Shkrimtari si bohem
Shkrimtarët nuk janë trajtuar njësoj si në periudhën antike, mesjetare, moderne apo bashkëkohore. Ata nuk janë vlerësuar njësoj as nga filozofët si Platoni, Aristoteli, e as nga intelektualët e tjerë të periudhave të ndryshme. Nuk ka dyshim se shkrimtarët kanë të drejtë që akoma të zemërohen me Platonin, i cili shkrimtarët i shihte si individë që hipnotizojnë masat me autoritetin e tyre duke u mbështetur filozofinë e imitimit të imitimit. Sipas Platonit, shkrimtarët hutojnë masat, mund të jenë të rrezikshëm dhe t’i nxisin masat në ëndërrime, prandaj veprat e tyre ose duhej limituar, ose duhej ndaluar, ose duhej përjashtuar nga shteti i tij ideal e utopik. Idetë e Platonit, Hegelit e të Marksit thuajse janë trinomi i mbështetjes së fitores së societit mbi individin. Ndërsa shoqëria bashkëkohore në mes të individit dhe shoqërisë, ka fuqizuar grupet e ndryshme të interesit. As Aristoteli nuk u përmbajt pa folën për karakterin e shkrimtarit, duke thënë se shumë prej tyre janë melankolikë, neurotikë, siç u përpoq më vonë Sigmund Freud ta ndërlidhë artin me ndrydhjen agresive dhe seksuale, përmes mekanizmit të sublimimit në letërsi, apo të shkencëtarëve në shkencë. Thënë të vërtetën, ka disa studime që theksojnë se shumë shkrimtarë kanë vuajtur nga neuroza dhe pikërisht veprat letrare janë nusprodukte të konflikteve të brendshme intrapsikike. Po ashtu, edhe përvoja ime prej krijuesi më ka treguar se disa krijues e kanë shprehur edhe vetë se vuajnë nga ndonjë formë e çrregullimit të lehtë shpirtëror, por që krijimtaria u ndihmon në rikthimin e eliksirit të brendshëm. Madje, shumë poetë e shkrimtarë kanë thënë se, konflikti është momenti kur u sjell atyre muzat, e jo ndonjë paqe a stabilitet shpirtëror. Në këtë kontekst, shkrimtari vrojtohet si individ me çrregullim psikologjik, prandaj kjo u shërben dhe u hyn në funksion atyre që dëshirojnë ta zbehin rolin e shkrimtarit në shoqëri, e veçmas shkrimtarët disidentë përtallen dhe stigmatizohen për shkak të kundërshtimit të sistemit qeverisës politik në një vend dhe kohë të caktuar. Sidoqoftë, ata e shprehin konfliktin në mënyrë shumë të pranueshme sociale dhe kënaqin veten dhe recipientët me prodhim të vlerave ideo-artistike përmes konfliktit intrapsikik.
Pak shkrimtarë ka që sot ruajnë individualitetin dhe mënyrën bohemike të jetës së tyre. Ata madje përqeshen nga shtresat e gjera të popullsisë, për mungesë të pasionit për të akumuluar sa më shumë kapital; qortohen për ideale të imagjinuara; për mënyrën e përgjithshme të jetesës, veshjes/veshmbathjes, mënyrën e të menduarit, etj. Bohem ka shumë kuptime, por njëra ndër to ka ardhur nga emigrimi i romëve në Francë; lloj komuniteti pa gjeografi të vendosur; refugjatë të pastrehë që jetojnë në varfëri, por të lumtur me jetesë të thjeshtë; aventurierë, qejfli, mënyrë jokonvencionale të jetesës; dalje nga normat tradicionale; “të varfër por krenarë”, shpirtra të lirë, pasionues ndaj artit dhe të varfër materialisht etj.
Shkrimtari si politikan
Shumë shkrimtarë të mëdhenj e të vegjël nuk mbetën pa hyrë në politikë. Shkrimtarët e mëdhenj edhe pse u rreshtuan dhe morën anë në politikë, ata mbaheshin në mend më shumë si shkrimtarë me veprat e tyre origjinale, gjuhën narrative, stilin, përmbajtjen, karakteristikat e shkrimit, fuqinë letrare-artistike, etj. sesa si politikanë.
Mirëpo, përkundër kësaj, shkrimtarët si politikanë nuk pëlqeheshin për shkak se ata i shërbenin një grupacioni politik, prandaj lexuesit e veprave të tyre nuk do të thotë që kishin pikëpamje të ngjashme politike me shkrimtarët e tyre të preferuar. Shkrimtarët u angazhuan në formësimin e ideve nacionale, frymëzimin e lëvizjeve revolucionare përmes veprave letrare dhe disa prej tyre u bënë politikanë të cilët ndihmuan rënien e komunizmit si Haveli i ndjerë.
Shkrimtari si disident
Pas vitit 1989, një prej kritereve të famshme për të fituar çmimin e njohur “Nobel” për letërsi, mbeti edhe të qenit dikur si i përndjekur nga diktaktura komuniste, kundërshtar i regjimeve antidemokratike dhe përkrahës të ideve mbi lirinë e individit.
