2011-07-09

Video mahnitëse




Kjo video përmbanë disa aksidente interesante dhe qesharake nga bota e njerëzve, të cilët kanë pësuar gjatë ushtrimit të profesioneve të tyre, qoftë në gara apo edhe në jetën e përditshme.

Ushtari i UÇK-së “spiunon” UÇK-në

http://koha.net/?page=1,13,61776

Publikuar: 09.07.2011 - 09:34Prishtinë, 9 korrik – Dick Marty mund ta ketë shfrytëzuar edhe dëshminë e Fahredin Gashit për ta hartuar raportin e tij me të cilin implikon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në kidnapimin dhe dërgimin e civilëve në Shqipëri.

Ish-pjesëtari i UÇK-së që ndodhet në paraburgim dhe po gjykohet për vrasjen e një fshatari të moshuar nga një fshat i Lipjanit ka dëshmuar për krime të supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër popullatës civile në Kosovë. Në një video dëshmi që ua ka dhënë hetuesve të Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavi në vitin 2004 në kampin finlandez në Lipjan në cilësinë e të dyshuarit tri pjesë të së cilës i ka publikuar portali Lajmeshqip.com, Gashi thotë se mund të ketë pasur kidnapime të shumta të civilëve të cilat nuk mund të jenë bërë pa dijeninë e komandantëve të zonave.

Gashi që është akuzuar nga Nazim Bllaca për përfshirje në krime nën komandën e Azem Sylës është pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës ka thënë se asnjë plumb nuk ka mundur të shkrepej pa dijeninë e komandantëve. Sipas tij, për fatin e këtyre të zhdukurve dinë më së miri komandantët e zonave përkatëse Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Sylejman Selimi…

“Pa dijen e tyre nuk ka guxuar të shkrepej asnjë fishek”, ka thënë ai, duke u shprehur se “në Shqipëri dhe në vende të ndryshme mund të ketë kampe të përqendrimit, ku janë mbajtur dhe mbahen ende pengjet e UÇK-së”, ashtu sikurse, gjithnjë sipas tij, “edhe në Serbi mund të ketë kampe ku mbahen pengje dhe të zhdukur nga Kosova”, shkruan gjerësisht sot “Koha Ditore”.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur komandë e disiplinë. Pa dijen e komandantit nuk është bërë asgjë… UÇK-ja më ka çarmatosur dy herë dhe së fundmi, në ditën kur delegacioni kosovar është nisur për në Konferencën e Rambujesë, ma kanë marrë pushkën përgjithmonë Fatmir Shurdha dhe Skënder Hoti, i njohur me emrin “Tigri”. Ata më kanë çarmatosur… Ku ka tym ka edhe zjarr, dhe UÇK-ja ka bërë kidnapime të civilëve…”, ka deklaruar Fahrudin Gashi, i njohur si Faruku.

Gashi që është akuzuar nga ish-bashkëluftëtari i tij, Nazim Bllaca, se kanë kryer krime bashkë në kuadër të SHIK-ut e ka pranuar para hetuesve të Hagës se ka pasur raporte të mira me Policinë Serbe para lufte dhe se kishte pasur frikë se mos po vritej nga UÇK-ja. Për t’i rregulluar raportet edhe me UÇK-në ai ka thënë se kishte dërguar një kontingjent mëlmesa vegetë në zonat e luftës të kontrolluara nga ish-guerilja. 

“Në vitin 1996 kam filluar një shoqëri me zv.komandantin e Policisë serbe në Shtime, më pas me vetë komandantin, Dragan Gjorgjeviq”, ka thënë ai për të shtuar se për shkak të këtyre relacioneve ka pasur probleme të vazhdueshme me UÇK-në.  Ai ka treguar se si para luftës ka qenë një biznesmen i suksesshëm dhe se si nuk ka pasur asnjë problem ndonjëherë me regjimin serb në Kosovë, por përkundrazi, sipas tij, ka qenë bashkëpunëtor i mirë i tij. Gashi ka thënë se ka pasur edhe revole me leje të cilën e ka bartur pa problem. Ai ka treguar se me UÇK-në është lidhur në vitin 1998, në Krojmir, si furnizues i tyre me ‘vegetë’, me qëllim që të “ndërtojë” raporte të mira edhe me ta dhe të jetë më i qetë në punën e tij. Gashi e ka pranuar edhe në të kaluarën se ka dhënë dëshmi për hetuesit e Hagës dhe se një CD e posedon Nazim Bllaca me anë të së cilës, sipas tij, e ka shantazhuar për ta zhvatur.

Mirëpo, Nazim Bllaca mohon një gjë të tillë. Në një prononcim për “Kohën Ditore” nëpërmjet telefonit të premten, Bllaca ka thënë se po ta kishte këtë CD qysh ditën e parë të lindjes së problemeve me SHIK-un do ta publikonte atë. Sipas Bllacës, kjo video ka prejardhjen nga Azem Syla.

“Së pari, këtë video sot e kam dëgjuar për herë të parë. Mirëpo, kjo video do të thotë e ka prejardhjen prej Azem Sylës i cili haptas thotë se unë i di të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të Hagës. Këtë e ka thënë më 23 mars 2007 në ‘Epokën e Re’. Ai thotë se unë i di të gjithë dëshmitarët kush janë dhe këta vetëm në Hënë nëse shkojnë, por edhe atje do t’i gjejmë”, ka cituar Bllaca, Sylën.

Nazim Bllaca që pretendon se ka qenë në SHIK, ka treguar se më ta lexuar këtë intervistë i është drejtuar me anë të një letre ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, për ta informuar për gjendjen në të cilën ndodhen dëshmitarët në Kosovë.

 “Unë i kam thënë kryeprokurores se deklarata e një zyrtari numër një të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër dëshmitarëve të Hagës është rrezik për të ardhmen për çdo dëshmitar i cili dëshiron të bashkëpunojë me ndërkombëtarët. I kam thanë që a po e shihni që këta kanë pasur qasje prej vitit 2000 te dëshmitarët e Hagës dhe Azem Syla është personi numër një i cili e ka ngulfatur procesin”, ka thënë Bllaca.

Avokati i Azem Sylës, nga ana tjetër, Tomë Gashi, i autorizuar nga klienti i tij për të komunikuar me media, ka thënë se nuk është i njoftuar për këtë videoxhirim të publikuar dhe as me përmbajtjen e tyre.

“Duket që dikush është i interesuar që kohë pas kohë të publikojë nga një CD që opinioni kosovar të merret me to sepse janë shumë popullore që të dihet se kush ka qenë spiun i Serbisë e kush patriot dhe të mos merremi me tema jetike të Kosovës e që janë veriu dhe me epilogun se çka kemi fituar dhe çka do të humbim të ardhmen me bisedat me Serbinë”, ka thënë shkurt ai pa dashur të fliste më shumë me arsyetimin se as ai as klienti i tij nuk dinë gjë për këtë punë.

Edhe avokati i Fahredin Gashit, Kolë Krasniqi, është shprehur të mos ketë njohuri për këtë dëshmi të publikuar. Ai këtë e ka quajtur tejet befasuese, por e ka pohuar se klienti i tij e ka pranuar se ka dhënë dëshmi për hetuesit e Hagës.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor ai (Fahredin Gashi v.j.) ka deklaruar se ka dhënë intervistë për hetuesit e Hagës. Nuk e mohon këtë dhe sipas shpjegimeve të tij asgjë nuk ka pasur negative as për UÇK-në as për vendin por shpjegon një rrethanë e cila është në interes publik”, ka thënë Krasniqi.

Nazim Bllaca ndërkaq ka thënë se kjo CD është diskutuar në mes të tij, Shpresim Ukës, Qazim Shabanit e Hysri Ramës më 13 tetor 2009. Sipas tij, Shpresim Uka ka thënë se këto incizime, materialin e dëshmitarëve, deklaratat dhe CD-të të gjitha i ka dhe i ka dëgjuar Azem Syla. “Për këtë që po them kam edhe dëshmi të incizuar të cilën ia kam dorëzuar edhe prokurorit”. Sipas Bllacës, Gashi në këtë dëshmi e ka fajësuar Ramush Haradinajn.

“Faruk Gashi ka thënë te Baton Haxhiu se ‘kam operuar në Dukagjin’. Kjo nuk është e vërtetë, sepse këtë ai e ka bërë vetëm për ta inkriminuar Ramush Haradinajn”, ka thënë Bllaca.

