2012-02-20

Rugova, udhërrëfyesi i lartë shtetëror dhe shpirtëror


Shkruan: Mr. sci.Bislim Aliu
Thonë me plot të drejtë dhe me bindje të plotë se njerëzit e mëdhenj kurrë nuk vdesin. Ata vdesin vetëm fizikisht. Por shpirtërisht dhe mendërisht ata asnjëherë nuk vdesin.
Andaj, virtytet, edukata, intelektualizmi dhe patriotizmi, asnjëherë nuk harrohen. Por, gjithnjë kujtohen si ideale të larta njerëzore.
I tillë ishte Presidenti Historik i Kosovës Ibrahim Rugova. Ai, zaten, iku në përjetësi në janar para gjashtë vjetësh. Mirëpo, ai i la veprat, intelektualizmin dhe humanizmin e pashembullt. E la etikën e lartë njerëzore. E la moralin, filozofinë dhe atdhedashurinë më të lartën që mund ta bëjë një njeri për popullin dhe për vendin e vet.
Ai, pa mëdyshje, ishte studiuesi më i epur i letërsisë sonë. Ai ishte, pra, artist i vërtetë. Ishte, pra, i thelluar me filozofi kreative dhe fare moderne. E, këtë kreativitet, ai bukur e shpërfaqi edhe në politikë.
Gjithsesi, Rugova ishte një politikan i formuar me idealizmin e lartë kombëtar. I thelluar me filozofi letrare dhe moralisht me etikë të lartë nacionale. Dhe, përherë mbeti një ikonë me përjetësi nacionale dhe kombëtare. Andaj, edhe pas gjashtë vjetësh të shkuarjes në përjetësi, ai nuk ka vdekur. Ai, është gjallë. Dhe, i gjallë do të mbetet gjithmonë në mendjet tona. Pra, të çdo shqiptari.
Pa dyshim, ai përherë dhe gjithherë do të mbetet, si një yll që përherë do të bënë dritë. E, këtë dritë, na la amanet, si një udhërrëfyes i rezonuar se si duhet udhëhequr shtetin.
Ai, pra mbeti ideal dhe strumbullar i vërtetë i popullit dhe i Kosovës.

Intelektualizmi i gjithanshëm i Rugovës, bazament i fortë i Kosovës
Qe gjashtë vjet, Rugova nuk jeton më fizikisht. Qe gjashtë vjet e ndiejmë me të madhe mungesën e tij. Dhe, qe gjashtë vjet na iku në përjetësi, ideatori dhe politikani i edukuar dhe i arsimuar. Filozofia rezonuese e tij politike, ishte si diçka hyjnore. Si diçka sensitive dhe fare rrezative. Ajo, zaten, përherë bënte dritë dhe vazhdimisht shpërfaqi rrezatim në botën demokratike dhe perëndimore.
S'do mend se Ibrahim Rugova me këto tipare njerëzore e filozofike, përherë ishte kundër dhunës dhe politikës vrastare. Ai, me këtë politikë të urtë, përherë i afronte njerëzit afër vetës. Dhe, padyshim, kjo veti është e njerëzve të mëdhenj. E humanistëve të mëdhenj. E ideologëve dhe e njerëzve paqësorë.
Me paqe, arriti çdo gjë. Dhe, për të paqja, ishte, njerëzi, filozofi dhe humanitet njerëzor dhe intelektual. E, me këtë butësi, e nxori popullin shqiptar nga kthetrat e vrazhda slave. Dhe, me këtë butësi, i përvetësoi shtetet perëndimore. Zaten, kjo filozofi, pa mëdyshje, e bëri Rugovën të madh. Të denjë dhe fare përparimtar.
E, aferim i qoftë për këtë filozofi për jetë e mot.
Pa mëdyshje, kjo edukatë dhe demokraci filozofike, e bëri Rugovën, prijës dhe atdhetar të rryer për pavarësi. Për liri dhe demokraci. E, gjithherë thoshte; duam liri, demokraci dhe pavarësi për Kosovën. Pra, shtet të pavarur dhe në miqësi të të përhershme me SHBA-në. Zaten, këto fjalë, i kishte përherë në mbamendje dhe rrëfente përherë me dinjitet dhe krenari.
Ai, s'do mend se këtë krenari e arriti me punë dhe me filozofi tejet përparimtare. Ai këtë krenari e mbajti përherë. Dhe, vetëm njerëzit e mëdhenj si Rugova e kanë këtë krenari.
S'do mend se fjalët e Rugovës, përherë ishin të urta, të mençura, njerëzore dhe fare demokratike.
Gjithsesi, kjo demokraci ia hapi udhën e shëndoshë për ta çuar shtetin përpara, dhe mu për këtë,për ta dashur e tërë bota demokratike dhe perëndimore.

Prijësi dhe ideatori i politikës moderne
Gjithsesi, Presidenti Rugova, ishte dhe mbeti ideator i rryer dhe një prijës i paepur për popullin dhe për vendin. Ai e deshi popullin dhe Kosovën e dashur. Dhe, përherë me mendësi dhe me dimensionet e larta të tij ai këtij vendi i dha filozofi, dije, urtësi dhe kulturë demokratike.
E, me kulturë dhe me humanizëm të mirëfilltë, ai u bë personalitet i lartë, i brumosur thellë, me dije të larta shoqërore dhe shkencore. Zaten, këto veti e virtyte njerëzore e bënë atë figure kolosale me përmasa botërore. Andaj, ai ishte dhe mbeti kolos i madh. Humanist dhe ideator i mirëfilltë i njerëzimit përparimtar.
Ibrahim Rugova në shpirtëroren e tij e kishte intelektualizmin e lartë njerëzor dhe shoqëror. Ai, zaten, kishte kulturë të lartë kreative. Dhe, me këtë kreativitet udhëhoqi popullin dhe shtetin. Edhe pse ai nuk e priti pavarësinë e Kosovës, themelet e saj i dha ai.
Andaj, kësaj pavarësie udhën ia qeli Rugova me virtytet e larta njerëzore dhe ideore.
Zaten, ky themel i shtetit rugovian, do të mbetet përherë në mendjet tona, pra të çdo shqiptari. Andaj, Rugova dhe rugovizmi do të mbeten përherë udhërrëfyes i denjë yni.
E, kjo rrugë është e mira dhe më e dëlira e tij. Ajo, gjithsesi është në ne dhe përherë do të mbetet me ne.
Andaj, sot, pas gjashtë vjetësh përjetësie, e kujtojmë me pietet të lartë Rugovën. Pra, këtë figurë emblematike dhe tejet kolosale. Këtë figure intelektuale dhe të rryer morale. Moraliteti ishte gjithherë në shpirtin e tij. E, ky moralitet e bëri Rugovën mit dhe legjendë. Legjendë e gjallë. Dhe, përherë do të mbetet i gjallë.
Ai, pra, nuk ka vdekur dhe asnjëherë nuk do të vdesë. E, ne do ta kujtojmë përherë me admirim të lartë, ashtu siç e meritoi. Dhe, jo vetëm një herë në vit, por shumë herë, edhe brenda vitit. Këtë ai e meritoi dhe aferim i qoftë për jetë e mot.
Ai, pra, mbeti yll, që përherë do të bëjë dritë. Dhe, gjithsesi do të bëjë dritë sa të jetojë ky popull i Kosovës në admirim të Rugovës.

PATURPËSIA SERBO – MAQEDONE!


bedri_halimi_2
Bedri HALIMI - Kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës
 

 
Të gjitha përpjekjeve të turpshme serbo-maqedone, ju përgjigjen të afërmit e Amsera Rekës, duke filluar nga daja, Sinan Balje, e deri te hoxha i fshatit Restelicë, Shaban Haxhia, të cilët ua rikujtuan si qarqeve maqedone ashtu edhe atyre serbe, duke thënë qe “ne e kemi shtetin i cili na ndihmon në çdo moment“. Njëkohësisht duke e porositur Tadiqin, që ta shikojë hartën e Kosovës, sepse si duket, Tadiqi e ka harruar që Restelica gjendet në Gorë, e Gora gjendet në Kosovë.
 
Me rastin e ngjarjes tragjike të fshatit Restelicë, ku nga orteku i borës humbën jetën 10 anëtarë të familjes Reka, i gjithë opinioni, jo vetëm në Kosovë, por kudo në trojet shqiptare, ndjeu keqardhje dhe dhembje të madhe njëkohësisht. Kjo u vërejt, edhe nga mediat e shkruara dhe ato elektronike, si dhe nga përkujdesi maksimal institucional nga institucionet e Republikës së Kosovës, lidhur me këtë ngjarje tragjike. Kështu, pos angazhimit tashmë të njohur të FSK-së dhe qytetarëve të shumtë nga treva e Gorës, Opojës por edhe Prizrenit, ky rast e mobilizoi ndërgjegjen kombëtare të shumë njerëzve edhe jashtë komunës së Sharrit. Shumë të rinj, si nga Prizreni, Rahoveci etj. shprehen gatishmëri për të marrë pjesë fizikisht në aksionin për t’i gjetur viktimat. Disa nga këta, madje shprehen gatishmërinë që të merrnin pjesë edhe me makinerinë e tyre.
Qeveria e Kosovës, që nga dita e parë, ishte e pranishme në vendngjarje, ku nuk mungoi madje as vet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk qëndroi indiferente, duke e vizituar në spital vogëlushen e shpëtuar, Amsera Reka. Gjithashtu duhet potencuar aktivitetin dhe prezencën e vazhdueshme të udhëheqjes komunale të Sharrit.
 
