Nga Blerina Gjoka
A ia bëni vetes pyetjen “përse shkruaj”…?
Nuk ia kam bërë ndonjëherë, por ja, po ia bëj tani: përse shkruaj unë? Dhe vetja më përgjigjet: ke shkruar që të kryeje detyrimin ndaj profesionit dhe kishe një të tillë, që as punë nuk mund të quhet përderisa ishte një pranverë kënaqësie. Tani shkruaj se lexuesit e mi më kanë mbushur mendjen se pëlqehem! Dhe së treti, (dhe nuk zgjatem më pasi ka dhe arsye të tjera), sepse dhe më parë, dhe në ditët e sotme, ndjej detyrim qytetar. Sot, më shumë se dje.
Stili apo historia që ka për të rrëfyer, cila e bën shkrimtarin apo librin?
Stili e bën shkrimtarin, kurse historia dhe, natyrisht shkrimtari, bëjnë librin.
Fëmijëria dhe të shkruarit: a është një fëmijëri e palumtur një premisë për letërsi të mirë?
Jeta e vështirë dhe përpjekjet për një jetë të mirë pasurojnë hambarët e shkrimtarit, sidomos në dy-tri dhjetëvjeçarët e parë të jetës. Por ky nuk është një kusht i ngurtë. Është provuar se edhe nga familjet aristokrate e pasanike janë rritur fëmijë që janë bërë figura të shquara të letërsisë botërore. Personalisht kam pasur një jetë të vështirë, por nuk do ta cilësoja si të palumtur fëmijërinë time.
Çfarë mendoni për e-books: a lexoni në kompjuter apo jeni besnik i letrës?
Jam tradicional, apo konservator, merreni si të doni.
A është shkrimtaria për ju një profesion, një pasion, një hobby apo një mënyrë të jetuari?
Për vete, si përgjigje, do t’i rreshtoja që të gjitha tok këto që rreshtuat ju, për të zgjedhur njërën nga ato. Tek unë, shkrimtaria ka qenë dhe është profesion, dashuri, atraksion i papërballueshëm dhe mënyrë të jetuari.
Besohet se që nga Homeri, të shkruarit i ka temat e përcaktuara; lufta, dashuria, jeta, vdekja…a ka një temë të preferuar për ty kur shkruan…?
Dukja dhe thelbi janë për magjen time të humorit. Frika dhe vdekja, për sjelljen e realitetit që kam njohur.
Cili është raporti i letërsisë me lirinë, a është më e bukur dhe e vërtetë letërsia nën liri apo diktaturë?
Kjo pyetje është pa vend. Kadareja e ka sjellë këtë dualizëm për diskutim. Dhe unë dua t’i përgjigjem pyetjes suaj me një pyetje timen: cila letërsi dhe cili ballafaqim na e bën këtë dyshim të qëndrojë akoma në këmbë: letërsia kineze, apo francezja? A mos vallë Brechti dhe Remarku duhet të qëndronin në Gjermaninë e Hitlerit e Ivan Bunini dhe Sozhelnicini duhet të qëndronin në perandorinë e Stalinit dhe të Brezhnjevit, që të kishim prej tyre vepra më të mira?!
Besohet se një shkrimtar i mirë duhet të jetë më parë një lexues i mirë, çfarë lexoni, a kanë ndikuar librat apo autorët në mënyrën se si shkruani? Nëse po, cilët janë ata?
Nuk e di nëse do të cilësohem ndonjëherë shkrimtar i mirë por, nëse edhe për lexuesit do të kish një Nobel, pa modesti them se do të isha një kandidat serioz! Influencat nuk janë kurrë të këqija. Aq sa shpërfillim pedagogët mbresëlënës të jetës sonë shkollore, aq mund të përbuzim mësimet që nxjerrim nga shkrimtarët tanë të preferuar. Imitimet dhe plagjiaturat, pastaj, janë diçka tjetër. Ato janë të neveritshme. Tek unë pa dyshim kanë ndikuar Çehovi, Hygoi, Dymai, Dodeja, Kuteli, Zhyl Verni, Dostojevskij, Shekspiri, Mom, Buzzatti dhe shumë të tjerë.
A keni zakone të të shkruarit, si psh orare, vende të preferuara? Shkruani me dorë apo me kompjuter?
Kur shkruaja me dorë vrisja mendjen se si mund të guxonin njerëzit të shkruanin direkt në makinë shkrimi?! Kurse tani, nga njëzet vjet e këtej, që kur tek unë trokiti kompjuteri, pyes: si mund të shkruhet me dorë?!
Cili është roli i lexuesit në momentin që uleni të shkruani, a shkruani duke menduar si do t’ju lexojnë, si do t’ju kuptojnë?
Pyetje shumë interesante. Siç edhe e preka këtë temë më lart, unë shkruaja jo vetëm për konsumatorin, (spektator, telespektator, apo lexues), por kryesisht për lexuesin e parë: aktorin! Unë shkruaja fillimisht duke pasur përmbi tryezë imazhin e Luftar Pajës, Xhuljetës sime, Hajrie Rondos, Fatos Selës, – për të përmendur vetëm disa emra nga ato dy trupa të mbushura me artistë të talentuar. Tani që jam ndalur më shumë në prozën tregimtare dhe në publicistikë, si skalion të parë përgjegjësie, kam familjen e ngushtë dhe shumë shokë e dashamirës.
Ju keni botuar me UET-Press librin “LUFTË PA FUND. Shtegtime nëpër qiellin politik”, i cilësuar si një dëshmi e gjallë e mënyrës se si një intelektual shqiptar ka jetuar diktaturën dhe dështimet e demokracisë. Cila do të jetë “dëshmia” juaj e re?
