Albina Idrizi u lind në fshatin Tërnoc të Bujanocit më 1966. Kreu Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës-në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe.
Në vitin 1997 botoi përmbledhjen me poezi për të rritur "HESHTJA E MBARSUR" në botim të Rilindjes për të cilën recensent Agim Vinca thotë:’ Është një zë i veçantë, i pjekur që në start.’
Më pas, në nëntor të vitit 2007 boton përmbledhjen me poezi për fëmijë "ËNDËRRA ME YLBERË" .
Në mars të vitit 2009 paraqitet me poezitë e saja si bashkëautore e anttologjisë poetikie në gjuhën rumune"TEMPULLI I FJALËS"(TEMPLUL CUVÄNTULUI).
Romansierja Albina Idrizi në vitin 2009 para lexuesve doli me romanin e shumëpritur "HIJET E KULLAVE"(SHB "Rozafa" Prishtinë,2009)
Jeton dhe punon në NT "Fauna " në Gjilan.
Për lexuesin e Floripress-it po sjellim disa vjersha nga Albina Idrizi...
JETA
Athua kush mund ta lexojë deri në fund
Pa u verbuar
Kush mbeti pa e thither nektarin – farmak
Apo farmakun- nectar
E nëse në faqen e parë u gjenda
Do të thotë se unë kam dale
E nëse në faqen e dytë më gjete
Do të thotë se unë fillova
E nëse në faqen e tretë po çlodhem
Do të thotë se unë mbarova
Kjo na qenka jeta
Miku im
Që kënga ia ndërron fytyrën
E të gjithë ecim nëpër lëkurë të njëri – tjetrit.
MË DUHET
Më duhet të të gjej
Njeri,
që të mund ta dëgjosh
zërin tim, e
ta shohësh pjellën
e frymëzimeve të mia.
S’do të lodhem
duke të kërkuar
në ikje, në ardhje.
Nën këmbë a
mbi kokë, kudoqoftë.
Jam përplot e mbushur.
Heshtje e mbarsur me vite
sa, gati kam harruar si këndohet.
Madje
edhe zërit tim ia kam frikën.
Më duhet të të gjej
patjetër, Njeri
qoftë brendapërbrenda teje.
PËRRALLA E GJYSHES
Të lutem gjyshe
Përfundoje rrëfimin.
Thuaj se bisha vdiq
E njerëzit jetuan të lumtur
Më shpejt gjyshe
Të lutem
Tregimi është i tmerrshëm
E ti aq e ngathtë.
DUKE KËRKUAR EMRIN TIM
Në këtë cast
kur krahët e ftohtë të vetmisë
përqafojnë trupin tim,
loti merr rrugën e dhembjes.
Shoh veten të tretur larg
në shkretëtirën e harresës.
Dhe ashtu e dërmuar bredh
se mos gjej
një pike shpresë
për frymën time të etur.
Më bëhet se atje tej
shoh të shkruar në rërë
emrin tim.
Pluhuri i gjurmëve
më bie në fytyrë
duke fshehur qartësinë
e shikimit tim.
Sikur të pushonte era…
është e pamundur, e di.
Më kot
mundohem t’i ndalë psherëtimat
të mos dëgjohem më larg se dhembja,
të mos shkojnë më larg
se emri im i shkruar në rërë.
Sepse për të bredh dhe luftoj me erën.
Me frymën time të etur për jetë.
Me zemrën time të etur për dashuri.
NGA DRITARJA
Nga dritarja
gjithmonë duket më bukur.
Edhe fytyrat,
edhe dashuritë, madje
edhe vdekjet duken
më pak të tmerrshme.
Nga dritarja
gjithmonë gënjehemi.
TESTAMENTI
Atëherë, kur diçka imja
të cilën pak e kasha njohur, ushqyer,
po vdiste në mua,
më la trashëgim:
- Nëse sundon vetveten, do të jesh
sundimtari më i madh!
- nëpër secilin mot,
qoftë me shi, diell a dëborë,
mbaj dietë!
- Mos u ngut të bëhesh
i mençur – budalla, por ji
budalla i mençur!
Me të parën arrita ku desha.
Me të dytën u bëra ai që desha.
Me të tretën fitova sa desha.
Të marrët më nderuan.
Të mençurit ma patën lakmi.
MË PUQ
Më puq pak në faqe
të lutem Manushaqe.
S’jam treguar kot
më i miri,
xhentëlmeni,
trimi.
