- Vijon beteja publike me vrasësin e nënës dhe të motrës së saj. Si i kërcënonte, duke iu thënë se: Më mbron Fatos Klosi. Rrëfimet në televizion dhe në “Facebook” të vajzës që iku në Amerikë në kërkim të oficerit të SHIK-ut dhe si marshallët amerikanë i dhuruan prangat e arrestimit të Rrokut
Rikthimi i një historie krimi (për vendin tonë jo e pazakontë), që ka tronditur 15 vite më parë gjithë opinionin publik, trondit sërish njësoj si atëherë. Tashmë janë një sërë faktorësh që e bëjnë të frikshme, jo vetëm historinë horror të vrasjes së nënë e bijë nga një djalë, i cili ishte i punësuar në strukturën e shpëtimit të vendit, por madje edhe pakuptimësinë e një rrëfimi të një personi që ka vrarë dhe ka vrarë me vetëdije të plotë; në mes të ditës e në mes të Tiranës. E nëse në atë kohë, historia e vrasjes së Aldës dhe nënës së saj, Mbarimes, zëvendësohej shumë shpejt me ndonjë krim po aq horror dhe mizor, që ndër ne shqiptarët nuk ka munguar prej afër dy dekadash, dalja në ekran e Marjan Rrokut, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e Fushë-Krujës, ka ngjallur një betejë të vërtet reagimesh. Po ndërsa qytetarët që përbëjnë opinionin e kësaj historie janë ndarë ekstremist në dy anë, duket se personi i vetëm që vijon betejën me kohën dhe dhimbjen është pikërisht motra e Aldës dhe bija tjetër e Mbarimes, e cila nuk mundi dot ta shpëtonte jetën e Aldës, as me vdekjen e vet. Ornela, e cila prej shumë vitesh jeton në SHBA, në fakt e ka fituar betejën me ligjin dhe vrasësin, por rikthehet sërish në qendër të asaj që është edhe boshti i ekzistencës së saj; të çuarit në fund të drejtësisë për vrasjen e nënës dhe të motrës nga Marjan Rroku.
Kundërpërgjigja
“E hapa këtë faqe për të nderuar kujtimin e motrës dhe nënës sime. Pasi pashë intervistën te “E diela shqiptare” që u dha në TV Klan më 28 Shkurt 2016, vendosa të hap këtë faqe, të tregoj faktet dhe të informoj publikun për të vërtetën e vetme që qëndron pas vrasjes se pamëshirë të Mbarime dhe Alda Canaj. Dua t’ju bëj të ditur njerëzve, se kush është në të vërtet Marjan Rroku; ai nuk është vetëm një vrasës, por një psikopat sadist që i paramendoi dhe në mënyre metodike i arkitektoi këto vepra të ulëta”. Me një mesazh në “Facebook” e nis betejën e mbrojtjes, tashmë të vdekjes së nënës dhe të motrës së saj, Ornela Canaj. Ajo, përveçse di gjithçka, tashmë edhe posedon gjithçka në lidhje me aktin makabër të vdekjes së nënës teksa mbulonte me trup të bijën dhe që plumbat që kalonin në trupin e saj, i morën jetën edhe Aldës 16 vjeç!
Bija dhe motra e viktimave të 15 viteve më parë, i kujton opinionit publik shqiptar gjithçka ka ndodhur për vite me radhë, që nga njohja me Rrokun e deri tani, kur ai në një rrëfim, tregon një tjetër version për ngjarjen, edhe pse tashmë ai e ka të humbur betejën me lirinë e tij, pasi është i dënuar në formë të prerë me burgim të përjetshëm. “Marjan Rroku vendosi të thotë versionin e shpikur të ngjarjeve dhe harroi të përmendte se si çdo mëngjes ai priste motrën time të vogël te dera e jashtme e shtëpisë dhe e përndiqte. Ai e ndalonte çdo ditë Atë rrugës për në shkollë, dhe kur kthehej nga shkolla, për t'i treguar që ajo ishte e tija dhe ajo nuk duhet t'i drejtonte sytë nga asnjë mashkull tjetër”.
