2016-08-03

“Modernët e kohës”

“Modernët e kohës”

Studjuesi, kritiku dhe publicisti i njohur Sejdo Harka, kohët e fundit shfaqet para lexuesve me librin e ri “MODERNËT E KOHËS”, në të cilin janë përmbledhur analiza letrare, esse dhe portrete për njerëz të shquar të dijes, letërsisë, artit dhe kulturës.
Të shkruash për “modernët e kohohës”, nuk është e lehtë, sepse jo vetëm që kërkon njohuri të thella, por edhe shpirt e këndvështrim krijues. Këtu Sejdo guxon dhe fiton me llogjikën e analizës. Të zbulosh dhe të shijosh moderrnen në krijimtarinë e gjerë letrare dhe artistike të të gjitha kohërave, do të thotë të prekësh si me dorë shpirtin dhe zemrën, jetën dhe ëndrrën, poezinë dhe këngën e të gjithë njerëzimit. Në këtë rast Sejdo provon dhe na befason me fjalën e tij magjike.
Autori i këtij libri, edhe pse nuk i ka vënë qëllim vetes të përzgjedhë “modernët” e të gjitha kohërave, ka ditur jo vetëm të qëmtojë e shijojë, por dhe të përçojë te lexuesi, vlerat e papërsëritshme të disa prej figurave më të ndritura të mendimit dhe të filozofisë, të artit dhe të letërsisë botërore e asaj shqiptare. Disa prej “heronjëve” të këtij libri, janë:  Rumi dhe Esenini, Poradeci dhe Naimi, Dritëroi dhe Ismaili… etj, kollosë të tillë të mendimit dhe veprimit, të cilët, pavarësisht se ku e kur kanë jetuar e shkruar, duke i bërë dritë kohës së tyre, i bashkon udha e përbashkët e njerëzimit. Prandaj ata kurrë nuk humbasin e vdesin, kurrë s’shuhen, por përjetësisht të gjallë mbesin.
Krahas brendisë së pasur dhe argumentit të thellë që e karakterizon librin “Moderrnët e kohës”, ajo që më ka nxitur të hedh në letër këto shënime modeste, është gjuha e gjallë dhe tepër poetike që S.Harka përdor. Brenda çdo analize letrare, esseje dhe portreti, gjen edhe poezi, edhe këngë, edhe rimë e ritëm, edhe shpirt e ëndërr. Gjuha elegante që autori përdor në shënimet dhe analizat e këtij libri, e shoqëron lexuesin gjatë shfletimit të kësaj vepre, aqsa herë të duket sikur vërshëllen e herë sikur reciton, herë sikur kërcen e herë sikur këndon.
Harmonizimi i gjykimit të ftohtë me atë emocional, e bën këtë libër më të afërt me lexuesin. Me stilin e tij të veçantë, S.Harka sjell orgjinalitetin e vetë, jo vetëm për gjuhën poetike që përdor, por edhe për mënyrën e kompozimit të analizave dhe esseve kulturologjike. Me brumin e veprës artistike që analizon, autori krijon një prozë të bukur poetike, e cila shpesh i ngjan një ”poezie analitike”. Poetizimi i brendisë së librit nëpërmjet gjuhës së përzgjedhur dhe ritmit e rimës së brendshme, për mua është një vlerë e shtuar. Për ta plotsuar këtë mendim, më poshtë po citoj disa pjesë, duke qënë i bindur se edhe lexuesi do të jetë në një mendje me mua:
Ja ç’shkruan autori për Rumiun, gjeniun e kulturës dhe letërsisë iraniane në pjesën, “Shpirti i dashurisë njerëzore”: “E kush i lexoi poezitë e tij, dhe nuk u mrekullua nga dashuria e njeriut për lirinë dhe jetën, për shpirtin dhe shpresën, për besimin dhe besën, për dijen e shkencën dhe nuk u befasua nga mesazhet e tyre filozofike, për virtytin dhe vesin”.
