Botohet “Mjeshtërit e pikturës shqiptare në vitet 1883–1944”, me autor Xhoan Guga, një përmbledhje e veprave të realizuara nga brezi i piktorëve, të cilët u shkolluan në akademitë më të mira europiane. Botimi përfshin veprat më përfaqësuese të këtyre piktorëve, të njohura nga publiku, por edhe vepra të panjohura, apo të konsideruara të humbura, të cilat botohen për herë të parë
Mjeshtërit e Pikturës shqiptare 1883-1944, mund ta saktësojmë pse e keni quajtur përmbledhje të veprave nga ky brez piktorësh, çfarë koncepti prezanton ajo konkretisht?
E kam ndjerë gjithmonë mungesën e një botimi të dedikuar plotësisht pikturës shqiptare, për më tepër të kësaj periudhe, e cila më ka intriguar gjithmonë. Jemi mësuar të shfletojmë albume luksoze të huaja mbi piktorë e periudha të caktuara dhe natyrisht dëshiroja që të kisha në dorë edhe një të tillë me piktorët shqiptarë. Pas një pune të gjatë kërkuese pata mundësi të përmbledh shumë punë dhe përzgjedh nga to 113 piktura nga 13 piktorë të kësaj periudhe. Përsa i përket periudhës, këta mjeshtra i përkasin gjeneratës së parë të periudhës pas bizantine, dhe me to fillon piktura jonë moderne. Ndërsa kufiri limit i konceptit të këtij botimi, viti 1944 lidhet me momentin historik të ndërrimit të sistemeve, që pasoi me ardhjen e diktaturës dhe frymës së realizmit socialist në Shqipëri.
Duke vlerësuar se bëhet fjalë për një brez piktorësh që u shkolluan në akademitë më të mira europiane, a mund të na thoni pse dhatë këtë ide, çfarë ishin për kohën këto shkolla?
Kur flasim për akademitë më të mira europiane, natyrisht që po flasim për majat e artit botëror, akademi si ato të Parisit dhe Romës, të zhvilluara si rrjedhojë e një historie të gjatë në krijimin, kultivimin dhe vlerësimin e veprave të artit që tashmë i mbajmë si kryevepra të padiskutueshme botërore. Kështu, duke u bërë pjesë e këtij zhvillimi artistik, Mjeshtërit Shqiptarë qëndrojnë denjësisht përkrah bashkëkohësve të tyre. Për shembull, me një vepër të paraqitur në këtë album, Sadik Kaceli ka marrë pjesë në ekspozitën e 51-të të “Shoqërisë së Artistëve të Pavarur” në Paris, e cila ka përfshirë në ekspozitat e tyre emra si Mattise, Duchamp, Chagall, Kandinsky dhe Van Gogh.
Ju gruponi një brez piktorësh sigurisht të njohur, në çfarë konteksti keni bërë këtë selektim, çfarë ishin për kohën këta?
Ata përfaqësojnë një periudhë shumë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Gjithashtu ishte një periudhë e artë edhe për pikturën shqiptare. Ata e pasuruan jetën shpirtërore të qyteteve tona me gjuhën europiane të pikturës së kavaletit. Me disa prej veprave të tyre filloi piktura moderne e bashkëkohore shqiptare, stile e individualitete të spikatura që përbënë Shkollën Kombëtare Shqiptare të pikturës klasike, mësues që përgatitën talente e themeluan shkollën tonë.
Ka një histori për disa prej emrave që përmendni, sidomos më të vonët që u takoi të bashkëjetonin me skematizmin e socrealizmit, një ironi fati si mundën të pikturonin pas këtij shkollimi?
Sigurisht që kjo kërkon një hulumtim dhe studim të gjatë nga profesionistë për të arritur në përfundime, por sigurisht që pati një ndryshim rrënjësor. Dekadat që pasuan nuk lanë më asnjë vend për shpirtin e lirë, as në ambientet më intime e jo më të fiksuara në telajo; siç edhe e pësoi në mënyrën më të dhimbshme dhe absurde, me burgosje, edhe një prej piktorëve të këtij albumi.
Po ju nga cila përvojë vini në fushë të arteve pamore, keni ndjekur pararendës?
