Përderisa shfajësohej se intervenimi në fotografitë e shpërfytyruara të artistëve në muret e objektit nuk është përgjegjësi e saj, Ministria e Kulturës i ka hequr ato dhe nuk e ka ndërmend t’i rikthejë. Zhveshja e mureve prej portreteve, është epilogu i një projekti që 18 vjet më parë nisi s’i nderim për 24 artistë dhe hap i parë i një nisme për muzeun e artistëve që s’u përmend më kurrë Ministria e Kulturës është kujtuar më në fund për portretet e shpërfytyruara të artistëve në murin ballor të objektit të saj. E, zgjidhja që ka bërë është heqja e tyre për të mos i rikthyer më. Shtatë muaj më parë heshtte nëse e ka ndërmend të intervenojë në 24 fotografitë e disa prej ikonave të artit, vendosur në dy muret e MKRS-së qysh në vitin 2007, të zbehura e të padallueshme se për kë bëhet fjalë. Ka heshtur edhe tash, nëse e ka ndërmend t’i rikthejë. Në nëntorin e sivjetmë bëhen 18 vjet prej inaugurimit të atij projekti. Portretet e emrave që shënojnë historinë e kulturës, letërsisë a të historisë së këtij vendi – në mesin e të cilëve Katarina Josipi, Melihate Ajeti, Besim Sahatçiu, Abdurrahman Nokshiqi-Abi, Rifat Kukaj, Faruk Begolli, Shani Pallaska, Ibrahim Rugova, Muslim Mulliqi, Malo Gami, Rexho Mulliqi, Agim Çavdarbasha, Ali Hadri e Muharrem Qena – ishin inauguruar më 28 nëntor të vitit 2007. Ishte paralajmëruar si hap i parë i një nisme për muzeun e artistëve. Nismëtare e këtij projekti qe piktorja Zake Prelvukaj. Muzeu s’u bë kurrë. Portretet u shpërfytyruan dita-ditës. Tash nuk janë më. Piktorja e njohur Zake Prelvukaj nuk flet me fort qejf për këtë çështje. Ka qenë e prerë dhe e shkurtër në përgjigje. “Fotografitë që kanë qenë të vendosura në objektin e Ministrisë së Kulturës nuk do të kthehen”, ka thënë ajo. Ministria e Kulturës nuk iu përgjigjet pyetjeve, ani pse kanë kaluar javë prej se portretet u hoqën prej aty. Në prillin e këtij viti, kur KOHA trajtoi çështjen e portreteve të shpërfytyruara në muret e saj, Ministria do ta bartte përgjegjësinë te një tjetër ministri. Ekipi i KOHËS pas një korrespodence të gjatë e-mailash dhe bisedash telefonike me Divizionin për Komunikim Publik kishte pritur përgjigje për këtë çështje. Disa ditë më vonë do të udhëzohej që për këtë t’i drejtohej një adrese tjetër, pasi që “Ministria e Kulturës nuk është përgjegjëse”. Sipas Divizionit, përgjigje adekuate do të duhej të ofronte Departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Departamenti i MPB-së do të kthente përgjigje pas vetëm 29 ditësh. “Ju informojmë që kërkesën tuaj duhet ta drejtoni te Zyra e Informimit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, kishte qenë përgjigjja me e-mailin e MPB-së në adresë të KOHËS. Nderimi i artistëve kishte qenë qëllimi parësor kur u inauguruan portretet “Ky projekt ka nisur si një lloj politike kulturore në atë kohë, për të shkuar deri te një muze për profile të artistëve të mediumeve të ndryshme, për të cilin besoj që kemi shumë nevojë. Pastaj është edhe si një lloj vetëdijesimi se nuk ka filluar arti në Kosovë pas viteve ‘90, por arti ka filluar shumë më herët këtu”, kishte thënë piktorja Zake Prelvukaj tetë muaj më parë duke e kujtuar nismën që ndërmori. Kishte thënë se asokohe kishte edhe një motiv parësor. Synonte që me ekspozimin e portreteve të rinjtë t’i njihnin këto