2012-01-18

Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri


Pothuajse gjysma e rrugëve të qytetit ishin në ndërtim e sipër, të mbuluara nga gurët dhe pluhuri nën zhegun e korrikut. Mes dy apo tre pallateve të vjetra, ishte shkatërruar e gjithë bimësia, pemët dhe lulet, dhe ishin ndërtuar pallate të reja, të ngjitura me njëra-tjetrën dhe jashtëzakonisht të shëmtuara!
Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri



























Shkruan : Kristi Pinderi

Nëse keni vendosur t’i kaloni pushimet këtë vit në Pogradec, mendohuni dy herë!

Ndonëse i jashtëzakonshëm për nga klima, melankolik në përjetësi për nga natyra, nostalgjik për nga historia e poezia, Pogradeci është këtë vit një kantier i rëndomtë ndërtimi, i mbushur me pluhur, i ngarkuar me tonelata dheu anësh rrugëve, madje edhe anash bulevardit kryesor përgjatë liqenit dhe i mbuluar me plehra.

20 metrat e rrugës në hyrje të qytetit ishin të zbukuara me dhjetëra vazo qeramike me lule, por kur kaloje kryqëzimin në hyrje, papritur makina fillonte të fundosej në dhjetëra gropa të lëna të hapura, m’u në mes të rrugës kryesore. Majtas e djathtas, fasadat e pallateve komuniste të kësaj rruge nuk kishin asnjë ndryshim, veç kateve të para të ngarkuara nga qepenat gjysëm të hapura, apo gjysëm të mbyllura, të dyqaneve kuturu.

Pothuajse gjysma e rrugëve të qytetit ishin në ndërtim e sipër, të mbuluara nga gurët dhe pluhuri nën zhegun e korrikut. Mes dy apo tre pallateve të vjetra, ishte shkatërruar e gjithë bimësia, pemët dhe lulet, dhe ishin ndërtuar pallate të reja, të ngjitura me njëra-tjetrën dhe jashtëzakonisht të shëmtuara!

Në bulevardin kryesor të qytetit, buzë liqenit, këmba të shkelte në asfalt vetëm përgjatë tre apo katërqind metrave të shtruara me pllaka të kuqe, si në disa rrugë të përuruara së fundmi në Tiranë.
Pjesa tjetër ishte një zgjatim gri pluhuri, gropash, telash telefoni dhe kabllo elektrikë. Dy tre ekskavatorë dhe mjete të tjera të rënda ndërtimi, qëndronin të parkuara, të qeta e pa zë, çdo 10 apo 20 metra larg njëra tjetrës.

Rrugëve shikoje vetëm lypës, të rinj adoleshentë gjysëm të zhveshur që hanin fara luledielli, dy tre të moshuar, si edhe nja dhjetë mini-ambiente prej kashte që plotësonin gjatë këtij sezoni veror mungesën e shërbimeve për turistët.

Në këto ambiente të përkohshme prej kashte, mund të porosisje qofte ose kërnacka të tymosura, djathë të bardhë të kripur, dhe birrën maqedonase Skopsko (me raste edhe birrën Korça).
Kush e mban mend mirë rrethrrotullimin në kryqëzimin mes këtij bulevardi dhe rrugës “Rinia” në Pogradec, kujton me siguri pishën e vjetër e cila për Vit të Ri zbukurohej me drita dhe mbulohej nga dëbora. Pishën ku qytetarët e Pogradecit fotografoheshin çdo vit. Ishte një hapësirë e ndërthurrur në mënyrë të pashmangshme me arkitekturën përreth, por mbi të gjitha me kujtimet e pogradecarëve. Ajo pishë ishte prerë…

Në vend të saj, ishte ndërtuar një shatërvan jo fort i keq në fakt, por kujtimet e pogradecarëve tashmë do të mbeten të tilla vetëm në fotografi, pasi bri atij shatërvani ishte ndërtuar një super-pallat 15 katësh 30 metra larg bregut të liqenit, që stononte komplet me ndërtimet e tjera tipike pogradecare buzë bulevardit, e që ishte, si të thuash i paarritshëm as nga fluturimi i ulët i pulëbardhave tradicionale të liqenit… në kërkim të pllashicave (sardele) gjithnjë e më të pakta në liqen…

Ky pallat, kishte në formën e një stampe madhështorë në mes të tij, të ‘vulosur’ në plot katër kate, emrin: Kapri Center!

