2011-03-06

Nga Lazër Stani : Fantazma e Paraardhësit



Nëse ka një shkrimtar erudit, një shkrimtar që i ka lexuar të gjithë librat, ky është Jorge Luis Borges. Letërsia e krijuar prej tij, në poezi dhe në prozë, duket sikur vjen prej librave, letërsia e tij, duket sikur vjen nga letërsia. Ky arsyetim i cekët të çon te një analogji që lidhet me veprën madhështore të Ainshtajnit (Albert Einstein), i cili në një moshë fare të re krijoi teroinë tij të relativitetit. Teoria e relativitetit , që më vonë pushtoi botën dhe e klasifikoi Ainshtajnin si mendjen më gjenaile të shekullit të njëzetë, erdhi si rezultat i riinterpretimit të informacionit të grumbulluar nga të gjithë shkencetarët paraardhës, nëpërmjet vrojtimit, eksperimetimit dhe teorive të krijuara gjatë shekujve. Shkenca e Ainshtajnit, mund të thuhet me plot gojën se është një shkencë e ardhur nga shkenca, një dije e ardhur nga dija. U deshën dekada të tëra që shkencëtarë të tjerë pasardhës të provonin eksperimentalisht dhe fakteve të mbledhura nëpërmjet vrojtimeve , vertetësinë e teorisë së Einsten-it.
Edhe Letërsia e Borges-it, duket si një letërsi e ardhur nga letërsia, çka në një farë mënyre e ka pohuar edhe vetë. Në librin e tij “El oro de los tigres” Borges shkruan: “Sa janë ndikimet që mund të dallohen në këtë vëllim… Në vend të parë shkrimtarët që pëlqej, kam veçuar tashmë Robert Broëning; pastaj ata që kam lexuar dhe rilexuar; pastaj ata që nuk i kam lexuar kurrë, por që janë brenda meje”.
Pavarësisht kësaj deklarate fisnike Jorge Luis Borges nuk është as Socrates, as Robert Browning as William Blake, dhe as Franz Kafka. Ai, është, Jorge Luis Borges.
Të njëjtën gjë mund ta thuash edhe për Garbriel Garcia Marquez. Në njërën prej intërvistave të tij ai thotë se më ka bërë shkrimtar “Metamorfoza” e Kafkës. Pasi ka lexuar këtë libër të dhuruar nga një mik i tij nga rrethet intelektuale të Bogota-s, Marquez kuptoi se mund të shkruhej edhe ndryshe, nga sa ishin shkruar të gjithë librat që kishte lexuar deri atëherë. Kontakti me letërsinë e Kafkës që një shtysë aq e fuqishme për shkrimtarin e ri, sa e ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Efekti ishte çlirues.
“Unë i thashë vetes se nuk kam njohur askënd që i ka lejuar vetës të shkruajë gjëra si këtë. Nëse do ta kisha ditur, unë do të kisha filluar të shkruaja shumë kohë më parë”, shprehet Marquez.
Nga shkrimet joseriozë të botuar në media dhe nga rrëfimet që i shkruante vetëm për t’ua lexuar miqve të tij intelektualë, Marquez kalon shumë shpejt te letërsia e tij e madhe që ne e njohim sot, duke filluar që më romanin “Gjethurinat” të botuar në vitin 1955.
Edhe Nikos Kazantzakis flet me krenari për paraardhësit e tij, për “guru”-të e tij shpirtërorë, pavarësisht se mirbërësit e tij të mëdhenj ai cilëson udhëtimet dhe ëndrrat. “Ndër njerëzit, të gjallë e të vdekur, shumë pak më ndihmuan në luftë e në përpjekjet e mia. Por nëse do do kërkoja se kush prej tyre la gjurmë të thella në shpirtin tim, do të veçoja, ndoshta, tre-katër: Homerin, Bergsonin, Niçen dhe Zorban”, ka shkruar Kazantzakis
Nga këto pak referenca, duket sikur arrijmë në një përfundim pak a shumë të trishtuar që e zbehë dhe e çshenjtëron aktin e krijimit, që e paraqet atë si një cikël zinxhir, ku sëcili ndez nga një zjarr të vogel, herë të dallueshem e herë të padukshëm në pafundësinë e ciklit që ripërsërit vetveten në një qerthull të mbyllur. Termi origjinalitet në këtë rast bëhet i pakuptimtë dhe e gjithë letërsia botërore të ngjan me një kështjellë të vjetër, me shumë labirinthe e kthina të panumërta, ku ndodh një trafikim i vazhdueshem emocionesh, ndjesishë, imazhesh , historishë, nga një kthinë të tjetra, që në fund të fundit nuk sjellë asgjë që është “herë e parë”. Çështja që shtrohet këtu është shumë tronditëse: nëse vërtetë janë shkruar të gjithë librat, nëse vertetë tashmë asgjë nuk është “herë e parë”, atëherë përse vazhdohet të shkruhet?
Eshtë e qartë se letërsia jonë nuk vjen nga hiçi , është e qartë se kjo letërsi ka paraardhësit e vet të ndryshëm te secili shkrimtar , herë të padukshëm e të heshtur , e herë sfidues e shkatërrues. Dhe duke mos ardhur nga hiçi, është e kotë të flitet për një origjinalitet të plotë e rrënjësor në letërsi. Origjinaliteti, sikurse shkruan Ernesto Sabato “nuk ekziston as në art dhe as në ndonjë vepër tjetër të njeriut: gjithçka ngrihet mbi një gjë të mëparshme”.
Çështja e origjinalitetit, çështja e identitetit të veprës letrare, ka qënë një nga çështjet që me ka shqetësuar gjithmonë, qyshë në rininë time të hershme. Nga librat që lexonim në rini, megjithë kufizimet në informacion që kishim për shkak të mbylljes dhe izolimit, herë pas herë më ndodhte të gjeja një shkrimtar tjetër, një shkrimtar paraardhës tek libri që po lexoja. Ndikimi i Majakovskit dhe i poetëve të tejrë rusë në poezinë shqipe të viteve gjashtëdhjetë të shekullit që shkoi ishte aq i dukshëm, sa kjo poezi shpesh më dukej pa identitet dhe ndalëngadalë filloi te krijohej brenda meje ndjenja e refuzimit. Fantazma e shkrimtarit paraardhës, ose e shkrimtarëve paraardhës, zuri të më shfaqej si prani e shkrimtarit paraardhës te një shkrimtar tjetër pasardhës në një intërferencë që në rastet më të mirë as plagjiaturë nuk ish, por as origjinalitet në kuptimin tim të parë nuk mund të quhej.
Kur lexoja , përshembull, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, atëherë nxënës shkolle, ndjeja herë herë praninë e Ernest Heminguejit, sidomos të romanit “Lamtumirë armë”, ashtu sikurse ndjeva shumë vite më vonë praninë e hermetistëve italianë, në veçanti të Giuseppe Ungaretti-t, në poezinë e Martin Camajt. Edhe të shkrimtarët e tjerë më të mirë e më të lexuar origjinaliteti i tekstit më vihej vazhdimisht në dyshim, edhe pse kur e kur ishte e vështirë të gjeje shkrimtarin paraardhës, me ato mundësi të kufizuara që kisha për të lexuar. Çështja kryesore që më mundoi për shumë kohë ishte se a shkruhej letërsi origjinale, letërsi që shfaqej e ekzistonte si një krijesë e re, si krijesë e ardhur në këtë tokë për herë të parë.
Shumë vite më vonë, duke lexuar Ernesto Sabato-n hasa në të njejtin shqetësim dhe në një shpjegim pak a shumë bindës. Për Sabaton, “origjinaliteti nuk qendron tek mungesa e paraardhësve, por në tonin dhe në shtytjen që shfaq kjo trashëgimi te pasardhësit”. Kjo tezë e Sabatos me nxiti të rilexoj sërish Camajn, duke e rizbuluar poetin dhe duke e rivlerësuar poetin pikërisht për ato cilësi që në njohjen time të parë e pata refuzuar në një farë mënyre, edhe pse vepra e tij kishte shijen e “mollës së ndalueme” për lexuesin shqiptar. Nuk ka dyshim se në poezinë e Camajt ndihet shkolla e hermetizmit italian, e në veçanti poeti i tij i dashur Giuseppe Ungaretti. Por megjithatë ai është një poet i shpëtuar. Në poezitë e tij ndihet fort edhe poeti, që Camaj nuk e kishte lexuar kurrë më parë e që ishte brenda tij, siç shprehet Borges-i. Ky poet me imazhet, arketipin, ndjeshmërinë dhe sistemin e vet konceptual, e ka shpëtuar poezinë e Camajt, pavarësisht pranisë së paraardhësve, të cilët shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë për zemër t’i përmendin.
