2011-08-04

Cikël poetik nga Zyba Hysa



Zyba Hysen Hysa lindi në fshatin Kokrevë të rrethit Librazhd më, 26 qershor 1955. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas në Elbasan, ku në vitin 1974 merr diplomën e mësuesisë. Në 1979 mbaron kursin filozofik dhe më pas ushtron profesionin e mësuesisë në lëndën gjuhë shqipe, në fillim në Vulçan, Polis Gostimë të Librazhdit dhe që nga viti 1999 në Vlorë. Krahas punës së mësuesisë, që nuk u nda për asnjë çast, ajo ka qenë aktiviste e rinisë duke u zgjedhur deri në forumet më të larta. Së fundmi aderon në Shoqatën për Identitet dhe Bashkim Kombëtar (SHIBK) Në funksionin e kryetares së gruas. Në ditën e shpalljes së pavarësisë ajo ka dorëzuar flamurin për Bashkimin e Kombit te kulla e Jasharëve dhe bashkë me anëtarët e kësaj shoqate janë betuar se do të falin gjithçka për bashkimin e kombit shqiptar.Një komb, një shtet, një flamurë! Ka qenë bashkëpunëtore në revistën për fëmijë “Vala e kaltër”, Drejtuese e emisionit për fëmijë “Drita e diturisë”.

Krijimet e para poetike i ka botuar qysh në vitin 1972 në gazetën “Shkumbini” të Elbasanit. Më pas dërgon poemën “Me ju nuk jemi krushq” (viti 1978) në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në Tiranë, ku i vjen si përgjigje: “Kujdes, keni frymë moderniste në poezi!” Që atëherë poezia shkruhej natën dhe grisej ditën, përveç disa poezive për fëmijë, të cilat arshivoheshin në mendjet e nxënësve të saj.

Pas viteve nëntëdhjetë, filloi të shkruajë, por pa pasur shpresë se diça do të botonte, jo për shkak të diktaturës shtetërore, por për shkak të ekonomisë, se i duhej të rriste e të shkollonte katër fëmijë, të paktën ishte e lirë që të shkruante dhe t’i ruante, gjë që bëri të mundur botimin disa librave, kur u dha mundësia ekonomike. Kështu në vitin 2002 fillon botimet e para:
“Shkreptima Dhembjeje” (poezi) 2002
“Festa e Abetares” (poezi për fëmijë) 2002
“Erë Shqipërie” (poema) 2004
“Dritë në Llakatund” (poezi për fëmijë) 2005
“Kur Shpirti Vallzon” (monografi artistike) 2006
“Obelisku i Bektashizmit”    2007
“Sikur...” (poezi) 2009
“Nënë Engjëllore” (poemë) 2010
“Arb...” (roman) 2010
“Miset e Pyllit” (fabul) 2010
“Dritëhëna dhe Bubureza” (përrallë)

Janë në dorëshkrim:
Dy romane
Tri vëllime poetike
13 poema
10 libra me fabula dhe përralla për fëmijë
1 libër më gjëza dhe fjalë të mençura etj.

Një zemër që zemrës i flet

Të ka ndodhur me vetminë të rrish,
Të pranosh atë, aqsa shpesh e urren?
Je ndierë në mes të njerëzve si jetim?
Po, përmbi vale, ke provuar të kërcesh?
Të ka gëzuar si një pasuri,
Një diell mëngjezor në park?
Të ka ndodhur në dashuri,
Të jesh djegur në bubulak?
Thuamë, për çfarë të ka ngjarë,
Më e bukura bukuri në jetë,
Ta di, që në takimin e parë,
Të t‘i shprish, asgjë të mos mbesë!


Në tokë kishte zbritur Hëna…

Sonte,
Prushit i fryve me buzë,
Flakëruan thëngjinjtë himbuluar,
Që ditët,
Aqsa mijëra vite pritur,
Kishin strehuar në gji…
Ditë e net,
Takime imagjinare,
Më imagjinarë se imagjinata,
Por asnjë si takimi ynë,
Nën dritë neoni,
Në tokë,
Kishte zbritur Hëna...


Thesare…

Erdhe…
Ike…
Mbete,
Me një mbetje,
Më shumë se vetvetja…
E dua mbetjen tënde,
Aty ku e kam strehuar,
Çdo ditë i dërgoj,
Më të bukurat fjalë,
Më të magjishmet këngë,
I dërgoj puthje zjarr,
Puthje,
Që fikur dhe ndezur shpirtin mbajnë...
Shpirt të kam!
Ti nuk e kupton,
Shumë thesare më ke falur,
Thesare,
Që as Ali Pasha nuk i ka pasur fat,
Thesare vështrimi,
Thesare përqafimi,
Thesare puthje,
Thesare…
Thesare…
Thesare,
Që kurë s’i kam parë!


Fati

Të pashë,
Të njoha me shqisën e panjohur,
Doja të qëndroja gjatë,
Të kundroja nga larg,
Magjia mistike,
Më bëri të qesh,
Si miq që shiheshim pas vitesh…
Oh, ç’lumturi!
T’u derdha në qafë,
Për të shkarkuar mallin,
Që as vetë nuk e di si qe bërë mal,
U mbështeta tek ti,
Si kulpra mbi lis,
E mbeta aty…
O zot,
Sa shekuj kemi qënë larg,
Sa herë kemi vdekur
E sa herë kemi lindur,
Këtë cast për të pritur?!
Një cast, një jetë,
Një jetë, një cast,
Ky është fat!


O shpirt

Ku e kam parë këtë vështrim,
Që më duket se me të jam rritur?!
O shpirt,
Që shpirtin ma trazove,
Deri në grimcën më të vogël të grimcës,
O ëndërr,
Që ëndrrat m’i shtove
Edhe pse gjumi nuk më merr,
O jetë,
Që jetës m’i dhe shpresë,
Gaz, dritë,
Të shoh yjësitë!


