2011-01-02

Grekët e Shqipërisë

Vllehët grekë të shpërngulur u vendosën në zonat e Lunxherisë, Zagorisë edhe Pogonit, zona nga të cilat regjimi kishte hequr me mënyrat e sipërpëmendura një pjesë të madhe të popullsisë vendase. Në mesin e tyre edhe ata që ishin bartës të ndërgjegjes greke ose me sens grek. Në Lunxhëri vllehët grekë ngritën edhe fshatrat e tyre si "Andon Poçi". Por u përfshinë nëpër shkolla shqipe edhe në mënyrë arbitrare kombësia e tyre u kthye në shqiptare...
Grekët e Shqipërisë




























Shkruan:Arben Rrozhani

Në janar 2011 qeveria shqiptare ka premtuar se do të nisë regjistrimin e popullsisë në vend për herë të parë sipas etnisë dhe fesë. Sipas Ekzekutivit shqiptar, ky është një proces me një rëndësi të jashtëzakonshme që i shërben mirëqeverisjes dhe jep një panoramë të plotë zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend, ndërsa pyetja për përkatësinë etnike dhe fetare është komentuar si risia e pyetësorit, pas shumë dekadash mungese. 

Me partnerë Zyrën e KE-së në Tiranë dhe organizma të tjerë, dhe nën drejtimin e OSBE-së, projekti që kushton mbi 15 milionë euro, pretendon se do t'i japë Institutit të Statistikave të Shqipërisë një mori të dhënash personale të qytetarëve shqiptarë, për përbërjen familjare, shkollimin, të dhëna në lidhje me të ardhurat, përkatësinë etnike, atë fetare, deri te aksesi në internet.

Por pika në shqetësuese dhe më e debatueshme mbetet deklarimi i etnisë dhe fesë. Qeveria e ka mbrojtur këtë si një proces normal nga ana e qeverisë dhe si një praktikë që ndiqet edhe në disa nga vendet e Bashkimit Europian. Kundështarët flasin për tradhti kombëtare nga ana e qeverisë shqiptare që ka bërë vazhdimisht lëshime të ulëta në adresë së fqinjit jugor, siç ishte pakti detar. 

Më tej argumentohet se nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë kryer regjistrim të popullsisë për etninë dhe fenë, ndërsa në SHBA ai dështoi në shumë prej shteteve. Edhe vendet e tjera kanë të dhëna mbi etninë dhe besimin, por regjistrim shtetëror askush nuk bën dhe me këto punë merren organizatat apo institutet private që bëjnë anketime dhe nxjerrin të dhëna.

Lidhur me të dhënat, grekët kanë patur historikisht kërkesa maksimaliste në Shqipëri dhe kësaj radhe ata kanë shansin që të deklarojnë, atë që u druhen kundërshtarët e këtij akti, se nuk janë një minoritet i vogël. Se deri ku arrijnë pretendimet greke, e tregojnë të dhënat e mbledhura nga burime shqiptare, të huaja apo qëndrime të minoritetit, dhe që janë përmbledhur nga një profesor grek, Theofanis Malkidis, në një botim të vitit 2007 me titull "Minoriteti etnik grek në Shqipëri".

Sipas tezave të përdorura, pas asimilimit gradual të grekëve që banonin jashtë zonave minoritare, largimit i pjesëtarëve të shumtë të minoritetit drejt Greqisë gjatë Luftës së Dytë Botërore etj ishin faktorë që kontribuojnë në reduktimin e konsiderushëm të numrit të përllogaritur maksimal fillestar poshtë nivelit të 100.000 vetëve, kur politika greke pretendon se grekët e Shqipërisë arrinin në 400.000 vetë, kurse një studim i Departamentit Amerikan të Shtetit bënte fjalë për 266.800 grekë.

Sipas studimit, "krimi më i madh u bë në të drejtën e përcaktimit të identitetit kombëtar dhe fetar", sepse pothuajse për një shekull me radhë qytetarët me origjinë greke iu nënshtruan përpjekjeve të dhunshme qeveritare për tu privuar identitetin kombëtar me metoda si internimi i detyruar, refuzimi i arsimimit në gjuhën e tyre amtare, shqiptarizimi i emrave të tyre dhe regjistrimi i popullsisë sipas etnisë dhe fesë përbën një shans për palën shqiptare për rehabilitimin e grekëve nga disa prej vuajtjeve që u shkaktoi politika qeveritare, duke respektuar kështu në procedurën konkrete ato që ka janë të pranueshme si të ligjshme në shkallë ndërkombëtare. 

Evidentimi i vështirë i minoritetit grek jashtë "zonës minoritare"është gjithashtu rrjedhojë e shkallës së lartë të integrimit të tyre në shoqërinë shqiptare kurse vllehët grekë u konsideruan si shqiptarë. Sipas studimit, në fillimet e dekadës së viteve '60-të, regjimi i Hoxhës zhvendosi këtu në mënyrë të dhunshme të 5.000 vllehët grekë me banim në zonën bregdetare nga Ksamili deri në Vrinë. Në regjistrimin e një pjese të vllehëve grekë të zonës së Kolonjës në vitin 1945 regjistrohej si gjuhë amtare vllahishtja dhe greqishtja si gjuhë e huaj, kurse shqipja as që përmendej fare.

Vllehët grekë të shpërngulur u vendosën në zonat e Lunxherisë, Zagorisë edhe Pogonit, zona nga të cilat regjimi kishte hequr me mënyrat e sipërpëmendura një pjesë të madhe të popullsisë vendase. Në mesin e tyre edhe ata që ishin bartës të ndërgjegjes greke ose me sens grek. Në Lunxhëri vllehët grekë ngritën edhe fshatrat e tyre si "Andon Poçi". Por u përfshinë nëpër shkolla shqipe edhe në mënyrë arbitrare kombësia e tyre u kthye në shqiptare. 

Regjimi hapi shkolla shqipe edhe për vllehët grekë në zonën e Pogonit, duke u ndaluar të hyjnë nëpër shkolla greke. 50 % e tyre në qytetet e Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës i përkasin kategorisë së martesave mikse. Sipas të dhënave të shoqatës së Himarës në Tiranë, numri i Himariotëve në territorin e Shqipërisë, kryesisht në qytetet Tiranë, Durrës. Vlorë, Fier dhe Lushnjë, përllogaritet në 10.000 vetë. Rezultat i kësaj politike që synonte në integrimin e grekëve në shoqërinë shqiptare është edhe numri i konsiderueshëm i martesave mikse. 