Nëse e shmangim diskutimin për palgjiaturën, që është një kopjim i rendomtë, çështja e raportit të shkrimtarëve tanë me paraardhësit është një nga çështjet më delikate jo vetëm për atë letërsi të dështuar që njihet si “letërsi e realizmit socialist”, por edhe për letërsinë që është shkruar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit dhe vazhdon të shkruhet edhe sot e kësaj dite. Krijuesit që hynë në letërsi pas viteve nëntëdhjetë, u gjendën në një situatë entusiazmi grotesk midis refuzimit të gjithçkaje që ishte shkruar në letërsinë shqipe dhe në veçanti refuzimit total të letërsisë së realizmit socialist dhe kontaktit me autorë dhe letërsi të medha të kulturave të tjera. Midis autorëve në proces gjatë këtyre viteve paraardhësit shfaqën aq fuqishëm sa në lëtërsinë tonë mund të gjeje Borges në Durrës e në Prishtinë, Joseph Brodsky , Wallace Stevens e Allen Ginsberg në Tiranë e Gjirokastër, Franz Kafka në Shkodër e Lushnjë. Hapja, kontakti me letërsitë e tjera, botimi i librave të përkthyer , dhe etja e marrë për të shkruar poezi dhe prozë gjeniale, zbuloi brishtësinë e autorëve tanë dhe mungesën e identitetit në letërsinë e tyre.
Këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me prani të ndikimeve të paraardhësve, por me një trafikim të pastër të emocioneve, te imazheve, të arkitekturës dhe herë herë edhe të strukturës së tekstit. Kjo letërsi mund të quhet fare mirë letërsi referenciale, pasi në shumicën e rasteve, poezive, romaneve apo tregimeve të botuara në këto vite, mund t’ua gjesh referencat në autorë të mëparshëm, ose bashkëkohës. Në shumicën e autorëve të këtyre viteve gjen shkrimtarët më të pelqyer prej tyre, gjen shkrimtarët e lexuar më parë po prej tyre. Ajo që nuk gjen tek një pjesë e këtyre shkrimtarëve, është shkrimtari i pa takuar e i pa lexuar më parë, shkrimtari që duhej të ishte brenda tyre, sikurse e cilëson këtë Borges.
Në shkencë referencialiteti është një kriter i pashmangshëm, conditio sine qua non për një punim apo studim të mirëfilltë shencor. Kjo përcaktohet në metodologjinë e shkencës. Le të marrim si shembull librin “Vendi që zë Skenderbeu në historinë e Shqipërisë”, të Abaz Ermenjit. Në vetëvete ky libër është shkruar bukur dhe lexohet me endje. Por ky libër ka një të metë fatale; nuk ka asnjë referencë shkencore, asnjë dokumet apo libër tjetër të cituar. Shkurt ky libër ka karakter propogandistik, sepse historia pa dokument nuk është histori, është propogandë. Librit të Ermenjit nuk mund t’i referohesh në asnjë punim shkencor, pikërisht për shkak të mungesës së referencave dhe dokumenteve. Por ai që është kusht në shkencë është fatal në letersi. Nëse një libri me poezi ia gjen referencat në shumicën e poezive të tij, atëherë ai nuk është më libër poetik, po thjeshtë një viktimë e referencialitetit, një viktimë e trafikimit të emocioneve, të imazheve, të ndijimeve të tejetërkujt. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prozën.
Shembujt nga letërsia shqipe nuk janë të paktë. Në letërsinë e shkruar në Kosovë, por edhe në Tiranë ndikimi i shkrimtarit Ismail Kadare u bë shkatërrues për disa shkrimtarë që u futën në këtë qorrsakak, pa mundur të dalin prej andej as sot e kësaj dite. Pasardhësit shkrimtarë të Kadaresë mbetën përgjithësiht shkrimtarë të dështuar, proza e të cilëve në asnjë rast nuk u ngjit në nivelin e prozës së Kadaresë. Edhe shkrimtarë të tjerë si Borges, Kafka, Buzzati, Sartre kanë krijuar pas vetes modele të dështuar, jo vetëm në letrat shqipe, po edhe në letërsisë e tjera. Eshtë kjo arsyeja që e bën shumë të ndërlikuar raportin e shkrimtarit me shkrimtarët paraardhës, me shkrimtaret e pëlqyer, ose të lexuar dhe të rilexuar, raport që herë herë është armiqësor, idhnak, aq sa pasardhësi kërkon të mos ia zërë emrin në gojë paraardhësit, kërkon t’i asgjësojë, jo thjeshtë te publiku, por së pari e kryesisht të vetëvetja. Duket sikur procesi i shkrimit është një dyluftim midis shkrimtarit paraardhës të pelqyer, shkrimtarit të lexuar dhe rilexuar dhe shkrimtarit të patakuar e të palexuar më parë. Tek shumë prej autorve të botuar gjatë këtyre viteve ky shkrimtar i tretë, ose nuk ekziston, ose është aq i dobët dhe i trembur sa nuk guxon të hyjë në fushëbetejë gjatë procesit krijues. Mungesa në proces e shkrimtarit “të patakuar e të palexuar” më parë, apo prania shumë e dobët e tij vetëm me disa pëshpërima , sa për të prishur punë, u krijon hapësirë paraardhësve, aq sa teksti letrar i dalë nga ky proces krijues është një tekst referencial, pra nuk është tekst i mirëfilltë letrar.
Librat me tekst referencial, qoftë në poezi, qoftë në prozë, janë të pranishëm te një pjesë e mirë e autorëve tanë “të kulturuar”. Kjo ka bërë që të kemi shumë autorë, shumë libra, lista të gjata me emra prozatorësh e poetësh , madje të shpallur edhe “elite” e që në vetëvete nuk janë kurrgjë tjetër veçse elita referenciale dhe natyrisht disa poetë dhe prozatorë , të cilët gjithesi kanë sjellë një standard të ri në letrat shqipe me ngjyrimin e vet origjinal dhe të papërsëritshëm. Trauma e realizmit socialist është duke u tejkaluar me vështirësi , ndërkohë që liria ka mbushur tregun me shkrimtarë që nuk janë.
Në këtë kaos mbretërues, në këtë botë të zhvillimit të lartë teknologjik dhe të komunikimit të shpejtë, krijimi i identiteteve të ndryshëm nga modelet nuk është i lehtë. Aq me tepër që edhe qenia njerëzore është një qenie komunikuese, një qenie e brishtë dhe e ndikueshme. Në përgjithësi globalizimi i shoqërisë njerëzore dikton modat dhe modelet e suksesshme, jo vetëm në veshje e kuzhinë, por edhe në pikturë, letërsi, muzikë, filmografi, duke krijuar një standard të ngurtësuar për qenie standarde. Pozicioni antishkollë, antistandard, ndoshta është i vemti pozicion real për shkrimtarin, edhe pse një poezicion i tillë rebel e kërkues, mbart me vete rrezikun e vazhdueshëm, të dështimit, të asgjësimit, të mospërfilljes dhe përbuzjes nga bashkëkohësit që në fund të fundit është e njëjta gjë. Në këtë poezicion është gjendur vazhdimisht Franz Kafka në të gjallë të tij, por edhe poetë e shkrimtarë të tjerë, që pasvdekja i ka bërë të medhenj.
Nga biologjia dimë se çdo qenie njerëzore, është gjenetikisht e papërsëritshme, është një histori që ndodh vetëm njëherë, pavarësisht se vjen prej paraardhësisht të ngjashëm njerëzorë dhe trashëgohet të pasardhës po të ngjashëm njerëzorë. Pra ne biologjikisht nuk jemi të pandotur, përderisa mbajmë në trup gjenet e paraardhësve, e megjithatë jemi origjinalë, të përvetshëm, të papërsëritshëm , jemi sëcili një histori unike. E tillë është edhe letërsia, kur ajo është letërsi, i tillë është edhe shkrimtari, kur ai është shkrimtar.