Puthjet tua

U ça diga e mallit,
Puthjet vërshuan
Dhe mbytën shpirtin me kënaqësi…
Në agoni,
Përpëlitet shpirti,
Herë nxjerr kokën e merr frymë,
Herë zhytet në të rrëmbyerin lumë…


Eh, lumturi, lumturi

Nuk janë vitet ato,
Që sjellin lumturinë,
Është misteri i një çasti,
Duke e pritur,
Pa ditur se një ditë do të vijë,
Është vështrimi i syve,
Që edhe ngjyrën nuk e dimë,
Është përqafimi,
Me kokë mbështetur mbi gjoks,
Në atë gjoks,
Që të ndjell aroma e tij,
E ti nuk e ke ditur që ekziston…
Eh, lumturi, lumturi...
Vjen si vetëtimë,
Ikën si era me shi shtrëngatë,
Duke lënë pas katastrofën!


Orgazma shpirti

Që sot i kam telefonuar vetmisë,
Që ajo të mos mendojë se e kam harruar,
Por ajo telefonin fik,
Ndaj po të thërras, mos ik!
Eja, pra, eja të rrimë bashkë,
Të shihemi,
Sa për gjithë ditët,
Që vetmia do na bëjë shoqëri,
Të përqafohemi,
Që duart t’i ndjejmë edhe në largësi,
Të puthemi,
Që puthjen buzët ta mbajnë në buzë,
Si këngën tonë të preferuar,
Që pëshpërisim çdo cast…
Kaq na mjafton,
Poetët provojnë orgazma shpirti,
Që askush,
Nuk ka fatin t’i shijojë…


Zemër e çmendur

Zemra është çmendur,
Si një zog,
Që e mbyllin për herë të parë në kafaz,
Përplas kokën, sa në një anë,
Në anën tjetër të krahërorit,
Unë i shtoj rrjetën,
Ajo tërbohet më shumë,
Ç’të bëj unë?!


Aritmia e zemrës

Ka ditë,
Që edhe rakija,
Nuk po e qetëson aritminë zemrës,
Ajo nxiton,
Sikur dikush po kanos zemrën e saj...
Zemra ka zemër,
Një zemër që rregollon pulsin,
Një zemër që e ushqen me pigment jete,
Një zemër,
Që vetë zemrës i fal jetë!


Zemrat

Udhën marrin për tek një strehë,
Një strehë, që as vetë se njohim,
Ikin symbullurazi, si nëpër re,
Zemrat rrezikun kurrë s’e shohin!

Zemra njerëzore është bujare,
Plot dhomëza ndarë per miqësinë,
Dhomëza për zemër s’ka dritare,
Për portë e kyç ka dashurinë!


Istrumenti i shpirtit

Të kam thënë: jetoj me këngën,
E pse fjalët shpesh nuk ua di,
Ato ndezin dhe zgjojnë zemrën,
Me më të bukurat melodi.

Ne, poetët, ndryshe dëgjojmë,
Thellë shpirti si një istrument,
Feshfërimën di të kompozojë,
Kur jehona vjen nga tjetërkënd!


Grackë e mbuluar me hi

Si do duroj të vijë agimi,
Me pritjen është shumë larg,
I acartë, i egër thëllimi,
Në shpirtin e ndezur zjarr...!

O dashuri, o zjarr hyjnor,
Që ngroh e djeg njëherësh,
Mendojmë se të kami në dorë,
E grepin s’mund të hedhësh...

Ku ta dija që poshtë zemrës,
Një grackë mbuluar me hi,
Përgjëruar i rrika femrës,
Një fjalë, shikim i sjell robëri...


Hëna erdhi shkesë

Kisha kohë,
Që shpirtin, si satelit,
E kisha lëshuar në hapësirë,
Për t’u menduar mirë...
Me sytë e tij valor,
Të dalloi që nga hëna,
Ndaj ajo,
Tek ti erdhi shkesë
Dhe ëndrrën ta çoi,
Nënkresë…

Hënën e ftuam,
Natën e parë të dashurisë,
Nga gëzimi,
Gjithë yjësitë hënën rrethuan,
Vallen morën hyjnitë...
A, ka dasmë më dasmë se jona,
Ku hëna rrethuar me yje,
Mbyll sytë nga kënaqësia
Dhe për herë të parë si dasmorë,
Hyjnitë?!
Shiko i dashur, ngjajmë shumë,
Vështrimet tona,
Që në çastin e parë,
U dashuruan,
Përqafimin e ndollëm me forcën
E pashpallur të zemrës,
Puthjet... puthjet,
Si vallë kishin duruar zjarrminë e viteve,
U desh që puthja të puthte,
Puthjet e paputhura,
Puthjet e humbura
Dhe përsëri ndjenim zjarrmi…

Edhe fjalët,
Njësoj i kemi,
Edhe vargjet,
Dhuratë nga shpirti vijnë…

Dasma sapo ka mbaruar,
Nga tempulli i shenjtë i hënës,
Pranë e pranë,
Çift më i dashuruar,
S’është parë,
Ç’dasmë e bardhë!
Tani kemi muajin e mjaltit,
Mos humbasim kohë,
Të mbledhim më shumë nektar,
Ta kemi për dimrin e gjatë,
Gjer të vijë behari prapë!

Në gjithë ditët hënën dhe yjet,
I dua pranë,
Hyjnitë vallëzimin të mos e pushojnë,
Gjer ti të kesh ikur emigrant,
Atëherë vallëzimi do të mbarojë,
Hyjnitë,
Gati për fluturim,
Me ty të udhëtojnë,
Të rrinë përherë pranë,
Të të mbrojnë,
Të të kujtojnë,
Të ruajnë nga e liga,
Të bëjnë shoqëri,
Gjer të vish përsëri…


Mos pyet për nesër…

Mos pyet,
Se çfarë kohe do të jetë nesër,
Dhe parashikuesi më i zoti,
Mund të gabojë…
Eja,
Nën rrezatim diellor,
Që Zoti na ka dhuruar sot,
Sa më shumë të rrimë,
Të bëhemi më të fortë,
Të durojmë
Dhe ditë dimri të ftohtë…


Më puth mua

Më puth,
Më puth gjatë,
Aqsa shpirtin,
Të ma nxjerrësh nga humnera,
Pak nga pak…
Më puth përsëri,
Gjer shpirtirat tanë,
Të kthehen hyjni,
Valët e tyre mistike të përzihen,
Për përjetësi…
Më puth… më puth,
Më puth mua,
Të dua!


