin detyra të reja. Ndërkohë u dhamë sinjalin të ndiznin motorët. Tanket njëri pas tjetrit dolën nga tuneli dhe u përqendruan një kilometër larg repartit. Në radio u dha sinjali që kolona do të lëvizte në itinerarin: Marikaj, Maminas; katër rrugët e Shijakut, Porti Detar dhe të përqendrohej buzë të detit tek “Currilat” në Durrës. Orientuam ekuipazhet e tankeve për rrugën e lëvizjes, shpejtësia 10-15 km/ore, distanca midis tankeve 10 m, komandimi me radio të brendshme. Në ecje e sipër porositëm këto gjëra: “Kini kujdes se shoferët e tankeve nuk kanë lëvizur asnjë metër në rrugë të asfaltuar, çdo gabim i pa menduar mire, mund të ketë ngjarje të pa parashikuara. Mos harroni se kini te bëni me jete njerëzish. Në tank keni 45predha/85mm, 1000 litra naftë, bateri, bombola me ajër me 14 atmosfere secila, 10.000 fishekë granata me ndezës e armatime të tjera. Përpara keni urën e Shijakut mbi Erzen që ka gjerësinë e tankut. Të futeni në urë me preçizion, me marshin e parë e gazin minimal, pa lëvizur levat majtas e djathtas. Mbasi të kaloni urën shtoni shpejtësinë”. Desha të theksoj se gjatë lëvizjes në rrugën e asfaltuar e në rrugën e qytetit të Durrësit kishin dalë fëmije nxënës dhe të rritur që na përshëndetnin me dorë të entuziazmuar. Patëm dhe ne emocione dhe e ndjenim veten krenare si ushtarë të popullit, mbrojtjes të Atdheut. Edhe ne i përshëndetnim me dorë lart në shenjë respekti e dashurie ndaj tyre. Pasdite mbërritëm në Currila, , futem tanket në luginë duke i maskuar me mjete rrethanore të terrenit.
Çfarë detyrash të tjera do të merrte njësia?
Në mbrëmje na lajmëruan në radio se pas pak minutave do te vinte tek ne drejtori i tankeve në Ministrisë e Mbrojtjes, Abaz Fejzo. Por sa mbërriti pyeti: Ku i kini tanket? “Këtu”, i përgjigjëm. “Pyes ku janë tanket?” foli me tonin e zërit më të lartë. Dhamë sinjalin dhe komandantët e tankeve dolën në kullë gjysmë figure. Atëherë ai na përgëzoi dhe na tërhoqi mënjane e dha urdhër: “Në orën 20.30 minuta; dita e sotme do të lëvizni: Currila, Shkozet, do dilni në rrugën e Kavajës, kodrat e Arapaj, Ndroq dhe do përqendroheni te Selita e vogël në afërsi të liqenit të Tiranës”. Përvoja ishte goxha e madhe, por lëvizja natën, me drita të kufizuara nuk ishte e lehte ndaj porositëm që lëvizja të jetë në qendër të rrugës, me shpejtësi 5-10 km/ore, distanca midis tankeve 10 metra, drita të kufizuara, ndërsa ndërlidhja të jetë e pa ndërprerë. Një e pa papritur jo e këndshme na ndodhi në urën e Beshirit, ne hyrje të Tiranës. Parashikimi ynë ishte që tanket t’i kalonim në shtratin e vaut të lumit Erzen. Por bregu i daljes ishte i pakalueshëm. Atëherë vendosëm që të kalojmë në urë, por dhe ajo ishte më e ngushtë se gjerësia e tankut. Situatë e vështirë por detyra duhej që të realizohen në kohën e duhur. Bëmë diçka ndryshe nga ajo e zakonshme. Njërin zinxhir do ta kalonim në tabanin e urës, ndërsa tjetrin në parmakun e saj, Të guximshëm për atë që bëmë, por ja që tanket kaluan njëri pas tjetrit dhe në agimin e 23 qershorit 1968 vendosemi në kodrën me ullinj mbi Kopshtin Zoologjik në afërsi të liqenit të Tiranës. I futem tanket në pozicione, i maskuam, ngritëm çadrat, vendosem rojet dhe pjesa tjetër e ushtareve filloi stërvitjen ushtarake. Pas disa minutash mbërriti një Gaz-69. Në vendin përpara