Oferta e Qeverisë së Kosovës , rritje substanciale e pagave në arsim
Kryeministri, Ramush Haradinaj, në orët e mbrëmjes ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të kryesuar nga Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.
Në një konferencë për media pas takimit, kryeministri Haradinaj, tha se është diskutuar për të arriturat e fundit në arsim, për shkak se edhe ai, por edhe gjithë Kosova e ka marrë me shqetësim grevën në arsim.
Kryeministri Haradinaj, njoftoi se është bërë një rritje substanciale e pagave në arsim, e cila është votuar në Komisionin për Buxhet në Kuvendin e Kosovës, e që është përkrahur edhe nga ministri i Financave, e cila për mësimdhënësit e shkollave të mesme rritja është nga 523 në 597.8 euro, ose 74 euro nga paga aktuale, për arsimin fillor rritja është nga 479 në 525.8 euro, apo 46 euro më shumë nga paga aktuale, për rreth 15 mijë mësimdhënës të arsimit fillor, ndërsa për mësimdhënësit në arsimin parashkollor ka rritje po ashtu nga 447 euro në 501.9 euro, apo 54 euro më shumë.
“Nëse flasim për mbi 20 mijë mësimdhënës sa janë, Qeveria e Kosovës e ka respektuar kërkesën e grevistëve dhe është dakorduar për rreth 20 milionë euro rritje të pagave për arsimin”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke pasur parasysh gjendjen jo të mirë, një javë pa mësim, kryeministri Haradinaj i është drejtuar me një letër kryetarit të SBASHK-ut, të cilin e ka lutur që t’i takojë urgjentë këshillin grevistë dhe të kërkojë nga ata që nesër të fillojë mësimi.
Kërkesë e vetme e kësaj sindikate është rritja e koeficientit të pagave prej 30 për qind për 22 mijë e 569 mësimdhënësve të arsimit parauniversitar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dërguar Telegrafit, paga bazë për mësuesit që japin mësim në shkolla fillore është 421.20 euro, ndërsa në shkollë te mesme kjo pagë është 459.95 euro.
“Paga bazë e një mësuesi të shkollës fillore është 421.20 euro, ndërsa paga e një arsimtari në shkollë të mesme është 459.95 euro. Për mësuesit parafillor kjo pagë është 393.22 euro”, thuhet në përgjigjet e dërguara nga Ministria e Arsimit.
Paga e një mësimdhënësi në Shqipëri është 477.85 euro.
Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) në raportin për tregun e punës dhe arsimit tregon se një mësimdhënës paguhet 59,921 lekë, apo 477.85 euro.
“Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në arsim gjatë vitit 2017 ishte 59,921 lekë [477.85 euro]. Për një mësimdhënës paga ishte 64,869 lekë [517.31], ndërsa për një mësimdhënëse ishte 55,968 lekë [446.33 euro]”.
Një mësimdhënës në Maqedoni Veriore paguhet 365.74 euro.
“Për një mësimdhënës paga në vitin 2018 ishte 22,488 denarë [365.74 euro]”, thuhet në raportin “Maqedonia në numra, 2018”, prezantuar nga Enti i Statistikave të Maqedonisë Veriore.
Forumi Ekonomik Botëror ka bërë renditjen e dhjetë vendeve që paguajnë më shumë mësuesit në bazë të të dhënave të publikuara nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik.
Nga kjo renditje, Luksemburgu është një nga vendet ku mësuesit kanë paga më të larta.
Paga vjetore për mësuesit në Luksemburg është 79 mijë dollarë [69,300 euro], ndërsa për ata me përvojë shkon deri në 137 mijë dollarë [120,200 euro], ndjekur nga Zvicra ku paga vjetore e mësuesve në këtë vend është 69,865 dollarë [61,300 euro] dhe në vend të tretë është Gjermania, ku një mësues paguhet me një pagë vjetore prej 61,589 dollarësh [54 mijë euro].