Krahëhapur më prite

Nuk më ka ndodhur,
Të hidhem më qafë dikujt,
Si një pemë e prerë duke u rrëzuar…
Ty,
Nuk të mundi pesha ime,
Krahëhapur më prite,
Tani nuk kam faj,
Aty më mbaj!


Mos u beto

I urrej njerëzit,
Që betohen për dashuri të përjetshme,
Dhe harrojnë të dashurojnë…
Stinët bëjnë të tyren,
Jeto njëherë të parën stinë,
Të tjerat vijnë…


Mendimi i zemrës

Kisha kohë,
Që zemrën,
E pyesja për shpirtin…
Përmes rrahjeve të përgjumura,
Nuk po e shprehte dot mendimin…
Në boshësinë,
E pakuptuar të shpirtit,
Hyre pa trokitur...
Trokitja jote,
E zgjoi nga përhumbja,
Zemra në këmbë u ngrit,
Të priti si mik…
U ndez zjarri,
Dhe zemra gatoi,
E të gostiti me mjaltin e saj,
Udhën drejt shpirtit ndriçoi…


Dashuria është si Zoti

Pak rëndësi ka,
Në pranë,
Apo larg e ke dashurinë,
Ajo është si Zoti,
Kur e kërkon,
Pranë i ndjen magjinë!


Shqisat e poetëve

Poetët flasin me shqisat e tyre,
Me hapin e imagjinatës,
Kalojnë përtej kufive njerëzorë,
Takojnë poetë të vdekur dhe të gjallë,
Takojnë,
Kohë që ka kaluar shekuj më parë,
E kohë,
Që shekuj duan për të ardhë…


Kam mall

Kam mall,
Një mall,
Që as vetë nuk di ta peshoj
Dhe nuk di si ta shkarkoj nga shpirti...
Nuk kuptoj,
Si, vallë me pushtoi pa e ndierë?!
Nuk kuptoj,
Përse mall dhe ankth përzier?!
Nuk di, nuk di, nuk di...
Kujtoja,
Se jeta diku mbaron pa mbaruar,
Se shija e saj,
Shijohet një herë
Dhe nuk besoja,
Se do provoja shije të pashijuar...

O zot,
Sa keq jam gjendur,
Si vallë të gjej një derë të dal?!
Muk shoh,
Nuk ndjej,
Nuk jetoj,
S'di si, s'di, si ndodhi kështu?!
Ndihmomë,
Tregomë një udhë të dal përsëri,
Nga ku kam hyrë pa dashje!
A do të mund të dal,
Apo pesha do me cojë në varr?!
Më jep një dorë,
Duke më qëlluar fort,
Të zgjohem,
Të cel sytë,
Të shoh pak dritë...
Më thuaj një fjalë,
Të rëndë aqsa malli,
Që mallin ta shemb,
Të shpëtoj shpirtin e robëruar,
Të marr pak frymë,
Aqsa për të mbijetuar...


Ndjej prekjen përmes ajrit

Në rrotullimin,
E vallëzimit tonë,
Që kurrë nuk kërcyem,
Ndjej prekjen tënde përmes ajrit,
Që ngado më përkëdhel...
Ik, tani,
Ikjen tënde ta dua,
Se ti edhe në vallëzimin e pakërcyer,
Ke mbetur...


Në dashurinë, s’ka trimëri

Kam ditë që them: “Jam trime”!
Dhe zemrën e përkund si për gjumë,
Ç’po ndodh sot me gjithë qenien time,
Që dridhet si purteka nën ujë?!

Mos vallë rënkimat e zemrës suaj,
Përmes valëve mistike fluturim,
Goditën zemrën time dhe e zgjuan,
Qan e thërret… s’ka shpërtim…


O gjarpër strehuar në gji

Fajtoren zemër, pyes për fajtorin…
Më në fund zemrën rëndë e dënoj,
Dua me thonj të shqyej krahërorin,
Thërrmia – thërrmia atë ta copëtoj!

Zemra s’është thjesht një copë mishi,
Plot gjak, po e preke shpirtin gjakos,
O Zot, përse zemra kurrë nuk diti,
Të pyes mirë veten, se kë strehon!

Pulsimi i pandashën i pulsit të saj,
Me ritëm tik…tak, thith e shpërndan,
Valë mistike që vijnë nga larg,
Pa ditur se vetvetes i ka hapur varr…

O zemër, o gjarpër strehuar në gji,
Kur ngrin e dridhesh prej ankthit acar,
Liri të jap të gjesh pak ngrohtësi,
Po, nga ngrohtësia si gjarpëri më ha…

Sa keq ndërtuar me veten jemi,
Vetvetes të mos i zëshë besë,
Vetveten armike e pse e kemi
Lotojmë për të, se më vjen keq!


JETA DHELPER

Kam shkruar për jetën dhelpër
Nëpër udhë endacake ndjell,
Për të kërkuar dashurinë e vjetër
Dhe ëndrrat në gjumë i vjedh…

Ecim me zemër në dorë,
Papritur shkasim veri,
Zemra si një top me borë
Rrokullimën merr n'arrati….

Ngrihemi, por ç'të shohim,
Një dorë, dy zemra në dorë,
Përpiqemi tonën ta njohim,
Padashje i ngatërrojmë...

Eh, kjo jetë, qenka dhelpër,
Mashtruese në udhën tonë,
Kërkojmë dashurinë e vjetër,
Një tjetër ajo na e ofron!


