2016-09-08

Fishta – figurë madhore e kombit



 Prof. dr. Vebi Bexheti


Në letërsinë shqipe janë të shumtë personalitetet që me fatin e tyre në krijimtari dhe në jetë, ndryshojnë në shumëçka nga të tjerët. I këtillë ishte edhe Gjergj Fishta, krijuesi që me veprën e vet aq të gjithanshme, për një kohë të gjatë 45 vjeçare, u largua me dhunë nga shkollat tona, nga bibliotekat dhe nga tekstet shkollore, por asnjëherë edhe nga mendja e shqiptarëve që kishin pasur rastin ta njohin veprën e tij që në periudhën e parandalesës. Shumë këngë të kryeveprës së tij, “Lahuta e Malcisë” që edhe identifikohet me emrin e autorit, dhe lirikat atdhetare të tij, mësoheshin përmendësh, ato mbetën në kujtesën e lexuesve të hershëm, të mësuesve veteranë dhe të nxënësve të tyre, që nga koha kur vepra e Fishtës u vlerësua deri në glorifikim, ndërsa autori në mit. Këto vlerësime të kohës që ishin objektive e ndonjëherë edhe me elemente subjektive, përbëjnë fazën e parë të komunikimit të veprës së tij me lexuesin dhe kritikën letrare të kohës që, zgjati deri kah gjysma e dytë e vitit 1946.

Falë kryetarit të parë të Lidhjes së shkrimtarëve të Shqipërisë së asaj kohe, Sejfulla Malëshova, që njëherësh ishte edhe Ministër i parë i Kulturës i pushtetit popullor, vepra e Fishtës e pa dritën një kohë të shkurtër edhe në këtë pushtet, që shumë shpejt në emër të popullit do të bëhet më antipopullori. Sejfulla Malëshova, që njihej edhe me pseudonimin Lame Kodra, do ta ketë fatin e Fishtës. Ai, përveç Fishtës, e mbrojti edhe Faik Konicën, që në atë kohë fizikisht nuk ishin të gjallë, i vetëdijshëm për mospajtimet ideologjike të tyre, sepse Konica gjatë kohë kishte qenë në anën e Zogut, e Gjergj Fishta anëtar i Akademisë italiane në kohën e Qeverisë fashiste. Këto aktivitete të tyre ishin të vërteta, ashtu siç ishte edhe një e vërtetë tjetër, shkruante Lame Kodra: … por është po kaq e vërtetë që veprat e Konicës dhe të Fishtës janë lidhur ngushtë me Rilindjen e Shqipërisë dhe janë pjesë e pandarë e trashëgimit tonë nacional dhe pasurisë sonë kulturore. Shumë shpejtë ky pushtet popullor Sejfulla Malëshovën e largoi nga skena politike, letrare e kulturore, si oportunist dhe me ide liberale.

Derisa vepra e plotë e Fishtës me kohë e kishte e parë dritën e botimit dhe i kishte pushtuar zemrat e lexuesve shqiptarë, shumë poezi të Lame Kodrës nuk e patën as edhe fatin që të botoheshin e të lexoheshin. Poezia “Për Kosovë e Çamëri”, e tij, u botua për herë të parë më 1998. Ashtu si Fishta kur me lirikën e vet shfaqte dhembjen për shkatërrimin e atdheut të tij natyror, edhe Sejfulla Malëshova në disa poezi, përmend pjesët e copëtuara të tërësisë territoriale siç janë: Çamëria, Kosova, pa i harruar as trojet shqiptare që mbetën në pjesën jugosllave të Maqedonisë, që i identifikon me Vardarin, dhe rrugëtimin e tij përmes tokave shqiptare, dhe Shkupin si qendër e lashtë e Dardanisë dhe e Vilajetit të Kosovës. Ky poet ndoshta edhe kishte qenë i nxitur nga liriku i madh Fishta, i cili që nga vargu i famshëm i poezisë “28 Nanduer 1913”: Oj zanë t’këndojmë … t’vajtojm, deshta me thanun, shkruar me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, që më vonë u cungua pamëshirshëm, paralajmëroi se nuk ka pse të gëzohemi pas vendimit për çështje te kufirit, të Konferencës së Ambasadorëve në Londër.

