2011-05-04

VËLLIM I PASURISË SONË INTELEKTUALE DHE SHKENCORE




Shkruan: Begzad BALIU, Prishtinë

Malësia, Revistë për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore, nr. 5 /2010, Podgoricë, 2010, formati 24X20, ISSN 1800-5764=”Malësia”(Podgoricë), f. 229.


Nuk janë të rralla rastet kur në hapësirën shqiptare janë paraqitur revista shkencore, letrare e kulturore, me shumë zhurmë për redaksitë e pasura me intelektualet të përmasave shkencore, për standardet e larta profesionale të punimeve dhe të shtypjes ekskluzive të tyre, mirëpo ja, nuk ka shkuar shumë kohë dhe përmasa e paraqitjes së tyre profesionale dhe teknike ka ardhur duke u zbehur. Revista shkencore, të cilën po e paraqesim, përshkohet nga një frymë tjetër. Ajo tashmë vazhdon të ngrihet profesionalisht, teknikisht dhe madje në shkallë vëllimi. Ky vëllim dallohet për numrin e madh të studimeve shkencore, për përmasën hapësinore të pranisë së studiuesve brenda saj, për konceptet teorike dhe shumëdimensionale që përshkojnë tekstet e tyre, për përmasën historike të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të hapësirës shqiptare që përshkojnë etj.
Vëllimi është ndarë në disa kapituj: I. kulturë, II. histori, III. poezi, IV. recensione për botime aktuale, V. përurime të përvjetorëve të lindjes së krijuesve shqiptarë, si dhe VI. Vështrime dhe urime për revistën “Malësia”.
Në pjesën e parë janë botuar shumë studime që kanë të bëjnë me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare,ë për një periudhë shumë të gjerë të traditës shqiptare. Nuk është e rastit pse këtë seri tekstesh e hap Profesori nga Universiteti i Shkupit Zeqirja Neziri, me një studim shumëdimensional kulturor për Mesharin e Gjon Buzukut, e vazhdon Profesori tashmë emblematik i studimeve albanologjike Gjovalin Shkurtaj me një trajtesë mbi treguesit e etnografisë së të folurit në emrat e farefisnisë në gjuhën shqipe, për të vazhduar me një studim të çmuar për strategjitë pozitive në studimin krahasues të letërsisë shqipe nga albanologia e Universitetit të Sofjes, profesoresha Rusana Hristova – Bajleri. Vlerë më vete për një përmasë të gjerë të lexuesve të revistës “Malësia”, sikur thuhet –vështrimi i përgjithshëm- parqet studimi i Prof. dr. Françesko Altimarit “Mbi arbëreshët e Italisë”. Trajtesa mjaft sintetizuese hapet me një vështrim mbi pamjen historiko-kulturore të pranisë së arbëreshëve në Itali, për të vazhduar me temën e madhe të lindjes dhe zhvillimit të letërsisë arbëreshe dhe për tu ndalur në mënyrë të veçantë mbi gjendjen aktuale të bashkësive arbëreshe, në të cilën janë sjellë të dhëna me shumë interes mbi gjendjen e institucioneve politike, ekzekutive, arsimore, kulturore, gjuhësore, e madje individuale e shkencore arbëreshe, disa prej të cilëve tashmë përfaqësojnë jo vetëm individualitete kulturore, shkencore e politike arbëreshe e shqiptare, po edhe europiane e ndërkombëtare.       
Të para në dy tërësi të mëdha: gjuhë dhe letërsi, në këtë vëllim zënë vend studimet me interes për gjuhën nga prof. dr. Asllan Hamiti (Shkup), i cili sjell sintezën për ndihmesën e studiuesve të Maqedonisë në fushë të dialektologjisë shqiptare; sintezën e prof. dr. Fiorella De Rosa (Kalabri) për gjuhësinë tekstuale dhe teknologjitë informative në leksikun arbëresh të këngëve të Serafina Thopisë të Jeronim De Radës; studimin krahasues të dr. Artur Sules (Tiranë), mbi disa probleme të përkthimit në gjuhën shqipe; studimin mjaft shterues në fushë të metodologjisë së mësimdhënies të dr. Elida Tabakut (Tiranë), për rolin e mësuesit si udhëheqës dhe model për një gjuhë të pastër amtare; studimin tipologjizues të  leksikut të Çamërisë nga ma. Edlira Troplini (Durrës); sprovën e studiueseve dr. Irena Ndocit (Lama)-ma. Mirela Papa (Tiranë) për identifikimin e fjalëve të huaja në antologjinë e poezisë italiane në shek. XX; si dhe kumtesën mjaft reflektuese dhe problemore  të ma. Adriatik Derjajt (Tiranë) për mbi disa dukuri dhe probleme të huazimeve turke në shqipen. Prej kumtesave dhe studiuesve të angazhuar pa përjashtim në institucione universitare nuk është vështirë të shihet dhe të kuptohet përmasa kompozicionale e tyre në fushë të metodologjisë së hulumtimit shkencore, ndërsa prej temave të sjella këtu, në kontekst të pasqyrimit të tyre vetëm me titujt përkatës nuk është vështirë të shihet përmasa e kërkimit të tyre brenda zhvillimeve historike të shqipes (dialektologji, histori e leksikut të çamërishtes dhe arbërishtes), në kontekst të gjuhësisë krahasuese (shqipes e anglishtes) dhe gjuhëve në kontakt (shqipes e italishtes, shqipes e turqishtes dhe shqipes e anglishtes) etj.
Në radhën e studimeve në fushë të letërsisë, qoftë për përmasën teorike të qasjes, qoftë për përmasën shkencore të kërkimit hyn studimi i prof. Rexhep Murtez Shalës (Prishtinë), për perspektivën e Modelit Aktansial, mbështetur në romanin e shkrimtarit Zejnullah Rrahmani “Zanoret e humbura”; si dhe studimi reflektues i Dr. Anton Berishes (Prishtinë), për letërsinë e vjetër shqipe si model i komunikimit. Që të dy këto studime paraqesin qasje të reja studimi në letërsinë shqipe mbështetur në dijen bashkëkohore të teorisë së letërsisë dhe madje jo vetëm të saj. Në të vërtetë kërkimet në këtë fushë janë përpjekje të një brezi tashmë të pjekur për të nxjerrë vlerësimin historiko-letrar nga pikëpamja thjesht deskriptive.
Një kapitull më vete brenda këtij vëllimi të “Malësisë” zënë trajtesat në fushë të historisë. Në të vërtetë, studimi i prof. Zef Mirditës (Zagreb), mbi shpërnguljen e shqiptarëve ka karakteristika historiko-demografike dhe përfaqëson një tekst që për shumë kohë iu ka munguar studimeve shqiptare. Studimi i prof. Shpresa Hoxhes (Prishtinë) për kontributin e Uilljam Martin Likut mbi botën ilire-arbëreshe, më parë se sa thjeshtë për historinë ka rëndësi përgjithësisht për albanologjinë, por pavarësisht nga vendi ku është vendosur dhe pavarësisht qasja me të cilën është parë kontributi i tij, ky tekst thjesht deskriptiv dhe pa dijen elementare të arritjeve të dy dekadave të fundit në dijen e albanologjisë mbi Likun dhe veprën e tij, as me përmasën e kërkimit për kohën kur dija albanologjisë ishte më e varfër, as për përmasën sintetizuese të dijes së sotme albanologjike, nuk e nderon një revistë si kjo, që tashmë i ka tejkaluar botimet e studimeve me arritje modest në fushë të albanologjisë. Së fundi është botuar studimi i Don Nosh Gjolajt (Podgoricë) për kontributin e dominikanëve në hapësirën shqiptare, një kërkim dhe një studim brilant në letrat shqipe.

