Shumë prej krijimeve të tij pandehen për këngë popullore. Në fakt janë këngë të këtij flokëbardhi i diplomuar në Tiranë në vitin e largët ‘75.
E keni dëgjuar këngën “Shqipëri, o nëna ime”? Me siguri që e keni dëgjuar dhjetëra herë në jetë, por ndoshta e keni menduar si krijim popullor dhe kurrë nuk ju ka shkuar mendja kush e ka kompozuar. Ai quhet Kolë Susaj. Dhe jo vetëm “Shqipëria...” por edhe disa nga këngët e tjera të tij janë kthyer në hymne jetëgjata popullore. “Bien tupanat”, “Liridona” etj janë preludi i krijimtarisë 40-vjeçare të Kol Susajt. Kolë Susaj është një emër i lidhur mbi të gjitha me folklorin. Ka lindur mes bjeshkëve dhe vendlindja e ka shenjuar fort identitetin e tij profesional: kompozimet e tij ecin thuajse të gjitha në shtratin e këngëve epiko-lirike të trevave të veriut dhe të Kosovës.
Një burrë serioz, i gjatë, elegant plot virtyte. Me një pamje mjaft fisnike dhe me një trup të rregullt, me flokët e bardhë të gjatë, të rënë mbi supe, shokët e ngacmojnë duke i thënë “Anjshtajn”, pasi në pamje i ngjan shumë.
Kush ju ka nxitur dhe cila ka qenë kënga e parë si kompozitor, që keni bërë ju?
Kënga e parë ka qenë në vitin 1967 një këngë për rininë. Atëherë kam qenë në vitin e tretë në shkollës të mesme të kulturës në Tiranë. Ishim me punë prodhuese në Jonufër të Vlorës. Atë vit ishte një koncert në Vlorë që ishte përvjetor pavarësie, me ndihmën e Agim Prodanit, mora pjesë dhe unë. Sa jam gëzuar. Më vonë pastaj u mora me disa tema të rinisë. Unë mbarova për muzikë dhe për vizatim. Ishte një profil në atë kohë shumë i domosdoshëm që zije vende pune.
Ku shkuat pas shkollës së mesme?
Në vitin 1969 dhe u emërova në shtëpinë e kulturës në Lekbibaj (Nikaj-Mërtur). Zona kishte një shtëpi kulture modeste. Aty gjeta disa solistë të mirë, por repertori që zotëronin ata ishte i cunguar. Nuk kishin mundësi të këndonin këngë të festivaleve dhe këngë të muzikës së lehtë apo popullore sepse aq ishte edhe niveli i tyre në atë kohë, pa drejtues pa kompozitorë, por që kishin shumë talent. Ishin këngëtarë amatorë. Ata donin dhe këndonin këngë që i përkiste fshatit dhe zonës së tyre. Dashje pa dashje hyra në rrugën e krijimit të këngës. Aty krijova disa këngë që ishin lokale të atij vendi. Ato ishin këngë të karakterit folklorik. Fillova të punoj me shumë dëshirë. Ai vend i bukur, por i ashpër më jepte shumë frymëzim, por këngët ishin të konsumimit lokal të karakterit folklorik që këndohej nga një këngëtar.
Po pas mbarimit të shkollës së lartë ku filluat punë?
Mbas mbarimit të shkollës së lartë u emërova në shtëpinë e kulturës Fierzë. Në atë kohë Fierza kishte 12 mijë punëtorë. Aty bëhej një jetë artistike më e kualifikuar sepse atje kishte artistë që për arsye të ndryshme kishin lënë skenat nga shkurtimet, apo dënimet dhe kishin ardhur dhe ishin punësuar në hidrocentral. Atje kishte këngëtarë nga të gjithë viset e Shqipërisë. Aty këngët e krijuara kërkonin një frymëmarrje tjetër artistike, me nivel shumë më të lartë artistik, sepse kishte shumë profesionistë. Kishim edhe një mundësi orkestrale më të mirë sepse merrnim orkestra edhe nga Shkodra dhe nga rrethe të tjera. Këto orkestra i merrnim kur vinte qeveria për të parë punët në Fierzë, ose kur organizonim mbrëmje dëfrimi brenda kantierit të hidrocentralit. Kemi dhënë koncerte edhe në tunelet e Fierzës. Ndoshta sot askujt nuk i besohet. Aty krijuam dhe një korr të klasës punëtore me 80 veta me tre katër zëra.
Si filluat krijimet që i kaluan kufijtë zonalë?