Në vend të katërt është Norvegjia, ndjekur nga Danimarka, SHBA-ja, Spanja, Australia, Holanda dhe Kanadaja që përfundon në vendin e dhjetë.
Mësuesit zviceranë janë të pakënaqur me të ardhurat që janë 39 për qind më të ulëta se ato që ofrohen në lëmin e financave për kualifikime të njëjta. Kjo rezulton nga një studim për krahasim pagash i realizuar nga organizata e mësuesve të Zvicrës, i cili është prezantuar të enjten.
Studimi i është referuar kantonit Aargau si pikë referimi. Në këtë kanton, mësuesit me një pagë vjetore fillestare prej 77 mijë frangash janë dukshëm mbrapa në krahasim me profesionet në ekonominë private që kërkojnë kualifiko të përafërta, shkruan “Aargauer Zeitung”. Gazeta e citon drejtorin e qendrës koordinuese për studime në arsim të ketë thënë: “Askush nuk bëhet mësues për shkak të pagës. Por gjithnjë më tepër të rinj, për shkak të pagës, nuk bëhen mësues”.
Sipas studimit në fjalë, ky dallim në paga si dhe stresi i punës në arsim bën që të punësuarit në këtë fushë gjithnjë më shpesh të braktisin punën e mësuesit. Kështu, pas një viti punë, profesionin e arsimtarit e braktisin 16 për qind, pas 5 vitesh 35 për qind ndërsa pas dhjetë vitesh madje 50 për qind e tyre, që në vetvete përbën një fenomen dramatik. Prandaj, siç thotë kryetari i Federatës së Mësuesve të Zvicrës, Beat Zemp, “asnjë degë tjetër nuk do t`ia lejonte vetes që pas dhjetë vitesh të humbë gjysmën e punëtorëve të saj”.
Për këtë arsye federata në fjalë kërkon që për vitin 2015 pagat në arsim të rriten në nivelin e atyre që paguhen për veprimtaritë në ekonominë private që kërkojnë angazhim të njëjtë. Veç kësaj, edhe shtrenjtimit vjetore të çmimeve që bëhen ndërkohë, duhet të reflektohen në pagat e mësuesve, kërkon federata. Po ashtu nevojitet edhe një garanci ligjore për zhvillimin e pagave në arsim, e cila do t`u ofronte mësuesve një perspektivë të besueshme të ardhurash.
Vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet mungesa e mësuesve, mungesë kjo e cila vetëm sa po ashpërsohet me rritjen e numrit të fëmijëve dhe me pensionimin masiv të arsimtarëve .
Raporti mbi arsimin i vitit 2014 parashikon një rritje vjetore prej 10 për qind të nevojave për mësimdhënës në Zvicër
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2017 paga mesatare bruto në Kosovë, përfshirë këtu pagat në sektorin publik, privat dhe publiko-privat ishte 528 euro.
“Në vitin 2012 paga mesatare bruto në Kosovë ishin 431 euro, derisa në vitin 2017 ishte 528 euro, një rritje prej 97 eurosh ose 22.5 për qind. Derisa, paga neto nga 384 euro sa ishte në vitin 2012, është rritur në 471 euro në vitin 2017 me 87 euro më shumë ose 22.7 për qind”, thuhet në të dhënat e ASK-së.
Në buxhetin e vitit 2019, shpenzimet në arsim do të jenë rreth 292.4 milionë euro që shënon një rritje prej 10 për qind për këtë sektor.
Programet që trajtojnë këto çështje, sikurse ajo për trajnimin e mësimdhënësve kanë një rritje buxhetore prej 50 mijë euro apo 13 për qind. Edhe buxheti për programi për zhvillimin e planprogrameve në arsim parauniversitar ka shënuar një rritje prej 57 mijë euro apo 40 për qind”, thuhet në Projektbuxhetin e vitit 2019.
