2012-02-09

Zefi i vogël kaloj një fëmijëri të varfër

Serembe.jpg


Zef Serembe,u lind më 1843 në Shën Kosmo Albanese, apo siç thonë vendasit vetë, Strigari. Babai i tij, Angjelloja, mori pjesë aktive në revolucionin e viti 1848 kundër Burbonëve të Napolit. I dënuar me vdekje, pas dështimit të këtij revolucioni, ai bëri ca vjetë jetën e ilegalit e të të arratisurit politik, i ndjekur këmba-këmbës, duke i shpëtuar shpesh rrethimit të policisë, me pushkë në dorë. I sëmurë rëndë, Angjelloja arriti më në fund të falet nga qeveria e u kthye në shtëpi por, nuk ishte më i zoti për punë. Ekonomikisht u shkatërrua. Zefi i vogël kaloj një fëmijëri të varfër, me hallin e babait, e u rrit shëndetlig. Jeta e t’et la një mbresë shumë të madhe mbi djalin i cili u rrit në kohën kur Lëvizja Kombëtare italiane ishte në kulmin e saj. Pak vjet Serembeja studjoi edhe në kolegjin e Shën Adrianit, ku pat si mësues të shqipes De Radën, i cili u bë një nga miqtë e tij më të dashur dhe influencoi për mbarë tek poeti i ardhshëm. Ca nga varfëria e ca nga shëndeti i lig, u detyrua t’a lërë shkollimin. Një sëmundje e rëndë e veshit, që i ra në shkollë, e dërmoj rëndë. 
Ajo, siç duket, ishte fillimi i shkatërrimit të tij psikik. Nuk dimë se kur e la Zefi shkollën e me se u muar pastaj? Po udhën e vjershërisë, ai, siç duket, e nisi herët? Një nga kujtimet e tij më interesante është vjersha ,,Për lirinë e Venedisë’’, e shkruar më 1886. I rrëmbyer nga idetë e ngjsrjet e Lëvizjes Kombëtare italiane, poeti i ri këndon aty për Garibaldin e bashkimin e Italisë, urren absolutizmin, mburret për pjesëmarrjen e Arbëreshëve në Lëvizjen Garibaldiane. Deri më 1870, nuk e njohim veprimtarinë e Serembes. Një dashuri e pafat që shtiu me një fshatare arbëreshe, rëndoi shumë mbi jetën e rrëmbyer të poetit. Vajza, bashkë me prindërit, emigroi në Brazil, ku shkonin qindra-mijëra italianë të jugut të cilët s’kishin tokë e që nuk gjejshin punë në vend. E dashura e poetit nuk jetoi shumë dhe vdiq. Zefi i pangushëlluar, që deri atëherë i kishte kënduar me shpresë, u nis edhe ai për në Brazil më 1875. Dëshironte që, së paku, të shohë varrin e të dashurës së tij, të këmbejë jetë e mbase edhe t’i lerë shëndetin varfërisë. Në Brazil, siç duket, poeti nuk bëri asnjë mot. Disa miqë e ndihmuan të ikë e Serembeja u nis për në vendlindje, me të vetme një trastë dorëshkrimesh - poezi, drama, një përkthim të ,,Psalmeve’’ të Davidit. Por, fatkeqësisht, duke u kthyer në vendlindje u sulmua nga disa njerëz të panjuhur dhe humbi dorëshkrimet e veta. Poeti më pas pat dhëmbje të madhe për këtë humbje e nuk u ngushëllua dot. Që prej Kadiksi, duke i rënë Spanjës, Francës e Italisë mespërmes, Serembe e bëri me këmbë udhëtimin deri në fshatin e tij shumë të largët, i uritur dhe i zbathur. Në fshat, ai nuk gjeti prehje e qetësi. Atje nisi edhe njëherë jetën e mëparshme të varfërisë. Më 1883, e shohim të botojë librin e parë me titull ,,Poezi italishte e këngë origjinale të përkthyera nga shqipja’’, Kozencë. Aty përmblidheshin nja pesë vjersha të tij italishte me vlerë të dyshimtë e nja tridhjetë e dy vjersha shqipe të botuara vetëm në përkthimin italisht, një përkthim shumë i dobët. Serembe vazhdoj të bëjë, gjatë kësaj kohe, jetën e tij të vështirë prej të papuni, çdo ditë edhe më i dobët nga shëndeti. Më 1886, miqtë e tij të Sicilisë, kanë marrë vesh se poeti është seriozisht i sëmurë dhe për këtë çështje e pyesin De Radën, duke dashur të dijnë se ku është Serembe. Më pas, i neveritur keq edhe njëherë prej jetës në Kalabri, ku çlirimi i vendit nga Burbonët s’kishte sjellë ndonjë ndryshim të dukshëm shoqëror, Serembe niset edhe njëherë për në Brazil. Atje vdiq më 1901, në qytetin San Paolo. Siç duket në një nga dokumentet që kemi nga vitet e fundit të jetës së poetit, ku e mbaroi jetën tragjikisht, në çmenduri. 
Pas vdekjes së Serembes, rrallë u botua ndonjë vjershë e tij, para se një nip i tij të mblidhte gjithçka mundi të gjejë e t’i botojë shkrimet e para në Milano, më 1926, nën titullin ,,Vjersha’’ - gjithsejt 39 sosh. Vetë botuesi, në parathëniet, na thotë se i preku vjershat, duke i hekur ,,ndonjë barbarizëm të rrallë’’, se ai nuk mbajti ,,sistemin grafik’’ të autorit e se përdori një tjetër ortografi. Keto kështu kanë bërë që vjershat e Serembes të preken veçanërisht në gjuhën e tyre. Dy janë motivet kryesore të poetit: atdheu dhe dashuria. Motivi patriotik - Serembe, bir i një revolucionari të 1848-tës, bir i kohës kur Lëvizja Kombëtare shqiptare kishte filluar, u gllabërua herët nga idetë e përparuara të çlirimit të popujve. Këtë na dëshmon vjersha e parë që e njohim me emrin ,,Për lirinë e Venetisë’’. Interesi i kësaj vjershe është i madh jo vetëm se aty bën majë talenti i një poeti mjaft të pjekur, që sigurisht nuk e ka të parën herë që shkruan, por sidomos se aty Serembe na shfaq idetë dhe idealet e tij kryesore, ide dhe ideale që ai i ruajti gjithë jetën. Me entuziazëm të madh poeti e ka përshëndetur bashkimin e Italisë e heroin e madh të këtij bashkimi Xhuzepe Garibaldin, dora e djathtë e të cilit, gjatë fushatës, qenë edhe arbëreshët. Garibaldin poeti e krahason me Skënderbeun tonë, që bëri bashkimin e shqiptarëve kundër Turqisë së sulltanëve:


,,Këmishkuqi trim me fletë
Skënderbeut tonë i ngjet
se kur rreptas shpatën nxjerr
si rrufeja djeg e shqerr,,

Motivi i dashurisë

Në përmbledhjen e vjershave të Serembes, lirika e tij erotike zë gjysmën e vendit. Edhe këtu, si në poezinë e tij patriotike, Serembe na i këndon drejtpërsëdrejti ndjenjat e tij. Poeti duket se dashuroj që në moshën fare të re një vajzë të thjeshtë arbëreshe: ,,ti je gocë, unë jam djalë’’, i thotë ai në një vend të dashurës duke kujtuar kohën kur u zu malli i tyre. Vajzën, për të parën herë, e kishte takuar te kisha. Poeti na ka dhënë portretin e vashës në tingëllimen ,,Fytyra e saj’’, ku na e përshkruan të hollë e të drejtë si një kumbull, që ecën si zogë, me zërin plot harmoni, me sytë e zezë plot mendim e dashuri. Flokët e saj të zes i ndan shtegu e rreth krejt i rri gërsheti. Kur qesh, poetit i duket sikur për të hapen qiejt. Zefi pat ushqyer ëndërrat më të bukura të lumturisë e e priste me padurim ditën kur do të bashkoheshin, kur do të martoheshin. Po ,,fati’’, - kundër të cilit poeti ngrihet shpesh me mëri nuk e deshi atë lumturi. Një ditë vajza u largua përgjithmonë nga fshati e iku përtej deteve, në Brazil. Poeti jetoj me zemër e mendje tek ajo, gjersa mori vesh vdekjen e saj. Atëherë kishte të paktën nëntë vjetë që ata ishin ndarë e që poeti vuante. 
Tani e tutje ai do të jetojë pa shpresë, i dëshpruar keq nga jeta. Dashuri e Serembes, që filloj si një idil i thjeshtë e i ëmbël fshati, përfundoj tragjikisht, e i solli poetit një nga brengat e tij më të mëdha të jetës, i shtoi mërinë ndaj shoqërisë e e bëri edhe pesimist.