Ky vëllim i “Malësisë” do të kujtohet edhe për botimin e disa teksteve letrare e polemizuese të cilave ju prinë teksti brilant i Gjergj Fishtes, i shumëpërfolur në polemikën shqiptare “Gabove, Hilë! (Letër e hapur z. Hilë Mosit, Tiranë), pjesë të zgjeruara të të cilit janë botuar këtu, duke iu paraprirë kështu komenteve të studiuesit nga Universiteti i Kalabrisë Anton Nikë Berishes. Po në këtë strukturë tematikë do të mund të përfshihej edhe poezia e poetit turk të shekullit XVI Turk Ravzi, kushtuar Dukagjinit, e cila i pasvjen një studimi mjaft shterues historiko-letrar të Profesorit të Universitetit të Prishtinës, Abdullah Hamiti.

Një vend më vete në numrin e fundit të revistës “Malësia” zënë recensionet për botimet e fundit, apo aktuale sikur thuhet në kryetitullin e saj. Ato hapen me recensionin e Prof. Emil Lafes (Tiranë) për fjalorin enciklopedik shqiptar, rec. e Prof. Murat Gecajt për librin e gjuhëtarit prijës në studimet gjuhësore shqiptare Gjovalin Shkurtajt “Pesha e fjalës shqipe”, rec. i Pren Buzhalës për romanin “Passio” të Anton Gojçajt  dhe rec. e Anton Gojçajt për librin me poezi të Ndue Sinishtes “Kupa e thyer e heshtjes”. Recensionet e këtij vëllimi dallohen për temat dhe veprat e mëdha të dijes së sotme shqiptare sikur është ajo për “Fjalorin enciklopedik shqiptar” apo për studimet e veçuara të dijes së sotme shqipe të Profesor Shkurtjat, si dhe për trajtimin e përkushtuar të veprave letrare, sikur janë ato të Prend Buzhales dhe Anton Gojçajt.
Është një praktikë e kryehershme e revistave shkencore në hapësirën shqiptare që përvjetorët e shkencëtarëve shqiptarë t’i shënojnë me numra të veçantë jubilar për ta dhe veprën e tyre. Në numra të tillë është një praktikë që në shenjë të jubileut të lindjes së tyre të botohen sinteza, studime, vlerësime, recensione e kujtime për ta dhe për veprën e tyre, por në Mal të Zi, 75 vjetori i lindjes së Profesor Ruzhdi Ushakut ka kaluar pa atë përmasë me të cilën do të duhej të nderohej studiuesi, i cili ka bërë shumë për mbledhjen, studimin dhe trajtimin e trashëgimisë materiale e shpirtërore të shqiptarëve në Mal të Zi. Në të vërtetë, revista “Malësia”, e cila brenda redaksisë shkencore të saj e ka edhe emrin e Prof. Ushakut, ka botuar në disa numra kryesisht studime të Profesorit të nderuar, studime për veprën e tij, e në këtë numër edhe fjalën e Prof.  Simë Dobrecit në shenjë të 75-vjetorit të tij.
Ky numër i pestë i revistës “Malësia”, mbyllet me disa recensione për numrat e mëhershëm të saj. Fjala është për analizat dhe vlerësimet, të lakmuara nga shumë revista, disa prej të cilave më parë se sa në hapësirën e letrave e të korrespodencës së revistës “Malësia”  do të mund të gjenin vend edhe në rubrikën e recensioneve dhe madje studimeve, sikur është analiza e studiuesit Mentor Quku për botimet mbi Mjedën në revistën “Malësia”, apo vështrimi për katër numrat e saj të gjertashëm, i Profesor Gjovalin Shkurtajt “Hulli të mbara të revistës “Malësia”, si dhe prezantimi shumëdimensional i ma. Edlira Troplinit “Shkenca nuk njeh kufij” e ai i Prend Buzhalës “Malësia, revistë prestigjioze”. Vëllimi 5 i kësaj reviste mbyllet me një letër korrespodence të Profesor Emil Lafes me kryeredaktorin e saj Nukë Gashajt, një model komunikimi mes lexuesve, studiuesve e drejtuesve të kësaj kolane, që po merr vlera të rëndësishme shkencore.
Një paraqitje më e zgjeruar apo më e thelluar e kësaj reviste, do të donte më shumë hapësirë dhe sigurisht edhe një analizë për secilin artikull, mirëpo as ky format i prezantimit që e bëmë as një format më i gjerë i mundshëm i prezantimit të saj, nuk do të na bënte që t’i japim një dimension tjetër shkencor kësaj reviste, që tashmë, sikur e kam theksuar në hyrje të këtij teksti, ka formuar themele të rëndësishme të dijes sonë shkencore.




UNIONI I SHKRIMTARËVE DHE KRITIKËVE SHQIPTARË



Tel:044 111 430  / ProCredit Bank : 11160022720001-30


PRISHTINË me, 04 maj 2011
 


KOMUNIKATË PËR MEDIE

Me rastin e 30 vjetorit të manifestimëve të Pranverës së 1981, me 5 MAJ 2011 , në orën 13.00, në hapësirën e Panairit Ndërkombëtar Prishtina 2011, promovohët libri “Musa Hoti- shenime,përjetime,kujtime dokumente”, i autorit Reshat Sahitaj.
Në këtë libër monografik, përshkruhet akti i Musa Hotit i cili me 4 gusht 1981, në qendër të Brukselit në vetëmbrojtje kishte vrarë trupin diplomatik të Ambasadës Jugosllave. Shtypi i Beogradit aktin dhe Musa Hotin e etiketuan si terrorist dhe prishën marrëdhëniet diplomatike me Belgjikën, por Musa Hoti nga Gjyqi i Këshillit Europian u lirua i pafajshëm.
Pas 27 vjetëve, Musa Hoti u vra në mënyrën më enigmatike në qendër të Brukselit. Musa Hoti u varros me nderimet me te larta të Qeverisë së Kosovës dhe tani pushon në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Në këtë promovim e kanë konfirmuar ardhjën:
Jakup Krasniqi- Kryetari i Kuvendit
Memli Krasnqi- Ministri i Kulturës
Hamit Boriçi-kolosi i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare
Rexhep Qosja –kolosi i letërsisë shqiptare
Adem Demaçi- simboli i rezistencës sonë
Hydajet Hyseni
Ismet Beqiri
Rifat Jashari si dhe familja e Musa Hotit që kanë ardhur enkas nga Brukseli.