Luan Kapri, ndërtues i këtij ambienti, duhet thënë se është një biznesmen i suksesshëm i Pogradecit. I rritur në një fshat rreth 3 orë larg qytetit, Kapri e filloi biznesin fillimisht të vogël, pas kthimit të tij nga emigracioni. Ndërtoi një zdrukthtari në fshatin e tij, bleu pastaj një makinë plehrash dhe fitoi rradhazi disa tendera për pastrimin e qytetit, në emër të firmës “Rei”.

Pas atyre kohërave, biznesi i tij njohu vetëm rritje, derisa “u vulos” në qendër të qytetit me një super-pallat me një qendër tregtare që mbyllej që në orën e drekës. I paarsimuar, por me një sens të jashtëzakonshëm biznesi, ai duket se sfidoi të gjithë vendasit, të cilët ose emigruan jashtë vendit, ose “u arratisën” drejt Tiranës.


 Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri
Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri





















Në xhamat e një internet-kafe në katin e parë të këtij pallati ishin ngjitur në një format A4 emrat e disa dhjetëra pogradecarëve të cilët kishin fituar së fundmi llotarinë amerikane.

Pothuajse gjysma e familjeve pogradecare kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kësaj llotarie, e cila ndryshe nga qytetet e tjera shqiptare, në Pogradec dukej se vazhdonte ende me të njëjtin ritëm si në fillimet e saj, kur njerëzit e zhgënjyer e pranonin me kënaqësi dhe emocion hedhjen në llotari të së ardhmes së tyre...

Me largimin e tyre, qyteti u “pushtua” nga banorë të tjerë të ardhur nga fshatrat përreth, të cilët u strehuan kryesisht në pallatet e reja të ndërtuara ose nga Luan Kapri, ose nga firma Fido Haxhillari, një tjetër biznesmen, me origjinë nga Starova e Pogradecit.

Ajo që është shumë e qartë për këdo që e ka njohur në kohërat më të mira të tij Pogradecin, është fakti se të gjitha ato familje që mirëprisnin çdo verë pushues të ndryshëm, kryesisht nga Tirana, duke zhvilluar edhe pa e ditur vetë një turizëm gati-gati elitar, ose e kishin harruar këtë zakon të bukur të Pogradecit të konsideruar si “qyteti i luleve”, ose e kishin braktisur totalisht. Në vend të atyre shtëpive plot me lule, e më aromë liqeni, tani ekzistonin disa lokale të zakonshme, ose disa oborre të ndara e të rindara me mur ose me gardh druri, të cilat në vend të luleve kishin filluar të kultivonin qepë, domate dhe rrush!

Prej disa vjetësh, kryetari i Bashkisë, z. Artan Shkëmbi, një profesor i matematikës, duket se po lufton që të realizojë disa projekte sipas tij të rëndësishme, që do zgjidhin njëherë e përgjithmonë probleme kyç të këtij qyteti, i cili jo vetëm që e ka humbur magjinë turistike të dikurshme, por konsiderohet nga të rinjtë si një qytet i vogël i parëndësishëm i Shqipërisë.

Donte Artan Shkëmbi të fuste në fuqi një urdhër që ndalonte përdorimin e qepenave, për shembull, gjatë natës, në mënyrë që qyteti të ishte i ndriçuar dhe të evitonte atë ngjyrën pesimiste gri të këtyre qepenave që të çojnë me imazhin e tyre deri në përfytyrimet mesjetare. Por nuk ia arriti dot atij qëllimi, pasi tregtarët, me të drejtë, donin më shumë siguri për mallin e tyre, nëse “nuk e blindonin” natën me qepena.

Me të dështuar në këtë projekt, profesori i matematikës, njëkohësisht drejtor i një shkolle shembullore jo publike, iu fut projekteve të reja. Ndaloi qarkullimin në qendër të qytetit dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërtoi zonën e parë realisht pedonale në Shqipëri.
Edhe sot, ajo zonë, e rrethuar nga pemët, lulet dhe pllakat e mëdha të bukura, është ndoshta e vetmja krenari që I ka mbetur këtij qyteti. Zona është ngjitur me rrugën “Naim Frashëri”, e banuar kryesisht nga familje ortodokse dhe nga disa të tjera muslimane që kanë jetuar atje për vite e vite të tëra në harmoni shembullore. Edhe kjo rrugë u rikonstruktua nga Bashkia, u mbulua me kalldrëm dhe me ndriçim shumë të mirë.


Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri
Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri































Bashkë me të edhe një lagje e vjetër e Pogradecit, e njohur sidomos për burimet e saj me ujë të ftohtë, ishte rikonstruktuar dhe mbuluar e gjitha me kalldrëm dhe me drita në çdo cep.

Ndërkohë, i gjithë Driloni i papërsëritshëm vazhdonte të ishte i pastër, me një shërbim shumë të mirë dhe me një ushqim që rrallëkund mund ta gjeni. Ama, dy kilometra larg tij, fshati ish-shembullor me emrin Tushemisht, ishte shndërruar për keq, madje më keq se Pogradeci. Burimi me ujë të ftohtë ku është xhiruar edhe filmi “Zonja nga qyteti” ishte shkatërruar pothuajse plotësisht nga ndërtimet e reja. Edhe pasazhi mbi lumë, që shikuesit e Ollgës (interpretuar nga Violeta Manushi) e mbajnë mend në momentin kur postieri Malo, një tjetër personazh i këtij filmi, rrëzohet, ishte transformuar, ngushtuar nga zgjatimet e reja të shtëpive, dhe vinte një erë të keqe që të shponte hundën.

Në të njëjtën kohë me këto projekte infrastrukture, një projekt më i madh, i financuar nga GTZ gjermane duket se po përfundon. Bëhet fjalë për ndërtimin e një sistemi të përpunimit të ujrave të zeza, në mënyrë që këto të mos derdhen më në liqen, duke e ndotur dhe infektuar ujin e tij, por të përpunohen në mënyrë industrial me teknikat më moderne.

Por një mësues matematike si z. Shkëmbi, i rizgjedhur për herë të dytë kryetar i Bashkisë së Pogradecit, nuk mund të dështonte në llogaritjet e tij, për ti bërë ose pak më shpejt, ose pak më vonë punimet e pothuajse gjysmës së qytetit. Megjithatë, ai dështoi, duke e shndërruar Pogradecin në një kantier të rëndomte ndërtimi mu në pikun e sezonit, këtë vit.

Edhe uji i liqenit ishte jashtëzakonisht i ndotur. Një shtresë jeshile karburanti (nga motorret e varkave) lundronte në këtë ujë deri në një largësi të konsiderueshme nga bregu, duke e bërë gati të papërdorshëm të gjithë vijën e plazhit publik.
Ndaj, më mirë bëjini pushimet tuaja në Pogradec, vitin tjetër, jo këtë vit!

Shqipëria, ndërtimorja më e madhe në Evropë


Me rreth 3.5 milionë banorë, Shqipëria shënon rritje ekonomike, që e tregojnë edhe statistikat, sipas të cilave vetëm vitin e kaluar Shqipërinë e kanë vizituar rreth 2.5 milionë turistë. Ky numër në vitin 2004 ka qenë 400.000 turistë.
Shqipëria, ndërtimorja më e madhe në Evropë






























Shqipëria vend për të cilin ekzistojnë shumë paragjykime, nuk është më sikur ka qenë në të kaluarën.

Madje edhe ata shqiptarë të cilët me vite kanë qëndruar jashtë vendit, gjatë kthimit nuk mund ta njohin vendin e tyre, i cili sot është në mesin e ndërtimoreve më të mëdha në Evropë, tërheqëse edhe për investitorët perëndimore edhe për investitorët nga vendet arabe. për të gjithë, përveç për kompanitë nga Bosnja. Shqipëria zhvillohet aq shpejt sa që moti kohë e ka tejkaluar Bosnjën dhe Hercegovinën, ka deklaruar ambasadori boshnjak në Tiranë Çançar për gazetën më të lexuar në Bosnje dhe Hercegovinë “Dnevni Avaz”.

Me rreth 3.5 milionë banorë, Shqipëria shënon rritje ekonomike, që e tregojnë edhe statistikat, sipas të cilave vetëm vitin e kaluar Shqipërinë e kanë vizituar rreth 2.5 milionë turistë. Ky numër në vitin 2004 ka qenë 400.000 turistë.