Në opusin poetik të krijuar në gjuhën shqipe, sonetin e ka krijuar me një prirje dhe sens të dukshëm, duke e bërë këtë formë poetike si një nga shenjat identifikuese të artit poetik të tij. 

Po të kihet para sysh mënyra e krijimit të poezisë nga Zef Serembe, pra, krijimi edhe ad hoc i poezive, me improvizim të atypëratyshëm të vargjeve, me shumëzimin e varianteve të së njëjtës vjershë nga rasti në rast, prirja e tij drejt sonetit duket e habitshme. Kjo për arsye se soneti është një formë shumë precize nga pikëpamja metrike, që do të thotë se kërkon një organizim shumë specifik të vargut. Krijuesit e sonetit rëndom njihen si autorë të disiplinuar, me prirje për të punuar gjatë në skalitjen e vargjeve dhe në përsosmërinë e shprehjes poetike. Ndërsa, Zef Serembe ishte një autor me një dinamikë jetësore larg prehjes e disiplinës, larg rehatisë e përqendrimit. Duket se ishte vetë karakteri i tij ambicioz, shkaku themelor i vështirësive të jashtme, që ia nxinin jetën. Zef Serembe nuk kënaqej brenda një konvence sociale e intelektuale, e cila i ofronte mundësi të kufizuara për t’u afirmuar si personalitet dhe si krijues. Hapësira e ngushtë e komunitetit arbëresh, izolimi i këtij komuniteti, prapambetja sociale dhe kulturore, prej Zef Serembes përjetohesin si pranga, edhe në kohën kur ai nuk arrinte ta artikulonte racionalisht pakënaqësinë dhe revoltën e vet. Përjetimi i detajeve të ambientit të vendlindjes së vet me ritme dramatike, është shprehje e shqetësimit dhe e pakënaqësisë, më shumë se e identifikimit të fuqishëm me atë ambient, edhe pse as kjo lidhje nuk mungon. 


Nga kjo shpërputhje evidente e jetës dhe e krijimtarisë së tij, po ku soneti ishte një formë e preferueshme poetike, bëhet e qartë se Zef Serembe kishte një talent jashtëserik, i cili edhe në fushën e krijimtarisë poetike thyente konvencat, ngase ai arrinte të krijonte sonetin, në formën e tij të komplikuar, edhe në një bashkëbisedim rasti, në një darkë miqsh, me lehtësi të jashtëzakonshme. Fjala vjen, sonetin “Dhuninkë Maurit”, poeti e krijoi në prani të vetë Maurit, si një shenjë nderimi për personalitetin e shquar të botës arbëreshe. Nëse nuk e ka lexuesi këtë informacion lidhur me mënyrën e krijimit të sonetit “Dhuninkë Maurit”, e ka të pamundur të vërejë ndonjë disnivel esencial të këtij krijimi poetik me krijimet e tjera të Zef Serembes. Organizimi metrik i sonetit “Dhuninkë Maurit”, është krejt brenda skemës së njëmbëdhjetërrokëshit. Poashtu skema rimore në katrena :abba/ abba dhe në terceta: cde/edc, është precize, si në shumicën dërrmuese të soneteve të tjera të poetit. Disa nga elementet e skicuara në këtë sonet, si portretimi moral i heroit lirik, vlerësimi i veprës së këtij heroi nga pikëpamja morale dhe nacionale, vlerësimi i diturisë si një nga kulmet e arritjes së intelektit njerëzor, në fakt janë nga ato elemente që përsëriten edhe në krijime të tjera të Zef Serembes, si qendra të ideve poetike të tij. Me një fjalë, që në vitin 1860, kur e improvizoi këtë sonet, në një ndejë rasti, Zef Serembe, ishte krijues me botëkuptime të formuara, aq sa ato arrinte t’i artikulonte me një lehtësi evidente edhe në formën e rafinuar të sonetit, si të ishin korpus i poezisë gojore. 


Sonetet e Zef Serembes në gjuhën shqipe, janë në koherencë të plotë me prirjet dhe me realizimet e tjera poetike të këtij autori. Nga kjo pikëpamje, Zef Serembe është një poet me origjinalitet të dallueshëm qartë, pavarësisht se në çfarë forme poetike shprehet. Rrjedhimisht, sonetet e tij janë brenda qarkut të poetikës serembiane, të ngjizjes së shpërthimit momental e impovizimit dhe synimit që të arrihet pësosmëria e formës poetike, e jo produkt i analogjive apo i shfrytëzimit të modeleve të gatshme të poetëve të tjerë. Madje as bashkëkombësit e tij të famshëm, Jeronim De Rada dhe Gavrill i Riu, nuk janë modele për Zef Seremben, sepse ata nuk kanë krijuar fare sonetin. Ndërsa, poemat narrative të këtyre dy kolosëve të poezisë shqiptare, nuk ndiqen nga ana e Zef Serembes, as në kompozicion, as në ide. Poezia e Zef Serembes përgjithësisht është më lirike, më ekspresive, më e shkurtër dhe më pak narrative, se poezia e De Radës dhe e Gavrill Darës së Ri. 

Nga ana tjetër, as krijimet sonetike të poetëve të mëdhenj italianë, si Dante Aligieri e Francesko Petrarka, nuk janë ndjekur si modele. Zef Serembe nuk ka krijuar tërësi më të mëdha sonetike, me personazhe të afishuara si shëmbëllim i Beatriçes së Dante Aligierit apo i Laurës së Françesko Petrarkës. Konceptimet poetike të Zef Serembes në krijimet sonetike, nuk janë produkt i koncepcioneve dhe konstruksioneve filozofiko-morale, i procedurave të ndërlikuara kompozicionale dhe ideore. Edhe kur nuk janë krijime ad hoc siç është soneti kushtuar Domenikë Maurit, sonetet e Zef Serembes janë më shumë shpërthime spontane poetike, që evidencojnë ndonjë detaj ose ndonjë përjetim konkret intim, në korelacion me ambientin e jashtëm, po që mbyllet në një kornizë të reaksionit personal apo të një vlerësimi moral. 

Sonetet - përkushtime: ballafaqimi i vlerave të vetes me të tjerët 

Në nivelin e tematizimeve poetike, Zef Serembe ka krijuar sonetet-përkushtime, ndaj disa figurave konkrete të komunitetit arbëresh, ose edhe më gjerë. Përveç sonetit “Dhuninkë Maurit”, sonete-përkushtime janë edhe: “Aliut Tepelenasit”, “Koroneut”, “Shën Mërisë Virgjër”, “Shën Kozmait e Shën Damjanit” dhe “Zep De Radës”. Koncepti inicues i këtyre përkushtimeve duket të jetë impulsiviteti i përjetimeve personale dhe i nevojës së shqiptimit të atyre përjetimeve intensive, pastaj mahnitja me figurat e caktuara dhe iritimi me disa të tjera. Po në të dyja rastet, poeti veten e sheh në qendër të përjetimit e të vlerësimit poetik, moral e njerëzor, qoftë në rolin e adhuruesit, ndaj Dhuninkë Maurit, Koroneut, Shën Kozmajt e Shën Damjanit, Zep De Radës, qoftë në rolin e gjykatësit, ndaj Aliut Tepelenasit, Shën Mëris Virgjër.) 