Ekskluzive, Bllaca: Dëshmia e Farukut kundër UÇK-së

 
http://www.lajmeshqip.com/dossier/dossier4/ekskluzive-iii-faruku-uck-kidnapoi-civile
 
http://www.lajmeshqip.com/kombetare/ekskluzive-ja-aktakuza-dhe-urdherarresti-per-shpresim-uken
  http://www.lajmeshqip.com/kombetare/faruku-sherbeu-dick-martyn-dhe-hagen%E2%80%A6-2       






“Në vitin 1996 kam filluar një shoqëri me zv/komandantin e policisë serbe në Shtime më pas me vetë komandantin, Dragan Gjorgjeviq”. Kështu ka thënë në janar të vitit 2004, në një dëshmi të fshehtë, për tribunalin e Hagës, Fahrudin Gashi – Faruku.
Për këto raporte ai dëshmon se ka pasur pas luftës në Kosovë probleme të vazhdueshme me individë të UÇK-së.
Personazhi “i tmerrshëm” i procesit maratonik gjyqësor, në denoncimin e krimeve të pasluftës në Kosovë, në Rastin Bllaca, Fahrudin Gashi, ka një anë të panjohur të tij, bashkëpunimin e hershëm me hetues të Tribunalit të Hagës.
Portali LajmeShqip.com bën publik për herë të parë dhe ekskluzivisht një videoinçizim të shtatë vjetëve më parë, të dëshmisë që Fahrudin Gashi – Faruku e kishte dhënë për Prokurorinë e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur.
Përkundër faktit që Gashi është dëshmitar i mbrojtur i Tribunalit, videoregjistrimi amator është bërë, siç duket, fshehtas, nga ana përfaqësuesit hetues të Zyrës së Prokurores së Hagës, gjatë intervistimit të tij, më 21 janar të vitit 2004, në bazën finlandeze të KFOR-it, në Lypjan.
Nga tërësia e një inçizimi shumë më të gjatë të intervistimit të Fahrudin Gashit nga hetuesit e Tribunalit, Portali LajmeShqip.com publikon kësaj radhe vetëm dy prej tyre.
Videoja e parë, prej pak më shumë se 13 minutash, pasqyron pjesën hyrëse të bisedës, ku bëhen prezentimet reciproke dhe në të cilën hetuesi ia tregon kushtet e intervistimit Fahrudin Gashit dhe dakordimin e këtij të fundit, për t’u intervistuar.
Ndërkaq, videoja e dytë përmban një pjesë të dëshmisë shumë domethenëse të Fahrudin Gashit, rreth angazhimeve dhe implikimeve të tij të paraluftës, gjatë luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Ai tregon se si para luftës ka qenë një biznesmen i suksesshëm dhe se si nuk ka pasur asnjë problem ndonjëherë me regjimin (serb) në Kosovë, por përkundrazi, sipas tij, ka qenë bashkëpunëtor i mirë i tij dhe, në të njëjtën kohë, aktivist i Forumit Rinor të LDK-së. Gajtë luftës, thotë Gashi, jam përpjekur të ndërtoj raporte të mira me UÇK-në dhe të gjejë mirëkuptimin e tyre, kurse pas luftës, për një kohë, ai, siç dëshmon vetë, ka qenë veprimtar i PDK-së e më pas e ka braktisur edhe atë.
Sipas Gashit, ai në PDK ka qenë vetëm deri në vitin 2002 dhe tash (në momentin e intervistimit) nuk është anëtar i asnjë partie.
Asnjëra parti nuk bëri gjë për mua dhe unë nuk qëndrova më në to, as PDK e as LDK, dëshmon vetë Fahrudin Gashi.
Gashi dëshmon se ka patur miqësi të mirë me policinë serbe në Shtime, dhe që nga ajo kohë ka bartur revole me leje dhe gjithmonë ka qenë i privilegjuar i policisë serbe. Ai thotë se ka edhe sot kontakte me ish-policinë serbe në Kosovë, dhe me ta flet çdo ditë, duke ruajtur raporte tregtare e shoqërore dhe se ata e vizitojnë edhe sot në shtëpi.
Ai thotë se me UÇK-në, u lidh në vitin 1998, në Krojmir, si furnizues i tyre me vegetë, me qëllim që të “ndërtojë” raporte të mira edhe me ta dhe të jetë më i qetë në punën e tij.
Këto dy video ekskluzive janë pjesë e një serie videosh dhe faktesh të tilla që i posedon Portali LajmeShqip.com, në të cilat Fahrudin Gashi – Faruku, dëshmon për angazhimet dhe relacionet e tij, të gjitha këto periudha, para lufte, gajtë dhe pas lufte, me policë e ish policë serbë dhe, në të njëjtën kohë, si bashkëpunëtor i shumëfishtë, siç dëshmon vetë ai, me UÇK-në dhe partitë shqiptare para dhe pas luftës në Kosovë.



Prishtinë – Duke iu referuar publikimeve më të fundit ekskluzive të portalit LajmeShqip.com, e përditshmja më e madhe kosovare, Koha Ditore, në artikullin e sotëm “Ushtari i UÇK-së, ‘spiunon’ UÇK-në”, shkruan se Dick Marty mund ta ketë shfrytëzuar dëshminë e Fahredin Gashit për ta hartuar raportin e tij me të cilin e implikon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në kidnapimin dhe dërgimin e civilëve në Shqipëri.
Gazeta e ka marrë prononcimin telefonik të Nazim Bllacës, ku ai mohon ta ketë poseduar një CD të tillë. “Këtë video sot e kam dëgjuar për herë të parë”, ka thënë Bllaca, duke deklaruar se po ta posedonte, ai do ta publikonte qysh me herët. Megjithatë, Bllaca ka thënë se ka qenë në dijeni të këtij videoinçizimi dhe se me kohë e ka ditur dhe ka deklaruar se Fahredin Gashi ka bashkëpunuar me Hagën, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Duket se dikush është i interesuar që kohë pas kohe të publikojë nga një CD që opinion kosovar të merret me to, sepse janë shumë popullore të dihet se kush ka qenë spiun i Serbisë e kush patriot dhe të mos merremi me tema jetike të Kosovës e që janë veriu dhe me epilogun se çka kemi fituar dhe çka do të humbim në të ardhmen me bisedimet me Serbinë”, ka thënë shkurt për Kohën Ditore avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, duke dashur ta minimozojë rëndësinë e zhvillimeve të kaluara, brenda dhe rreth UÇK-së, të cilat i ka publikuar Portali LajmeShqip.com dhe që kanë shumë rëndësi, mbase edhe për veriun dhe për të gjitha këto që po ndodhin sot në Kosovë e me Kosovën.
Ndërkaq, Kolë Krasniqi, avokat i Fahredin Gashit, në Rastin “Bllaca”, i ka deklaruar gazetës se ka qenë tejet i befasuar me publikimin e kësaj videoje. Sipas tij, edhe gjatë procesit gjyqësor, Fahredin Gashi “ka deklaruar se ka dhënë një intervistë për hetuesit e Hagës” dhe se “nuk e mohon këtë”, ndërkohë që, po sipas avokatit, aty “nuk ka pasur asgjë negative as për UÇK-në e as për vendin, por shpjegon një rrethanë e cila është në interes publik”.
Nazim Bllaca i ka thënë gazetës se e din se kjo video është diskutuar midis tij, Shpresim Ukës, Qazim Shabanit e Hysri Raës, më 13 tetor të vitit 2009.
“Faruk Gashi ka thënë te Baton Haxhiu (në një emision në Klan Kosova, vër. LSH) se ‘kam operuar në Dukagjin’. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ai e ka bërë këtë vetëm për ta inkriminuar Ramush Haradinajn”, ka përfunduar Nazim Bllaca në deklarimin e tij për Kohën Ditore, duke i komentuar tri videoinçizimet eksklzuzive të Portalit LajmeShqip.com.
Portali LajmeShqip.com në dy ditët e kaluara ka publikuar tri videoregjistrime, në të cilat Fahredin Gashi – Faruku dëshmon për hetues të Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, me pretendimin se UÇK ka kryer krime në Kosovë, e ku potencon për veten se ka qenë bashkëpunëtor i hershëm i policisë serbe në Shtime.
 