Fëmijët që vijnë nga martesa mikse në qendrat urbane shqiptare kishin njohje të mangët ose mosnjohje të plotë të gjuhës greke dhe ishin plotësisht të integruar në një identitet kombëtar shqiptar. Regjimi komunist, përdori një metodë tjetër për degradimin e komunitetit grek ishte dhënia e emrave shqiptare ose ilire te grekët apo emrave të rinj -p.sh. Mareglen si rezultat i bashkimit të emrave Marks, Engels, Lenin- por edhe ndryshimi i emrave grekë të vendbanimeve. 

Më pas në vitin 1991 dhe me ndryshimet e regjimeve numri i pjesëtarëve të minoritetit grek u reduktua akoma më tepër, pasi një pjesë e madhe e grekëve emigroi në drejtim të Greqisë. Gjithashtu regjistrimi i vitit 2001 nuk përfshiu kombësinë edhe për këtë arësye pjesëtarët e minoritetit nuk morën pjesë. Dhe sipas të dhënave të pretenduara nga grekët, përllogaritet se sot minoriteti grek përbëhet nga 400.000 vetë.

Pas rënies së regjimit të Partisë së Punës së Shqipërisë Bashkimi Demokratik i Minoritetit Kombëtar Grek("OMONIA") në një peticion të tij drejtuar Konferencës Për Sigurinë edhe Bashkëpunimin në Evropë (Moskë 1991) pretendonte se minoriteti grek numëron 300.000 vetë, duke bërë njëkohësisht fjalë për "ndarje arbitrare gjeografike të minoritetit edhe genocid statistikor". 

Një eksponent i Organizatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në një studim të tij në Shqipëri thekson se numri i vërtetë i grekëve të Shqipërisë arrin në 300.000 vetë edhe është i shpërndarë në të gjithë vendin, duke deklaruar se vetëm në Tiranë jetojnë rreth 15.000 vetë. "OMONIA" në peticionet e saj pas vitit 1991 drejtuar organizmave ndërkombëtare (KSBE, OSBE, B.E.e tj.) bënte fjalë për përcaktim arbitrar gjeografik të minoritetit, genocid statistikor, tjetërsim të dhunshëm etnologjik të fshatrave greke, dëbimin e grekëve nga e ashtuquajtura "zonë minoritare", çhelenizim kulturor, shtypje edhe asimilim, ndalimin e përdorimit të emrave nëpër pagëzimet, ndalimin e aktiviteteve fetare edhe në esencë denonconte fenomenet negative që vërrehen veçanërisht në aspekte që kanë të bëjnë me çështje esenciale të ekzistencës dhe të së ardhmes së minoritetit1.

Pronat

Në çështjen e pronësisë, sipas grekëve, gjendja është edhe më tragjike. Një fushatë e madhe ndodhet në zhvillim e sipër gjithë këto vite, e cila së fundi është intensifikuar, me synim ndryshimin e statusit të pronësisë në zonat ku historikish banojnë grekët. Në Dropull edhe në Vurg janë rrëmbyer sipërfaqe të mëdha si edhe prona në Shën Sarandë edhe Delvinë.

Sipërfaqe të mëdha në pronësi të grekëve disponohen për rindërtimin e qendrave të banimit me shqiptarë ose të zonave të veriut të Shqipërisë ose të zonave të tjera, si është rasti i Shën Ilisë në zonën e Xarrës apo i gjithë zonës nga Finiqi, Vrioni dhe deri në Metoq afër Sarandës. Gjithashtu një sipërfaqe prej 3.000 dynimesh, nga më të begatat, midis fshatrave Çaush, Aliko dhe Gjashtë, që banohet kryesisht nga Çamët, destinohet për vendosjen e shqiptarëve të ardhur nga fshatrat çame përbri kufirit greko-shqiptar.

Në të njejtën kohë grekët përbëjnë pikën e dobët nëpër qytete, veçanërisht në Sarandë. Me dhunë të ushtruar nga ana e shqiptarëve dhe me tolerancën e shtetit pronat e tyre kalojnë në duart e shqiptarëve. (Rasti me të 300 sheshet e ndërtimit të grekëve të Sarandës, në periudhën e vitit 1996 e më pas, apo i dhjetëra vendimeve të gjykatave shqiptare në ngarkim të pronave të grekëve).

Qeveria shqiptare përpiqet me një sërë vendimesh gjyqësore të padrejta dhe të manipuluara shqiptarë të përvetësojnë me mijëra dynym tokë, pyjore apo kullotash, që është ende në pronësinë e fshatrave, të manastireve edhe të vetë shtetit, kurse nga ana tjetër sipërfaqe toke u kthehen pronarëve jo të vërtetë, të cilët në të shumtën e rasteve nuk janë as banorë të këtyre zonave.

Studimi akuzon Shqipërinë se as në kohën e regjimit komunist as sot ka njohur anën autoktone të minoritetit grek, duke falsifikuar historinë pretendojnë se harta historike e Shqipërisë shtrihet deri në Prevezë edhe Artë dhe se kultura në rajonin e epirit, kryesisht në pjesën e saj veriore, i takon Shqipërisë. 

Me të njëjtin mentalitet rivendikimesh trajtohet nga ana historike, gjeografike edhe demografike nga Shqipëria pjesa veriore edhe jugore e Epirit në të gjitha tekstet shkollore të gjeografisë edhe historisë që nga klasa e katërt fillore deri në universitet. 

Si për ta ilustruar këtë përmendet qëndrimi zyrtar i Shqipërisë përsa i përket origjinës së elementit grek në Shqipëri, se ai u vendos në territoret ku ndodhet sot gjatë shekullit të 18-të, duke perifrazuar Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave të Tiranës në kapitullin "Dropulli", që "tregon se banorët e Dropullit me kombësi greke erdhën këtu shekullin e 18-të si çifçinj në çifliqet e latifondistëve shqiptarë", kurse Himara përmendet si "qytet ilir i Kaonisë që nga shekulli i 5-të p.Kr.", se zonat e tjera me popullsi të pastër greke si ajo e Vurgut, Finiqit, Theollogos, Gravës, Mesopotamit edhe Livadhjasë, Rrëzës së Zezë në qarkun e Gjirokastrës thjesht përmenden si njësi administrative të territorit shqiptar pa u përmendur origjina greke e popullsisë dhe nga ana tjetër, që kur u krijua shteti shqiptar nuk është kryer kurrë një regjistrim realist i popullsisë pa makinacione, pa kufizime gjeografike dhe me të drejtën e vetëpërcaktimit të kombësisë.