Kontrollimi rigoroz i shprehjes dashurore - dëshmi e moralitetit 

Motivi dashurisë,
 që është një nga motivet qendrore të poezisë së Zef Serembes, është përjetësuar edhe në një sonet të poetit në gjuhën shqipe, “Fitirja e asana”. Soneti fillon me konstatimin e subjektit poetik për bukurinë e vashës dhe vazhdon me përshkrimin e bukurisë së saj fizike. Është një përshkrim gradual, i qetë dhe solemn, deri sa arrin pikën kulmore në vargun e fundit, (“ E ndë se kjeshën te Mbiereu të kjellë”), duke e bërë bukurinë e saj një fuqi që i kundërvihet edhe ligjit të gravitacionit. Po e tëra është e realizuar me një drojtje, me kursim dhe me kujdes të theksuar, thua se poeti ka drojë se mos e lëndon subjektin e poezisë së tij. Po ky kursim ndihet edhe në sonetin “Zonjës lule”. Ky kontrollim rigoroz i shprehjes, mund të jetë dëshmi e moralitetit të poetit, përkatësisht e vetëdijes së tij për vlerësimin moral të komunitetit. 



Vetërrëfimi i sinqertë 

Soneti “Fitirja ime”,
 i përbërë nga dy njësi, është portetimi më autentik i pamjes fizike dhe i karakterit të poetit Zef Serembe, me vlera edhe për sa i takon autobiografisë së poetit. Këto dy njësi sonetike duket se e kanë fillesën te një nevojë e poetit që të argumentojë shëndetin dhe moralitetin e tij faqe të tjerëve, o për faktin se vetëdija për posedimin e këtyre vlerave e bënte krenar, o për faktin tjetër se kishte nevojë që të fitonte edhe miratimin e të tjerëve për atë që thoshte vetë për veten. Pra, më shumë se një nxitje e pastër krijuese, për të shpalosur ide e mesazhe poetike, këto dy krijime poetike janë përpjekje për të legjitimuar veten në në një edicion të vlerës kulminante konkrete jetësore. Përdorimi i figurës së efiksionit për të përshkruar në detaje pamjen e vet fizike, është një moment interesant në veprën e poetit Zef Serembe. Në prapavijë të kësaj nevoje personale të argumentimt të shëndetit e të moralitetit personal, mund të qëndronte ndoshta dyshimi i fshehtë i ndokujt ose i shumëkujt, megjithëse poeti nuk ka frymë polemike në vargjet e tij. Ka vetëm argumentim të shtresuar, të shndërruar në argument përfundimtar, të panegocueshëm, (“ Si jam mirë e kodinë tas nganjeri”) Pozicionimi i vetes në poezi, herë konkretisht e herë si hero imagjinar, është një prirje e natyrshme e romantikëve, prandaj po të shikohet nga kjo anë, Zef Serembe vetëm ndjek rrymën e madhe romantike. Por, shikuar nga fati jetësor që më vonë iu rezervua, kjo poezi është një paralajmërim i atij fati të ngjizur në kundërthënie e në fatkeqësi, sepse ndarja ndërmjet shëndetit fizik dhe atij shpirtëror, është evident. 


Struktura metrike e soneteve të Zef Serembes 


Sonetet e Zef Serembes të shkruara në gjuhën shqipe
, janë të paramenduara prej poetit brenda natyrës strandarde të kësaj forme poetike, pra në njëmbëshdhjetërrokësh dhe me një kombinim të caktuar të rimave. Edhe në rastet kur sonetin e krijon ad hoc, si sonetin kushtuar Dhuninkë Maurit, Zef Serembe manifeston dijen dhe ndjeshmërinë që të respektojë strukturën e kësaj forme poetike. Në këtë sonet të Zef Serembes, dominon si tendencë njëmbëdhjetërrokëshi, megjithëse haset ndonjë oscilim metrik, pra një pasaktësi në disa vargje: 2, 6, 8. Skema e rimave është: abba/abba për katrenat dhe cde/edc për tercetat, që do të thotë është krijuar brenda një modeli të njohur të sonetit. 

Në katrenat Zef Serembe krijoi sipas skemës së rimës së alternuar abab/abab në pesëmbëdhjetë sonete, ndërsa sipas skemës së rimës së kryqëzuar në katër sonete. Ndërsa, në një sonet ka përdorur një skemë krejtësisht të çrregullt, abba/cccc, e cila nuk është në pajtim me skemat e kësaj forme. 

Sa u përket tercetave, ato janë krijuar në formë kombinimesh shumë të larmishme, gjë që është në pajtim me praktikat e shumicës së poetëve që kanë krijuar sonete. 

Po në përgjithësi mund të thuhet se rimat e soneteve të Zef Serembes nuk janë gjetje shumë mjeshtërore, nuk janë rezultat i ndonjë perfeksioni më të fortë poetik, i cili do të synonte që koncentrimin e ngarkesës semantike ta bartë në rima. 

Zef Serembe është poeti i shpërthimeve të forta emocionale, i ligjërimit që synon transmetimin e informatës për ndjenjat e tij personale, për oscilimet dramatike të disponimit të tij. Kjo qasje e bën që të mos koncentrohet më shumë në mënyrën e transmetimit, po në vetë transmetimin e informatës poetike. Prandaj, poezia e tij, ku përfshihen edhe sonetet, shquhet për një komunikativitet më të lartë. 

Po të shikohen brenda veprës poetike të Zef Serembes, sonetet në gjuhën shqipe, të botuara qoftë nga ai për gjallje qoftë nga Kozmo Serembe në vëllimin “Vjershe”, nuk paraqesin majat e vlerave artistike të Zef Serembes. Në planin tematik, ato paraqesin një intimitet më të thellë, më të dukshëm të poetit, që do të thotë se zgjedhja e kësaj forme poetike është bërë për të shprehur ndjenja më fine, më personale. 

Krijimi i sonetit prej tij sot ka një vlerësim të dukshëm në mendimin historiko-letrar shqiptar, sepse sonetet e Zef Serembes në fakt e konsitutojnë një praktikë të krijimit të kësaj forme dhe i krijojnë një nivel solid, i cili edhe në ditët tona mbetet i admirueshëm. 

Duhet të theksohet edhe një vlerë e veçantë e poezisë së Zef Serembes: edhe me mjete të kufizuara gjuhësore, (një e folme e izoluar, pa zhvillim normal për shekuj të tërë), mund të krijohen vepra poetike solide, kur është fjala për talente të mëdhenj. 



Sonetet në italishte


Zef Serembe shkroi një numër të madh sonetesh në gjuhën italishte, ose i botoi në këtë gjuhë sonetet që paraprakisht i kishte shkruar në gjuhën shqipe. Në parathënien e vëllimit “Canti originali tradotti dall’ albanes” të vitit 1883, Zef Serembe, ndër tjë tjera shkruan: “ E ky është motivi për të cilin, o Rini e shkelqyeshme Italiane, vendosa me zemër të thyer të jap për botim këtë vëllimth ku, së bashku me përkthimmin fjalë për fjalë të disa këngëve të mia origjinale shqipe, kam future edhe disa poezi të miat italisht, të diktuara pothuaj në mënyrë të improvizuar, sipas kërkesës së miqve, me shpresë që me të hollat nga shitja e këtyre të mund t’i grumbulloj mjetet që më janë të nevojshme për t’ia arritur qëllimit që i kam caktuar vetes.” 8 

Pra, vetë autori e bën të qartë se këto sonete janë botuar në gjuhën italishte, ndërsa origjinali në shqip nuk është publikuar. 