Unë ushtroj profesionin e dizenjuesit grafik prej më se 16 vitesh, dhe kam patur fatin të merrem gjatë me krijimin e shumë botimeve të fushës se artit, kulturës, trashëgimisë dhe sidomos pikturës me albume e katalogë për shumë emra të mirënjohur të artit shqiptar, si p.sh.: Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Zef Shoshi, Hasan Nallbani, Nazmi Hoxha, apo së fundmi Bujar Luca, si dhe ekspozitave të përbashkëta vjetore të pikturës “Nëntori”, “PranverArt” dhe “Plainair”. Unë jam gjithashtu krijues i shumë pullash filatelike që janë në qarkullim nga Posta Shqiptare.
Veprat thuhet se janë përzgjedhur nga fondi i Galerisë, në Tiranë dhe Shkodër, si dhe nga koleksione të familjes dhe private. Si ka qenë ky proces?
Veprat e gjetura, të cilat kam kënaqësinë t’i ndaj me ju, ishin një zbulim për mua. Megjithëse njihja prej kohësh mjaft punë të tyre, në këtë udhëtim, ato mu shpalosen me një volum shumë më të madh nga ajo që e prisja. Gjithë përgatitja e këtij albumi ishte një udhëtim fantastik. Dua të falënderoj Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë, që më dha mundësinë të hulumtoja dhe përzgjidhja veprat më të mira të kësaj periudhe nga fondi i gjerë i saj.
Falënderoj veçanërisht familjarët e autorëve, të cilët dashamirësisht jo vetëm që më dhanë të drejtën e autorit për këtë botim, por dhe më hapën dyert e shtëpive për të fotografuar vepra në pronësi të tyre, të cilat bashkë me pikturat e gjetura në koleksionistë privatë, e bëjnë këtë botim të papritur jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për dashamirësit, studiuesit dhe historianët e artit. Pata mundësinë që me ndihmën e Bashkisë, Galerisë së Arteve dhe Muzeun Historik të Shkodrës, të botoja gjithashtu për herë të parë vepra shumë të rëndësishme të kësaj periudhë që gjenden në këtë qytet. Gjithashtu, dua të falënderoj z. Gjergj Themeli të AlbInfos, jo vetëm për ndihmën e tij në realizimin e këtij botimit por edhe sepse njëkohësisht sot, ai po promovon këtë botim në Maison d’Albanie në Paris, Francë.
Mbi ç’kritere janë përzgjedhur veprat, për cilat bëhet fjalë ?
Pasi mblodha të gjitha veprat që pata mundësi të gjeja, pata fatin që të më qëndrojnë pranë, me këshillat e vyera artistike emra të mirënjohur të artit shqiptar: Z. Kujtim Buza, z. Llambi Blido, i cili sapo hapi ekspozitën e tij në GKA, z. Burhan Cami dhe z. Stefan Taci, të cilët më ndihmuan të përzgjedh për këtë album veprat më të mira.
Në një paraqitje mbi këtë botim flitet edhe për vepra të konsideruara të humbura, apo të panjohura, si është vepruar në këtë rast, dhe në ç’rrethana ka ndodhur vlerësimi si i tillë?
Këtu mund të përmend veprën “Të ikunit e imazhit të Zojës së Shkodrës”, e cila konsiderohej e humbur nga studiuesit e artit. Atë pata mundësi ta gjeja te Arqipeshkvia Katolike e Shkodrës, e cila e kishte restauruar, mbasi i ishte dhuruar në një gjendje të mjerueshme, fshehur për dhjetëra vite gjatë diktaturës komuniste.
Janë shumë vepra që botohen për herë të parë, gati nga të gjithë autorët e përfshirë në botim. Mund të përmend vepra komplet të panjohura nga Abdurrahim Buza si p.sh.“Buzë liqenit” apo “Shtëpi në Pogradec”, Andrea Kushi me “Plakë që tjerr” dhe “Kisha e Shën Kollit” apo Hasan Reçi me “Emrushi” dhe “Lumi i Tiranës” etj.
Por veçanërisht janë gati të gjitha veprat e Vangjush Tushit, i cili megjithëse i shkolluar në Athine e Romë, ka mbetur komplet me errësirë për publikun prej të shkuarës së tij të dhimbshme në diktaturën komuniste.
Gjithashtu botohen për herë të parë vepra nga vetë fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve ku mund të përmend dy vepra të Kolë Idromenos dhe një të Zef Kolombit të zbuluar rastësisht së fundmi vetëm mbasi është hequr një tjetër pikturë që i ishte mbivendosur për ta mbuluar. Edhe nga Galeria e Shkodrës mund të përmend përveç të tjerave edhe shumë të përfolurën “Dy rrugët” e Kolë Idromenos. E ardhmja me siguri që do na rezervojë të papritura të reja!
Intervistoi: Violeta Murati