Në librin “Magjia e ligjërimit” poeti dhe mendimtari Agim Vinca thotë: “Poet i vërtetë është ai që është i pajisur me shqisën e gjashtë, atë që nuk e kanë njerëzit e thjeshtë, të zakonshëm: invencionin”. Këtë tipar, nga i cili buron, prodhohet, del apo shpërthen një krijim origjinal, merr rrugë një mendim apo ide shumë e rëndësishme, mund ta quajmë mbindjesi. E gjithë krijimtaria e tij e larmishme si: poet, kritik, historian i letërsisë, antologjist, publicist, polemist, prozator, përkthyes, pedagog, intelektual, mendimtar e të tjera e merr nismën, forcën, thellësinë dhe shkëlqimin pikërisht nga kjo mbindjesi.
Libri “Magjia e ligjërimit” është “rrëfim personal në formë kujtimesh”, fryt i këmbënguljes dhe i një bashkëpunimi të gjatë e shumë të studiuar nga ana e shkrimtarit tashmë të mirënjohur Miftar Kurti me poetin dhe mendimtarin e shquar Agim Vinca në saje të njohjes së gjithanshme të veprës poliedrike të tij, vlerave pa fund që sjell ajo në letërsinë shqipe si e tillë dhe në shkencën e letërsisë veçanërisht, por edhe në mendimin e veprimin intelektual mbarëkombëtar. Kurti ia ka dalë mbanë të na japë një vepër krejt të veçantë ku shpërfaqet jo vetëm jeta dhe krijimtaria artistike, shkencore dhe intelektuale e Agim Vincës, por vlerësohen dhe analizohen arritjet, mangësitë e dobësitë e trashëgimisë sonë kulturore, gati njëshekullore, si edhe hedh dritë e hap perspektiva të qëndrueshme e shpresëdhënëse për të ardhshmen.
Jeta midis “çizmes serbe dhe opingës maqedone”
Përveç gjashtë kapitujve libri është pajisur edhe me një anketë mjaft interesante, si dhe me një fotoalbum të vogël por shumë kuptimplotë.
Në rreth njëqind faqet e para të librit përmes intervistës me pyetje e përgjigje të drejtpërdrejta shpaloset jeta e Agim Vincës mes “çizmes serbe dhe opingës maqedone”. Përmes një gjuhe të pastër e të pasur, plot elegancë e muzikalitet, njihemi me familjen dhe fisin e tij, me jetën në vendlindje, Veleshtë, shkollimin në Strugë, punësimin dhe ushtrinë, studimet universitare e pasuniversitare, periudhën e veprimtarisë dyzetvjeçare akademike në Universitetin e Prishtinës, jetën në paqe e në luftë, atë private e shoqërore deri në rolin e ministrit nën administrimin ndërkombëtar dhe pas robërisë serbe e daljes në veprimtari të lirë deri sot.
Në këtë shpalosje madhështore të një jete dinamike dhe shumë aktive lexuesi befasohet këndshëm nga faqja në faqe.
Në një familje relativisht të madhe Agimi ishte më i vogëli, “i teti në Bronx”, si thotë ai me shaka. Pikërisht ky, me punën e vet titanike do t’i ngrejë vetes një monument të lartë, të denjë për një hero të kohës sonë. Megjithëse jetoi vetëm 19 vjet në fshat e pastaj mori rrugët e botës kurrë nuk e harroi vendlindjen. Në atë rrugëtim nga klasa e tretë nis shoqërimi i tij me librin që do të zgjasë gjithë jetës. Në atë rrugë do ta ndiqte gjithmonë jehona e fjalëve të babait për vatanin dhe flamurin kuqezi, që një ditë, sipas tij, do të valonte përsëri “në Kosovë e Çamëri”.
Në këtë rrugëtim pune dhe lufte ai ka qenë i pranishëm në mbarë hapësirën shqiptare ku si profesor universiteti ka ligjëruar në Prishtinë e Tiranë, në Shkodër, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Prizren, Gjakovë e tek arbëreshët e Italisë, e kështu edhe në botën e jashtme me paraqitje publike në festivale e tribuna si krijues dhe intelektual në Paris, Romë, Gjenevë, Hamburg e New York e deri në Jerusalem e Ramallah, por një brengë e shqetëson edhe tani pasi fare pak ka qenë i pranishëm në Shkup, shumë me vonesë në Tetovë dhe aspak në Strugën e rinisë së hershme, pikërisht atje ku Unioni i Intelektualëve të Maqedonisë me seli në Shkup propozoi shpalljen e tij ”Qytetar Nderi i Komunës së Strugës”, të cilës jo vetëm i ka kënduar me shpirt në një poemë nga më të bukurat e letërsisë shqipe, por me veprën e ndritur dhe punën e vet titanike ia ka bërë emrin të njohur kudo në botë.