Edhe Alberto Stratiko, i cili ishte një njohës i mirë i veprës së poetit, në shkrimin e tij “Manuali di litteratura albanese”, në vitin 1896, ndër të tjera shprehej: “Poezitë shqipe, që janë 32, nuk u publikuan në origjinal, por u kthyen fjalë për fjalë prej vetë autorit në një italishte të papërpunuar dhe jo të përpiktë…”9 Ndërsa, përkthimet që janë bërë nga studiues të poezisë së Zef Serembes, nuk mund të mirren si objekt studimi, sepse ato janë përkthime dhe jo krijimet origjinale të poetit. nuk është i Zef Serembes. 

Ajo që është e rëndësishme për studimin tonë, ka të bëjë me faktin se Zef Serembe e manifestoi prirjen e tij ndaj sonetit edhe në krijimet në italishte, dhe se në fazën e vonshme të krijimtarisë së tij, këtë prirje e mishëroi edhe drejt krijimit të tërësive poetike sonetike, si në rastin e krijimeve “Një zoti kalabrez”, “Një fshatarak tagrambledhësit të …cilitdo vis të Italisë”, “Ideali im”, “Një vashëze”, etj. Këto krijime janë konfirmim i prirjes së tij ndaj sonetit dhe i aftësisë së tij që të shqiptojë idetë dhe ndjenjat e veta në këtë formë delikate dhe komplekse poetike.

Në kulturën e shqiptarëve ka lënë gjurmën e saj të thellë historia e tyre e brendshme dhe e jashtme.



Skeda:Jorgo Bulo.gif
Jorgo Bulo


Pjesë e trevave të lashta ilirike, udhë kryqëzimi e qytetërimeve dhe e interesave gjeopolitike gjatë dyndjeve barbare e më pas, provincë e perandorive të perëndimit dhe të Lindjes, të Romës e të Bizantit, pasi kishte bërë e çbërë gjatë shekujve, despotate e principata të pavarura, dhe pasi kishte formuar më së fundi shtetin e Skënderbeut, i cili u qëndroi për një çerek shekulli hordhive osmanve, duke u kthyer në mburojë të krishtërimit dhe të qytetërimit europian, Shqipëria e cfilitur nga luftërat, pas vdekjes së heroit të rezistencës së saj, Gjergj Kastriot-Skënderbeut (1468), kishte rënë në fund të shek.XV nën zgjedhën e Perandorisë së Sulltanëve.
Vendi ishte kthyer pas në një fazë zhvillimi ekonomiko-shoqëror historikisht të kapërcyer. Rrjedhat normale të kulturës shqiptare, që ecte në një hap me humanizmin evropian, u ndërprenë. Pasoja e parë e pushtimit ishte hemoragjia e elitës intelektuale në Perëndim. Prej saj u shquan figura, që bënë emër në botën humaniste, si historiani M. Barleti (1460-1513), që botoi në Romë më 1510 një histori të Skënderbeut, e cila u përkthye thuajse në të gjitha gjuhët e Evropës, ose M. Beçikemi (1408-1526), Gj. Gazulli (1400-1455), L. Tomeu (1456-1531), M. Maruli (shek. XV), M. Artioti (1480-1556) e të tjerë, që u dalluan në fusha të ndryshme të shkencës, të artit e të filozofisë.
Ndërkaq, në vend jeta kulturore u fashit, monumentet e kulturës materiale e shpirtërore u zhdukën nën rrënojat e shkatërrimit të luftërave; gjysmëhëna e uli kryqin dhe gati dy të tretat e popullatës në fund të shek. XVII ishin konvertuar në fenë islame. Por ky ndryshim drastik i strukturës fetare nuk pengoi që Shqipëria të ishte përherë një nga provincat më të paqeta të Perandorisë dhe as që kultura shqiptare të mbijetonte edhe në kushtet e një pushtimi disashekullor, nën trysninë e islamit e të botës kulturore të orientit, që pati një ndikim të thellë e të gjithanshëm në të, veçse pa arritur të shtypë natyrën shqiptare të kulturës vendëse.
Qëndresa në fushën e kulturës u shpreh në radhë të parë përmes lëvrimit të shqipes në lëmë të botimeve të teksteve kishtare, kryesisht të qarkut konfesional katolik në veri, por edhe ortodoks në jug.
Reforma protestante gjallëroi shpresat e zhvillimit të gjuhës e të traditës letrare vendëse kur prifti Gj. Buzuku solli në shqip liturgjinë katolike, duke dashur të bëjë për shqipen atë që bëri Luteri për gjermanishten.
“Meshari” i Gj. Buzukut, botuar prej tij më 1555, mbahet deri më sot, si e para vepër e shqipes së shkruar. Niveli i përpunuar i gjuhës dhe ortografia e stabilizuar duhet të jetë rezultat i një tradite më të hershme të shkrimit të shqipes, traditë që nuk njihet. Por ekzistojnë disa dëshmi fragmentare më të hershme se vepra e Buzukut, të cilat flasin për shkrimin e shqipes të paktën nga shek.XIV: 
E para dëshmi që njihet është e vitit 1332, e domenikanit freng Gulielm Adale, kryepeshkop i Tivarit, i cili në një relacion latinisht shkruan se shqiptarët kanë në përdorim në librat e tyre shkronjat latine edhe pse gjuha e tyre është fare e ndryshme nga latinishtja. Me rëndësi të vecantë jane: një formulë pagëzimi (Unte paghesont premenit Atit et Bizit et spertit senit) e vitit 1492, shkruar shqip brenda një teksti latinisht, nga peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli; nje fjalor me glosa shqip i vitit 1497, i gjermanit Arnold fon Harf, i cili pat kaluar si udhëtar në Shqipëri dhe një fragment nga Ungjilli i Shën Mateut, po shqip, por me shkronja greqisht, i shekullit XIV 
Shkrimet shqip të këtyre shekujve s’duhet të kenë qenë vetëm tekste fetare, por dhe kronika historike, për të cilat flet humanisti M. Barleti, i cili në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës” (1504) pohon se ka pasur në dorë kronika të tilla të shkruara në gjuhën e popullit (in vernacula lingua).
Me gjithë pengesat që krijoi Kundërreforma për lëvrimin e gjuhëve nacionale në literaturën kishtare, ky proces nuk u ndërpre. Gjatë shek. XVI-XVII u botuan në shqip katekizma “E mbësuame krishterë” (1592) e L. Matrëngës, “Doktrina e krishterë” (1618) dhe “Rituale romanum” (1621) të P. Budit, shkrimtari i parë i prozës dhe i poezisë origjinale shqipe, një apologji për Gjergj Kastriotin (1636) nga F. Bardhi, i cili botoi edhe një fjalor e lëndë folklorike, traktati teologjik-filozofik “Çeta e Profetëve” (1685) i P. Bogdanit, mendja më universale e mesjetës shqiptare.
Vepra e Bogdanit është një traktat teologjik-filozofik që trajton me origjinalitet, duke shkrirë të dhëna nga burime të ndryshme, çështje kryesore të teologjisë dhe një histori biblike të plotë, si dhe probleme të komplikuara të skolastikës, të kozmogonisë, astronomisë, pedagogjisë, etj. Bogdani solli në kulturën shqiptare frymën humaniste dhe vlerësoi rolin e dijes e të kulturës në jetën e njeriut; ai me veprën e tij të shkruar me një shqipe e stil të përpunuar, shënoi një kthesë në historinë e letërsisë shqipe.