DASHURIA DHE NOSTALGJIA E FATOS LUBONJËS PËR JUGOSLLAVINË TITISTE...


BAROMETRI DIPLOMATIK

Prof.Dr.Mehdi HYSENI




DASHURIA DHE NOSTALGJIA E FATOS LUBONJËS PËR JUGOSLLAVINË TITISTE, NUK JANË SIMETRIKE ME SHQIPTARIZMIN DHE ME ANTIKOLONIALIZMIN E SHQIPTARËVE TË KOSOVËS!



*** Fatos Lubonja: “Shqiptarët e Kosovës për një farë periudhe kohe ndjeheshin më shumë jugosllavë sesa shqiptarë,” thotë Lubonja.”( http://www.albanianeconomy.com/news/2009/10/21/political-developments-spark-kosovo-identity-debate/).



*** I pari është Fatos Lubonja, që shpif shqiptarët e Kosovës si “më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”!? – Mirëpo, unë nuk kam pasur rastin të lexoj se, dikush nga Kosova e ka përgënjeshtruar një floskulë të tillë politko-propagandistike të Fatos Lubonjës, të adresuar në shpërfytyrimin e shqiptarizmës së shqiptarëve të Kosovës!!!



*** Sikur shqiptarët e Kosovës, të kishin qenë “më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, sigurisht se sot, nuk do të kishte pasur as Kosovë e as Shqipëri, por vetëm Serbi, Jugosllavi dhe Rusi!







-Motivin dhe shtytjen e një konstatimi të tillë negativ apolitik dhe antishqiptar, vetëm djajët jugosllavë titoistë, ose njerëzit e pacipë dhe pa identtit, ndoshta, mund ta kishin dijtur, askush tjetër. Mirëpo, habit fakti i heshtjes, askush nuk ia ka përplasur në fytyrë Fatos Lubonjës përgjigjen e vërtetë se, shqiptarët e Kosovës, nuk ishin “ më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, por ishin viktima dhe robër të tiranisë kolonialiste serbo-jugosllave(1945-1999). Kjo është e vërteta e dhimbshme dhe tragjike për shqiptarët e Kosovës, jo shpifja e turpshme e Fatos Lubonjës se kinëse “në një kohë të caktuar, shqiptarët e Kosovës kanë qenë më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”.



Këtë konstatim amoral, diletant dhe antishqiptar, nuk do kishte hangër as qeni i Titos, as i Rankoviqit, regjimi i egër komunist serbo-jugosllav i të cilëve, i pat shtypur me hekur dhe me strall shqiptarët e Kosovës, vetëm pse nuk pranuan e as nuk u bindën kurrë se “janë jugosllavë” apo “më shumë jugosllavë”, siç i ka shpifur simpatizuesi i tyre, Fatos Lubonja, dikur i burgosur politik, me gjasë, ashtu siç është përfolur në masmediat shqiptare, i gjykuar si “agjent sovjetik dhe jugosllav”, kurse sot, në sistemin kapitalist demokratik, analist politik i pavarur, por destruktiv, shtrembërues i keq dhe i njëanshëm skajshmërisht, kur është fjala për pohimin dhe ndriçimin e së vërtetës së shqiptarëve të kolonizuar nën Serbojugosllavi (1945-1999).



Vetëm njerëzit e pa identitet, mund t’iu qepin një të pavërtetë të tillë lubonijane shqiptarëve të Kosovës, askush tjetër.



Kësi farë konstatimi injorant, absurd, primitiv, vetëmohues dhe anticivilizues, nuk kam pasur rast ta dëgjoja e as të lexoja qoftë nga jugosllavët, qoftë nga serbomëdhenjtë e regjimeve serbo-jugosllave.

Pra, me gjithë averisonin, urrjetjen dhe armiqësinë më se gjysmë shekullore të serbojugosllavëve ndaj shqiptarëve, një akuzë të këtillë të rreme, perfide, shpifëse dhe antikombëtare, të trilluar dhe konstruktuar nga Fatos Lubonja, nuk mund ta gjesh të shkruar dhe të përfolur as në shkencën, as në publicistikën, as në propagandën, as në diplomacinë e as në politikën kakofonike dhe simfonike të shtetit dhe të kishës serbe(1844-2011).

Mirëpo, që në fillim, duhet thënë se kjo akuzë e tij e paskrupull antishqiptare, është një e pavërtetë e pajusitifkueshme ngaqë shqiptarët e Kosovës, jo vetëm gjatë sundimit komunist të Jugosllavisë së Titos, por edhe shumë më herët, që nga viti 1878 (Lidhja e Shqiptare e Prizrenit) dhe nga viti 1912, kur Serbia me gjenocid e pushtoi dhe e kolonizoi Kosovën dhe territoret e tjera indigjene të Shqipërisë, asnjëherë, nuk kanë dëshmuar serbizimin dhe jugusllavizimin e tyre. Përkundrazi, i kanë luftuar këto dy fenomene tragjike për shqiptarët e kolonizuar dhe për Shqipërinë Etnike, pikësëpari, duke ruajtur të paprekur identitetin e tyre kombëtar shqiptar (historinë, flamurin, pragun e shtëpisë, gjuhën, traditën, zakonet, kulturën etj.).





-Nuk ishim as jugosllavë, as “mbijugosllavë”, por vetëm shqiptarë me ndjenja të çiltra kombëtare dhe atdhetare shqiptare të Skënderbeut, të Vaso Pashë Shkodranit, të Abdyl Frashërit, të Ismail Qemalit, të Azem Bejtës, të Isa Boletinit, të heronjëve të Kosovës, Adem Demaçi dhe Adem Jashari...etj.



Sikur shqiptarët e Kosovës, të kishin qenë “më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, ashtu sikurse ka pohuar verbërazi, Fatos Lubonja, sigurisht se edhe burgjet dhe kazamatet serbo-jugosllave, do të kishin falimentuar ngaqë jetëgjatësia dhe funksionimi i tyre varej kryesisht nga të burgosurit politikë shqiptarë me në krye heroin e Kosovës, Adem Demaçi, i cili, jo më pak se 30 vjet vuajti nëpër qelitë e tyre, vetëm pse ishte shqiptar dhe, pse kërkonte liri, drejtësi, pavarësi dhe bashkim të shqiptarëve dhe të trojeve të tyre etnike me Shqipërinë.





Shqiptarët nën Jugosllavi, nuk ishin as jugosllavë, as serbë, as maqedonë, as malazezë, por shqiptarë, të cilët jo vetëm se nuk e donin, por e urrenin dhe e luftonin Jugosllavinë, për shkak të mohimit të lirive dhe të së drejtës së vetëvendosjes së tyre, të pabarazisë dhe të shfrytzimit të tyre mbi bazën kolonialiste dhe hegjemoniste, sepse kishin vetëdijen e larë njerëzore dhe kombëtare, se ata i përkisnin KOMBIT, TERRITORIT dhe shtetit të Shqipërisë së Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, jo Jugosllavisë e as konglomeratit jugosllav(serb, malazezë, maqedonë, apo diç tjetër).



Jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët e Iliridës, të Malësisë së Madhe dhe të Anamoravës (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), Shqipëria ishte parajsa e tyre! Shqipëria ishte Amerika e tyre e premtuar, jo Jugosllavia e as Rusia!!!



Kjo ishte fitorja e tyre më e madhe historike dhe kombëtare, sepse armiku serbo-jugosllav, kurrë nuk ia arriti, që t’i asimilojë as shqiptarët e Kosovës, as të Anamoravës, as të Iliridës e as të Malësisë së Madhe.



Ky realitet i pamohueshëm dhe, kjo atdhetashuri e devotshme e shqiptarëve të trevave të kolonizuara të Shqipërisë, është argumenti më i qëndrueshëm se ata nuk ishin “më shumë jugosllavë”, por ishin heronj dhe patriotë të vërtetë, që edhe nën regjimin e egër komunist të Jugosllavisë së Titos, luftuan pareshtur më se gjysmë shekulli, duke kërkuar që të shkëputeshin nga Jugosllavia dhe, t’i bashkoheshin Shqipërisë. Nëdr të tjera këtë e provojnë edhe demonstratat studentore dhe gjithëpopullore shqiptare në Kosovë, më 1968 dhe më 1981, kur ia trandën themelet e Jugosllavisë, duke kërkuar liri, pavarësi, shtet shqiptar dhe ribashkim me Nënën Shqipëri! Ky ishte heroizmi dhe ndjenja e lartë kombëtare, patriotike dhe atdhetare e shqiptarëve të Kosovës, të Iliridës, të Malit të Zi dhe të Anamoravës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë). Të gjithë lufotnin dhe, e duanin bashkërisht Nënën Shqipëri, jo “jugosllavizmin” dhe “mbijugosllavizmin” e shpifur dhe të atribuar të Fatos Lubonjës!!!

kosov

Këtë të vërtetë të pakundërshtueshme, e provojnë edhe tre luftrat e fundit të UÇK-së në Kosovë, të UÇK-së në Maqedoni dhe të UÇPBM-së në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë (1989-2003).



Mirëpo, fatkeqësisht të trija këto luftra për çlirimin, për shkolonizimin dhe për ribashkimin kombëtar dhe me Shqipërinë, nuk u kurorëzuan me sukses, sepse regjimet (PDK dhe PS) të shtetit të brishtë të Fatos Lubonjës, falimentuan në ndihmën e tyre, që sipas Kushtetutës në fuqi të vitit 1998 (lexo: preambulën dhe nenin 8), t’i merrnin nën mbrojtjen e orgnaizuar ushtarake shtetërore, pikërisht për shkak të faktit se regjimet e lubonjave ndjeheshin më shumë europianë sesa shqiptarë të Shqipërisë etnike. Fatkeqësisht, kjo është edhe arsyeja politike, pse Shqipëria demokratiko-socialiste (1990-1999) Kosovën e la në “mëshirën” e zjarrit dhe të flakës së gjenocidit të regjimit pushtues kolonialist dhe fashist të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

kosov2

Shqiptarët e Kosovës ishin dhe janë shqiptarë patriotë të vërtetë, që e kanë mbrojtur dhe, edhe sot, e mbrojnë jo vetëm Kosovën, por edhe mbarë Shqipërinë etnike!



Pra, “çika” Lubonja, nuk është e vërtetë se “shqiptarët e Kosovës ishin më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, ashtu siç ke gënjyer “për qiell, jo për tokë”, si thotë një fjalë popullore, por pikërisht pse shqiptarët e Kosovës ishin shqiptarë, jo jugosllavë, Serbia fashiste, gjenocidale dhe kolonialiste e Slobodan Milosheviqit, i dogji, i masakaroi, i dëboi mbi një milion shqiptarë nga Kosova në shtetet fqinje (Shqipëri, Maqedoni, Turqi) dhe në shtetet e Evropës, në Amerikë, në Australi etj., si dhe Kosovën shqiptare, e shndërroi në varreza masive, duke vrarë dhe ekzekutuar mbi 20.000 mijë shqiptarë, vetëm pse ishin shqiptarë(1989-1999). Ndryshe, po të kishin qenë “jugosllavë”, apo “më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, ashtu siç është shprehur paturpësisht, Fatos Lubonja, shqiptarët e Kosovës, pa dyshim se, do t’i kishin shpëtuar terrorit gjencid dhe agresionit pushtues të Serbisë militariste, policore dhe paramilitare (1989-1999).

Shumë thjesht, po të kishin qenë shqiptarët e Kosovës, “më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, sigurisht se sot, nuk do të kishte as Kosovë e as Shqipëri, por vetëm Serbi, Jugosllavi dhe Rusi! Këtë të vërtetë të pamohueshme, duhet të mbajnë parasysh fatos lubonjat e djeshëm dhe të sotshëm, që po dëshmohen si ideologë dhe mbështetës të tezave dhe të ideve serbo-jugosllave, duke i quajtur paturpësisht shqiptarët e Kosovës si “më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”.

Sikur shqiptarët e Kosovës të “ndjeheshin më shumë jugosllavë sesa shqiptarë” (ashtu siç është shprehur me paturpësi Fatos Lubonja, Jugosllavia e as Serbia nuk do t’i kishin pasur asnjë arsye, që t’i vrisnin, t’i burgosnin, t’i shpërngulnin me qindra, mijëra e milionë, t’i konvertonin me dhunë, të kryenin disa gjenocide ndaj tyre, duke shndërruar Kosovën në varreza masive, sikurse në dekadën e fundme të shekullit XX (1989-1999).

Gjithashtu, sikur shqiptarët e Kosovës “të ndjeheshim më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, logjika normale e thotë se shqiptarët e Kosovës, nuk do të kishin qenë të abuzuar, të shfrytëzuar, të shtypur, të terrorizuar dhe të diskriminuar nga regjimet e ndryshme serbo-jugosllavive, por do t’i kishin pasur të të gjitha privilegjet, liritë dhe të drejtat e barbarta me kombet e tjera të Jugosllavisë.

Sikur shqiptarët e Kosovës të kishin qenë “më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, mirëfilli Kosova do të kishte qenë një nga republikat më të zhvilluara dhe më të përparuara në Jugosllavi, e jo një krahinë më e pazhvilluar dhe më e prapambetur me status vasal politik, juridik dhe ekonomik nën Jugosllavi dhe nën Serbi(1945-1999).

Sikur shqiptarët e Kosovës, do të “ndjeheshin më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”, mirëfilli, deri tani (në saje të martesave të përziera dhe të privilegjeve të tjera politike, ekonomike dhe pushtetore etj.), do të ishin asimiluar, ashtu sikurse boshnjakët në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjithashtu, është nonsens logjik, politik dhe kombëtar, kur Fatos Lubonja shqiptarët e Kosovës i cilëson si “ minoritet në kombfomim”!?