Madje, kjo dukej se u shndërrua në vlerë. Në shumë sisteme diktatoriale, komuniste dhe të regjimeve autoritariste, shumë pak shkrimtarë mbetën disidentë të vërtetë. Ata pas humbjes së komunizmit sovjetik, u bënë në Perëndim ikonat më të adhuruara nga masat e gjera të shoqërisë.
Shkrimtari si zëdhënës i pushtetit
Pushteti nuk mbahet vetëm me strukturat udhëheqëse të partisë. As vetëm me militantë të rëndomtë që brohorasin, vriten e mbllaçitin për kauzën e partisë në pushtet. Kështu që, pushteti shkon dhe i merr afër vetes autoritetet sociale, duke përfshirë edhe shkrimtarët.
Atyre u intereson berberi sepse në secilën ditë i bie të takohet me dhjetëra klientë flok-shkurtues; taksistët që bëjnë transportin e shumë klientëve; priftërinjtë/hoxhallarët që takojnë numër të madh të xhematit, e sidomos në të premten apo në të dielën (varësisht nga religjioni); profesorët që mbajnë ligjërata para shumë nxënësve apo studentëve, e të ngjashme. Në këtë rend të autoriteteve sociale, hyjnë sidomos edhe shkrimtarët që kanë influencë.
Disa prej tyre me shumë lehtësi u ‘shesin’ shpirtin pushtetit dhe bëhen lloj zëdhënësish të stabilitetit politik, arsyetimit të veprimeve politike të klasës sunduese etj.
Shkrimtari si intelektual
Diskursi mbi definicionin e intelektualit ka nxitur polemika prej nivelit të eseistëve amatorë e deri te filozofët me prestigj botëror. Sikur roli i shkrimtarit, ashtu edhe i intelektualit dallohej nga njëra epokë në epokën tjetër.
Mirëpo, po të marrim të gjitha përshkrimet mbi intelektualin, pavarësisht se koncepti “intelektual” rrjedh nga baza e “intelektit/mendjes/racios/arsyes/
iluminimit”, dimensioni moral është sendërtimi i tij. Madje, ata që shquheshin për arritje shkencore dhe intelektin, më parë quheshin shkencëtarë apo profesionistë, sesa intelektualë.
Përveç aspektit etik të intelektualit, u veçua edhe një tipar tjetër dallues i intelektualit prej një profesionisti/shkencëtari/inteligjenti: ruajtja e vlerave universale (Sartre), interesi i përgjithshëm, humaniteti, paqja, ruajtja e njerëzores nga njeriu, fatin e njerëzimit, etj. Nuk është intelektual shkencëtari që njeh teorinë e asteroidëve, por ai që debaton dhe jep alternativa të vazhdueshme për ruajtjen e tokës nga asteroidët. Ai që shqetësohet për të gjithë dhe për fatin e të gjithëve. Ai që angazhohet në sferën publike dhe nuk mbron interesat e një grupi të ngushtë.
Ka tipa që thonë se shkrimtari për të qenë intelektual në asnjë mënyrë nuk guxon të hyjë në politikë si pjesë e strukturave udhëheqëse të një fraksioni/partie politike, sepse pushon së ekzistuari si intelektual, ngaqë ai domosdoshmërisht duhet të mbrojë dhe avokojë për interesat e vetëm të njërit grupacion të cilit i përkushtohet dhe i përket.
Mirëpo, shkrimtari mund të hyjë në një subjekt politik por të mos shndërrohet në numër/masë/grup dhe të jetë person që ka integritet, dinjitet dhe humanitet. Ai mund të jetë autokritik dhe të kundërshtojë grupin e tij.
Bie fjala, ai mund të mbetet president, ndërsa në shumicën e vendeve demokratike, presidenti luan rolin e unitetit, kohezionit qytetar, mishërimit të vlerave universale dhe të drejtave të secilit qytetar, etj. Mirëpo, definitivisht është vështirë të mbetesh intelektual nëse mbron një pozicion të grupit të caktuar politik, por vetëm nëse jeni jokonformist i përbetuar dhe ruani vlerat e përgjithshme universale.
Prandaj, hipoteza e atij që mendon se intelektual nuk është ai që është në një subjekt politik, nuk është krejt e saktë, por nuk mund të hidhet krejt poshtë. Ka individë që janë në përkatësi politike por fare nuk bëjnë kompromise për vlerat universale dhe nuk diktohet nga militantizmi, egocentrizmi dhe fryrja e tipareve grupore të tij. Po ashtu, në vendet me demokraci të lartë, roli i shkrimtarit intelektual nuk e ka rëndësinë ngase këtë rol e përmbushin mediet e lira, shoqëria civile, numër i madh i OJQ-ve, qytetaria aktive, heronjtë e filmave, gazetaria qytetarie etj. Roli i tij sidomos ndjehet si nevojë në shoqëri me konfuzionin identitar, tranzicionin socio-politik dhe kulturor, si bie fjala në Kosovë.
