2016-08-05

Miki Manojlović: S’janë serbët dhe shqiptarët që urrehen, por politika e shteteve

serbet dhe shqiptaret dje
Leximi politik i veprës së Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”, nga regjisori serb, Miki Manojlović, një bashkëpunim serbo-shqiptar, me propozimin e komunikimit kulturor, si urë e vetme pajtimi mes dy vendeve, edhe pse urrehen. Pas premierës në Beograd, udhëtimi i shfaqjes drejt Zagrebit, Sarajevës, Bosnjës, Prishtinës dhe së fundmi, konsideruar si rrjedhje e natyrshme, me dy mbrëmje në Tiranë. Prezenca dhe deklarata në shqip e aktorit Uliks Fehmiu, djalit të aktorit të madh, të ndarë nga jeta pak kohë më parë, Bekim Fehmiut
Nga Violeta Murati
Regjisori i njohur serb, Miki Manojlović, mbrëmë dhe sonte është në Tiranë bashkë me një trupë teatrore shqiptaro-serbe, me shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”. Shfaqja është vënë në Beograd së pari, shqip dhe serbisht, në Zagreb, Sarajevë dhe së fundi, në Prishtinë.
Një vit më parë, Manojlović ka refuzuar ftesën për të qenë në Shqipëri në festivalin e Butrintit, me ide të njerëzve të teatrit, Qendra Mesdhetare e Teatrove. Ndërsa këto dy ditë, vjen në Tiranë i mbështetur politikisht nga Ministria e Kulturës.
Vepra sqarohet se ka qenë mjaft e kushtueshme, me një ekip talentesh, të cilin e ka mbështetur edhe Fondacioni Sorros dhe në bashkëpunim me Qendrën MultiMedia, e njohur prej dramaturgut nga Kosova, Jeton Neziraj.
Së fundmi, ka një tendencë kulturore të njerëzve të artit për të dhënë një alternativë “paqeje” në Ballkan, sidomos mes serbëve e shqiptarëve, dhe pse shkojnë në një linjë me politikën, dëshirën për t’u pajtuar pa çuar gjërat në vend.
Regjisori Manojlović i ka quajtur aktorët e tij të guximshëm, një grup fisnikësh me artistë nga Kosova dhe Serbia, me të cilët ka punuar për dy vjet e gjysmë deri në realizmin e shfaqjes shekspiriane, që sintetizon një mënyrë të jashtëzakonshme se si politika e bën dashurinë të pamundur, qoftë dhe atë, thjesht, njerëzore. Manojlović, në daljen e djeshme para mediave në Tiranë, pohon: me shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”, patëm disa njerëz të talentuar, nuk ka qenë asnjëherë teatri në këtë nivel!
Plotësimi i Hervin Çulit, drejtorit të Teatrit Kombëtar, mbante klishetë e një politike miqësore duke thënë se: kjo shfaqje tregon si mund të bashkëpunojnë dy popuj përmes një historie dashurie, kjo është shfaqje për paqe dhe dashuri në Ballkan!!!
Është vlerësuar si një mundësi e rrallë ardhja e aktorit Uliks Fehmiu, djali i aktorit të famshëm Bekim Fehmiu, ndarë nga jeta pak vite më parë, tragjikisht, me vetëvrasje.
Me këtë peshë, Fehmiu i ri, i cili është pjesë e shfaqjes “Romeo dhe Zhuljeta”, në rolin e Lorencos, fratarit, kishte përgatitur në shqip një fjalë të shkurtër, duke menduar se ka realizuar një ëndërr të lënë në mes nga i ati, interpretimin shqip në skenën shqiptare.