Tezë kjo falsifikatore dhe e paqëndrueshme, që përputhet me tezën e “kombit kosovar” të Nexhmedin Spahiut dhe të mbështetësve të tij në Kosovë dhe në Shqipëri.Mirëpo, ky koncept është vetëm fall politiko-propagandistik me përmbajtje tregtare dhe komericaliste, që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën faktike, doktrinare shkencore, sepse asnjë popull në botë, nuk mund t’i ketë dy kombe, por vetëm një. Së këndejmi, as populli shqiptar në Ballkan nuk mund të ketë dy kombe, por vetëm një, atë që ka-kombin shqiptar. Ndërkaq, mund t’i ketë dy a më shumë shtete, siç është rasti me kombin koren etj.

Të gjithë shqiptarët sikurse Fatos Lubonja, duhet të jenë të vetëdijshëm se, kurrë nuk do t’ia arrijnë qëllimit të tyre, që ta baltojnë dhe ta shpërfytyrojnë identitetin kombëtar të shqiptarëve as në Kosovë e as në trevat e tjera të Shqipërisë Etnike.

Së fundi, të gjithë lubonjat, nuk duhet të harrojnë faktin se, qe më se 100 vjet, shqiptarët e Kosovës janë ata që ia kanë mbrojtur shpinën Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Serbia dhe nga Jugosllavia! Kjo është e vërteta, jo konstatimi i rremë politko-propagandistik i Fatos Lubonjës, se kinëse “ shqiptarët e Kosovës ndjeheshin më shumë jugosllavë sesa shqiptarë”!!!???




Nga Reshat Kripa :Hipokriti kohës sonë (Fejton)






Një ditë prej ditësh m’u tek të shkoja të vizitoja varrezat e qytetit. Ide e çuditshme do të thoni ju. Me të vërtetë ashtu është, por ja që mua m’u tek ta bëja një gjë të tillë. Kështu mbërrita atje dhe fillova t’i vizitoj njërin pas tjetrit. Mbi pllakat e mermerit që mbulonin varroshet shikoja lloj-lloj përkushtime. Pothuajse në të gjitha flitej për meritat e të ndjerit që prehej aty dhe në fund emrat ose lidhjet familjare me ata që kishin bërë përkushtimin.
Duke kaluar kështu njërin pas tjetrit, më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor që ndodhej në krye të parcelës kryesore, në hyrje të varrezave. U afrova dhe u mundova të lexoj emrin e të gjorit që prehej aty. Për çudi, vura re se nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi, të një autori të panjohur, të gdhendur në pllakën e mermerit:

Këtu prehet hipokriti
Gojëmjaltë e truppërlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që kish nevojën!

Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty. Mendja më vajti tek “i paemri” i romanit të Petro Markos. Por jo, nuk mund të ishte ai. Ai personazh ishte vetëm fryt i fantazisë së shkrimtarit.
Nga kjo fantazmagori më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:
- Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?
Ktheva kryet dhe pas meje pash një plak që po i afrohej të njëqindave.
- Jo, or mik, - iu përgjigja, - nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër.
Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:
- Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që prehen këtu dhe që, kur ishin gjallë, kishin dy fytyra, njerën për eprorin dhe tjetrën për vartësit.
Plaku nuk foli më dhe unë nuk e ngacmova më tej. Po mendoja dhe po mendoja për ndonjë figurë të tillë që kisha njohur. Nuk vonoi shumë dhe para syve më doli figura e një bandilli të cilin e kisha takuar rastësisht.
Në të vërtetë ky bandill rridhte nga një familje me emër në krahinën e tij. Por fati e kishte degdisur nëpër disa hone dhe shkrepa, sa që ia kishte trazuar trutë fare. Fatmirësisht, kjo kohë kishte perënduar dhe kishin ardhur ditë më të mbara. Fati i kishte çelur edhe bandillit tonë dritën e gjelbër. E kishin emëruar përgjegjës të një institucioni që merrej me rehabilitimin e njerëzve të përvuajtur.
U copëtua dhe u ropëtua i ngrati që t’i ringjallte përsëri të mjerët të përvuajtur. I ranë këmbët sa në një dikaster në tjetrin, duke berë lutje e duva për ta. Por shumica e tyre e përcillnin ashtu siç kishte hyrë. Kjo gjë bëri që në ndërgjegjen e tij të rrënjosej një ndjenjë tjetër, ajo e inferioritetit, si pasojë e të cilit i lindi vesi i hipokritit, shumë i përhapur në kohët tona. Kështu që arriti puna deri aty sa, kur ndodhej para ndonjë eprori, për të kërkuar diçka, harronte përse kishte shkuar dhe në fytyrën e tij dallohej vetëm një buzëqeshje skllavi dhe një përulje alla Uriah Hip i Dikensit. Një buzëqeshje e tillë nuk i mungonte edhe kur dilte para ekraneve të televizioneve për të dhënë ndonjë intervistë ose për të shfaqur ndonjë mendim, që natyrisht nuk ishte i tij.
Ditët kalonin dhe oreksi i shtohej bandillit tonë. Tani nuk i mjaftonte vetëm institucioni shtetëror ku shërbente, por donte të gllabëronte edhe shoqatën e të përvuajturve. Mirë thonë që oreksi vjen duke ngrënë. Por, për t’ia arritur kësaj, duhej ndërruar edhe gjuha. Xhonglerit tonë një gjë e tillë nuk i mungonte. Ishte bërë mjeshtër për këtë marifetçillëk. Ai e dinte se pika e dobët e të përvuajturve ishte lëmosha që u jepte shteti dhe që shpesh herë zvarritej pa fund. Ndaj filloi të çirrej dhe të këlthiste me zë të lartë, që ta dëgjonin mirë të gjithë, se do të bënte këtë ose atë veprim deri sa t’ia arrinte qëllimit. Madje harroi se i përkiste një institucioni shtetëror që mund t’i priste edhe atë të shkretë rrogë që merrte.
Në një mbledhje të tillë u ndodha edhe unë me një mikun tim. Atje e njoha për herë të parë karafilin tonë. Midis llafeve të tij pa fund, në mbarim të tyre ai tha:
- Të dashur bashkëpërvuajtës! Ju premtoj se qëllimit tonë do t’ia arrijmë me çdo kusht. Ndaj mendoj se duhet të organizojmë një demostratë të jashtëzakonshme, që nuk e ka parë kurrë bota, për realizimin e kërkesave tona!
- More, a nuk të duket shumë i ekzaltuar ky heroi ynë? – i thashë mikut tim.
- Lere, lere, - u përgjigj ai, - nesër do t’ia dëgjojmë avazin.
Në të vërtetë në ato ditë, në vend, ishte hapur fushata për zgjedhjet parlamentare. Kandidatët për deputet bënin parreshtur takime me banorët e zonës për të votuar për ta. Një takim të tillë organizoi me shtresën e të përvuajturve edhe kandidati i preferuar prej tyre. Në krye ishte kllouni ynë. Por për çudi deklaratat e një dite më parë ishin harruar. Para syve nuk kishim më luanin e djeshëm, por kameleonin e sotëm, me atë buzëqeshjen hipokrite dhe përuljen alla Uriah Hipçe. Por kandidati pothuajse nuk e përfilli
- More, po kur i harroi ato që tha dje? – i thashë mikut tim.
- E ç’lodhe më kot me të! Të thashë se do t’ia dëgjojmë avazin, - u përgjigj ai.
Nuk kaloi shumë dhe heroi ynë fluturoi nga karrikja që mbante si përgjegjës i të përvuajturve. Qyqarit nuk i vlejtën më as lajkat dhe as buzëqeshjet hipokrite.
- Ky është fundi i hipokrizisë, - më tha miku.
Mirpo me këtë mendim nuk ishte dakord levendi ynë. Ai mblodhi majtas e djathtas kallëpe të llojeve të ndryshme, ca gjoja filozof, ca gjoja për te drejtat njerëzore dhe ca për bodigardë dhe arriti në majën e shoqatës së ëndërruar. Tani të tjerët i shikonte nga lart poshtë dhe në zërin e tij ndihej toni i autoritarit. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Njerëzia ishte zgjuar. Nuk kaloi shumë dhe ai fluturoi dhe prej andej dhe që atë ditë endet rrugëve të qytetit si një njeri të cilit i ka humbur emri.

