2017-10-12

Komisioni i ri për demarkacion drejt dështimit, marrëveshja në arbitrazh?

Naile Ejupi
Naile Ejupi

Marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të zi për përcaktimin e vijës kufitare, vazhdon të jetë çështje e pa zgjidhur për Kosovën, ndërsa Mali i Zi ka deklaruar se për ta kjo punë tashmë ka përfunduar.

Ndërsa, Qeveria e sapoformuar e Kosovës, ende nuk e ka sqaruar vendimin e tyre për këtë marrëveshje.


Qeveria aktuale të vetmin vendim që ka bërë në këtë aspekt, ka qenë shkarkimi i anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit shtetëror dhe formimin e një komisioni të ri për demarkimin e kufirit.

Komisioni i ri i sapoformuar është i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, ndërsa do të ketë anëtar Riza Smakën, Zejnullah Grudën dhe Florim Isufaj. Kanë kaluar disa javë që nga formimi i këtij komisioni, mirëpo ende nuk ka ndonjë njoftim sa i përket punës së tyre.

“Bota sot” ka provuar të kontaktojë disa herë me kryetarin e këtij komisioni, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Ndërsa, anëtarët të tjerë të këtij komisioni kanë theksuar se nuk e kanë të lejuar të flasin për media.

Ndërsa, sipas opozitës, Haradinaj demarkacionin është duke e dërguar drejt arbitrazhit.


Marrëveshja drejt arbitrazhit

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë  se Haradinaj nuk është duke u munduar ta zgjidhë problemin e demarkacionit dhe se ai thjeshtë mundohet ta shtyjë këtë dhe pastaj të shfajësohet.

Sipas Selimit, duket se Haradinaj këtë marrëveshje është duke e dërguar drejt drejtimit të arbitrazhit.

“Haradinaj nuk do ta zgjidhë këtë problem brenda 3 muajve, madje ai as nuk po mundohet që ta zgjidhë atë. Ai thjeshtë po mundohet ta shtyjë dhe të shfajësohet për çfarëdo dështimi të Qeverisë për ta kthyer këtë marrëveshje në pikën e duhur. Haradinaj po duket se kësaj marrëveshje problematike ia ka dhënë drejtimin e arbitrazhit, pavarësisht rezultatit”, ka deklaruar Selimi.

Ndërsa, në anën tjetër analistët politikë thonë se kjo marrëveshje më nuk varet nga komisionet apo arbitrazhet.

Sipas tyre, çështja e arbitrazhit është e komplikuar dhe kësisoj duhet të pranohet nga të dyja vendet.


Spektakël për zgjedhje të reja

Analisti politik, Dimal Basha, ka thënë se pas debatit dy vjetor për këtë çështje dhe ende nuk është dërguar në arbitrazh, atëherë kjo zhurmë ka qenë vetëm spektakël për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.

“Çfarëdo vonese rreth ratifikimit të marrëveshjes se demarkacionit nënkupton izolim të mëtutjeshëm të qytetarëve të Kosovës. Ka që 2 vjet që debatohet kjo çështje dhe ende nuk është dërguar në arbitrazh, sepse mendoj unë krejt kjo zhurmë për demarkacionin ka qenë vetëm spektakël për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Pas zgjedhjeve, çështja rreth ratifikimit ka ndryshuar komplet duke marre parasysh që numri i atyre qe e kundërshtojnë këtë çështje është rritur në Kuvend. Me fjalë tjera, kjo marrëveshje kërkon aprovimin e 80 deputetëve, numër ky është shume vështirë të arrihet duke marrë parasysh kundërshtinë e 32 deputetëve nga LV, disa deputetë shqiptarë brenda partive tjera nga LDK, si dhe Listën Serbe” ka pohuar Basha.

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk varet nga komisionet apo arbitrazhet.