Paralelisht me turizmin është zhvilluar edhe ekonomia dhe infrastruktura. në katër vitet e fundit janë ndërtuar mbi 320 kilometra autostradë, kurse projekt më i madh është autostrada drejt Kosovës, që lidh Tiranën me Prizrenin dhe në këtë autostradë është hapur tunel në gjatësi prej 5 kilometrave.

Ndërtohen edhe autostrada tjera në drejtim të Kosovës, Maqedonisë dhe Greqisë.

Se Shqipëria paraqet një ndërtimore të madhe konfirmon për “Avaz” edhe ambasadori jorezident boshnjak në Shqipëri Nusret Çançar.
Ai na sqaroi se ky vend ka miratuar një plan shumë ambicioz zhvillimor, sipas të cilit çdo vit dhjetë për qind mjete nga Bruto Prodhimi Vendor ndahen për investime kapitale zhvillimore. Duke pas parasysh se buxheti është rreth 23 miliardë dollarë, çdo vit për investime kapitale ndahen rreth 2.3 miliarda dollarë.

“Në këtë mënyrë, e kanë punësuar operativën e tyre ndërtimore në kohë recesioni. Për tre-katër vite Shqipëria do të ndërtojë rrjet rrugor i cili do të mund t’i përgjigjet nevojave të zhvillimit. Segmenti i dytë i zhvillimit është turizmi, kurse segment i tretë energjetika. Raporti i Bankës Botërore tregon se Shqipëria vitin e kaluar ka realizuar BPV prej 8.000 dollarëve për banorë. Në Bosnjë BPV është 6.600 dollarë. Shqipëria vitin e kaluar në kushte recesioni ka shënuar rritje ekonomike prej 3.5 për qind, që paraqet më të lartin në Evropën Juglindore, thotë Çançar.

Edhe pse BeH dhe Shqipëria kanë raporte të jashtëzakonshme bilaterale politike dhe ekonomike, numër i vogël i kompanive nga BeH zhvillojnë biznese në Shqipëri.

Kompani të etabluara janë “Lijanoviçi” me 50 të punësuar, “Meggle”, “Milkos”, ndërmarrje që prodhojnë materiale ndërtimore “Arcelor Mitall”, “Bira”, “Elker e lështu me radhë.

Edhe shkëmbimi ekonomik me Shqipërinë është i vogël dhe mezi kalon 16 milionë euro, kurse BeH shënon suficit më të madh se 600 për qind. Mirëpo ngjarjet e fundit në Libi sipas ekspertëve mund t’i drejtojnë kompanitë nga BeH drejt Shqipërisë.

“Struktura afariste shqiptare është relativisht e pazhvilluar dhe kompanitë e atjeshme janë shumë ët vogla se kompanitë tona. Punët më të mëdha i realizojnë kompanitë multinacionale. Ekzistojnë mundësi të mëdha para së gjithash për angazhim të operativës tonë ndërtimore në Shqipëri. Nevojitet vetëm pak angazhim. Dyert i kemi të hapura. Kompanitë tona janë mjaft të njohura. Jemi të mirëseardhur dhe ata habiten pse nuk jemi futur në tregun e tyre në mënyrë më agresive”. thotë Çançar.

Mirëpo për gjithçka nevojitet strategji, të cilën BeH si duket nuk e posedon. Shqipëria është vendi i vetëm në fqinjësi ku BeH nuk ka ambasadë, kurse Çançar është ambasador jorezident i cili Shqipërinë e mbulon nga Sarajeva.

Ai thotë se do të ishte shumë më lehtë nëse BeH hapë ambasadë në Tiranë. Sa për krahasim Kroacia në ambasadën e vet në Tiranë ka gjashtë diplomatë. për këtë arsye kroatët kanë shkëmbim të mallrave katër herë më të madh me Shqipërisë se Bosnja.

Njëri nga biznesmenët e rrallë boshnjak që e ka zbuluar Shqipërinë si shans për zgjerim rajonal është Harun Alishah, ish këshilltar i kryeministrave Adnan Terziç dhe Nikolla Shpiriç për çështje të teknologjive të informatikës. Para një viti është angazhuar në kompaninë më të fortë kroate “Recro.net” e cila merret me integrimin e sistemeve dhe IT solucione komplekse.