Nga Përparim Hysi : Sikur...

Sikur unë s'kam qenë i ri,
Sikur linda unë i vjetër,
Vjen një zonjë ma bën me sy
Veç me sy...,por fët me vetull.


Fët me sy e fët me vetull
Më bën goxha isharet
Unë,moj zonjë,sado i vjetër
Për këto"punë",jam dreqi vet.


E,që thoni,mor zotërinj,
Ndo ju zonja më pastaj
Zonjën që ma bën me sy
Unë e zë dhe e "përrlaj?!"


E "përrlaj?!",po pak nga pak
E marrë butë dhe me ngadalë
Se aq lehtë nuk ndez dot"flakë"
Siç ndizja,kur qeshë djalë.


"Punën" unë e bëj të"paqme"
Se çdo punë do terezi
O moj zonjë që më kënaqe!
Pse s'vjen prapë t'ma bësh me sy?!...



4 maj 2011

SA KEQ MË VJEN


 
Vullnet Mato
 
SA KEQ MË VJEN
 
Sa keq më vjen
kur dëgjoj përballë,
blegërin njeriu
si dele e perëndisë,
bën beee!, beee!  
me zërin pallë, 
sa tund lagjen
pranë psikiatrisë.
 
Them me vete,
eh, mendja bën hata,
ndoshta është çmendur
prej dashurisë...
Por më të shkalluar
se ai, janë  ata,
të ulur në oborr
te tryezat e kafeterisë.
 
Një tufë me mjekë
dhe infermiere,
gëlojnë të shkujdesur,
shijojë kafe,
pa pyetur për dhimbje
dhe potere,
kur mjetet qetësues
flenë në rafte.
 
Më vjen të çmendem
edhe vet,
të dal përjashta
t’u bie me shkop
te filxhanët
e maskuar me fërnet,
pastaj bluzëbardhëve
në kokë...
 
Le të thonë më pas,
u çmend i shkreti,
se i gdhend dashurisë  
rimën e metrikën,
le të ndezin infermieret
shkarpa muhabeti:
“Gjynah, që s’erdhi
të bënte praktikën!”
 
Se mua më qan shpirti,
aq keq më vjen,
teksa i çmenduri
fillon të ndërroj avazin,
lë delen e hungëron
ham, ham, ham, si qen,
kafshon zemrën time
me marazin...

KOSOVA S’ KA NEVOJË PËR KOMB TË RI, POR PËR SHQIPTARË NJË SHTET TË RI


Fadil Maloku lindi më 6 prill 1958. Është profesor doktor  i Sociologjisë në Departamentin e shkencave shoqërore të Universitetit të Prishtinës. Më tepër se 22 vite është i angazhuar në sfera të ndryshme si ligjërues, hulumtues, dokumentarist dhe autor. Po ashtu ka arritur rezultate të lakmueshme në sferën e të drejtave të njeriut. Ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe debate ndërkombëtare të rëndësishme dhe ka botuar rreth 70 artikuj për dukuritë sociologjike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Është profesor  në Departamentin e Sociologjisë  ku ligjëron  pranë Fakultetit Filozofik -Universiteti i Prishtinës (lëndet mësmore universitare) Sociologji e Globalizimit , Metodat e Kërkimit Empirik, Krimi dhe Devijimi, Sjelljet Devijante dhe Kontrolli Social, Integrimi dhe Globalzimi.



Shkruan: Prof.dr.Fadil Maloku, sociolog


1. Kohëve të fundit ka marr përmasa kogja alarmuese debati rreth identitetit kombëtar dhe atij shtetërorë të Kosovës. Ajo që mund të hetohet është se ende nuk është bërë ndonjë analizë e thukët shkencore nga perspektiva apo nga këndvështrimi sociologjik, që e konsiderojë lëmin më kompetente lidhur me këtë problematikë sa të rëndësishme aq edhe të rrezikshme në kohën kur shoqëria Kosovare është duke u ballafaquar me katrahurën e definimit të sajë si shtet normal dhe demokratik i shek. XXI. Për këtë arsye do mundohem të shkoqisë pikat kyqe të këtij debati.
Para se të hyjmë në këtë problem, më duhet të sugjerojë se nuk e kam ndërmend të nisem nga paradigma e njohur popullore, se: nëse një budalla e hedhë një gur në bunar, njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin atë, por nga nevoja dhe domosdoshmëri e shpjegimit të dioptrisë shkencore sociologjike që asnjëherë nuk i është bërë atij gjerë tani në Kosovë. Me fjalë tjera etnicitetet, grupet etnike dhe identitetet etnike (si në nivele organizativ si sub-bashkësi ashtu edhe në nivele të identitetit kolektiv si sub-etni) kanë një aftësi çuditshme si të themi të mbijetimit dhe të transformimit edhe në kohërat e sodit. Shembull më të mirë për këtë proces se Amerikën sot për sot nuk kemi. Kur të shikojmë procesin e zhvillimit të shqiptarëve të Kosovës në këto njëqind (pra pas aneksimit që i bëhet nga ana e Serbisë në vitin 1912) e fundit, si identitet i ndarë ku rrebeshi i ndikimeve dhe ndërvarësisë ishte evident gjatë tërë kësaj periudhe, kuptojmë që ky proces i ndikimit (më shumë!) dhe i marrjes (më pak!) është në të vërtetë pak a shumë dashtë e pa dashtë ne tani një proces i një natyre me pretendime dalluese. Por jo edhe aq sa tani (nëse i adresohemi botëkuptimit të sotëm perëndimor mbi kombin) të fillojmë procesin e promovimit të kombeve të reja (!?), ashtu siç po trumbeton dikush për interesa të pa identifikuara akoma.
Në anën tjetër, meqë po i adresohemi dioptrisë shkencore sociologjike lidhur me këtë problematikë shtrohen disa pyetje kujtojë shumë të rëndësishme lidhur me këtë proces të dhënie marrjes shekullore, pastaj diskursin e ushtrimit të ndërvarësisë si edhe procesin e amalgimit kulturor? Përgjigja në të gjitha këto pyetje është një JO e madhe?!

