Një ushtri e tërë njerëzish të zotë punonte në hije. Shpina të kërrusura mbi fletë të bardha e libra, që përkthenin nga rusishtja, anglishtja, italishtja, osmanishtja… Emri i tyre nuk përmendej kurrë. Një pjesë ishin ish-të dënuar, të persekutuar, të dënuar nga pushteti popullor, me njolla në biografi, por edhe ata që ishin thjesht të punësuar ishin krejt anonimë.
Tiranë, 8 gusht - Një ushtri e tërë njerëzish të zotë punonte në hije. Shpina të kërrusura mbi fletë të bardha e libra, që përkthenin nga rusishtja, anglishtja, italishtja, osmanishtja… Emri i tyre nuk përmendej kurrë. Një pjesë ishin ish-të dënuar, të persekutuar, të dënuar nga pushteti popullor, me njolla në biografi, por edhe ata që ishin thjesht të punësuar ishin krejt anonimë.
Të gjithë ishin përkthyes të “klasikëve” marksistë-leninistë, për llogari të shtëpisë botuese “8 Nëntori”, ku botoheshin edhe veprat e ish-diktatorit Enver Hoxha. Një redaksi e veçantë merrej me veprën e tij, shkruan Panorama. Në veprën e tij hulumtuese “Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1990)”, autori Leka Ndoja na tregon se si funksiononte ky mekanizëm. Kush ishin përkthyesit dhe redaktorët në hije, si përgatiteshin librat e Enver Hoxhës, si tjetërsoheshin, grabiteshin veprat e intelektualëve shqiptarë nga pushtetarët e kohës. Rasti i radhës është “Fjalori filozofik” i bashkautorëve Servet Pëllumbi dhe Fiqret Spahiu, ku në vend të këtij të fundit, u vu emri i ish-drejtoreshës së Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Fiqirete Shehu. al.mi
Gjatë periudhës së komunizmit u investua në përkthimin e veprave marksiste apo në tjetërsimin e përkthimeve, të cilat iu nënshtruan anonimatit. Këtë detyrë të përkthimit të veprave të marksizëm-leninizmit e kryen fillimisht përkthyes anonimë që përkthenin materiale në gazetën “Bashkimi”, mandej nga Instituti i Studimeve që mori emrin Instituti i Shkencave në vitin 1946 dhe nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste. Në emrin e këtij instituti botoheshin të gjitha përkthimet e të burgosurve politikë që lëvronin përkthimet, kështu pohon edhe bashkëvuajtësi i Pjetër Arbnorit, në burgun e Ballshit, Ajet Rusi (njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze, të cilën e pati mësuar në burgun e Ballshit gjatë 11 viteve të vuajtjes atje, i dënuar për tentativë arratisjeje, pohon se Ministria e Brendshme dispononte një listë të përkthyesve të burgosur, ndër ta Lazër Radi, At Pjetër Mëshkalla, Pjetër Arbnori, Ajet Rusi.
Ai pohon se veprat e përkthyera prej tyre botoheshin nën siglën e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste). Por, në vitin 1974, me themelimin e shtëpisë botuese “8 Nëntori”, botimet marksiste, nga sporadike, u botuan si vepra të plota autoriale në një kolanë me libërlidhje e veshje speciale. Raporti i botimeve qëndronte diku tek 50 me 50% midis botimeve të klasikëve dhe të materialeve të PPSH, që nga ana e tyre ishin në raportin me mbi 50% në favor të botimeve të Enver Hoxhës kundrejt atyre të PPSH-së. Me veprën e Enver Hoxhës merrej një redaksi e veçantë përgatitore e drejtuar nga Ali Basha, njeri i besuar i familjes Hoxha.
Në vitet ’30 u bënë të njohur Zef Mala e njerëzit e grupit komunist të Shkodrës, me përkthimet e buletinit të tij “jeshil” (1938) edhe Tajar Zavalani me përkthimin e romanit “Nëna” të Gorkit, të botuar në fashikuj si literaturë e ndaluar gjatë viteve të monarkisë. Këto përkthime marksiste mbetën anonime, sipas një direktive të pandryshuar në vitet 1945-1990. Bëhet fjalë për qindra libra dhe mijëra faqe, të cilat janë përkthyer duke konsoliduar terminologjinë e filozofisë, pavarësisht se i përkisnin një dege të saj të vetme, si marksizmi. Në një listë të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, për nevoja të shpërndarjes së librave të marksizëm-leninizmit, bëhet një përmbledhje e titujve të botuar në rreth 32 vjet në këtë drejtim.