Gjatë shekullit XVIII njohu një gjallërim më të madh literatura e qarkut kulturor konfensional ortodoks e mysliman. Një anonim prej Elbasanit sjell në shqip copa të ungjillit, T. H. Filipi, po prej Elbasanit, “Dhjatën e Vjetër dhe të Re”. Këto përpjekje u shumuan në shekullin e ardhshëm, me botimin më 1827 të tekstit integral të “Dhjatës së Re” nga G. Gjirokastriti dhe me korpusin e madh të përkthimeve kishtare të K. Kristoforidhit (1830-1895), në dy dialektet e shqipes, botime që ndihmuan procesin e integrimit të tyre në një gjuhë letrare të njësuar dhe vunë bazat për krijimin e kishës kombëtare të shqiptarëve me liturgjinë në gjuhën e tyre.
Ndonëse në kahje të kundërt me këtë prirje, duhet përmendur edhe kultura e Voskopojës, e cila gjatë shek. XVIII u bë një vatër e madhe qytetërimi dhe metropol i gadishullit ballkanik, me një Akademi e shtypshkronjë dhe me personalitete si T. Kavalioti, Dh. Haxhiu, G. Voskopojari, veprat diturore, filologjike, teologjike e filozofike të të cilëve objektivisht i ndihmonin shkrimit e njohjes së shqipes.
Edhe pse letërsia që u zhvillua në Voskopojë, ishte kryesisht në gjuhën greke, nevoja për t’i vënë gardh islamizmit, bën të domosdoshme edhe përdorimin e gjuhëve amtare, duke inkurajuar zhvillimin e kulturave kombëtare. Në shkollat e Voskopojës u përdorën dhe arumanishtja e shqipja për mësimin e greqishtes, kurse në shtypshkronjën e saj u shtypën edhe libra arumanisht.
Veprat e shkrimtarëve dhe dijetarëve të Voskopojës kanë sjellë disa elemente të ideve të iluminizmit evropian. Më i shquari ndër ta, Teodor Kavaljoti është një erudit i kohës. Sipas dëshmive të profesorit gjerman Thunman, vepra e Kavaljotit, që mbeti e pabotuar, në pjesën më të madhe ka trajtuar çështje pothuajse nga të gjitha degët e shkencës filozofike. Në të ndjehet ndikimi i Platonit, Dekartit, Malëbranshit dhe Leibnicit.
Rezultat i ndikimit të islamit dhe të kulturës së pushtuesit, ishte formimi gjatë shek. XVIII i një shkolle poetike, ose i një letërsie të shkruar në gjuhën shqipe, por me alfabetin arab. Autorë të saj si: N. Frakulla, M. Kyçyku, S. Naibi, H. Z. Kamberi, Sh. e D. Frashëri, Sheh Mala, e të tjerë, trajtuan në veprat e tyre motive të huajtura nga letërsitë orientale, shkruan mevludë e divane me një gjuhë të mbytur nga orientalizmat, lëvruan lirikën dhe epin religjioz. Kjo shkollë nuk pati jetë të gjatë dhe as ndikim të veçantë në zhvillimet e pastajme letrare.
Për të plotësuar kuadrin e zhvillimit kulturor të Shqipërisë në shek. XVI-XVIII duhet shënuar, se pati nga autorë vendës vepra të shquara në fushë të arkitekturës dhe të pikturës ikonografike, ku u dalluan Onufri dhe i biri Nikolla (shek. XVI) dhe K. Shpataraku e D. Selenica (shek. XVIII) të cilët vazhduan traditën e artit fetar post-bizantin, por jo pa ndikime nga Rilindja europiane. Në fushë të artit islam mund të përmenden kryesisht ndërtimet e kultit.
Shekulli XIX, shekulli i lëvizjeve nacionale në Ballkan, i gjente shqiptarët pa një traditë të mjaftueshme të zhvillimit shtetëror, gjuhësor e kulturor unitar, me një mendësi individualiste dhe regjionaliste, të trashëguar nga psikologjia e bajrakut dhe e fisit, për pajosë me një vetëdije kombëtare të pazhvilluar, por me një shpirt rebelimi spontan. Në këtë situatë historiko-kulturore nisi të merrte jetë një lëvizje e organizuar mendore dhe letrare që mori emrin Rilindja Kombëtare Shqiptare. Ajo u frymëzua nga idetë e romantizmit nacional dhe të iluminizmit, që u kultivuan në rrethet e inteligjencës shqiptare, e cila jetonte kryesisht në mërgim, në kolonitë e vjetra shqiptare në Itali dhe në ngulimet më të reja në Stamboll, Bukuresht, SHBA, Sofje e Kajro.