 



Prishtinë – Horrori i dëshmisë së Fahrudin Gashit – “Farukut” dhënë Prokurorisë së Hagës, vijon në 6 minutat tjerë, të shkëputur nga videoinçizimi ekskluziv.
“…Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur komandë e disciplinë. Pa dijen e komandantit nuk është bërë asgjë… UÇK më ka çarmatosur dy herë dhe së fundmi, në ditën kur delegacioni kosovar është nisur në Konferencën e Rambujesë, ma kanë marrë pushkën përgjithmonë Fatmir Shurdha dhe Skënder Hoti, i njohur me emrin “Tigri”. Ata më kanë çarmatosur… Ku ka tym ka edhe zjarr, dhe UÇK ka bërë kidnapime të civilëve…”, ka deklaruar Fahrudin Gashi – “Faruku”, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur, në vazhdim të dëshmisë së tij për Tribunalin e Hagës.
Portali LajmeShqip.com publikon në vijim videoinçizimin e pjesës së tretë, nga një seri më e gjatë e dëshmisë së protagonistit kontravers e engimatik të Rastit “Bllaca”, të dhënë për Tribunalin e Hagës, më 21 janar 2004, në bazat e KFOR-it finlandez, në Lypjan.
Gashi, i cili ka pranuar në pjesën paraprake të intervistimit se ka qenë dhe është ende mik i mirë me pjesëtarë të ish-policisë serbe në komandën e Shtimes, i ka thënë hetuesit të Prokurorisë së Hagës se ka pasur kidnapime dhe zhdukje të civilëve gjatë luftës në zona të UÇK-së.
Sipas tij, për fatin e këtyre të zhdukurve dinë më së miri komandantët e zonave përkatëse Fatmir Limaj, Komandant Remi, Shkuri Buja, Sylejman Selimi…
Sipas dëshmisë së Gashit, ata e dinë dhe janë përgjegjës për secilin të zhdukur.
“Pa dijen e tyre nuk ka guxuar të shkrepet asnjë fishek”, potencon Gashi, duke u shprehur i bindur se “në Shqipëri dhe në vende të ndryshme mund të ketë kampe të përqëndrimit, ku janë mbajtur dhe mbahen ende pengjet e UÇK-së”, ashtu sikurse, gjithnjë sipas tij, “edhe në Serbi mund të ketë kampe ku mbahen pengje dhe të zhdukur nga Kosova”.
Fahrudin Gashi – “Faruku”, i jep këto dëshmi para hetuesit të Prokurorisë së Hagës, më shumë se shtatë vjet më parë, duke i përforcuar ato me të dhënën se ka raporte të mira dhe ka informacione nga të dyja taborret, edhe nga shqiptarët e edhe nga serbët.
Një nga problemet kyçe të Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, përpos përmbushjes së dëshmive se “UÇK ka bërë krime mbi civilët” ka qenë përforcimi i argumentit se “në UÇK ka pasur hierarki, komandë e disciplinë në të gjitha zonat”.
Kjo pjesë e intervistimit të dëshmitarit të mbrojtur Fahrudin Gashit, ka të bëjë pikërisht me këtë temë.
Fahrudin Gashi – “Faruku” është një prej protagonistëve kyç dhe shumë kontravers në procesin gjyqësor në Rastin “Bllaca”, në të cilin është akuzuar për kryerje të krimeve të pasluftës në Kosovë.
Në ditët në vijim, Portali LajmeShqip.com do të sjellë ekskluzivisht edhe dëshmi e fakte të reja, që hedhin dritë mbi shumë ngjarje dhe zhvillime të pasqaruara për këto tema.




Portali LajmeShqip.com, e boton ekskluzivisht dokumentin e aktakuzës dhe urdhërin për fletarrest, të ngitur ndaj Shpresim Ukës, më 23 qershor 2011 nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Viktor Hugo Pardal, që është gjykatës penal i EULEX-it, në nivele të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
Sipas aktakzuës dhe urdhëarrestit, Shpresim Uka, i lindur në Beograd, akuzohet për pjesëmarrje në një vrasje të rëndë, atë të Ibush Kllokoqit, dhe pjesëmarrje në dy vrasje në tentativë, t ëcilat kanë ndodhur midis viteve 1999/2000.
Gjykatësi i EULEX-i ka urdhëruar gjithashtu arrestimin e Sadik Abazit, Driton Hajdarit dhe Shaban Sylës, për pjesëmarrje në krimet e apostrofuara në rastin Bllaca. Që të katërtit, ashtu siç ka raportuar Portali LajmeShqip.com, janë arrestuar sot dhe janë në dispozicion të drejtësisë.



POETIZIMI I LOTIT PËR DASHURINË DHE LIRINË


kadrush-radogoshiMendime për librin “Elegji për lotin” të autorit Ilir Hajdari
Shkruan: Mr.Sci Prof. Kadrush  RADOGOSHI
Duke qenë individuale është po aq universale dhe ky universalitet është dëshmia më e sigurt se ngrehina e parë poetike e Ilir Hajdarit do të jetë e qëndrueshme, prandaj do të vendosë raporte të komunikimit intensiv me lexuesit, duke bartur tek ata ndjesi e mesazhe të përhershme njerëzore, të cilat u takojnë sferave të së bukurës dhe të fisnikërisë.

(Mënyra e qasjes)

            Veprës poetike ,,Elegji për lotin” të autorit Ilir Hajdari nuk do t’i qasem nga pozicioni i mbështetjes vetëm në psikologjinë e autorit, e cila deshëm s’deshëm na shpie te jeta reale e tij. Kësaj vepre nuk do t’i qasem as nga pozicioni prej të cilit vepra poetike është tekst i veçantë, është një organizëm i pavarur dhe tërësisht autonom.
            Qasja ime kësaj vepre poetike, paraqet në përpjeke të natyrshme për t’i bashkuar këto dy qasje, që nënkupton ndihmën e ndërsjellë të njëra tjetrës dhe ikje përfundimtare nga situatat anekdotike e të parrugëdalje.
            ,,Me të vërtetë, teksti nuk duhet të jetë shkas as për bisturinë anatomike, as për biografinë periferike (…). Teksti është gjallesë që flet. (…) është organizëm i cili ka shpirt”, thotë, ndër të tjera, në esenë ,,Poezia e poetika” Zhan-Anri Bornek, për të vazhduar më tutje me pyetjet e tij: ,,Në çka atëherë do të mbështetemi  për ta komentuar, interpretuar dhe për ta përkthyer pa kundërthënie atë të folur të saj? Me çfarë drite rrezaton ai shpirt? Çfarë veçorish ka? Çfarë vlere ka? A është e përhershme apo kalimtare?”
           
            (Interpretimi i titullit)    
Interpretimi im për librin poetik ,,Elegji për lotin” fillon që nga titulli, i cili e përmbush plotësisht kriterin e të qenit sintezë jo vetëm e përmbajtjes së librit, po edhe sugjerues i aktit të krijimit. Ky titull është ndërtuar nga një togfjalësh i përbërë nga emri ,,Elegji”, që sugjeron zhanrin poetik dhe nga emri ,,lotin” i paraprirë nga parafjala ,,për” karakteristike për rasën kallëzore. Pjesa e dytë e togfjalëshit sugjeron gjendjen shpirtërore të subjektit lirik, e cila për pasojë ka lotin. Në fillim duket se ky titull bart në vetvete një frymë tautologjike, por mendja e prirur për nuancat vëren se loti në kontekstin e dhënë është antropomorfizuar si derivat e largët i një metonimie.
           
            (Perlat poetike në pozicione epigrafike)
Poetët italianë, vargjet e zgjedhura të të cilëve janë vënë në fillim 5 cikleve të këtij libri, janë individualitete të fuqishme të poezisë italiane e pse jo edhe të asaj botërore, në mesin e të cilëve janë edhe disa novelistë. Vargjet, perla poetike, që të mahnisin me monumentaritetin e shprehjes dhe domethënies, sikur ia sugjerojnë lexuesit modelin e synuar poetik të këtij poeti të ri, por padyshim të talentuar. Ato nuk janë vënë si një dekor i thjeshtë sepse kanë një funksion të veçantë semantik: Ato paralajmërojnë lexuesin me tematikën, me idetë, me mesazhet e poezive të atij cikli.
            Autori Ilir Hajdari ua ka dhënë fjalën nga dy poetëve italianë në fillim të çdo cikli të cilët janë: Ugo Foskolo, Gabriele D’Anuncio, Xhoze Karduçi, Xhovani Paskoli, Vitorio Alfieri, Xhakomo Leopardi, Euxhenio Montale, Umberto Saba, Salvadore Kuazimodo. Që këta poetë të flasin bukur shqip, Ilirin e ka ndihmuar Sinan Vaka, i cili ka hartuar dhe përkthyer një antologji të poezisë italiane duke bërë një punë të vlerëshme në afrimin e vlerave poetike italiane lexuesit shqiptarë.
           