Alishah thotë se fqinjët tjerë, për dallim prej BeH, e kanë zbuluar rëndësinë e paraqitjes në tregun shqiptar.
Ambasadori Çançar thotë se trazirat e paradokohshme në Shqipëri nuk kanë kurrfarë ngjashmërie me protestat në botën arabe prandaj nuk ekziston rrezik se mund të përsëritet Libia.

“Ata nuk kanë shkak për një gjë të tillë, sepse Shqipëria është demokraci parlamentare. Pushtetin në mandatin e dytë e udhëheqë koalicioni i kryesuar nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike. Trazirat kanë ndodhur për shkak të protestave të opozitës, e cila ka kërkuar zgjedhje të parakohshme për shkak të një afere koruptive, në të cilën gjoja janë xhiruar zëvendës kryeministra duke kurdisur një tender. Ata kanë dhënë dorëheqje, kurse hetimet janë në rrjedhë”, sqaron ambasadori Çançar.

Pak dihet se në Shqipëri jeton entitet i vogël boshnjak. Një grup i boshnjakëve në vitin 1875, gjatë rënies së perandorive, është nisur me një anije për në Turqi. Mirëpo anija është përplasur në shkëmbinjtë e bregdetit shqiptar, kurse boshnjakët që kanë mbijetuar fatkeqësinë janë vendosur në një llogor mes Durrësit dhe Tiranës.

Ata sot jetojnë në qytezat Borak dhe Shijak, që numërojnë rreth 3.000 boshnjakë. Gjithsej në Shqipëri jetojnë rreth 10.000 boshnjakë, të cilët e kanë ruajtur identitetin dhe gjuhën. Këtij entiteti i takon edhe konsulli i nderit të BeH-së në Shqipëri Fikret Klariç, i cili është adresa e parë për biznesmenët nga BeH që dëshirojnë të zhvillojnë biznese në Shqipëri.

Recepti sipas të cilit shqiptarët shënojnë rekorde në zhvillim është tërheqja e investimeve të huaja. Në Shqipëri vërehet prezencë e madhe e investitorëve skandinavë dhe austriakë, të cilët i tërheq ambienti i mirë i biznesit që i është përshtatur investitorëve. Por Shqipëria shënon rekord edhe në tërheqjen e investitorëve nga vendet arabe, sepse është anëtare fuqiplotë e Organizatës së Konferencës Islamike. Vetëm investimet nga Kuvajti në Shqipëria kanë tejkaluar shifrën prej 500 milion dollarëve.

Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë


Pas kishim lënë guroret, këto dinosaur të egër të natyrës, shpërthimet tronditëse të dinamitit, pluhurin e zhultë që ngrihej si tym djegiesh, duke i dhënë peizazhit parajsor krutan një hije të përzishme.

Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë































Ylli XHAFERRI

Skëndërbeu, ka "shkruar" në Krujë simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit.


Rruga fërfëllonte si një balerinë elegante, hollake dhe gjelbëroshe, ngjitej butë e ëmbël, midis një peizazhi të thepisur malor. Shkonim drejt vendit të shenjtë, Sari Salltëkut të Krujës që ndodhej në Majën e Liqenit në lartësinë 1724 metra të Malit të Skënderbeut. Me ne shkëmbeheshin makina që ktheheshin nga vizita e bekuar, njerëzit uronin pa na njohur: "Ju ndihmohtë"! Ishte një përshëndetje miqësie, paqeje, harmonie, dashurie dhe solidariteti njerëzor që se kisha hasur kund. Me këtë formë dëshiroreje të përshëndesnin pleq, vajza, turistë të huaj, fëmijë, emigrantë të malluar, djem, plaka të veshura me kostumin e zonës përreth, por edhe të Zadrimës së largët, burra, misse, kosovarë, gjimnazistë, të fejuar, gra, cilido që kishte bërë nijet për t'u ngjitur në vendin e shenjtëruar. 

