2012-02-12

Ndërpriten kërkimet e FSK -së dhe PK në Restelicë


 
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka.
Gjatë vizitës, Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga kryetari u komunës së Prizrenit, z.Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës, dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora e rënë ditëve të fundit në mbarë Kosovën.
Presidentja Jahjaga e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë.
Presidentja Jahjaga posaçërisht veçoi punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë.
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ndau 10,000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.
Më poshtë po japim deklaratën e Presidentes gjatë vizitës në Spitalin e Prizrenit:
Është një tragjedi e rëndë humbja e jetëve të njerëzve si pasojë e ortekut të borës, një fatkeqësi elementare e paparashikueshme. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve. Ata do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen institucionale për të sanuar pasojat e kësaj fatkeqësie.
Falënderoj Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe banorët për gjithë ndihmën e ofruar në shpëtimin e jetëve dhe gjetjen e trupave. Kjo dëshmon solidaritetin e pakursyer të njerëzve që të gjenden pranë njëri tjetrit në situata të tilla.

I shpreh mirënjohje atyre për tërë angazhimin në këtë situatë të jashtëzakonshme që e ka kapluar fshatin Restelicë. FSK dhe PK treguan përkushtim dhe profesionalizëm dhe se janë të aftë të përballin situata të tilla, për çka janë trajnuar dhe aftësuar.
Edhe njëherë ngushëllime familjarëve dhe banorëve të fshatit Restelicë. Unë dhe i gjithë populli i Kosovës jemi me ta dhe bashkëndjejmë me ta.

Në orët e mesditës, vendngjarjen e tragjedisë në fshatin Restelicë e ka vizituar kryeministri i vendit, Hashim Thaqi, i shoqërua nga ministrat Agim Çeku dhe Fehmi Mujota. 

Pasi ka shprehur pikëllimin e thellë për tragjedinë e këtyre dy familjeve, Thaçi ka premtuar mbështetjen e Qeverisë për tejkalimin e kësaj gjendje të rëndë, si dhe përkujdesjen për vogëlushen, mbase të vetmen trashëgimtare të mbijetuar të dy familjeve Reka. 

Ndërkaq, kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, pasi që ka shprehur trishtimin e thellë të banorëve të kësaj komune, ka nënvizuar se kjo tragjedi do të ishte edhe më e madhe sikur të ishin të banuara të gjitha shtëpitë e përfshira nga orteku i egër e shkatërrues.




Vetëm 1 vogëlushe i ka shpëtuar tragjedisë së rëndë të fshatit Restelicë të Dragashit. Klan Kosova ka sjellur pamjet e triumfit të FSK-së teksa e kaën gjetur të gjallë vajzën e vogël të familjes Reka.
Pamjet e tregojnë të tmerruar dhe të ngrirë vogëlushen, por ajo është bartur me shpejtësi në Prizren ku ka marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.

Kërkimet nga njësitë për kërkim shpëtim në fshatin Restelicë, për gjetjen e personit të njëmbëdhjetë, i cili ka mbetur nën ortekun e borës, janë ndërprerë në orët e para të mbrëmjes.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Syla, i cili ka thënë se shkak i kësaj ndërprerje ka qenë moti i ligë.


 


“Për momentin, është lëshuar një urdhëresë nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandanti i Forcave të Sigurisë, për tërheqje, për shkak të kushteve të jashtëzakonshme, të cilat mbretërojnë tash në vendin ku po gërmonin ushtarët për gjetjen edhe të viktimës së fundit”, ka thënë Syla.

Ai ka theksuar se kërkimet do të rinisin nesër në orën 7 të mëngjesit.



* * * * * *

Është gjetur edhe trupi i fundit në Restelicë , që e çon në 10 numrin e viktimave nga orektu në Restelicë.


* * * * * *

Lajmet e fundit që vinë nga Restelica bëjnë të ditur se ekipet e shpëtimit kan gjetur edhe dy trupa të pa jetë nga tre persona sa ishin të ngujuar në borë, duke quar numrin në 9 të vdekur. Ndërkohë po vazhdojnë kërkimet edhe për një të ngujuar.

Po vazhdon me intensitet të lartë kërkimi edhe për 3 persona të ngujuar pas Ortekut. Nga raportimet e fundit bëhet e ditur se përkundër pastrimeve të mëdha të borës ende nuk janë gjetur gjurmë nga 3 të ngujuarit.
Përveç numrit të madh të prestarëve të FKS-së në kërkimet që nga mëngjesi janë bashkangjitur vullnetarisht edhe shumë qytetarë të cilët po kërkojnë edhe 3 të ngujuarit. Mësohet se bëhet fjalë për një burrë, grua dhe një fëmijë.

Vazhdon kërkimi i tre të ngujuarve

Ndërkohë zyra e kryeministrit ka njoftuar se Kryeministri Hashim Thaqi në orën 11: 30 do të vizitoj Fshatin Restelicë.