Klithmat e Orhan Dragashit, në emër të njëfarë “Iniciative qytetare gorane”
 
Mirëpo, për çudi të të gjithëve, gjatë kohës që po bëhej kërkimi i të humburve, mu në vlugun e këtij kërkimi nga FSK-ja, dikush doli që të lëshoj deklarata të turpshme dhe madje monstruoze, për të përfituar politikisht edhe në raste të tragjedisë së tillë, siç ishte ky rast. Kështu njëfarë ”Iniciative qytetare gorane” lansoi një deklaratë, përmes së cilës kërkonte ndihmë nga Serbia “që të përkujdesej për qytetarët e vet”. Në Kosovë, me këtë emër, si subjekt “Iniciativa qytetare e Gorës” është e njohur partia GIG, dhe të gjithë mendonin se ishte fjala për të, duke u bazuar me disa veprime të saja, që nga lindja e saj si parti, ku madje pikërisht përfaqësuesi i kësaj partie, në parlamentin e Kosovës, nuk e pati nënshkruar deklaratën e pavarësisë së Kosovës (edhe atëherë, i njëjti ishte deputet). Por, megjithatë, GIG doli dhe e demantoi që e ka bërë një deklaratë të tillë. Pastaj u kuptua se këtë klithmë politike e ka bërë njeriu i njohur pro serb nga treva e Gorës, që tash sa kohë mrizon në Beograd, Orhan Dragash. Me deklarata të tilla është mësuar tashmë, jo vetëm Kosova, por edhe Gora si pjesë integrale e saj.
 
Turri i Tadiqit për përfitime politike
 
Dhe jo vetëm kaq. Turri i paturpshëm i përpjekjeve për përfitime politike, nuk u ndal vetëm te kjo e ashtuquajtur “iniciativë qytetare gorane” nga se vet shteti serb, në mënyrë të paskrupullt, madje përmes zyrës së presidentit serb, Boris Tadiq, shprehu dëshirën për ta marrë nën mbikëqyrje fatin e të mbijetuarës, Amsera Reka, duke premtuar për të pagë mujore, derisa ajo t’i mbushë 18 vjet.
Pushteti serb ka kohë që vazhdon të bëj përpjekje për ta pasur ndikimin në trevën e Gorës. Në këtë drejtim, Serbia ka dërguar në Gorë një varg misionarësh, siç ishte rasti i Sandra Rashkoviq Iviqit, pastaj tendencat për të funksionuar e ashtuquajtura komunë fiktive e Gorës, si dhe duke bërë kërcënime, shantazhe e mashtrimeve ndaj njerëzve të thjeshtë të Gorës, e veçmas një pjese të punonjësve të arsimit nga kjo trevë, Serbia ka synuar për ta pasur ndikimin edhe më tej në këtë trevë. Në këtë rast, Serbia nuk e ka hallin te goranët, por te politika, prandaj për interesa politike nuk i kursen as njerëzit e vet, e lëre më goranët. Ajo ka shumë dëshirë që ta ruaj Gorën si enklavë sllavofone, duke bërë përpjekje për ta getoizuar sa më shumë, dhe kësisoj për të ndikuar në mosinkorporimin e kësaj popullate në rrjedhat reale të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Këto veprime janë bërë në fusha të ndryshme, jo vetëm politike, por janë synuar edhe në art, kulturë e shkencë, përmes bashkëpunëtorëve të vet të kahershëm si: Harun Hasani, Behadin Ahmetoviqi, Vait Ibro, Orhan Dragash, Mesip Dalifi, udbashët Orhan Memishi, Sinap Kakush, Rrustem Agushi etj. Prandaj deklaratat e kabinetit të Tadiqit kanë refleksion politik, kinse për brengat që paska shteti serb për qytetarët e saj.
 
Tiradat e maqedonëve
 
Gjithashtu, në këtë valle të turpit, nuk mbeti e pa u përzier as hegjemonizmi maqedonas, e cila në mënyrë institucionale, përmes misionarëve të saj, shprehen gatishmërinë për ta marrë nën përkujdesje Amsera Rekën. Pushteti maqedon vazhdon ti quaj banorët e Gorës si “goran maqedonas” të cilët, sipas Maqedonisë, edhe pse jetuakan në territorin e Kosovës, paskan shtetësi maqedonase siç shprehet ky pushtet, përmes portalit “netpress”. Pushteti maqedon, për të përfituar politikisht nga kjo tragjedi, ka dërguar në Restelicë edhe shërbëtorë të saj nga treva e Gorës, siç është rasti me Ismail Bojdën, apo me qasjet destruktive të problemit të goranëve nga Akademia maqedone dhe instrumentet e saj, si Njazi Limanovski etj.
 
Përpjekjet serbo – maqedone për përfitime politike
 
Përpjekjet e tilla për përfitime politike nga shteti i Serbisë dhe i Maqedonisë, u bënë për faktin se lajmi për shpëtimin e Amsera Rekës, ashtu si tragjedia e familjes së saj, morën dhen duke u transmetuar pamjet filmike të Klan Kosovës, në të gjitha masmediat botërore. Prandaj Serbia dhe Maqedonia, njëkohësisht, duan tu tregojnë edhe popullatës së Gorës, se nëna e tyre është Serbia përkatësisht Maqedonia, siç duan të bëhen edhe nëna të Amserës. Në anën tjetër, në opinionin ndërkombëtar, duan të tregohen se sa humanitare janë, dhe njëkohësisht përmes këtij humanizmi: të vazhdojnë së paraqituri publikisht me pretendimet e tyre politike dhe territoriale ndaj Kosovës në përgjithësi, si dhe ndaj Gorës si pjesë e saj në veçanti. Sa i përket pretendimeve maqedone se dikush e paska pasur pasaportën e Maqedonisë, ata e dinë se për një gjë të tillë, maqedonët, përmes Ismail Bojdës, që moti janë munduar të shpërndajnë pasaporta maqedone, në mënyrë që pastaj t’i krijojnë vetes argumente për të thënë se kaq banorë nga Gora janë maqedonë. Maqedonët duhet të tregojnë për procedurat e dhënies së pasaportave qytetarëve të Gorës, arsyet dhe qëllimet dihen. Përpos politike, janë edhe materiale, sepse për çdo pasaportë janë dhënë mijëra euro. Ashtu si edhe lojërat e Serbisë që janë bërë në këtë drejtim me qytetarët, jo vetëm goranë, por edhe shqiptarë, duke u marrë mijëra euro, përmes krimit të organizuar shtetëror, dhe kur kjo mori dhen në opinionin ndërkombëtarë, shteti serb, vendosi dikë ta kurbanizoj në emër të luftimit të krimit brenda institucioneve të sigurisë së shtetit, siç ishte rasti me udbashin e njohur, Lulzim Neziri, të cilin Serbia, pasi e shfrytëzoi si limonin e shtrydhur, e futi në burg për arsye se ky u ka marrë shqiptarëve nga 5000 euro, bashkë me disa bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror serb.
 
Përgjigja e Gorës, Restelicës dhe të afërmeve të Amserës
 
Por, të gjitha këtyre përpjekjeve të turpshme, ju përgjigjen të afërmit e Amsera Rekës, duke filluar nga daja, Sinan Balje, e deri te hoxha i fshatit Restelicë, Shaban Haxhia, të cilët ua rikujtuan, si qarqeve maqedone ashtu edhe atyre serbe, duke thënë qe ”kjo është lojë politike e Serbisë. Jemi të shqetësuar rreth thënieve se ne paskemi kërkuar ndihmën e Serbisë. Ne e kemi shtetin, i cili na ndihmon në çdo moment“. Njëkohësisht, duke e porositur Tadiqin, që ta shikojë hartën e Kosovës, sepse, si duket, Tadiqi e ka harruar që Restelica gjendet në Gorë, e Gora gjendet në Kosovë. E Gora, edhe pse ndodhët në skajin jugor të Kosovës, ajo ndodhet në mes të trojeve shqiptare. Të gjitha prononcimet e familjarëve si dhe të qytetarëve të Gorës, u bënë në funksion të shtetit të Kosovës, duke shprehur falënderime për përpjekjet dhe përkujdesin e institucioneve për këtë pjesë të Kosovës dhe këtë popullatë. Prandaj nuk qëndron as ndonjë krrokatje e ndonjë të ashtuquajturi analist, se gjoja Gora qenka lënë jashtë përkujdesit institucional të Kosovës, sepse për këtë dëshmojnë investimet e shumta të deritashme të qeverisë së Kosovës që janë bërë në Gorë, duke filluar që nga niveli qendror dhe pushtetit lokal, ku, që nga periudha e pasluftës, shkalla e investimeve në trevën e Gorës, është më e madhe se investimet që janë bërë në trevën e Opojës, duke mos marrë parasysh madje as raportin e popullsisë së Opojës e Gorës. Serbia dhe Maqedonia nuk ka pse brengosen as për Amserën dhe as për popullin e Gorës, sepse popullata e Gorës është kyçur që nga çlirimi i Kosovës, në të gjitha sferat e jetës institucionale në Kosovën e pavarur. Ata Kosovën e ndjejnë për shtet dhe atdhe të vetin. Tjetër shtet e atdhe nuk kanë, nuk duan të kenë dhe as që do të kenë.

