2017-04-03

Rush Dragu “Shqipëtarë në tokë e ëndërruar”


Të nderuar pjesëmarrës!

Sot në veprimtarinë e shoqatës, na ka mbledhur Rush Dragu, ose e thënë ndryshe, vëllimi i tij publicistik “Shqiptarët në tokën e ëndërruar”, të përgatitur mbi bazën e intervistave që ka dhënë e ka marrë nga personalitete të fushave të ndryshme në Michigan të Amerikës, atje ku jeton e punon prej afro 20 vitesh.


Rushi është lindur në Kelmend, ku ka marrë edhe mësimet e para, ndërsa, pas së mesmes në Shkodër, kryen fakultetin e Agronomisë në Tiranë në vitin 1985 e më pas dhe një fakultet të dytë për biologji në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Në harkun kohor 1987-1996 punon mësues e drejtues i shkollës së mesme të bashkuar të Tamares.

 Për 4 vjet, para se të shkonte në Amerikë, ka qenë kryetar i komunës së Kelmendit, duke qenë edhe ideator i veprimtarive kulturore “Logu i bjeshkëve” dhe “Miss bjeshka” e Kelmendit, të cilat tashmë kanë marrë status kombëtar, pasi në to marrin pjesë edhe grupe nga Kosova e nga Mali i Zi.

Me kontribut të vyer ai sot është edhe në Amerikë, duke drejtuar atje radio e revista e duke qenë, mes tjerash dhe drejtor i revistës AlbDreams.Net (Ëndërrat shqiptare), portali më i madh i komunitetit shqiptar në Amerikë.
Kjo gjeografi studimore e pune i ka dhënë atij një material të bollshëm për ta hedhur sa në krijime letrare e aq publicistike.

Pas sprovash të hershme në rrethin letrar të klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut” në Shkodër, tek “Studenti i bujqësisë” në Tiranë dhe në gazetën lokale “Jeta e re” të Shkodrës, arrin të botojë disa vëllime, si “Kelmendi-dritë-hije”, “Për të gjetur lirinë”, “Prek Cali-legjenda e malësisë” dhe i novelës “Nëntë ditët e tmerrit për ty”.

Rush Dragu është një nga anëtarët më të hershëm të Shoqatës së shkrimtarëve të Shkodrës, i përfaqësuar me krijime të tij edhe në dy vëllimet tona antologjike “Pena e Shkodrës”, ku, sëbashku me Lulash Palushajn kanë qenë kontribuesit kryesorë të botimit të tyre, e për të cilën edhe njëherë i falnderoj në emrin tuaj.
Çfarë e bën të veçantë librin “Shqiptarët në tokën e ëndërruar”?

Jo vetëm kur kam punuar gazetar, por edhe atëhere, edhe më pas, e kam pasë një mendim se që të meritosh një titull të tillë, pra të gazetarit, duhet të jesh shumëplanësh, të kesh njohuri nga shumë fusha, e madje jo sipërfaqësore, që të mos biesh në grackën e mediokritetit. Një përcaktim të tillë e hasa tek ky vëllim. Aty ju do ta shihni autorin edhe si politikan, historian e si shkrimtar, njohës e dashamirës i artit, kulturës e sportit, por, mbi të gjitha atdhetar e patriot.

Në këtë libër Rush Dragun e pashë në dy pozicione: në atë të publicistit që mirret në intervistë, si dhe në pozicionin kur interviston ai vetë personalitete të fushave të ndryshme. Por në të dyja pozicionet është i kompletuar: kur u përgjigjet pyetjeve që i bëhen jep argumenta bindës, përmes një fraze ku nuk e humb fillin, duke mbrojtur pikëpamjet e tij politike e më gjërë, ku pohon e kundërshton rreth disa të vërtetave historike shqiptare të shekullit të kaluar e deri të ditëve tona, pa anashkaluar as jetën në Amerikë, ku me djersë e dije ëndërra bëhet realitet.

 Kryengritja e Malësisë së Madhe, figurat legjendare të Dedë Gjo Lulit, Prek Calit e maleve të tjera të qëndresës, biografia antikomuniste e bajraqeve të vendlindjes e krahinës së tij, sidomos e pas çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët, por dhe jeta ekonomike, politike, kulturore e sportive shqiptare pas 1990-ës e deri në ditët tona, përbëjnë shtyllën kurrizore të këtij vëllimi, që për nga dendësia e informacionit të bën për vehte.

Dihet se në punën rutinë të drejtuesit të një emisioni prestigjioz siç është ai në televizionin ACTV, më të vështira janë pyetjet se sa përgjigjet kur je i intervistuar, pasi kur intervistohesh je në fushën tënde, ndërsa kur interviston, të duhesh të gërmosh në libra e internet që të dish të adresosh pyetje sa më të goditura e jo të hallakatesh nepërmes dijeve të djeshme.

Ky vëllim përbën një vlerë publicistike, që na e jep jetën e mërgatës në Amerikë e kryesisht atë të Malësisë së Madhe si në shuplakë të dorës e kjo nuk është pak për një punë me emrin e përveçëm, Rush Dragu.


SKENDER TEMALI

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër



Pas fjalës të z. Skender Temali, e morën fjalën e diskutuan rreth vlerave të librit drejtori i bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës, Gjovalin Çuni, Ndue Bacaj-historian e studiues e më pas aktorja e mirënjohur e teatrit “Migjeni”, Rajmonda Marku, bëri një lexim akltoresk të një fragmenti nga ky libër, për t’ia lënë radhën kryetarit të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, dega Shkodër, z. Gaspër Marku, i cili në emër të shoqatës i dorëzoi z.Rush Dragu një çertifikatë mirënjohjeje për kontributin e tij publicistik e po ashtu të tilla mirënjohje i dorëzuan edhe z.Gëzim Vuçaj, kryeredaktor i gazetës “Fjala”, për z.Ndue Ftoni e Rush Dragu, te cilën e dorëzoi autori i qindra teksteve të këngëve Ramazan Çeka.

Analizë veprës i bëri poetesha Fatbardha Behri, Kaçi, e cila ka qenë më pranë publicistikës, pasi për shumë vite ka punuar në Radio Tirana, Mimoza Rexhvelaj, autore e disa librave poetikë dhe Kadri Fikaj, prozator e poet.
Në veprimtari përshëndetën dhe nënkryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Sytki Ndreca dhe Luigj Dodaj, ish-tranier i suksesshëm i ekipit të futbollit të Laçit, i cili qe edhe një nga protagonistët e intervistuar të librit.
Në fund autori, Rush Dragu, falnderoi të pranishmit për mendimet e vlerësimet e bëra, dhuroi për të gjithë të pranishmit librin e tij me autograf dhe në bar-kafenë “Venecia” në qendër të qytetit shtroi një koktejl.

Veprimtaria u përcuall me kronika të veçanta në emisionet e TV lokale Rozafa, Star Plus e TV1Chanel, nga televizioni i Koplikut që do të japë një emision të veçantë si dhe nga organet e shtypit.

Burimi : http://www.albdreams.net/category/kulture/



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...