Grekët: Mashtrimi që është bërë me shifrat shqiptare

Sipas pretendimeve greke, regjimi i Hoxhës krijoi të ashtuquajturat "zona minoritare" ku u përfshinë qëndra banimi gjuha amtare e të cilave ishte greqishtja duke përjashtuar vetëm fshatrat grekofone të Himarës -në vitin 1959 iu hoq edhe kombësia greke- dhe Artës së Vlorës, si edhe zona me popullsi greke kompakte (Gjirokastra, Përmeti e tj.). 

Një regjistrim i vitit 1930 bën fjalë për 37.000 grekë dhe që me katërfishimin e popullsisë shqiptare deri në dekadën e viteve '80-të respektivisht duhej të rriste edhe popullsinë greke- greqishtfolëse në rreth 150.000 vetë. Përkundrazi, regjistrimi i vitit 1961 bënte fjalë për 40.000 grekë edhe ai i vitit 1989 për 58.758 grekë, pa u përfshirë këtu popullsia e Himarës. Me sa duket, bëhet fjalë për të regjistruarit me "kombësi greke". 

Regjistrimi shqiptar bënte fjalë për 56.000 grekë për zonat e Sarandës, Delvinës edhe Gjirokastrës, kurse ai i vitit 1992 për 59.700 vetë. Shuma e banorëve të zonave rurale, së bashku me grekët e tre qyteteve të zonës -duke pasur këtu parasysh edhe vlerësimet e vetë grekëve të Shqipërisë- duke përllogaritur të gjithë popullsinë e fshatrave greke, e kapërcente shifrën e 60.000-61.000 të grekëve në rajonin e zonave minoritare. 

Diferenca me regjistrimin shqiptar të vitit 1989 arrin shifrën e 4.000 deri 5.000 vetëve brenda hapësirës së "zonave minoritare". Përveç "zonave minoritare", vlerësimet për popullsinë e minoritetit grek është e qartë se bëhen më të vështira. Përpos çështjes së privimit të të drejtave minoritare si rezultat i shpërnguljes, shtrohen edhe vështirësi të tjera që kanë të bëjnë me ripërcaktimin e identitetit të vërtetë të këtyre njerëzve por edhe të gjuhës së tyre jashtë "zonave minoritare". 

Te 26.000 grekët që jep regjistrimi i vitit 1945, në qoftë se mbahet parasysh koefiçenti mesatar shqiptar i shtimit të popullsisë në periudhën e pasluftës (16.05 për çdo 1.000 banorë) do të duhej të numëronin 74.000 vetë në vitin 1989. Numri i grekëve si në Tiranë po kështu edhe në Vlorë e Durrës ka qenë edhe është i tejfishtë në krahasim me numrin që japin regjistrimet shqiptare dhe kjo është rezultat i shpërnguljes edhe i eksodit të detyrueshëm nga jugu shqiptar rural drejt qendrave urbane.

MINORITETI ETNIK GREK NË SHQIPËRI

Minoriteti Kombëtar grek gjatë regjistrimeve nga viti 1945 deri më 1989 shfaq përmasat e mëposhtme:

Popullsia totale Minoriteti grek

30.09.1945 1.122.044 26..535 (2.4%)
3.09.1950: 1.128.943 35.345 (2.5%)
2.10.1955: 1.391.499 35.345 (2.5%)
2.10.1960: 1.626.318 40.000 (2.4%)
1-15.04.1969: 2.068.155 mungesë të dhënash
7-16.1.1979: 2.590.600 49.307 (1.9%)
2-8.04.1989: 3.182.417 48.758 (2.4%)



Mafia shqiptare, 100 milionë euro për të blerë pronat e komunitetit grek


Mediat greke kanë përdorur një raport të SHISH-it të bërë në Komisionin parlamentar të Sigurisë në fund të qershorit 2010, për të vënë alarmin se mafia po blen pronat e komunitetit grek në bregdetin jonian. Sipas raportimeve të mbedhura nga Shërbimi Informativ Shtetëror, kishte informacione se mafia ruse kërkon të blejë prona të patundshme në jug të vendit, duke paguar rreth 100 milionë euro, ndërsa mediat greke e kanë përkthyer këtë si një plan shqiptar për të rrëmbyer pronat e minoritetit grek në bregdetin jonian. 

Sipas lajmeve të marra në sajtet e tyre online: "bregdeti jonian, veçanërisht Dhërmiu, Himara, Lukova dhe Saranda, janë nën sulmet e mafias shqiptare, kosovare dhe ruse, për të blerë prona të patundshme në Epirin e Veriut", siç cilësohet ende prej tyre kjo pjesë e Shqipërisë. Shërbimet e sigurisë kombëtare të Greqisë, sipas raportit, po monitorojnë institucionet shqiptare, se si po i japin titujt e pronësisë në bregdetin jonian, në krahasim me të dhënat e pronave të komunitetit grek në segmentin nga Vlora në Sarandë. 

Flitet për një raport sekret mbi rreziqet e pronave të komunitetit grek në Shqipëri, që thuhet se vjen nga Uashingtoni dhe që ka ngjallur shqetësimin e qeverisë greke, sepse mafia shqiptare dhe kosovare po blen me çmime më të larta se ato të tregut, por edhe me veprime ilegale. Sipas raportimit, këtu është përfshirë edhe mafia ruse, me të njëjtin stil korruptimi të zyrtarëve shqiptarë, duke rrezikuar kështu edhe demokracinë shqiptare dhe sipas tyre ende nuk dihet nëse qeveria e z.Berisha është e përzier në këtë strategji, por situata e rëndë ekonomike në Greqi, ka frymëzuar mafian shqiptare dhe kosovare për të blerë prona të patundshme në shifrën 100 milionë euro, ku zonat më të rrezikuara janë Dhërmiu dhe Himara. 