Ballkani drejt ndryshimit të kufijve?


Një raund të ri të ndryshimit të kufijve do të kemi së shpejti në Ballkan. Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë ende dy vende, politikisht dhe ekonomikisht të brishta, që jetojnë nën protektoriatin e Perëndimit, së bashku me Maqedoninë.ballkan
Kështu thotë Instituti gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë (SWP), në bazë të një analize të kryer nga Dushan Reliq, ku nënvizohet se konfliktet etno-politike do të ndodhin sërish në këto tre vende. “Në dy dekadat e fundit konfliktet territoriale në zonën e ish-Jugosllavisë janë zgjidhur me tërheqjen e kufijve, gjë që rrallë ka ndodhur pa dhunë”, analizon ky institut, duke potencuar se vendi ku harta politike ka mundësi të rishikohet, është trekëndëshi i përbërë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. “Kjo zonë dominohet kryesisht nga popullsia shqiptare, shumica e të cilës kërkon bashkimin në një shtet të vetëm. Kështu, nga një sondazh i kryer në vitin 2010 rezulton se 81 për qind e popullsisë shqiptare në Kosovë kërkon një Shqipëri të Madhe, në Maqedoni të njëjtën gjë e kërkon 66 për qind e shqiptarëve dhe në Shqipëri 63 për qind. Në vitin 2009, ambasadori amerikan në Tiranë u përpoq të bindte kryeministrin Sali Berisha që të largonte idenë e Shqipërisë së Madhe. Por, lëvizja ‘Vetëvendosje’, forca e tretë parlamentare në Kosovë dhe që po përhapet me shpejtësi, ka ringjallur këtë ide në radhët e kombit shqiptar në Ballkan, duke e vendosur atë në majë të prioriteteve të saj. Gjithashtu, edhe serbët e Kosovës refuzojnë të jenë pakicë në një shtet me shumicë shqiptare, gjë që e bën më të fortë hipotezën për një rishikim të kufijve në Ballkan”, thuhet në analizën e SWP-së.
Më tej thuhet në këtë analizë se shpërthimi i një konflikti të ri etno-politik, do të godiste në zemër Evropën jug-lindore dhe investimet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës perëndimore kanë bërë atje. Vendet e Ballkanit perëndimor janë të kufizuara nga vendet anëtare të BE-së, kështu që çdo destabilizim në to do të kishte impakt edhe në vendet fqinje, kryesisht në formën e emigracionit.
Për rrjedhojë, qëndrimet e ndryshme politike mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore për Ballkanin, me shumë mundësi do të ridalin në sipërfaqe. Nga ana tjetër, pesë vendet anëtare të BE që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, nuk po japin shenja për një ndryshim të qëndrimit të tyre. Gjithashtu, përballjet e Kinës dhe Rusisë me Perëndimin, për politikat e fundit në Ballkan, e që nuk janë harruar, ka shumë mundësi që të rishfaqen në arenën ndërkombëtare, vlerëson më tej analiza e institutit gjerman, SWP.

Kosova, në kujtimet e brezit tim!


