Yuri Kim,në deklaratën përpara senatorëve, Yuri Kim u fokusua në tre pika kryesore sa i përket objektivave të saj si ambasadore në Tiranë.
“Fillimisht, do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024, që kështu Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate”, tha Kim.
Yuri Kim theksoi si pikë të dytë zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
“Së dyti, do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në terma të menjehërshëm, unë do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në një mënyrë që përforcon kërkesën e pranimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Kim.
“Së treti, do të punoj për të promovuar eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri në mënyrë që të sigurohen mundësi për qytetarët e SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe të krijohen vende pune në të dyja shtetet”.
Në hyrje të fjalimit të saj, kandidatja për ambasadore vlerësoi simpatinë dhe besnikërinë që shqiptarët kanë shfaqur ndaj SHBA-së.
“Shumë pak miq e kanë përqafuar më ngrohtë Shqipërinë, sondazhe pas sondazhe tregojnë se mbështetja e shqiptarëve për SHBA-në mbetet më e larta në botë. Shumë pak miq kanë qenë më besnikë, trupat shqiptarë kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bsonje dhe krahun lindor të NATO-s. Dhe pak partnerë janë kaq të gatshëm për të bërë më shumë me SHBA-në. Ne kemi miq të fuqishëm dhe besnikë në Shqipëri, dhe është e domosdoshme që ne mbajmë pranë miq si Shqipëria, veçanërisht përballë sfidave strategjike ndaj interesave, vlerave dhe institucioneve të përbashkëta”, u shpreh Kim.
Yuri Kim, ishte emëruar nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.
Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional. Gjithashtu premtoi se do të punonte për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori. Ajo është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.
Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor, ndërsa në Shqipëri do të pasojë Donald Lu.
Ambasadorja është takuar edhe me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.
Përmes një postimi në twitter Soreca i uroi mirëseardhjen ambasadores së re si dhe i dhuroi një tufë me lule.
“Gati të nisim punën së bashku për të vijuar partneritetin themelor BE-SH.B.A. në Shqipëri, veçanërisht në kontekstin e integrimit të vendit në BE. 2020 është një vit kyç për prespektivën e Shqipërisë” shkruan ambasadori Soreca në një postim në twitter.
Ndërkohë pritet të mbajë dhe fjalimin e rastit në ambientet e SHBA-së.
Teksa sot shënon 11 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, nuk mund të mungonte dhe urimi nga ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.
Përmes një mesazhi në faqen zyrtare të ambasadës, diplomatja thekson se Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë aleate me Shqipërinë. Mes të tjerash ajo kujtoi dhe faktin se shumë shpejt NATO do të ketë dhe një pikë të saj në Kuçovë.
“Prej 11 vjetësh, që kur Shqipëria u bë aleate në NATO, forcat e Shteteve të Bashkuara dhe ato shqiptare kanë derdhur gjak, djersë dhe lot së bashku në Afganistan, Irak, Bosnjë-Herzegovinë, Kosovë dhe Letoni. Së shpejti, NATO do të ketë një ndërtesë në Kuçovë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë aleate me Shqipërinë”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.
Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim shkon në Presidencë për të paraqitur letrat kredenciale. Pritet rreth orës 11:45 të mbajë dhe fjalimin e prezantimit në ambasadë.
Ambasadorja e re e SHBA-së mbërriti në Tiranë më 22 janar, trembëdhjetë ditë pasi bëri betimin në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Një ditë më pas përmes postimi në facebook shprehu angazhimin për të dhënë maksimumin në këtë mision.
“Jam e nderuar dhe i kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam i gatshme ti përvishem punës.”
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka takuar më 19 shkurt 2020 kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.
Përmes një deklarate publikuar nga ambasada amerikane, ambasadorja Yuri Kim thekson se në fokus të diskutimeve me krerët e shtetit shqiptar ka qenë Konferenca e Donatorëve, e cila kaloi pritshmëritë, duke mbledhur 1.15 miliardë euro për rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Por, përveç Konferencës, ambasadorja Kim thekson se ka diskutuar me liderët shqiptarë “edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike”.
“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi.
Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, thekson ambasadorja.