            (Eliptizmi dhe rebelimi ndaj inercisë të pararendësve)
Cikli i parë ,,Dhembje në fjalë” ka tetë poezi në të cilat tematizohet akti i krijimit poetik në rrethana robërie. Ngrehina poetike në këtë cikël ka dy shtylla mbi të cilat mbështetet: e para është e natyrës së shprehjes poetike, parimit të eliptizmit të saj, të njohur që në antikë; e dyta kundërshtimi i robërisë dhe kërkimi i lirisë si vlerë universale e jetës njerëzore. Të dy këto shtylla nuk mund të trajtohen të ndara nga njëra tjetra, ato i marrin e i japin njëra tjetrës.
            Poezia e parë e këtij libri ,,Dorëshkrimet fjalëpaka” paraqet kredon poetike të këtij poeti të ndërtuar mbi dy shtyllat e lartpërmendura:

                                    “Në errësirë
                                    Një vepër
                                    Mbushur me fjalë
                                    Për lirinë e grisur”
           
            Në strofën e tretë poeti drejtpërdrejtë e aktualizon çështjen e ekonomizimit të fjalëve:

                                    “Shtypshkronja
                                    Pret dorëshkrimet
                                    Fjalëpaka.”

Ky përfundim s’ka se si të mos na e kujtojë një mendim të poetit amerikan Edgar Alan Po të shprehur në esenë e tij të njohur ,,Filozofia e kompozicionit”: ,,Çështja e parë që më ka dalë përpara ishte gjatësia e vjershës. Nëse një vepër letrare është shumë e gjatë për t’u lexuar me një frymë, jemi të detyruar të tërhiqemi nga përshtypja jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila arrihet nga kohezioni i shfaqjes, ngase nëse duhet të lexohet në dy intervale kohore, ndërhyjnë punët e përditshmërisë dhe me këtë vetvetiu tërësia thyhet”.
            Strofa e katërt e poezisë ,,Dorëshkrimet fjalëpaka” e ndërtuar nga katër vargje pothuajse njëfjalëshe (Në udhëkryq / Unë, / Dorëshkrimet / Dhe pritja…) është dëshmi domethënëse për shkallën e dendësimit të shprehjes së reduktuar në aspektin e sasisë leksikore. Ky reduktim në aspektin sasior të fjalëve, nuk nënkupton edhe reduktim në aspektin semantik, në aspektin e domethënieve.
            Nëse eliptizmi funksional e domethënës është mësimi i parë, që ky poet ka mësuar nga tradita më e mirë poetike kombëtare e botërore, ngritja krye ndaj gjendjes ekzistuese në jetë e art, rebelimi ndaj poetëve të inercionit të trashëguar nga paraardhësit është mësimi i dytë. Duke lexuar poezitë e këtij libri nuk më hiqet nga mendja mendimi i mëtutjeshëm i Edgar Alan Posë: ,,E bukura është e vetmja kategori e vlerëshme për vjershën. (…) Duke e konsideruar të Bukurën si lëminë time, çështja tjetër që më ka dalë përpara ka qenë shprehja me të cilën ajo më së miri realizohej, përvoja e tërësishme tregon se shprehja e dhembje, pikëllim është më e përshtatshmja. Bukuria e cilësdo formë, në shkallën më të lartë të zhvillimit të saj, pashmangshmërisht e nxit shpirtin e ndieshëm për lot.
            Duke metaforizuar pritjen proverbiale shqiptare, qoftë individuale apo kolektive, poeti pohon jo pa revoltë e zhgënjim se asaj ,,i janë lodhur gjunjët”.
           
            (Poetizimi i dhembjes së moçme e të re)
,,Në ditët që lodh drita / shikoj unë vetëm ëndrrën / të zbres me miqtë e ikur / s’e kam varrosur zemrën” janë katër vargjet e Xhoze Karduçit të vëna në pozicionin e epigrafit në fillim të ciklit të dytë të titulluar ,,Dhembje e moçme”, të cilat i sugjerojnë lexuesit se në poezitë e këtij cikli poetizohet dhembja e moçme dhe e re, drama e moçme dhe e re e atdheut dhe njerëzve të tij e në këtë kontekst edhe e familjarëve të subjektit lirik: babai të cilin gjyshi e kishte lënë në barkun e nënës e që vdes në ,,t(m)err”, xhaxhai i vrarë në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944), të cilit nuk i dihet as varri, shoku Ilir Hoxha i bërë atdhe sepse ka dhënë jetën në altarin e lirisë, nëna e ngritur në arketip, që e jep dhe e mbron jetën, dëshmori në varr, prej nga del monologu i tij për flijimin në emër të lirisë. E tërë drama shqiptare në pranverën e vitit 1999 në Kosovë është poetizuar jo përmes rrëfimit në veten e tretë, po përmes dialogimit të subjektit lirik. Ky dialogim rrëfehet pasi të jetë përthyer në brendinë e shpirtit të tij. Në këtë kontekst, mjafton t’i vëmë në spikamë qoftë edhe vetëm titujt e poezive të këtij cikli: ,,Simfoni e pambaruar”, ,,Atdhe, tradhtia ime e parë”, ,,Qafë e Prushit”, ,,Kronikë lufte”, ,,Kur robëria po ecte”, ,,Ma jep (zërin)”, ,,Dhembje e moçme”, ,,Vdekje e ikur”, ,,Babait”, ,,Në t(m)err”, ,,Jeto nënë”, ,,Me dorën tënde”, ,,Lirinë kam”, ,,U bëre atdhe”, ,,Shikimi i fundit”, ,,Ditari i një dite (e martë, 2 prill 1999)”, ,,Në varrin tim”.
           
            (Ëndrra e keqe në pasqyrat kristalore)
,,Ëndërr e keqe” e poetit Ilir Hajdari fillimisht shihet në pasqyrën poetike të Vitorio Alfierit ,,Sublimja pasqyrë e së vërtetës së madhe / rrëfemë në trup dhe në shpirt kush jam” pastaj në pasqyrën poetike të Xhakomo Leopardit ,,Ndjeja përjetësinë dhe kohët që vraponin / të sotmen që gjallonte dhe ankthet shijoja”. Kjo ëndërr e keqe e shikuar në pasqyra të një qartësie kristalore, s’ka se si të mos shndërrohet në zhgjëndërr apo në një realitet të trishtë, të cilin qe i detyruar ta përjetojë subjekti lirik dhe bashkatdhetarët e tij. Në poezinë e parë të këtij cikli të titulluar ,,Botë e fëlliqur” poeti me një saktësi të lakmueshme ironizon ,,Kohën e ndyrë” dhe ,,Botën e fëlliqur”. Ironizimi i bërë në strofën e parë dhe të dytë, në strofën e tretë arrin në akuzë. Jeta në robërinë më të trishtshme, që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore drama individuale e kolektive e kaluar nëpër filtrin shpirtëror, materializohet poetikisht me një ligjërim të reduktuar në aspektin leksikor, por shumë domethënës në atë mesazhor. Kam bindjen se kjo poezi herë herë më shumë mund të përjetohet se sa të interpretohet.
           
            (Tematizimi i rrugës së kthimit)
Cikli i katërt është titulluar me togfjalëshin rruga e kthimit dhe së bashku me vargjet epigrafike të Xhoze Karduçit e Euxhenio Montales sugjeron hapësirën konkrete të atdheut të veshur me rrobat e bukuroshes liri, drejt të cilit është ndërtuar rruga e kthimit. Semantika e këtij togfjalëshi ka shumë shtresa, të cilat fillojnë nga shtresa e kuptimsisë konkrete, reale, lëndore e gjer në atë simboliko-emocionale dhe konceptuale.
            Tematizimi i rrugës së kthimit nga kampet e refugjatëve (viktima të spastrimit etnik) në atdhe rrugës së kthimit nga robëria në liri nuk bëhet përmes retorikës triumfaliste të zhveshur nga rrobat e figurshmërisë, po përmes thyrjes së çdo gjëje të realitetit objektiv dhe ndërtimi me pjesët e tij të një realiteti të dytë tërësisht subjektiv.
            Liria në poezinë me të njëjtin emërtim, e cila i prin ciklit, është antropomorfizuar nga ky poet, ashtu siç kanë bërë edhe shumë poetë para tij…
           
                                                ,,Eja më përqafo
                                                Të jetoj me ty
                                                E dashur liri!”