Nga Halil Haxhosaj : LIRIA NË POEZINË E SOTME SHQIPE

Nuk ka poet që nuk ka shkruar ndonjë varg për lirinë. Disa prej tyre kanë shkruar poezi, himne, ditirambe, poema, madje edhe vepra të tëra kushtuar lirisë.
Liria në poezi tonë, sidomos në atë të sotmen kalon nëpër disa rrathë, depërton nëpër disa sfera, apo, pse jo, edhe kapërcen nëpër disa kapërcalle kohore të gjysmës së fundit të shekullit të kaluar dhe deri sot.
Andaj vetvetiu lindin pyetjet:
A ka pasur liri nga poetët për ta shkruar poezinë?
A ka pasur dhe a ka gjithashtu liri në poezinë e sotme shqipe, gjegjësisht në vargjet e saj dhe sa ka liri në poezitë përkushtuese për betejat, luftën, dëshmorët e heronjtë e rënë në luftën për liri?
Për t’i shkoqitur sadopak këto situata, këta rrathë dhe këtë ekzistencë duhet hulumtuar nëpër poret e zhvillimit të poezisë sonë pas të ashtuquajturës Luftë e Dytë Botërore. Dhe këtu dalin dy rrugë, apo më mirë të shprehemi, dalin dy kahe të rrugëtimit të lirisë në poezinë e sotme shqipe:
1. Rruga e lirisë në poezinë e poetëve të Shqipërisë.
2. Rruga e lirisë në poezinë shqipe tek poetët e Kosovës.
Fati historik e deshi që shqiptarët e të dy anëve të kufirit, në Shqipëri dhe në Kosovë, të mbesin nën të njëjtin sistem shoqëror pas Luftës së Dytë Botërore, nën sistemin socialist. Dhe raportet e artit në përgjithësi dhe të poezisë në veçanti natyrisht që kërkojnë qasje të reja. Poetët duhej patjetër të ndërrojnë metodën letrare dhe të shkruajnë për luftën, betejat e saj, për partizanët e partizanet, për heronjtë e dëshmorët, për komunizmin e komunistët, pastaj për reformën agrare, kooperativizmin në Shqipëri, e deri për vëllazërim-bashkimin, të drejtën e femrës, shkollimin, luftën kundër analfabetizmit e të tjera në Kosovë. Andaj, në vargjet e poezive përkushtuese për lirinë më shumë ndihet fryma e tillë se sa frymon liria në to. Liria ishte gjëja më e arrirë, ajo ishte grada më e lartë e arritur ndonjëherë dhe kurorëzohej me fitoren e komunizmit dhe socializmit. Vetëm poezitë kushtuar partisë, socializmit, kooperativizmit, tharjes së kënetave, aksioneve të rinisë në Shqipëri, luftës partizane, betejave të Sutjeskës, Neretvës, Dervarit, por edhe asaj të Carralevës, vëllazërim bashkimit, Boros e Ramizit, Landovicës, e pse jo edhe Titos, në Kosovë, konsideroheshin poezi me vargjet më të mira në të cilat frymonte liria. Dhe në pyetjen e parashtruar del vetvetiu përgjigjja. E tillë është liria në vargjet e poezive me tematikë, semantikë, motive dhe frymëzime të këtilla.
Në poezinë e krijuar në Shqipëri liria sa vjen e shtresohet nëpër të gjitha poret e jetës socialiste, kooperativizmit e deri te reformat në arte, kulturë, letërsi dhe në jetë. Andaj lindja e metodës së socrealizmit në letërsi shndërrohet në dogmë letrare. Ata që duan të bëhen poetë patjetër duhet të japin provimin pranues me tematikën ideologjike të kësaj metode letrare. Kështu lindin poetë e shkrimtarë socrealistë të cilët janë kreatorë të poetikës socialiste në Shqipëri. Liria e poezisë së tyre frymon nëpër poret e luftës së klasave, ndërtimit të fshatit socialist, njeriut të ri të zhveshur nga besimet fetare, pronës shoqërore e shumë e shumë temave të tjera. Kurse, liria e shprehur ndryshe në vargjet e atyre pak poetëve të guximshëm nuk zgjat shumë, sepse ata burgosen bashkë me vargjet e veprat e tyre dhe dënohen me shumë vjet heqje lirie. Dhe lind e ashtuquajtura poezi disidente me poetë të tillë si Kasëm Trebeshina, Bilal Xhaferri, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Havzi Nela, etj. Klasa e këtyre poetëve dënohet dhe persekutohet edhe në mënyra të tjera. Liria e shprehur në vargjet poetike të tyre, demaskohet edhe nga kolegët e tyre. Andaj nuk është e rastësishme thënia e Mitrush Kutelit në testamentin e vet se krijuesit të cilët shpreheshin të lirë në vargjet e tyre, jo vetëm që dënoheshin nga partia e shteti, por edhe nga vetë shkrimtarët. “Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete e hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi”. Krijuesit e këtij terreni të letërsisë e gjenin rrugën më të mirë për të mënjanuar të tillët që i pengonin në realizimin e famës së tyre prej shkrimtarëve socrealistë në sistemin totalitar komunist..
Ndërkaq, në Kosovë, gjetja e lirisë në poezinë e viteve të 70 të shekullit të kaluar bëhej në një formë tjetër. Kjo formë pak nga pak kaloi në metodë e cila kishte një shtrirje bukur të madhe në këtë kohë. Mbase ajo ishte metoda e përdorimit të një figuracioni të dendur metaforik në poezi. Prandaj është krejt e natyrshme që nisi të kultivohej kjo mënyrë e shprehjes poetike në poezinë shqipe të Kosovës sa që gradualisht nisi të shndërrohej në poetizim hermetik. Ky hermetizëm siç është vërejtë me kohë qe sa i mirë aq edhe i rrezikshëm.
Por, pas ngjarjeve të vitit 1981, pra pas demonstratave të studentëve, ndërroi shumëçka edhe në poezinë e poetëve të Kosovës. Ajo pak liri që frymonte në vargjet e saj tash nisi edhe më shumë jo vetëm të stërkeqet, por edhe të zhduket. Në faqet e disa gazetave dhe revistave letrare filloi një kontrollim që i kanosej lirisë së poezisë. Kështu, prapë nisi censurimi i vargjeve që shprehnin heroizmin dhe pranonin kërkesat historike të demonstruesve studentë dhe të demonstratave. Dhe shumë nga organizatorët u burgosën dhe u dënuan me burg. Ata nga qelitë e burgjeve serbosllave kërkonin liri. Lirinë më të shenjtë e gjenin në vargjet e tyre që i shkruanin më shumë në mendje se sa në letër. Dhe kështu lindi poezia e burgjeve në vargjet e të cilës shkruhej për lirinë. Këta poetë e krijues pas daljes nga burgjet i botuan veprat e tyre. Mbase kështu nuk ndodhi në burgjet e Shqipërisë së Enver Hoxhës sepse nga ato dolën me tonelata letër të letërsisë së shkruar nëpër burgjet enveriane.
Dhe liria në poezinë e sotme shqipe nisi të frymojë pas viteve të 90 të shekullit të kaluar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Poetët u çliruan nga prangat e partishmërisë në art, u çliruan nga ideologjia, nga figuracioni bardh e zi. Tash nuk ekzistojnë shabllone që krijonin vlerën ideologjike dhe partiake të poezisë. Liria nisi të vërshojë në vargjet e poetëve. Ata nuk jepnin më llogari ideologjike për figuracionin e përdorur dhe për tematikën e shprehur në poezitë e tyre.
Por, për Kosovën kjo nuk zgjati shumë. UÇK-ja ia filloi luftës. Andaj poetët duhej t’i mobilizonin figurat e tyre në mbështetje të kësaj lufte. Ushtarët e kësaj ushtrie ishin kreatorët e një lirie të re, të cilën e sollën në Kosovë. Tash liria e vargjeve poetike frymon bashkë me këta luftëtarë, dëshmorë, martirë dhe heronj. Duke shkruar vargje për Adem Jasharin, Jusuf Gërvallën Xhevë e Fehmi Lladrovcin, Komandant Kumanovën, Luan e Shkëlzen Haradinajn, Agim Ramadanin e Sali Çekun, Prekazin, Gllogjanin, Izbicën, Reçakun, Kosharën, Pashtrikun, Shalën e Llapin, etj, bëhet një farë portretizimi a biografi e këtyre martirëve. Dhe duhet theksuar se poezitë kushtuar këtyre ngjarjeve dhe personaliteteve, fatkeqësisht, nuk janë gjithherë në nivelin e duhur artistik, ngase janë shkruar pa u ndier shpirtërisht siç e kërkon frymëzimi i vërtetë për hartimin e krijimtarisë së mirëfilltë poetike. Sepse për të shkruar poezi për ngjarje të ashtuquajtura të mëdha dhe njerëz të dalluar nuk do të thotë se ke krijuar poezi të realizuara artistikisht. Kjo ndodh se poezia nuk është vetëm shprehje e mendimit, por mbi të gjitha është shpalosje e ndjenjave me mjete të zgjedhura artistike, me metafora dhe figura të tjera stilistike.
Si do që të jetë megjithatë ky ishte dhe është një këngëtim për një liri në poezinë tonë bashkëkohore, pavarësisht nga mungesat që mund të ketë ajo. Edhe poezia si edhe vetë liria frymon ndryshe, rrjedh ndryshe dhe kumbon ëmbël. Edhe kjo është liria e poezisë bashkëkohore shqipe.
Andaj, edhe njëherë në fund ia vlen të konstatohet se nuk ka poet që nuk ka shkruar ndonjë varg për lirinë. Disa prej tyre kanë shkruar, por edhe shkruajnë poezi, himne, ditirambe, poema, madje edhe vepra të tëra kushtuar lirisë.

Humor Politik "Mahitet Arkadia"

REPUBLIKA LETRARE


Kur ra Muri i Berlinit dhe u hapen portat e demokracise, shume shkrimtare tane klithen ne kupe te qiellit:
Ishim te anatemuar, ishim disidente!
Vox clamantis in diserto!
Dhe pernjeheresh u turren ne politike:
Kur mund ta bejme artin e se pamundshmes, si nuk mund ta bejme artin e se mundshmes!
Filluan te kendojne e te vajtojne, te gjemojne e te protestojne.
Kur sharruan thelle ne politike, ajo vezulloi si thike.
Sokrati doli nga kupa e helmit:



Une piva kupen e helmit per te verteten. Me akuzuan se prishja rinine dhe nuk besoja perendite mitike!

Dokrra, dokrra!

Çfare disidentesh ju, qe deri dje kullotnit livadhet e perandorise!

Kush kendonte ode per kullen e fildishte? Kush hipte ne trenin e kalter? Kush udhetonte autostrades se bashkim-pushtimit?

Kush ishte censor e redaktor?

Kush denonconte e botonte?

Kush stolisej me kurora dafinash?

Edhe Platoni u perkund nga gjumi antik:

Ah, ideja e Republikes! Fjale antike Res publica.

Ju shkrimtaret dukeni paksa fantastike. Sakaq ngrini kulla prej letre, mbeltoni pyje te dendura metaforash e simbolesh.

Ku eshte Akademia juaj?

Ah, akademiket si papagajt!

Ata denuan Republiken.

Ku i keni pedagoget qe diferenconin me formula algjebrike e kimike?



Ku jane intelektualet?
Bah, asnje ne Panteon!
Pirro Molosi hapi krahet si shqiponja:

Kush e lidhi shqiponjen me shall?
Rinia shpalli qe dhjete vjet Republiken, e shkroi me gjak neper mure e sheshe, neper koka te njerezve.

Ç’benin atehere prokuroret, gjykatesit e policet tuaj?!