Po ashtu, duhet vënë edhe një distingsion shkencor në mes asaj që shquhet si etni dhe asaj që shquhet si komb, në mënyrë që të mos krijojmë stereotipin e paqenë për njërin apo tjetrin koncept sot. Duke u nisur kështu nga këto paradispozitat elementare shkencore sociologjike ne më lehtë e kemi diagnostifikimin e identitetit dhe paradigmave rreth tij, që sot djallëzisht keq përdorën nga jokompetentët për qëllime personale, grupore e klanore. Është e ditur që njerëzit janë krijuar prej një burri dhe një gruaje dhe ndarjet në fise dhe popuj janë rezultat i parallogarive të ndasisë në njerëz të devotshëm dhe këqij.




Cka thotë Weberi?

2. Maks Weber, që konsistohet njëherë për një herë sociologu i parë që ka arritur të jap shpjegime tipike sociologjike lidhur me marrëdhëniet e bashkësive etnike, në veprën e tij të njohur Ekonomia dhe Shoqëria, diagnostifikon tri entitete kryesore (racën, etninë dhe kombin) që lozin rol të theksuar në procesin e ndërtimit të procesit të identitetit. Për Weberin, elementi kryesor që entitetin e racës e dallon nga ai i etnisë është se raca është në një farë mënyre si tërësi historike bazamentin e sajë e gjurmon kryesisht nga prejardhja apo etimologjia e vetë vetës kolektive, gjersa etnia këtë e bënë në bazë të perspektivës së vetë subjektive. Sa i përket kombit, Weber mendon që edhe kjo kategori sociologjike sikurse etnia është e bazuar kryesisht në të besuarit e jetës së përbashkët, por me një dallim elokuent që kombi si pasion të mvetësuar ka të ngulitur kërkesën për fuqi politike. Është e vërtetë që sot përpjekjet për tu pajtuar vetëm me një definicion për kombin është absurd i llojit të vetë! Aq më tepër që me definicione të teorisë marksiste e sidomos të asaj Staliniste të përkufizohen dhe të shpjegohen proceset aktuale moderniste lidhur me këtë kategori tejet dinamike dhe pak a shumë të postuar në plan të dytë në rrethanat e ndërtimit të një rendi të ri botëror, apo të një procesi që po identifikohet si proces i globalizimit.
Pra, tentimi që të mbrohet vetëm shpjegimi politik mbi kombin qoftë edhe ai sociologjik që sot njihet si më kompetenti, në një farë mënyre është e pamjaftueshëm në sorollatjen që disa intelektual Kosovar bëjnë përpjekje për të gjetur formula të reja lidhur me procesin e gjoja formimit të kombit të ri kosovar në kushtet dhe rrethanat e një procesi të kundërt që është duke ndodhur në këtë shekull në botë. Ai proces është procesi i globalizimit, që në këtë rast nuk është objekt i studimit tonë. Duke iu adresuar këtij procesi të ri që për synim objektiv ka margjinalizimin e identiteteve kombëtare (sidomos të atyre që kanë probleme dhe dilema rreth historikut të tyre) si identitete (të dëshmuara gjerë tani) më të zhdërvjellëta për të mbijetuar ndjenja e solidaritetit kolektiv, kujtojmë që ideja e formimit të identitetit kombëtar të Kosovës apo cilit do identitet te ri sot kombëtar tjetër është në kundërshtim të procesit të idesë së universalizmit. Por, jo idesë së universalizmit që ka pretendim të unifikojë të gjitha kombet dhe shtetet në një identitet dhe shtet të vetëm, ashtu siç mendojnë edhe disa teoricien të sotëm (Imanuel Wallerstein, psh), por të universalizmit të vlerave (kuptohet është fjala për ato perëndimore) për të gjitha kulturat dhe civilizimet e sotme në botë.

Cka thotë Enciklopedia Amerikane?

3. Në literaturën perëndimore (edhe më saktësisht atë amerikane në Enciklopedinë Amerikane të Grupeve Etnike) shprehja etni (We are all ethnic) ka pushuar së identifikuari statusit i të huajit dhe sot ai ka të bëjë me të gjitha grupet etnike që atje jetojnë, pa kurrfarë dallimi as të racës, as të gjinisë, as të përkatësisë fetare e aq më pak të asaj kombëtare. Në literaturën lindore, ky koncept paragjykohet dhe herë herë merr edhe konotime të një stereotipi djallëzor që bëhet pengesë serioze për procesin e integrimit rajonal dhe atij global.
Dobësia e shkencave të sotme shoqërore, duke përfshi këtu edhe sociologjinë qëndron në faktin se nuk ka ende ndonjë pajtim apo konsensus të përbashkët rreth kritereve për të definuar specifikat normuese dhe dalluese të identitetit etnik nga kategoritë tjera të identiteti kolektiv (atij fetar, politik, familjar, klasor,etj.)në mënyrë që të arrihet edhe definimi i kombit si identitet i ri. Në këtë drejtim edhe për një kohë të gjatë në shekullin tonë do të fuqizohet edhe më tej identiteti dhe përkatësia etnike e njerëzve, pa marr parasysh trendin e frymës së re globalizuese. Sepse, përse shtrohet pyetja bie fjala njerëzit më me ëndje japin përgjigje të këtij tipi: kur isha ateist (tash po ndjehem si besimtarë), kur isha fshatar(tash po ndjehem si qytetar), kur isha komunist( tash po ndjehem si humanist) apo kur isha nacionalist(tash po ndjehem si kozmopolit), kur isha punëtorë krahu(tash po ndjehem si zotëri),kur isha ministër(tash po ndjehem si i pafuqishëm) ,etj. se sa të tipit psh. derisa isha shqiptar (tash po ndjehem si kosovar), derisa isha serb (tash po ndjehem si kroat), derisa isha kroat (tash po ndjehem si boshnjak), derisa isha rom (tash po ndjehem si shqiptar), etj.?! Për arsye se identiteti etnik nuk është dicka që kavërdiset shpejt dhe lehtë, por është një proces qindravjeçar që vazhdon të mbijetojë akoma me paradigmën e së kaluarës të tanishmes dhe të ardhmes së përbashkët, për të cilën askund dhe asnjëherë nuk është pyetur askush.


Identiteti shtetëror Kosovar nuk prodhon identik të ri kombëtar

4. Shikuar me një dioptri të kësi sojit diskursin e dinamikës së përkatësisë etnike dhe asaj kombëtare, gjykojë që shqiptarët e Kosovës do të duhej të insistonin në ndërtimin e një shoqërie me identitet kombëtar qytetar, por nëse aludimi është që Kosova në këtë fazë të emancipimit të vetë duhet të ndërtojë veçantinë e sajë: politike,ekonomike, e shtetërore (por jo edhe etnike dhe kombëtare) , atëherë duhet të fuqizojë identitetin e sajë shtetërore, i cili si domosdoshmëri të vetën do të avancojë vetë vetiu edhe identitetin kombëtar.
Është marrëzi dhe naivitet jo vetëm shkencor por para së gjithash edhe intelektual e sidomos politik, të absolutizosh nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të kombit kosovar, kur të kihet parasysh që ky proces nuk është as dëshirë e as urdhëresë që bëhet për qejfe dhe inate të dikujt. !? Arsyet janë të shumta, por ne po përmendim njërin i cili për kushtet dhe rrethanat nëpër të cilin po kalojnë pothuajse të gjitha shoqëritë e sotme, është tejet i rëndësishëm e që është identifikuar si tendencë e unifikimit të vlerave, apo proces i globalizimit me primesh planetare.