Ringjallja nacionale, mbrujtja e shqipes si gjuhë e kulturës, organizimi i arsimit kombëtar dhe themelimi i letërsisë kombëtare, në rrafshin kulturor, si dhe krijimi i shtetit të pavarur, në rrafshin politik, këto ishin synimet e kësaj lëvizjeje prej së cilës lindi shkolla e romantizmit shqiptar. Ishte ky një romantizëm tipik ballkanik, i mbrujtur me frymën e çlirimit kombëtar, me nostalgjinë e mërgimtarit dhe me patosin retorik të evokimit të mesjetës shqiptare, domethënë të luftrave të Gjergj Kastriotit. Kjo shkollë letrare lëvroi kryesisht poezinë. Heroi i saj ishte njeriu etik, shqiptari luftëtar, e më pak njeriu tragjik. Nga motivet dhe format poetike, ajo ka lidhje të ngushta me traditën folklorike. Gjurmimi i kësaj tradite dhe botimet në fushë të saj (“Rapsodi të një poeme arbëreshe” më 1866 nga De Rada, “Përmbledhje të këngëve popullore dhe rapsodi të poemave shqiptare” më 1871 nga Z. Jubani, “Bleta shqiptare” më 1878 nga Th. Mitko, etj.), ishin pjesë e programit kulturor të Rilindjes Kombëtare për afirmimin e identitetit etnokulturor të shqiptarëve.
Dy janë përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit shqiptar të shek. XIX: J. De Rada (1814-1903), lindur e vdekur në diasporën shqiptare në Itali e shkolluar atje dhe N. Frashëri (1846-199), lindur në Shqipëri, i shkolluar në Zosimea të Janinës, por i mërguar dhe vdekur në Stamboll. I pari është poeti romantik shqiptar i rritur në klimën e romantizmit europian, i dyti romantiku shqiptar që tret në poezinë e tij ndikimet e poezisë lindore, sidomos persiane, me frymën dhe shpirtin e poezisë së romaantizmit perëndimor.
De Rada shkroi një cikël poemash epiko-lirike në stilin e rapsodive shqiptare: “Këngët e Milosaos”, 1836, “Serafina Topia” 1839, “Skënderbeu i pafat” 1872-1874 etj. me ambicjen që të krijonte eposin nacional për shekullin e Skënderbeut.
Pas gjurmëve të Herderit, De Rada zgjoi në poezinë e tij mallin e për këngën popullore dhe e ngjyrosi atë me koloritin etnografik. Veprat e tij janë pasqyrë e jetës shqiptare me zakonet dhe mendësinë e saj karakteristike, si dhe dramën shqiptare të shek. XV, kur polemi i tij i panënshtruar ra nën zgjedhën e osmanëve. Konflikti midis lumturisë së individit dhe tragjedisë së kombit, skenat ndanë kroit në katund, gratë që mbledhin kallëza në ara, burri që shkon në luftë dhe gruaja që i qendis brezin, të gjitha të paraqitura me një ndjenjë lirizmi të hollë, ja ç’është poezia e këtij poeti romantik, që u rrit në klimën politike të lëvizjes nacionale të shqiptarëve dhe në klimën letrare të romantizmit kalabrez.
Naim Frashëri shkroi një poemë bukolike (“Bagëti e bujqësia”, 1886) një përmbledhje lirikash filosofike, atdhetare e dashurore (“Lulet e verës” 1890), një poemë epike për Skënderbenë (“Histori e Skënderbeut” 1898) një poemë epike religjoze (“Qerbelaja” 1898) dy poema greqisht (“O eros” e “O alithis pothos ton skipetaron) një tufë lirikash persisht (“Tehajylat” - Ëndërrime) dhe shumë vepra diturore shqip. Ai njihet si poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve.
Naim Frashëri themeloi lirikën moderne në poezinë shqipe. Në frymën e “Bukolikëve” e “Gjeorgjikëve” të Virgjilit, ai në poemën “Bagëti e bujqësia” u këndoi punëve të bujkut e të bariut duke i thurur një himn bukurive të atdheut të vet dhe duke shprehur nostalgjinë e poetit të mërguar dhe krenarinë e qënies shqiptar. Nuk është çudi që, duke jetuar në zemrën e perandorisë së osmanëve, në Stamboll, të përjetonte aq thellë fatin e atdheut të tij. Malli për vendlindjen, për malet dhe fushat e Shqipërisë, për varret e të parëve, kujtimet e fëminisë, i japin forcë e vrull lirik frymëzimit të tij.
Përjetimet subjektive të individit të çliruar nga prangat e mentalitetit mesjetar oriental, nga një anë, dhe nga ana tjetër panteizmi filozofik i doktrinës sufite, i shkrirë me panteizmin poetik të shkollës së romantizmit evropian, u japin meditimeve lirike të Frashërit një dimension human e filozofik universal. Poezitë më të bukura të përmbledhjes “Lulet e verës”, janë lirikat filozofike për jetën dhe vdekjen, për kohën që ikën dhe s’kthehet më, duke lënë pas kujtime cfilitëse në zemrën e njeriut, për krijuesin të shkrirë me universin.
Natyrë religjioze dhe anëtar i sektit bektashi, Frashëri është një poet metafizik, që shkriu në meditimet e tij lirike, mistikën helenistike, me mistikën e lashtë orientale e islame. I ndodhur në kryqëzimin e traditave poetike e filozofike lindore e perëndimore, N. Frashëri i tret ato në njëra-tjetrën, por pa shtypur natyrën e tij shqiptare. Kultura dhe qytetërimi perëndimor përcaktuan substratin iluminist të veprës së Frashërit, qytetërimi lindor substratin filozofiko-mistik, kurse bota shqiptare trungun e veprës së tij. Por duhet veçuar në veprën e tij fryma frënge. Fryma frënge në Greqi dhe në Turqi ishte përfaqësuese e kulturës evropiane. Ajo gjeti shtrat të ngrohtë në vendet ballkanike si Shqipëria, sepse u sillte popujve të këtij gadishulli idetë e kryengritjes frënge dhe idenë e lirisë përgjithësisht e të nacionalizmit modern. Njohës i gjuhës frënge, admirues i Volterit dhe i Rusoit, si mendimtar, dhe i Lamartinit si poet, Frashëri e shikonte të ardhmen e kombit të vet “të lindëte andej nga perëndon”. Romantizmi i Naimit në këtë pikë nuk dallon prej romantizmit grek e turk, ato janë pjella e Francës.
Naim Frashëri është themeluesi i letërsisë kombëtare të shqiptarëve dhe i gjuhës letrare kombëtare. Ai e ngriti shqipen në rendin e një gjuhe moderne të kulturës duke e mbrujtur atë në modelin e ligjërimit të shqipes popullore.
Botën subjektive të heroit romantik me shpirt të trazuar e sjell në romantizmin shqiptar poezia e Z. Serembes. Në poezinë e N. Mjedës dhe A. Z. Çajupit, që jetuan në fundin e Rilindjes, shfaqen shenjat e dezintegrimit të sistemit artistik të romantizmit në letërsinë shqipe.
A.Z Çajupi (1866-1930), është një poet rustik, i tipit të këngëtarit popullor, i mbiquajtur Mistrali i Shqipërisë; ai i solli letërsisë shqipe komedinë e zakoneve dhe tragjedinë me temë historike. I shkolluar në një kolegj francez të Aleksandrisë dhe në Universitetin e Gjenevës, njohës i mirë i letërsisë franceze, A. Z. Çajupi solli ndër të parët në shqip fabulat e La Fontenit, duke hapur kështu udhën e përkthimit e të përshtatjes në gjuhën shqipe, të veprave nga letërsisa botërore, që ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga udhët e mëdha të komunikimit të shqiptarëve me kulturën botërore.
Me krijimin e shtetit shqiptar (1912) shkolla romantike e lindur në truallin e lëvizjes kombëtare, e humbi bazën e vet historike; ideja kombëtare i lë udhën idesë njerëzore dhe në zhvillimin e letërsisë shqiptare shfaqen prirje e stile të reja.
Drejtimi kryesor që mori letërsia shqipe në mes dy luftrave botërore ishte realizimi, por nuk munguan as shfaqje të një sentimentalizmi të vonuar (F. Postoli), as recidive të romantizmit.



Gjergj Fishta (1871-1940), shkroi një poemë të përmasave të eposit kombëtar (“Lahuta e malësisë”) ku paraqet me frymë romantizante e me një patos të ngritur patriotik, luftrat e malësorëve të Veriutkundër dyndjeve sllave.
Me këtë vepër ai mbetet poeti më i madh epik i shqiptarëve. Prift i urdhërit françeskan, erudit dhe anëtar i Akademisë italiane, Gjergj Fishta është një personalitet poliedrik i kulturës shqiptare: poet epik dhe lirik, publicist dhe satirist i hollë, dramaturg e përkthyes, veprimtar aktiv i jetës kulturore dhe politike shqiptare midis dy luftrave.
Vepra e tij madhore "Lahuta e malësisë” me rreth 17.000 vargje, e shkruar në frymën e eposit legjendar e historik të shqiptarëve, është një pasqyrë e jetës shqiptare dhe e mendësisë shqiptare, një mozaik poetik ngjarjesh historike e legjendare, personazhesh historike dhe jo historike, traditash e zakonesh të malësisë, zanash e shtojzavallesh të malësisë, një afresk i gjallë i historisë së një polemi të lashtë që pikëson në qendër tipin e shqiptarit të gdhendur në kalvarin e jetës së tij në rrymë të shekujve të egër për të. Poemën e Fishtës e shquan një pasuri e madhe gjuhësore, në të është mbledhur tërë visari i shqipes popullore të malësise, frazologjia e gjallë e pashtershme dhe larmia e ndërtimeve të çlirëta sintaksore, që i japin gjallëri e forcë ligjërimit poetik.
Përmbledhjet poetike “Mrizi i Zanave” me vjersha atdhetare dhe “Vallja e Parrizit” me vjersha me frymë fetare, e paraqesin Fishtën një poet të hollë lirik, kurse veprat “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit” e paraqesin Fishtën një shkrimtar satirik të papërsëritshëm. Në fushë të dramaturgjisë mund të përmenden prej tij tragjeditë me subjekt nga mitologjia biblike dhe antike “Juda Makabe” dhe “Ifigjenia n’ Aulli”.
Në letërsinë shqiptare midis dy luftrave nuk munguan as shfaqjet e sentimentalizmit (F. Postoli, M. Grameno) dhe të një klasicizmi të vonuar, sidomos në dramaturgji (E. Haxhiademi). Shfaqjet e rrymave moderne, të impresionizmit, simbolizmit e pamasizmit, ishin dukuri të veçuara në veprën e disa shkrimtarëve (Migjeni, Poradeci, Asdreni), pa arritur të formojnë shkollë. Ndryshime të thella ndodhen në sistemin e zhanreve; krahas poezisë u lëvrua proza (Migjeni, F. S. Noli, F. Konica, E. Koliqi, M. Kuteli etj.) dhe drama e satira (Gj. Fishta, K. Floqi).
Përfaqësuesi më tipik i realizmit ishte Millosh Gjergj Nikolla, Migjeni (1913-1938). Poezia (“Vargjet e lira” 1936) dhe proza e tij përshkohen nga një realizëm i ashpër social për mjerimin dhe pozitën tragjike të individit në shoqërinë e kohës. Personazhet e veprës së tij janë njerëzit e basifondeve të shoqërisë shqiptare. 
Disa novela të Migjenit janë romane në miniaturë; subjektet e tyre paraqesin konfliktin e individit me institucionet dhe moralin patriarkal e konservator. Natyra e rebeluar e talentit të Migjenit theu tradicionalizmin e poezisë dhe të prozës shqipe duke sjellë një stil e forma të reja në poetikë, e narracion. Ai është nga reformatorët më të mëdhenj të letrave shqipe, shkrimtari i parë i nadh modern shqiptar.
Natyrë tjetër, talenti poetik L. Poradeci (1899-1987), një poet lirik brilant, krijoi një poezi të butë e të ngrohtë, por me mendim të thellë e muzikalitet magjepsës (“Vallja e yjeve”, 1933, “Ylli i zemrës” 1937. 