Oh, sa republikane te rinj dergjeshin burgjeve!
Uh, asnje politikan ne burg!
Republika kerkon sakrifica.
Se pari Liria, pastaj demokracia!
Gjergji i Madh zhveshi pallen:
Ç’po llomotisin historianet e politikanet tuaj?
Ku i keni institucionet fiktive: parlamentin e qeverine?
Ku ushtrine e policine?
Si, ore, Parlamenti juaj dorezoi autonomine?!
Juristet e veteqeverisjes thoshin s’humbim asgje.

Eh, politikanet u shkrine ne autonomine e kadifenjte!
Shporruni ketej!

Republika eshte keshtjelle me themele e shtylla te forta.

Nuk behet me letra, por me vepra!

Shkrimtaret u shastisen.
Hapen fjaloret e enciklopedite: gr. polis qytet-shtet.
Ik, ik, politika qenka polici!
Au, ketu u dashka sakrifice!
Aristoteli i keshilloi te bejne se pari katarzen e mimezes.
Shkrimtaret iken nje nga nje duke mallkuar:

Uha, se pari u dashka çlirimi i brendshem, se i jashtmi ardhka vetvetiu!
*
Ne krizen pluraliste ne Arberi lulezoi arti si ne Voskopje.
Jusuf Buxhovi hapi Librin e te mallkuarve.
Ibrahim Rugova beri Refuzimin estetik.
Rexhep Ismajli shestoi Shenje e ide.
Aurel Plasari paralajmeroi: Vija e Teodosit rishfaqet.
Sabri Hamiti vuri Futen.
Mark Krasniqi ngriti Kullen e bubrrecit.
Milazim Krasniqi zbuloi Monedhen e Gentit.
Adem Gashi pikturoi Pellumbin e paqes.
Rifat Kukaj perqafoi Peshurranin e gjyshit.
Daut Demaku shpiku Magjine e urtise.
Zejnullah Rrahmani krijoi Mjeshtrin e vetmise.
Mehmet Kraja vajtoi Vitet e humbura.
Luan Starova u permallua per Kohen e dhive.
Agim Vinca renkoi Kohe e keqe per liriken.
Fatos Arapi klithi Gloria victis!
Musa Ramadani doli Anti procesion.
Arif Demoll u ngrit Ante portas.
Adem Istrefi shau Argatet e dreqit.
Rushit Ramabaja mallkoi Fajnite e apostujve.
Kasem Trebeshina i ra Mekamit.
Ali Aliu lodroi si Don Kishoti te shqiptaret.
Bashkim Shehu shtroi Gostine.
Anton Pashku ofshani Oh, oh, oh!
Uran Butka pohoi Vdekjen e bardhe!
Abdullah Konushevci shpiku Pikat AD.
Visar Zhiti pyeti: Si shkohet ne Kosove?
Agim Gjakova tha: Guxo e vdis!
Teki Dervishi beri Herezine e Dervish Mallutes.
Ali Podrimja u hodh Harakiri.
Din Mehmeti bertiti: Mos vdis kur vdiset!
Dritero Agolli u shtang: Çudira dhe marrezi!
Azem Shkreli deshmoi Zoti nuk eshte shqiptar!
Xaje Nura u trishtua e ra ne Dergje.
Adem Demaçi u rebelua dhe shpalli Vet-mohimin.
Emin Kabashi doli ne shkalle e thirrri: A erdhi nusja?
Ismalil Kadare u pergjigj matane: Ra ky mort e u pame!
*
Keshtu shkrimtaret shkruan Republiken letrare.

DOSJA D

Ne gjykimin e disidentit Adem Demaçi me 1959 kishin deshmuar vete
shoket e penes, per shkrimtarin e talentuar 23-vjeçar qe kishte botuar atehere romanin Gjarpijt e gjakut.
Penat e arta ishin tmerruar nga kushtrimi i Demaçit:
Shqiptaret po torturohen ne aksionin barbar te armeve, po shperngulen per ne Turqi dhe jane te diskriminuar ne jeten politike, ekonomike, arsimore e kulturore. Kosova i takon historikisht Shqiperise dhe bashkimi duhet bere me plebishit ose me lufte çlirimtare. Sot nevojitet uniteti i intelektualeve, ndersa shkrimtaret duhet te jene ne berthamen e organizimit politik.

Ata kishin deshmuar si Pons Pilati para Krishtin ne kalvar te Golgotes, duke denuar me pese vjet burg te rende dashnorin e fjales se lire.
Prometeu ua kishte dhuruar zjarrin, por ata kishin adhuruar terrin, duke hyre ne partine e te verberve.
Demaçi kishte vazhduar Ditarin e shpirtit, duke ngritur flamurin shqiptar me 1964 e 1976. Keshtu ai po shkruante kryevepren e lirise, si feniks i nderdijes e vetedijes shqiptare.
Me vepren Dosja D ky vath shkrimtaresh kishte hyre ne modernizmin jugosllav.
Fahredin Gunga kishte zgjuar Mallkimet e fjetura.
Adem Gajtani kishte kenduar Kengen e mjellmes.
Anton Pashku kishte klithur Vox clamantis in diserto!
Din Mehmeti ishte perbetuar Fatin tim nuk e nenshkruaj.
Ali Aliu kishte lodruar si Don Kishot te shqiptaret.
Rafael Sopi kishte zene qafen ne nje sop te rruges.
Zekeria Cana ishte bere xurxull i historise.
Sylejmanin e kishte marre Drini.
Eh, çfare fati i mallkuar!


MUZA

Per poetet thone se jane pak te perhenur. Veç grate e tyre ua dine tekat.
Poeti Din Mehmeti e ka zakon te zgjohet dy-tri here naten kur e kap frymezimi.
Ç’dreqi po ben, s’me le te fle!- i thote e shoqja.
Muza, muza!- murmurit Dini.
Kush eshte ajo muze? Dashnore a studente jotja?- kllapurit gruaja neper gjume.
Jo, jo, hena, hena! A me hene je ti, qyqja une! Na mbyte me keto letra.

Njehere Dini kishte pase marre nje honorar te majme per vepren e zgjedhur. Si vjen ne shtepi, ia qet zarfin perpara gruas.
Qe letrat!

Ç’eshte kjo?
Muza, muza!

Kur e hap zarfin, plot marka!
Uh, te paça Din! Do ta veshim shtepine, do t’i martojme femijet.
Kur ra kriza, edhe Dini ra ne gjume.
Kur gerhinte, zonja e prekte: Çou, çou Din, hena eshte e re!
Jo, moj fisnike, eshte sosur hena. Tash librin duhet ta botoj me para te mia!

KUKU


Shkrimtari i femijeve Rifat Kukaj, si aktivist partiak, kishte shkuar ne nje mbledhje te jashtezakonshme te Rilindjes per te bere spastrimin politik nga Apeli i 215 intelektualeve:
O shoke, bini pishman ketij pamfleti se nuk i bihet Murit te Berlinit me krye. Autonomia tash ka rene ne shtratin e vet. Qengji i bute i thith dy nena!

Komunistet e Rilindjes ishin rebeluar keq dhe pernjeheresh LKJ-ne e majte e kishin rrotulluar ne krahun e djathte LDK.
Rifat Kukaj kishte mbetur me gishta ne goje dhe me perralla te gjyshes. Ne ato çaste kritike seç i kishte kumbuar kenga e femijerise
Kuku nane, çka i bana vetit!

PASHALLeKU I GODOS

Gjate periudhes se tranzicionit, shkrimtari Sabri Godo kishte hyre
me rrembim me partine e tij ne Muzeun Kombetar.
Godoja kerkonte me ngulm kthimin e pronave private, madje edhe te çifligjeve.
Sigurisht qe kishte nje motivim shume te forte: ose ishte bir bejlurçine, ose deshironte te formonte fare pashalleku te Jugut.
Ne Muzeun Kombetar i kishin thene troç:

Kthej nje here pronat e pushtuara te Ali pashe Tepelenes, e pastaj te te bejme pasha!

SAGA E STAROVES

Pas odisese se gjate Paris-Tunis, si dhjak i Kiros, Luan Starova eshte kthyer me dafina ne Itaken e vet, ku po shkruan ciklin romanor Saga ballkanike. Per te mos mbetur si dhia nder dhen, romanin Koha e dhive se pari e kishte botuar maqedonisht, e pastaj e kishte perkthyer edhe frengjisht, si ambasador i Kiros ne Paris. Me pas me dhite e veta Luani kishte hyre triumfalisht edhe ne Akademine e Maqedonise. Luani tash kerkon Itaken, si Odiseu pas djegies se Trojes. Krimi me i madh komunist ishte perndjekja e dhive, qe ndalonte me ligj edhe perçitjen e tyre. Ah, çfare mekati kunder ligjeve te Zotit! Luani kujton tash si ne perralle fatin e dhive. Njmend alegori me vend, nje pershpirtje per dhite e kecat e Dionizit, simbole tragjike te miteve antike. Babai i tij kishte braktisur dhite e kuqe duke kerkuar dhite e larme. Dhite e kuqe demonstronin neper Shkup me buze te prera e kembe te thyera, si cjapi te kasapi. Kjo eshte nje dhiate e Odiseut per bemat e mbreterve te kuq. Askush nuk i njeh me mire krimet se ata qe i kane bere vete.

Luani ishte vete dhiar e perçor i larem, qe kishte bere shume dhiare. Ishte cjapor me mjeker dhe dhjakonar i Kiros, qe i kishte zene dhjame bishti, duke bere shume kakerdhia.

ehe, dhite e kuqe te Staroves!

