2019-01-02

Rovena Shuteriqi: Disa fjalë për romanin e Sabit Gashit me titull JAPONEZI


Dashuria për Kosovën gjithmonë më rritej dita ditës, që nga vegjëlia. Kurioziteti fëminor, më çonte në fantazitë, nga më të ndryshmet. Jetesa dhe mbijetesa e shqiptarëve të përtej kufirit, kundër dhunuesve serb, për mua ishte diçka heroike, që më shtonte urrejtjen, për pangopësinë e shteteve grabitqare e të padrejta, që u kishin mohuar të drejtat gjysmës së shqiptarëve të ndodhur në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, të cilët kishin aspirata, si çdo popull tjetër liridashës.U kishin mohuar më shumë se çdo gjë të shtrejtë që e ka njeriu, LIRINË!
Unë rritesha, e kureshtja sa vinte e shtohej për të njohur nga afër këto vise shqiptare përtej kufirit kaq shumë ironik, që na ndante prej një shekulli afërsisht.
E si të mos afronte kjo ditë kaq e pritur për të gjithë? Një popull, që ka në gjak dashurinë për lirinë, do i bënte ballë edhe armikut më të egër e më barbar.
“Vullkani” kishte kohë që digjej në vetvete. Priste çastin e volitshëm. Priste shpërthimin e shtrirjes ngado. Dhe ja, s’vonoi!Viti 1998, do shënonte luftimet e para, të armatosura kundër okupatorit serb, të etur për jetë njerëzish. Aktivizimi dhe dëshira e ushtrisë më të zëshme, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të parë vendin të lirë, bëri që t’u dridhej toka nën këmbë falangave serbe. Në përkrahje të luftëtarëve të paepur, të cilët po luftonin për ta çliruar vendin nga okupatori serb, nuk mungoi as ndihma e vet popullit, që prej kohësh
priste vetëm një shenjë, një shkëndijë, për t’u aktivizuar me gjithë forcën e vet, kundër okupatorit serb.
Dihet tashmë, që liria e takuar dhe nga vetë mëma natyrë, erdhi pasi u derdh gjaku lumë dhe pas shumë vuajtjesh e sakrificash, por me dhimbje krenare, pasi dolën fitimtarë. Fitorja e çlirimtarëve, të ndihmuar nga aleatët, u theu hundët një herë e përgjithmonë, pushtuesve gjakatarë, të cilët ua mohuan të drejtat popullit shqiptar për më shumë se me dekada.
Para ca kohësh, biseda me një mikun tim të mrekullueshëm, do më shtonte më shumë kuriozitetin, për më shumë detaje rreth kësaj lufte të popullit tim, që padrejtësisht ndodhej shpirtërisht, larg trungut të Shqipërisë. Flas për luftëtarin dhe romansierin, pra autorin e mrekullueshëm, të këtij romani, z.Sabit Gashi. Duke ditur dëshirat e mia për më shumë hollësi të kësaj lufte, më ofroi të lexoj dhe ta redaktoj romanin e tij, pak para se ta botonte atë. Pranova me dëshirën më të madhe, pasi isha tepër kurioze që të mësoja më shumë për luftën çlirimtare në Kosovë. Njëkohësisht ishte një nder për mua, që ta redaktoja një libër të tillë, i cili e pasqyron luftën e drejtë të UÇK-së, së bashku me aleatët, si dhe e paraqet krenarinë tonë kombëtare.
E pyeta, si e ke emërtuar librin? Dëgjoni ju lutem se si m’u përgjigj!
– E kam titulluar”Japonezi”! U habita tej mase! – Si ka mundësi? – i them. Ç’kërkon një japonez në luftën e Kosovës, e më tepër, në rradhët e UÇK-së? Ai, qeshi lehtë e më tha: – Lexoje romanin së pari, e pastaj flasim, sepse nuk po dua që të ta prishë befasinë e leximit!
Të them të drejtën, sa ma dërgoi materialin, s’prita më gjatë. U ula të lexoj pa hezitim. Kurioziteti më shtynte të dija, se ç’rol ka patur një japonez në këtë luftë, ku po luftohej për çlirimin e trojeve shqiptare. Përpija si e çmëndur rreshtat e përshkrimit, sa të thjeshtë, po aq edhe të bukur! Organizimi i luftëtarëve dhe vështirësitë në kalimin e karaullave dhe postoblloqeve serbe, më shtonte ankthin dhe emocionet, gjatë leximit të këtij romani. Mënyra se si autori na i bën përshkrimet e këtyre çasteve delikate, kalimet përtej maleve të larta nga kolonat me luftëtarë, në kufirin shqiptaro-shqiptar, duke u gjendur përballë pusive dhe të papriturave që u dalin atyre, të gozhdon në lexim, e nuk mund të ndalësh së lexuari, duke e mbajtur frymën, për ngjarjet e radhës që do të ndodhin. S’ke dëshirë të të ndërpresë askush, ngjarjet që njëkohësisht kanë filluar të krijojnë fantazinë, duke u bërë dhe ti pjesë e një prej atyre luftëtarëve heroik. Aq shumë të rrëmbejnë përshkrimet, thua se po i jeton në realitet dhe mishërohesh me personazhet e librit.