Mik dhe me djallin

Me çfarë të mas mallin?
Me çfarë të shuaj zjarrin?
S’di kujt t’i qaj hallin,
Për ty, mik dua dhe djallin!

T’i them, për peshën në zemër,
T’i them, sa fatlum që je ti,
T’i them, sa vuan një femër,
Kur dashuron me vërtetësi!

Kaq peshë e pamatur rëndon,
Sa dua, o djall të jem si ti,
Mbi vete peshë jo, nuk mban,
S’dua të ngarkoj tjetër, gjithësesi.

O ëngjëll, o ndjenjë djallëzore,
Që ëmbël – ëmbël futesh në gji,
Mos djalli të merr për dore,
Duke mbuluar djallëzite me dritë?!


Ty, po të pret

Ku je, o shpend i bardhë,
Pulëbardha mbi det, nën det,
Përpëlitet, këlthet si e marrë,
Veç ty, veç ty, po të pret!


Mendoja...

Mendoja,
Se i kisha thënë,
Të gjitha fjalët,
Që shporta magjike,
Ruante për dashurinë...
Mendoja,
Se kishin mbaruar vargjet,
E lirikave dashurore,
Mendoja,
Se shpirti s’kishte më,
Strehëz për zemër...
Mendoja... mendoja...
Por gaboja!

Ti,
Erdhe me borçën e fjalëve,
Të pa thëna,
Ti erdhe,
Siç vjen vetë poezia,
Nga misteri i mistertë,
Erdhe,
Me muzën për dore,
Plot vargje flladike,
Për këngë mitike...
Ti erdhe pa trokitur,
Hape derëparajsën,
Që shpirti,
Ma kishte fshehur,
Edhe mua...


O zemër, o mendje...

Pse nuk plas, moj zemër?!
Pse nuk u bëre një herë trime?!
Pse më tërmetos,
Edhe kur shpirti ka gaz?!
Pse? Pse? Pse?
Kush të vuri këtë emër,
Me mendjen përherë shemër?!


Dashuri është rrëfim

Në dashuri,
Nuk ka hetim,
Vetë dashuria,
Është rrëfim...!


Si zjarr bubulak

Nuk di në fle tani,
Ndjejn prekjen time të mëndafshtë,
Mbi flokë?
Po zjarri,
Që ndeza në gji,
Është bërë bubulak?
Zgjohu, shpirti im,
Ai bubulak,
Më përflak
Edhe nga largësia...


Shpirtrat kërkonin zemrat

Mijëra vjet,
Shpirtrat tanë jashtëtruporë,
Në hapësirën e pa fundme,
Bashkë do të kenë qenë...
Trupat tanë i burgosën,
Ata si në një luftë trup me trup,
Zhvilluan beteja,
Për të qenë të lirë,
I kishte marrë malli,
Për fluturim në hapësirë...

Për herë të parë,
Trupat tanë u treguan të mirë,
U dhanë fletë – leje,
Të takonin hënën,
Sikur edhe pas reve
E nuk kishte se si,
Shpirtrat tanë,
Të mos binin në dashuri:
Shpirtra lëndinë,
Shpirtra bujarë,
Të dy  magjepsur,
Me lirinë...

Hëna mësoi të flasë,
Me gjuhën e dashurisë,
Mësoi të thurte edhe kurorë,
Mes yjesh bëri dasmë,
Me hyjnitë dasmorë...

Trupave tanë tokësorë,
Flatra u dolën në krahë,
Të kapur dorë për dorë,
Fluturuan në hapësirë,
Si nuk kishin fluturuar më parë,
Në dasmë i kishte ftuar Hëna,
Shpirtrat,
Kërkonin zemrat!




PËR LIBRIN LIS I VETËM NË FUSHË TË REXHEP SHAHUT




Këtë qershor, doli në qarkullim libri më i ri i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu, Lis i vetëm në fushë, vëllim me poezi, mjaft cilësor si nga përmbajtja ashtu edhe nga paraqitja e botimit. Ky është libri i gjashtë i këtij autori, 3 libra poetikë dhe 3 publicistikë.

Në 122 poezitë e këtij vëllimi poetik poeti Rexhep Shahu vazhdon të jetë në shtratin e krijimtarisë së tij poetike : poet i tragjizmit, i revoltës së fortë, i vëzhgimeve të thella.

Për ta përshkruar më mirë poezinë e këtij poeti e gazetari të angazhuar, vlen të lexojmë minibiografinë e tij letrare të botuar në kopertinën e librit Lis i vetem në fushë.

Biografia letrare e Rexhep Shahut :

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 ne Lume. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”,  revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej pesë vitesh edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë.

Rexhep Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë tretur shpateve te fëmijërisë si larat e dëborës. Vijat e fatit shpeshherë trazohen në përngjasim me relievin e përthyer të Bardhocit të Kukësit, fshatit të tij të lindjes, njërit prej fshatrave të Lumës, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Veç librit “Lis i Vetëm në Fushë”,  ky autor ka botuar edhe pesë libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006.

Redaktori i librit, poeti dhe gazetari Izet Duraku, ka bërë këtë shënim :

“Një mal dhimbjesh të ndritshme, larë në argjendin e hënës, ku nuk shqiten mjegullat, s’reshtin shirat, e, rrallë, tepër rrallë, mbase në një skaj ëndrre, shfaqet dielli. Përse iu dashka kjo natë e natuar botës? A thua do të mbërrijmë në bregun e lakmuar ku së paku me veten të jemi vetvetja?
“Lis i Vetëm në Fushë” i Rexhep Shahut ndryn burime të kthjellta poetike, por rrjedhat e pakta, përmes botimesh të pakta, herë pas here bëjnë të mos e ndjesh mrekullinë e shijes që në hurbën e parë. Të thëna nën zë, mbase për të mos e provuar kurrë syrin e vrazhdë të dritës, në të ndihet si një pelin e pezm i tepruar. Pamjet apokaliptike, kundruar me një qetësi të admirueshme, mund të shihen vetëm përmes poezisë”.

