2019-01-15

BIOGRAFI PRAPASHTESASH



Ardian Vehbiu


Të gjithë i njohim fjalët rekordmen, kongresmen, biznesmen: shqipja i ka huazuar relativisht vonë nga anglishtja. Të tjera të ngjashme qarkullojnë, në hapësira më të ngushta të ligjërimit. Shqipfolësi është në gjendje t’i analizojë këto si rekord-men, kongres-men, super-men, biznes-men dhe të faktorizojë që andej morfemën -men, për ta interpretuar si prapashtesë. Arsyeja për këtë, është se fjalë si rekord, kongres, super dhe biznes kanë hyrë gjithashtu në shqipe. Prandaj edhe kongres-men do të analizohet njëlloj si qeveri-tar. Prapashtesa -men, e distiluar nga një numër i vogël huazimesh nga anglishtja, vjen e përdoret pastaj për të krijuar ndonjë fjalë të re brenda shqipes, të tillë si bllokmen. Kjo e fundit, bllokmen, nuk është huazuar nga ndonjë anglishte *blockman që nuk ekziston; prandaj, edhe pse duket si huazim, është në të vërtetë pseudo-huazim, ose pseuo-anglezizëm: të tilla i gjen edhe në gjuhë të tjera. Dhe bllokmen në shqipe u krijua pikërisht atëherë kur ligjërimi, veçanërisht diskursi publicistik dhe politik, kish nevojë për të – zyrtarisht në fillim të viteve 1990, për të shënjuar hierarkët e lartë të pushtetit, PPSH-së dhe shtetit totalitar, që jetonin në “bllok” – ose lagjen rezidenciale të Tiranës të rezervuar për “udhëheqjen” dhe familjet përkatëse. Dëgjoje atëherë të flitej për “gjyqet e bllokmenëve”.

Gjithsesi, me kalimin e viteve, fjala ndërroi disi kuptim, për të shënjuar jo aq ish-rezidentët e bllokut, sesa të gjithë ata njerëz që mbeteshin të lidhur, në një mënyrë ose në një tjetër, me hierarkitë e bllokut të dikurshëm. Kjo e ka lejuar, mes të tjerash, Berishën, të quajë bllokmen edhe Edi Ramën, që në bllok nuk ka jetuar ndonjëherë; dhe pikërisht ngaqë te Rama ai do të vëjë në dukje të mësuarit me privilegjin që i vogël, titullimin dhe kompleksin e superioritetit. Për arsye të ngjashme, edhe Berishën e kanë quajtur bllokmen – ai u ka shërbyer, me cilësinë e mjekut, familjeve të bllokut të dikurshëm. Atij blloku që vijon ta kushtëzojë politikën shqiptare.

Njëlloj si kongresmen dhe biznesmen, edhe kjo bllokmen e sjell me vete një aromë të lehtë amerikanizmi, si produkt i një këndvështrimi të jetës që do t’i shkonte një amerikani “tipik” ose, përndryshe, një të amerikanizuari. Ajo e-ja, në prapashtesën -men, i përgjigjet megjithatë -a-së të origjinalit -man (congressman, businessman); nuk është e shumësit, por vetëm sa rimerr me një farë besnikërie shqiptimin e /æ/-së të amerikanishtes. Çfarë dëshmon se fjala ka hyrë nëpërmjet ligjërimit të folur, dhe kushedi është përdorur edhe para 1990-ës, në ligjërimin privat, ndonjëherë subversiv, si një fjalë për të emërtuar “ata të bllokut”, ose kastën sunduese në Shqipërinë totalitare (e cila përfshintë jo vetëm hierarkët e lartë, por edhe familjarët e tyre). Përndryshe, e njëjta prapashtesë, del si -a në fjalët kameraman, ombudsman e ndonjë tjetër, që kanë hyrë në shqipe me rrugë librore (kameraman, me gjasë, jo nga anglishtja).

Shqipja e sotme njeh edhe të paktën dy prapashtesa të tjera -man: E para ndeshet në fjalë librore si megaloman, mitoman, kleptoman, kokainoman, grekoman, piroman, etj. dhe ka hyrë në shqipe nga gjuhët neolatine, me fjalë librore, me prejardhje, në analizë të fundit, nga greqishtja e vjetër, edhe pse fjalët që e bartin janë sot ndërkombëtarizma. Të dytën e gjen në fjalë të ligjërimit popullor, si fjalaman, qaraman, laraman, gjataman leckaman, zhelaman, trashaman, shurraman, pordhaman, çalaman, frikaman; Xhuvani dhe Çabej, në monografinë e tyre për prapashtesat e shqipes, e japin si të toskërishtes dhe, me gjasë, të huazuar nga sllavishtja. As njëra as tjetra nga këto dy prapashtesa homonimike nuk kanë lidhje gjenetike me -men të kongresmen-it e të biznesmen-it.