ishte një person i veshur civil. Ai na u prezantua: “Jam drejtori i sigurimit të udhëheqjes”. Për mua ky njeri nuk ishte i pa njohur. Ai ishte Llambi Peçini. Ai më bëri shenjë me kokë dhe hipa në makinë, duke lëvizur në rrugën me gropa e pluhur e diell të nxehtë qershori, kaluam digën e liqenit dhe dolëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. U kthyem në rrugën që te shpinte të shtëpia e Enver Hoxhës, dhe ndaluam te cepi i murit fundor të Bllokut të Udhëheqjes. Pasi kaluam dhe një herë nga fundi në krye të kësaj rruge, Llambi Peçini (i cili u pushkatua në vitin 1983) na tregoi vendet se ku do te vendoseshin tanket tip-62, ndërsa porositi që te porta e hekurit të shtëpisë së Enverit të qëndronte një transportues i blinduar. Por ai nuk e cilësoi si do të ishte ky transportues, i lehte apo i rëndë. Kështu me radhe i piketuam ku do vendosej çdo tank; deri te K.Q. në dalje të bulevardit. Hipëm në makinë dhe kaluam bulevardin e madh, në rrugën e Barrikadave, u kthyem në rrugën e Dibrës dhe ndaluam disa metra larg Kinostudios. Zbritëm në një thellësi kanali, se aty kalonte një urë me dërrasa. Llambi pyeti nëse kalonte tanku në atë urë. Iu përgjigja me një “jo”. “Mirë, - me tha - se do ta bëjmë prej betoni”. Në fakt ajo urë nuk u bë kurrë. Deri këtu ishte udhëtimi ynë dhe u kthyem përsëri në repart. Mendova në ato çaste se Llambi nuk me tregoi të vërtetën dhe isha i bindur se tanket do vazhdonin udhëtimin, në rast nevoje, drejt Dajtit apo në rajonin e tij.
Debati me Hito Çakon
Duke folur për rrethimin nme tanke të Sekisë qendrore të Partisë së Punës, Petro Çeku thotë: “Rrethimi i Komitetit Qendror mbeti një imagjinatë se realisht tanket nuk u vendosen aty, sipas projektit të përcaktuar më parë. Kjo detyrë që na ngarkuan për të gjithë ne ishte sa e vështirë por dhe me përgjegjësi që kërkonte maturi, durim, përvoje në punë, arsyetim dhe veprime kolektive. Menjëherë me komandantet e tankeve dhe shoferët organizuam rikonjicionin e terrenit duke përcaktuar vendin që do kishte çdo tank dhe vendin e transportuesit te blinduar. Do të shoqëronim transportuesin në itinerarin e lëvizjes e cila munde të kryhej ditën por edhe natën. Nga kjo detyrë kuptuam se ne ishim vënë në dispozicion të Gardës së Republikës. Në orën 20.00 mora fonogramin se duhej të ndodhesha në një nga zyrat e Gardës. Aty ishin disa oficerë që nuk i njihja, vetëm se takova komisarin e batalionit të takeve që kishte ardhur nga Elbasani në dispozicion të Ministrisë së Brendshme. Në këtë takim me oficerët erdhi Drejtori Drejtorisë politike në Ministrinë e Mbrojtjes Hito Çako (i cili u pushkatua në vitin 1975) Ai u ul në karrige dhe fjala e parë që tha ishte: “Shpëtuam sot”, të cilën e përsëriti edhe në ditët në vazhdim kur do të kishim takime me të. Kjo na bëri që ne të shikonim njëri-tjetrin në sy, por dhe Hiton njëkohësisht duke menduar se çfarë kishte ndodhur që ishin ngritur në alarm njësitë e ushtrisë në Tiranë. Pas kësaj ai na njoftoi: “Nga Komiteti Qendror unë jam caktuar komandant i mbrojtjes së qytetit të Tiranës”. Por ai nuk bëri të ditur se cili ishte caktuar komisar për mbrojtjen e qytetit. Pasi na dha disa detyra urdhëroi që të nesërmen në 24 qershor 1968, ora 10°° te ishim në piken me të lartë të ndërtesës së Universitetit të Tiranës.