Për poezinë e Rexhep Shahu, poeti, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur Sadik Bejko është shprehur:

“Njeriu i dyzuar që vuan, që shpreh pikërisht hendekun midis vetes e vetvetes, që e bën njeriun – veten e tij, një tjetër dhe pastaj si në një operacion fillon dhe e copëzon më tej atë. Ka gjë më të dhimbshme, tragjike? Ato që duan të pikëllohen, tu them unë, lexoni Rexhepin? Ndoshta të tjerët pëlqejnë gjëra të tjera, më të bukura, tek ai, fjalën e mirë, të saktë, harmoninë e vargut, të figurës…

Por nëse vetmia është përsonale dhe tëhuajëzimi mbetet i huaj në një shoqëri të caktuar, ndonjëherë merr edhe përmasa kombëtare. Rexhep Shahu do të hedhë ura midis kufijve, ura midis vetmive, ura midis njerzve…”.

Nuk mungojnë edhe vlerësimet e poetit të njohur shqiptar Aqif Hysa që është në emigrim. Ai shprehet për librin e Rexhep Shahut si më poshtë :

Dashuria lind në një vend e në një moment e humbet në pafundësi… Por poezia jo. Ajo lind në një vend e në nje moment e jo vetëm që nuk vdes, por s’le të vdesin as vendin e as momentin që i nxori në dritë. Se vendi dhe momenti, por dhe poeti bashkë me ta, janë fiksuar në celuloidin e fjalës; tinguj e ngjyra, feshfëritje e pëshpëritje e mahitje e mahnitje, të filtruara nëpërmjet vetvetës. Kjo është përshtypja ime nga leximi i poezisë së Rexhep Shahut. Ka shumë rrugë e levizje në poezinë e tij, ka shumë ecje . Ecje me këmbë mbi të gjitha. Aq sa shpeshherë të ngjet se ecën këmbëzbathur, si për ta prekur më mirë tokën, si për ta prekur më mirë erën, si për të treguar se ecja e poetit drejt mbërritjes është kaq e përjetuar dhe e vertetë, aq sa ç’janë të vërteta dhe rrugët që ai ka përshkuar, përshkon e do të përshkojë… Gjithnjë drejtë majës së parabolës së tij poetike.

Mbresëlënëse është vlerësimi i poetit të mirënjohur të letrave shqipe Xhevahir Spahiu, për Rexhep Shahun dhe poezinë e tij:

“Rexhep Shahu është një poet i vertetë. Ka një ndjeshmëri, ku tragjizmi vetiak bashkohet me tragjizmin e përgjithshëm të shqiptarëve. Ai beson se njeriu mund ta jetojë jetën dhe lirinë e tij duke u mirëkuptuar me njerzit, malet dhe universin. Ai jeton nën hijen e Pikëllimës. Fati i këtij mali është edhe fati i tij. Të dy bashkë hedhin sytë në largësi për të gjetur një shteg drite”.

Ndërsa më gjërë për këtë poet dhe poezinë e tij është shprehur shkrimtari i njohur Faruk Myrtaj i cili e gjen të veçantë në shumë aspekte poezinë e Rexhep Shahut:

“Në të gjitha kohët, fati i autorit dhe fati i poezisë së tij, janë gjëra të ndryshme në jetë. Migjeni, ndër të fundit (!), e ka shpallur mrekullueshëm, madje ca vulgarisht : Sokrat i vuajtun, a derr i kënaqun…?! Është tjetër se në këtë truallin tonë, që jemi marrë vesh ta quajmë edhe për ca kohë, së paku, Shqipëri, na është bërë e mundur të vuajmë si Sokratër e të shtiremi si derra.

Rexhep Shahu, kuptuar sipas poezisë së botuar prej tij, duket se mbase nuk e lexon pjesën “moderne” të poezisë së sotme shqipe, së paku nuk joshet e as mashtrohet prej lulkave pa aromë të vërtetë të saj.

Ai e vendos veten aty ku është : qoftë edhe i kërcënuar.

Të jesh, është e domosdoshme të shpallesh siç je. Si njeri është mbase më vështirë se si krijues. Si krijues, si poet, është mallkim i detyruar. Mund të shtiresh gjatë si i ri, si gjoja i dashuruar, si gjoja i lumtur, si gjoja qytetar duartrokitës, si mëmëdhetar i paatdhe… Por si poet nuk mund të mbyllësh sytë…

Autori e ka fituar betejën me të shkuarën e shkuar. Malet e Hënës dihet që janë. Janë, kanë qenë prej kohësh. U desh dikush të shkonte, t’i prekte, t’i shfaqte për të tjerët…!”.

Nga Fahri Xharra :Pse nuk e deshëm princ Vidin?