EIFELI


Shkrimtari Ismail Kadare i pati mallkuar nga Parisi protestat kunder arrestimeve te disa komandanteve te UÇK-se:
Ne mjediset me sisteme demokratike, siç eshte Kosova, jane te zakonshme, normale arrestimet nga ana e shtetit…Une do te deshiroja qe te arrestuarit te dalin te paster dhe te pafajshem…
Athua si do te reagonin shqiptaret sikur ta arrestonin Kadarene, e pastaj te dilte ne gjyq i paster, i pafajshem?!Madje edhe me keq: sikur dikush ta perdhunonte nje vajze te re per ta provuar se a eshte e virgjer! Ku na mbeten pastaj disidenca e dinjiteti?!

Bah, bah, nga Kulla e Eifelit nuk shihet mire as Parisi!


ADHURIMI

Shkrimtari Bashkim Shehu eshte dashuruar shume me nobelistin serb Andriç. E ka zbuluar pakez si vone, pasi i eshte perkthyer romani i tij Gostia ne Beograd.
E adhuron veçmas stilin e Andriçit. Me shume i pelqen cinizmi i tij se racizmi ndaj shqiptareve.
Bashkimi eshte internacionalist.
Tash jeton dhe krijon ne Barcelone, duke kerkuar gjurmet e t’et ne Luften antifashiste te Spanjes.
S’eshte çudi qe neser te vije e te jetoje edhe ne Beograd.
Aty do ta gostisin per mrekulli!
Fale te qofte Beogradi, Bashkim!

DERVISHI

Dikur Dervish Malluta qe mllefosur shume ne labet e rebeluar kunder tarikatit te tij.
Nje dite nuk kishte mundur ta permbante veten dhe kishte shperthyer:
Kuku lele majko: Dokle, Milo, Majko, Fino ta sundojne Veriun!
Kishte rrokur pushken e gjate, por nje lepur ia kishte prere rrugen ne kufi. Pastaj nje muaj dite e kishin zene ethet e vdekjes. Kur kishte hipur ne fronin e Talias, se pari nje aktori te ri ia kishte dhene nje dacke. Ishte bere shume zhurme ne teater, por ai ishte arsyetur se kjo ishte vetem nje sprove per aktrim.
Nje dite kishte dale para teatrit duke thirrur: Ku eshte populli?!
Perpara teatrit luhej drama historike, ndersa brenda tij drama fantastike.
Per te gjitha keto vepra artistike Dervish Malluta qe praruar me medaljen e arte.

ZJARRI

Shkrimtari Basri Qapriqi ishte tmerruar shume nga zjarri i marsit ’04:
Popujt e Ballkanit nuk jane krijues idesh, jane krijues te dobet. Ata jane imitatore te shkelqyeshem. Kane pasion te çuditshem me i perngja tjetrit…

Çuditerisht, para zjarrit kishin heshtur te gjithe: akademiket, shkrimtaret, gazetaret, hoxhollaret dhe ne fund edhe grate.

Ani shkrimtaret: ata te cilet kane bere me dhjetera tekste heroike per kenge dhe dine ç’eshte dhembja…Ata vetem duhej te mbronin veten, shpirtin e vet nga e keqja, nga e liga.

Ani grate: ato kane dokumentim dhe kane deshmi te shumta per dhunimet masive gjate luftes….

Ani Mandela yne, qe s’e luajti as hapin! Sigurisht te gjithe ata ishin tmerruar nga zjarri, sepse ishin djegur nje here. Tash i frynin edhe kosit. Nuk e dinin se zjarri heq zjarrin. Marsi eshte perendi e luftes!

Hem! Fajtor Prometeu qe vodhi zjarrin dhe ua dhuroi njerezve.

Poeti Basri e di mire se pergjasimi eshte parim i metafores.

Basriu eshte mediteran dhe ka ide fantastike.

Gjithmone lundron me valet me hene.

Tash i ka hipur Pagazit te PEN-it shqiptar.


HAJNIA LETRARE

Opinioni shkencor ishte tronditur per nje plagjiature te Sabri Hamitit ne vepren Tematologjia, botim i veçante i Akademise se Shkencave dhe te Arteve te Kosoves.
Teme e vepres Tematologjia te Hamitit ishte hajnia letrare.
Akademiku ishte zene me kerpesh perdore duke vjedhur si ne bahçe te babes nga dy fjalore enciklopedike letrare: Dictonnaire des Genres et notions litteraires i Parisit dhe Recnik knjizevnih termina i Beogradit.
Akademiku diku kishte bere plagjiature te mirefillte, diku kompilime, ndersa diku i kishte ngaterruar nocionet e termat letrare.
Ai tregoi se eshte perkthyes i mire i serbishtes, por çalaman i frengjishtes.
Uha, kjo s’eshte vjedhja e pare! Sabriu i ri ka vjedhur me pare titullin e romanit Njqind vjet vetmi te Markezit.
Kjo eshte metodologji postmoderne e bioletres.
Mos ia shihni aq per te madhe ne pleqeri! Njeriu parlamentar nuk ka pasur kohe t’i asimiloje mire termat e nocionet letrare.
Ka kujtuar se kurre nuk do t’i arrije kush ato burime dhe se brezat e rinj do t’i hulumtojne me metoda krahasimtare.
Sot te gjithe po vjedhin e plaçkisin ne tregun e lire, pse te mos vjedhe edhe Akademia me nam e nishan!
Shume njerez me alamet grada shkencore nuk kane guxuar t’i botojne kurre punimet e tyre te kompiluara.
Megjithate, Sabri Hamiti i ka bere nje sherbim te mire Akademise, duke permbushur nje boshllek te kritereve shkencore e artistike. Ajo tashme ka tejkaluar modernen dhe duhet te integrohet ne rrjedhat postmoderne shkencore.
Falja Zot keto gafa se nuk jane mekate!
Thone se Dinastia e Hamiteve sot sundon kryeqytetin.


MBRETI

Shkrimtari Daut Demaku thote se i perket mesit te arte, sepse aty qendron mbreti, qe mban drejtpeshimin e popullit.
Ai zakonisht pershendet Rrofte Mbreti!- duke treguar berrylin e djathte.
Edhe Çaraveshi ia pret: Rrofte!- por nga admirimi i madh dora i rreshqet ne shoke e teposhte.
Pastaj ata qeshin dhe luajne lojen: Fluturoi, fluturoi zogu!

RUSHIT RAMABAJA :LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHëS & PSE MA PREVE MOLLËN E KUQE


LIRIA NË SHPIRTIN E VJERSHËS

(Requiem për Jusuf Gërvallën)