            Kjo liri është paralajmëruar nga një ,,ag i vonuar” dhe ka kaluar nëpër ,,Horizontet e bardha” në të cilat është ndërtuar ,,godina e Reçakut” në themelet e së cilës është vendosur edhe ,,këmba e këpucës / Numër 28…”. Një liri e tillë është në të njëjtën kohë edhe ndërtesë e gëzimit të madh, po edhe e dhembjes, pikëllimit dhe krenarisë për ata që u flijuan në altarin e saj. Përmasat e saj shihen nga cilado pikë e atdheut të poetizuar, që nga Ulqini e gjer në Pogradecin ku ,,Lasgushi / kishte ndezur / Qirinjtë e Naimit / Në dollinë / për skajet e atdheut”. Ky cikël mbyllet me poezinë ,,A të kujtohet profesor”, e cila sikur qorton atë pjesë të inteligjencies shqiptare, që nuk qe në gjendje ta thyente inercionin e një versioni të subjektivizuar dhe të pahetueshëm të robërisë në çastet, kur para shqiptarëve të Kosovës grykat e topave të të gjithë kalibrave këndonin këngën mortore para ekzistencës shqiptare, e cila përsëriste gjithashtu me zë dilemën hamletiane ,,Të rrosh apo të mos rrosh”.
           
            (Gjeografia e ndjesive të thella)
Në ciklin e fundit ,,Elegji për lotin” autori për busollë merr perlat poetike të Umberto Sabës dhe Salvadore Kuazimodos për të na orientuar nëpër gjeografinë e ndjesive të thella të subjektit lirik. Titullin, ky cikël, e ka marrë nga poezia e parë e tij me të njëjtin titull. Duke e konsideruar këtë titull si sintagmën më domethënëse në tërë librin e ka vënë edhe në pozicionin e titullit të librit, siç theksuam në fillim.
            Poezia ,,Elegji për lotin” padyshim është ndër poezitë më të realizuara artistikisht në këtë vepër. Në këtë poezi, si në një pjesë të konsiderueshme të poezive të librit, ka arritur një nivel të lakmueshëm të abstraksionit poetik… ,,Lotët t’i mora / Nga sytë e detit / Të ngrirë / E i putha”.
            Edhe poezia e dytë e këtij cikli ,,Buzëqeshje e lirë” me të gjitha aspektet dhe elementet e ndërtimit të ngrehinës poetike mund të konsiderohet vazhdim i poezisë paraprake. Edhe në këtë poezi leksema e lotit është shtylla kryesore mbi të cilën ndërtohet poezia. Loti, ky lajmëtar i dhembjes dhe pikëllimit, sipas subjektit lirik, duhet të pushkatohet sepse e pengon buzëqeshjen, që duhet të bëhet në liri.
            Dashuria, kjo ndjenjë fisnike, që qëndron në themelet e ekzistencës njerëzore dhe vë në lëvizje idealet, synimet e njeriut edhe në situatat më të rënda në të cilat mund të gjendet jeta e tij, është poetizuar në këtë cikël. Duke qenë individuale është po aq universale dhe ky universalitet është dëshmia më e sigurt se ngrehina e parë poetike e Ilir Hajdarit do të jetë e qëndrueshme, prandaj do të vendosë raporte të komunikimit intensiv me lexuesit, duke bartur tek ata ndjesi e mesazhe të përhershme njerëzore, të cilat u takojnë sferave të së bukurës dhe të fisnikërisë.

POEZIA SI KUNDËRVËNIE E SË KEQES


ujvaraNga: Nuhi  ISMAJLI
Pas shkrimeve për letërsinë dhe shkrimeve publicistike,me të cilat dëshmoi formimin dhe prirjen e tij, si studiues, kritik dhe publicist, Ndue Ukaj,me botimin e përmbledhjes së poezive “Ujëvarat e metaforave”, dëshmoi edhe prirjen e tij si poet dhe krijimin e vlerave të pamohueshme letrare.Poezia e tij të imponohet për ndjeshmërinë e veçantë, larminë tematike dhe, shpesh,trajtimin e theksuar dituror të saj, meditimin e thellë, idetë e mesazhet e rëndësishme për çështjet nga më të ndryshmet, shprehjen e veçantë e të fuqishme etj.