Me titullin e bukur “Naim Shqipëria”, autori e nis shkrimin kushtuar rilindasit tonë të madh N. Frashëri. Për Sejdo Harkën ai “Është dhe mbetet atdhetari më i shquar dhe mendimtar i rrallë, iluministi mendjendritur dhe shkrimtari më ëndërrimtar, krijuesi i papërsëritshëm dhe poeti gjuhëzjarr”. “Në mendjen dhe fantazinë e poetit tonë të madh, shqiptari shfaqet herë i djersirë e herë i gjakosur, herë i qeshur e herë i vrerosur, herë i shtypur dhe herë i prangosur, por kurrë i trembur dhe i sosur”. … “Ti, Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar”…. këto vargje të bukura të Naimit u bënë për shqiptarët shpatë e këngë, shpirt e zemër, frymë e ëndërr”.… Më poshtë ai shkruan: “Kur kujtoj Naimin, më shfaqet parasysh njeriu, që penën e ngjeu në flakë, për të zhurriur veset dhe ligësinë, servilizmin dhe babëzinë, hipokrizinë dhe tradhëtinë, frikën dhe verbërinë, harbutërinë dhe egërsinë”.
Pyes veten dhe lexuesin: Cili nuk u dashurua me “dashurinë” e lirikave të Lasgush Poradecit, kollosit të poezisë shqipe? Ndaj autori i librit shkruan: “Për Poradecin ka vlerë çdo gjë, që “mban erë Shqipërie”…. Për të Atdheu është, edhe djepi edhe varri, edhe fusha edhe mali, edhe uji edhe zjarri, edhe hëna edhe dielli, edhe buka edhe mielli, edhe mjalti e sheqeri, edhe helmi e zeheri, edhe jeta e fantazia, edhe skllavëria e liria”.
Ismail Kadarenë, të cilin autori e pagëzon me emrin kuptimplotë “Monarku” i letrave shqipe, e trajton me dhuntitë, të mirat dhe dobësitë e tij. Për S. Harkën, “Ismail Kadare para lexuesve lartësohet… sa i ditur aq dhe i talentuar, sa modern aq edhe koherent, sa i zakonshëm aq edhe i jashtzakonshëm, sa i kapshëm aq dhe i pakapshëm, sa i qetë aq edhe nervoz, sa i butë aq edhe i egër, sa i vëmendshëm aq dhe indiferent, sa i respektueshëm, aq dhe mospërfillës, sa i përmbajtur aq dhe i guximshëm, sa i drejtpërdrejtë aq dhe zhbirues”. Dikur quhej “i përkëdheluri i borgjezisë”, ndërsa sot për çudi quhet “i përkëdheluri i komunizmit”. Megjithatë, Ismail Kadare ka preferuar më mirë të ndezë një qiri, se sa të mallkojë errësirën”.
Me një frymëzim dhe dashuri të veçantë S.Harka shkruan për Dritëro Agollin. Midis të tjerave ai thotë : “Ky gjeni i letrave shqipe, ose siç e thërresin ndryshe “I përndjekuri i dashurisë”, me penën e tij te artë, i bie globit dhe e çan tejpërtej, i bie shpirtit dhe e ndriçon, i bie të keqes dhe e verbon, i bie të mirës dhe e mrekullon”. Dashurinë dhe thjeshtësinë e Dritëroit autori e gjen: “Në shpirtin e tij të pastër dhe në penën e tij të artë, në flokët e tij të bardhë dhe në zemrën e tij të zjarrtë, në ëndërrat e tij të bukura dhe në gojën e tij si mjaltë, në mendjen e tij të kthjellët dhe në moralin e tij të lartë, në këngën e tij devolliçe dhe në dollinë e rakisë, në brazdat e thella të ballit dhe në këngët e dashurisë, në vrullin e rinisë dhe hapat e matura të pleqërisë”.
Autori, pasi ka lexuar librin “Bedri Dedja në kujtesën tonë”, përgatitur nga dr. Murat Gecaj, shkruan: “Prof. Bedri Dedja rend si në legjenda, pa u lodhur në rrugë të pashkelura, përmes honesh e pritash, për të prodhuar e shpërndarë dritë e dituri, dinjitet e mirësi, prush nga zjarri Prometheut, vrrull e shpresë nga fuqia e Anteut, shpresë e besë nga besa e mëmëdheut”. Ndërsa
për librin “Dorela”, studjuesi S.Harka shkruan: “Brezat i përcjellin njëri-tjetrit shpirtin dhe dinjitetin, dijen dhe kulturën, gjuhën dhe mentalitetin, traditat dhe personalitetin, lirinë dhe dashurinë, gjakun dhe trimërinë, besën dhe burrërinë, shpresën dhe pathyeshmërinë, siqeritetin dhe besnikërinë”. Ndërsa për publicistin dhe studjuesin e njohur Murat Gecaj ai shkruan: “Kushe njohu nga afrër dhe nuk u mrekullua nga karakteri i tij i fortë dhe bujaria, nga guximi dhe vendosmëria, nga sinqeriteti dhe thjeshtësia”.