Ministri i jashtëm plotësues i Greqisë, Droutsas, kishte shprehur një muaj më parë shqetësimin për këtë problem, duke deklaruar se qeveria po e vëzhgonte nga afër dhe se nuk do të qëndronte indiferente për zhvillimet e rrezikshme në jug të Shqipërisë. Sipas raportimeve greke, edhe ish-drejtori i CIA-s, Xhorxh Tenet, rrezikon të humbasë pronën e prindërve në Himarë, nga mafia shqiptare dhe kosovare, nëse fenomeni nuk ndalet. 

Familjet himarjote janë në konflikt me drejtësinë shqiptare, e cila i ka dhënë një personi anonin në zonën e Porto Palermos 850 ha tokë. Gjithashtu ish-drejtori i USAID-it, Andreë Natsios, me origjinë nga Saranda, përherë është interesuar për pronën e prindërve të tij, ndërsa eksponentë të lobit amerikano-vorio epirot po marrin informacione nga Departamenti i Shtetit dhe ambasada amerikane në Tiranë për regjistrimin e ri të pronave ende në proces, i cili ka nevojë të realizohet sipas dokumenteve të vjetra të pronësisë, dhe nën transparencën e fiqishme të OSBE-së. 

Figura të larta greke pretendojnë se kanë prona nga të parët në jug të Shqipërisë, siç janë ish-presidenti grek Jorgos Stefanopulos dhe presidenti aktual Karolos Papulias. Sipas raportit, ish-sekretari amerikan i shtetit, Kolin Pauell, i dërgoi letër ambasadorit amerikan në Tiranë për pronat në rajonin e Himarës dhe ishte nisma e vorioepirotëve të Amerikës, që pas vizitës së z.Pauell në Tiranë në 2003, ai t'i kërkojë ambasadorit amerikan në Tiranë, që të bëheshin disa zëvendësime në ligjin për të drejtat pronësore në jug të Shqipërisë, veçanërisht në bregdetin nga Vlora në Sarandë.

Regjistrimi i popullsisë, duke deklaruar etninë dhe fenë, që do të nisë në janar 2011, i paraprirë nga pretendimet greke për minoritetin në Shqipëri. Akuzat ndaj qeverive të Shqipërisë nga regjimi komunist dhe deri sot për çhelenizim dhe shkombëtarizim, duke shumëfishuar numrin e popullsisë. Studimi nacionalist i pak viteve më parë dhe deri ku shkon ëndrra e vjetër e "Vorio Epirit".

Razma, vendi i "zotnive" shkodranë

Mbi 3000 pushues vjetorë, rreth 12 ekipe sportive dhe shumë organizime shoqërore si shkolla, ndërmarrje dhe institucione, si dhe sindikatat e atëhershme, vetëm në dimër, tregojnë se Razma është një vend i rëndësishëm turistik.
Razma, vendi i





























nga Albiona Shehu

Një nga vendet më të hershme të pushimit klimaterik dhe turistik jo vetëm i Shkodrës, por edhe i Shqipërisë, është Razma. Pika klimaterike nën këmbët e Veleçikut spektakolar, me kushte të jashtëzakonshme për pushim kreativ, me pista të bollshme për ski, alpinizëm dhe me pamje magjepse, të cilat nuk janë shumë larg qytetit më të madh në Veri, sot, në mijëvjeçarin e tretë, është një vend ku tentohet për të bërë turizëm dimëror dhe veror, por strukturat, si qendrore dhe lokale, nuk kanë kurrfarë interesi dhe plani konkret për të.

Që në fillimet e shekullit të 20-të, "zotnitë" e Shkodrës kishin zbuluar Razmën dhe kishin aty disa vila të vogla, që shërbenin për pushimet e tyre verore dhe dimërore. Por zbulimi i saj është bërë rreth vitit 1890-të nga botanisti Antonio Bolduçi dhe pastaj kjo pikë është bërë e njohur jo vetëm për botanistë dhe gjeografë italianë, por dhe kroatë dhe austriakë. Rruga ka qenë një rudiment infrastrukturor, por gjatë kohës së diktaturës u shtrua disi me asfalt. Sot, Razma ka një rrugë të shtruar, jo të gjerë, por që të çon normalisht atje. Megjithatë, me makinë, dhe në momentin që nuk ka dëborë masive nga Shkodra deri në Razëm, udhëtimi nuk zgjat më tepër se një orë, shëtitje mes pamjeve të shkëlqyera të kësaj rruge, ku një nga më të bukurat është "kanioni i vogël, por tepër i bukur i Prroit të Thatë". Rrotull Razmës janë fshatrat tepër të bukur të Vermoshit e Bogës, një perlë tjetër turistike dhe Vuklit, tjetër fshat paksa më tutje. Shpatet e maleve dhe rrafshinat e llojit lug midis tyre, të mbushura me pemë të drejta dhe pisha madhështore, janë një kënaqësi jo vetëm për syrin, por dhe për mushkëritë, të cilat në Shkodër kanë depozituar pluhurin e qytetit të madh dhe të zhurmshëm verior. Razma në sistemin e saj gjeologjik është një pllajë karstike e stërmadhe.

Qielli gjithmonë blu dhe me nuanca të ndryshme sipas perëndimit, tërheq të apasionuarit e fotografisë, por ai bën garë edhe me ujin kristal, edhe ky në kaltërsi vezulluese që të "then dhambët", siç thonë turistët sportivë nga universiteti i Shkodrës, studentë të fakultetit të "Edukimit Fizik" në këtë gjigand të dijes në Veri.

Pas 40 minutave udhëtim dhe në një lartësi prej 500 m, telefonat celularë fillojnë të mos kenë valë të asnjë operatori në Shqipëri, por vazhdon, si për të krijuar një "boshllëk në stomak", operatori i vetëm malazez, që depërton në këto vise shqiptare. Shtyllat e dikurshme të telefonisë fiks të kohës së moniszmit janë vjedhur dhe marrë prej kohësh, por ka akoma disa në këmbë, dhe Razma ka një rrugë që të çon normalisht, por i mungon krejtësisht lidhja telefonike me shtetin shqiptar.