M’u duk e nevojshme një qasje ndryshe në historinë tonë, duke e krahasuar me të kaluarën e njëjtë shumëshekullore të popujve të Ballkanit.
Në vitet 1858-1859, populli i Vllahisë dhe ai i Moldavisë vendosën që të dy principatat të bashkohen ndër një administrim të përbashkët dhe si udhëheqës të kenë një princ nga ndonjë familje fisnike e Evropës. Aleksandru Joan Kuza për një kohë të shkurtër e udhëhoqi shtetin quajtur Rumania. Të rikujtojmë që principatat si dhe shteti i vetëquajtur Rumania ishin ende nën vasalitetin e Perandorisë Osmane.
Më 1866, qeveria kërkoi që 27-vjeçari Karol Hohencollern-Sigmaringen të jetë udhëheqës i ri i Rumanisë. Pavarësia e Rumanisë u njoh nga Imperatoria Otomane më 1878, në Kongresin e Berlinit, dhe principata u bë Mbretëri sovrane më 1881 me princin Karol si mbreti Karol i Parë i Rumanisë. Mbreti Karol kishte lindur në Sigmaringen, i biri i Karl-Anton Hohencollern-Sigmaringenit, i cili pas shkollës së mesme u diplomua në Akademinë Ushtarake të qytetit Mynster dhe pastaj në Shkollën Artilerike.
Më 10 maj të 1866 u prit me gëzim të madh nga turmat e njerëzve dhe personalitetet politike. Ajo ditë u konsiderua si ditëlindja e Dinastisë Mbretërore Rumune, dinasti e cila mbretëroi në Rumani deri në vitin 1947. Kjo ditë maji e 1866 ishte ditë e shënuar historike në zhvillimin e një shteti modern evropian, me një mbret të ashpër shtetformues, me personalitet të disiplinuar dhe me standarde të larta të mortalitetit. Në Luftën e Parë Botërore, Rumania e integroi në kuadrin e saj Transilvaninë. (Kjo Transilvani është shkaku i mosnjohjes së sotme të shtetit të Kosovës ngaRumania.
Edhe me Bulgarinë e njëjta gjë. Ata u udhëhoqën nga Dinastia Sax-Koburg-Gotta. Imperatoria Otomane e mbajti Bullgarinë të pushtuar që nga viti 1389, por përfundimisht u përzunë jashtë më 1878. Kur Bullgaria u bashkua në një shtet e u lirua nga e kaluara otomane shumëshekullore, më 1885 vendosi të kërkojë një princ të huaj me shpresë se një familje e traditës mbretërore evropiane do t`i jepte vendit prestigjin e duhur.
Si anëtar i familjes princore të Sax-Koburg-Gottas, princ Ferdinandi u caktua mbret, por Evropa nuk e njohu ende Mbretërinë e tij gjersa Turqit ia dha titullin Lartësia e tij Mbretërore, më 1896. Mbreti i ri gjerman me Mbretërinë bullgare, pasi u liruan nga turqit, pushtuan edhe toka të reja.
Greqia, e pavarësuar nga Turqia më 1829, gjithashtu kërkoi nga familjet e vërteta mbretërore të Evropës të ketë një mbret nga gjaku evropian. Greqia bëri edhe më shumë për t`u shkëputur nga e kaluara otomane dhe u udhëhoq nga mbreti Otto, djali më i ri i mbretit Ludvigu I i Bavarisë. Turbullirat e brendshme e rrëzuan atë, por asambleja kombëtare prapë kërkoi mbret të Evropës dhe zgjodhi princin e ri danez, mbretin Gjorgji I, i cili e filloi Dinastinë e Oldenburgëve të Monarkëve Grekë. Edhe pse i huaj, ai punoi për Greqinë dhe pas luftës ruso-turke, bëri ekspansion territorial duke aneksuar Thesalinë dhe një pjesë të Epirit.
Për ne, fuqitë e mëdha e zgjodhën princin Wielhelm nga familja princore e Vidëve, që të udhëheqë me shtetin e ri të pavarur e të parehatuar të Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur në nëntor të 1913-tës. Edhe Ismail Qemajli e mirëprit dhe e pranoi këtë vendim.
Kush ishte princ Vidi? Kishte lindur në Kështjellën e Neuwiedit në Rajnë afër Koblencit (Gjermani), i biri i tretë i princit Wilhelm të 5-të të Wiedit (vëllai i Elizabetës, mbretëreshës së Rumanisë) dhe princeshës Maria të Holandës (motra e Luizës, mbretëreshës së Suedisë). Gjyshërit nga babai ishin Hermani, princi i Vidit dhe princesha Maria e Nassaut dhe gjyshërit nga nëna ishin princi Frederik i Holandës dhe princesha Luiza e Prusisë. Luiza ishte e bija e princ Wilhelmit të Tretë të Prusisë. Princ Vidi ishte nip i familjes mbretërore të Rumanisë.
