VALBONA ZENELI
Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë të vogla dhe të pazhvilluara, çka do t’i bënte ato të parëndësishme për vëmendjen e Kinës së largët. Por në të vërtetë nuk është ashtu. Për shkak të pozitës së tyre gjeografike, këto vende – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë një pjesë e rëndësishme e Rrugës së Mëndafshit. Pekini po ndërton asetet e tij në rajon, madje me çmime shumë të lira. Dhe nuk e ka problem edhe të konkurrojë fort aktorët perëndimorë në rajon, në mënyrë që të rrisë ndikimin e vet politik. Aktualisht, Bashkimi Europian është partneri kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor, me 73% të sasisë së tregtisë së jashtme. Përqindja e Kinës në tregtinë me rajonin është ende shumë më e ulët, duke përbërë vetëm 5.7% të tregtisë së përgjithshme në rajon.
Vendet e Bashkimit Europian janë gjithashtu investitorët kryesorë në rajon, me më shumë se 60% të investimeve të huaja direkte totale. Si krahasim, investimet direkte kineze në rajon mbeten ende të ulëta, duke përbërë vetëm 3% të totalit të investimeve të huaja. Deri më sot, Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që ka tërhequr investime të konsiderueshme nga Kina.
KREDI TË MËDHA, INVESTIME TË VOGLA
Por, vetëm sasia e investimeve direkte nga Kina, nuk na ofron kornizën e duhur analitike për të kuptuar çfarë po ndodh në rajon. Në njëfarë mënyre, Kina është duke fluturuar “nën radar” me qasjen e saj në Ballkanin Perëndimor, e cila mbështetet kryesisht në kredi dhe jo në investime aktuale.
Kinezët e shohin Ballkanin Perëndimor si një objektiv me vlera, për më shumë se një arsye. Para së gjithash, rajoni vuan nga një hendek i madh infrastrukturor dhe është në nevojë financimesh të larta (në të njëjtën kohë edhe i zhytur në borxhe, por kjo gjë, në fakt, nuk është faktor shqetësues për kinezët). Përveç kësaj, kinezët tërhiqen nga praktikat e mjegullta ligjore, rregullat e shkujdesura të prokurimeve publike dhe ligjet e paqarta të punësimit, të cilat mbizotërojnë në Ballkanin Perëndimor.
Forma kryesore e bashkëpunimit ekonomik kinez me Ballkanin Perëndimor është dhënia e kredive për projekte infrastrukturore, kryesisht në transport dhe energjetikë. Pekini ka njoftuar projektet e ndërtimit të dy autostradave në Maqedoninë e Veriut dhe një në Mal të Zi.
Në përgjithësi, projektet kineze fokusohen në Serbi, e cila ka edhe ekonominë më të madhe të rajonit, duke përbërë 44% të Prodhimit të Brendshëm Bruto rajonal. Serbia është veçuar në lidhje me projekte kineze për një vlerë më shumë se 2.5 miliardë euro. Projekti më i rëndësishëm është përmirësimi i linjës hekurudhore me shpejtësi të lartë Beograd-Budapest. Duke modernizuar këtë rrjet hekurudhor, Pekini synon krijimin e korridorit të transportit midis portit të Pireut në Greqi dhe Europës Perëndimore, duke kaluar përmes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Hungarisë.
Sipas planeve origjinale, treni i parë në hekurudhën e re, duhet të kishte kaluar nëpër Hungari që në vitin 2017, por ndërtimi i hekurudhës në anën hungareze ende nuk ka filluar. Pengesa kryesore duket se janë shqetësimet e Komisionit Europian në lidhje me mungesën e transparencës në marrëveshjet financiare midis Hungarisë dhe Kinës.