Tronditës verbi poetik i F. S. Nolit (1882-1965), në librin “Album” (1947) dhe elegante proza e tij historike (“Histori e Skënderbeut” 1921). Poet, historian, dramaturg, estet dhe muzikolog, publicist, përkthyes, mjeshtër i shqipes, përpos burrë shteti e diplomat, ai është gjeniu i kulturës shqiptare të shek. XX.
F. S. Noli lindi në një ngulim shqiptar të Thrakës Lindore (Ibik Tepe), ku mori arsimin fillor; arsimin e mesëm e mori në gjimnazin grek të Adrianopojës, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin Harvard të Bostonit (SHBA).
Në moshë fare të re u lidh me lëvizjen patriotike për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi osman dhe u bë një nga aktivistët më të shquar politikë e kulturorë të Rilindjes Shqiptare. Më 1908 u dorëzua prift duke inicuar idenë e krijimit të një kishe ortodokse aautoqefale shqiptare të cilën e themeloi më 1922. 
Pas shpalljes së pavarësisë kombëtare (1912) u bë frymëzues dhe udhëheqës i lëvizjes demokratike në Shqipëri. Më 1924, pas fitores së një revolucioni antifeudal, u zgjodh kryeministër i qeverisë jetëshkurtër të dalë prej këtij revolucioni. Restaurimi i reaksionit çifligar në dhjetor 1924 e detyroi të marrë udhën e pakthim të mërgimit, të cilin e përjetoi si një ekzil biblik. Ditët e fundit të jetës i mbylli në SHBA, ku u vendos përfundimisht më 1932, pas ecejakjeve nëpër Evropë si emigrant politik.


Përvoja e revolucionit të mundur të 1924-ës i frymëzoi atij një cikël poezish me motive biblike, të përfshira në librin “Album”. Më 1907 pat botuar dramën po me subjekt biblik “Izraelitë dhe filistinë”, duke dashur të aktualizojë legjendën biblike në përqasje me përvojat e tij si udhëheqës shpirtëror i lëvizjes për çlirim kombëtar e shoqëror të shqiptarëve. Më 1947 botoi anglisht studimin “Bethoven and the French revolution”. Përktheu në shqip shumë libra liturgjikë dhe vepra të shkrimtarëve botërorë O. Khajan, U. Shekspir, H. Ibsen, M. Servantes e të tjerë.
Me poezinë, me prozën publicistike, shkencore e kishtare, si dhe me përkthimet mjeshtërore, F. S. Noli ka luajtur një rol themelor në zhvillimin e shqipes moderne. 
Lëvrues të shquar të prozës së shkurtër ishin E. Koliqi (1903-1975), M. Kuteli (1907-1967) dhe F. Konica (1875-1942). I pari krijoi një prozë subtile, plot kolorit të qytetit të vet, Shkodrës (“Tregtar flamujsh”, 1935), i dyti është një magjistar i shqipes, shkrimtari që kultivoi stilin popullor të rrëfimit në një prozë magjepsëse (“Netë shqiptare” 1938; “Ago Jakupi” 1943; “Kapllan aga i Shaban Shpatës” 1944). 
F. Konica është mjeshtri që i dha fytyrë moderne prozës shqipe, intelektuali që solli mentalitetin e mirëfilltë perëndimor në kulturën shqiptare. 
Lindi në Konicë, qytet i vogël shqiptar, që me vendimet e Konferencës së Londrës më 1913, të cilat e rudhën shtetin shqiptar në kufijtë e sotëm, mbeti ne Greqi. Vinte nga një derë e njohur, prej së cilës trashëgoi titullin bej, vetëdijen e një përkatësie elitare, që e manifestoi fort në jetë dhe në krijimtarinë e tij, por jo dhe mentalitetin anadollak lindor prej të cilit u nda me nje buzeqeshje hokatare, që u kthye në një sarkazëm therëse në veprën e tij. Ndoqi një vit shkollën jezuite të Shkodrës, pastaj Liceun Perandorak të Stambollit, kreu me 1895 studimet për letersi e filozofi në Universitetin e Dizhonit (Francë), shkollimin e mbylli me kryerjen e studimeve ne Universitetin e Harvardit, ndersa me 1912 mori, në këtë universitet, titullin e magjistrit në letërsi dhe arte. Master of Arts Erudit, njohës i gjithë gjuhëve të mëdha të Evropes dhe i disa gjuhëve lindore, mik i G.Apolinerit, F.Konica u quajt prej të huajve “një enciklopedi që ecën” dhe u bë për kulturën shqiptare modeli i intelektualit perëndimor. Iu kushtua që në rini lëvizjes kombëtare, por, në kundërshtim me frymën mitike idealizuese e romantizante të Rilindjes, solli në të frymën kritike dhe përjetoi dhomën e përjetshme të idealistit që vuan për mendimet e tij.
Themeloi revistën “Albania” (Bruksel 1897-1900, Londër 1902-1909), që u bë organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar të Rilindjes. Publicist, eseist, poet, prozator, përkthyes dhe kritik letrar, është veç të tjerave autor i studimit “L’Albanie et les turcs” (Paris 1895), “Memoire sur le mouvement national albanais (Bruksel, 1899), i novelave “Një ambasadë e Zulluve në Paris” (1922) dhe “Doktor Gjilpëra” (1924), si dhe i veprës historiko-kulturore “Albania. The rock Garden of Southeastern Europe”, që u botua pas vdekjes së Massachussets me 1957. Dy novelat e Konicës i bashkon shpirti satirik dhe shprehja alegorike e konfliktit midis dijes dhe injorancës e konflikti midis mentalitetit të prapamebtur oriental dhe mentalitetit modern perëndimor. Publicistika dhe proza e tij janë model i një shqipeje letrare të përpunuar dhe i një stili elegant.
Vitet e fundit të jetës (1926-1939), i kaloi si ambasador i Mbretësise Shqiptare në Washington, ku dhe vdiq më 1942. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri në vitet e fundit.
Në letërsinë e shqiptarëve të Italisë, në periudhën midis dy luftrave, vazhdoi tradita e shkollës romantike të shek. XIX, Z. Skiroi (1865-1927) me veprën e tij (“Kthimi” 1913, “Te dheu i huaj”, 1940) desh të rikuperonte kujtesën historike të shqiptarëve të mërguar qysh nga shekulli XV, pas vdekjes së Skënderbeut.
Gjatë Luftës Antifashiste të popullit shqiptar (1939-1944), u zhvillua një letërsi e rezistencës, e cila lindi në ilegalitet përmes shtypit klandestin të Partisë Komuniste Shqiptare. Krijimet e kësaj letërsie ishin kryesisht shkrime publicistike, skica letrare dhe tekste këngësh partizane. Autorët e saj qenë luftëtarë antifashistë të brezit më të ri (Sh.Musaraj, A.Caci, F.Gjata, K.Jakova, Q.Buxheli).
Pas Luftës II Botërore, letërsia shqiptare njohu një zhvillim masiv. Tipari kryesor i letërsise dhe i arteve të kësaj periudhe, ishte zhvillimi i tyre i orientuar ideologjik dhe levrimi i të gjitha zhanreve, sidomos i romanit, i cili, nga nje zhanër pa traditë, doli ne krye të procesit letrar.
Tipi më i levruar i romanit u bë romani realist social, me permbajtje etologjike dhe historike, me subjekt linear (J.Xoxa, S.Spasse), por nuk mungon as romani me kompozicion të thyer, me poetikë të hapur dhe me një nënshtresë filozofike, që buron nga asosacioni i ideve dhe analogjitë historike (I.Kadare, P.Marko) dhe as romani satirik (D.Agolli, Q.Buxheli).
Tregimin dhe novelën, e lëvruan Dh.Shuteriqi, N.Prifti, Z.Cela, T.Laco, Dh.Xhuvani, N.Lera e të tjerë, kurse poezinë, I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, Xh.Spahiu, M.Ahmeti e të tjerë.
Më pak, u zhvillua drama (K.Jakova “Toka jonë”, 1955) dhe komedia (S.Çomora “Karnavalet e Korçës” 1961).
Letërsia e kësaj periudhe në Shqipëri u zhvillua brenda kornizave të realizmit socialist, i vetmi drejtim i lejuar nga politika zyrtare. Por talente te fuqishme, përtej këtyre kornizave, krijuan vepra me një frymë opozitare të nënkuptuar dhe me një domethënie universale