Ndjeheshe mirë e ngrohtë mbështjellë nga ky urim sa njerëzor aq edhe religjioz. Me siguri këtyre anëve kishte dalë njeriu që pati thënë i pari: "Pa miq, bota është e shkretë". Këtu të bëheshin miq zot e njerëz, shkrepa dhe rrëpira, përrenj dhe humnera, mali i Skënderbeut, luginat e Drojës dhe Gallatës poshtë në fushë, gurë graniti dhe frashër, panja, shkoza, ahe e pisha, deri lumi i Hurdhazës që derdhej në Mat dhe ai i Zezës që vërshonte në Ishëm. Peizazhi ishte një grishje për në lartësim shpirtëror, moral dhe atdhetar. Poshtë gurgullonte si baladë krutane lumi i Drojës, në të cilin ishin hedhur nga Shkëmbi i Vajës plot 90 vajza, lulja e bukurisë krutane, që mos të bëheshin robinja të pushtuesit turk. Peizazhi formë ndryshonte, ndërsa çatitë e qytetit shpaloseshim si shami feste, valviteshin si flamuj të kuq, uronin ardhësit e shumtë si të qe pelerina e purpurt e kryekështjellarit legjendar, Vrana Konti. 

Pas kishim lënë guroret, këto dinosaur të egër të natyrës, shpërthimet tronditëse të dinamitit, pluhurin e zhultë që ngrihej si tym djegiesh, duke i dhënë peizazhit parajsor krutan një hije të përzishme. Ullinjtë, kumbullat, pishnaja në hyrje të qytetit, mbjelljet nëpër kodrina, vreshtat, gjithçka e gjallë, dukej si e thinjur. Një gri e egër, asfiksuese. Ishte shfrytëzimi pa kriter i shkëmbinjve të Krujës, këtyre karakollëve të lirisë dhe monumenteve të gjalla, ku "Atleti i Krishtërimit", Skënderbeu, kishte shkruar simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit europian. Vetëm Krujës nuk i shkonin ato thinja pluhurore dhe ato tymtarë gëlqeresh, ndaj të cilëve duhej bërë patjetër diçka në mbrojtje të ekosistemit të krahinës. Krutanët janë punëdashës, përgjegjësia e saj ndjehej ngado, natyra sikur thonte: për çdo njeri ka një lloj pune me të cilën bëhet i dobishëm për familjen, qytetin dhe shoqërinë, duke gjetur aty njëkohësisht edhe lumturinë e vet. 

Vështrimi nuk kishte ku të ndalej më parë, mrekullia e natyrës harmonizohej me ditën e kthjellët, qiellin e kaltër, ku si qengja të bardhë luanin disa re të vogla. Nëpër kthesa të rrugës, treteshin nga errozioni furrat e shuara të gëlqeres, dëshmi e resurseve të pashembullta të këtij masivi shkëmbor jetëdhënës. Jo më kot, kronikanët turq e kishin quajtur "Qyteti i bardhë". Gëlqerja e Krujës, graniti i saj, guri i bardhë, pse jo rëra, granili, çimentoja, janë me emër në fushën e ndërtimtarisë për të gjitha viset shqiptare. Makina i vinte rrotull Malit të Skënderbeut, si t'i blatonte një valle, një rit, një baladë të kohës. Isa Halili, përqendruar në timon, nuk mungonte të shijonte magjinë e peizazheve alpine që çeleshin me spektrin e plotë të ngjyrave të ylberit. Të bëhej sikur mëma natyrë po shfletohet para nesh një album të rrallë.


Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë
Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë






































Kruja, vizitorët e shumtë, të huaj dhe vendas, i grish në dilema dhe mrekulli. Cilën rrugë të marrin, cilën relike të përzgjedhin, cilën monumet historik apo kulturor të vizitojnë? Ku më së pari të shkrepin foton e rrallë! Ç'objekt etnografik, folklorik, gdhendje në dru a alabastër, bakër të rrahur apo veshje të endur në vegjë, qëndisur me gjergjef e larë në arë, të blejnë. Me një shtrirje intime, epike, familjare, lirike dhe origjinale, frymëmerr e gjallë, ku shenjtëria me historinë bashkëjetojnë në paqe përjetësisht. Vargu i njerëzve dhe makinave që vijnë për peligrinazh zgjatet si gjerdan mirësie, derdhet si lum i kthjellët në dy drejtime, drejt Muzeut "Gjergj Kastriot Skënderbeut", dhe Sari Salltëkut, vendit të bekuar. Kruja e bardhë i mirëpret njëlloj zemërhapur, si ato që vijnë për hall e nevojë, për të përfituar shërbesat e shenjtit Sari Salltëk, ashtu dhe ata që vijnë për kërshëri, kulturë turistike apo njohje të vlerave historike qytetare.