Por, edhe për Ministrinë e Arsimit, emrat e përkthyesve nuk janë bërë të njohur, të cilët më së shumti kanë qenë ish-aderentë të lëvizjes së majtë në Shqipëri, apo njohës të kësaj filozofie apo të autorëve të tyre si Marksi e Engelsi. Këta përkthyes e shkrimtarë, të cilët kishin studiuar në shkollat perëndimore, në programet e të cilave, siç pati pohuar edhe Arshi Pipa në ligjëratën e tij të mbajtur në Tiranë në 1992- shin, zhvillohej brenda lëndës së Filozofisë edhe filozofia marksiste së shumti, duke e bërë më të lehtë punën e tyre në këtë fushë. Përkthyesit e teksteve të filozofisë marksiste dhe të materialeve të PPSH-së u ndanë në tri grupe: 1) nga grupi i shkrimtarëve të persekutuar të viteve të para të luftës: përkthyesi Jusuf Vrioni, Mihal Sherko, Mihal Zallari, Bujar Doko 2) të përkthyesve me vështrime të majta në shkrimet e tyre gjatë viteve ’30-’40 si Zef Mala, i njohur si perkursor i përkthimeve marksiste në revistën “Buletini Jeshil” (Shkodër 1938), për çka u dënua më 11 shkurt 1939, Sejfulla Malëshova, por edhe grupi i përkthyesve devijacionistë nga e majta, si Xhavit Qesja (përkthyes i një pjese të “Kapitalit” të Marksit, ish-komunist i dënuar me 30 vjet burgje e internime) 3) përkthyesit e punësuar si përkthyes dhe redaktorë, emrat e të cilëve sipas një standardi lindor nuk paraqiteshin fare me autorësinë e përkthimit, si Pirro Andoni që në themelimin e kësaj shtëpie botuese (1974-1979) e Rexhep Hida (1979-1989), (si shefa të sektorit më të rëndësishëm: redaksia politikeshoqërore, pas redaksisë së posaçme të veprave të Enver Hoxhës, sektorit të literaturës politike e shoqërore në vitet 1974-1989).
Rexhep Hida, specialist për gjuhët gjermanisht e rusisht, përkthyes i 6 veprave klasike të Marksit e Engelsit, që na ka dhënë edhe strukturën e shtëpisë botuese “8 Nëntori”, Bujar Doko, Pavllo Gjidede, Jusuf Vrioni, Kudret Kokoshi, Edmond Tupja etj.
Lista e veprave të klasikëve të M.L., të përkthyera nga të persekutuar dhe të burgosur apo nga përkthyes të shtëpive botuese të Institutit të Shkencave, Institutit Marksist-Leninist apo “Naim Frashëri”, vepra që do të dilnin nga tregu, për t’u hapur rrugën përkthimeve të reja të shtëpisë botuese të themeluar në 1974-n, “8 Nëntori”. I. Vepra të klasikëve të marksizëm-leninizmit 1)K. Marks, “Lufta e klasave në Francë nga viti 1848 deri në vitin 1850”, viti (i botimit) 1954 2)K. Marks, “Mëditja, çmimi dhe fitimi”, viti 1948 3)K. Marks, “Puna me mëditje dhe kapitali”, viti 1948 4)K. Marks, “Tetëmbëdhjetë Brymeri i Lui Bonapartit” 5)K. Marks dhe F. Enges, “Manifesti i Partisë Komuniste”, bot. i 13-të 6)F. Engels. “Ludëig Feuerbach dhe mbarimi i filozofisë klasike gjermane”, (nga ital.) 1949
Në këtë shkresë ngrihet pretendimi për përkthime nga origjinali ose jo, pretendim i cili nuk shoqërohet me emrat e përkthyesve, edhe në komunikimin shkresor mes Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe institucioneve të specializuara, si shembulli i shtëpisë botuese “8 Nëntori”, ku mund të kishim gjurmë të qarta, përveç dorëshkrimeve origjinale. Këto të fundit s’janë depozituar pranë AQSH, pas ngjarjeve në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku u dogjën mjaft materiale gjatë ngjarjeve të shkurtit të vitit 1991, më vonë ky institucion iu nënshtrua shpërbërjes dhe privatizimit të pjesshëm, për rrjedhojë dokumentimi është dëmtuar. 82 vepra të përkthyera, të cilat sipas shkresës do të hiqeshin nga tregu për t’u zëvendësuar me të tjera, vepra të plota, kolona të klasikëve të M.L., u zëvendësua nga përkthime të tjera anonime të një breznie të re.