1



Për mua miti i Jusufit s’nisi të mbruhej pas natës së 17 janarit 1982, kur ra në pritën e pabesë në Gjermani, por trembëdhjetë vjet më herët, në pranverën e vitit 1969. U takuam për herë të parë në një tryezë të rrumbullakët të krijuesve të rinj në redaksinë e “Zërit të rinisë”. Ishte koha kur shumica e intelektualëve të kësaj pjese të etnisë, veçanërisht të rinjtë, me një vrull të beftë po dilnin nga orbita e shkollës serbe duke kërkuar identitetin e vet historik e kulturor në rrënjën pellazgo-ilire, përkatësisht evropiane. Në tryezën ku qenë ftuar shkrimtarë, artistë figurativë, aktorë, muzikantë etj., tema e rigjetjes së identitetit, për shkak të rrethanave, u shtrua tërthorazi, natyrisht.
Megjithatë, gjatë debatit të zjarrtë, në ndeshjen e ashpër midis rrymës nacionale, që kërkonte zhveshjen e shpirtit e të artit nga reflektimet e etnopsikologjisë së pushtuesit, në njërën anë, dhe e rrymës tjetër, në shpirtin e të cilëve kish zënë të binte mjegulla e fiseve endacake, e që i shihte përfaqësuesit e nacionales si romantikë të vonuar, si tërheqës së prapthi të qerres së historisë, si prishës të bashkëjetesës, që, sipas tyre, i kish vëllazëruar popujt e perandrorisë së Titos më shumë se gjiri i nënës dhe sidomos si mohues të kozmopolitizmit. Punën e vëllazërimit të popujve, nostalgjikët anacionalë e thoshin me gjysmë zëri, natyrisht, që të mos dukeshin dhe aq shumë anacionalë dhe gjithë peshën e fjalës e vinin mbi gjoja përndezjen që u zgjonte kozmopolitizmi. Gdhiu koha, i mëshonin zërit këta, që popujt, gjithmonë me zezona nëpër këmbë, të varrrosnin baladat, dasmat, ritet e vdekjes dhe krejt bëzhdilet anakronike të folklorizmave. Dhe kur të kenë zhveshur të kaluarën, siç bënë me kostumet popullore, lehtë do të mund të heqin dorë nga ato që ende quhen të shenjta – gjuha dhe atdheu. Ju do të pyesni, shtonin më tej nostalgjikët e sllavizmit, si do të mund të çlirohen popujt nga mëkati i atdheut dhe me çfarë do të ngushëllohen pastaj? Me të bukurën e artit, o të uruar. Ajo do të bëhet mëmëdhe universal i popujve. Aty, në universin më të bukur që ka pjellë mendja njerëzore, do të lindin, do të qajnë, do të martohen, do të qeshin e do të vdesin bashkë. Për heqjen e barrës së këtij mëkati, kanë nevojë veçan popujt e lashtë, si ky yni. Ata, të stërngopurit me atdhe. Kjo, hëpërhë, tingëllon paksa bizare, megjithatë, me kalimin e moteve, kur koha t’ua ketë rrafshuar brigjet e mërive fisnore, ata do të gdhihen një pranverë të lumtur e të pamëkatshëm dhe do të qeshin me zë të lartë për ato dhimka e për ato gulme folklorike.
Nostalgjikët, ata që kishin thithur me tepri shpirtin sllav, çuditërisht, dukeshin më të stërvitur në oratorinë përndezëse, sa i hutuan një çikë këta të rrymës nacionale. Jusufi deri atëherë kish heshtur. Shikimin e tij, që dukej sikur e përpinte botën nga lartësitë e mistershme, e bënin më të kthjellët e më të rinuar rrobat e bardha.
Ju po thoni, iu drejtua ai nostalgjikëve, se do të gjejmë vetë parajsën në atdheun e kozmopolitizmit. Pastaj do të qeshim me kokëkrisurinë e të gjithë heronjve dhe do të qajmë për luftërat e kota që kemi bërë. Kështu? Veç a do të mund të vini dorën në zjarr se prapë s’do të na dëbojnë prej aty Andiqi e Qosiçi? Se s’do t’ua hapin porat hordhive çetnike të Drazhës që të na therin në gjumë si berret? Kështu, ose s’jeni lodhur fare me mësimet e historisë. Jemi stërngoput tashmë me trumpetimet e perandorëve të stepës për kombin e madh socialist, për idealet e proletariatit nga lind e ku perëndon e me gjepura të ngjashme. E dini ç’është kozmopolitizmi vërtet? Kush ua futi në mendje këtë atdhe fiktiv dhe sidomos që të hiqeni si artistë rishtarë dhe si hapës të portave të atdheut të paqenë? Ka këtu, megjithatë, që të gjitha i dinë. Por, sot le të mbetet me kaq!
Nostalgjikën heshtën. Ata e vidhnin herë pas here me sy si të zënë në faj. Jusufi, nga ana e tij, të gjithën po e kthente në shaka. Le të kujtonin nostalgjikët se ai po i merrte për naivë. Kalamaj të magjepsur nga përralla e Hirushes. Me këtë lojë do ta shtynte sado pak gjuajtjen e rrufeve.
Tre vjet më vonë, në vjeshtën e shtatëdhjetë e dytës, kur ia nisëm të punonim bashkë në “Rilindje”, në bisedat e zjarrta të mbrëmjeve në kafenenë përballë Radio-Prishtinës, Jusufi po ma shpjegonte thelbin e kozmopolitizmit. Këta farë artistësh rishtarë, po thoshte, dolën me filozofinë për atdheun fiktiv, kur pësuan disfatë gjithë ato ushtri dhe gjithë ato elaborate të pushtuesit. Kur tashmë edhe pararulla sentimentale e vëllazërimit, s’mbeti më shumë se një relikt. Megjithatë, këta mashtrues janë me dinakë nga sa kujtojmë ne. Dhe më të rrezikshëm, natyrisht. Kanë misionin e shprishjes së ngadaltë të etnisë, me mjete paqësore siç është arti dhe pa rënë fare në sy. Kanë mbetur e vetmja shpresë e serbizimit të shqiptarëve, prandaj kanë aq privilegje e favore. Do të përpiqen që përmes muzikës, letërsisë, filmit, teatrit etj. t’i bëjnë shqiptarët të heqin pezhishkën e mallit të atdheut dhe nesër, kur ta ndiejnë veten as në tokë as në qiell, me neverinë për gjuhën që ua ka rrëfyer të fshehtat e shpirtit, me përbuzjen për zanafillën dhe sidomos me ndjenjën e ankthit për dheun e tyre, vetë kompleksi i rrënimit do t’i mësojë të shohin ëndrra, të qeshin, të qajnë, të përbuzin e të dashurojnë si serbët. Mbi jetën e tyre s’do të ketë më veçse duhmë të rakisë së kumbullave dhe këngë me lavire. Kështu shpresojnë. Por, kurrgjë s’do t’u shkojë për mbroth. Ke për të parë!
Më 1975, duke lexuar vargjet e librit të tij të parë “FLUTUROJNË E BIEN”, për herë të parë po më dukej se Jusufi kish zënë të bënte jetë të dyfishtë: këtej dhe andej pragut të përfytyrimit. Këtej gjithë ditën ishte me ne, shkruante artikuj për gazetë, këndonte “O kjo anë e lumit ka bilbila shumë”, grindej me meskinët, binte birrë e mahitej me miqtë në kafenenë përballë Radio-Prishtinës. Ndërkaq, andej përfytyrimit, në universin e artit, ai rrinte më i menduar, më i zverdhur, më i pagjumë, më misterioz. Atje shplekste plofecitë e të nesërmes së etnisë. Me vargjet për shtëpinë (“Shtëpia që rrëzohet”, “Shtëpia që ndërtoj”, “Shtëpia në kornizë”, “Shtëpia që meremetohet” e “Shtëpia në rrugë”), ai krijoi me lehtësi të habitshme simbolin e vendlindjes – atdheut, që bashkë me simbolin e jetëdhënëses – etnisë në vjershat për nënën dhe atë për të lashtën – urtinë në vargjet për gjyshin, ndërtoi metaforën harlistare të lirisë, nga e cila do të mëkoheshin të gjitha vjershat, interpretimet dhe figurat e vizatimeve të tij.
Në këtë kohë ky, sikur ta kish hetuar mungesën e gjysmës së vet dhe sidomos ikjen e shpejtë të gjysmës që ende kish mbetur me ne, më njoftoi me shkrimtarin kryengritës Teki Dërvishin. Ndodhi kjo një mbrëmje tetori. Ndonëse binte shi si me shtëmbë, Jusufi më tërhoqi pothuaj zvarrë dhe pa më pyetur fare, më çoi në kafenenë ballë Radio-Prishtinës. Po më thoshte: “Do të të takoj me njeriun, që ndonëse s’e ke parë kurrë, e ke pasur mik sa mua, ndoshta më shumë”. Dhe aty priste Tekiu. Ia kisha lexuar shumicën e veprave, e dija se kish dergjur burgun në Goli-Otok qysh në stinët e djalërisë dhe sidomos se e mbante si flamur të përjetshëm rebelimin kundër shkelësit. Atë natë më dukeshin si dy princër rojtës të shpirtit të etnisë dhe vetja si një fëmijë që po mëson atin e të qenit njeri. Dhe jo veç pse isha më i vogël në moshë.
Mbrëmjet e verës së mbramë të Jusufit në atdhe i kaluam pothuaj bashkë. Në këtë kohë, diku në gjysmë të verës, mbrujtësit e idesë së shprishjes përmes kozmopolitizmit, sollën në Kosovë një grup serb të rokut. Të gjithës i prinë me një reklamë të paparë, sikur këtu të pritej zbritja nga qielli e vetë shpëtimtarëve. Vajzat e kolaboracionistëve, të stërvitura për orgji e ekstazë, vrapuan t’u hidheshin në përqafim rokistëve serbë, sikur në ato tymra e zdral leshrash të gjenin fatin e atdheut.
E shkrova një reportazh satirik për këtë histeri vajzash, po ku ta botoja?
“Në “Rilindje”. Ku tjetër?” – po më thoshte Jusufi. Por qysh? Jusufi e redaktonte faqen e programit të RTV-së. Këtu do ta lëshonte të dielën, kur gazeta censurohej më pak.
Kurrë s’mund ta harroj alarmin e së hënës, kur doli satira. Thërrisnin si të çmendur dinjitarë të partisë e të shtetit. Nga qendra, madje dhe nga vetë kryeqyteti perandorak – Beogradi. Sikur të kish ndodhur komplot. Jo, po më shumë – një grusht shteti i vërtetë.
Ishim në mbledhjen e rubrikës së kulturës, kur hyri kryeredaktori dhe menjëherë nisi të sokëllinte si i xhindosur. Jusufi po më shtrëngonte krahun që të mos flisja. Kur e kreu ai dhe priste përgjigjjen tonë, Jusufi, me një të qeshur trillane prej çapkëni, ia priti: “S’e kam ditur, shoku kryeredaktor, se jeni aq nostalgjik për leshrat dhe tymrat e rokistëve serbë. Se, po ta kisha ditur, për respekt ndaj jush, satira kurrë s’do ta kish parë dritën”.
“Ç’po flet, more?” – u hutua kryeredaktori. –“Unë paskam nostalgji për rokistët! Sidomos për zdralin e tymin?! Veç vihuni njëherë në vendin tim dhe durojeni gjithë atë gurgule që është ngritur. Sikur të kish rënë tërmet!”
Ishte më shumë se përmbysje, po më thoshte Jusufi ku mbetëm vetëm. U rrëzuam shpresën e fundit dhe i bëmë të hiqnin maskat. Ndryshe, kush do të bënte zhurmë për një grup rokistësh gati anonim.
Në vjeshtë, ende pa nisur shirat, Jusufi iku dhe s’u kthye më. Pushtuesi i kish vënë shenjën e vdekjes trembëdhjetë vjet më parë. Ai e kish parathënë këtë qartë në vargjet e vjershën “Fletë testamenti: “Në zgjimin tim më të heshutur të më ngurosin/ në flijimin tim më të begatshëm të verës/ në nisjen time në fillimin tim të ri/ ...vërmëni atje ku do të tregojë gri për udhën/ deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë...” Ndoshta shumë më herët. Dhe pastaj, kur kish kaluar i tëri në gjithjetësi, kur na shikonte me dhimbshuri në motet e zisë, Tekiu më mbeti pothuaj e vetmja mbështetje.
___________