Nuk ka shumë borë në Razëm, por gjithsesi në disa pista të saj paksa më andej, edhe këto ditë të nxehta shkurti, gjen një sasi të tillë sa për të bërë të plotë ciklin e mësimit të skive. Fshati është po ai. Unë po e quaj fshat, por në fakt Razma është një pikë turistike dhe kështu ka qenë para çlirimit dhe në diktaturë.

Sot nuk është kështu po të përjashtosh disa privatë që mundohen të mbijetojnë, duke u "përplasur me tregun", mungesën e informacionit dhe kujdesit shtetëror. Gjithsesi, janë të rregulluara disa godina të vogla dhe ajo e madhja e dikurshme, ka edhe kuzhinë e restorant të mirë dhe me çmime të lira.

Tensioni është jashtëzakonisht i dobët, thuajse një tension, i cili "as nuk të xen", siç thonë banorët. Megjithëse planet janë për një transformator, i cili do ta rrisë tensionin privatisht, duhet thënë se Razmës shteti nuk i ka siguruar asgjë në tre elementët bazë, që janë uji, elektriku dhe telefonia. Privatët vendas dhe një investues nga qyteti po bëjnë të mundur që Razma, si në dimër dhe në verë, të jetë tërheqëse, me kushte fjetje dhe ngrënie tepër të mira dhe me konceptet e qytetit.


Razma
Razma




































Razma ka pista për ski dhe klimë kurative si në dimër dhe verë. Sëmundjet e mushkërive, sidomos problemet e stresit, në këtë hapësirë malore dhe të bukur janë kuruar gjithmonë në të kaluarën për tu "shmangur" me një neglizhencë të turpshme sot. Asnjë investim shtetëror për të krijuar pikërisht kushtet e duhura. Kurse për pushtetin lokal, as që bëhet fjalë se ka të ardhura dhe fonde për të ndërtuar një kamp dhe struktura të tilla që tërheqin skiatorë, alpinistë, botanistë dhe vizitorë jo vetëm nga Shqipëria, por dhe bota. Jo vetëm mrekulli shkëmbore, me pllaja dhe pyll të bukur, por bota shtazore dhe shpendët janë një magjepsje e vizitorëve. Në Razëm ka derr të egër, ujku dhe ketri, së bashku me lepurin e egër të malit. Por aty gjendet edhe dhelpra e kaprolli me lundërzën. Si shpendë janë shqipja e malit dhe skifteri, por edhe orli dhe gjeli i egër, gjithmonë në pakësim. Nuk mungojnë shepka dhe mulli bardha për të apasionuarit e botës së shpendëve.

Vetëm 40 km nga Shkodra dhe vetëm 126 km nga Tirana, pika kurative e turistike verore dhe dimërore e Razmës, nuk konsiderohet për asgjë dhe ç"është më e keqja nuk ka një plan rregullimi dhe transformimi, i cili të jetë deklaruar dhe të jetë pasuar me fonde. Ka vetëm "gënjeshtra të ndryshme kur ka ndonjë seminar apo kur të huajt kërkojnë të dinë diçka për të". Ky është edhe momenti anormal i saj dhe drejtuesve jo vetëm në ministrinë përkatëse të turizmit, ashtu si edhe në pushtetin lokal. Një shtet që nuk çon energjinë e duhur dhe telefoninë apo ujin 126 km larg Tiranës, kuptohet lehtë se nuk ka ndërmend të bëhet shtytës iniciativash dhe përfitimi ekonomik në kushte të përhershme klimaterike të shkëlqyera për kurim, alpinizëm, ski dhe pushim edhe në verë, përveçse në dimër. Nuk ka edhe një mbështetje financiare apo një organizim sensibilizues turistik, përkundrazi, ka agjenci që e shmangin dhe nuk e tregojnë as në guida turistike të Shqipërisë. Së paku policia ndërtimore ka ndërhyrë para disa kohësh për të ndaluar veprimtari të paligjshme dhe këtë gjë e ka bërë vetëm një herë dhe tashmë është larg duke lejuar ndërtim të shtëpive jashtë traditës dhe kulturës ndërtimore, pikërisht aty. Por të dhënat e Razmës në turizëm dhe veprimtari sportive përpara viteve 90-të kanë qenë krejtësisht ndryshe. Mbi 3000 pushues vjetorë, rreth 12 ekipe sportive dhe shumë organizime shoqërore si shkolla, ndërmarrje dhe institucione, si dhe sindikatat e atëhershme vetëm në dimër, tregojnë se Razma është një vend i rëndësishëm turistik.

Po sipas fjalëve të një banori të vjetër aty, i cili thotë se askush sot nuk do të konsumojë lekët dhe fitimin në vendin e tij, të gjithë tentojnë t"i nxjerrin ato jashtë dhe t"ia japin të huajit", kuptohet pse Razma sot është kështu.

Vukovar! Një qytet i vrarë!

"Në tri ditët e fundit ndaj spitalit u përplasën mbi treqind predha, është shkatërruar tërë potenciali transportues për bartjen e të plagosurve nga fronti në spital, u dëmtuan edhe disa salla operacioni. (…) Kroatët, jo vetëm ata në Kroaci, nuk guxojnë të bien në gjumë derisa 15 mijë njerëz dhe dy mijë fëmijë nuk nxirren nga ky ferr. Ky është një obligim i shenjtë, të cilin ua vë në shpirt ky qytet. Nga rrënojat e Vukovarit për të gjithë kroatët dhe të gjithë njerëzit që na dëgjojnë u lajmërua Sinisha Gllavasheviq“.

Vukovar! Një qytet i vrarë!




































Nga Enver Robelli

"Në tri ditët e fundit ndaj spitalit u përplasën mbi treqind predha, është shkatërruar tërë potenciali transportues për bartjen e të plagosurve nga fronti në spital, u dëmtuan edhe disa salla operacioni. (…) Kroatët, jo vetëm ata në Kroaci, nuk guxojnë të bien në gjumë derisa 15 mijë njerëz dhe dy mijë fëmijë nuk nxirren nga ky ferr. Ky është një obligim i shenjtë, të cilin ua vë në shpirt ky qytet. Nga rrënojat e Vukovarit për të gjithë kroatët dhe të gjithë njerëzit që na dëgjojnë u lajmërua Sinisha Gllavasheviq".