jeni_myftari
 Jeni Myftari - London Academy of Diplomacy
 

 
Brezi im, ai para dhe pas meje, kemi dhe njëkohësisht nuk kemi shumë për të treguar për Kosovën dhe trevat tjera shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë. Megjithatë, unë do të mundohem të tregoj se si janë memorizuar Kosova dhe trevat tjera shqiptare, në ndërgjegjen e shqiptarëve, brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Kujtimet e mia nuk kanë të bëjnë me politikën që ka ndjekur shteti, por me ndjenjat e bashkëkombësve të mi. Edhe pse kishim mësuar shumë për trimërinë dhe bëmat e shqiptarëve, për Lidhjen e Prizrenit, për Isa Boletinin e Azem Bejtën, shumë pak na ishte thënë për masakrat që serbët dhe malazezët kishin bërë, në vazhdimësi, në këto treva. Këto masakra përmendeshin shumë përciptazi dhe kujtoheshin, vetëm në ndonjë pjesë teatrale që vihej në skenë, kryesisht nga trupat e teatrove të qyteteve të ndryshme.
Për Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, nuk flitej pothuajse fare. Thjeshtë, dihej se Kosova ishte tokë shqiptare dhe banohej nga shqiptarë, me të cilët kishim një gjak, një gjuhë dhe ishim një komb dhe... kaq. Kultura e shqiptarëve të Kosovës, në Shqipëri pasqyrohej vetëm nga një program javor 30-minutësh, përmes emisionit muzikorë "Këngë Popullore të Kosovës", që transmetohej çdo të shtunë, në TVSH. Këngëtarë si Nexhmie Pagarusha, Luan Hajra, Shpresa Berisha etj, ishin të preferuarit e shumë e shumë teleshikuesve, që e prisnin me ëndje këtë emision.
U desh të vinte viti 1981, me demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, që TVSH-ja të transmetonte, për herë të parë, realitetin e Kosovës dhe, si për ironi, ky realitet merrej nga pamjet që transmetonte RAI 1, apo kanale të tjera televizive italiane.
Tashmë që opinioni botëror po ngrinte zërin për dhunën që po ndodhte në Kosovë, vetëm atëherë shteti shqiptar po kujtohej se paska shqiptarë dhe jashtë kufijve shtetërorë dhe se, duhet të sensibilizohet opinioni i brendshëm, për vëllezërit e tyre, në këto vise.
Banorët e Shqipërisë së atyre viteve, kalonin një gjendje ekonomike tejet të mjerueshme. Edhe pse njerëzit ishin “të lumtur" në shtetin socialist, rradhët e gjata e të pafundme para dyqaneve ushqimore, bulmetit apo bukës, pasqyronin në fytyrë lodhjen dhe dhimbjen e brendshme të këtyre njerëzve “të lumtur". Televizioni ishte ende një mjet luksi në ato vite dhe mungonte në pjesën dërmuese të popullsisë. Në këto kushte, njerëzit grupoheshin në disa shtëpi të lagjes apo fshatit, për të ndjekur bashkërisht emisionet e TVSH-së, kanali i vetëm televiziv në Shqipëri, i cili transmetonte nga ora 18:00 deri në orën 23:00, ndonjëherë deri në 23:30. Nga këto vite më ka mbetur në kujtesë se si shtëpia jonë, e cila kishte një dhomë të vetme, nuk i nxinte të gjithë fqinjët që vinin për të ndjekur ndonjë edicion lajmesh, ndonjë film me Tarzanin apo ndonjë ndeshje futbolli. Në këto kushte, babai e vendoste televizorin në dritaren e dhomës, që shikonte nga oborri i shtëpisë dhe të gjithë uleshin në oborr, në karrigen që e merrte secili me vete. Problemi më i madh ishte në dimër, sepse bënte ftohtë dhe nuk mund të praktikohej ulja në oborr. Atëherë, dhoma jonë e gjumit, mbushej plot me njerëz, të cilët uleshin kudo dhe, ne na duhej të prisnim derisa të mbaronte programi i televizorit, për të ngrënë e për të fjetur.myftari_jeni
Në këto kushte ishte Shqipëria, kur për herë të parë u dëgjua zëri i studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe greva e minatorëve të Trepçës. Ditët e këtyre ngjarjeve ishin të dhimbshme për të gjithë. Trysnia e fqinjëve, që shikonin lajmet, ishte shumë më e madhe. Kanë mbetur të skalitura në kujtesën time prej fëmije, dhimbja dhe trishtimi që shfaqej në fytyrat e njerëzve. Ishte vërtet e dhimbshme, teksa shikoje se si burrat qëndronin të tendosur, një hije e zezë u kishte rënë në fytyrat e tyre, hidhërimi kishte mbërthyer fytin dhe nuk i linte të flisnin apo komentonin gjatë. Pothuajse të gjithë përsëritnin fjalët "Qeni serb... E shoftë Zoti, e shoftë" dhe dukej se nuk i mbante vendi. Lotët që rridhnin nga sytë e grave dhe të fëmijëve, e rëndonin edhe më shumë momentin. Çdo shkop gome që binte mbi studentët, dukej se godiste ata të cilët qëndronin para ekranit, duke shikuar me dhimbje në shpirt, se si trajtoheshin vëllezërit e tyre në Kosovë. Ata studentë që qëndronin në spital të helmuar, dukej se ishin aty pranë nesh, siç i ndjenim para vetes kufomat e atyre djemve dhe vajzave, që nën dhunën e tankeve serbe, humbën jetën, në lule të rinisë. Nënat qanin me zë, thua se po numëronin ligjet, në një varrim të përbashkët. Zëri i brendshëm i thirrjes së gjakut të njëjtë, ishte më i fuqishëm se sa ndarja që i ishte imponuar shqiptarëve, nëpër vite. Ky zë nuk njihte kufij. Ai ngrihej me aq forcë, sa që kapërcente çdo pengesë dhe vinte e zinte vend aty, në pjesën tjetër të zemrës së shqiptarëve, brenda kufijve të shtetit amë.
Është vërtetë për të qarë e për të qeshur njëkohësisht, kur kujton se si në atë kohë, në programin mësimor të shkollave, në Shqipëri, u shtuan pesë orë mësimi, për tokat shqiptare jashtë kufijve. Këto pesë orë mësimi përfshinin gjeografinë dhe historinë e asaj pjese të shkëputur të trojeve shqiptare. Pesë orë mësimi!? A mjaftojnë pesë orë, për të mësuar historinë dhe gjeografinë e degës së shkëputur nga trungu amë? A mjaftojnë pesë orë, për tu mësuar shqiptarëve, se gjysma e zemrës së tyre që ndodhet jashtë kufijve, ka këtë apo atë histori. A mjaftojnë pesë orë mësimi, për tu mësuar shqiptarëve se gjysma e shqiponjës së flamurit të tyre, jeton në këto apo ato fusha e shkrepa?!
Askush nuk u kujdes të trashëgonte lidhjen e gjakut, të gjuhës dhe dashurinë ndërmjet vëllezërve. Ajo jetoi në zemrën e çdo shqiptari, e trashëguar nga lindja e tyre, si pjesë e qenies dhe jetës së tyre. Edhe pse lidhja ndërmjet shqiptarëve u masakrua në këtë mënyrë, ajo mbijetoi, ashtu si mbijetoi kombi ynë, ndaj çdo dhune e masakre. Edhe pse të huajt na vranë, na prenë e masakruan edhe pse gjaku i bijve më të mirë shqiptarë njomi tokën mëmë, askush dhe asnjëherë nuk mundi ta vrasë kurrë shpirtin e lirisë, dashurisë dhe vëllazërisë së shqiptarëve, për njëri-tjetrin.
Vitet kaluan dhe historia shkroi faqe të shumta për shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Histori të ndryshme në dukje, por të njëjta në thelb. Kështu do të vinte viti 1998 dhe unë do të isha përsëri dëshmitare okulare, e lidhjes së gjakut të kombit tim. Masakrat e reja të serbëve në Kosovë do të më gjenin përsëri në qytetin tim të lindjes, në Tiranë, ku sapo isha kthyer nga studimet. Ngjarjet do të përsëriteshin, me të vetmin ndryshim, se kësaj radhe dhimbjen nuk do ta përjetoja më nëpërmjet ekranit të vogël të televizorit, por do të bëhesha edhe unë pjesë e saj. Karvanët e pafund të shqiptarëve që hynin nga Kosova, ditë e natë, të cilët, të detyruar nga dhuna dhe masakrat e papërshkruara serbe, lanë vatrat e tyre dhe lëvizën, kryesisht drejt tokave të tjera shqiptare, në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, ku e gjetën Shqipërinë të papërgatitur për këtë dyndje. Shqipëria, që ende përjetonte krizën e rëndë ekonomike, të shkaktuar nga sistemi financiar piramidal, me vetëvrasjet e shumta apo krizat e rënda psikologjike, të atyre që patën humbur çdo pasuri, nuk ishte në gjendje të siguronte as bukën e përditshme. Familje të shumta binin e ngriheshin të uritura. Të rinjtë, në mënyrat nga më të ndryshmet, u drejtoheshin kufijve, për të siguruar bukën e gojës, jashtë vendit. Nënat shamizeza, ende nuk i kishin fshirë lotët e Marsit të vitit 1997, apo atyre ngjarjeve që shkaktoi kaosi i mëvonshëm. Mungesat e gjata të dritave dhe të ujit, e bënin edhe më të rëndë jetën e përditshme.
Në këto kushte e gjetën shqiptarët e Kosovës, Shqipërinë, vendin aq shumë të ëndërruar prej tyre. Ai imazhi i "popullit të lumtur", që TVSH-ja apo Radio Tirana, kishin propaganduar për vite e vite, u shemb para syve të tyre, ashtu siç shembet shtëpia e ngritur nga puplat, sapo frynë një puhizë e lehtë. Tashmë shqiptarët e Kosovës po shihnin të vërtetën lakuriq, pa ngjyrat e retushit socialist. Me gjithë këto kushte, tejet të vështira, shqiptarët edhe një herë i treguan botës se dashuria për vëllain, edhe pse larg dhe të ndarë, trashëgohet në gjen. Ajo lind, bashkë me njeriun. Edhe nëse nuk ta mëkojnë që në fëmijëri, ajo prapë fle e heshtur brenda teje, për tu zgjuar në një moment të caktuar, atëherë kur plaga që ka zënë cipë, gërvishtet dhe fillon të dhembë.
Nuk ka se si të mos emocionohesh, kur kujton ato mijëra e mijëra familje shqiptare që hapën zemrat dhe dyert e shtëpive për vëllezërit e tyre, të ardhur nga Kosova. Shqiptarët e Shqipërisë, jetonin në kushte shumë të mjerueshme, në një sipërfaqe të pamjaftueshme për vetë familjen e tyre, në një shtëpi të përbëra nga një dhomë e një kuzhinë, e ndonjë që kishte fat, kishte dy dhoma. Edhe pse në ngushticë, këtë sipërfaqe të pakët e ndanë me vëllezërit dhe motrat e tyre të Kosovës. Shqiptarët e këtej kufirit nuk kishin bukë në shtëpi për fëmijët e tyre, por atë kafshatë të vetme që u ndodhej në magje, e ndanë përgjysmë. Njerëzit i shihje të preokupuar, ku secili dëshironte të afronte, qoftë dhe ndonjë ndihmë sado të vogël, për vëllezërit e Kosovës.
Në atë kohë punoja në KMSH, si nënkryetare e Departamentit të Gruas. Grupi ynë ishte ngarkuar të monitoronte gjendjen e të ardhurve që ishin vendosur në pronat vakëf, të komunitetit Mysliman, veçanërisht gjendjen e femrave, të cilat ishin bërë objekt i dhunës dhe përdhunimeve çnjerëzore nga serbët. Medreseja e Tiranës, ku edhe jepja mësim, e kishte humbur nocionin e të qenit shkollë. Ambientet e saj ishin mbushur plot me të ardhur. Orari i punës fillonte në mëngjes herët dhe nuk dihej se kur mbaronte. Mëngjesi na gjente në ambientet ku ishin vendosur të ardhurit, ndërsa mbrëmja në shtëpitë që kishin strehuar familje të shqiptarëve të Kosovës. Angazhimi më i madh ishte në përkujdesjen për gratë dhe fëmijët, për sigurimin e ushqimit dhe të ardhurve për të zotët e shtëpive që strehonin të ardhurit nga Kosova. Dihet mirë se, asnjë familje shqiptare, nuk mund të përballonte jetesën për vete e jo më të siguronte ushqim për ata që kishte strehuar. Lot, dhimbje, përkushtim dhe dashuri përcillte çdo zemër shqiptari. Kështu, krah për krah, të mbështetur tek njëri tjetri, ka mbijetuar shqiptari në shekuj.
Djemtë shqiptarë të këtej kufijve, ashtu si vëllezërit e tyre të Kosovës, një shekull më parë, nuk e kursyen gjakun, por u rreshtuan së bashku, krah përkrah, në mbrojtje të tokës arbërore dhe të nderit të shqiptarit. Gjaku i gjeneralit të tri luftërave, Tahir Sinanit, dhe shokëve të tij, i derdhur në mbrojtje të tokave shqiptare në Kosovë, tregoi edhe njëherë se e vërteta dhe historia janë më kryeneçe se të gjithë ata që kërkojnë ta mohojnë apo zbehin këtë realitet. Edhe një herë shqiptarët habitën botën, me vëllazërimin e tyre. Edhe një herë, gjaku shqiptar, tregoi se çfarëdo që të mundohen të na bëjnë armiqtë e kombit tonë, nuk do të mund ta ndajnë shqiponjën e flamurit. Edhe pse, tani së fundi, e kanë imponuar heqjen e këtij simboli të shqiptarisë nga flamuri i Kosovës, ajo jeton dhe do të jetojë në jetë të jetëve, në zemrën e çdo shqiptari.
Kombi nuk njeh kufij dhe politika. Popullit dhe ndjenjës së tij kombëtare, nuk mund t'i imponohesh. Këtë e tregoi qartë më 17 shkurt të vitit 2008. Mbarë shqiptarët, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, në mërgim e kudo ku u ndodhën nëpër botë, festuan të gjithë së bashku, si një trup i vetëm, ditën e ëndërruar prej shekujsh, Pavarësinë e Kosovës.
E gjithë Shqipëria u derdh në Tiranë, e cila, ashtu si Prishtina, u skuq nga flamujt kombëtarë dhe u ndriçua nga drita e fishekzjarrëve, në shenjë gëzimi dhe solidariteti. Vlora përjetoi Pavarësinë e saj të Dytë, atë që shqiptarët nuk mundën ta arrinin para një shekulli, më 28 Nëntor 1912. Në rrugën e Kukësit, kurrë më parë nuk kanë kaluar më shumë makina, në një ditë të vetme, si më 17 Shkurt. Kurrë ndonjëherë më parë, shqiptarët e Shqipërisë nuk janë ngjitur maleve drejtë Prishtinës, si në këtë ditë. E gjithë Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe diasporës, me mendje dhe zemër kanë qenë atje, në Kosovë, ku festuan Ditën e Pavarësisë së përbashkët të shqiptarëve.
Edhe pse kemi jetuar të ndarë, kurrë nuk jemi ndier të tillë. E nuk ka se si të mos ndihesh krenar me këtë popull kaq të mrekullueshëm. Kështu, shqiptarët, edhe një herë, u bënë simboli i qëndresës dhe vëllazërisë kombëtare dhe i treguan botës se, lidhja e gjakut, është më e fortë se gjithçka tjetër.