2

PSE MA PREVE MOLLËN E KUQE



Etyde për një Bard e një Shegë

BARDI

Një ndajnatë më hamgjisën bukuritë e egra
E zbrita nga malet për të kërkuar Vendlindjen
Në bohemën barbare të këtij qyteti
E Mollën e Kuqe e kisha lënë vetëm
Në të qarën e shtëpisë prindërore
E në mallin e dallëndyshes 
Kur kthehej në atë strehëz miti
E në vajet e dasmave të çupave
Vjeshtave me rituale rrëmbimi
Dhe Shegën atje kisha braktisur
Tej portës së gjumtë të shtëpisë
Mbërthyer në rekuiemet e Orfeut

Udhëve i humba fanitjet dashurore
Dhe lashë murga fluturat, gruan e Mollën 

Më çmendi kjo harresë dhe Shega 
Që më zgjoj me vegime të trillta
E më ngjalli të vjollctat agmi të legjendës
Kurrkund më s'e gjeta Vendlindjen 
Në mugën e përrallës moti kish sharruar
As çupëri e Shegës s'm'u fanit kurrkund 
Fustanin prej ëndrre, yllimën e blertë
Në orgjitë hamëtore barbari çjerrë ia kish
Dëgjoja veç të qarën e Mollës së Kuqe
Në legjendën e të vetmuarës Shqipëri

Dhe më mbeti veç kjo prushimë kangjeleje
Që Shegës e Mollës prapë t'u ndizja zemrat 

SHEGA

Më ëmbëlhidhura grua e pemë
Me të kuqen e agimeve buzët e emrin ngjyer
Më e hamgjisura pemë e grua
Që më prure vegimin atë të hënë të bardheme
Kur Nëna e Mbrothit ngjalli Adonisin
E vjollca e vendlindjes qiellin zbriti në petale
Ishe farë e fjetur e bimës dhe gruas
Dhe unë sakaq në zemrën e dehur të mbolla
Që në verë qiellin të ta prekte korora
E në acar rrënja të të mos mërdhinte

U çmendëm pastaj tre muaj, tre mijë vjet
Në tundime e mynxyra bashkë
Dhe tash po hyjmë në vjeshtën e rrëmbimit të Persefonës 
A do t'i shkosh prapë Zotit të Mugës
A do të rrijsh me këtë Bard nostalgjik të vendlinjes
Që vetë i dhe këtë çmendje të pijë

Apo duhet të ndodh Lufta e Dytë e Trojës
Që nga ti sërish të krijoj gruan



I
ME ATË PUTHJE NISI HISTORIA E ZJARRIT


vajzat e vendlindjes

Majë botës thërrasin jetën të pafajshme si lulet
Secila nga një diell në vete ka
Me flokët e artë lidhin pranverat në prozhmë
Me sytë e blertë shprishin të dashurimtat mugje 

Për njërën nga ato fushëtirave do t'ua rrëmbeja verën
Njërës nga ato do t'i korrja vajzërinë nën dehje xixëllonjash
Për njërën nga ato do të vidhja mëkatin në Kopshtin e Edenit
Njërës nga ato lakuriq do t'i shkoja mespërmes ferrit
Në natën virgjërore
Dhe veç Shega do të lindte Zotin e Dashurisë
Që çdo të premte ta mbërthenin në kryq
Dhe çdo të diel të rilindej nga hiri i të lashtës fajni

Atëherë unë Ati i Tij
Sërish do të prisja të më pikte Mollë e Ndaluar
Në shtratin e së ëmës

serenadat për të magjishmen


e diel: SERENADA E PARË

Të dielën vjen e përgjumur si angjelika
Me flokë të ngjyer me purpur diellor
Dhe nga fjalët më shtrydh sipri dashurinë
Si prilli shiun mbi atë prush zambakësh

Atëherë kuptoj se jam Krishti yt
Që më ringjall çdo të diel me qumështin e gjirit
E unë gjysmë i çmendur pas të bie
Të ta gjurmoj natën mitike të vajzërisë
Larg në burimin e gjakut, në të kremten e përrallës
Ku bëje gjumë lakuriq me perëndeshat
Atëherë ta ndiej nga larg vallëzimin e bjeshkës
Atëherë s’di ç’të bëj me gjithë atë gufim shpirti
Atëherë prehrin tënd shpall Tempull të Shenjtë

e hënë: SERENADA E DYTË

Të hënën t’i lyej qepallat me vjollcat e çupërisë
Flokëverdhën hënë ta zbres në ballë
E faqet t’i spërkas me ëndërr lulemolle
E ciklonin e dhembjes ta zdjerg në gjirin e ënjtur
Mauthes atëherë i bie sëmundja e xhelozisë
Dhe ngutet të t'i vjedh tingujt e emrit
Dhe ngutet të t’i zhvesh bukuritë e Hirushes
Po unë e shpoj tejpërtej me heshtë
Po unë i përzë të gjitha lulet nga vjershat
Dhe zogun e artë dhe të Bukurën e Dheut
Ujvarat e kaltra dhe vetë Tanushën e Bardhë
Kurrkush më s’më duhet
Kur ty të kam ngujuar brenda

e martë: SERENADA E TRETË

Të martën këmishën e virgjërisë tënde bëra flamur
Dhe përpara i dola Medaurit idhnak
Ulë heshtat, zot i marrë i luftës
Ç’të duhen këto zjarre, këto gjëmë rrufesh
E trillshmja tashmë m’i pushtoi
Vjershat, mua dhe tërë mbretërinë e shpirtit
E trillshmja më mbylli në ëndrrën e vet
Dhe kurrë më portat nuk do të m’i hapë
Ulë heshtat, zot i grindjeve
Kurrkujt më s’i duhen pushtime të reja

e mërkurë: SERENADA E KATËRT

A mund të kapërcesh të narcisshmen pasqyrë
E në prillin e Mollës sërish të kthehesh
Në pyllin e të lulimtës çupëri
Në mos mundsh po ta çoj Pegasin 
Me fre zambaku e patkonj yjesh
Në mos ardhsh Melpomenin do të kurorëzoj
Mbretëreshë absolute të kësaj kangjeleje Bardi

e enjte: SERENADA E PESTË

Në ardhshin krushqit të të çojnë gjetkë
Zogjtë do të vdesin duke kënduar pikëllimin
Era do të shkulë me rrënjë bohemat e vjeshtës
Kali i baladës do të hajë barin e varrit tim
E unë do të shndërrohem në gjon
E përnatë do të të hyj në nusërinë e brymtë

e premte: SERENADA E GJASHTË

Nata e dehur nga vallet
Rrotullohet rreth yllit tënd
E ti digjesh e hirshme si dashuria
Jemi pak këtej të lashtës fëmijëri
Flokët tu gështenjë prej ujëvarë hëne
Po lidhin nyjë natën e mëkatit të parë
Kuajt e dasmave ireale afrohen me trokthe
Me tallaze daullesh trembin furtunat
E serenada ime ka veç ty e Mollën

e shtunë: SERENADA E SHTATË

Kur po kërkoja zanafillën e çmendjes
Në të shkruarin mister të syve tu 
Papritur më dolën krahët e engjëllit kusar
Dhe drejt nga kupa e qiellit
Të rashë në të nxehtin pëqi
Dhe pastaj me vete të mora
Në të dalldisshmet bohema të zotave
Që nga ajo natë atje poshtë
Njerëzit po të kërkojnë
Në çdo dasmë e në çdo katund

vdekja në këngën e mjellmës
(Psalm për Shegën)

Tërë ditën, Shegë, iu luta Engjëllit Rojtës
Të ta dëbojë kukuvajkën nga kurora

Ag e terr, Shegë, iu luta Zotit të Dashurimeve
Të ta hedh sëmundjen në gërxhe, në ujë, në zjarr

Tërë ditën, Shegë, iu mëgjunja qiellit

E sonte do t'i falem vetë Hyut të Madh
Të m'i bëjë blatë krahët fajnorë të Erosit

Atëherë
Si hajn zemrash do të të përvidhem në shtrat 
Atëherë
N'e këndofsh ti Këngën e Mjellmës
Unë vdekjen do të ta marrë

helena çmendi trojën

E mban mend, Shegë me trille
Kur me zjarrin e puthjes
Harlise timen verë
E më shtrydhe sipri lulet e Vendlindjes
E shpirt i dhe dashurimit të mbramë
Me aromë të Mollës së Kuqe
Me erë gruaje, me të kaltër xixëllonje
Tevona tre mijë vjet larg
Helena çmendi Trojën

Atë ditë e sot ti ende ngurron të ma fshish 
Të qarën që më pikon në prehër
Qe tre mijë vjet e pak më shumë

Veç mbas pak do të gdhijë e enjtja
Këtë ditë lulja shënmitri flijon virgjërinë
E malli i kangjeles zbret mbi syrin tënd
Të t'i bëjë dritë nusërimit

Sa të gdhihet do të nisë Prendën të të sjellë
Me treqind shtojovalle pas
Mbi kuajt me patkonj yllime
E unë në fyellin e lashtë të Bardit
Do të të këndoj ty e Zotit të Vendlindjes 