Ashtu si Fishta në vargjet: Mo leni, burra!… M’armë!…Mbaroi Kosova…! Janina humbi!… e ndoshta Tepeleni… Shkoi Manastiri Dibra edhe Gjakova!…Vendet ma t’mirat ne na i mori shkjau, e shk’asht ma zi, ne vlla ma vlla na ndau, kur shpreh revoltë për tokat që diplomacia e fuqive të mëdha ua ndau sllavëve dhe grekëve, edhe Sejfulla Malëshova, sipas modelit të Fan Nolit, nëpërmjet lumenjve e përshkruan gjeografinë shqiptare. Në poezinë: “Për Kosovë e Çamëri” i hasim edhe vargjet: …Luftën e shpëtimit djema mos e lini Se me gjakun tuaj po valon Vardari Por si Kollomaja po vajton dhe Drini, ndërsa në poezinë “Unë e dua Shqipërinë”, të ribotuar më 1946, poeti nuk harron ta përmend Shkupin dhe Janinën: … unë e dua Shqipërinë që nga Shkupi e në Janinë.

Përkrahja aq e madhe e Gjergj Fishtës nga Sejfulla Malëshova, me gjithë dallimet në ideologji, kur kemi të bëjmë më një lidhtar fanatik të Revolucionit popullor nëpërmjet lëvizjes komuniste dhe një antikomunisti të përbetuar siç është At Gjergj Fishta, bazohet në përmasën e angazhimit të tyre atdhetar, kur copëtimin e atdheut e përjetuan njësoj, e si duket, kjo mjaftonte për një solidaritet të këtillë me veprën e Fishtës. Disa vite pas vdekjes së Gjergj Fishtës, në dhjetor të vitit 1940, kah fundi i vitit 1946, kur Sejfulla Malëshova nuk mundi ta mbrojë as veten, Fishtës dhe veprës së tij do t’i shpallet luftë e ashpër, edhe pse kjo vepër ishte vlerësuar pozitivisht nga kritika letrare e kohës. Vlerësimi aq i mprehtë, objektiv dhe i qëlluar i Lasgush Poradecit që ia bëri kësaj vepre që në vitin 1937, mbetet edhe sot një shembull i mirë se si duhet trajtuar dhe vlerësuar kjo vepër që me sukses i bërballoi edhe kohërat e ndalesës, që realisht nuk patën sukses ta largojnë nga kujtesa e atyre që e kishin njohur. Sipas Lasgushit, vepra poetike e Fishtës është e zhvilluar sipas postulatit fetar e kombëtar, kjo poezi vlerëson ai, është shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar. Një vlerësim të përafërt për lirikën e Fishtës e bëri edhe Arshi Pipa: Unë jam i mendjes se Fishta ishte n’origjinë nji poet lirik, por i një lirizimi të fuqishëm kryengritës, jo lotues, e melankolik…një lirizëm luftarak (Gjergj Fishta, Lirika, Prishtinë 1997, f. 11).