KUSHTET E BASHKËNGJITURA
Në dallim nga projektet infrastrukturore në Hungari, projektet e iniciativës kineze, Belt and Road (Brez dhe Rrugë), në Ballkanin Perëndimor, ku të gjitha vendet e rajonit janë anëtare (me përjashtim të Kosovës), natyrisht, nuk janë të detyruara t’i nënshtrohen standardeve dhe rregulloreve të Bashkimit Europian, të cilat i kushtojnë gjithashtu një vëmendje të veçantë qëndrueshmërisë financiare të këtyre projekteve.
Në mungesë të vlerësimeve të tilla të rëndësishme, qasja shumë e “lirshme” e Kinës rrezikon të krijojë paqëndrueshmëri fiskale për qeveritë në rajon, veçanërisht duke pasur parasysh borxhet dhe obligimet e mëdha që këto vende kanë. Në fakt, për shumë nga projektet mungon transparenca dhe debati publik mbi procedurat e hapura të prokurimeve publike.
Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë kanë arritur nivele të borxhit sovran deri në 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të tyre (Mali i Zi, në veçanti, ka arritur shifrën 80% të PBB). Dhe duke vazhduar e marrë edhe më shumë kredi, këto vende mund të bien lehtë në kurthin e “robërisë nga borxhi”. Që prej vitit 2018, pothuajse 40% e borxhit të Malit të Zi është ndaj Kinës, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 20% të borxhit të saj, Bosnja dhe Hercegovina me 14% dhe Serbia me 12%, sipas të dhënave të MERICS.
BE VS KINA: HUADHËNËS I MIRË VS HUADHËNËS I KEQ?
Ndryshe nga narrativa e përgjithshme në lidhje me diplomacinë kineze të “çekut të bardhë”, fondet e kombinuara të Bashkimit Europian për infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik janë më të mëdha dhe më të lira për vendet e Ballkanit Perëndimor. BE-ja aktualisht ofron edhe grante, ndërsa përfshirja financiare e Kinës është e kufizuar vetëm në kredi.
Për fat të keq, oferta e BE-së është më pak tërheqëse sesa ajo kineze për shkak të rregullave të vështira burokratike, që i bashkëngjiten financimeve të BE-së. Natyrisht, këto rregulla janë zhvilluar me kalimin e kohës për të zvogëluar rrezikun e paqartësive financiare të projekteve të ndryshme dhe për të “shpëtuar”.
vendet në zhvillim nga qeveritë që ndërmarrin veprime të pamatura financiare që shpesh i shërbejnë thjesht interesave të tyre korruptive apo elektorale. Në këtë sens, kreditë kineze në një atmosferë të praktikave ekzistuese ligjore, të paktën ne disa vende të Ballkanit Perëndimor, përshtaten shumë mirë me interesat lokale.
KREDITË INFRASTRUKTURORE
Realiteti mund të jetë edhe më keq sesa duket. Mantra e famshme kineze “jo kushte të bashkëlidhura”, në lidhje me financimet e saj, mund të jetë çdo gjë tjetër përveç kësaj. Ndërkohë që kreditë perëndimore ofrohen së bashku me një varg kushtëzimesh, që në përgjithësi lidhen me qeverisjen e mirë dhe transparencën, financimet kineze kushtëzohen me zbatimet e projekteve infrastrukturore nga kompanitë kineze (kryesisht ndërmarrjet shtetërore), si edhe me punësimin e krahut të punës kinez.
Asnjë nga këto nuk ndihmon vërtet në zhvillimin e ekonomive lokale. Por kjo, sigurisht, nuk është në qendër të interesit të palës kineze, e cila është në rajon për të bërë biznes të mirë. Ajo vetëm kërkon të eksportojë kërkesën ekonomike në çfarëdo mënyre që të mundet, qoftë me eksport mallrash e produktesh, apo edhe “eksport projektesh”.
PËRTEJ LIDHJEVE EKONOMIKE
Në përgjithësi, kinezët janë të prirur për të mbuluar “gjurmët” e tyre. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor ata kanë krijuar një bashkëpunim në fushat joekonomike, siç janë në kulturë, arsim dhe shkencë. Qëllimi i qartë është rritja e bashkëpunimit midis Pekinit dhe qeverive individuale për të balancuar në një farë mënyre mungesën e investimeve direkte.