Vrasësi Rroku
Ornela, në një reagim të saj në faqen që ka hapur enkas për të vërtetën e vrasjes së nënës dhe të motrës së saj, tregon se si ishte në të vërtet personi që qëlloi në oborrin e pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në marsin e 2001-shit. “Në moshën 27-vjeçare, Rroku, nën shënjestrën e armës, e ndaloi Aldën e pambrojtur, 16 vjeç, duke e detyruar atë me forcë të vendoste që ose të shkonte me të, ose do të vdiste. Rroku nuk ndaloi me kaq, po qëlloi dhe babanë tim, dhe na vuri në shënjestër të gjithëve si familje, edhe pse ne ndërruam dy shtëpi brenda dy muajsh. Rroku i mori çdo grimcë të jetës sime motre para se ta vriste. Për muaj me radhë familja jonë u përndoq dhe torturua fizikisht dhe mentalisht nga ky kriminel që fshihej nën titullin e tij zyrtar si punonjës i SHIK. Denoncim pas denoncimi në rajonin nr.1 e rajonin nr. 2 të policisë në Tiranë. Gjashtë denoncime të depozituara që pasqyronin 6 episode të ashpra dhune”. Me fjalinë e fundit, Ornela, përveç të vërtetës së asaj dhune brutale që demonstronte njeriu i ligjit, tregon edhe se sa e pafuqishme ishte policia e asaj kohe, për të marrë në mbrojtje një familje që kërcënohej nga oficeri që mbahej me taksat e shqiptarëve!
Kur Marjani na kërcënonte thoshte: Mua më mbron Fatos Klosi
Ornela Canaj, vajza dhe motra e dy viktimave të Marjan Rrokut, ka preferuar të flasë edhe ajo për kamera për të thënë publikisht jo vetrëm të vërtetën mbi fatkeqësinë e familjes së saj por edhe për të hedhur poshtë atë çfarë pretendonte në intervistën e vrasësit të motrës dhe nënës së saj. Në rrëfimin në emisionin “Dritare”, ajo ndalet pikërisht te rruga e saj për gjetjen e këtij personi që i vrau nënën dhe motrën: “Unë shkova në Amerikë sepse e dija që ai ishte atje. E dija që ai fshihej pas një kompanie amerikane dhe më mund të ishte atje. Rudina, ka disa arsye që ishte një dalje e tij. Kije parasysh që kjo nuk është hera e parë që shikoj veprime manipuluese të Marjan Rrokut. Në çdo vend ku kemi qenë ka dalë një histori e ndryshme. Kur dëgjova intervistën, dëgjova për pendimin e Marjanit. Nuk e besoj se ai është penduar. Nëse pendohesh, atëherë pse nuk dërgove një letër, por dole në televizion. Pashë që shumë njerëz shkruanin që ai duhej të kërkonte falje. Ishte një emision mediokër, që nuk është bazuar në fakte, por në pretendimet e një krimineli. Ardit Gjebrea e lakoi emrin tim!”
Ndërsa në lidhje me faktin se si nisi dhuna ndaj motrës së saj, ajo e kujton çuditshëm kur është përballur me Aldën e nxirë në fytyrë. Vajza që ka hezituar ti thotë emrin e shokut të tyre të përbashkët dhe ndryshimi i denoncimit pasi Alda nga gfrika ka hezituar të tregojë të vërtetën: “Ne të gjithë ishim në shoqëri. Ditën e parë që mësova se çfarë kishte ndodhur, Marjani kishte kërcënuar motrën. Jetonim në konvikt. E gjeta motrën të shtrirë në shtrat, të nxirë dhe të ënjtur. E pyeta se çfarë kishet dhe ajo më tha se ishte përplasur nga një i dehur në rrugë. I dehuri më tërhoqi, ishte me motor dhe më shtyu’, më tha. Shkuam në polici dhe raportuam por kur u kthyem nga policia, motra më tha: -Ai që ma bëri këtë mua, nuk është i panjohur. Është Marjani, punon për SHIK-un, ka pistoletë dhe më tha, që po ju the njerëzve të familjes do t’i vras të gjithë ata. E denoncuam me emër Marjanin, si punonjës i SHIK-ut. Ai vazhdoi mbas këtij denoncimi, u bë dhe më keq. Erdhën na kërkuan të tërhiqnim denoncimin. Emri i Fatos Klosit dëgjohej nga Marjani dhe Sulejmani (shoku). Gjithmonë thoshte se, “mua më mbron Fatos Klosi”. Por mbas gjithë denoncimeve dhe përpjekjeve nuk u mbajt përgjegjësi pas këtyre veprimeve. Motra ime u torturua”.
