Artan Lames i janë dashur dhjetë vjet kërkime mbi medaljet shqiptare për ta kurorëzuar këtë punë me botimin e një katalogu në dy vëllime. “Medaljet shqiptare”, botuar nga “Toena”, është promovuar në ditën e fundit të Panairit të Librit.
Artan Lames i janë dashur dhjetë vjet kërkime mbi medaljet shqiptare për ta kurorëzuar këtë punë me botimin e një katalogu në dy vëllime. “Medaljet shqiptare”, botuar nga “Toena”, është promovuar në ditën e fundit të Panairit të Librit.
“Ky libër përfshin në dy volume të gjitha medaljet që shteti shqiptar ka dhënë nga viti 1914 e deri në vitin 2002. Medalja e parë shqiptare është prodhuar në vitin 1914 nga Princ Vidi, ndërsa dhe medalja e fundit e prodhuar në vitin 2002, i përket kohës së ish-presidentit Alfred Moisiu”, thotë Lame, i njohur për pasionin e tij prej koleksionisti.
Volumi i parë përmbledh medaljet e dhëna nga viti 1914 deri në vitin 1944, ndërsa i dyti pjesën e mbetur deri në 2002-shin. “Volumi i parë përmbledh periudhën e princ Vidit, periudhën e Mbretit Zog dhe periudhën e pushtimit italian. Volumi i dytë përmbledh diktaturën dhe 20 vite demokraci. Duhet thënë se nga pikëpamja simbolike, medaljet, bashkë me flamurin dhe me monedhën, përbëjnë tri simbolet bazë të një shteti”, saktëson Lame. I është dashur kohë ta plotësojë këtë koleksion, për më tepër në kushtet kur në Shqipëri është vështirë t’i gjesh këto medalje.
“Unë kam mbi 10 vjet që punoj mbi këtë libër. Shumica e këtyre gjërave nuk gjenden megjithëse janë medalje, tituj e dekorata shqiptare. Materialet që ofrojnë muzetë apo institucionet shqiptare janë gati inekzistente. Më është dashur të gërmoj nëpër dokumentacione të ndryshme që më janë ofruar edhe nga persona të ndryshëm e veç kësaj kam ndjekur korrespondencën me organizma ndërkombëtare që merren me medalistikën”, përfundon Lame.