Viktor Volaj, njohës i mirë i Lirikës së Fishtës që e përgaditi me shënime e shpjegime botimin e dytë të lirikave dhe njëherit bashkëpunëtor i ngushtë i Fishtës, për personalitetin dhe veprën e tij do të shprehej kështu: At Gjergj Fishta nëpër ma të mëdha qytete të kohës, përpara mija e mija poetësh, njerëzish të naltë, shkenctarësh diti me qit e me naltsue vetitë ma të rralla të kombit shqiptar, historinë lumniplote e traditat shekullore të tij. Albanologu i njohur Norbert Jokli, ndër të tjera shkruan: Me At Gjergj Fishtën gjuha Shqipe u rrit, u madhnue, u ba zonjë. Stili i At Gjergjit, stil burrash e krejt shqiptar të ushton hijshëm e fuqishëm në të njëjtën kohë (Gjergj Fishta, figurë madhore e letërsisë sonë, Tetovë 2008, f. 72). Në vitin 1936, gjuhëtari i shquar dhe studiuesi i letërsisë, albanologu më i madh, Eqerem Çabej në studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe”, kur flet për Fishtën dhe veprën e tij, ndër të tjera shprehet: Një provë që nuk e kishte bërë me sukses letërsia shqipe më parë, bëhet me sukses të jashtëzakonshëm të ky autor. Me “Lahutën e Malcisë”, Gjergj Fishta na tregohet poet me fuqi epike të lindur, rrëfimi i tij është plot gjallëri dhe rrjedhje. Vepra e këtij autori është e mbështetur në këngët e veriut mbi trimëritë të cilat në veprën e re thuren duke u përsosur e fisnikëruar. Gjergj Fishta është bërë sidomos me “Lahutën e Malcisë” përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare (Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqipe, Prishtinë 2009 f. 250).


Edhe në periudhën më të errët kur ideologjia komuniste i shpalli luftën më të ashpër veprës dhe figurës së Gjergj Fishtës, falë diasporës shqiptare që për shkaqe ideologjike e kishte braktisur atdheun, dhe frymës demokratike të disa shteteve, siç janë edhe SHBA-të, kjo vepër vazhdoi të botohej dhe të lexohej, mirëpo një gjë e këtillë nuk ndodhi edhe në Kosovë dhe në vendet tjera të ish Jugosllavisë, ku jetonin shqiptarët. Nëse në Shqipërinë socialiste, personaliteti i Fishtës konsiderohej si fashist, cinik, demagog, shovinist, ksenofob antisllav, e çka jo tjetër, në Kosovë as që mund të botohej e të futej në program shkollore, edhe për shkak të qëndrimit të tij të quajtur me të padrejtë si antisllav, që në realitet ishte kundër pushtuesve sllav, që i kishin pushtuar tokat shqiptare. Sulmet më të pamëshirshme që vinin edhe nga institucione kompetente te Shqipërisë së atëhershme ishin të periudhës së krizës më të thellë ideologjike, të viteve 70-80, kur ishte thelluar lufta kundër “ndikimeve negative nga e kaluara”. Në Fjalorin Enciklopedik shqiptar, të vitit 1985, studiuesi dhe intelektuali Vehbi Bala, që realisht kishte qëndrim pozitiv për këtë shkrimtar ishte i detyruar që këtë figurë ta paraqesë sipas shijes së politikës zyrtare. Se vlerësimi aq negativ ishte vetëm një detyrim, e jo sipas vullnetit të autorit, tregon edhe fakti se po i njëjti autor, shkodrani Vehbi Bala, një studim për Fishtën dhe veprën e tij, të shkruar edhe më herët, nuk mundi ta botojë 30 vjet, për të pritur dritën e botimit aq të vonshëm të vitit 1988.

Për ta mposhtur më lehtë këtë krijues e atdhetar të madh, qarqet e ndryshme, vite me radhë, madje deri në ditët tona e keqinterpretuan një varg të poemës “Metamorphosis” ku poeti bën fjalë për fenomenin e metamorfozës, duke e kritikuar personazhin që don të konvertohet, kur thotë: Ta dijë Shqypnia Pra sheklli mbarë se ma mbas sodit Un sjam shqyptar. Kjo thënie që dikush deshi ta përdor për qëllime të errëta vetëm e vetëm për ta nxirrë këtë atëdhetar të madh, tanimë duhet kuptuar drejtë.

