Prifti i Kishës së Shën Mërisë në Elbasan, At Nikolla Marku, ka komentuar përplasjen e Athinës zyrtare me qeverinë shqiptare, lidhur me prishjen e ndërtesave të paligjshme në Himarë. At Nikolla Marku deklaron se, fatkeqësisht ekzistojnë ende segmente të errëta në Greqi që pretendojnë se Jugu i Shqipërisë i përket shtetit helen. Pra, çështja nuk qëndron te disa banesa në Himarë. At Nikolla Marku bën thirrje për bashkëpunim, fqinjësi të mirë, që çështjet e vjetra të zgjidhen me dialog. Ndërkaq, At Nikolla Marku kritikon rolin e Vangjel Dules në zgjidhjen e çështjeve mes Greqisë dhe Shqipërisë, ndërsa e akuzon atë se flet me gjuhën e Janullatosit. Më tej At Nikolla Marku shprehet se Greqia nuk mund të vendosë veton ndaj integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian pa ia konfirmuar Komisioni Europian. Ai i bën thirrje Greqisë dhe sidomos segmenteve të errëta të shtetit grek, që të heqin dorë nga mllefet e vjetra dhe të ulen e të gjejnë gjuhën e fqinjësisë së mirë, duke e larguar shpirtin dhe zemrën nga e keqja. Prifti i Kishës së Shën Mërisë në Elbasan thotë se Greqia nuk mund të ketë interesa për Jugun e Shqipërisë, kur atje flitet shqip, duke i bërë thirrje shtetit helen që të tregohet më gjakftohtë dhe largpamës. Ndërkaq, duke iu referuar kërcënimeve dhe hakmarrjes së shtetit grek, i cili ka kthyer shqiptarë në kufi dhe ka nisur prishjen e pasaportave shqiptare, At Nikolla Marku i bën thirrje Komisionit Europian, që të marrë masa pasi nëse Greqia do të lihet e lirë, në ditët në vijim do të vazhdojë të kthejë emigrantë të tjerë shqiptarë.
-Si e shihni përplasjen mes Athinës zyrtare dhe qeverisë shqiptare, për prishjen e disa banesave në Himarë?
Dy shtetet, kur janë fqinj, kur kanë një histori duhet të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, duhet të kenë harmoni. Por kurrsesi nuk mund të ndërhyjnë në çështje intime të pushtetit politik dhe të institucioneve që e drejtojnë shtetin. Unë mendoj se kryeministri ynë dha një përgjigje të drejtë pavarësisht nga intonacioni, nga mënyra e të shprehurit, por thelbi i bisedës është shumë i qartë. Z.Dule, në vend që t’i thotë kryeministrit a keni mundësi që t’i ndihmoni këta njerëz që dalin nga banesat e jashtëligjshme? Sa mund të bëni ju dhe sa mund të bëjë ai vetë si kryetar i PBDNJ? Sa mund të bëjë shoqëria për t’i ndihmuar këta njerëz? Nga njëra ana edhe ligji zbatohet, por nga ana tjetër, edhe lëshohet zëri i ndihmës. Pra, nuk jemi ne shkaktarët e duelit. Gjithmonë e ka krijuar Greqia. Dule ka një rol shumë të vështirë, sepse ai në Shqipëri është për ura bashkimi. Dhe ai mendon se ka punuar për këtë çështje. Por në momentin e parë që ai i kërkon llogari kryeministrit në Parlament të një vendi kur ai vetë është minoritar, kjo nuk është e drejtë! Populli jonë dhe Greqia janë miq, kanë shekuj që jetojnë në një truall në Gadishullin e Ballkanit, dhe ne s’kemi nevoja për udhëheqësa dhe politikanë që ulërasin e bërtasin, që kanë mbeturina dhe lakra në kokë e kanë pretendime territoriale siç ka Greqia. Ne shqiptarët e respektojmë popullin grek; edhe në kohët më të vështira, ne i kemi ndihmuar dhe ata na kanë ndihmuar neve në proceset demokratike. Të pëlcasë një konflikt për disa shtëpi banimi, kjo nuk është vepër e drejtë! Greqia duhet të jetë më gjakftohtë, më largpamëse, të krijojë ura bashkimi dhe jo ura lufte. Z.Dule duhet të gjente një gjuhë tjetër, jo pse ia prishe minoritarëve? Dalin disa mendime patriarkale, të kota dhe territoriale. Unë bëj thirrje që të hidhet pas shpine i gjithë