Nuk e pata lehtë
në matematikë,
nuk e pata lehtë
të të lëshoj karrikë.
Grushtin hundës
e hëngra,
krejt pa meritë.
Më puq pak në faqe
të lutem Manushaqe.
Ç’PO NDODH ME MUA
Ç’po ndodh, o babi,
kështu me mua,
sa herë shoh Zanën
zë në thua.
Saherë më flet
skuqem krejt,
nuk shoh as dëgjoj
fare përreth.
Nuk mund të flas
belbëzoj,
çdo fjalë që qes
e ngatërroj.
Më vjen të qaj
e të pëlcas,
në kupë të qiellit
të bërtas.
Të gjithë më njohin
për trim e lazdran,
kur jam me Zanën
krejt tjetër jam.
Ç’po ndodh, o babi,
kështu me mua,
t’ ka ngjarë dhe ty
a s’më thua?!
TELEFONIN UNË E MARR
Pritni, pritni pak
telefonin unë e marr.
Thirrja është për mua
është një çupë që unë e dua.
Është një çupë që mëson mirë
e ka pesë në matematikë.
Sa bukur reciton
lere më kur vallëzon.
Është e pastër dhe e mirë -
ta duash s’është vështirë.
Mami, babi, ju pse qesheni
s’ju ka ndodhur të pëlqeheni?!
Thirrja është për mua
është një çupë që unë e dua.
PROBLEM I ZGJIDHUR
Goni i vogël
pesë vjeçarë,
pyet gjyshen
kurreshtar.
Më thuaj, gjyshe,
ti ‘enciklopedi’,
si bëhet martesa
a bën ta di?
Si të gjej
nusen që më përket,
si të gjej
një grua vet?
Qeshet gjyshja
dhe përgjigjet,
s’është vështirë
kur di ”ligjet”.
Ligj nismëtarë -
ta pëlqesh me të parë,
ligj i dytë
ta duash me shpirt.
Dhe ajo
që do të përgjigjet,
poashtu
do t’i mësojë ”ligjet”.
Goni i vogël
ngrihet shpejt,
problem i zgjidhur
i duket krejt.
Qafon të ëmën
me dashuri,
dhe i thot
pa një pa dy.
Mami, unë
shumë të dua,
do martohesh
ti me mua?
Qeshet mami
e gjyshe ‘enciklopedi’,
për martesë
duhet tjetër dashuri.
Kur të rritesh
jeta do t’thotë,
të duash veç mamin
nuk mjafton dot.
MAMIN E KAM SHOQE
Tok me mamin në shitore,
tok me mamin n’ëmbëltore,
bashkë në punët e shtëpisë
bashkë detyrat e shtëpisë.
M’ep pak sandalet me taka
t’jem mes shoqeve më e larta,
m’ep pak buzëkuqin taze
se do luajmë nuselale.
Me mamin bisedoj
për ″simpatinë″ i tregoj,
mos të na dëgjojë babi
mos të tallet vëllai Andi.
Mamin e kam shoqe.
PYET NJË FËMIJË
Të mëdhenjtë
pyet një fëmijë
pse në botë, ende
ka tmerr e uri.
Ende errësirë
ende lemeri,
i kujt është turpi
dua ta di.
Pse kaq frikë
pse kaq mërzi,
e zhurmë shumë
për pak dashuri.
Kujt i takon turpi
thoni,
thoni ta di.
PA RREGULLA
Ëndërrova
një natë,
një botë pa rregulla
gallatë.
Nuk kishte fare
fillim e mbarim,
as njësh as pesë
në mësim.
S’kishte ditë
e s’kishte natë,
as fyerje
as lëvdatë.
U lodha shpejt
e u mërzita,
s’më shijonte gëzimi
e as frika.
U gëzova
kur më doli gjumi,
pa rregulla fare
do na mirrte lumi.
MË LINI TË JEM FËMIJË
Prind të dashur
e ju të tjerë,
gjithë sa njoh e di
më lini të jem fëmijë.
Rregulla, politikë
e gjithfarë marifete,
ju lutem
mbajini për vete.
Pa dhe bontonin
nëse s’e di,
më lini të jem
thjesht një fëmijë.
Botë e ëmbël
botë e dlirë,
Piter Pançe -
shpirt i lirë.
FTESË
Ftoj fëmijët
anembanë.
Në festë vallesh gjithë
sa janë.