Gjumi i Akademisë! Gjumi i Akademisë!


bedri_halimi
 
Bedri HALIMI - Kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës

Menjëherë pas publikimit të intervistës së akademik Rexhep Qosjes, rreth politizimit të ASHAK-ut, ndaj akademikut u lëshuan me sulme, fyerje e mohime, si nga Akademia, ashtu edhe nga ana e LDK-së. Nuk është çështja këtu, se Rexhep Qosja duhet të mbrohet nga dikush, sepse për një gjë të tillë, as nuk ka pasur e as nuk ka nevojë, ngase Rexhep Qosja më veprat e veta, në lëmin e kulturës, artit e shkencës, është institucion në vete. Por, çështja është të disa të thëna të paqëndrueshme e fyese rreth veprimtarisë së akademikut Qosja dhe për tendencën negative për të mos lejuar lëvizjen e gjërave nga vendi.

Themelimi i Akademisë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, është themeluar më 1975. Pra, kjo është bërë përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 20 dhjetor 1975. Dhe që nga atëherë, për këtë Akademi vlejnë po ato dokumente. Në linkun e kësaj Akademie, nuk figuron ndonjë dokument i ndryshuar, lidhur me mënyrën e veprimtarisë së saj. ASHAK në atë kohë kishte tri seksione: 1. Seksionin e Shkencave Shoqërore, 2. Seksionin e Shkencave të Natyrës dhe 3. Seksionin e Gjuhësisë, të Letërsisë dhe të Arteve. Më 1985, Kuvendi i ASHAK-ut mori vendim për themelimin e Arkivit të Akademisë e të Institutit të Arkeologjisë dhe të Etnografisë. Instituti i Arkeologjisë dhe i Etnografisë nuk arriti të themelohej kurrë, as sot e kësaj dite. Kurse në linkun e Akademisë, tani figurojnë këto seksione: 1. Seksioni i Gjuhësisë dhe Letërsisë; 2. Seksioni i Shkencave Shoqërore; 3. Seksioni i Shkencave të Natyrës dhe 4. Seksioni i Arteve.

Kush janë Akademikët 
Deri më tani, sipas uebfaqes së ASHAK-ut, kjo Akademi ka 25 akademikë si anëtarë të rregullt (Idriz Ajeti, Ali Aliu, Eqrem Basha, Besim Bokshi, Mehmet Kraja, Pajazit Nushi, Latif Susuri, Nexhat Daci, Rauf Dhomi, Minir Dushi, Rexhep Ferri, Enver Gjergeku, Hivzi Islami, Rexhep Ismajli, Mark Krasniqi, Ekrem Murtezai, Ali Podrimja, Rexhep Qosja, Jashar Rexhepagiq, Esat Stavileci, Engjëll Berisha, Sabri Hamiti dhe Tahir Emra. Si anëtarët korrespodentë janë: Engjell Berisha, Tahir Emra, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Pajazit Nushi dhe Latif Susuri. Anëtarët e vdekur të kësaj Akademie janë: Ramiz Abdyli, Enver Gjerqeku, Eshref Ademaj, Fehmi Agani, Mihajlo Apostolski, Muharrem Berisha, Agim Çavdërbasha, Tish Daija, Agnja Desnickaja, Vuk Filipoviq, Ali Hadri, Hajredin Hoxha, Osman Imami, Ibrahim Kodra, Esad Mekuli, Janez Milçinski, Muslim Mulliqi, Grga Novak, Anton Pashku, Kolë Popa, Syrja Popovci, Dervish Rozhaja, Pavle Saviq, Vladeta Vukoviq, Çesk Zadeja, Gazmend Zajmi. Anëtarët e jashtëm: Edhem Çamo, Tomë Berisha, Neil S. Cherniack, Shaban Demiraj, Robert Elsie, Wilfried Fiedler, Victor Frideman, Gjelosh Gjokaj, Kristian Gyt, Eric P. Hamp, Dragisha Ivanoviq, Ismail Kadare, Dushan Kanazir, Muhamedin Kullashi, Noel Malcolm, Joseph Milie – Emili, Leonard Newmark, Branko Paviqeviq, Michel Roux, Aleksandër Stipçeviq dhe Gunnar Svane. Anëtarë Nderi: Gonxhe Bojaxhiu, Ferid Murat dhe Josip Broz Tito. Pra, siç po shihet, këtu nuk janë të shënuar të gjithë emrat, si psh. Musa Haxhiu, Isa Mustafa, Sinan Hasani etj., mungojnë. Gjithashtu, emrat e akademikëve të vdekur, përpos që janë vënë në listën e akademikëve “In memoriam”, disa figurojnë edhe në mesin e akademikëve të rregullt (d.m.th të gjallë, si Jashar Rexhepagiq, Enver Gjerqeku), kurse anëtarët me korrespodencë, figurojnë edhe në listën e anëtarëve të rregullt, duke u prezantuar kështu biografitë e tyre nga dy herë, si: Engjëll Berisha, Tahir Emra, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Latif Susuri dhe Pajazit Nushi. Ndërkohë, që disave nga akademikët që nuk janë gjallë, u mungon biografia, si Ramiz Avdylit, Esheref Ademajt, Fehmi Aganit, Agim Qavderbashës, Tish Daijës, Ali Hadrit, Ibrahim Kodrës, Esad Mekulit, Anton Pashkut, Muslim Mulliqit, Kolë Popës, Syrja Popovcit, Dervish Rozhajës, Gazmend Zajmit, Qesk Zadejës, Mihajlo Apostolskit, Vuk Filipoviqit, Hajredin Hoxhës, Osman Imamit, Grga Novakut, Vladeta Vukoviqit, Pavle Saviqit, Janez Milqinskit, Agnja Desnickajës, si dhe akademikëve të nderit: Gonxhe Bojaxhiut, Ferid Muratit dhe Josip Broz Titos. Disave në biografi u mungon edhe fotografia, si p. sh Rauf Dhomit. Pothuaj në asnjërën nga biografitë e prezantuara, nuk shkruan se cilat janë rezultatet e kërkimeve shkencore, të botimeve, titujt e veprave etj. Këtu bën përjashtim prezantimi i Hivzi Islamit deri në vitin 2003. Por në dokumentet e prezantuara, nuk figuron se cilat kanë qenë dhe cilat janë kriteret e pranimit në Akademi? Kush i ka vendosur ato kritere dhe a kanë ndryshuar? Kush duhet të bëjë ndryshimin e kritereve të pranimit në Akademi? Se sa serioze është kjo çështje, mjafton t’u lexosh biografitë dhe të arriturat e disave prej këtyre akademikëve dhe të bindesh se sa serioz është ky organizëm, i quajtur Akademi. Sa intelektualë shqiptarë kanë të arritura më të mëdha se disa prej këtyre akademikëve dhe nuk janë pranuar në Akademi? Anëtarë akademie në Kosovë është pranuar dikush që ka vetëm shkollën e mesme apo edhe vetëm fakultetin?

Disa nga botimet e Akademisë

Kjo Akademi ka bërë disa libra që kanë vlera, madje edhe komplete veprash, si të akademikëve Idriz Ajetit, Gazment Zjamit, Selman Rizës, pastaj komplete veprash letrare të Enver Gjerqekut etj., por parashtrohet pyetja, sa libra janë botuar dhe me atë punë, a është arsyetuar ekzistimi i këtij organizmi të quajtur Akademi? A arsyetohet ekzistimi i një akademie me ribotimin e veprave letrare apo shkencore? Madje, botimin e veprave të Fehmi Aganit nuk e ka bërë Akademia. Kurse për disa as që ka tentuar të botojë kompletin e tyre, duke u mjaftuar me botimin e vetëm një libri, siç është rasti me Ali Hadrin. Përse nuk janë botuar librat e akademik Ali Hadrit? Është e qartë se po të ishte gjallë Ali Hadri, disa gjera do t’i thoshte më ndryshe, për shkak të mungesës së lirisë së krijimtarisë shkencore nga koha e regjimit të shokut Tito, të cilin kjo akademi e ka dhe vazhdon ta këtë “omiljenik”, prandaj edhe vazhdojnë ta mbajnë anëtar nderi.