Princ Vidi dhe gruaja e tij, princesha Sofia, mbërritën në Shqipëri më 7 mars 1914, duke e shpallur mbret të Shqipërisë. Menjëherë e ngarkoi Turhan Pashë Përmetin të formojë kabinetin e parë qeveritar, i cili u zotërua nga pashallarët dhe agallarët. Por, më i rrezikshmi ishte Esat Pashë Toptani, i cili, i përkrahur nga Turqit e Rinj, e detyroi princ Vidin të ikë në shtator të të njëjtit vit. Kurora pastaj iu ofrua një pashai otoman, Mehmet Burhanmedinit, të birit të ish-sulltanit Abdyl Hamiti i Dytë. Shteti pastaj bie në luftëra qytetare dhe kështu bëhet një pre e lehtë për fqinjët grabitqarë.
Me qëllim e përshkrova gjerësisht prejardhjen e princ Vidit, për të parë se Evropa, duke menduar që jemi të gatshëm si shtetet tjera ballkanike të heqim dorë nga e kaluara shumëshekullore aziatike dhe të përqafojmë një udhëheqje evropiane, na e solli princ Vidin nga dera e traditës gjermane.
Viti 1914, Serbia dhe Greqia i filluan pushtimet dhe zaptimet e tyre në Shqipëri, kurse në Shqipërinë e mesme esadizmi morri hov. Atë e përbënin tre krerët më shkatërrimtarë apokaliptikë, si: Esad Pashë Toptani, myftiu Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili. Këta ishin tre krerët e një kuçedre, që pasqyronin tradhtinë dhe lakminë, fanatizmin e verbër e krejt këto nën maskën e fesë. Në atë vit, Shqipëria u bë dëshmitare e një dukurie të paparë: agjentët e Patrikanës greke, të lidhur ngushtë me fetarin Musa Qazimi, me njerëzit që pretendonin që luftonin për dinë e dovlet, bashkëpunojnë me çetat shkatërrimtare greke.
Esad Pasha, i cili e minoi Mbretërinë e Princit Vid duke i shfrytëzuar ndjenjat fetare dhe dashurinë për Turqinë që ekzistonte e fortë, shpalosi idenë e ardhjes së një prijësi mysliman në krye të fronit shqiptar. Ky, me truqe të ndryshme, mundohet të bindë fshatarët e zonës, të cilët ende nuk e kishin të qartë konceptin e Shqipërisë së pavarur, se Turqia ende nuk na ka harruar dhe se duhej të përpiqeshim për të. Në këtë valë fanatizmi e prapashkuarje, me vendosmërinë e një psikopati u paraqit në skenë Haxhi Qamili. Si fëmijë kishte dhënë shenja të një sëmuri mendor duke ngrënë sapun e duke i kafshuar njerëzit në dhëmbë pa arsye. Ideja e tij se vetëm myslimani ka të drejtë, se pushka e kaurit (mendohet në Vidin) nuk merr nishan dhe se plumbi i tij shkon shtrembër, bëri bujë në atë kohë.
Në kësi lloj situatash, gjithfarë lloji i aventurierëve, intrigantëve, gangsterëve e psikopatëve shndërrohen thjesht në heronj. Haxhi Qamili ishte njëri prej tyre, njëri ndër më famëkëqijtë e historisë së Shqipërisë. Thirrja e tij “Du`m Babën e jo Papën!” (E duam Sulltanin, e jo Vidin) shprehte mërinë më të madhe ndaj atdhetarëve dhe protagonistëve të pavarësisë dhe urrejtjen më të madhe ndaj flamurit kombëtar, “flamurit me sorrë”. Egërsia e tij ishte djegia e shtëpive dhe pasurive edhe të patriotëve, si ajo e Aleksandër Xhuvanit, Taqi Budës (babai i Aleks Budës) e të tjerëve, thjesht ngase ata donin një Shqipëri pa Turqinë. Haxhi Qamili mundohej ta çonte Shqipërinë përtej Adriatikut dhe Mesdheut dhe ta bashkonte me Turqinë. Ky analfabet dhe injorant turkofil nuk e kishte as më të voglën ide se çdo të thotë Evropa. Ai s’ishte ideologji politike përveç përkushtimit të pafrenueshëm për Dovletin, me të cilin i motivonte ndjekësit dhe mbështetësit e tij.
Por, si popull, për t`u bërë gaz i vetvetes, ai u shfaq mu në kohën e shtetit të ri të pavarur shqiptar pikërisht atëherë kur Shqipëria kishte nevojë më shumë se kurrë për maturi, nguti për të ecur përpara dhe për të vendosur themelet e një shteti të vërtetë evropian.
Ai u shfaq si një fatkeqësi por mbi të gjitha si një dukuri që e kishim për ta quajtur haxhiqamilizëm dhe shfaqet me përmasa më të vogla, me tendencë rritjeje aty-këtu në shoqërinë mbarëshqiptare edhe pas 100 vjetësh.