I. Kadare (1936), me poezinë (“Përse mendohen këto male” 1964, “Motive me diell” 1968, “Koha” 1976) dhe sidomos me prozën e tij (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” 1963; “Kështjella” 1970; “Kronikë në gur” 1971, “Dimri i madh “ 1977, “Ura me tri harqe” 1978, “Piramida” 1992; “Spiritus” 1996 etj.), sfidoi kufizimet e kohës dhe përtëriti letërsinë shqiptare me forma dhe motive që e integrojnë atë në rrjedhat moderne të letërsisë botërore.
Vepra e Kadaresë paraqet një enciklopedi artistike të jetës shqiptare, një afreskë të gjerë të ngjarjeve historike dhe bashkëkohore, të përjetuara me një qëndrim filozofik të shprehur herë hapur e herë përmes gjuhës së Ezopit.
Filozofia, mentalitetet, dramat dhe traditat historike e kulturore të shqiptarëve, të kaluara në filtrin e mendimit artistik të shkrimtarit, janë paraqitur në veprën e tij si shprehje e identitetit kombëtar, e vitalitetit të kulturës shpirtërore të popullit të vet dhe si faktor i qëndresës e i mbijetesës së tij historike.
Kadareja krijon një prozë moderne duke shfrytëzuar gjerësisht analogjitë historike, parabolat dhe asosacionet, legjendat dhe mitologjinë kombëtare. Vepra e tij ka një poetikë të hapur që vjen nga përzierja e kohëve, e rrafsheve të ligjërimit artistik, e reales me irealen, nga natyra e thyer mozaikale e kompozicionit.Vepra e Kadaresë i sjell letërsisë evropiane një aromë karakteristike mesdhetare, ballkanike dhe pasuron atë me koloritin e një areali tipik për veçanësinë e tij etno-kulturore.
Duke u nisur nga bota epike e legjendave dhe baladave mesjetare, proza e Kadaresë kapërcen distancën kohore dhe sjell në rezonancë mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike e mesjetare, me mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike të kohës sonë. Nga përpunimi i thellë krijues i fondit të traditave të lashta popullore, mesazhi i prozës dhe i poezisë së Kadaresë fiton njëherësh një thellësi historike dhe një notë humane universale.
Krijues me një vetëdije të fortë kritike, Kadareja jo vetëm ka poetizuar vlerat shpirtërore të kombit të vet, por dhe ka fshikulluar traditat anakronike, mentalitetet retrograde, psikologjinë provinciale dhe konvencionet e jetës së shoqërisë shqiptare.
Me frymën e disidencës, në kushtet e diktaturës kur u krijua vepra e Kadaresë, ka ndihmuar t’i gërryhen themelet regjimit totalitar në Shqipëri. Ekzili i tij politik në Francë në vitin 1990, kur në Shqipëri sapo kishin filluar proceset demokratike, u dha shtysë këtyre proçeseve.
Për këto vlera, vepra e Kadaresë gëzon një popullaritet të gjerë dhe është përkthyer në të gjitha gjuhët e mëdha të botës (anglisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, italisht, arabisht etj.). Kadareja është vlerësuar nga kritika e huaj, si një prej shkrimtarëve më të shquar bashkëkohorë të letërsisë botërore dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare. Kadareja është sot përfaqësuesi më eminent në botë i kulturës shqiptare.



Poet i hollë lirik dhe shkrimtar satirik D. Agolli (1931), ka sjellë në poezinë shqipe freskinë e një frymëzimi spontan meditativ dhe në roman humorin e lehtë popullor që shkon deri në grotesk. (“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” 1973; “Arka e djallit” 1997). Ai është mjeshtër i tregimit psikologjik, filozofik (“Zhurma e erërave të dikurshme” 1964, “Njerëz të krisur” 1995).
Nga përmbledhjet më të rëndësishme poetike të Agollit, duhen përmendur, “Shtigje malesh dhe trotuare” 1965, “Fjala gdhend gurin” 1977, “Udhëtoj i menduar” 1985 dhe “Lypësi i kohës” 1995.
Agolli ka lindur në një katund të Shqipërisë juglindore dhe mori pjesë fare i ri në rezistencën antifashiste. Lidhja e ngushtë me jetën popullore dhe me idealet antifashiste, përcaktuan përmbajtjen e veprës së tij. Tipar i romaneve të Agollit për rezistencën është aktualizimi i vlerave të saj morale, përmes sinkronizimit artistik të ngjarjeve të luftës me kohën e sotme. Vepra e Agollit është bërë shumë popullore, është përkthyer në disa gjuhë të tjera dhe është vlerësuar nga kritika e huaj.
Në trojet shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, letërsia në gjuhën shqipe, e përfaqësuar nga shumë emra (E. Mekuli, A. Pashku, A. Podrimja, R. Kelmendi, R. Qosja, D. Mehmeti, M. Isaku etj.), ndonëse e zhvilluar në një kontekst tjetër politik e kulturor, edhe pas luftës, ruajti lidhjet me kulturën mëmë dhe solli në art ravgimet dhe dramat kombëtare e humane të njeriut të atyre trevave. Në diasporën shqiptare në Europë, pas Luftës, nuk pati ndonjë lëvizje të mirëfilltë letrare. I vetmi shkrimtar me rëndësi që krijoi në atë diasporë është M. Camaj (1925-1992), që rreh të zbulojë në poezinë dhe prozën e tij rrënjët e identitetit të shqiptarit të mërguar.
Rezultati më i rëndësishëm në kulturën shqiptare të pasluftës në fushë të gjuhës është unifikimi i shqipes standarte, të përpunuar në nivelin e një gjuhe moderne.
Në fazën e sotme të tranzicionit të shoqërisë postkomuniste, letërsia shqiptare përjeton avantazhet e hapjes ndaj botës, por edhe problemet që i krijohen në këto kushte kulturës së çdo kombi, për të ruajtur identitetin e vet.

Autor Prof. Jorgo Bulo


Akademik Profesor Doktor Jorgo Bulo , i cili ka bërë shpjegimin e disa  termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.


Literatura:
1. Historia e letërsisë shqipe I, II (Botim i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë të Universitetit të Tiranës, Tiranë, 1960.





2. Historia e letërsisë shqiptare (Botim i Akademisë së Shkencave) Tiranë, 1983.
3. E.Çabej. Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë, 1994

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...