Politizimi i Akademisë

Në reagimin e tyre në emër të ASHAK-ut, “e korrigjojnë” Qosjen, duke thënë, se nuk qenkan dy-tre vetë bashkë me Qosjen, që nuk i përkasin LDK-së, por qenkan vetëm dy akademikë, që i përkitkan këtij subjekti politik. Pa dashur të përmendim emra, kjo gjë nuk qëndron, për faktin se nuk është fjala këtu, kush dhe sa janë në poste politike, sepse edhe kjo çështje është e drejtë e secilit, por qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë indirekte, rrallë kush nga anëtarët e Akademisë, nuk kanë qenë e nuk janë në LDK. Dhe përsëri këtu, nuk është problemi a janë në LDK apo jo?! Le të jenë siç kanë qenë në LDK, ashtu siç kanë qenë pothuaj të gjithë edhe në LKJ. Por çështja është se sa një Akademi mund të quhet e tillë, përderisa disa nga anëtarët e saj janë të politizuar dhe gjërat i shohin nën prizmin e një ideologjie të caktuar? E vërteta është se Akademia nuk ka qenë as për së afërmi në nivelin e detyrave që i ka nxjerrë koha, si gjatë kohës së okupimit, po ashtu edhe pas çlirimit. Nevojiten fakte për këtë gjë?

Disa nga (mos)veprimet e Akademisë
Shumica e akademikëve serbë, gjatë kohës së Millosheviqit, kanë qenë në SPS, por edhe atëherë, edhe tani, kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë platforma e strategji veprimi, simpoziume e tribuna shkencore, libra të tërë për çështjen serbe, për Kosovën, madje edhe për pjesë të veçanta të Kosovës, duke vazhduar t’i trajtojnë si pjesë të pandara të shtetit serb. Sa për ilustrim, këtu po e përmendim vetëm platformën për Kosovën në periudhën e pasluftës, simpoziumin shkencor për trevën e Gorës në prill të vitit 2000, botimin e librave të veçantë për Gorën, Sreckën etj. Dhe qëllimi është i qartë: nuk i ka mbetur as Akademisë serbe, e as shtetit serb te një enklavë gorane, e rrethuar në të katër anët me shqiptarë, nga e cila gjë nuk ka kurrfarë përfitimi ekonomik, por qëllimi është te ruajtja e parullës serbe, e cila me ngulm përmendej në kohën e Millosheviqit “Od Horgosha do Dragasha…”, e përmes saj edhe për mbajtjen gjallë të ëndrrës serbe për rikthimin e Kosovës. Kurse akademikët tanë, ç’kanë bërë në këtë drejtim? Cili prej tyre ka shkruar diçka, për shembull për Gorën? Sa simpoziume shkencore kanë mbajtur për problemet e Kosovës, qoftë në planin historik, etnografik, kulturor, sociologjik, gjeografik etj., dhe cili është fati i atyre punimeve? Më 1994, policia serbe mbylli godinën e ASHAK-ut, përzuri prej andej akademikët dhe e përdori pastaj atë për destinacion tjetër. ASHAK-u u detyrua që veprimtarinë e vet ta zhvillonte në një shtëpi private në Prishtinë. Cila ishte puna e tyre, të paktën për të sensibilizuar botën edhe për veprimin e Serbisë ndaj Akademisë? Serbia, vetëm për vrasjen e 88 fëmijëve serbë, që kanë pësuar nga bombardimet e NATO-s, ka shkruar libër të pajisur me fotografi kolor e me letër cilësore, të cilin e ka përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore të botës, për ta alarmuar botën, gjoja për gjenocidin që paska ushtruar bota ndaj popullit dhe shtetit serb. Seksioni i Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, më 1995 botoi veprën kolektive “Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza lindore e këndej”, kurse që nga ajo kohë, më nuk janë marrë me këtë temë. Por pa hyrë në cilësinë e librit, që ka gjithsej 291 faqe dhe prezantimin e argumenteve në të, po pyesim se në cilën gjuhë është botuar përveç në shqip? Akademi se jo mahi! Janë individë në kuadër të kësaj akademie, që kanë botuar ndonjë libër në lëmin e demografisë apo psikologjisë. Në linkun e kësaj Akademie, te projektet, nuk figuron asgjë. Sigurisht nuk ka kurrfarëë projektesh, kështu që çdo gjë mbetet në stihinë e secilit akademik, për të botuar, e më së shumti ribotuar librat letrarë a shkencorë të mëparshëm. Heshtjes morbide të Akademisë së Kosovës në fazat më kritike të saj, ndoshta do t’u përgjigjej më së miri Fishta, me vargjet e tij brilante në poezinë “Surgite mortu” (Qohuni të dekun), e që natyrisht, nuk vlejnë vetëm për akademikët tanë: “Shka bajn Shqyptarët?... Han fiq e kastraveca: E pijn mastikë, e qesin petlla n'uej; E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca; E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej Pale a kanë ksulen qyp a se kapelë, A e ka uficiali kalin at a pelë”.

Akademikë në organizmin ku ende janë “akademikë” Tito, Sinan Hasani…
Pse nuk hiqen titujt e dhënë për motive politike? Në këtë pyetje, thonë se nuk paskan kompetenca, sepse rregullat nuk po lejuakan tërheqjen e titullit. Kush ua ka ndaluar të drejtën për ta iniciuar çështjen e heqjes së titullit akademik nderi për Titon e për Sinan Hasanin? Përse këta që po i penguakan deklarimet e Qosjes, nuk i penguaka çështja e Titos e Hasanit? Sigurisht, ngase këta akademikë janë ndarë fizikisht nga Jugosllavia, për shkak se Kosova është ndarë fizikisht nga Serbia, por si duket, disa nuk kanë arritur të ndahen edhe shpirtërisht, prandaj kanë nostalgji për vëllazërim-bashkimin, për “kohët e arta” që i kanë kaluar gjatë asaj kohe dhe që kurrë tymin nuk ua ka prishur askush këtyre akademikëve tanë, pavarësisht në ishin apo jo akademikë atë kohë. E atëherë, si të kërkojmë ne që këta t’ia prishin tymin dikujt, pale pastaj Serbisë, apo Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve? Kush prej tyre, dhe sa përgjigje u ka dhënë Akademisë serbe, qoftë si individ, apo edhe si organizëm? Këto janë të vërtetat e Akademisë sonë, ky është morali i akademisë sonë dhe i akademikëve tanë; kjo është logjika e Akademisë sonë dhe natyrisht e akademikëve tanë. Të rikujtojmë se kjo Akademi ka botuar edhe librin “Tito për Kosovën, Kosova për Titon”, prandaj edhe nuk mërzitën që të iniciojnë procedura për tërheqjen e titullit akademik nderi për një antishqiptar të dëshmuar. E si mund ta tërheqin këtë titull, kur në fuqi, sipas kësaj Akademie, ende janë ligjet e vitit 1978. Pra, ora e kësaj Akademie për të mos thënë është ndalur, po themi punon me kurdisjen që i është bërë më 1978. Dhe orë të tilla, që punojnë kaq gjatë, nuk e dimë a ka edhe në Zvicër. Është e çuditshme se si me këtë qëndrim pajtohen edhe dy subjekte politike LDK dhe AAK, të cilat kanë lindur pas vitit 1978!?

Bedri Halimi, “Kënga e lumit”


Shkruan: Bedri HALIMI
      
YMER PRIZRENI

Ekskluzivisht për www.sa-kra.ch dhe www.syri3.com
  

Librin me poezi të autorit Bedri Halimi,  “Kënga e lumit”, mund ta shkarkoni falas në sektorin:
  

(E falënderojmë përzemërsisht autorin)


  

  
1
Vjeshtë e moçme ishte atëherë
Kur u zunë rrugët
Fushat filluan të na i errësojnë
Me pellgje gjaku
E qentë nuhasnin si statuja pa krah
Nuk kishin mall për Shqipëri e as për shqiptarë
As kujtesa nuk u punonte
Në tokë të huaj vdiqën turistë

2
Eh Ymer Prizreni
Dirigjent i Orkestrës së Vjetër
Pasardhës i rojeve të Kështjellës
Ti mendoje për tokën, për detin
Që të ketë buzëqeshje njerëzore
Nuk mbaje fjalim nga zyrat e fildishta
Me Ty larg dëgjohej
Kënga e ushtarit të vjetër
Dhe luhej për mrekulli vallja shqiptare

3
Ymer Prizren, poemë e pambaruar kurrë
Është e dhembshme, shumë e dhembshme
Kur ke frikë t’i afrohesh detit
E Ti je deti vetë
Që me dallgët tua luftoje trishtimin me stuhi
Për të ardhur te Ti
Ti thua se mund të vijnë
Vetëm ata që besojnë se drita nuk vritet
S’ia vlen, s’ia vlen jo të nisen tek unë
Ata që lirinë e pandehin si një lavire
As ata që e kanë humbur udhën në oborr
As ata që nuk duan ta shohin diellin
Askush shpresën s’ka arritur ta vrasë
As Ty o Ymer Prizreni
Ti je vetë shpresa që s’vdes kurrë

4
Ku janë Kainët?
Ku i kanë shtretërit?
As varre s’do të ketë për ta
Se varri është në Tokë
E Toka është e shenjtë or tungjatjeta
Prandaj mos harxhoni kot asnjë grusht dhe
Për ata që ecin me arkivol në shpinë

