2016-09-08

Kur Pipa na mbushte me ideale!



Frank Shkreli

Në paradoks, Arshi Pipa nuk kujtohet sot nga ithtarët e tij, por nga një njeri i thjeshtë që e ka njohur rastësisht në emigrim

Arshi Pipa lindi në Shkodër më 28 korrik 1920 dhe ndërroi jetë në Uashington më 1977. Ai jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij jashtë atdheut, në mërgim të detyruar. Arshi Pipa ishte shumë i njohur në qarqet akademike e kulturore në Perëndim e sidomos në Amerikë, por gjatë periudhës së komunizmit ishte “persona non grata”, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Megjithëse nuk e ndiej veten as të denjë dhe as të kualifikuar për të shkruar për Arshi Pipën dhe veprat e tij, dua vetëm të shënoj këtë përvjetor, pasi e kisha njohur atë dhe motrën e tij, Fehimen, me të cilën kam punuar në “Zërin e Amerikës”. Ndiej një detyrim moral – për vuajtjet e kësaj familjeje nën regjimin e Enver Hoxhës, për burgun që pësoi Arshiu vetë në ferrin komunist shqiptar dhe për vrasjen nga komunistët e të vëllait të tyre Myzaferin – që me dy-tri fjalë të përkujtoj këtë njeri të madh, në këtë përvjetor të lindjes së tij.

Arshi Pipën, përveç kontributeve të mëdha që i ka lënë kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë dhe publicistikës – në bazë të takimeve e bisedave të disa hershme me të në Uashington – e mbaj mend më shumë si atdhetar dhe antikomunist, pasi afër zemrës kishte dashurinë për Shqipërinë dhe çlirimin e saj nga komunizmi. E vlerësoj shumë qëndresën e tij antikomuniste. Megjithëse kishte vuajtur ferrin në burgjet e Shqipërisë duke e shikuar vdekjen në sy, ai kurrë nuk humbi shpresën për liri, për veten dhe për kombin shqiptar dhe si rrjedhim për këtë ideal ai punoi pa ndërprerje deri në minutën e fundit të jetës së tij. Ai shpesh thoshte: “Komunizmi nuk ka të ardhme. Ai do të përsëritet në involucione gjithnjë ma të dobëta derisa të shterret vetvetiu“.

Takimi im i parë me Arshi Pipën nuk ishte si person, por ishte “Libri i Burgut” i shkruar në burg si një dokument kundër regjimit komunist. Një libër ky për të cilin vet autori thotë se “… u nis me qëllim që të delte ai nga burgjet prej të cilave unë ndofta nuk do të delsha… Kështu që, qysh herët shestova me mbledhë përvojën time dhe jo vetëm timen, të kohës së robnisë, qi të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut dhe të kampit – e një anës së jetës nën diktaturën komuniste, e cila karakterizon mirë gjithë kompleksin”.

Kështu që, pa e takuar atë, unë kisha njëfarë ideje se kush ishte Arshi Pipa. Kam pas fatin të takoja këtë dijetar të madh shqiptar disa herë dhe e kam admiruar sa ishte gjallë si edhe pas vdekjes, pasi ai kishte një përgatitje të dijes së gjithanshme. Dituria e tij ishte rrjedhim e fryt i studimeve të pareshtura dhe vuajtjeve personale e familjare. Ai, në bisedë të angazhonte intelektualisht dhe në argumentet e tij kishte një gjallëri përbindëse të idealeve.

Arshi Pipa personifikonte patriotin dhe intelektualin, ndër më të shquarit e kombit shqiptar, i cili asnjë ditë të jetës së tij nuk pushoi së luftuari për liri e demokraci dhe për lirinë e fjalës, për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, gjithmonë në një papajtueshmëri të plotë ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste. Majin që kaloi, Presidenti i Shqipërisë, zoti Bamir Topi, mori pjesë në përurimin e fotoekspozitës së shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë nga diktatura, të titulluar “Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave“, në mjediset e Muzeut Historik. Me atë rast, Presidenti Topi vuri në dukje përvojën e hidhur të viktimave dhe të persekutuarve gjatë diktaturës dhe ndriçimin e së vërtetës historike, duke thënë se “kjo e vërtetë është tragjike, por edhe heroike. Ajo na thotë se aty ky ishte burgu, aty ku ishin telat me gjemba, aty ku ishin torturat, aty ku përballej vdekja – aty ishte atdheu…”

Me atë rast, Presidenti Topi përmendi vëllezërit Arshi e Myzafer Pipa dhe tha: “Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari, si zëri më i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati, mbrojtësi i së drejtës, atëherë kur frika mbyte kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët“. “Shqipëria, – tha Presidenti Topi, – ka përvojën, rastet dhe kryeveprat e veta në këtë marrëdhënie. Shoqëria demokratike dhe institucionet e saj, tek këta shkrimtarë e avokatë dhe veprat e tyre duhet të shohin përsosjen e vet”. Presidenti përfundoi duke thënë se “institucionet shtetërore që mbulojnë trashëgiminë kulturore dhe historike, duhet të kenë një vizion të qartë. Dogmat e së djeshmes duhet të zëvendësohen nga objektiviteti shkencor“.

Sot, në këtë 90-vjetor të lindjes, kujtojmë Arshi Pipën, personalitetin e madh kulturor, poetin e shkrimtarin, atdhetarin, demokratin e antikomunistin e flakët që vuajti në burgjet e diktaturës komuniste. Kujtojmë gjithashtu personin që mund të thuhet se jo vetëm që nuk është zbuluar ende si duhet, por mund të deklaroj se nganjëherë e nga disa ai mbetet i keqkuptuar dhe i trajtuar në mënyrë indiferente, sidomos nga institucionet kulturore për të cilat bën fjalë më lart, Presidenti Topi.

Janë fjalë që nuk duan veshë të shurdhër. Arshi Pipa ishte lëvrues i palodhur i kulturës, shkrimeve dhe studimeve shqiptare, duke zënë vend në krye të radhës.

Ai gjithë jetën dhe vuajtjet ia kushtoi atdheut dhe kombit. Ai ishte ndër më të ndritshmit patriotë e shkollarë, veprat e të cilit janë jetike për kombin e vuajtur shqiptar nga terri 50-vjeçar komunist. Është gati si amanet kur thuhet se duhen njohur veprat e elitës së qëndresës antikomuniste shqiptare, duke përfshirë edhe veprat e Arshi Pipës, do të rivendoste dinjitetin dhe nderin e nëpërkëmbur njerëzor të elitës së vuajtur dhe të viktimizuar shqiptare.

Arshi Pipa tërë jetën u mor me fatin e atdheut të vet, prandaj në këtë përvjetor të lindjes së tij ta nderojmë këtë dijetar që solli dritë mbi historinë tonë dhe që na përfaqësoi në botën e jashtme me dinjitet, duke e paraqitur kombin shqiptar si të denjë të zërë vendin që i takon në radhët e kombeve të qytetëruara. Duke i kthyer ligjshmërinë dhe vendin që i takon Arshi Pipës dhe veprave të tij në historinë e kombit shqiptar, në nuk bëjmë asgjë tjetër veçse vëmë në dukje fisnikërinë e vetes sonë.

Arshi Pipa, veprat e të cilit nuk do të njohin kurrë mort, është i denjë për nderimet tona dhe meriton mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...