Unë në atë kohë kisha krijuar një këngë të re dhe ia tregova kompozitorit të nderuar Haik Zaharjan. Ai më tha dërgoje në radio se e ke shumë të mirë këngën. Ishte viti 1975. E çova kompozimin në Radio Tirana ku atje përgjegjës i redaksisë ishte Gjon Simoni. Për çudi më thanë se këngën e ke shumë të bukur dhe do ta dëgjosh në anketë. Më thanë se shkruaj përsëri dhe na sill këngë të tjera. Unë shkova në Tropojë dhe mbas dy muajve e dëgjoj këngën në anketën e gushtit të kënduar nga Flora Toska. Kënga titullohet “Për ty fshat”. Unë materialin e dërgova tekst mostër, por në atë kohë angazhuan një poet të quajtur Zaho Puci për të bërë tekstin. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, unë nuk i kam takuar asnjëherë as F. Toskën dhe as Zaho Pucin. Unë dua që t’i takoj sepse jemi të tre bashkautor të asaj kënge. Anketat në atë kohë kishin edhe çmim dhe këngës time i dhanë çmim të parë. Pastaj m’u ngjall dashuria për ta vazhduar këtë punë. Mbas 7 vjetësh në hidrocentralin e Fierzës u emërova shef i muzikës në pallatin e kulturës Dardania në Tropojë. Atje kam punuar 20 vjet. Atje kishte zëra të shkëlqyer si Fatmira Breçani, Gëzim Nika, Zef Deka dhe shumë këngëtarë të tjerë. Për të krijuar një jetë artistike të kualifikuar na dilte gjithmonë problem se duheshin këngë të reja dhe këngëtarët duhej të furnizoheshin me material të ri. Shumë këngë u profilizuan dhe mbetën me karakterin dhe zërin e këtyre këngëtarëve. Mu imponua kjo lloj krijimtarie nga kontingjenti i këngëtarëve që kisha atje në dispozicion. Shumë këngë i krijova sidomos në vitet 1980 ku edhe sot e kësaj dite ato këndohen përsëri me po atë dëshirë edhe pse kanë kaluar 20-30 vite. Ato këndohen edhe sot nga shumë këngëtarë nga Shqipëria, Diaspora.
Çfarë kompozimesh do të veçoje tjetër nga këngët e tua?
Në Tropojë kam kompozuar dhe këngën ” Jakup Ferri”, të cilën e kanë kënduar Arif Vladi, Djemtë e detit”, Violeta Deda, Ilir Shaqiri, etj… Nga kompozimet e mia të asaj kohe ndër më të bukurat janë: “Liridona”, “Dardani bin një tumpan”, një këngë lirike “lum kush të ka, mjer’ kush nuk t’ka”, ca duete që këndon Gëzim Nika me Fatmira Breçani dhe me Artjola Toskën, “Ai është gjallë” që i kushtohet Adem Jasharit, e shumë këngë të tjera. Besoj se kanë kaluar 100 këngë.
Kam marrë pjesë në dy Festivale Folklorike në Gjirokastër dhe kam qenë fitues i një trofeu në vitin 1988. Kam qenë si udhëheqës artistik i ansamblit të Tropojës dhe aty kam pasur edhe disa këngë si “Motra e Gjergj Elez Alisë” dhe këngë të tjera. Ndërsa në Festivalin e vitit 1984 kisha këngën “Dardani bin një tumpan”. Në këtë festival filluam të dëgjonim zëra shumë brilante.
Kam qenë i dhënë edhe pas krijimtarisë për fëmijë dhe kam marrë pjesë në katër festivale që janë bërë në Shkodër. Atje kam një çmim të parë në vitin 1981, dhe dy çmime të treta. Çmimin e parë e mora me këngën “loja fluturon”. Kam shkruar në të gjithë larminë e vet të këngës. Kam krijuar edhe këngë humoristike, këngë lojë. Kur këta këngë morën një lloj pëlqimi dhe simpatie nga masa e artdashësve dhe kaluan kufijtë e Tropojë dhe kufijtë lokalë dhe kaluan në Diasporë dhe atëherë pata një vërshim të këngëtarëve të Kosovës dhe të veri-lindjes për të krijuar këngë për këngëtarë të tjerë. Aktualisht bashkëpunimi im është me rreth 52 këngëtarë që vijnë herë pas here dhe marrin materiale të reja, nga gjithë Shqipëria dhe diaspora.
Sa klipe keni realizuar?
Mbi 40. Janë realizuar shumë klipe me Gëzim Nikën, Fatmira Breçanin, Violeta Kukaj, Shkurte Fejzo, Mira Zymerin, dhe shumë të tjerë.
Cilat janë projektet e tua të kompozimit me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë?
Unë për këtë 100-vjetor kam shumë kërkesa për kompozime. Deri tani jam duke kompozuar 13 këngë me këngëtarët, Lek Pecnikaj, Nikolin Përpali, Gofile Papleka, Fanushe Ahmetaj, Liridona Selimi, Martin Gojani, Gjin Dona, Shkurte fejza, Mera Zymeri, Resmie Kida, Eduard Sokoli, Violeta Kukaj.