5
Përse mendohesh o Ymer Prizreni
Buzëqesh he burrë
Se rrufeja çan dhe shkëmbin
Por kurrë Kalanë e Vjetër
Ti do të vish!
Do të vish se s’bën!
Po s’erdhe,
As zogjtë e detit nuk do të fluturojnë
Në hapësirën e kaltër

6
Kam mall për Ty o Ymer Prizreni
Si s’të desha pak më shumë
Po Ti do të na durosh patjetër mëngjeseve
Është dashuria për tokën
Që të shtyn ta bësh këtë, Ymer
Tingujt e jetës marrin frymë me emrin tënd
Vrasësit e ëndrrave të bardha kanë frikë
Nga Ti - statujë e lirisë
Dhe gatuajnë tragjedi të reja
E nganjëherë na kafshojnë
Duke dashur të na puthin

7
Ujqërit e vjetër janë të pakapshëm përsëri
Rrinë gati me tehun e shpatës në dorë
Po ti Ymer, e doje fort Shqipërinë he burrë
Por jo pa Kosovën
Ti edhe sot troket në zemrën e njerëzve
Ti i urren prometejt e rrejshëm
Përse Ymer Prizreni jemi atdhe i mërzisë

8
Ku është vatani - jepni çdo gjë për të
Atëherë çdo pikëllim do të rëndojë lirë
Edhe mbi supet e kohës sime
Sot hyjnë e dalin njerëzit në atdheun pa atdhe
E nga pak ankohen në Ju
Që s’ua sollët parajsën në këtë botë
Kanë brengë në shpirt
Prandaj presin si qentë e braktisur
O Ymer Prizreni

9
Edhe sot në kohë ka lypës kohe
Përpjekja për ta është diç e kotë
Edhe ndihmës të zotit ka sot
Me gur të shenjtë që ligjërojnë si ujku plak
Por, celulat lëvizin
Pa lëvizje s’do kishte jetë
Ani pse lypsarët rebelohen me pagjumësinë
Ata duan rosa
Për zotin rosa
Ama të majme
Kufomat kërkojnë botë tjetër
Pa plazhe me gjëra të dobishme
Të bëjnë shaka me identitetin
Për ta zgjatur natën
Mbajnë fijen e shkrepëses në dorë
As mërziten për vitet e djegura

10
Dhe Pelegrinët presin diçka t’u sjellë fat
Nga idhujt e rremë
Trishtohen nga hija që i ndjek pas
Ymer burri
I vetmuari i largët
Njeriu e koha nuk do të lënë gërmadhë
Shpirti yt do t’ua presë ëndrrat njerëzve pa pendim
Malli për Ty nuk është vetëm Dhjetë Qershori
Dashuria pas ndarjes harrohet vetëm nga ndjekësit e dashurisë
E sofra e historisë i shënon të gjitha o Ymer Atdheu
Emri Yt i thur himn flamurit
Me një gur e një trung
Të mos mërdhihen zogjtë dimrit
Emri yt – kujtesë atdheu me plisa të bardhë
Emri yt – psalm për tokën në çdo kohë
Emri yt – zgjim nga gjumi i fundvjeshtës

11
Do të nisemi udhës sate
Me këngën e Lumit në gojë
Frymëmarrje të lirë
Të kenë edhe rrudhat gjatë dimrit
Kemi nostalgji për ty Ymer
Që hyre në mbretërinë e amshimit
E ne s’harrojmë të të kujtojmë
Sidomos para shkreptimës
Kur përrenjtë fillojnë të thahen
Me emrin tënd në luftë çdo gjë gumëzhin
Se në gjumë as të qarat nuk kanë kuptim

12
Kujdes me fjalën e dëshpëruar thua Ti
Bukuri e ftohtë pa kallinj është ajo
Dijeni se bereqeti i saj është dëshpërimi
Mbrëmë dikush tha se të rënët
Janë këngët e lirisë
Pylli nuk rrallohet po t’i presësh lisin
Në luftë trimi tregon trimërinë
Pas lufte trimëri tregon vetëm frikacaku
Ruhuni nga kundërshtarët e mi
Nga tregtarët e flamujve
Nga kombëtarët që lindin pas luftës
E kur të jeni të mërzitur shumë
Mos harroni ndërtojeni Piramidën
Do të vij t’u ndihmoj dhe unë

            Pjesë nga libri e poezi “Kënga e lumit”

Krimet e shtetit serb në masakrën e Dubravës




Shkruan: Bedri HALIMI


Burgjet e Kosovës vazhdimisht ishin të mbushura me shqiptarë. Me rastin e fillimit të luftës në Kosovë, Serbia gjatë vitit 1998 i largoi shumë të burgosur, për t’i transferuar ata nëpër burgje të Serbisë, me arsyetimin se nuk kishte siguri tashmë në Kosovë për jetën e të burgosurve, kurse në fakt qëllimi ishte që të liroheshin vendet nëpër burgjet e Kosovës, për shkak se Serbia vazhdimisht parashikonte burgosjen e të rinjve shqiptarë në njërën anë dhe, në anën tjetër, njerëzit që ishin larguar nga Kosova në burgjet serbe duhej që të kishin një trajtim më “profesional” sipas përvojës së shtetit serb.
Për trajtimin e tyre që u është bërë nëpër burgjet serbe, mbase dihet dhe nuk ka nevojë të flitet shumë, për arsye se trajtime të tilla shqiptarëve u janë bërë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në të gjitha burgjet ish-jugosllave, si Goli Otoku, Lepogllava, Gospiqi në Kroaci, Burgu i Lubjanës në Slloveni, Burgu i Sarajevës, Foqës, Zenicës në Bosnje e Hercegovinë, Burgu i Idrizovës në Shkup, Burgu i Nikshiqit, Titogradit në Mal të Zi dhe në Serbi burgjet e Nishit, CZ-ja e Beogradit, Pozharevcit, Novi Sadit, Sremska Mitrovicës etj.
Aq më tepër nuk ka nevojë të flitet për trajtimin e shqiptarëve në burgjet serbe në kohën e fillimit të luftës në Kosovë.

Rikthimi dhe trajtimi
Sapo filluan bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë dhe pozicioneve serbe, shteti serb ndërmori një akt të çuditshëm, atë të rikthimit të të burgosurve shqiptarë nga burgjet serbe në burgjet e Kosovës. Themi i çuditshëm, jo për shkak të mendësisë serbe, por për shkak të arsyetimit të ndërmarrjes së këtij veprimi të shtetit kriminal serb. Largimi u bë në prag të fillimit të luftës me arsyetimin e mungesës së sigurisë për të burgosurit, kurse tashmë kur lufta kishte filluar, madje edhe nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë, të burgosurit shqiptarë Serbia po i rikthente në mënyrë të organizuar. Kur siguri nuk paskësh pasur për të burgosurit shqiptarë, kur filloi lufta, tashmë kur kjo kishte arritur kulminacionin, lind pyetja se çfarë sigurie tani kishte në Kosovë?
Të gjithë të burgosurit e dinin se hyrja në çdo burg të ri vazhdimisht shoqërohej me “mikpritje” të veçantë, apo speciale, duke i pritur kordoni i policisë e gardianëve, nëpër të cilën duhej të kalonin të burgosurit duke u rrahur.
Edhe pas vendosjes në burg, rrahja për të burgosurit tashmë ishte terapi e përditshme, të cilat shoqëroheshin më provokime të shumta e të ndryshme, varësisht kujt çka i binte ndërmend në momentin e caktuar.

Realizimi i skenarit
Skenari për të cilin i kishin sjellë të burgosurit shqiptarë po realizohej. Pas shumë provokimesh të forcave serbe nga arsenali luftarak që gjendej qëllimisht i strehuar në objektet e burgut të Dubravës, arritën që një ditë forcat e NATO-s t’i detyronin që t’u përgjigjeshin këtyre sulmeve kundërajrore të forcave serbe. NATO-ja në këtë moment nuk e dinte se Serbia aty kishte sjellë të burgosurit shqiptarë, për t’i përdorur ‘mish për top’. Por meqenëse planet serbe me këtë nuk u realizuan, për vrasje në masë të burgosurve shqiptarë nga bombardimet e NATO-s, përkundër faktit se të burgosurit i kishin detyruar të qëndronin në kuzhinë të grumbulluar, forcat serbe tashmë e shihnin momentin e përshtatshëm për ta realizuar skenarin paraprak, për të bërë masakra, në mënyrë që pastaj për të gjitha t’i fajësonin forcat e NATO-s. Për këtë tashmë i kishin bërë edhe xhirimet me kamera nga gazetarët e porositur nga shteti serbë, që t’i përdornin si dëshmi. Pastaj, vazhdoi ekzekutimi i skenarit serb, me pushkatimet e të burgosurve, pas rreshtimit që u kishin bërë me pretekstin se do t’i numëronin dhe do t’i dërgonin në burgun e Nishit, sepse këtu “nuk ka siguri”.
Por, këtu nuk mbaroi e gjithë kjo katrahurë. Tani filluan përndjekjet për likuidimin e çdo njeriu të gjallë kudo që e takonin. Në të katër anët e burgut, jashtë mureve të tij, qëndronin forcat serbe të pozicionuara në istikame. Meqenëse nga bombardimet ishin hapur disa vrima në muret e burgut, sa që mund të kalonte njeriu nëpër to, serbët kishin përgatitur edhe kurthe për t’i joshur të burgosurit që të tentonin të iknin, ku pastaj përjashta do të priteshin me refale.

