E në konferencë u është përgjigjur akuzave të palës serbe, e cila filmin e saj debutues si regjisore e cilëson antiserb.
"Më vjen keq, ngase kjo po dëshmon se ky vend ende është i ndarë. Më vjen keq për këtë, ngase shumë aktorë me të cilët kam punuar në film, më rrëfenin për harmoninë që ka ekzistuar në kohën e Jugosllavisë”, ka thënë aktorja me nam, në sallën e një hoteli në Sarajevë, e mbushur me gazetarë vendorë e të huaj. Sipas portalit sarajavo-x.com, Jolie ka thënë se nëse në filmin e saj është dikush ndaj të cilit bëhet me gisht, ajo është bashkësia ndërkombëtare, e cila katër vjet bënte sehir kur agresori serb masakronte. Ajo ka thënë se tema e filmit është universale.
Por aktorja me nam ka deklaruar se nuk do të shkojë edhe në Beograd në premierën e filmit atje.
“Nuk do të shkoj për shkak të komenteve armiqësore dhe agresive të përfaqësuesve të fuqisë së shtatë në Serbi”, citohet të ketë thënë Jolie.
Bashkë me të në konferencë kanë qenë edhe aktorët kryesorë në filmin e Joliet: Zana Marjanoviq, Goran Kostiq, Rade Sherbexhija, Vanesa Glogjo, Fegja Shtukan, Boris Ler, Ermin Sijamija, Alma Terziq. Aktori i njohur kroat, Sherbexhija, ka thënë se “arti nuk e ka për detyrë të sqarojë situatat politike, por të zbulojë gjëra të çuditshme e të tmerrshme”.
Filmi i Joliet prej kohësh ka shkaktuar debat. Myslimanët boshnjakë kanë thënë se presin që “In the Land of Blood and Honye” të përqendrohet në gjendjen e tyre që kanë përjetuar në luftën brutale të vitit 1992 deri më 1995. Distributori i filmit në Republikën Serbe ka njoftuar se nuk do ta shfaqë filmin, ngase aty serbët portretizohen të dhunshëm. Filmi shpalos një romancë që zhvillohet midis ushtarit serb dhe viktimës së tij, një grua myslimane. Debutimin në Sarajevë e kanë shikuar rreth 5 mijë njerëz. Filmi po ashtu do të shfaqet edhe në pjesën kroate-boshnjake të këtij vendi. Por distributori në Republikën Serbe ka thënë se serbët nuk duan ta shohin atë. Për këtë arsye, Vladimir Ljevar i ka thënë “The Associated Press” se “In the Land of Blood and Honey” nuk do të shfaqet në kinematë e këtij vendi. “Thjesht nuk ka interesim për këtë film dhe nuk mund t’i shes biletat”, ka thënë ai. “Fakti se serbët janë djemtë e këqij të filmit është arsye pse nuk ka interesim. E kam shikuar këtë film. Ka pasur kritika shumë të këqija. Është joprofitabil”, ka thënë ai. Në shenjë proteste për këtë një qytetare e Prijedorit e ka shfaqur ilegalisht filmin e Joliet në banesën e saj.
Ylli i Hollivudit dhe aktivistja sociale, Anxhelina Zholi, ka sjellë debutimin regjisorial për audiencën e saj më kritike, ndërsa është shpërblyer me mirënjohje dhe respekt.
Zholi, ka prezantuar filmin “Në tokën e gjakut dhe mjaltit” – një dramë për çiftin e ndarë nga lufta në Bosnjë – para një audience të mbledhur nga 11 organizata të viktimave të luftës.
Hatixha Mehmedoviq, e cila ka humbur burrin e saj, dy djem dhe një të afërm në Maskarën e Srebrenicës më 1995, ndërsa tani drejton OJQ-në e quajtuar “Nënat e Srebrenicës”, e quan të rëndësishëm filmin në fjalë.
“Ky është një film i fuqishëm për njerëzit që kanë mbijetuar luftën, për viktimat dhe për çdo person që ka përjetuar luftën dhe agresionin. Mendoj se të gjithë njerëzit në Bosnjë e Hercegovinë, edhe ata në rajon e botë, duhet ta shohin këtë film. Mendoj se do të ishte mirë për fëmijët dhe të rinjtë tanë".
“Ne kemi fëmijë që kanë lindur në vitet 1990 dhe ata nuk e mbajnë mend luftën. Shpresojmë që Anxhelina Zholi të vazhdojë të bëjë filma të tillë. Ne nuk mund ta zhbëjmë atë që ka ndodhur këtu, nuk mund t’i shërojmë plagët e familjeve të atyre që vdiqën, por është mirë të shihet imazhi i asaj që ka ndodhur, teksa prezantohet në mënyrën e duhur para botës”, thotë Mehmedoviq.
