2016-09-06
“Babain e pushkatuan para shtëpisë”
Ata qëndruan dy ditë me radhë në karrocën e akullores të familjes durrsake, më pas i bënë nga një arkë druri dhe i varrosën. Të paktën kishte fatin të kishte një varr, se ka të tjerë që nuk kanë as varr”, - kështu shprehet Bahri Liku, djali i ushtarakut të ushtrisë së Mbretit Zog, Muharrem Liku, i cili u ekzekutua më 1 nëntor të vitit 1944 së bashku me komshiun e tij, Abdullah Saraçi. Këta ishin dy nga të 39 të ekzekutuarit e komunistëve, të cilët i vranë pa gjyq nga 28 tetori, me të hyrë në Tiranë deri më 16 nëntor, një ditë para çlirimit të kryeqytetit. Atëherë ka qenë nëntë vjeç dhe e mban mend natën kur erdhën partizanët në derën e shtëpisë për ta pyetur të atin për diçka që nuk kishte fare lidhje me ta. “Derën e ka hapur gjyshja, – kujton Bahriu, – partizanët po kërkonin të bisedonin diçka me Muharremin dhe i ka lejuar të hyjnë brenda. Me të hyrë brenda, ata kanë filluar ta pyesnin babanë për gjithçka. Por, ai i ka ndërprerë duke i thënë se këtu nuk është sallë gjyqi, por është familje. Atëherë partizanët i kanë thënë të dalë pak jashtë pasi e kërkon Abdullah Saraçi, i cili ishte gjithashtu jashtë. Babai i ka pyetur nëse duhej të vishej civil apo ushtarak, por ata i janë përgjigjur se nuk ka rëndësi”, - thotë i biri i Muharremit. Pasi i kanë konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë, të cilat i mbante për shkak të detyrës, e marrin me vete përjashta. Ai dëshmon se nuk ka zgjatur shumë, por sapo është mbyllur dera e jashtme e shtëpisë janë dëgjuar breshëri automatiku. Askush nuk dyshoi në familje se ato krisma ishin për të zotin e shtëpisë. Banorë të lagjes i kanë pohuar familjes se viktimat ishin mbështjella me batanije, pastaj janë futur në karrocën e akullores, që u gjend aty krejt rastësisht. “Babait tim i kanë prerë gishtin e unazës për t’i marrë unazën prej floriri”, - thotë Bahriu. Karroca u ruajt nga partizanë dhe askush nuk lejohej të afrohej. Ekzekutimi dhe mbajtja e viktimave për 48 orë në mes të rrugicës së Saraçëve, pranë ‘Selvisë’, ishte për të ndjellë terror në mesin e banorëve të Tiranës, në të cilën nuk kishte shumë ditë që kishin hyrë partizanët. “Atëherë nëna ime ishte 31 vjeçe, kishte tre djem dhe në bark mbante fëmijët e katërt, një vajzë”, - shprehet Bahriu, i cili shton më tej se, “askujt nuk do t’ia fal vuajtjet e nënës sime, që e vetme dhe me atë fatkeqësi duhej të rriste katër fëmijët e saj”. Kur e pyesim se cila ishte arsyeja e vrasjes së të atit, Bahriu ngre supet, sepse nuk e di dhe askush nuk i ka shpjeguar asnjëherë motivet e vrasjes së të atit, edhe pse familja e tij ka ndihmuar luftën, edhe pse në shtëpinë e tij kanë strehuar për tre muaj një partizan. Në ceremoninë e përkujtimit të 65-vjetorit të ekzekutimit të 39 intelektualëve, i pranishëm ishte dhe kryetari i Bashkisë, Edi Rama, që është njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Socialiste. I pyetur se si është ndjerë dhe cili do të ishte mesazhi i tij për kryebashkiakun, Bahriu Liku thotë: “Ai e ka vetë në dorë dhe të reflektojë, se më 17 nëntor do të jetë me ata (me partizanët)”. Sipas tij, pushtetarët lokalë të Tiranës nuk “janë kujtuar aq sa duhet për ta”. Bahri Liku kujton se vetëm njëherë, më 1995, ka pritur në shtëpi e tij, me rastin e 5 Majit Presidentin e Republikës dhe asgjë më shumë.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...