Mbijetesa dhe të vrarët
Këtu nuk mund të bëhej fjalë për ndonjë rezistencë të burgosurve, por edhe në këto rrethana kur vdekja ishte mbi kokën e secilit, të gjallët, nuk qëndruan duarkryq. Ata u organizuan t’u jepnin ndihmë njeri-tjetrit për ata minuta e atë kohë që mund të kishin mundësi dhe në format që dinin në momentet e tilla.
Përpos ndihmës së dhënë ndaj të plagosurve, të burgosurit e gjallë janë marrë edhe me të vrarët, duke vepruar sipas kushteve dhe mundësive që kishin në këto rrethana të jashtëzakonshme. Numri i tyre saktë nuk dihet nga të gjithë të burgosurit, sepse secili prej tyre numërimin e ka bërë në rrethana të jashtëzakonshme. Secili që ka pasur mundësi dhe e ka njohur dikë e ka kthyer mbarë, e ka mbuluar me diçka dhe i ka vendosur në një letër të shkruar emrin e mbiemrin, të cilën ia kanë vendosur kudo që kanë mundur, në xhep, në gjoks, në dorë, e madje edhe në gojë.
Pas gjithë këtij tmerri, si duket të bindur se kanë vrarë mbi gjysmën e të burgosurve shqiptarë, kriminelët serbë vendosin ta shikojnë bilancin e kësaj masakre, për të parë se deri ku e kanë kryer detyrën e marrë nga instancat me të larta shtetërore përmes zinxhirit komandues.
Përpos fatit të të vrarëve e të mbijetuarve, një episod të vete është fati i shumë të burgosurve shqiptarë të plagosur, të cilët edhe në gjendje të tillë çfarë ishin, u bartën sikur të kishin qenë thasë patatesh, duke i vendosur njëri mbi tjetrin, ku vuajtjet e tyre nuk u ndalen as në burgun e Lipjanit dhe as pastaj në burgjet serbe, ku u transferuan sërish.

Ukshin Hoti
Për personalitetin e Ukshin Hotit është folur e është shkruar në mënyra të ndryshme. E vërteta për fatin e tij duhet të zbardhet patjetër. Përgjegjës për këtë është shteti serb përmes zinxhirit komandues deri te drejtori i burgut e gardiani Brako Komatina. Si u bë që ai të lëshohet ditën e diel, kur një praktikë e tillë nuk ka qenë as në kohën kur nuk ka pasur luftë, që të burgosurit të lirohen të dielave. Për këtë duhet dhënë përgjigje përgjegjësit e burgut. Në këtë rast, pas arrestimit të Sinisha Petriqit gjërat ndoshta do të fillojnë të zbërthehen. Kjo duhet të ndodhë edhe për faktin se Serbia, ndonëse ishte hartuese dhe realizuese e këtij skenari antinjerëzor, ajo do të bëjë përpjekje që ta përmirësojë imazhin e vet para botës, edhe duke i zbuluar disa gjëra, edhe duke i pranuar disa gjëra, por të gjitha këto, duke u munduar t’i ‘arsyetojë’, se ‘përgjegjëse për këto veprime gjenocidale janë individët e caktuar dhe jo shteti serb’.

Kriminelët kanë emra
Pjesëmarrësit në kryerjen e të gjitha këtyre krimeve kanë emër e mbiemër. Disa prej tyre i kanë njohur vetë të burgosurit politikë, e veçmas disa të burgosur ordinerë shqiptarë, të cilët janë trajtuar njëjtë, sikur të burgosurit politikë. Në këtë burg ka pasur zinxhir komandues, kështu që nuk është vështirë për t’i zbuluar të gjithë kriminelët që kanë marrë pjesë në këtë masakër. Por, në këtë rast po i sjellim disa të dhëna nga të burgosurit shqiptarë për emrat e kriminelëve serbë, duke filluar që nga drejtori i burgut e deri te të burgosurit serbë.
Rolin kryesor e ka pasur Aca Rakoqeviqi, i cili ka bërë një mobilizim të shpejtë me të burgosurit serbë që kanë qenë aty, sepse edhe ata kanë marrë pjesë në këtë masakër. Pikërisht ishte Aca Rakoqeviq ndër ata që i kanë thirrur të burgosurit, pas bombardimeve për të dalë në oborrin e burgut, kinse me i transferuar diku tjetër.
Pastaj është një komandat që i kanë thënë Miki, të cilin me këtë emër e kanë njohur të gjithë të burgosurit.
Tjetër gardian që ka marrë pjesë në masakër ka qenë Mitri, nga Baja e Pejës. Ai ka qenë si vullnetar në luftën e Bosnjës, dhe në Dubravë me një gardian tjetër u tregonin kolegëve të tyre për vrasjet që i kishin kryer në Bosnjë. Kanë marrë pjesë në vrasjet dhe torturimin çnjerëzor të shqiptarëve në Dubravë.
Mitri gjatë masakrës ka qenë në karakollë dhe në momentin që të burgosurit i vendosen te muri, pas pushkatimit, nga karakolli gjuante me snajper në ata që i kanë mbijetuar sulmit të parë, duke secilin me radhë nga pozicioni që kishte. Sipas dëshmisë së të mbijetuarve nja 20 herë ka gjuajtur me snajper për të vrarë. Ishte i veshur me rroba të gardianëve dhe pa maskë. Në pavijonin tjetër ishte një tjetër gardian që së bashku me Mitrin i kanë keqtrajtuar shumë të burgosurit.
Ka pasur edhe disa të burgosur serbë, që janë bashkuar me ata, si për shembull njërin që e quanin Miga, i cili ka qenë pjesëmarrës i masakrës dhe ka qenë shumë i tmerrshëm në kryerjen e masakrave.
Pastaj ka qenë Miki Vidiq, komandant i burgut dhe Aleksandër Rakoçeviqit, drejtor i burgut. Ka qenë edhe një Aca tjetër, zëvendës i Miki Vidiqit që ka marrë pjesë në vrasjet ndaj shqiptarëve.
Në vazhdën e vargut të kriminelëve serbë ishte edhe gardiani Moma, i cili pas bombardimeve është shndërruar në kriminel. Ai edhe para bombardimeve kishte ardhur me një gardian tjetër, që i ka rrahur të gjithë të burgosurit shqiptarë që nga dhoma e parë deri në dhomën e fundit.
Në aksionin e hedhjes së bombave nëpër puseta ku ishin të strehuar të burgosurit, kryesisht udhëhiqte drejtori i burgut, sepse në burgun e Pozharevcit kishte ardhur Arkani dhe kërkonte kriminelë që ishin për vrasje. Kërkonte t’i binte në Kosovë vetëm për këtë masakër. Ndër ata që kishte ardhur ishte Sinisha Petriq, i quajtur Zenica, i cili e ka udhëhequr stafin e burgut, po ashtu edhe drejtorin. Çka ka dashur ka bërë deri sa kanë filluar bombardimet. Ishte 30-32 vjeç dhe ishte i dënuar me 20 vjet për vrasje.
Zenica, edhe pse vetë i burgosur, ka qenë i mobilizuar, thuhet madje se ishte graduar në gradën kapiten nga Arkani. Pas bombardimit Sinisha Petriq ka qenë udhëheqësi i krejt vrasjeve.
Një i burgosur tjetër serbë me emrin Vllada ishte një i burgosur në Serbi (është edhe në foto me arme në dorë), që ka bërë masakër të madhe. Edhe nga karakollët është parë duke u shoqëruar me gardianët. Pas pushkatimit kishte të veshura rroba të gardianëve.
Është një rast që një i burgosur serb ka kundërshtuar ta marrë armën. Quhej Zoran dhe ishte në burg, sepse kishte vrarë nënën e tij. Edhe këtë e kanë rrahur shumë, sepse nuk pranonte ta merrte armën. Zorani ishte nga rrethi i Istogut.
Zorani ka deklaruar se “në pyetje ishte me ju pushkatuar të gjithëve” dhe “këtë urdhër e kishte dhënë Sinisha”, sepse Aca Rakoqeviq ka thënë që “mjaft kemi vrarë dhe ky është një urdhër nga ministria”. Madje, Zorani ishte prezent kur ka dashur Sinisha Petriq ta vrasë Aca Rakoqeviqin, sepse ai thoshte mjaft kemi vrarë.
Gardiani Branko ishte ai që e kishte marrë Ukshin Hotin. Pastaj ka qenë gardiani Mance etj.
Emrat e disa nga gardianëve që kanë punuar në burgun e Dubravës janë:
Zhivkoviq Krnina; Tripkoviq Zvonko; Petriq Sasha Aleksander; Stanimir Lushiq; Nebojsha Branko Gjuriq; Goran Slavko Gjuriq; Boshko Slavko Gjuriq; Sinisha Milosav Lushiq; Branko Komatina etj.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...