Shpërthehen portat e Liqenit Artificial
“Disa nga shokët, mes tyre dhe unë, bënë pyetje bënë pyetjen: “Në rast se bombardohet e shkatërrohet diga e Liqenit ne nuk mund të kryenim detyrën?” Hitoja u mendua pak, tundi kokën, por nuk më ktheu përgjigje. Në mesnatë tek diga e liqenit erdhën dy veta, te cilët u munduan të vinin në lëvizje mekanizmin e hapjes së portës së digës, por duket se ajo nuk funksionoi dhe u larguan. Pasi kishte kaluar mesnata më njoftojnë me fonogram se në agim do të dëgjonim një shpërthim, por se s’duhet të shqetësoheshin nga kjo gjë. Shpërthimi u krye, u hap porta dhe uji vërshoi me tërbim poshtë në përrua, për 92 orë pa pushim për të zbrazur ujët e liqenit. Këtu duhet të sqaroj se kërkesa nuk ishte për të derdhur ujin e liqenit por për të ndërtuar një urë të përkohshme poshtë digës, me qëllim që të kalonin tanket në rast emergjence”, rrëfen Petro Çeku.
Detyra
Blindimi i Tiranës, mitraloza në çdo tarracë
Në vazhdim të rrëfimit të tij Petro Çeku thhotë: “Mbërritëm të nesërmen në tarracë e universitetit. Nga e majta dhe e djathta ishin përgatitur dy pozicion me thasë rëre ku ishin vendosur dhe dy mitraloza kundërajrorë. Hito na u drejtua: “I shikoni këto dy pozicione? “Po”, - u përgjigjem. “Në afate kohore sa më të shkurtër në pallatet pesë katëshe në Tiranë, do ndërtoni pozicione e të vendosni mitraloza kundërajrorë një ose dy grykeshe. Të përgatiten sirenat e alarmi së bashku me fabrikat e uzinat në Tirane me veprime mekanike dhe elektrike”. Në takimin e mbrëmjes i bëra dy kërkesa: “Mbushësit e tankeve nuk kanë aftësi të plotë për të bërë qitje kundërajrore me mitralozin e tankut dhe shoferët nuk kanë bërë asnjë orë guidë natën me ndriçim rreze infra të kuqe”. Ai urdhëroi të bëhej qitje tokësore dhe shoferët të bënin guidë natën. Gjatë kësaj kohe një mujore i vetmi urdhër i tyre ishte që në çdo tank përveç prozhektorit ekzistues të vendosej dhe një tjetër në krah të tij, por plafoni të luhej me bojë të kuqe. Ndërsa transportuesi i blinduar duhet të kishte ngjyrën e bardhë si sinjal njohjeje”.
Alarmi me sirena
“Në Tiranë ishin bërë prova alarmi nëpër blloqe e lagje, por radhën e kishte i gjithë qyteti. Ne javën e dytë të korrikut kur qytetarët kishin dalë për kënaqësinë e tyre në bulevard, në kinema, teatër a estrade, në ora 20,30 minuta, pasi kishte rënë errësira, sirenat të vendosura kudo në pallate ushtuan me gjithë fuqinë e tyre për rrezik ajror. U fikën të gjitha dritat e Tiranës. U krijua një situatë alarmante, pasigurie, e rrëmuje nga përplasjet e turmave të njerëzve. Mbas sorollatjeve e pasigurisë mundën të futen nëpër pallate e bodrumet me të afërta. Më në fund qyteti ra ne qetësi dhe pas një gjysmë ore u ndezën dritat. Ngritja në gatishmëri e reparteve ushtarake në Tiranë e rrethinat e saj kishte disa arsye: Shqipëria përfundimisht nuk bënte pjesë në Traktatin e Varshavës, ndaj u bë e domosdoshme që të ishim të kujdesshem, vigjilentë e në gatishmëri luftarake, për evitimin e ndonjë aventure ndaj vendit tonë. Nga ana tjetër Shqipëria u dha sinjalin B.Sovjetik e anëtarëve të Traktatit të Varshavës; pse jo edhe vendeve të NATO-s; se ne s’kishim frike, nuk na zini në bafasi, dhe ishim të fortë se kishim një popull ushtar. Pas një kohe në gjendje gatishmërie të larte pasi kaloje rreziku njësitë e repartet u vendosën në vendet e tyre të përhershme të kohës së paqes kurse efektivi tankist me gjithë tanke u inkuadruan në Gardën e Republikës Shqipërisë”.