Ashtu papritur, përballesh e befasohesh me ardhjen e një luftëtari nga…..Japonia! U çudita! Pyetjet e panumërta të kalojnë në kokë, duke i menduar ato nga më të ndryshmet. Ç’mund të bëj një i huaj në këtë luftë, që as gjuhën shqipe nuk e njeh? A është e vërtetë, që një luftëtar vullnetar, pa pagesë, të vijë në luftë nga një kontinent tjetër? Kësi lloj mendimesh dhe të tjera, nuk më linin rehat! Mundohesha të përpija rreshtat si një e marrë.Thua se nuk kisha lexuar edhe më parë romane të tjera. Ngadalë, nga një ngjarje në tjetrën, fillova të ndërtoj karakterin e personazhit kryesor të veprës. U bëra një me të. Ndodhesha në çdo skenë të luftimit, pranë tij. I jepja guxim, e njëkohësisht habitesha me shkathtësinë dhe zgjuarsinë e tij. Gëzohesha, qaja, nga lumturia për çdo fitore të tij dhe të çlirimtarëve. Japonezi, nuk më shihte, por unë e përjetova në çdo veprim që bënte. Isha aty, pranë tij, edhe e heshtur, edhe krenare, “zhurmëmadhe”që shijonte fitoret e popullit të vet.
Artet marciale, që janë karakteristikë për një popull, si ai i Japonisë, I jepnin atij përparësinë dhe e shpëtonin sa e sa herë këtë hero trim, të ardhur prej andej. Ai shpaloste në çdo betejë, dëshirën e një populli luftarak, që edhe pse në vështirësi, përdor zgjuarsinë dhe dëshirën për Liri. Autori i këtij libri na jep të dhëna të rëndësishme për luftën çlirimtare në Kosovë, përmes përshkrimeve të vendeve, të cilat i ka emërtuar në gjuhën shqipe, pastaj përshkrimin e luftimeve, të aksioneve luftarake kundër forcave serbe, si dhe lidhja artistike që ia bën autori këtij libri, të bën që t’i qepesh librit dhe ta lexosh atë me një frymë.
Autori e paraqet protagonistin kryesor të librit, Japonezin, si një luftëtar trim, me përvojë të madhe luftarake dhe si një njeri që flet pak, por vepron shumë. Pra përmes figurës së Japonezit, mundohet që ta paraqesë një popull fisnik, me tradita të përafërta me popullin shqiptar, i cili historinë e vet e kishte të mbuluar me lavdi, për lirinë e popullit të vet. Poashtu e tregon një popull mjaft solidar ndaj popujve të tjerë, ndaj të cilëve historikisht kishte treguar miqësi e besnikëri të skajshme. Figura e Japonezit na paraqitet shumëdimenzionale dhe tregon aftësitë dhe shkathtësitë e tij në artet luftarake, ku ai tregon rezultate të shkëlqyera nëpër të gjitha aksionet të cilat ky i ndërmerr.
Një roman, që përveç historisë së luftës heroike për çlirim, të ofron edhe respektin, për dashurinë e bashkëpunimin e popujve të vuajtur për lirinë e mohuar, nga pushtuesit e pangopur sllav, të cilët ua mohonin lirinë popujve të tjerë. Një libër, që të ndez shpirtin luftarak brenda vetes.Të jep vetëbesim në forcat e tua.Të thotë: – nëse je i okupuar, mos rri duarkryq, por angazhohu, lufto! Mjafton dëshira dhe lufta për liri dhe lirinë do ta arrish!
Një roman, që do të japi kënaqësi në të lexuar dhe njëkohësisht do të bëj krenar për historinë e popullit tënd! Unë i uroj rrugëtim të mbarë romanit “Japonezi” dhe lexim të këndëshëm juve artdashësve, miq të librit, kurse romansierit Sabit Gashi, suksese të mëtejme në krijimtarinë e tij letrare!

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...