Një prapashtesë e tretë, që vetëm sa përvijohet në emra njerëzish me prejardhje në thelb orientale si dragoman, terxhuman, ataman, dushman, otoman (dragoman dhe terxhuman vijnë nga e njëjta fjalë burim, e gjuhëve semite), nuk ka fituar produktivitet në shqipe (në kuptimin: nuk është përdorur për të formuar fjalë të reja), ngaqë tema e atyre huazimeve nuk veçohet dot nga folësi i zakonshëm: drag-, terxh-, ata-, dush- nuk duan të thotë gjë në shqipe.

Sikur bllokmen të mos mjaftonte, ia ku ia ka behur edhe një tjetër pseudo-anglezizëm, këtë herë më shumë e ligjërimit bisedor: drogmen – e formuar nga shqipja drogë, me kuptimin “lëndë narkotike ose stimulante”, dhe prapashtesa ­-men: sërish, pa ndonjë anglishte *drugman përgjegjëse. Këtë fjalë e ka analizuar Xhevat Lloshi (Ndërhyrja e huazimeve angleze), duke vënë në dukje se një fjalë si drogaman është përfshirë në Fjalorin e 1980-ës, por “kjo është një trajtë që nuk përdoret në gjuhën shqipe” – këtu do të shtoja se, me gjasë, autorët e fjalorit kanë bërë një përpjekje për ta përfshirë këtë drogaman në grupin fjalaman, çalaman, etj. Lloshi vetë e nxjerr nga italishtja drogomane (që edhe në italishte është e rrallë, krahasuar me tossicomane, narcomane, etj.); dhe përmend pastaj edhe drogaxhi, si fjalë të ligjërimit të shkujdesur, përndryshe sinonime.

Më tej, duke e krahasuar shqipen drogë me sinonimin narkotik, ai vëren se e para është specializuar në fushën tematike të vesit, nën ndikimin e anglishtes drug, edhe pse e ka ruajtur formën drogë, që i përgjigjet italishtes; ndërsa narkotik është “ngulitur në fushën e mjekësisë”, ku “lidhet kryesisht me narkozën.” Lloshi ka pa dyshim të drejtë kur e cilëson fjalën drogë si të fushës tematike të vesit (krahas me fjalët e tjera të lidhura me të si bëj drogë, shes drogë, drogohem, i droguar), por nga konstatimet e tij të tjera vështirë se mund qëndrojnë: italishtja drogomane është tepër e rrallë, për të depërtuar edhe në shqipe dhe për të dhënë atje drogaman; në një kohë që edhe mbiemri narkotik, sidomos në togfjalëshin lëndët narkotike, mbizotëron në ligjërimin formal, gjithnjë në referim ndaj “vesit”. Me fjalë të tjera, situata është më fluide se ç’i rezulton atij studiuesi dhe diferencimi mes drogë dhe narkotik priret të shprehet më shumë në regjistër, sesa në semantikë.



Me këto të dhëna parasysh, duket sikur drogmen të jetë formim i brendshëm i shqipes, sipas modelit të bllokmen: një pseudo-anglezizëm i lindur brenda ligjërimit të shkujdesur ose bisedor, për të shënjuar dikë që ose përdor drogat, ose ka krijuar varfëri prej tyre, ose i trafikon sipas modelit “amerikan” të vesit – të konsumuar kryesisht nga filmat dhe televizioni. Tek e fundit, karakteristikë e ndikimit të anglishtes së Amerikës dhe kulturës amerikane në shqipe nuk është vetëm hyrja e huazimeve të reja, por edhe madje sidomos përftimi i pseudo-huazimeve, nga ata përdorues të shqipes që duan të duken si të amerikanizuar. Merret vesh se kjo realizohet lehtë nëpërmjet atyre morfemave produktive që ndeshen rëndom në huazimet e mirëfillta nga anglishtja, si -men.


*****

Ardian Vehbiu (Tiranë, 1959) është një autor dhe publicist shqiptar. Ka mbaruar studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe të fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Gjatë viteve 1983-1990 ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.Më pas ka qenë mësues i shqipes në Institutin Oriental të Napolit... Që prej vitit 1996 jeton në New York.


Gjatë viteve ka botuar: “Zhargonet e Kombit” (Sejko, Elbasan 2004); “Kuzhinat e Kujtesës” (Sejko, Elbasan 2006); “Kulla e Sahatit” (K&B, Tiranë 2003); “Fraktalet e Shqipes” (Excipere, Çabej, Tiranë 2007); “Midis zhgënjimit dhe mitit”, kushtuar ballafaqimeve amerikane me realitetin botëror pas 11 shtatorit 2001 (Max, Tiranë, 2007); dhe “Folklori i elitave” (Morava, Tiranë 2009).etj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...