Ndërsa në lidhje me pendesën e vrasësit të nënës dhe të motrës së saj, Ornela këmbëngul se në fakt ai nuk është penduar se nëse do ishte ashtu, së paku nuk do të sajonte histori të tjera. Motra është dëshmitare e të gjitha përpjekejeve të tij për t`i shpëtuar ekstradimit drejt vendit tonë, po ashtu siç edhe rrëfeu se përse nuk e ka hapur asnjehërë historinë e vrasjes së nënës dhe të motrës nga Marjan Rroku. Ajo është personi që e gjurmoi vrasësin në Amerikë dhe madje edhe ndihmoi hetimin vendas të shkonte tek personi i saktë, ndërsa kujton se: “Doja pak drejtësi për nënën dhe motrën time që kujtimi i tyre të mos përbaltej dhe mendoja që të rrija larg medieve. Pas arrestimit të tij dhe dërgimit për në Shqipëri mendova se gjërat së paku shkuan deri diku në vendin e vet, por ai tashmë mi vrau për së dyti”. Vajza dhe motra e viktimave të fundmarsit të 15 viteve më parë, prej më shumë se 24 orësh vijon betejën në rrjetet sociale pas ridaljes në skenë të vrasësit të njerëzve të saj.
Ja si m’u vranë nëna dhe motra
Nga Amerika, në përgjigje jo vetëm për vrasësin e njerëzve të saj, por edhe për të gjitha ata që besojnë në versionet për atë ngjarje që ka dhënë nga qelia Marjan Rroku, Ornela ka shpjeguar momentet e fundit të asaj ç`ka do të thotë të ndahesh përjetësisht nga nëna dhe motra se t`i ka vrarë një i njohur: “Më 29 Mars 2001, Marjan Rroku gjakftohtësisht qëlloi shtatë plumbat që vranë mamanë dhe motrën time. ‘Ishte një skenë e tmerrshme’, i tha një dëshmitar policisë. Mami që mundohej të mbronte Aldën, duke përdorur trupin e saj si mburojë dhe Alda që përpiqej t’i dilte para mamit që ta mbronte nga plumbat. Pasi jua mori jetën dhe i la të shtrira njëra mbi tjetrën në mes të “Pallatit të Sportit”, u zhduk paburrërisht dhe u fsheh në Amerikë, duke u përpjekur t’i shmangej dënimit për krimin e pamëshirshëm që kreu. U bënë pothuaj 15 vjet që nga dita që i pashë mamin e Aldën për herën e fundit. Ky monstër i ka kushtuar vetëm vuajtje e lot familjes sime. U munduam me ç’kishim të gjejmë drejtësi. Pasi pashë emisionin, ndihem se mami dhe motra ime u vranë, sërish, për herë të dytë”.
Arrestimi i Marjan Rrokut
Për të vënë në pranga Marjan Rrokun, marshallit amerikan Kevin Konolli iu deshën 6 vjet investigim. Pas vrasjes së dyfishtë në 29 mars 2001, Marjan Rroku u arratis në SHBA deri në arrestimin e tij në 2011-ën. Pas vrasjes makabre të Alda Canajt dhe nënës së saj në marsin e 2001, Marjan Rroku arratiset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atje ai ndërtoi një jetë të re, ndryshoi emrin, filloi punë dhe krijoi familje. Dhe kjo lumturi për Marjan Rrokun zgjat 10 vjet. Deri kur Kevin Konolli, marshall në SHBA, nis kërkimet për të gjetur të kërkuarin ndërkombëtar Marjan Rroku. Kërkime që zgjatën plot 6 vjet. Kur Konolli filloi kërkimet e tij për Rrokun në 2004, ai nuk kishte shumë të dhëna – vetëm pak zëra që Rroku mund të kishte fluturuar në Shtetet e Bashkuara apo Kanada. Konnolli kishte arsye të besonte se ish-polici i shërbimit sekret shqiptar kishte akses për dokumente false, kështu që edhe nëse ishte duke u fshehur në SHBA, ai presupozonte se ai ishte me emër fals. Konolli u takua edhe me motrën e Aldës. Ai mbajti lidhjet me Ornelën, një rezidente në Virxhinia që tashmë është një qytetare e SHBA-së dhe kuptoi sesa e rëndësishme ishte për familjen e saj që Rroku të çohej përpara drejtësisë. Një ndihmesë e madhe për marshallin Kevin Konolli për të gjetur Marjanin ishte edhe publikimi i fotos së tij në emisionin “Më të kërkuarit e Amerikës”. Dhe pas një investigimi më të plotë, ai mbërriti në dyert e Rrokut në “Queens County” në mëngjesin e shtatorit të 2011-ës. Pas 10 vitesh arrati, Marjan Rroku arrestohet. I arratisuri jetonte në një apartament me gruan e tij dhe një djalë të ri. Gruaja e Rrokut mesa dukej e njihte atë vetëm nga emri i dytë Jeton “Tony” Mirakaj dhe nuk ishte në dijeni se ai kërkohej për vrasje. Ditën pasi Konolli e arrestoi, ai ndaloi në Virxhinia për të takuar Ornelën. I solli një dhuratë: prangat që përdori kur kishte arrestuar Rroku.