Larmia tematike
Poezia e veprës Ujëvarat e metaforve, shquhet për larminë dhe gërshetimin tematik e motivor.Kështu, një pjesë e mirë e frymëzimeve të poetit buron nga kujtesa e historisë kombëtare, si historia e shtrirjes së trojeve, historia e fatit kombëtar, veçmas fati tragjik i Kosovës, tragjikën e së cilës, siç thotë poeti, nuk do të mund ta përmblidhte as Eskili (“Kosovë / As Eskili s’do arrinte ta përmblidhte tragjedinë tënde”, poezia: “Kosovë”, f. 109), por edhe historia e vendlindjes dhe e martirizimit të vendësve, robëria dhe pritjet e gjata të zgjidhjes së fatit kombëtar etj.
Poeti kujton tragjikën e popullit, robërinë, vuajtjet, duke goditur me ironinë e tij të fuqishme gjenocidin, dhunën, shtypjen: “Vrajeni qiellin/ Qëllojeni rrufeshëm / Le të pllakoset në tokë /…/ Gjithçka është e natyrshme / Të vritet një popull / Të mohohet një popull / Bëni gjithçka sepse asgjë nuk është absurde sot / As për jetën pa kokë / As për kokën pa jetë / Dhe vajin e ngrirë në buzë” (“Kujtesë e sëmurë”, f.72).Mjaft vargje të këtij poeti janë frymëzuar edhe nga historia e shtypjes së rëndë sociale të popullit tonë, që, siç dihet, ishte një formë e shtypjes kombëtare të
shqiptarëve, realitet i hidhur ky nga i cili, si thotë poeti, edhe “fjalët i kemi të lagshta” (“Me lot jemi rritur”, f. 133) etj.Poezia e N. Ukajt frymëzohet mjaft  nga shqetësimet e botës së sotme në të cilën, si thotë poeti, “Në lartësi të qiellit gjemba kanë çelë” (“Vjeshta e shpirtit”, f. 32);ku “Notojnë plagët në zjarr tokë e det”, apo ku “notojnë plagët sa në qiell sa në det”; ku “Jeta sillet si në unazë” ose “Ecim një hap para, / Pastaj përplasemi dy mbrapa” (“Metafora e legjendës”, f. 112-113); ku “çel mbretëria e absurditetit” (“Kohë e perfeksionuar për gjenocid”, f. 104) e “absurditetet çelin si lule në saksi”(“Pështjellim”, f. 90) ose “si lule të ujitura” (“Kuptimi”, f. 96) etj. Me ironinë e tij të fuqishme, poeti ngritet veçmas kundër harrimit të së kaluarës tragjike (“lumin e tragjedive /Që u shndërrua në det” , poezia:”Shtegtimi i shpirtit”, f. 111), nga e cila duhet mësuar (“Libri i historisë sime /Është djegur bashkë me Trojën /…/ Asnjëherë s’arritëm të mësojmë /Historinë në trajtat e ferrit/… / Ne mërdhihemi e ikim nga dielli /…/ Interpretojmë si duam / S’dëgjojmë metaforat e prera në fyt” (”Pështjellim,”, f. 89 – 90); kundër mohimit të vlerave të së kaluarës (“Fjala e lidhur me harrimin e pistë / Të zhbërjes së rrënjës” (“Harrimi”, f. 87), “Librat e rrënjës organike janë çekuilibruar / …/Fati i Formulës së Pagëzimit lëngon keq” dhe se: “Rruga nëpër Ferr është më e shkurtë / Se trishtimi prej harrimi”(po aty, f. 88), ndërsa e keqja bëhet edhe më e madhe kur kjo ndodh,siç thotë poeti, “Në tokën e tkurrtur çdo pranverë”, (po aty, 88); kundër zvetënimit shpirtëror (“Në kohën teknike”, f. 31); kundër mëkatarëve historikë, arkitektëve të vetëvrasjes (“Apokalipsi”, f. 101), dvarrësve të idealeve, rrënuesve të poezisë(“Kënga e dritës”, f. 41) e kohës antipoetike (“Kujtim i mermertë”, f. 26), dhe të pseudovlerave, kur, si thotë poeti: “Nëpër dorë mëkatarësh dergjet poezia” (“Harrimi”, f. 87), ose kur: “Mbi portrete pshurrin qentë e çartur” (“Pështjellim”,f. 90) etj.
Një varg poezish të veprës Ujëvarat…, janë poezi kushtimore për njerëzit e shquar dhe njerëzit e afërm, të dashur.
Poeti i kushton poezi P. Bogdanit, Gj. Fishtës, Nënë Terezës, Anton Pashkut, I.Rugovës e R. Kukajt, duke shquar vlerat e veçanta të tyre dhe duke shprehur edhe pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme. Me mjeshtëri poetike poeti ka realizuaredhe disa poezi për të afërmit, të cilat janë jo vetëm poezi dashurie për ta, por edhe poezi meditimi e shqetësimi për jetën.Siç është e ngarkuar me emocion, poezia e N. Ukajt është e ngarkuar edhe me mendim.Meditimi i thellë përshkon të gjitha poezitë e këtij poeti, në të cilat ai mediton për jetën, historinë,poezinë, dashurinë, moralin etj.Në kuadër të poezisë së vet, N. Ukaj ka treguar edhe prirjen për përshkrimin e natyrës dhe krijimin e poezisë përshkruese (“Nga majat…”, f. 131; “Mbrëmje…”, f.109), përmes detajeve të së cilës, simbolikisht, shpreh kuptime të ndryshme. Karakteristikë e poezive të veprës Ujëvarat…, është ndërlidhja ose gërshetimi i temave e motiveve të ndryshme, që vjen si rezultat i synimit për paraqitjen totale të jetës.
Tri tema të mëdha
Në qendër të preokupimeve tematike të veprës Ujëvarat…, janë tri tema të mëdha,universale, të paraqitura me shumë ndjenjë e dituri: jeta, dashuria, poezia.Kështu, në gjithë poezitë e veprës Ujëvarat…, shprehet fuqishëm dashuria ndaj jetës,dëshira dhe lufta për ta jetuar atë, pavarësisht realitetit të saj (“E bukur është jeta / Edhe kur shpirti mbushet plot gëzim, /…/ E bukur është jeta, / Edhe atëherë kur tërmetet  shpirtin ta copëtojnë / Kur tretet dashuria rrugëve pa emra / E të shuhet Ylberi në duar, / Kur ti shkrehesh e shkrehesh në vaj e pikëllim /…/ E bukur është jeta / Edhe ku ka gaz / Dhembje e lot” (“Jeta”, f. 129 -130).N. Ukaj, në poezinë e tij shpreh dashurinë ndaj gruas së jetës, emrin e së cilës e përmend konkretisht. Poeti jep këtu portretin e femrës,  ndjenjat e fuqishme që zgjon ajo në shpirtin e poetit, situatat e përjetimeve dashurore, shpesh erotike,dashurinë si kuptimin dhe forcën e frymëzimit të jetës (”Të dashurosh është akti i shenjtërisë tokësore /Dhe vityti i vetëm për të jetuar / Me ty mbushet një det mall”(“Një det mall”, f. 124).Në vargjet e dashurisë së këtij poeti, ku jo pak ndihet fryma biblike, është po ashtu femra ajo që frymëzon meditimet e fjalën poetike të poetit për jetën,historinë, moralin, filozofinë etj.
Si edhe poetët e shumtë shqiptarë e botërorë, edhe N. Ukaj, në poezinë e tij paraqet edhe çështjet e ndryshme që kanë të bëjnë me poezinë, duke filluar nga çështja e frymëzimit deri tek çështja e vlerës së saj shoqërore. Poezia ka origjinë hyjnore,sipas poetit (”unë në këtë kohë kur ushqehem me helm / Ditën, natën, e mbys me tënden dashuri / Hyjnorja poezi”, (Motiv i ri”, f. 99). Ajo identifikohet me vetë jetën, fillimin dhe pafundësinë e saj  (“në fillim ishte fjala”, “Kënga e dritës”,f.35 ; ”Me folë domethënë me jetue” , “Dialog”, f. 83); është bukuria e jetës (“Kur them e bukur është jeta, / Mes ideve të mia tinëz hyn poezia” (poezia: “Jeta”, f.129); forca për të përballuar e kaluar të keqen dhe vuajtjen (“Poezia është terapi”,“Poezia është shpëtim / klithmë e ëmbël me gëzim” (“Poezia”, f. 139) etj.
Kemi kështu, ndër të tjera, edhe dijen dhe vetëdijen e poetit për poezinë, por të shprehur mjeshtërisht nëpërmjet gjuhës poetike.E gjithë poezia e N. Ukajt krijohet si përpjekje e poetit për të lartësuar artin poetik, për të shtrirë mbretërinë e artit, për ta krijuar e kuptuar poezinë si kundërvënie ndaj të këqijave e absurdeve të jetës.Jeta, dashuria dhe poezia identifikohen aq shumë në poezinë e këtij poeti sa,shpesh, vargjet për njërën rrjedhin natyrshëm si vargje për tjetrën.Poezitë e veprës Ujëvarat…, janë poezi të meditimeve të thella dhe të ideve të
rëndësishme për jetën, historinë, aktualitetin, filozofinë, religjionin, letërsinë,dashurinë, moralin etj., sikundër edhe poezi të mesazheve të rëndësishme që i drejtohen individit, qenies kombëtare dhe mbarë njerëzimit. Veçanti e shprehjes së fuqishme.Poezia e N. Ukajt është e pasur me ndjenjat e fuqishme dhe mendimet e thella, por edhe me elemente epike, të cilat, përgjithësisht, kanë kushtëzuar gjatësinë e vargjeve dhe të poezive.Gjuha e kësaj poezie është gjuhë e pasur dhe substanciale, fjalët e së cilës,ngjashëm me gjuhën e Gj. Fishtës, janë të ngarkuara me ndjenja e mendime.Për shprehjen e botës së pasur e të fuqishme subjektive autori ka përdorur figurat e ndryshme stilstike, të cilat për veçantinë e krijimit dhe forcën e tyre shprehëse,shquhen sidomos metaforat, simbolet, krahasimet, hiperbolat, ironia, epitetet,sinestezia, oksimoroni etj. Shprehja e erudicionit të poetit, pra edhe shtresa diturore e kësaj poezie, është e shoqëruar edhe me përdorimin e nocioneve të ndryshme, siç shihet që në titullin e veprës, dukuri, e cila nuk ka cenuar shprehjen dhe vlerën artistik të saj, duke u integruar suksesshëm në kuadër të kërkesave të tyre.