Brigada 36 e tankeve mori “Flamurin Luftarak”
Petro Çeku thotë se; Lufta e Ftohtë mes Shqipërisë dhe BS, nisi në vitin 1961 pasi u përkeqësuan mardhëëniet si në fushën politike ideologjike, ekonomike e ushtarake dhe u prenë marrëdhëniet diplomatike. Më tej ai vazhdon: “Në këto kushte tepër të vështira për vendin u deshën të merreshin disa masa të karakterit strategjiko-ushtarak, si fortifikimi i kufirit dhe në tërësi e brendësi të territorit të vendit, tunelizimi i teknikës dhe efektivit, rritjen e gatishmërisë luftarake, aftësimin e strukturave të ushtrisë e krijimin e njësive të reja tokësore, detare e ajrore. Përparësi të veçante iu kushtua krijimit të njësive e reparteve tankiste. Në këtë kontekst në muajt e parë të vitit 1968, u krijua Brigada e 36 tankiste dhe u vendos në rajonin Karec (Maminas), Marikaj e Gerdec (Vorë). Organizimi e drejtimi me përkushtim i kuadrit, bëri të mundur që të kompaktësoheshin shtabet e komandat e reparteve, dhe u përvetësuan e detyrat funksionale në tanke, në stërvitje, në gatishmërinë luftarake, në përmbushje te misionit për mbrojtjen e Atdheut e të Popullit. Një eveniment i rëndësishëm për efektivin e Brigadës së tankeve në Vorë ishte data 7 qershor 1968, sepse pikërisht atë ditë Presidiumi i Kuvendit Popullor do t’i dorëzonte brigadës flamurin luftarak. Flamurin e mori në dorë komandanti i Brigadës Vangjo Sopi, i cili u ul në njërin gju, puthi Flamurin dhe bëri betimin para ushtareve e kuadrove të saj. Efektivi shpërtheu në: “Urra urra, urra” të fuqishme, që krijuan jehone në fushat e luginat e asaj zone të gjelbëruara nga ullinjtë. Tani njësia ishte më e motivuar se mbante në dorë Flamurin luftarak, simbol i shenjtë i atdhedashurisë dhe që nuk do të dorëzohej kurrë deri në vdekje. Ishim të përfshirë nga krenaria dhe entuziazmi, gëzimi dhe emocione e ditëve të kaluara. Kuadrot si përherë dhe atë ditë. Më 22 Qershor 1968, mbërritën në repart, bëmë formalitetet e asaj dite, dhe mandej efektivat u nisen për në fushat e stërvitjes e në poligonet e qitjes”.
Brigadës së tankeve në Vorë, në datë 7 qershor 1968, Presidiumi i Kuvendit Popullor i dorëzonte flamurin luftarak
Pyetjet
“Si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i këtij formacioni luftarak me detyrë teje të rëndësishme operacionale-strategjike, për largimin e Enver Hoxhës, familjes së tij, por dhe të një pjese të udhëheqjes, me transportues të blinduar me duket se ishte thjesht një formalitet. Po përse mendoj kështu? Qëndruam 35 ditë në një vend të gjelbëruar e asnjë ushtarak nga Ministria e Brendshme apo e Mbrojtjes nuk erdhi të kontrollonte vendosjen, përgatitjen luftarake, përvetësimin e detyrës së dhënë, moralin e ushtarakëve e probleme të tjera. Lodhja, pagjumësia, vapa përvëluese korrikut, ushqimi i thartuar; dhe teshat e trupit që s’u ndërruan asnjëherë vetëm se kishin dhënë një urdhër që të mos largoheshim asnjë minute nga vendi i dislokimit. Përveç kësaj shtroj pyetjen: Përse udhëheqja e Partisë, nuk e zbuloje aktin armiqësor të rrethimit të K.Q ato ditë, por ju deshën 6 vjet për të denoncuar shkelësit? Në atë kohë nuk i shpëtonte asgjë syrit vigjilent të partisë, se në bllokun e udhëheqjes nuk kalonte as miza e jo të vendoseshin tanke e transportues të blinduar”.