Kjo copëz teksti është pjesë e një raporti nga Vukovari e gazetarit Sinisha Glavasheviq. Për ata njerëz që në vitet ‘90 e kanë dëgjuar shpesh radion kroate ky emër nuk është i panjohur. Me kronikat e tij nga Vukovari i rrethuar nga forcat serbe Glavasheviq u bë simbol i humanitetit, i profesionalizmit medial dhe i luftës kundër barbarisë. Më 18 nëntor 1991, në ditën kur forcat serbe e pushtuan përfundimisht Vukovarin, pas 87 ditësh rrethimi, raporti i fundit i Sinisha Gllaveshevqit përfundonte me këto fjalë: „…po ecim pranë kufomave, rrënojave, xhama të thyer gjithandej dhe po mbretëron një qetësi e frikshme… Shpresojmë që vuajtjes së Vukovarit i ka ardhur fundi“. Pas rënies së Vukovarit Glavasheviq u zhduk; më vonë trupi i tij u gjet gjatë zhgroposjes së viktimave të masakrës së Vukovarit. Rastësi apo jo: më 4 nëntor të këtij viti, në ditëlindjen e Sinisha Glavasheviqit, në vendin e krimit, në Vukovar, erdhi Boris Tadiqi, kryetari i Serbisë.

Shefi i derrave

Ardhja e tij ishte simbolike. Ai nga njëri breg i Danubit, i cili ndan Serbinë me Kroacinë, kaloi në bregun tjetër, në Vukovar. Anija me të cilën lundroi është dhuratë e Qeverisë së Holandës. 19 vjet pas shkatërrimi të Vukovarit Tadiq para memorialit të viktimave në Ovçara, e cila dikur ka qenë një kooperativë bujqësore, tha: „Jam këtu që të përulem para viktimave dhe t‘u shpreh atyre nderimet e mia. Jam këtu që edhe njëherë të shpreh kërkimfaljen time, keqardhjen dhe t’u mundësoj Serbisë dhe Kroacisë që të hapin një faqe të re të historisë“. (Në mesin e viktimave në Ovçara janë edhe disa shqiptarë). Reagimet në opinionin e të dy vendeve për këtë gjest të Tadiqit ishin kryesisht pozitive. Sigurisht që kërkimfalja e Tadiqit në Vukovar ka rëndësi të madhe për procesin e pajtimit në rajon. Ky qytet është simbol i dhembjes dhe i tmerrit të luftërave në Ballkan në vitet ‘90. Përveç vrasjes së qindra njerëzve gjatë rrethimit, forcat serbe, paramilitarët e kriminelit Arkan, ushtria jugosllave e dominuar nga serbët dhe serbët lokalë pas pushtimit të Vukovarit më 20 nëntor 1991 i nxorën nga bodrumet e spitalit mbi 200 veta (mjekë, infermiere, pacientë), i ngarkuan në kamionë, i sollën në një arë me misër dhe i ekzekutuan të gjithë. Masakra u organizua nga oficerë të ushtrisë së ashtuquajtur jugosllave dhe nga drejtori për rritjen e derrave, Slavko Dokmanoviq. Ky person pas pushtimit të Vukovarit u bë prefekt. Pesë vite më vonë, më 1996, ëndrra për Serbinë e Madhe nuk u bë realitet dhe Dokmanoviq përfundoi në një qeli të burgut të Tribunalit të Hagës. Këtu ai vari veten.

Me gjithë reagimin pozitiv të opinionit të dy vendeve – me përjashtim të protestave të partive e grupeve nacionaliste dhe patriotëve kujdestarë – duhet theksuar edhe anët problematike të mënyrës se si Tadiq kërkoi falje në Vukovar. Ai me asnjë fjalë nuk e përmendi se kush ka qenë agresori. U arsyetua se kjo është punë e historianëve. Thua se duhet shumë hulumtim për të zbuluar të vërtetën. Në vitin 1991 Serbia ka qenë në kulmin e dalldisë nacionaliste, qindra tanke dhe mjete të tjera lëvizëse luftarake u nisën nga Beogradi për të sulmuar Kroacinë. Qindra banorë të Beogradit e përcollën këtë kolonë me duartrokitje dhe duke i stolisur tanket me lule. Me këtë logjikë më vonë opinioni serb dhe ai malazez mbështeti edhe bombardimin e Dubrovnikut, madje njëri prej sulmuesve kishte thënë: „Do ta ndërtojmë një Dubrovnik edhe më të vjetër“. Duke refuzuar të përmend agresorin Boris Tadiq nuk e dënon në mënyrë eksplicite politikën pushtuese të Slobodan Milosheviqit. Kështu edhe kërkimfalja merr një kuptim me të pasinqertë. Këtë qasje të Tadiqit me të drejtë e kritikuan edhe disa komentatorë në Zagreb. Në Vukovar presidenti serb u prit nga kolegu i tij kroat Ivo Josipoviq, i cili është i vetmi lider rajonal që çështjen e pajtimit e shikon me sinqeritet të thellë, pa kalkulime politike. Këtë proces Josipoviq e sheh si të nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve në Ballkan si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë rrugëtim të rëndësishëm Josipoviq po përpiqet ta përfitojë si partner Boris Tadiqin. Raportet mes dy presidentëve janë tepër të mira. Që të dy nuk janë të ngarkuar drejtpërdrejtë nga e kaluara. Kur ka filluar shkatërrimi i Jugosllavisë Ivo Josipoviq ka qenë profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Zagreb, ndërsa Boris Tadiq mësues gjimnazi në Beograd. Me këto biografi që të dy e kanë më lehtë të shikojnë përpara. Kjo është, gjithsesi, në të mirën e të dy vendeve. Bashkëpunimi mes Serbisë dhe Kroacisë është gjithnjë e më i ngushtë.