Nga Lis Bukuroca :Pse po na braktisë Perëndimi?




Çka do të ndodhë pas vrasjes së policit kosovar? Asgjë! Qeveria mori një vendim pa u konsultuar me amerikanët dhe me ata që i konsideron si aleat. Problemi mirëpo qëndron diku tjetër: ata nuk na konsiderojnë më aleat si dikur. Kjo shihet, por nuk dëshiron të besohet. Kjo shihet edhe nga trajtimi i Serbisë. Më poshtë do të arsyetohet ky konstatim, ky mutacion, duke parë si perceptohet tani Kosova jashtë dhe motivet.
Perëndimi është duke u përpjekur të gjejnë një rrugë pa humbur nderin të dalë nga Kosova. Përpiqen ta bëjnë këtë sepse koston e lartë duhet ta arsyetojnë para tatimpaguesve dhe para atyre që nuk u pajtuan me intervenimin ushtarak. Çka do të bëjnë ata tani? Ata do të ngulim këmbë të qetësohet gjendja, të ulen gjakrat dhe të kthehemi në gjendjen e mëparshme. Forcat speciale të Kosovë u kthyen prapa me helikopter të NATO-s. Qeveria nuk duhet të dërgojë policët aty, ku nuk është e sigurt se do të mbeten. Ajo e bëri këtë aksion për të përmirësuar imazhin e vet, që dëmtoi me nënshkrimin e marrëveshjes, ku cenohej suvereniteti i Kosovës. Perëndimi nuk dëshiron konflikt të ri, as nuk do të na përkrahë ta çlirojmë veriun. Vet nuk mundemi ta bëjmë atë. Ne nuk kemi ushtri...
Pos deklaratave të ekuilibruara dhe rekomandimeve, nuk do të bëjnë gjë tjetër. Gjendja do të qetësohet. Hashimi do të arsyetohet. Pse? Perëndimi ka kuptuar shumë gjëra më mirë se sa na pëlqen neve t’ i besojmë. Kosova nuk është më ajo e pafajshmja, properëndimorja, ajo e virgjëra, që e propagandonte Rugova. Ka ndërruar pamja e saj, dukja. Kosova është tjetërsuar aq shumë sa edhe banorët e saj në Perëndim, kanë vështirësi të identifikohen apo të pajtohen me shfaqjet atje, me atdheun e vet. Imazhin që propagandoi Rugova në Perëndim, gati e kemi shkatërruar. Ai konsideronte mik të madh SHBA-të dhe Perëndimin. Thaçi drejtoi barkën kosovare drejt Detit të Zi. Ai bëri vëlla Erdoganin, të cilit akoma nuk iu dëgjua zëri për “vëllanë “ e vockël në gazep. Këtu shihet se vëllazëria e tyre kishte prapavija tjera dhe nuk ishte e sinqertë, as në dobi të Kosovës. Ai donë ta kthejë krenarinë osmane. Të bëhet faktor në Ballkan. Asgjë më pak. Ajo nuk mund ta ndihmojë Kosovën, ka Bullgarinë dhe Serbinë  në mes, e as nuk ka fuqi t’ i ndihmojë palestinezët. Për ta qetësuar Turqinë, do të kujdeset Rusia. Mundësitë tjera janë përralla dhe potere turke.
Pse mund të thuhet se Perëndimi është largim e sipër? Kjo mund arsyetohet me sjelljet tona pas luftës. Në vitin 2004, pas djegies së kishave, nisi ndryshimi i madh i perceptimit të Kosovës jashtë. Këtu qe humbur ai virgjinitet i Kosovës të cilën e kishte besuar Perëndimi duke u mbështetur në veprimtarinë e Rugovës. Trajtoheshim gati me aq dhembshuri dhe empati si hebrenjtë. Kjo ndryshoi. Në një anë të krishterët mbronin shtetin tonë nga Serbia, në anën tjetër vandalistët shqiptarë digjnin kishat. Mjerimi dhe injoranca botëkuptuese e disa shqiptarëve qëndron në njësimin e Krishterimit me serbet. Pas kësaj ngjarje, nisi rehabilitimi i ngadalshëm, por i sigurt i Serbisë.
Amerika na solli nga mali në shtëpi, madje edhe na transferoi me avion në SHBA dhe sapo arritëm atje, ia nisëm përgatitjeve për të ushtruar terrorizëm ndaj atyre që na çliruan nga Serbia. Për fat të mirë, ata u arrestuan para se ta kryenin veprën. Kjo ngjarje tronditi skenën politike perëndimore. Ata menduan se ishte një rast i izoluar dhe e kapërdinë këtë realitet të hidhur. Sidoqoftë, ata konstatuan se me popullin e Nënë Terezës dhe Rugovës, nuk ishte diçka në rregull apo se ky popull, paska edhe një fytyrë tjetër: njërën ku i ka punët pisk dhe tjetrën në paqe. Aq sa më shumë largoheshim nga lufta, aq më shumë faktorizohej radikalizmi fetar, saqë në fund edhe Thaçi, e pa të nevojshme të fotografet duke u lutur. Kjo lutje nuk i solli asnjë njohje. Në gazetat perëndimore si dhe televizion, herë pas here shfaqen fotografi nga Kosova duke u falur në rrugë apo duke demonstruar për shami. Si pasojë, çdo qytetar në Perëndim, pyet veten: ku i kemi dërguar djemtë dhe pse? Pastaj doli imami i Prishtinës dhe tha: “Nënë Tereza gjendet në xhehenem, sepse nuk ka besuar Allahun...”. Kur dëgjuan këtë deklaratë perëndimorët, e përkthyen ashtu siç kishte dashur ta thotë imami: “ “Nënë Tereza është ne ferr, por edhe ushtarët krishterë që na mbrojnë, vendin e keni atje. Të gjithë krishterët e kanë vendin atje. Atje vendin e kanë 80% e banorëve të kësaj Toke!” Ky njeri mbeti përsëri imam.  Me vrasjen e katër amerikanëve imazhi jonë mori vulën mbi letër, vepër dhe perceptim. Edhe pse ai ishte rritur në Gjemani, shteti i Kosovës është dashur t’ i dëmshpërblejë familjet e tyre. Skena politike perëndimore ishte në rezignacion dhe vështirësi për ta shpjeguar: na vranë ata që i shpëtuam dhe u falëm shtet! Nuk vranë serbet amerikan, por shqiptarët! Në anën tjetër, në Luginë,  Serbia toleron mësimin e religjionit në shkollat shqipe dhe nuk do t’ ishte e çuditshme, nëse dikujt i pëlqen më shumë demokracia serbe me miqësi të mëdha arabe, se sa demokracia amerikane me miqësi izraelite.
Gabimet tragjike të lartpërmendur mund të jenë faktorët kryesor, që kanë çuar në humbjen e simpatisë dhe në ngrirjen e konfliktit në veri si dhe trajtimin e Serbisë me dorëza. Ndihma që i jepet tani Kosovës, nuk bëhet nga dhembshuria dhe empatia, por për të dalë ata nga Kosova ballëlart. Rastet e lartpërmendur  janë arsyet se pse Kosova dalëngadalë por sigurt, do të rrëshqasë nga dora amerikane në atë europiane ose turke.
Religjioni është e drejtë bazë e çdo njeriu, por ata që shndërrojnë religjion në ideologji politike, luftarake, nuk kanë vendin as në gazeta, as televizor  e as në rrugë.
Si do të përfundojë? Thjesht do të qetësohet gjendja, Kosova nuk do të ketë kontroll atje dhe do te ngelet ashtu si ishte para vdekjes së policit shqiptar. Serbia paguan për t’ u krijuar ngjarje në Kosovë, që i shkojnë asaj në favor. Brenda pesë viteve, aq sa është paraparë të zgjasin bisedimet, Kosova do t’ i prodhojë edhe disa gabime të mëdha dhe një ditë do të kuptohet Serbia, insistimi i saj, do të mëshirohet dhe veriu do t’ i jepet. Serbia e pret këtë, e dinë këtë, ka njerëzit e vetë në Kosovë dhe një ditë do ta fitojë atë për të cilën angazhohet me shumë përkushtim dhe me shumë miliona. Për fat të keq, në Kosovë, ata që dëmtojnë imazhin e vendit,si radikalët fetar dhe kriminelët, posedojnë imunitet...
Rasti në Norvegji, vrasja e amerikanëve nga një shqiptar, tregojnë se religjioni duhet mbajtur larg nga shkollat, sepse ndikon në helmimin e të rinjve dhe kultivon urrejtjen ndërnjerzore! Europa ka si bazë humane shumëllojshmërinë, jo zhdukjen e diferencave. Vlerat universale njerëzore burojnë nga filozofët dhe nismën e kanë tek revolucioni francez. Jo nga librat fetarë. Urrejtjen fetare mund t’ i a lejojnë vetes iranianët, por jo shqiptarët e Europës. Ai shqiptar që është kundër SHBA-së dhe Perëndimit, ai shqiptar është në shërbim të Serbisë dhe paguhet prej saj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...