Të gjitha këto vepra janë përkthyer në anonimat, të cilat me kalimin e kohës, pasi kjo literaturë ka dalë relativisht nga programet kurikulare shkollore, përveç ndonjë vepre të Marksit e Engelsit, puna e përkthyesve është kthyer, siç thotë Vedat Kokona në veprën “Mbi përkthimin, me përkthyesin”, në “ca të rrahura tastash”: “Pavarësisht nga fakti se në hyrjen e ‘Fjalorit të gjuhës shqipe’ të Institutit të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave, nuk përmendet as edhe një emër punëtori të përkthimit ndër dhjetëra emra të tjera që ceken aty, për ndihmën e madhe që i kanë sjellë gjuhës shqipe si ajo miza e karrocës së La Fontaine-it…” Ndonëse Vedat Kokona nuk ndalet te përkthimet M.L. as te shtëpia botuese “8 Nëntori”, ai përmend përkthyesit e persekutuar si Halit Selfon, Ali Hashorvën, Hamit Kokalarin, Bujar Dokon, Vexhi Buharanë e Kudret Kokoshin. Ky i fundit kishte përkthyer disa autorë të realizimit socialist në gjuhën italisht, duke mbetur në anonimat, pasi vuajti 20 vjet burg. “Por, liria e tij tani është më e rëndë se lufta dhe më fyese se burgu. Tërësisht i mjerë gjen një dhomë në hanin “Rrogozi”.
Ngaqë njihej me Enver Hoxhën, i shkroi (më tepër si një rebelim) se anatema s’duhej të vazhdonte gjithë jetën. Diktatorët janë kapriçiozë. Në vend që ta ridënonte për letrën, erdhi urdhri që të punonte si përkthyes. 17 vjet përktheu nga shqipja në italisht letërsi të epokës socialiste: Kadarenë, Agollin, Arapin, Xoxen, etj., etj. (Visar Zhiti në “Drithmë jete”, poezi, Kudret Kokoshi, 1995, Tiranë) Për orientalistin e madh Vexhi Buharaja, përkthyesin e veprës së Hoxha Tahsinit dhe të “Shahnamesë” të poetit të madh pers Firdeusit, të cilin e shfrytëzuan si përkthyes dokumentesh në Institutin e Gjuhës dhe Historisë, por duke e shkarkuar në vitin 1975, për çka historiani Ahmet Kondo do të shprehej: “Ky intelektual me ndjenjë të pastër atdhetare u godit shpirtërisht edhe më tepër kur koha e punës së tij në Institutin e Historisë si përkthyes nga gjuha osmanishte u vu në shërbim të disave që bënë emër si punonjës shkencorë në mënyrë të padrejtë. Kjo gjendje e rëndë arriti pikën e saj kulmore në maj të vitit 1975, kur Vexhiu u flak me mospërfillje. Kujtoj atë çast kur ky njeri i ndershëm, me aftësi të rralla pune, gojëmbël dhe i respektuar, me lot në sy, po me atë qëndrim të papërmbajtur, doli nga zyra e drejtorit të këtij institucioni. “Të pushoi, o Vexhi”, i thashë, duke e vështruar thellë në sy. “Më pushoi, më tha, por pena ime nuk do të pushojë asnjë çast se i shërben kombit tonë”.