Rreth orës 8:00 të mëngjesit njësitet e FSK-së kanë rinisur kërkimet edhe për 3 të ngujuarit të tjerë nga orteku i djeshëm që ka goditur fshatin Restelicë të Dragashit. Por fryma të mëdha po vështirojnë shkuarjen deri të vendi i ngjarjes. Kërkimet ishin ndërprerë rreth orës 03:00 të mëngjes për shkak të motit të keq ndërsa ato tashmë kanë riflliuar.

Në Restelicë të Dragashit, Shtatë të vdekur nga orteku i borës

Salim Jenuzi, kryetar i Komunës së Dragashit deklaroi se të gjitha viktimat janë të familjes Reka.
Më herët ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin personin e parë me shenja jete nga dy shtëpitë e mbuluara prej ortekut të borës.

Deputeti Hamza Balje ka konfirmuar nxjerrjen e një fëmije nga njëra shtëpi në Restelicë dhe ka shtuar se ekipet e FSK-së po punojnë vazhdimisht në përpjekje për të nxjerrë edhe të mbijetuarit e tjerë të tragjedisë.

* * * * * *

Policia e Kosovës konfirmoi edhe viktimën e tretë nga orteku që ka goditur disa shtëpi në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Informacionet më të fundit nga komuna e Dragashit bëjnë me dije se ekipet që po ballafaqohen për t’i shpëtuar të mbuluarit nga bora në Restelicë, kanë nxjerrë dy persona pa shenja jete, ndërkohë që po punohet për t’i shpëtuar familjarët e tjerë që gjenden nën ortekun e borës. Shefi i policisë së Dragashit, Gëzim Zogaj, e ka konfirmuar për radion lokale ngjarjen tragjike në Restelicë, duke dhënë edhe bilancin e aksionit për shpëtim, deri në këtë orë. “Bëhet fjalë për ngërthimin e dy shtëpive të banuara nga një ortek i madh bore, ndërkohë që shtëpitë tjera, në të cilat nuk kishte banorë, nuk paraqesin urgjencë për intervenim. Deri më tani, janë nxjerrë dy kufoma, një mashkull dhe një femër, ndërkohë që dyshohet se brenda këtyre shtëpive ndodhen gjithsejtë 11 persona”, tha Zogaj.


* * * * *


Një person është nxjerrë nga shtëpia e tij, të cilën e kishte mbuluar një ortek i borës. Mjekët po luftojnë për ta shpëtuar nga vdekja, ndërkohë që janë edhe dy familje të tjera në Restelicë, të cilat presin shpëtimin, pasi shtëpitë e tyre janë mbuluar krejtësisht nga bora.



Helikopterët e KFOR-it ndodhen në Restelicë për intervenim në këtë gjendje emergjente, ndërkohë që automjetet për pastrimin e borës po bëjnë ç’është e mundur që ta pastrojnë rrugën që lidh këtë fshat me Dragashin. Informacionet nga terreni bëjnë me dije se nga rrëshqitja e një orteku të borës, është ngulfatur familja Reka, me 11 anëtarë, në mesin e të cilëve ndodhen edhe tre fëmijë.


Reshjet e pandërprera të borës që kanë përfshirë vendin tonë, më së shumti e kanë goditur trevën e Gorës së Dragashit, ndërkohë që qarkullimi i automjeteve, edhe në rrugët rajonale, zhvillohet me mjaftë vështirësi. Në fshatin më të madh të kësaj treve dhe komunës së Dragashit, Restelicë, ortekët e borës kanë mbuluar pesë shtëpi banimi, në të cilat ndodhen edhe familjarët dhe se ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me fatin e tyre, përkundër angazhimit të të gjitha strukturave relevante për t’i shpëtuar. Dyshohet se brenda këtyre shtëpive mund të ketë edhe viktima, por ende mbetët për tu shpresuar, sepse aksioni po vazhdon për shpëtimin e tyre.


"Banorët e fshatit tonë janë vetorganizuar, por qasja tek këto shtëpi është mjaftë e vështirë, për shkak të konfigurimit të terrenit, në të cilin bora ka arritur trashësinë disa metra", bën të ditur Shaban Haxhiu, nënkryetar i këshillit të fshatit Restelicë. Aksionin për shpëtimin e këtyre familjeve po e rëndon edhe rruga e pakalueshme nga Dragashi deri në këtë fshat. Pjesa më e madhe e komunës së Dragashit është izoluar dhe nuk ka as energji elektrike dhe as sinjal të telefonisë mobile. Përfaqësuesit e qeverisë lokale kanë njoftuar qeverinë qendrore dhe ushtarët turq të KFOR-it, të cilët janë të stacionuar në Dragash, që të intervenojnë me helikopterët e tyre për shpëtimin e këtyre familjeve të mbuluar nga ortekët e borës.
Ditë më parë, një erë e fuqishme kishte lënë pa kulm mbi kokë një familje nga fshati Zlipotok, por që familjarët nuk kanë pësuar gjë, për faktin se nuk kishin ndodhur në shtëpi, në ditën e kësaj furtune.