Kjo është përgjigjja, të cilën e kërkonte Zholi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zholi thotë se ka qenë shpesh e shqetësuar nga mungesa e ndihmës për viktimat e luftës – sidomos për gratë – gjatë udhëtimeve të saj si ambasadore e vullnetit të mirë të UNHCR-së.
“Kisha zemërim të thellë, frustrim dhe pikëllim për këtë dhe për të gjitha situatat e ndryshme. Në veçanti për Bosnjën – sa më shumë që mësoja dhe lexoja për të, aq më shumë zemërohesha për mungesën e ndërhyrjes”, thotë Zholi.
Bërja e filmit nuk ishte e lehtë. Në fund të vitit 2010, Qeveria e Bosnjës revokoi lejen e Zholit për film, në përgjigje të ankesave që bënë organizatat e viktimave. Ato kishin dëgjuar thashetheme pa bazë, se filmi kishte të bënte me një viktimë përdhunimi, e cila bie në dashuri me përdhunuesin e saj. Ato madje i kishin kërkuar UNHCR-së të shfuqizonte titullin e Zholit si ambasadore.
Murat Tahiroviq, një i mbijetuar i kampit të paraburgimit “Omarska”, tani kryetar i Shoqatës së Kampit të të Burgosurve në Bosnjë, thotë se është në mesin e atyre që ka lobuar për bllokimin e këtij filmi. Ai thotë se ndjen keqardhje për këtë veprim, pasi ka parë prodhimin përfundimtar.
“Është një film shumë i mirë, i bërë jashtëzakonisht mirë. Ka të bëjë me thelbin e vërtetë të luftës në Bosnjë. Të gjitha pikat kryesore ceken në të: kampet, tortura, krimet dhe, më e keqja ndër të gjitha, krimi kundër nderit të grave”, thotë Tahiroviq.
Filmi “Në tokën e gjakut dhe të mjaltit” flet për historinë e një gruaje boshjnake-myslimane dhe një burri serb, të cilët bien në dashuri para luftës dhe takohen përsëri gjatë konfliktit – kur ai është oficer në ushtrinë serbe, ndërsa ajo e burgosur në një kamp.
Zholi ishte vetëm një adoleshente në kohën e luftës në Bosnjë, por tregon motivin që e ka nxitur...
“Sa më shumë që mësoja (për këtë luftë), aq më pak kuptoja se si fqinjët kanë mundur të kthehehn kundër fqinjëve”, shprehet Zholi.
Tom Gjelten është korrespondent i Radios Publike Kombëtare, me seli në SHBA, i cili ka mbuluar luftën në Bosnjë dhe ka shërbyer si konsulent në filmin e Zholit. Ai gjithashtu flet për mënyrën se si ky konflikt ka shkatërruar jetë.
“Njëra nga gjërat që më interesonte mua në Sarajevë ishte se si ka ndikuar përvoja tek individët dhe marrëdhëniet midis individëve. Si i ka dëmtuar marrëdhëniet njerëzore dhe si i ka shkatërruar miqësitë dhe martesat?”, thotë Gjelten.
Për filmin “Në tokën e gjakut dhe të mjaltit”, Zholi thotë se është prodhim i përbashkët i gjithë ekipit që ajo ka mbledhur, përfshirë dhe aktorët e Bosnjës.
“E kemi bërë bashkë. Nuk është një film amerikan i bërë për Bosnjën. Është një film i bërë me një amerikan, shumë boshnjakë dhe shumë njerëz nga zona. Pra, e kemi bërë së bashku”, thotë Zholi, e cila shfaq shpresën se filmi do të japë kontributin e vet si për Bosnjën, ashtu edhe për tërë rajonin, i cili lufton për një të ardhme më të mirë.
Dragisha Andriq, i nacionalitetit serb, gjatë luftës ka qenë i burgosur nga ushtria boshnjake. Ai tani drejton Shoqatën e të Burgosurve nga Vishegradi, ndërsa për filmin thotë se i ka lënë përshtypje të mëdha.
“Ky është filmi më i rëndë që kam parë në gjithë jetën time. Jam shumë i prekur dhe më ka mërzitur shumë. Tani, ndjehem si një boksier pas luftës, pas daljes nga ringu. Shumë skena që kam përjetuar vetë, janë treguar në këtë film. Ky film ka mesazh, një mesazh shumë të fortë”, thotë ai. (v.t.)