Arritëm në Sari Salltëk. Legjendat flasin për një njeri të shenjtë, figurë gojëdhënash bektashiane, për të cilin mendohet të ketë qenë dervish në oborrin e Sulltan Orhanit (1326-1360) dhe dishepulli i drejtpërdrejtë i Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të Bektashizmit. Gjurmët arkeologjike dhe lashtësia e tyre tregojnë se më shumë gjasa ka që Sari Salltëku të ketë qenë një figurë ballkanase e agimeve të historisë, të cilën bektashinjtë e shfrytëzuan, për popullaritetin që gëzonte, si simbol të sinkretizmit dhe toleancës fetare islame, për përhapjen e doktrinës së tyre. Për herë të parë, Sari Salltëku, përmendet nga gjeografi maroken Ibn Battuta, (1304-1377) i cili pohon se për të ka patur shtatë varre, në çdo njërin prej të cilëve gjendej një pjesë e trupit të martirit. Varr për Sari Salltëkun nuk ka vetëm në Krujë, por edhe në majën e malit të Pashtrikut në Has, në kishën e Shën Naumit në brigjet jugore të Liqenit të Ohrit, etj. Studiusi holandez, Machiel Kiel, ka zbuluar së fundmi në një regjistër perandorak Osman të viteve 1567-1568, një shënim për ndreqjen e rrugës që çonte nga qyteti i Krujës për tek varri i Sari Salltikut, ku thuhet: "Në malin e Krujës është varri i Sari Salltëkut, ku njerëz nga trevat përreth vijnë për peligrinazh. Rruga e përmendur është mjaft e pjerrët dhe e mundimshme për t'u ngjitur nga vizitorët"...,"...disa vendas me të dhjetat...janë ngarkuar të shtrojnë, të sheshojnë e të ndreqin rrugën kurdo e kudo që ajo të prishet"...

Ndjehesh i mrekulluar. Të bëhet vetja si në ballkonin e perëndive. Syri rrokte gjithë Shqipërinë. Tiranën. Detin. Tomorrin. Kepin e Rodonit. Rrugën e Arbrit. Malin e Shëngjinit. Malin me Gropa. Lagunën e Patokut. Ishmin e piktorit të shquar, Ibrahim Kodra, etj. Një arrë e madhe, çuditërisht e vetme, gjallonte si monument qindravjeçar. Kujtesa e kohërave. Miku im. Lumtori, më tregoi se aty, kishte qenë bazë e raketave në kohën e diktaturës. Vërtetë për t'u çuditur! Ishte një antitezë e mahnitshme me historinë, namin dhe simbolikën e vendit. 


Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë
Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë




































Sari Salltëku, dëshmonte legjenda, kishte qenë një dervish i thjeshtë, kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një kuçedër që e kishte shtëpinë në shpellën majë malit, kërkonte nga qyteti t'i blatonin për të ngrënë çdo ditë një burrë dhe një grua. Dervishi i moshuar, me mjekër të bardhë, ishte dukur të ecte kalldrëmeve të qytetit me një degëz qiparisi në dorë, kurse në brez kishte ngjeshur një shpatë druri, dëshmi e misionit paqëtues. Legjenda thotë se i kishte ardhur radha vajzës së bukur të princit, e cila sypërlotur po i ngjitej malit për t'u flijuar. Aty ndeshi dervishin, që edhe pse veshur me zdranga e zhele nuk e trembi vajzën. 

Pasi dervishi mori vesh gjëmën që priste vajzën, e shoqëroi për tek Kuçedra. Vendi ishte tharë e përcëlluar nga fryma e përcëllimtare e Kuçedrës. Vajza digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shkopin në shkëmb, nga ku kishte gurgulluar uji i freskët. Fati i betejës dihet, me shpatën e drunjtë, dervishi plak, i preu Kuçedrës shtatë kokët që villnin kob e gjëmë. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e re të princit, por kërkoi si shpërblim të jetonte në shpellën majë malit. Legjenda vazhdon se me mushkën e tij, dervishi Sari Salltëk, vetëm me katër hapa arriti Korfuzin. Gjurmët duken edhe sot e kësaj dite në Fushë-Krujë, Shijak dhe Durrës...