A dallon etnia nga kombi?

5. Shikuar me dioptrinë sociologjike koncepti i kombit në Ballkan është ende një kategori shoqërore që identifikohet më së shumti me shtetin dhe kompetencat e tij. Të provosh të bësh një dallim në mes këtyre dy koncepteve apo kategorive sociologjike, nuk është edhe gjithaq lehtë edhe për shkak se ne mes këtyre dy kategorive në rrethanat e një si të themi vonese historike të realizimit të synimeve për identitet shtetëror (siç është rasti i Bosnjës, Maqedonisë, Kosovës, etj) nuk ekziston ndonjë vijë demarkacioni dalluese. Thënë më thjesht, një grup etnik që pak a shumë bëhet i vetëdijshëm për vetë vetën e vetë nuk është e thënë të përkufizohet si komb. Në anën tjetër, të shumtën e rasteve është e kuptueshme që prejardhja apo etimologjia e kombeve pason pas konstelacionit etnik apo etnisë.
Zakonisht sot në shkencën e sociologjisë bashkëkohore identifikohen disa elemente që e fuqizojnë diskursin e etnisë: emërimi i përbashkët i esencës së bashkësisë: miti mbi prejardhjen e rrënjës së përbashkët : kujtesa e përbashkët për të kaluarën e njohur dhe rinjohur përmes heronjve dhe ngjarjeve historike: shumësia e elementeve kulturore (duke përfshirë këtu:gjuhën, religjionin, traditën,etnopsikologjinë, etj.): lidhja emocionale dhe simbolike me rrënjën: dhe: ndjenja e solidaritetit (Dirkemian) organik.
Etnia apo etniciteti, me sa mund të kuptohet me gjuhën e argumenteve sociologjike mund të përkufizohet si grupim shoqërorë që ka të përbashkët ndjenjën e prejardhjes gjenetike, atë të mbamendjes historike, ndërlidhjes kulturore dhe sidomos ndjenjës së solidaritetit të përbashkët në rast të ndonjë kërcënimi shfarosës. Pra, etnia asocon apo është në koherencë me gjendjen parashtetërore apo parafirmuese sui generis, që kultivon disa karakteristika të përbashkëta siç janë ato: të gjuhës, kulturës, traditës, religjionit.
Është e ditur shkencërisht se identiteti kombëtar sikurse edhe ai politik i një kombi shpeshherë ngatërrohen me ndjenjën e patriotizmit, për cka edhe shpeshherë vihet në dilemë i tërë procesi i formimit të identitetit shtet-komb. Në esencë, patriotizmi dhe identiteti kombëtar dallohen mes veti aq sa ne dëshirojmë. Identiteti kombëtar, në një mënyrë është një pikëpamje vetanake e një kombi mbi vetë vetën, pra krijimit dhe kreativitetit të një botëkuptimi dhe imazhi të secilit prej nesh për vetë vetën tonë. Identiteti kombëtar, është e natyrshme që nuk është dicka i dhënën një herë e përgjithmonë në historikun e qenësimit të një kombi. Ai në të vërtetë është një zgjedhje, ku secili komb në historinë e vete ka apo disponon me njerëz, ngjarje, etj. që paraqesin një spektër të tërë të qëndrimeve politike, botëkuptimeve dhe bindjeve politike, momente të këndshme dhe të pakëndshme, duke filluar nga ato intelektuale, shoviniste, fashiste, ideologjike, nacionaliste ,e etj.
Po ashtu, secila periudhë kohore me tërë trashëgiminë e vetë të shumellojët, në një farë mënyrë zgjedhë njerëzit (aktorët historik) dhe ngjarjet mbi të cilët ndërtohet një identitet i caktuar (sot psh. tendencat që identiteti kombëtar të ndërlidhet dhe ndërtohet me kohën dhe emrin e Skenderbeut?!) janë sa e pakuptueshme aq edhe naive në ditët e sotme.


Cka na mëson historia kombëtare shqiptare?

6. Po qese i adresohemi historisë sonë më të re kombëtare shqiptare hetojmë që procesi i formimit të botëkuptimit mbi identitetin shqiptar është mbarësuar më së voni nga gjithë popujt e Ballkanit. Shkaku dihet, ai i adresohet historisë dhe rrethanave në të cilat u gjend ai në kohën e pushtimit otoman. Shikuar nga kjo perspektivë, kuptojmë edhe arsyet e kësaj vonese të (pa)arsyeshme dhe se interes i vetëm kombëtar i tanishëm i Kosovës është identiteti evropian të cilin ne duhet ta ndërtojmë me xhelozinë shumë më të madhe se gjerë tani. Për ta ilustruar rëndësinë e rolit të identitetit të ri qytetar (evropian) Kosovar të shërbehemi me një studim të botuar së voni në The New York Times, mbi jetën intime (inner life) amerikane. Anketues, ishin amerikan të përkatësive të ndryshme etnike e racore por me nënshtetësi amerikane, të cilëve u janë parashtruar shumë pyetje lidhur me jetën e tyre private për: spiritualitetin, identitetin, seksualitetin, etj. Mes tjerash ata janë pyetur: A pajtoheni me qëndrimin.... Fakti që jam amerikan (being an American) dëshmon më së miri se kush jam. Nga të gjithë të anketuarit, 91% prej tyre janë deklaruar se akordohen me konstatimin e lartshënuar, që dëshmon një fakt që qytetari i sotëm amerikan e çmon lartë identitetin e tij të qenit pjesëtarë i kombit amerikan... Mendojë që edhe qytetari i Kosovës mund të ketë ndonjë dilemë të kësaj natyre, nesër për identitetin (evropian) Kosovar?! Për këtë shkak gjykojë që Kosova s ka nevojë për komb të ri, por gjithë shqiptarët kanë nevojë për një shtet të ri...


(Autori është Sociolog i Globalizmit dhe anëtarë i shoqatës së sociologëve botërorë :www.sociologistswithoutborders. com)


Fadil MALOKU, Ph.D.

Department of Social Sciences/Sociology/ University of Pristine,
Republic of Kosova, Western Balkan
Address: Payton Place 14 , Pristine,

website:

www.fadilmaloku.zor.org

Email:

fadil.maloku@gmail.com

fadil.maloku1@gmail.com

fadilmaloku@yahoo.com

fadilmaloku@hotmail.com

fadil.maloku@cec-ko.org

Phone:+381 (38) 223-577
Mobile:+377 (44) 143-993
+377 (49) 143-993

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...