Me Projektbuxhetin e vitit 2019 shpenzimet në arsim në Kosovë do të jenë rreth 4.1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian, në mesatare, shpenzojnë 4.7 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Këto janë pagat e reja në arsim, nga rektori deri të edukatori
Paga bazë më e larta në sistemin publik të arsimit në Kosovë parashihet të jetë 1482 euro. Ajo u përket profesorëve të rregullt, atyre emeritus dhe këshilltarëve shkencorë. Por nëse dikush prej tyre e ushtron pozitën e rektorit, prorektorit, dekanit apo prodekanit, atëherë do të kompensohen me shtesë funksionale
Niveli i pagave në arsim është përcaktuar me Projektligjin për paga, të cilin Qeveria e ka miratuar dhe tash është në pritje të kalimit nëpër procedurat parlamentare.
Në rangun e dytë për nga lartësia e pagave në arsim vijnë profesorët e asocuar në universitet. Koeficienti i pagës së tyre është paraparë të jetë 5.60. Duke marrë parasysh që vlera e një koeficienti është llogaritur të jetë 239 euro, atëherë rezulton se paga e tyre do të jetë 1338 euro.
Të tretët në listë vijnë ata që janë profesor asistent dhe bashkëpunëtor shkencor. Me koeficient 5, të tillët parashihet të marrin nga 1195 euro në muaj.
Pas tyre vijnë ligjëruesit në universitet. Për ta është paraparë një pagë mujore 1075.5 euro.
Pagë më të ultë parashihet të marrin lektorët në universitet. Me koeficient 3.70, paga e tyre del të jetë 884 euro.
Më poshtë në listë vijnë asistentët në universitet. Për ta është planifikuar një pagë prej 872.35 euro.
Të gjitha pagat tjera në arsim janë nën koeficientin 3.
Kështu, drejtori i Shkollës së Mesme me koeficient 2.70 planifikohet të marrë 645 euro në muaj.
Drejtori i Shkollës Speciale, ai i Shkollës Fillore dhe Drejtuesi i ulët janë kategorizuar me koeficient 2.50, që i bije se paga e tyre është paraparë të jetë 597.5 euro.
Për një shkallë më të ultë është paga e zëvendësdrejtorit të shkollës fillore dhe drejtorit të institucioneve parashkollore. Ajo parashihet të jetë 549.7 euro. Po kaq, parashihet të jetë edhe paga e një mësimdhënësi në shkollë të mesme. Derisa koeficienti i pagës së tyre është paraparë të jetë 2.30, koeficienti i pagës së mësimdhënësit në shkollë speciale është planifikuar të jetë 2.20. Me këtë koeficient, ata pritet të marrin 525.8 euro.
Mësimdhënësi në shkollë fillore, sekretari i shkollës, pedagogu dhe psikologu, sipas projektligjit, është paraparë të kenë pagë prej 478 euro.
Të parafundit në listë për nga niveli i pagës janë mësimdhënës në institucionet parashkollore. Paga e tyre parashihet të jetë 454 euro.
Krejt në fund vijnë edukatorët. Me koeficient 1.70, paga e tyre llogaritet 406.3 euro.
Me këtë nivel të pagave nuk janë pajtuar sindikalistët e arsimit. Ata kanë organizuar edhe protestë me kërkesën për korrigjimin e Ligjit për Paga. Sipas tyre, radhitja e tyre në listën e pagave është tepër e ultë dhe aspak meritore. Në mbështetje të tyre ka dal edhe BSPK-ja.
Sindikalistët janë pritur edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, nga i cili kanë marrë premtimin se shqetësimet e ngritura prej tyre do të shqyrtohen me kujdes dhe se ai dhe Qeveria do t’i rekomandojnë Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media që duke e analizuar këtë projektligj të bëjnë përmirësime në mënyrë që pozita e punëtorëve të arsimit pa tjetër të avancohet.
Flori Bruqi