“ Pra, për shkak të ndryshimit të konfiguracionit në Kuvend, Haradinaj dhe deputetët e AAK-së, kjo marrëveshje nuk varet nga komisionet apo arbitrazhet sepse Haradinaj me deputetët e tij nuk janë më faktorë vendimtare për ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe duke marrë parasysh opozitën e fortë që ka në Kuvend. Si pasojë, unë mendoj se kjo çështje nuk do të gjejë zgjidhje dhe qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mbesin të izoluar edhe për një kohë të gjatë” ka theksuar Basha.


Komision koti

Ndërsa, analisti Blerim Burjani ka thënë se ky komision nuk ka pasur nevojë të themelohet fare.

Sipas Burjanit, çështja e arbitrazhit është shumë e komplikuar, sepse duhet pajtim në mes dy vendeve.

“Ky Komision nuk pasur nevojë fare të themelohet se dihet se nuk do të këtë një vlerësim valid dhe të njohur nga Mali i Zi, ky komision është themeluar kotë pas përfundimit të punës së një komisioni të menjëhershëm është vetëm humbje kohe ose për të vizatuar harta koti. Ideja për të treguar inate për të themeluar komisione të tilla nuk do të sjellin kurrfarë rezultati. Çështja e arbitrazhit është e komplikuar shumë, së pari ekziston një marrëveshje e pajtimit në mes dy shteteve dhe e nënshkruar pra vështire se mund të shkojë edhe në arbitrazh , sepse Mali i Zi do të konstatojë se ekziston një marrëveshje të cilën e ka pranuar Kosova, por ende formalisht nuk e ka ratifikuar Kuvendi, po që se pajtohem dy shtetet për abitrazh atëherë kjo mund të ndodhë me vjet deri të në një vendim tjetër”, ka deklaruar Burjani.


Fillim i mirë

Kurse, analisti politik Faik Krasniqi ka deklaruar se komisioni ka filluar punën dhe nëse ky komision vërteton me fakte se ka devijime të vijës kufitare, atëherë nuk ka nevojë të shkojë çështja në arbitrazh.

Sipas tij, emërimi i komisionit të ri është një fillim i mirë.

“Shkarkimi i Komisionit të vjetër dhe emërimi i Komisionit të ri, konsideroj që është një fillim i mirë, sepse ishte krijuar një konfuzitet i madh me çështjen e Demarkacionit. Me aq sa jemi njoftuar të gjithë përmes mediave, Komisioni i ri veçse ka filluar punën, dhe besoj që brenda pak kohësh ky Komision do të dal me raport zyrtar rreth shënimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Nëse ky Komisioni i ri vërteton me fakte se ka devijime të vijës kufitare, atëherë Mali i Zi është i detyruar që të bisedojë prapë me Kosovën për shënimin e vijës kufitare. Por nëse çdo gjë është në rregull me demarkimin, atëherë çështja s'ka pse të shkon në arbitrazh ndërkombëtar, por të ratifikohet në Kuvend”, ka nënvizuar Krasniqi.

Sipas tij, arbitrazhi merr kohë me vite të tëra dhe është e pandershme që qytetarët të mbesin pa viza vetëm për këtë.

“Arbitrazhi ndërkombëtar merr kohë me vite të tëra, dhe qytetarët e Kosovës do të ngelnin të izoluar deri sa kjo Gjykatë ta zgjidhte këtë çështje. Aq sa është i pandershëm demarkacioni si kusht për liberalizim të vizave nga ana e BE-së, po aq është e pandershme nga këta politikanë që qytetarëve të Kosovës t'ua mohojnë lëvizjen e lirë, për një çështje që ka zgjidhje. Qeveria e Kosovës, partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet t'i japin sa më shpejt epilog kësaj çështje, dhe qytetarët e këtij vendi të dalin nga ky izolim i padrejtë, izolim që do të duhej të vlente për politikanët dhe jo të ndëshkohen qytetarët e Kosovës!” ka shtuar Krasniqi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...