“SHQIPËRI, O NËNA IME”
Unë ndjej një kënaqësi të madhe për këngën që kam ngjizur vetë. Gjithandej ku kaloj, dëgjoj diçka nga vetvetja. “Shqipëri o nëna ime” është një këngë që këndohet nga e gjithë diaspora jo vetëm në Shqipëri. Kjo këngë këndohet në çdo manifestim dhe në çdo gëzim, mbase është edhe vetë tema që flitet për emigrantët. Kjo është kryekënga ime sepse tashmë është kthyer në një himn. Unë këtë këngë e kam mbështetur në poezinë madhore të Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”, ku unë shkëputa një fragment. Kjo ishte një iniciativë e imja që më doli shumë e suksesshme. Në fillim është kënduar nga Gëzim Nika dhe pastaj është kënduar nga Shkurte Fejza. Besoj se nuk ka ngelur këngëtarë pa e kënduar këtë këngë.
100 KËNGË
Ndoshta është i vetmi kompozitor në Shqipëri që ka lëvruar të gjitha gjinitë e këngës, si këngët epike, lirike. popullore, këngët humoristike, këngë -lojë, duke i kaluar të 100 këngët të kompozuara. Ai tashmë është në kulmin e karrierës, pasi, sipas tij, tashmë është më i pjekur, por edhe më i qartë artistikisht. Dhe pse në Tiranë, ai nuk e harron vendlindjen që i ngjizi dëshirën e madhe për këngën. Për 100 vjetorin e Pavarësisë ai ka kompozuar plot 13 këngë për 13 këngëtarë të ndryshëm, pjesa dërmuese e të cilëve është nga veriu dhe nga Kosova. Një nga sukseset e tij është dhe pjesëmarrja e fundit në Festivalin e Parë të Këngës Popullore qytetare ku ai u paraqit denjësisht me këngën ” Një lule dashurie”, të kënduar nga “Mjeshtre e Madhe” Liri Rasha
.
****
“Kam lindur në Lekbibaj të Tropojës më 10 nëntor 1951. Shkollën e mesme, liceun dhe studimet e larta, Institutin e Arteve, sot Akademia e Arteve i kam mbaruar në Tiranë në vitin 1975. Karriera ime si kompozitor ka qënë dhe mbetet zhanri i këngës popullore” – e përmbledh këtë rrëfim për veten në “Shekulli” kompozitori flokëbardhë. Susaj thotë se muzën e e ka gjetur përherë te natyra dhe te historia e zonës. “Trevat tona, - mendon ai, - janë pasuri e pashtershme shpirtërore”.
Në fillimet e veta, Susaj ka punuar në Shtëpinë e Kulturës në vendlindje, pastaj në Pallatin e Kulturës “Dardania” në Bajram Curri si udhëheqës artistik dhe shef muzike. “Aty nisi krijimtaria ime dhe bashkëpunimi me Gëzim Nikën, Fatmira Breçanin dhe Zef Bekën, - thotë Susaj dhe shton: “Sot kur kthej kokën pas në jetën time, më vjen mirë që kam punuar në fushën e këngës me emra që për mua janë emra të mëdhenj të kësaj fushe”. Shumë krijime të tij shpesh herë mund të mendohet se janë krijime popullore. Në fakt kanë firmën e Kolë Susajt. Këngëtari i njohur Gëzim Nika që është interpretues i shumë këngëve të kompozuar nga Kola thotë: “Disa nga këngët e tij do ti quaja perla të folkut shqiptar. Këndohen në çdo cep të botës ku ka shqiptarë. Kënga “Shqipëri, o nëna ime” është thuajse një hymn i mërgimtarëve shqiptarë kudo në botë”.
Gëzim Nikën, vetë Kolën dhe shumë këngëtarë e valltarë të trevës i takuam këto ditë të nxehta gushti të mbledhur bashkë në një festë në Tropojë ku u nderuan disa artistë të zonës, ndërsa Susaj u premiua nga bashkia lokale për 40 vitet e tij në muzikë. Miqtë e njohin si burrë modest me sens të fortë humori. Në disa nga këngët e tij, (“Ma ka luajt djali kapuçin”, “Plak u bafsha po s’të mora”, etj) kjo premisë e karakterit artistik duket që në titull. Kaluam një pasdite me Kolën në hotel “Ermali” në Bajram Curri. Dikur na afrohet regjizori i RTSH, Llesh Nikolla, dhe diçka bisedon veç me zë të ulët me Kolën. Po kërkonin një makinë për t’u nisur në Lekbibaj. Sekretin e vajtjes atje, më pas na i tregoi
Lleshi. Ai po përgatiste një dokumentuar për Kolën dhe dëshironte të xhironte edhe në vendlindjen e tij. “Më mire vonë se kurrë, thotë populli, - iu ktheva Lleshit, - Kolë Susaj e ka merituar me kohë pak hapësirë mediatike”. Por të nesërmenm kur e ritakova Kolën, e gjeta të mërzitur. “Të lodhi rruga, - i thashë. – “Jo, jo. Por kisha vite pa shkelur në vendlindje. Kulla ime ishte shembur. E po kështu shumë kulla të tjera janë braktisur”.
F.Bruqi