I menjëhershëm është përfundimi i vëllimit të pestë të përmbledhjes së letërsisë për magjen e skenës. Siç edhe mund ta dini, deri tani që nga viti 2007, nën kujdestarinë e Bashkisë së Fierit, janë botuar katër vëllime të tilla, të cilat përmbajnë komedi, drama, pjesë me një veprim, dialogë, monologë, shkruar për skenën dhe për ekranin e gjerë dhe televiziv. Kam aty brenda dhe ese, intervista, polemika mbi jetën e teatrit dhe politikën shtetërore ndaj artit. I pesti do të jetë vëllimi i fundit.
Veç kësaj, po punoj mbi një projekt shumëvjeçar për një libër me reportazhe gazmore nga shfaqjet qesharake të të moshuarve. E ndjej veten si një gazetar që është dërguar me shërbim për të përcjellë reportazhe nga Pleqërilandi!
**********
(Pëllumb Kulla ka lindur në Zëmblak të Korçës në vitin 1940.Përfundoi arsimin e mesëm në degën mekanike të Politeknikumit "7 Nëntori"(1957) dhe studimet e larta i kreu në Shkollën e Lartë Teatrale "Aleksandër Mojsiu" më 1964.
Aktiviteti profesional
U emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti.
Më 1967 bie viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çon per riedukim në gurore, minierë e më pas në ofiçinë. Riedukimi zgjat po aq sa iu desh per te kryer studimet e larta; plot katër vjet.
Më 1972 emërohet aktor në Teatrin e Fierit, me pas regjisor; dhe punoi aty 18 vjet, si regjisor i Estradës dhe Teatrit.
Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arrin "kullën" e suksesit. Ështe me e mira ne vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët "Çobo Rrapushi me shokë" (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë. Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në TV. Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" nën titujt "Lipe Shtogu në listë" (1979), "Shoku Niqifor" (1981), "Portrete pa makiazh" (1983), "Po martojmë Malon" (1984), "Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç" (1988), si edhe në buletinin "Teatër". Më të plotë letërsinë e tij për skenën e gjejmë në pesë vëllime, në një botim të bukur financuar nga Bashkia e qytetit të Fierit, me titullin e përbashkët "Teatri kjo lojë magjepsëse"
Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri. Më 1987 i jepet Çmimi "Naim Frashëri" i Klasit të Dytë. Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen "Shoku Niqifor", "Dy krismat në Paris", "E bukur shtëpi e vjetër". Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë. Përjashtimin e bën komedia "Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë", vënë në skenë nga S. Duni në Teatrin "Skampa" të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989.
Vitet '80
Në vitet '80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë "Telat për violinë" dhe "Stolat në park" pa llogaritur pastaj angazhimin si autor dhe regjisor i skenarëve me metrazh të mesëm televiziv, në televizionin e vetëm shtetëror.
Aktiviteti pas viteve '90
Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997). Pas përfundimit të shërbimit diplomatik shtetëror doli në pension dhe u vendos me familjen më parë në Waterbury, Connecticut. Shumë shpejt u rikthye në New York dhe u angazhua për afro dy vjet si gazetar dhe editing manager i gazetës shqiptaro-amerikane "Illyria". Gjatë qëndrimit në SHBA prodhimtaria e tij u pa e begatë. Botoi njw seri librash qw u pritwn me interes. E nisi fillin me essenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, "Si qeshnim nën diktaturë" dhe vijoi me romanet "Rrëfenja nga Amerika", "Lejlekët nuk vijnë më" dhe "Vdekja e Enver Hoxhës". Ndërkohë Shtwpia Botuese TOENA e përfshiu autorin në kolanën e Tregimeve të Zgjedhura të Autorëve Shqiptarë me vëllimin me tregime "Pushtimi i Amerikës" (2005) teksa Shtëpia tjetër Botuese GEER ia përmblodhi edhe një herë më gjerë novelat dhe tregimet e tij nën titullin atraktiv "Rrëmbimi i nuses në Nju Jork" (2012). Pa u shkëputur nga librat e tij shënojmë një botim të bukur të Universitetit Europian të Tiranës me afro 700 faqe nën titullin emblematik "Luftë pa Fund" ku gjenden tërë shprehuritë politike të autorit në periudhën e tranzicionit të zgjatur të vendit të tij. Aty janë që nga bashkëpunimet e para me gazetën "Rilindja Demokratike" e pastaj me tërë gazetat e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi dhe ShBA. Vlen të theksohet që edhe në tokën amerikane nuk pushoi bashkëpunimi i tij në fushën e skenës teatrore për të sjellë pranë shqiptarëve të emigruar humorin e vatrave të mëmëdheut dhe për këtë u angazhua shumë me koncerte duke shfrytëzuar bashkëpunimin me aktorët e njohur shqiptarë të vendosur me banim të përhershëm apo të përkohshëm në qytetet amerikane. I takon skenës përkushtimi në shkrimin e një sërë komedive të plota që pastaj u realizuan në atdhe. Këto janë "Kërcuri" (2003), "Milioneri" që u cilësua vepra më e mirë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan të Kosovës (2011), "Dikush duhet të vdesë" (2011) dhe "Shshsht! Ule zërin" (2013).
Vlerësime: Është vlerësuar me titullin "Nderi i Qarkut" Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Mojsiu i është akorduar titulli "Mjeshtër i Madh" (3 Dhjetor 2003)
Aktiviteti letrar si përkthyes
Ndërsa në fushën e letrave, një tjetër ndihmesë e Kullës është përkthimi i autorëve të njohur si Pirandello, Çehov, Gogol, De Mysse, Buzzatti etj.
Përgatiti :Flori Bruqi