Bashkë kundër krimit

Së pari në fushën e luftimit të krimit të organizuar. Kur në tetor të vitit 2008 në qendër të Zagrebit u vranë publicisti kroat Ivo Pukaniq dhe një bashkëpunëtor i tij autoritetet policore të të dy vendeve, me ndihmën e policisë së Bosnjës, arritën brenda pak ditësh të arrestonin të dyshuarit. Një ditë para se Tadiq të vinte në Vukovar – prapë rastësi apo jo? - vrasësit e Ivo Pukaniqit u dënuan me gjithsej 150 vjet burg. Ndonëse gjykata në Zagreb nuk arriti t’i zbulonte urdhërdhënësit e atentatit, së paku ia doli që t’i dënonte dorasit e drejtpërdrejtë. Një gjë e tillë u bë e mundshme vetëm falë kooperimit të ngushtë mes dy vendeve, të cilat kanë lidhur edhe marrëveshje për shkëmbim informatash. Në gusht të këtij viti Kroacia ekstradoi në Serbi një shtetas të saj (serb me shtetësi kroate dhe serbe), i cili akuzohet të jetë njëri prej atentatorëve ndaj kryeministrit Zoran Gjingjiq. Kjo ishte hera e parë që Kroacia ekstradoi një shtetas të saj. Dyshtetësia në Ballkan prej vitesh paraqet një problem të madh. Shumë keqbërës e shfrytëzojnë atë për t’i ikur drejtësisë në shtetet fqinje. Në të ardhmen një gjë e tillë nuk do jetë e mundshme. Kroacia, Serbia dhe Bosnja po punojnë së bashku dhe pritet të arrijnë marrëveshje për ekstradim. Nuk do të jetë e mundshme më që një kirurg nga Rijeka, i ndjekur për shkak të korrupsionit, të arratiset në Sarajevë dhe të jetoj atje i qetë, sepse ka shtetësi boshnjake.
Një arsye tjetër e afrimit kroato-serb është ekonomia. Në Serbi firmat kroate në 10 vitet e fundit kanë investuar mbi 500 milionë euro. 

Me dhjetëra prodhime kroate shiten në Serbi. Mbi 200 ndërmarrje kroate janë aktive në këtë vend. Ndonëse mes Zagrebit dhe Beogradit ende nuk ka vijë ajrore, mjaft të rinj kroatë çdo fundjavë shkojnë në kryeqytetin serb. Këtë e mundëson një agjenci turistike nga Beogradi. Për 70 euro. Andej-këndej. Taksi vjen të merr te dera e shtëpisë në Zagreb dhe të sjellë ku të duash në Beograd. Një shërbim unik dhe i mirë. Taksisti qëllon të jetë ndonjëherë një mysliman nga Plava. E ndonjëherë udhëtimi në Beograd mund të jetë tepër i hareshëm, për shembull kur në taksi qëllon ndonjë zonjë mbi 60-vjeçare, e cila rrëfen se si dikur, në moshën 20-vjeçare (“kur kam qenë si Paris Hilton sot”), kishte shkuar në Amerikë, kishte bërë karrierë në biznesin e filmit, kishte njohur këtë apo atë yll të kinematografisë etj. Kështu, llaf pas llafi, befas shfaqet silueta e errët e Beogradit. Shumë të rinj kroatë e pëlqejnë jetën e natës në këtë qytet, i cili, siç thuhet, nuk bie kurrë në gjumë. Më shumë se kroatët në Beograd vijnë vetëm sllovenët – sidomos më 25 maj (për të nderuar Josip Broz Titon në Shtëpinë e Luleve), në korrik (për të kaluar disa net të çmendura mbi anijet e shndërruara në diskoteka mbi Savë) dhe në fund të dhjetorit (për të festuar Vitin e Ri).

Kufoma si referencë

Kështu, mes kujtimeve për Vukovarin, për krimet e luftës dhe dhembjen, futet edhe një shkëndijë e jetës së re dhe e zbavitjes në kapitullin e përgjakur të marrëdhënieve serbo-kroate. E kaluara e hidhur harrohet për disa çaste, për disa orë, më vonë rikthehet, sepse ajo e ka prekur secilin. Derisa një nënë e Vukovarit ende pret t’i gjenden eshtrat birit të saj që supozohet të jetë vrarë dhe groposur diku në Serbi, presidenti Tadiq para vizitës ua rikujtoi kroatëve se në kampin shfarosës të Jasenovcit ustashët (bashkëpunëtorët kroatë të Hitlerit) ia kishin vrarë gjyshin. Secili e ka nga një kufomë si referencë. Nga këtu nuk është larg gara me shifra: Kush ka vrarë më shumë? Të paktë janë ata që e shtrojnë një pyetje tjetër: Sa vrasës janë dënuar?

Bota e muzikës dhe fitimet e saj marramendëse

Tregu diskografik ka ndryshuar. 60-vjeçarët mbushin stadiumet, CD blihen në supermarket dhe çmimet e biletave janë trefishuar. Mirëserdhët në botën e muzikës që duhej të ishte në krizë të thellë ekonomike, por që ka treguar se gëzon shëndet të plotë. Artistët aktualisht fitojnë shumë herë më tepër se më parë.
Bota e muzikës dhe fitimet e saj marramendëse























Turi “Monster Ball” i Lady Gaga-s është i jashtëzakonshëm, edhe për nga mënyra se si është konceptuar dhe organizuar. Në qendër të tij është monstra e momentit, Lady Gaga, që po kërkon vazhdimisht të dhurojë spektakël e ndihmuar edhe nga një piano në flakë, veshje të çuditshme dhe një skuadër e madhe kërcimi. Biletat edhe pse kushtonin 100 dollarë, ishin shitur prej kohësh. Mirëserdhët në botën e muzikës, që praktikisht duhej të ishte e zhytur në një krizë të thellë. Në dhjetë vitet e fundit shitjet e disqeve kanë rënë shumë. 

Vjedhja e këngëve përmes rrugëve të ndryshme dixhitale dhe fundi i ciklit për blerjen e CD-ve që zëvendësonin kasetat e vjetra i kanë dhënë një goditje të madhe këtij sektori. Shitja e muzikës online nuk mjafton për të kompensuar humbjet. Në sektorin e iTunes, përdoruesit zakonisht preferojnë të blejnë një këngë të vetme, atë që u pëlqen më shumë, sesa të gjithë albumin. Sot “muzika” kushton më pak se në kohën e CD-ve, por tregu është i bllokuar. Nga fillimi i vitit, amerikanët kanë blerë në iTunes 814 milionë pjesë dixhitale, gjashtë milionë më pak se vitin e kaluar. Me daljen në treg të Ipadit dhe ofertës prej 250 mijë aplikacionesh, reparti muzikor i iTunes nuk është me një element tërheqës për “Apple”. Megjithatë, biznesi muzikor ka treguar se është në gjendje të mirë.