Shkrimtari si biznesmen
Shumë libra që në faqet e kopertinave të tyre shënojnë “Bestseller”(libri më i shitur) në fizionomi dhe përshtypje gjenerale tregojnë për komercializimin e veprës letrare.
Shumë libra janë bërë monotonë dhe kiç i pastër, teksa u sheh në etiketën e tyre repetitive të kopertinave se janë ndër librat më të shitur. Në realitet, shkrimtari në kohën bashkëkohore, zhvillimin e kapitalizmit dhe mbizotërimit të utilitarizmit, konsiderojnë se duhet jetuar përmes shkrimit, si një lloj zanati që sjell përfitime dhe të ardhura.
Ky shkrimtar bën vepra të cilat intrigojnë masat, provokojnë ndjeshmërinë e tabuve në shoqëri, bëjnë senzacione medietike, përzgjedhin me shumë kujdes titujt joshës, bëjnë reklama/marketing shurdhues, paguajnë recensentë që thurin elozhe mbi librin, shfrytëzojnë të gjithë elitat e shoqërisë, e të ngjashme, dhe mbizotërojnë debatin mediatik.
Shkrimtari në jetën bashkëkohore dhe shoqëritë me mirëqenie të lartë ekonomike, me demokraci të zhvilluar, nuk bëjnë që shoqëria ta ndjejë nevojën për rolin e shkrimtarit si disident apo si denoncues i të këqijave nga keqqeverisja, por hyjnë në botën e biznesit, konsumit. Pra, këta shkrimtarë kanë menaxherët e tyre sikur këngëtarët; u mësojnë atyre se çfarë duhet të shkruajnë; për kë; kur duhet të del në treg; çfarë dizajni dhe titulli duhet të përmbajnë, etj., etj. Pra, në këtë marrëdhënie komplekse të tregtisë (shitje-blerje), nuk ka dallim të një tregtari që shet produktin për konsumatorin, me një shkrimtar që shkruan dhe prodhon vepër letrare që e konsumon tipi i lexuesit të masave.
Shkrimtari “jashtë botës”
Njerëzit janë ndarë nga shumë mendimtarë, filozofë e psikologë, në dy grupe të mëdha: ekstravertë dhe introvertë. Tipat ekstravertë janë shumë të hapur, gjejnë kënaqësi në shoqëri, imponohen për afirmim social, synojnë të jenë të vëmendshëm në sytë e të tjerëve, etj.
Ndërsa tipat introvertë janë tipa të tërhequr më vete, zhytës në botën e tyre personale, nuk ekspozohen, nuk ndjejnë se kanë role dhe misione të mëdha në shoqëri, etj. Tipi i shkrimtarit introvert nuk i intereson kurrfarë roli në shoqëri dhe shkruan më shumë për vete. Shumë dorëshkrime të tij i lexojnë miqtë e tyre të ngushtë, madje ndodh të mos mundohen shumë për t’i botuar.
Shkrimtari në Kosovë
Lidhja e Shkrimtarëve pati ndikim të madh në shpërbërjen e Jugosllavisë, qoftë në Slloveni, Kroaci, Kosovë e gjetiu. Në Kosovë kryengritësi i përbetuar anti-jugosllav dhe autori i “Gjarpinjtë e gjakut”,
Adem Demaçi, ndikoi fuqishëm në zgjimin e ndjenjave kombëtare. Jusuf Gërvalla si poet/këngëtar/veprimtar politik etj., ishte ikonë e rezistencës. Rexhep Qosja pavarësisht prononcimeve politike kontroverse në disa momente, konsiderohet nga shumë shqiptarë si shkrimtar i kombit. Ismail Kadare si shkrimtari që promovon vlerat shqiptare në botën e huaj.
Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova si kritik shumë i mirë letrar, u bë udhëheqës i LDK-së dhe më pastaj kjo topiti krijimtarinë e tij letrare, duke shpenzuar kohë në politikë dhe duke mbetur në kujtesë për shkak të viteve të shumta në skenën politike, më shumë si figurë politikani sesa si figurë letrare.
Pas luftës në Kosovë, shkrimtarët u afruan në mënyra variabile me subjektet e ndryshme politike. Ka shumë zëra të rrallë të shkrimtarëve të sotëm në Kosovë të cilët kanë ndikim në të gjitha shtresat shoqërore, për shkak të prapavijës së tyre partiake.
Madje edhe historikisht, emrat e shkrimtarëve dhe poetëve si Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Fan Noli, si ikona të letërsisë nacionale, nuk janë të përqafuar nga të gjithë për shkak të interferimeve paragjykuese të aspektit fetar, linguistiko-dialektik apo konotacioneve me prapavijë lindore a perëndimore, ballkanike a jashtëballkanike.
Pavarësisht kësaj, roli i shkrimtarit si intelektual në Kosovë pas luftës ka munguar aq shumë, sakaq e kemi pasur më të vështirë tranzicionin. Shkrimtarët u bënë ‘teslimë’, u bënë zëdhënës të pushtetit, morën pozita, ndërsa nuk u angazhuan si intelektualë. Fatkeqësisht babo! E hangërt dreqi politikën!