E në mos ardhsh, ndoshta unë do të vdes
Atëherë veç ti e dashuria do të mbeteni gjallë
Ajo në këtë vjershë të trishtë
Ti në të vetmuarën lule shënmitri
Ndoshta atëherë mes të qarash me llohë
Mbi muranë do të më thërrasësh zemër
Atëherë mbase do t'i hedh dhe e dërrasa
Dhe Jezusit do t'i vjedh ringjalljen

flijimi

Për pak më flijove atë të enjte gushti 
Për pak më vrave si Adonisin Cibela trillane
Po a e di se kori i mjellmave atëherë
Copë e thërrime qiellin do ta bënte
Po a e di se dhimbjen s'do të ta zinte asnjë bjeshkë
Po a e di se kurrë më s'do të shkruhej kjo vjershë 

kangjelja me dy të hirshmet

Hijen mund të ta çojnë nuse gjetkë
Veç ti do të nusërosh gjithmonë në këtë vjershë
E kur të më vijë Morti do t'i përgjërohem
Kangjele, moj vjershë me shi
Shegën po ta lë dhe dashurinë bonjake
Do të qajnë ndoshta të zëna dorë për dore
Atëherë ti bjerë në gjunjë dhe lotin ua fshijë
Mos lërë brenda hidhërime, vjershë
Se mund t'i prishet Shegës nusërimi i bardhë
Se mund t'i turbullohet afshi vegullor
Se mund t'i ngjiret zëri, balli t'i errësohet
Moj kangjele me të hirshmet brenda

hënë e vjershave të bajronit

Ai që të solli atë të hënë tek unë
Të veshur me vjollcat e Vendlindjes
Të mbushur me hënën e vjershave të Bajronit
Të ngrirë në të shtojzovalltin nusërim
S'ka se si të të mos ruajë për mua

Veç nganjëherë më mbushin trillet
Dhe e xhelozoj edhe vetë Krijuesin
Që të pa e s'u nginj me bukurimën tënde
Përpara se të të pija unë në këtë kupë çmendjeje 

një mijë kalorës prej lulesh

Kur t'i putha sytë për së pari
Qepallat qanë nga malli
Zjarri malit i ra vrullimë
Lotnusja dogji virgjërinë
Kur të zdorgja puthjen
Në atë blernajë sysh

Lodërtare puthja ime
Herë përvidhet të të pushtojë faqen
Herë te sytë prapa kthen paqen
Dhe sërish fle e rritet

A do të hedh kësaj vjeshte shtat
A do të nisë të epshmen fushatë
Me një mijë kalorës prej lulesh

molla

Atë pasditë të brishtë
Gushti të poqi Mollën
Molla në prehër të ra
Dhe ti ma bëre blatë


S'kish sherrin e Afërditës
Veç të Evës hamgjisje kish
Mbante të ngrotën e gjirit
Dhe erën e pëqirit tënd

Mbyllmë në këtë arkivol Molle 
Shegë
Mos lërë vjeshtën të më zërë jashtë

kataklizmi

Kur të ketë rënë kataklizmi
E botën ta ketë kthyer përmbys
Veç mua e ty s'do të na lërë të vdesim
Çmendja e të dashurimtës verë 

E duke qenë të vetmit të çmendur të gjallë
Sërish marrëzisë do t'i ngjizim zanafillën

Atëherë ti botës do t'ia qëndisësh lulet
E unë qiellin do t'ia vizatoj
Me sytë tu në të blertën e mëkatit
Tevona te fëmijët që do të lindim
Do të shumëzojmë fanitjen tonë prej engjëjsh kusarë
Dhe ata do të ruajnë në kuti antikuaresh
Copëra të këtij dashurimi të lashtë


të kremtat e çmendjes

Ti u shndërrove në zë dhe përmes telefonit
Në studio më hyre
Me lulet, hijet dhe shtëpinë prindërore
Zëri t'u bë këngë dhe kënga Grua
Gruaja atëherë më dorëzoj
Ftesën solemne për të kremtat e çmendjes
Sot e në një mijë vjetët e ardhshëm

fundvjeshtat e perëndive

Prillat bien në gracka trillane bilbilash
E brezat në kurthe të të lashtës fajni 
Dhe bashkë ecin tutje tëhu
Duke i marrë mëkatit të parë
Rrudhat, psherëtimat, plakjen
Dashuria atëherë tund krahët e lahurimtë
Dhe në prita të reja vihet

Pse të ikim me baltorët, Shegë
Kur Zoti i Vendlindjes vetë hodhi firmë 
Të mbajmë gjithmonë këtë uniformë vegullore
E të çelim prillave si lulekumbullat për shembull
E fudvjeshtave si perënditë 
Të biem në shtratin martesor deri në pranverën tjetër

privilegji

Nga të gjitha lulet e shtojzovallet, Shegë
Ty Zoti të dha privilegjin e Hirushes
Të hysh në këtë vjershë me të pafajshmen virgjëri
Në këtë varg të zdirgjesh dhe të mos plakesh kurrë
Shirat të të rrisin, prillat dehjen të të mbrujnë 
E unë t'ia vjedh Orfeut krejt këngët për ty
Dhe lyrën e artë dhe nostalgjinë për Euridikën
E unë mos të të lë t'i shkosh Burrit të Mugës, zemër
Se bota s'do të kish atëherë 
As shpleksje vallesh, as diell në kangjele
Se atëherë në këtë vjershë
Nëntë vjet shirat do të qëmtonin
E nëntëdhjetë e nëntë vjet do të shkruaja
Të zymtin rekuiem për ty

ritual 

Ndajmë trupin nostalgjik të ditës
Me nga tri telefonata
E me nga gjashtë vjet pritje në mes

Në fillim të të shtatit
Zëri yt u çelë kangjelen
Shpirtit të fjalëve
Në mirëmëngjeset e shebojta
Në mirëditat purpurore
Në mirëmbrëmat e gjumta

E kur dyshoj për prita baltorësh
Çukapiku u ha ndezullinë fjalëve
Telefoni kullon të lakuriqtën kujë
E unë marr botën në sy 
Mbi të egrin kalë të xhelozisë 

Kur do të të ngujojë Zoti, Shegë
Në gjithkahnajën time
Në ç'orë do të t'i mbyllë portat pas

shtatë mëkatet e zotave

Zojsi me gratë e tij
Ngjizën shtatë tingujt e dashurisë 
Me shtatë ditët e javës
Dhe krijuan të yllnajtën fajni 
E çmendjen time e mua e Shegën
E na hodhën në të dy skajet e botës
E na vunë në provë me çirrjet prej zotash 
Gjejini gjysmat tuaja

U gjetëm mbas mijëra vjetësh
Dhe unë fët e fët piva
Shtatë kupat e ditëve
Me shtatë mëkatet e yllimshme
Dhe asaj i çeli luledielli në buzë
Dhe asaj i rëndoi qepallën e qara e mëkatit

Si mund ta hidhja në baltë, zemër
Dhuratën e shpikësve të dashurisë
Që ngjalli marrëzinë biblike të Adamit

Tash kam frikë se do të të vjedhin zotat
Në vend të lakuriqësisë pagane
Se vetë do të të pijnë në kupë
E sërish nga e para do të shumëzohen
Në të burbujtat orgji

zanafilla e zjarrit

S'është e mundur që në këta pak muaj
Zemrat tona të shtrijnë mbretërinë prej prushi
Nga Vendlindja në tjetrin diell të botës

Ajo do të ketë qenë më e lashta rrufe
Me të do të ketë filluar historia e zjarrit

Më pas nga kjo prushimë, Shegë
Do të kemi farkëtuar puthjen e parë

E kur të ketë rënë zia e Tizbës për Piramin
Ne mund të jemi murosur në dhembjen e saj

Pastaj do të jemi shpërngulë në baladën shqiptare
Ku Çika i shkon nuse varrit të bandillit

E para vdekje e lumtur do të na ketë zënë, shpirt
Në atdheun prej lulesh të Mollës së Kuqe

Këtu me piramidë zemrash do të kemi shënuar
Kufirin e legjendës për Shqipërinë

Atëherë e tash më nuk jemi zgjuar
Deri këtë verë me shtatzënësi engjëjsh 

Ti mbase ende s'beson, zemër
Për bredhëritjen tonë mijëra vjet të gjatë
Deri te ky rikarnim i të hamgjisurës puthje

sfurku i hidhërimit

Po të vdisje ti, Shegë
Vjershën do të bëja kukuvajkë
E ajo do të shpërngulte vajet
Brigjeve të Drinit të Zi

Po të të merrte ty Morti, shpirt
Me sfurkun e hidhërimit
Mes botës do të nxirrja
Bjeshkën e Kujës së Madhe

Po ti
Mbas sa orësh, mbas sa ditësh
Do të pije të harrimtën kupë

shegë e trillit

S'mund të rri pa të parë në fije të barit
E në shkundullimë marsi me zogj e me sqotë
Grua e Zjarrit

S'mund ta grish zogun për gjumin tënd të prillit
Pa më pasë kthyer shpirtin me qumështin e gjirit
Shegë e Trillit

S'mund ta dua shiun as bukurezën e verës
Pa u dhënë ti vesën e të blertën e syrit
Hirushe e Përrallës

S'mund të rri pa të zënë në fillin e romancës
E pa të vjelë zërin prej dritë trëndafili
Perëndeshë e Hënës

S'mund ta zgjoj kangjelen as gjethin e lisit
Pa më pasë dhënë vallen për savan të varrit
Shtojzovalle e Mrizit

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...