“Njeriu që reflekton kulturë”, kështu e titullon autori i librit, shkrimin për portretin e shkrimtarit, publicistit dhe autorit të mbi 40 librave, Viron Kona. “Kush e njohu nga afër shkrimtarin Viron Kona dhe nuk u mrekullua nga fjala e ngrohtë dhe buzëqeshja e sinqertë, nuk u befasua nga kultura e gjërë dhe shembulli i njeriut të drejtë, nuk u impresionua nga hapat e tij të matura dhe vendosmëria për të çarë në jetë, nuk u frymëzua nga përkushtimi për punën dhe durimi për të thyer çdo vështirësi e pengesë… Ai, përmes magjisë së fjalës, përjeton ëndërra zhvillimi dhe vret frikën e zhgënjimin, mbjell embrione lirie dhe rindërton ura miqësie”.
“I arti Bardhyl Xhama”, kështu e titullon publicisti Sejdo Harka, shkrimin për “Mësuesin Merituar “ dhe autorin e 15 librave për fëmijë e të rritur. Ja si shprehet ai, për këtë figurë të nderuar të arsimit, gazetarisë dhe lrtërsisë. “Sa më shumë ta njohësh Bardhylin, aq më i kthjellët të shfaqet shkëlqimi i njeriut të komunikueshëm dhe shumë punëtor, i njeriut të mençur e tepër gazmor, i krijuesit të rrallë e tepër popullor… Edhe pse gjatë jetës, herë është gëzuar e herë është trishtuar, herë është lodhur e herë është stërmunduar, atë s’e kanë tradhëtuar as kreshtat e flokëve, as freskia e fytyrës, as kujtesa e rrallë, as humori i gjallë, as mendja e mprehtë e hapat e shpejtë, as pika e rakisë së parë, as pena e rrallë”.
Mes përshkrimeve të tilla të bukura me ngjyrime të thella emocionale dhe poetike, merr frymë e gjithë brendia e librit. Në këto shënime të shkurtra, u mundova të shpalos vetëm disa prej krijimeve të bukura artistike e poetike të këtij libri. Ju siguroj se këndvështrime dhe përshkrime të tjera edhe më të bukura do të gjeni në librin “Moderrnët e kohës”, nëse do të vazhdoni të lexoni edhe shkrimet dhe essetë e tjera për Prometeun e Laokontin, për Eseninin dhe Savjanon, Për Lame Kodrën e Ali Asllanin, për Ben Blushin dhe Diana Çulin, për Sokrat Habilaj dhe Skënder Haskon, për Naxhie Dumën dhe Lame Xhamën, për Bashkim Hoxhën dhe Thanas Dinon, Helena Kadare, Enver Petrovci, Koçi Petriti, Musa Kraja, etj … Rima dhe muzikaliteti, u jep këtyre shënimeve bukurinë dhe melodinë e prozës poetike. I mbetet vetë lexuesit të shijojë e vlerësoj vjershërimin brenda çdo krijimi.
Në këtë libër vihet re edhe një hollësi tepër e vogël, por që në të vërtetë merr vlerën e një “porosie prej mësuesi”. Autori në fund të çdo shkrimi shënon datën. Kështu padashje i jep këndonjësit një këshillë të vyer, se në çdo kohë kur lexon një libër, për qejf apo për punë, mbaj shënime, së paku nënvizo nëpër rrjeshta, dhe shkruaji mbrest e ndjesitë e çastit, mëpastaj po pate nge, publikoji apo përmblidhi në libër, siç ka bërë edhe ai vetë.
Së fundi, e përshëndesim autorin për këtë prurje letrare, të bukur e të veçantë. Urime Sejdo Harka! Vazhdo në këtë udhë plot mundim, duke ujdisur, qëndisur e stolisur çdo shkrim.
Kadri Tarelli

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...