Shotë, qyqek, ça ça ça,
tango,samba,...
Të qeshim, të lozim,
deri në agim.
Të njihemi, të duhemi
pa dallim.
NUK E KUPTOJ
Nuk e kuptoj fare
gjyshen time shakatare.
Përherë habitet
e nuk i tregon vitet.
Kur s’është në disponim
thotë i kam njëqind.
Kur qeshet me hare
thotë, as dhjetë si kam ende.
MËSUESJA S’MË BESON
Shpeshherë s’më beson
mësuesja jonë,
kur macja gishtin më kafshoi
për detyrat më qortoi.
As për ëndërrën që e pashë
as për gropën ku unë,
as për Barbin që volli natën
as për gripin që të dyja patëm.
Mësuesja s’më beson
ta them vjershën më kërkon,
nuk e mësova dot unë se
të luajmë Barbi më luti shumë.
Biseduam një natë
unë e Barbi gjerë e gjatë,
në fund erdhëm në përfundim
të ndahemi nganjëherë - obligim.
Ah si do na marrë malli
të dyjave, vaj halli.
NUK ËSHTË VETËM LOJË
Të luash me shokë
nuk është vetëm lojë.
Është edhe mjeshtri
për çfarë, gjithmonë
do t’kesh nevojë.
Të luash me shokë
nuk është vetëm lojë.
Të dish të falësh,
të dish të japësh,
të keshë shokë
përgjithmonë.
Të luash me shokë
nuk është vetëm lojë.
Të përbish dështimin,
t’i urosh tjetrit fitoren,
t’i shtrish pa inat dorën.
Të luash me shokë
nuk është vetëm lojë.
I GJITHËDIJSHMI
Kur e këshillon,
kur e mëson,
kur diç i tregon,
ai nuk dëgjon.
Që në fjalën e parë
hidhet e thotë,
të gjitha i di
mos u mundo kot.
Babit, mamit
gjyshit, gjyshes,
kështu i thot
edhe mësueses.
Kalon viti
pa u ndjerë,
në klasë i gjithëdijshmi
për të dytën herë.
GJYSHE MUNDE KOHËN
Gjyshe, munde kohën
thotë i vogli nip,
ta përcjellësh modën
të jesh gjithmonë shik.
Flokët me ngjyrë
e pak briljantinë,
duart manikyrë
e në buzë karmin.
Do të të ndihmoj unë
do ta marrë detyrë,
s’do të njohësh veten
fare në pasqyrë.
Pastaj, do të dalim
bashkë në sheti,
gjithë sa na shohin
do t’na kenë lakmi.
Ç’KA TË RE NË DIZNILEND
Ç’ka të re në
Diznilend,
Tomi dhe Xheri
nuk zënë vend.
Mendojnë
të bien në ujdi,
të mos ketë më
armiqësi.
Të ndalin luftrat
lidhën pakt,
të ftohen gjakrat
të pushojnë pak.
Po nuk zgjati
një ditë a dy,
Diznilendi mbet
pa fëmijë!
Ishte mërzi
po s’ shkonte ore,
Tomi e Xheri
dorë për dore?!
Që të dy
e panë qartë,
nuk ishin krijuar
për të qenë bashkë.
Ndryshe s’do kishte
të qeshura e risi,
Diznilend
e as fëmijë.
TË GJITHA NËNAT
Të gjitha nënat
njësoj janë,
thua një zemër
të gjitha e kanë.
Të gjitha fëmijët
adhurojnë,
të gjitha dashuri
dhurojnë.
Kur një nënë
të bekon,
jeta e bukur
t’duket gjithmonë.
Të gjitha nënat
njësoj janë,
thua një zemër
të gjitha e kanë.
TË NDËRROHEMI NJË DITË
Të lutem mami
ndërrohemi një ditë,
ti të bëhesh unë
e unë të bëhem ti.
Flokët të ti lidh
në bishtalecë,
të të vesh
si dua vetë.
Në kurs matematike
lojën ta shndërroj,
e kur të lodhesh
vjersha të t’mësoj.
E të shohësh vetë
sa vështirë e kam,
e të bindesh lehtë
se dembele s’jam.
FUQIA E FJALËS
Fjalë e duhur
Kur qëllon
Kodra zemre
Përtokë rrafshon
Shuan vullkane
Dimra e stuhi
Sjell të reshura
Diell e begati.
Përgatiti Flori Bruqi