ky mllef, por të thuhet e vërteta siç është. Dhe cila është e vërteta? Zbatimi i ligjit. Kryeministri është në rrugën e së vërtetës. Pse duhet të trembet Greqia dhe të lëshojë thirrje në të gjithë botën për çështjen çame? Unë në tokën që jetoj dhe jam shqiptar, patjetër që ajo tokë i përket Shqipërisë! Epiri dihet që ka qenë pjesë e Shqipërisë së Jugut. U ndryshuan kufijtë në 1913, por ne nuk i kërkojmë dot llogari Europës. Por të paktën mos të bëhet luftë dhe të vendoset ura bashkimi. T’i kërkosh hesap kryeministrit të një vendi tjetër, kur vetë je minoritar, mua më duket koncept i padrejtë. Duke zbatuar ligjin dhe duke iu referuar traditave të popullit tonë, ne do të jemi në rrugë të mbarë. Kur unë kam qenë student për Kishën Ortodokse, Dule ishte përkthyes, ishte goja e Anastas Janullatos në atë kohë. Ai ka bërë edhe shumë gabime të tjera; ai është një sheref i lindur, i uritur, por këto janë gjëra që i përkasin atij. Unë mendoj se duhet të gjendet rruga e bashkimit dhe e të dialoguarit. Diplomacia nuk mund të përdoret mes dy shteteve që janë fqinj, por për çështje më kardinale. P.sh, kur plas lufta dhe jo për sherre të vogla, pse u prish shtëpia. Këto probleme të vogla mund të kalohen me pjekuri shumë lehtë. Disa segmente të veçanta në Greqi, që akoma mendojnë se Jugu i Shqipërisë është pjesë e Greqisë, ata bëjnë shumë gabime. Atyre që u janë prishur shtëpitë në Himarë, mund të jenë grekë, turq, italianë, etj. Nuk e ka ngritur zërin njeri tjetër. As Anastasi nuk duhet të rrinte në Shqipëri, nëse i referohemi Biblës.
-Gjatë këtyre ditëve Greqia ka intensifikuar sulmet ndaj shtetit shqiptar. A duhen marrë seriozisht kërcënimet e Greqisë për bllokimin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian?
Nuk mund të vendosë veton një shtet ndaj një shteti tjetër, se ashtu i teket. Janë disa shtete në Komunitetin Europian që vendosin nëse duhet të pranohet vetoja e atij shtetit tjetër apo jo. Pra, ose ia rrëzojnë veton ose ia mbështesin. Ne nuk mund të jetojmë nën tutelën e një politike të fqinjësisë me armiqësi, por duam një fqinjësi me miqësi. Neve sado që jemi shtet i vogël na janë mohuar shumë gjëra, por mbi të gjitha na është mohuar identiteti i emrit. Vetoja është masë ndëshkimi që nuk i shkon një shteti si Greqia, e cila ka kohë që ka hyrë në BE, që është fqinj me ne dhe kemi një histori të përbashkët. Vetoja është një gurë peshe edhe për ata edhe për neve. Çështja çame të zgjidhet me paqe. Vetoja është paaftësi, zemërligësi, shpirt i keq, një kërcënim.
-Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama se Akropolin e shpëtoi një shqiptar dhe se në atë periudhë flitej shqip, ka acaruar më tej marrëdhëniet me Greqinë. Deklarata të tilla me karakter nacionalist, a rrezikojnë të hapin konflikt dhe të destabilizojnë rajonin, apo ka ardhur koha për të thënë të vërtetën?
Unë nuk e quaj nacionalizëm veprimin e kryeministrit, por patriotizëm. Kur thua të vërtetën dhe e mbron atë në mënyrë dinjitoze, kjo nuk quhet nacionalizëm. Pra, të vërtetën e mbështet dhe e suporton pa luftë. Akropoli është vepër e shtetit grek, por se ka dalë dikush ka folur shqip, kjo nuk do të thotë se duhet të ruash inatet e vjetra. Këta njerëz që kanë akoma pretendime se Jugu i Shqipërisë është i tyre, Kisha Ortodokse është filial i Kishës Greke, duhet t’i heqin nga mendimet e tyre. Asnjë vend i botës nuk ka PBDNJ. Nuk është e nevojshme. A mos vallë në Shqipëri ka egërsi? Pra duhet bashkëpunim dhe gjërat të zgjidhen mes paqes dhe harmonisë.
Intervistoi: Eneida Jaçaj