POEZI E DHIMBJES DHE E ZHGËNJIMIT


kopertinaELEGJIPERLOTINNga: Muhamet  ROGOVA
Ilir Hajdari si pa trokitur hyri në letërsinë shqipe me përmbledhjen e tij të parë poetike të titulluar “Elegji për lotin”, një përmbledhje modeste me 55 poezi e botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë më 2008. Poezitë në këtë përmbledhje, poeti, sipas tematikës, i ndanë në pesë cikle apo çerthuj poetik. Sipas titujve me të cilat i emërton këta cikle poezishë, nuk është vështirë për t’u kuptuar brenga e thellë që përjeton poeti, vuajtje e thellë shpirtërore, jo vetëm personale por një vuajtje kolektive e përjetuar nga një popull i tërë. Shtrirja kohore e ngjarjeve dhe motiveve që trajton poeti është mjaft e gjatë. Aty përfshihet periudha e pushtimit, ekzili dhe periudha e pas luftës.
Ndonëse poeti për nga pamja duket një djalë i qetë, modest, fjalëpaktë e i heshtur, por ka një shpirtë të trazuar e plot dallgë ashtu si vërehet në vargjet e poezive të kësaj përmbledhje.Me këtë përmbledhje poezishë Ilir Hajdari na vjen si një poet i formuar me individualitet krijues pa rënë nën ndikimin e poetëve të tjerë dhe dallohet për origjinalitetin e tij krijues. Poetin nuk e preokupon aq shumë forma e jashtme apo gdhendja dhe skalitja e vargut për të krijuar poezi të bukura si një vazo me lule, por më tepër poezia i shërben poetit për të shprehur dufin dhe brengën shpirtërore dhe përpiqet për ta paraqitur pezmin e thellë të tij për jetën dhe realitetin e hidhur që ka kaluar dhe po kalon populli ynë.Këtë mendim, poeti përpiqet ta përligj përmes vargjeve në poezinë “Biografia e turpit”. Nëse pjesa dërmuese e poetëve thërrasin muzën për t’ua dhënë frymëzimin për të shkruar poezi të bukura e të frymëzuara, poeti Hajdari e ndëshkon dhe e dëbon muzën ashtu si shprehet:
 E ke rrahur muzën
Kur e more penën
 Ngase poeti, gjatë rrugëtimit të tij poetic përherë është në kërkim të lirisë dhe njerëzores, por këto as nuk i pa e as nuk i gjeti askund, prandaj poeti bie në zhgënjim dhe zhytet në një pesimizëm të thellë pa e parë askund ndonjë rreze drite apo ndonjë rreze shprese.Këtë përmbledhje poezishë, autori e titulloi “Elegji për lotin”. Titull mjaft simbolik që në një farë mënyre paraqet tematikën e poezive që trajtohen në këtë përmbledhje. Autori, dhembjen personale përpiqet ta shtrijë në një dhembje kolektive dhe si shkaktar i kësaj dhembje ishte fati historic që neve si popull na ra shorti të kemi mbi kokë e mbi kurriz një pushtues barbar e gjakpirës dhe si rrjedhojë e atij pushtimi, jeta për popullin tonë ishte bërë një ferr i vërtetë.Që në poezinë e parë të kësaj përmbledhje, “Dorëshkrimet fjalëpaka” me të cilën e fillon këtë përmbledhje e që i shërben si prolog, hasim në një atmosferë të rëndë e trishtuese që paralajmëron se edhe poezitë vijuese do të kenë përmbajtje të ngjajshme:
 Errësirë e dehur
Sundon
Duke shkuar nga poezia në poezi hasim të njëjtën atmosferë. Egërsia e pushtuesit kishte kaluar çdo kufi. Ata përpiqeshin të ndrydhnin çdo ndjenjë njerëzore e kombëtare, por edhe çdo mendim të lirë, për të krijuar një masë amorfe pa formë e pa trajtë. Çdo gjë shqiptare ishte e ndaluar dhe përpiqeshin ta stërkeqnin deri në absurd:
 Fjalës ia lëshuan ndryshkun
Gjuhës qumështin e helmuar
 Nga pasha e rëndë e atij pushtimi barbar, poeti, ashtu si edhe një pjesë e popullit tonë, të ndrydhur ishin mbyllë në vetvete, as merr e as jep dhe me një indiferentizëm të tillë shprehej mospajtimi me regjimin dhe kjo kuptohej si rezistencë. Këtë mendim poeti e shpreh në poezinë “Lirisë iu bëra mburojë”. Por se në çfarë shkalle kishte mbërritur pasha e atij pushtimi, poeti e shpreh edhe në poezinë “Barkut të jetës” kun ë çdo rrugë e skutë nuk shihje asgjë të mirë veç se: “Tanksa. Plumba/ Helm/ gjarpërojnë. Duan/ t’ia zënë frymën/ e t’ia thithin gjakun/ jetës”.Se në çfarë shkalle kishte arritur absurdi i pushtetmbajtësve të asaj kohe tregon edhe poezia “A të kujtohet profesor” ku një popull i tërë ishte shpallur popull i ndaluar dhe jashtinstitucional, duke i mbyllur jo vetëm fabrikat përmes të cilave siguroheshin të ardhurat për popullsinë, por i mbyllën edhe shkollat për ta zhytur popullin tonë në errësirë dhe për ta bërë të pamundur zhvillimin e jetës për popullin shqiptar në këtë hapësirë, në tokat tona stërgjyshore. Por, megjithatë populli e gjeti formën e vetorganizimit të shkollave nëpër shtëpi private e nëpër bodrume për ta shpërndarë dritën e diturisë. Se në çfarë rrethanash e në çfarë atmosphere zhvillohej mësimi nëpër ato shkolla të improvizuara, përherë të përndjekur mbase edhe të maltretuar, si nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit, por megjithatë edhe në ato kushte të pakushte, mësimi vazhdonte: “A të kujtohet/ kur pizgauerët/ gumëzhinin rrugëve/ e ne nën dritën e qirinjëve/ shkruanim hartimin/ për lirinë?”.
Tania to kohë kanë mbetur një kujtim i hidhur dhe shërbenjnë për t’iu kujtuar brezave të rinjë rrethanat në të cilat ky popull është përpjekur për ta mbajtur gjallë qenjen e tij kombëtare.Poeti, përmes poezive të tij shkon rradhë – rradhë në mënyrë kronologjike për të paraqitur rrjedhën e ngjarjeve. Fillimin e luftës dhe masakrimin e popullsisë së pafajshme, me të vetmin faj se ishin shqiptar, poeti e përjeton shumë rëndë. Para tmerreve dhe masakrave që shkaktonte kuçedra e karpateve mbi popullin tonë, poeti ndjehet i pafuqishëm, por ndienë dhembje që i kalon caqet e një dhembje të zakonshme. Në poezinë “Horizonte të bardha” që ia kushton masakrës së Reçakut shprehet”
 Qava me pika shpirti
Dënesa me dammar zemre
 Poeti tregohet i sinqert me veten e tij dhe tregon se nuk arriti të dalë përtej dhembjes për ta kthyer atë në forcë e kushtrim për hakmarrje, por rrin e dëgjon: “Refrenin e qyqes/ në luginën/ e shpresës së madhe”.Dhuna që zbatohej mbi popullin tonë i kishte rrënjtë e thella. Një dhunë e tillë ishte zbatuar edhe mbi familjen e poetit, kur i kishin masakruar gjyshin dhe axhën e tij, duke iu humbur edhe varreth edhe gjurmët, kurse babi i poetit kishte ardhur në këtë botë të përciellë me tmerre pasi babain e tij e kishin masakruar. Pra tmerret në atë familje si edhe te një pjesë e popullit tonë ishin përciellë nga brezi në brez. Por një ditë mbushet kupa e durimit dhe rinia rroku armët e doli në mal për të treguar se ky popull ende nuk ka vdekur por ka djem që dinë t’i dalin zot e t’ia kthejnë dinjitetin vendit e popullit të tyre.Në poezinë “U bëre atdhe” që ia kushton shokut, mikut dhe bashkëvendasit të tij Ilir Hoxhës, poeti, krahas dhembjes që shpreh për humbjen e shokut të tij, shpreh edhe krenarinë që kishte një shok të tillë trim e guximtar, të urtë, të menqur dhe atdhetar që i la bankat e shkollës dhe lapsin e ndërroi me pushkën se siç thoshte ai “Në këto kohë çdo gjë e ka humbur kuptimin përveç pushkës” se kupa ishte mbushur e më nuk durohej. Prandaj doli për t’i dalë zot atdheut në ato caste të vështira për t’ia sjellë këtij populli të shumëvuajtur lirinë, atë liri të ëndërruar gjatë shekujve. Ai ran ë altarin e lirisë, por varri i tij u mbulua me lavdi. Poeti me modesti e akuzon vetveten që nuk e pati atë guxim për t’iu bashkuar shokëve të tij në rrugën e lirisë, ku shprehet:
 Të kam zili
Miku im Ilir
Ti u bëre atdhe
Unë gur varri