figura, por që edhe të huajt të cilët e vizitojnë Prishtinën ta kishin një pasqyrë për emrat e shquar të artit. Në kohën kur ishin vendosur portretet, kompozitori Valton Beqiri kishte qenë këshilltar i ministrit të Kulturës, Skënder Hyseni. Më pas – prej vitit 2008 deri në vitin 2010 – ministër i Kulturës. Tash, kur portretet s’janë më aty, nuk pajtohet me këtë veprim. “Nuk e kam parë të udhës të hiqen, por ajo mendoj se është më shumë çështje e dizajnit dhe është edhe tjetër aspekt, jo vetëm kulturor”, ka thënë Beqiri. Sipas tij, do të duhej të gjendeshin forma të ndryshme të kujtimit dhe respektit të figurave të rëndësishme të artit, e jo domosdoshmërisht të jetë fotografia. “Ajo nuk e përcakton nderimin, por duhet gjetur forma konstante të nderimit të figurave të rëndësishme të kulturës dhe artit”, ka thënë ai. Lënia pas dore e atyre portreteve, nuk ka qenë formë nderimi. Përkundrazi. “Më së pari, duhet të them se ideja e atyre portreteve ashtu fasadë s’ka qenë ndonjë ide gjeniale, përkundrazi, ka qenë një ide e zbehtë, bash si kjo zbehja e zbardhëllimi që tash iu ka ndodhur fotografive prej kohës. E tash, çmimin e këtyre ideve duhet me e pagu institucionet, që natyrisht, s’kanë punë tjetër, përveçse të rrinë me brusha e furçe duke rinovuar e pastruar fotografi. Ato fotografi po duken keq, katastrofë, prandaj ose duhen me u heq, ose me u bë prej fillimi, veç me material më cilësor, e jo të lirë, kinez”, kishte thënë Neziraj në prill. Se materiali nuk ishte cilësor e dëshmon edhe fakti që njëzet e gjashtë muaj e dhjetë ditë pas inaugurimit u desh të intervenohej në dy portrete. U ndërruan ai i Abdurrahman Nokshiqi – Abit dhe i Besnik Sahatçiut. U paguan mjete për këtë intervenim – nga 300 euro për secilin, siç e kishte konfirmuar asokohe për “Kohën Ditore” Ministria e Kulturës. “Fotografitë e Abdurrahman Nokshiqi – Abit dhe Besnik Sahatçiut kanë rezultuar të dëmtuara. Kjo ka bërë që Ministria e Kulturës të ndajë mjete për projektin, i cili është inauguruar vetëm dy vjet më parë”, kishte raportuar “Koha Ditore” më 11 shkurt të vitit 2010. Vetëm plastifikimi i 24 fotografive kishte kushtuar gati tetë mijë euro. Por kjo kishte qenë vetëm nismë e projektit. Me kohë pos zbehjes ai humbi edhe në koncept. “Fotografitë kanë qenë një simbol. Për mua ka qenë ide e mirë e përkujtimit të figurave, por varet nga vullneti dhe vizioni i ekspertëve që merren me atë punë. Mua më ka pëlqyer si ide, por në anën tjetër duhet pasur parasysh se edhe në atë kohë ka pasur njerëz që nuk kanë qenë të përfshirë në ato fotografi, por se nuk ka pasur hapësirë për të gjithë në ato mure. Është bërë përzgjedhja e disave”, ka thënë Valton Beqiri. Sipas tij, duhet gjetur një vend ku duhet të këtë hapësirë për shumë më shumë emra që kanë kontribuar sesa ata që kanë qenë aty. Asnjë gjurmë fotosh nuk ka mbetur në muret e MKRS-së. Për të nderuar artistët, për kompozitorin Beqiri forma nuk çon peshë. “Është me rëndësi që institucionet t’i nderojnë ato figura edhe në forma të ndryshme me aktivitete të ndryshme, sepse vetëm fotografia e vendosur nuk nënkupton nderimin maksimal. Mendoj se në të ardhmen duhet të gjendet një formë që të përfshihen të gjithë, sepse mendoj se të gjithëve duhet t’iu respektohet kontributi në fushën e artit dhe kulturës”, ka thënë Beqiri.