Edhe Sari Salltëku kishte përjetuar tmerrin ateist-komunist. Më 1967 ishte shembur vendi i shenjtë, por krutanët nuk ishin shkëputur nga besimi. Netëve, merrnin të përpjetën e mundimshme me dashin në krah, bënin kurbanin dhe ktheheshin pa iu trembur rrokullimës për në zgafellat e thella të malit. I ruante dhe printe Sari Salltëku. (Të ndihmohtë!) Bektashinjtë i përbahen formulës: "Eline, diline, beline sahip ol", që do të thotë "...të mos vjedhësh, të mos gënjesh, të mos flasësh kot dhe të mos bësh tradhëti bashkëshortore...". 

Për të mbrojtur këtë besim është masakruar martiri i besimit, Baba Myrtezai i Krujës, i cili, pasi u turturua dhe gjymtua nga zelli ateist, u hodh nga dritarja e burgut në vitin 1946. Ky martir i kohës sonë, se ç'më kujtoi rilindasin tonë të madh, Naim Frashërin, që në veprën "Fletore e Bektashinjët", shprehet: "Besa e Bektashinjve është udha e gjerë që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë. Miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Me një anë ka lulet e diturisë, më anën tjetër të së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri, s'mund të bënetë njeriu bektashi i vërtetë"...

Vendi ishte si një ballkon gjigand. Ballkoni i Krujës, ballkoni i shenjtërisë dhe historisë. Ballkoni i bukurisë. Prej aty, syri shkonte larg në horizonte, hynte thellë në histori. Shpella edhe pse zbriste në zemër të shkëmbit, ngjitej për në lartësim shpirtëror, pastrim moral, qetësi të amëshuar. Shkallët edhe pse uleshinin, krijonin imazhin e fluturimit. Qetësi. Harmoni divine midis shpirtit dhe trupit. Natyrës dhe hyjnores. 



Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë
Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë







































Gurgullimë uji. Freski. Qirinj të ndezur. Stalaktide dhe stalakmide, dëshmi e lotëve të mpiksur të pelegrinëve halleshumtë që nuk mungonin të vinin për të qetësuar dhimbjet e trupit, zemrës dhe shpirtit. Nëpër mure emra, dëshira, iniciale, gdhendje, skicime, foto të zbardhura nga koha. Vetëm dashuri. Dashuri dhe aspak urrejtje. Varret, mbuluar me pelerinën e gjelbërt, dëshmonin gjethimin, ringjalljen, pavdeksinë e këtij shenjti që nuk mungonte të shëronte plagët e njerëzve modern, për të cilin qe sakrifikuar në antikitetin e largët... Dolëm nga shpella dhe ndjeheshim të lehtësuar. Në trup e shpirt sikur më pëshpëriste një lajm i mirë...

Pllaja në majë ishte e bukur. Ujdhesë. Kullotë alpine. Bredh. Ah. Pishë. Panjë. Lerat e ujit për bagëtitë. Stane. Disa lokale. Tufa bagëtish. Makina të shumta që pushonin nën hijen e shenjtërisë. Nëpër livadhe gëzoheshin lulet e stinës, lulebleta, çaji, luledelet, luleakulli, manushaqet, luleshtrydhet... Pelegrinë dhe turistë. Ta kishte ënda të pushoje. Njerëzit ishin përhapur nëpër punët e ditës. Tek i shihja me merakun e punës në sy, në mend më erdhi një thënie e artë e Mit'hat Frashërit, "Shpresa është bijë e punës!"... 

Këta njerëz patjetër që besonin në të ardhmen. Ato shpresonin nga puna e tyre, djersa e ndershme, përpjekjet e duarve, natyra e mrekullueshme. Ato kishin pasur dhe do të kishin të ardhme. Jetonin nën hijen e shenjtërisë, historisë së lavdishme, bukurisë së natyrës, madhështisë së vendit dhe institucionit të punës dhe meritës. Me mund e sakrifica kishin ngritur tempullin e përjetësisë, Krujën e tyre.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...