Për fat të keq, nuk ekziston asnjë debat publik në Ballkanin Perëndimor në lidhje me mundësitë, por edhe sfidat që kanë të bëjnë me rritjen e pranisë kineze në rajon. Publiku nuk ka ndonjë perspektivë reale të modelit të qeverisjes në Kinë dhe distanca gjeografike luan fort në favor të Kinës. Me një investim në rritje të Pekinit në mjetet e “soft power” (pushtetit të butë), siç janë mediat, organizatat joqeveritare të shoqërisë civile, institutet konfuciane, edhe perceptimi popullor në rajon po zhvendosen drejt të qenurit gjithnjë e më i favorshëm ndaj Kinës.
Disa vëzhgues më largpamës, veçanërisht në Serbi, e përshkruajnë ndikimin e Kinës në rajon edhe si një formë e re e “neo-kolonizimit”. Kinezët, nga ana e tyre, nuk janë shumë të shqetësuar për këto kritika, për aq kohë sa shumica e popullsisë serbe, e konsideron Kinën aktorin e huaj të dytë më të rëndësishëm dhe investitorin më të besueshëm, menjëherë pas Gjermanisë.
PËRGJEGJËSIA E VETË BASHKIMIT EUROPIAN?
Në vitin 2017, Bashkimi Europian do të paralajmëronte se “Ballkani, lehtësisht mund të kthehej në një fushë shahu, ku mund të luheshin lojërat e pushteteve të mëdha”. Kjo gjë tashmë është një realitet. Kina synon përdorimin e Ballkanit si një pikë hyrjeje në tregun e madh europian dhe, për të forcuar edhe më tej përfitimet e saj, mund edhe të përpiqet të promovojë modelin e vetë politik në vendet e rajonit, duke shfrytëzuar qeverisjen e tyre të dobët. Pa perspektiva të qarta të anëtarësimit në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor do të largoheshin edhe më shumë nga përafrimi i kushtueshëm normativ me BE-në dhe nga dhimbjet që shkaktojnë reformat e qeverisjes së mirë. Këto të fundit kërkojnë një vizion të qartë e largpamës, në një rajon që i është i konsumuar çdo dite e më shumë me përmbushjen e nevojave afatshkurtra. Pra, nuk është “çudi e madhe” që njerëzit do t’i shikojnë kinezët dhe investimet e tyre pozitivisht. Në fund të fundit, edhe marrja e një huaje financiare gjithmonë duket e mirë, pasi “dhimbja” materializohet më vonë.
SI PËRFUNDIM…
Angazhimi në rritje i Kinës në Ballkanin Perëndimor nxitet nga një logjikë e qartë gjeoekonomike dhe politike. Qëllimi kryesor i Pekinit është që të përdorë rajonin si një portë hyrëse dhe një platformë komerciale për Europën Perëndimore, ku qëndrojnë edhe interesat reale të Kinës, në një kërkim të “pangopur” për tregje të reja, teknologji dhe njohuri.
Gjurma kineze në Ballkan nuk është se duhet të jetë domosdoshmërisht në kundërshtim me interesat europiane të këtyre vendeve, pasi investimet kineze në rajon do të mund të krijonin mundësitë e rritjes se ndërlidhjeve (connectivity) dhe të integrimit të tregut, qoftë rajonal apo edhe me BE-në. Por, për shkak të një kombinimi faktorësh, duke përfshirë ekonominë politike të rajonit, nivelet mbizotëruese të borxheve publike dhe kufizimeve të shpenzimeve, mungesën e transparencës, konkurrencën e dobët ekonomike dhe thellimin e divergjencave në çështjet e tjera të sigurisë, Kina mund të bëhet edhe një faktor sfidues për të ardhmen europiane të Ballkanit.
* Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”.
Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të “Marshall Center” dhe të qeverive të SHBA-ve dhe Gjermanisë.