Uliksi, që nuk nguron ta shprehë se nuk ndihet i plotë për shkak se nuk flet mirë shqip, prezent për herë të parë në Shqipëri, ka thënë: “Është kënaqësi e madhe të jem në Tiranë e Shqipëri, për herë të parë në jetën time. Jam shumë i lumtur, i kënaqur që erdha me shfaqjen ‘Romeo dhe Zhuljeta’, tema e së cilës fatkeqësisht do të jetë e përhershme: urrejtja është temë e përhershme, ndërmjet popujve, shteteve, familjeve, por ky është tregim edhe për dashurinë, e cila është më e forta dhe e përjetshme. Artistët janë shpesh ata që të parët i ndërtojnë urat e rrënuara ndërmjet popujve. Shpresoj që publiku do ta pëlqejë shfaqjen dhe do ta kuptojë në mënyrë të drejtë. Puna në këtë shfaqje ka qenë fantastike dhe emocionuese prandaj do të ketë vend të veçantë në kujtesën time. Shpresoj që edhe publiku do të ndihet në mënyrë të njëjtë”.
Dramaturgu Jeton Neziraj është një nga autorët më të angazhuar qoftë për kulturën shqiptare, ashtu edhe për imazhin politik të vendit të tij, Kosovës. Në këtë përpjekje, projekti me serbët, për Nezirajn është një përvojë nga më interesantet për shkak të realizmit të tij nga një artist i jashtëzakonshëm, siç është regjisori serb, Manojlović, duke folur për një proces të vështirë dhe me shumë sfida. Duke mos e parë këtë si rast unik, Neziraj ka treguar përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë më herët për komunikimin kulturor serbo-shqiptar, duke e vlerësuar këtë herë simbolike, prezencën e aktorit Uliks Fehmiu.
Konteksti politik i kësaj vepre ka sjellë një rast për të pozicionuar kontributet kulturore të të dyja vendeve si ura të vetme komunikimi. Por në një realitet historik, ashtu siç propozon edhe shfaqja “Romeo dhe Zhuljeta”, për dramaturgun Neziraj përvoja është unike, jo në aspektin politik, edhe pse del jashtë vullnetit të tyre. “Ne s’bëjmë politikë, por teatër, por në kontekstin kur realizohet ky bashkëpunim, merr konotacione politike. Qëllimi ynë është të realizojmë një shfaqje për të komunikuar në rajon, Serbi e Kosovë. Është fakt që, në këto rrethana, kur janë edhe bashkëpunime të natyrshme, marrin konotacione politike, kjo e ndihmon politikën, por jo në mënyrën si propagandë. Kjo iu shërben njerëzve të zakonshëm dhe elitave politike. Deshën apo s’deshën, ne kemi bërë hapin e parë, para politikës, pasi bashkëpunimi ynë ka rrjedhur kaq natyrshëm. Do doja të merrej si shembull prej politikës”, ka thënë Neziraj.
Në këtë raport të politikës me Teatrin, sidomos për historinë shqiptare, regjisori serb, Manojlović ka një mendim politik, se në këtë rast vetë Evropa ka shumë tensione politike, si kudo, me justifikimin se ato janë të përjetshme…një arsye  pse toka është e mbushur me gjak, dhe që po mbushet! Reflektimi i menjëhershëm e kthen vëmendjen e Manojlović te rasti i “Romeo dhe Zhuljetës”, mbi dy gjuhë që janë larg njëra-tjetrës, që mbajnë kontekstet e komunikimit ndërmjet dy njerëzve, dy grupeve që në rastin e dashurisë kuptohen mes tyre, por që ndodh edhe e kundërta. Ideja e qartë e Manojlovićit lidhet me socializimin njerëzor, konkretisht serbo-shqiptar, përmes miksimit të gjuhëve, argëtimit me njëri-tjetrin, qoftë dhe vetëm duke u parë. Me simbolikën e personazheve që i lidh dashuria, por janë të ndarë nga politika; Zhuljeta serbe dhe Romeo shqiptar, ata që duhen në të dyja gjuhët. “Ne kemi dy njerëz që duan njëri-tjetrin dhe dy grupe që urrejnë njëra-tjetrën, pafund, përgjithmonë.  Gjë që për mua nuk është e pranueshme. Ndërsa pyetja më e rëndësishme e Shekspirit, që përmendet, është: Kush jam unë?  Nuk janë serbët dhe shqiptarët që urrehen, është politika e shteteve”

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...