Koncertet dhe bluzat

Sot ka mundësi të reja fitimi për artistët dhe shtëpitë diskografike. Tregu nuk po vdes, thjesht po ndryshon. Bumi më fitimprurës është ai i muzikës dal vivo. Mes viteve 1999 dhe 2009 në SHBA të ardhurat nga koncertet live janë trefishuar nga 1.5 në 4.6 miliardë dollarë. Por ai që ka mbetur i pandryshueshëm është publiku: janë të njëjtët njerëz, por që paguajnë gjithmonë e më shumë. Në vitin 1996, një biletë për një nga 100 koncertet më të mira të vitit kushtonte mesatarisht 25.81 dollarë. 

Nëse çmimet do të rriteshin përkrah inflacionit, vitin e kaluar çmimi mesatar i një bilete duhej të ishte 35.30 dollarë. Përkundrazi, nuk gjeje biletë më poshtë se 62.57 dollarëshit. Çmimi mesatar për një biletë të turit botëror të Madonës në vitin 2009 ishte 114 dollarë, ndërsa për Simon&Garfunkel shkoi në 169 dollarë. Fansat ankohen, por vazhdojnë të blejnë bileta pareshtur, madje edhe bluzat dhe gjithë objektet e tjera të nevojshme për një koncert të përmasave gjigante. “Bravado” është një kompani që prodhon, shet bluza dhe aksesorë. Xhiroja e saj vjetore që nga viti 2007, qëkur u ble nga “Universal Music Grup” thuajse është dyfishuar. Ka nënshkruar qindra kontrata të reja dhe i ka dhënë një ide të re tregut të botës muzikore. Ripërpunimi i “Exile on main street”, albumit të Rolling Stones të vitit 1972 u shoqërua nga një fushatë që tregoi edhe njëherë se sa e largët është koha kur shiteshin vetëm bluza me emrin e albumit dhe grupit. “Bravado”, për këtë rast prodhoi më shumë se 100 artikujt, nga kapelat e bejzollit te mbajtëset e çelësave apo çantat e shkollës. 

Po ashtu, përveç bluzave klasike me kopertinën e albumit stampuar në qendër hodhi në treg edhe një linjë veshjesh shumë të shtrenjtë me stilin e rrobave të veshura nga anëtarët e bandës së “Rolling Stones” në fillim të viteve ‘70-të. Produktet e saj i shpërndau në lloje të ndryshme dyqanesh, nga magazinat e mëdha si “Target” tek ato më të sofistikuara si “Bloomingdale”. Nga ana tjetër, sot muzika është bërë një burim i artë në biznes. “Rolling Stones” janë shumë të zotët për të gjetur sponsor. Sipas një vlerësimi të bërë nga agjencia “IEG” që bën kërkime tregu, këtë vit vlera e sponsorizimeve muzikore në Amerikën e Veriut do të arrijë në 1.74 miliardë dollarë, në rritje në krahasim me 1.38 miliardë në 2006-n.

Rrjeti

Partneri më i mirë i muzikës është televizioni. “Mjafton të ulesh një natë përpara televizorit dhe të shikosh se sa herë dëgjohet një muzikë në sfond”, thotë Jeremy Lascelles, drejtori ekzekutiv, Chrysalis, një firmë shpërndarjeje e lidhur me “EMI”-n. Përveçse nga publiciteti, fitimet televizive për shtëpitë diskografike janë të përfshira në koston e abonimeve të televizioneve me pagesë. Një model i ngjashëm po përhapet edhe në internet. Dhe nëse arrihet të eliminohet shkarkimi ilegal i këngëve, dhe dëgjimi i tyre të bëhet online kjo do të ndikojë shumë pozitivisht te sektori muzikor që mund të sjellë edhe fitime miliona dollarësh. 

Megjithatë, pirateria mbetet akoma një plagë të cilës i duhet kohë për t’u mbyllur. Sipas kërkimeve të bëra nga kompani që merren me këtë punë mendohet se 19 këngë nga 20 të tilla shkarkohen ilegalisht nga interneti. Kryesisht, të rinjtë dhe adoleshentët janë ata që merren më shumë me këtë punë, tregojnë sondazhet, sepse ata preferojnë muzikën e bërë prej bashkëmoshatarëve të tyre që tregon për eksperienca dhe emocione më afër tyre. Kështu pra, të rinjtë “vjedhin” në internet artistët e rinj, ndërsa fansat në moshë më të madhe vazhdojnë akoma të blejnë CD. Kina dhe më pas SHBA dhe Hungaria janë vendet që mbajnë rekordin për shitjen e CD muzikore. Pra, në një farë mënyre, tregu muzikor nuk po vdes: thjesht po plaket. Në vitin 2002, në Britaninë e Madhe ata që blinin albume në 16.6 për qind të rasteve ishin të rinj nga 12 deri në 19 vjeç, ndërsa te 60-vjeçarët kjo përqindje shkonte në 18.8 për qind. Albumi më i shitur në SHBA, nga viti 2000 deri më sot është “1”, një përmbledhje suksesesh të mëdha të “Beatles” në vend të parë në vitet ‘70-të. Edhe në Britaninë e Madhe vitin e kaluar, katër nga dhjetë albumet më të shitura në SHBA ishin të “Beatles”, ndërsa në vend të parë ishte një përmbledhje këngësh të Vera Lynn, një këngëtare që sot është 92 vjeç. 

Në 2009, disku më i shitur në botë ishte “I dreamed a dream” i skocezes Susan Boyle. “Plakja” e tregut muzikor britanik është përshpejtuar edhe nga faktorë të tjerë: kjo sepse një pjesë e madhe e CD-ve shiten edhe nëpër supermarkete. Pikërisht këto të fundit frekuentohen shpesh nga personat e moshës së tretë. Por pesha gjithmonë e në rrije e konsumatorëve të moshuar në tregun muzikor shkon përtej CD-ve të blera në dyqane. “Shumë prej artistëve që arrijnë të mbushin stadiumet nëpër koncerte janë të moshuar”, tregon Rob Halet, president i turit ndërkombëtar të “AEG LIVE”. Në vitin e kaluar koncertet me suksesin më të madh në SHBA kanë qenë ata të U2 (mesatarja 49 vjeç), Bruce Springsteen (61 vjeç) apo Elton John (63 vjeç).

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...