 Poeti me butësinë e tij shpirtërore përulet para guximit dhe heroizmit të shokut të tij dhe sa shumë i lakmon atij që e mbylli jetën me nder, kurse veten e konsideron si qenje të mjerë që nuk e pat guximin për t’i qëndruar praën shokut të tij, por iu bashkua turmës për të kërkuar strehim në ekzil.Ekzili tani është një temë tjetër që e trejton poeti në poezitë e tij. Paraqet atë tmerrin biblik që përjetoi populli ynë në kapërcyell të këtij mileniumi. Përmes vargjeve shumë prekëse na qon në atë atmosferë të dhembshme e që do të mbetet në kujtesën e popullit si një kujtim i hidhur: “Qyteti i mërrolur/ po i tmerrohet ikjes/ së dhunshme”. Kurse në poezinë “Atdhe, tradhtia ime e parë” poeti e akuzon vetvetn që në ato caste të rënda, në vend se t’i rrokë armët e t’i bashkohet shokëve të tij në male, atje ku kriste pushka e provohej burrëria, mori rrugën e ikjes, përtej maleve e përtej tmerrit dhe me një lloj pendese përpiqet të arsyetohet: “Atdhe të tradhtova/ u largova dhunshëm”.Tmerri i të dëbuarve ishte i paskajtë. Iknin prej dhunës, duke lënë prapa shtëpi e katandi, të afërmit e njerëzit e tyre, të vrarë dhe të masakruarit, nën tytat e armëve e nën kërbaq, të shajtur e të poshtruar, pa ditur se ku po shkojnë, çfarë i priste atje dhe pa e ditur se a mund të ktheheshin ndonjëherë në vendin dhe në vatrat e tyre: “Kortezhi i ikjes/ po e derdh shpirtin/ e ngrirë/ rrugës së panjohur…”
Në kronologjinë e paraqitjes së ngjarjeve nëpër poezitë e tij, poeti paraqet gëzimin e papërshkruar të refugjatëve kosovar, kur marrin lajmin se erdhi liria dhe presin me gëzim marathonomakun e tyre. Në poezinë “Rruga e kthimit” poeti shprehet: “Të erdha atdhe/ me ty në zemër”. Gëzimi për ta parë Kosovën e lirë, pas atij tmerri që e kishte përjetuar ky popull, ishte i jashtëzakonshëm. Që në ditët e para filloi kthimi i të larguarve me shpresën e madhe se tani vendin e tyre të lirë do ta shihnin të realizuar ëndrrën e tyre shekullore dhe do ta thithnin ajrin e pastër të lirisë. Në poezinë “Buzëqeshje e lirë” poeti shprehet: “Lotin tënd/ ta vendosësh në muze/ e të më buzëqeshësh/ për të parën herë/ në liri” se për poetin ato tmerre dhe vuajtje duhej t’i takonin të kaluarës e që nuk duhej të ktheheshin kurrë. Prandaj e kaluara e ka vendin në muze për t’iu shërbyer brezave që vijnë vetëm si një kujtim i një të kaluare të largët me të cilat do të merrej historia.Por ky gëzim nuk zgjati shumë se pas kthimit në vatrat e tyre, gjetën rrënime, djegie, varre të panumërta, por edhe të humbur për të cilët nuk dihej se nga i kishin tretur. Pas kthimit nga ekzili i mundimshëm mendonin se në vendin e tyre tani të lirë, do ta gjenin një atmosferë feste e gëzimi me lodra e me fishekzjarre, për lirinë që erdhi, për të cilën kishin pritur e luftuar për shekuj me radhë. Por vendin e gëzimit e zuri trishtimi. Qyteti ishte shndërruar në gërmadhë, rrugët e mbushura me shkrumbin e dyçaneve dhe shtëpive të djegura. Nëpër rrugët e qytetit e shihje varganin e nënave të veshura me të zeza që kërkonin bijtë e tyre të vrarë apo të tretur që as ato nuk dinin se ku. Dukej se qyteti ishte mbushur me hijet dhe fantazmat e të vdekurve që kërkonin një varr për prehje por nuk e gjenin askund. Në poezinë “Atdheu mezi buzëqeshte” poeti me dhembje shprehet:
 U kthyem
Për t’i kërkuar varret
Për t’iu gëzuar dhembjeve
 Ata nuk e gjetën atë liri çfarë e kishin ëndërruar. Poeti bie në zhgënjim dhe mbyllet në guackën e një pesimizmi të thellë për realitetin e hidhur që e rrethon. Në poezinë “Mos e shfleto emrin tim” poeti shprehet: “Ecjet u bënë pendesë/ deri në palcë/ dashuria u gërvisht”. Një mendim të tillë poeti e shpreh edhe në poezinë “Përditshmëri”: “Përditshmëria/ në kornizë/ gatitë mëngjese/ të hidhura”.Poeti këtë përmbledhje poezishë e përmbyll me poezinë “Kur të vdes”. Kjo poezi duket si një epilog i tërë mendimit të tij krijues e jetësor që përshkohet me tone të një pesimizmi të thelolë jo vetëm për jetën e tij, por për tërë këtë popull. Është thellësisht i zhgënjyer për këtë realitet të zymtë të krijuar te  ne, pa shpresë e pa perspektivë. Liria e ëndërruar nuk erdhi ashu si e kishte ëndërruar poeti, por erdhi një liri e përgjysmuar, përciell me varfëri e papunësi, shoqëri që udhëhiqet jo nga ligji por nga mafija ku i forti e bënë ligjin e vepron si t’i teket, ashtu si shprehet në një rast në poezinë e tij “Hakërrim” Ali Asllani, “Të pa brek i gjeti dreka, milionerë i zuri darka” dhe njerëz të tillë të babëzitur tallen me një popull të tërë. Njerëz të cilët e kanë kthyer atdheun në çiflig. Kjo kategori e njerëzve e kanë edhe përkrahjen e ndërkopmbëtarëve, të cilët na janë bërë zot në shtëpinë tonë. Shkelin parimet dhe premtimet e tyre për vetvendosje, e drejtë që i takon çdo populli në botë sipas parimeve të demokracisë universale. Poeti i indinjuar thellë nga ky realitet i hidhur, len testamentin e tij poetic dhe kërkon që “Kurt ë vdes/ varrin ma mbuloni/ me baltë e gur/ e ma rrafshoni/ që të mos dallohet kurrë” se nuk don të jetë dëshmitar i këtij realiteti as pas vdekjes. Por megjithatë ka një fije shprese se dikur në të ardhmen e largët do të vijë ajo liri e vërtetë kur poeti nuk do të jetë më në këtë botë, kërkon:
 Kur të vdes
Dërgomani një telegram
Atëherë kur liria
Të jetë liruar nga prangat
 Se ende qëndron si një kular mbi kokë Kosovës së “lirë” rezoluta 1244 dhe thonë se jemi të lirë. Prandaj zhgënjimi i poetit është shumë i thellë. Prandaj ai don të largohet pa lënë gjurmë nga kjo botë e qelbur. Ai nuk ka iluzione se në botën tjetër do ta gjejë më mirë. Duke e përjetuar ferrin e kësaj bote poeti ka një bindje se edhe në botën tjetër do ta prêt ferri, bile në fund të ferrit, praën luciferrit, praën liqenit të zjarrit. Ashtu si shprehej poeti I mjerimit, Migjeni “Pash më pash do t’i bie ferrit”, e që kjo Migjenit i del si një dëshirë, kurse Ilir Hajdari e paraqet veten të pozicionuar mirë në fund të ferrit, bile në atë më të vështirin. Për këtë e len edhe adresën në testamentin e tij.Ilir Hajdari, sipas përmbledhjes së këtyre poezive të përmbledhura në këtë vëllim, duket se është nisur për t’i kënduar lirisë. Nëpër këto poezi 17 herë e përdor fjalën LIRI. Por si duket veshtë nuk ia dëgjuan e sytë nuk Ia panë, se dikur ishte liri e ëndërruar, kurse sot koncepti liri për popullin tonë ka evoluar në liri të përgjysmuar apo të lidhur me pranga. Prandaj fund e krye këto poezi përshkohen me tone të zymta e të errëta. Duke i lexuar këto poezi të krijohet përshtypja se poeti po udhëton nëpër një natë të errët e i rrëmbyer nga kallakagjat që nuk sheh as rrugë e as shteg e nuk e pa një ditë të mirë, nuk e përjetoi një cast të gëzuar. Kjo kuptohet edhe prej fjalorit që përdor poeti gjatë hartimit të këtyre poezive. Një fjalor shumë të zymtë për të mos thënë edhe rrënqethës. Ja po i rendisim dhe po e shënojmë fjalorin që e përdor poeti në poezitë e tij: errësirë, ndryshk, helm, rënkim, gorilla, dhembje, psherëtimë, klithmë, burg, frikë, tanksa, gjarpërinjë, varr, lot, dhunë, gjak, futë, zi, plagë, vajtime, gjëmë, baltë, tmerr, përbindësh, holocaust, robëria, klithje, godasin, mistere, kamp, refugjat, vdiq, përvajshëm, ikje, çyrra, helm, nepërka, urrejtje, ego, mëkati, thinjur, zhgënjim, dënes, mallkim, udhëkryqe, mallëngjim, kafshim, pushkatim, i ngrirë, gjelozi, pendesë, gërvisht, lëndoi, grushti, godas, tradhti, përmbys, mëkatar, dyshim, kacafytje, prangat, luciferri, ferri etj.Krahas këtij fjalori të zymtë, të errtë e të trishtueshëm, poeti përdor edhe një seri togfjalsha që kanë pothuajse të njëjtën përmbajtje: ja zënë frymën, korb i zi, futë, shpirt i ngrirë, qytet i mërrolur, kortezhi i ikjes, ikje e dhunshme, gur varri, loti i kuq, e prenë në fyt, botë e fëlliqur, thith gjakun, mistere të trishta, pranga të ndryshkura, gjak zemre, heshtje e zezë, vdekje e hidhur etj.Ky fjalor i përdorur si lëndë për hartimin e poezive të këtij poeti, jep për të kuptuar se sa u zhgënjyer është poeti dhe sa thellë është zhytur në pesimizëm si asnjë poet deri tani.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...