*********


Të reshurat e pandërprera të borës në komunën e Pejës jo vetëm që e kanë vështirësuar shumë qarkullimin, por shumë fshatra të kësaj komune i ka bllokuar, si dhe shumë kulme të shtëpive dhe të objekteve tjera janë rrënuar. Anëtarët e Shtabit Emergjent të komunës thonë së po bëhen përpjekje të pandërprera që të lirohet qarkullimi dhe t’u dalin në ndihmë qytetarëve si në furnizim me ushqime, barna dhe transport për të sëmurët deri në spital.
Drejtori komunal për Emergjencë, Avdyl Lajqi thotë se edhe përkundër përpjekjeve të pandërprera të kompanive të pastrimit, të reshurat e pandërprera të borës e kanë vështirësuar edhe më shumë qarkullimin.
“Ne me të gjitha kapacitetet tona jemi duke bërë përpjekje që të bëjmë pastrimin e rrugëve dhe të lirohet qarkullimi për qytetarët, në këtë rast u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në këtë aksion të komunës dhe të ndihmojnë në kapërcimin e kësaj situate”.
Ai më tej tha se qarkullimi në rrugët kryesore është i kalueshëm, me përjashtim të fshatrave të Rugovës, ku drejtoria e Emergjencës ka marrë vendim që të ndalohet qarkullimi në atë pjesë nga rreziku i rënies së pandërprerë të orteqeve të borës.
Sipas tij, pos grykës së Rugovës në komunën e Pejës nuk ka zona të rrezikuara nga rënia e orteqeve.
“Në bazë të statistikave që i kemi nga e kaluara nuk ka fshatra në komunën e Pejës që rrezikohen nga orteqet , përveç Grykës së Rugovës”, theksoi Lajqi.


Edhe zyrtari në Drejtorinë për Punë Komunale dhe Shërbime Teknike, Skënder Avdyli thotë se janë duke punuar me të gjitha kapacitetet për hapjen e rrugëve, ndërsa paralajmëron se rrezik më i madh tani është shembja e kulmeve të shtëpive dhe këtu duhet të angazhohen edhe qytetarët.
Ai tha se gjendja më e rëndë paraqitet në grykën e Rugovës, pasi që orteqet e borës po bien vazhdimisht, por fatmirësisht deri tani nuk ka pasur ndonjë dëm.

Hiq më lehtë nuk është as në rajonin e Deçanit e të Junikut ku trashësia e borës ka arritur në mbi dy metra. Banorët e këtyre  lokaliteteve e me vetiniciativë kanë hapur rrugët lokale. 

Qytetarë të Gjakovës ka nisur të heqin borën nga çatitë e tyre, nga frika e shembjes së tyre, ndërkohë që situata  pas reshjeve  që nuk po pushojnë që nga dita e premte po paraqitet e vështirësuar në shumë zona të komunës. Në zonën e Rekës së Keqe, nga Ponosheci deri në Botushë, ka pasur vështirësi të mëdha në kalim. 

Rruga për në Qendrën e Skijimit në Brezovicë ka vazhduar të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve edhe të dielën. Policia e Kosovës, e cila është vendosur në këtë aks rrugor, nuk lejon qarkullimin e automjeteve për në atë pjesë, për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe pamundësisë së kalimit të veturave. Komandanti i Stacionit Policor në Shtërpcë, Dragan Ivanoviq, i tha “Kohës Ditore” të dielën se rruga vazhdon të jetë e bllokuar si pasojë e shembjes së ortekëve të borës, që kanë ardhur si shkak i erërave të forta në këtë zonë. 

Gjashtë fshatra të thella malore të Kaçanikut kanë mbetur të izoluar nga bora edhe të dielën. “Të paqarkullueshme për automjetet janë rrugët që çojnë në fshatrat Strazhë, Gjyrgjedell, Kotlinë, Dërnagllavë, Kërbliq dhe Llanishtë”, ka bërë të ditur Rushan Ceka, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, të dielën. Sipas tij, rrugët tjera lokale i ka hapur kompania e kontraktuar nga Komuna për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, e ndihmuar nga kompani lokale dhe banorët e disa fshatrave. 
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka marrë vendim që të ndërpritet mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës edhe për një javë, pra deri të hënën, më 20 shkurt 2012.








Vendimi është marrë për shkak të motit që po mbretëron kohët e fundit në vendin tonë, temperaturave të ulëta dhe reshjeve të vazhdueshme të borës, që kanë vështirësuar lëvizjen e qytetarëve, e në disa raste e kanë bërë edhe të pamundur.

Po ashtu, ndërprerja e mësimit është edhe kërkesë e Drejtorive Komunale të Arsimit, por edhe e vet prindërve, të cilët përveq vështirësive në lëvizje në zonat më të thella, kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe për trotuaret që janë shumë të pasigurta për lëvizjen e nxënësve.

Mësimi rifillon të hënën më 20 shkurt 2012 dhe MAShT garanton të gjithë prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit e Kosovës se asnjë ditë e mësimit nuk do të mbetet pa u kompensuar.

Përgatiti: Flori Bruqi

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...