Edhe në fillimet e fazës se tretë, kur Fishta kthehet aty ku e ka vendin, në disa shkrime vazhdojnë aty këtu vlerësime negative, si duket ende si pasojë e një mentaliteti mohues, që me vonë të zbuten e të rishqyrtohen. Ismail Kadare në librin “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, të botuar më 1991, kur bën fjalë për letërsinë e viteve ’30-të, flet edhe për Fishtën. Në këtë studim, përveç tjerash, kur Fishta kritikohet ne planin politik dhe estetik, e nënçmon edhe kryeveprën e tij “Lahuta e Malcisë” të cilën e vlerëson si një kronikë sterile, monotone, kurse autorin e saj si shkrimtar që himnizonte Shqipërinë e prapambetur, kanunore e mesjetare. Këtë gjykim Ismail Kadare është munduar ta zbusë disi më vonë, por është për t’u marrë në konsiderim konsiderata e tij për Fishtën si artist. (Agim Vinca, Gjergj Fishta, figure madhore e Letërsisë sonë, Tetovë 2008, f. 32).

Sidoqoftë, viti 1990 i dha fund ndalesës 45 vjeçare të Gjergj Fishtës dhe veprës së tij. Institucione të shumta zyrtare e profesionale në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, në këtë fazë të rilindjes do të thosha, të veprës së tij të madhe, do të organizojnë manifestime të ndryshme që qëllim parësor e kishin ndriçimin e plotë të kësaj vepre, që me sukses i sfidoi kohërat më të këqija dhe të gjitha komplotet ideologjike për ta mposhtur tërësisht atë.

Kjo fazë e komunikimit me veprën e Gjergj Fishtës, që gjithsesi erdhi nga shembja e regjimit totalitar, dhe zhvillimi i saj me aq intensitet, nuk ishte vetëm një larje borxhi për mungesën e poetit të kombit, për 45 vite, por më tepër si nevojë për ta njohur këtë vepër gjeneratat më të reja, e për ta rinjohur ato më të vjetrat. Artikujt e shumtë studimor, monografi të ndryshme, konferencat e shpeshta shkencore me botime përmbledhjesh nga kumtesa të lexuara, dhe botimi më i kompletuar në katër vëllime i veprës së tij në Prishtinë, e më vonë edhe ne Tiranë, po dëshmojnë etjen për ta shijuar këtë vepër madhështore dhe për ta korrigjuar padrejtësinë që iu bë gjatë kohë. Tanimë, kur lexuesi duke nisur nga ai më i riu, e deri te studenti, mësuesi e studiuesi i letërsisë, e ka në dorë veprën e kompletuar të Gjergj Fishtës, nuk ka pse të qëndrojë indiferent dhe mos t’i qaset kësaj vepre në mënyre serioze, dikush vetëm për kënaqësinë personale e dikush për qëllime të ndonjë studimi, që sado pak do ta pasuronte mendimin kritik për këtë vepër.

Vepra e Fishtës është e gjithanshme, ajo është vepra e historisë sonë të dhembshme që përfshin pjesën e fundit të përpjekjeve për çlirim kombëtar, dhe atë të kohës së Pavarësisë. Prej Rilindjes dhe rilindësve ai do të trashëgojë idealizmin e njohur, përkushtimin ndaj lirisë, pavarësisë, tërësisë etnike dhe gjuhës, kurse prej periudhës së Pavarësisë do të marrë frymëzime për bashkimin kombëtar (Rexhep Qosja, Shkrimtarë dhe periudha, Tirane 2005, f.149).

Vepra e tërësishme e Fishtës e mbajti gjallë kujtesën historike edhe kur ishte e ndaluar, prandaj nëse duam ta kemi të freskët këtë kujtesë, ta lexojmë “Lahutën e Malcisë”, nëse duam të bindemi sa e bukur është gjuha shqipe, t’i lexojmë lirikat e tij që i kushtohen kësaj gjuhe, nëse duam të dimë për fillimet parlamentare në Shqipëri, ta lexojmë satirën “Gomari i Baba Tasit”, e nëse duam ta njohim Fishtën, t’i lexojmë me kujdes tërë veprat e tij, sepse vetëm atëherë do ta kuptojmë personalitetin e tij krijues që e himnizoi Shqipërinë si Naimi dhe me satirat e tij i thumboi anët negative, si Konica.

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...