Shkruan: Bedri HALIMI
| |
YMER PRIZRENI
Librin me poezi të autorit Bedri Halimi, “Kënga e lumit”, mund ta shkarkoni falas në sektorin:
(E falënderojmë përzemërsisht autorin)
| |
1
Vjeshtë e moçme ishte atëherë
Kur u zunë rrugët
Fushat filluan të na i errësojnë
Me pellgje gjaku
E qentë nuhasnin si statuja pa krah
Nuk kishin mall për Shqipëri e as për shqiptarë
As kujtesa nuk u punonte
Në tokë të huaj vdiqën turistë
2
Eh Ymer Prizreni
Dirigjent i Orkestrës së Vjetër
Pasardhës i rojeve të Kështjellës
Ti mendoje për tokën, për detin
Që të ketë buzëqeshje njerëzore
Nuk mbaje fjalim nga zyrat e fildishta
Me Ty larg dëgjohej
Kënga e ushtarit të vjetër
Dhe luhej për mrekulli vallja shqiptare
3
Ymer Prizren, poemë e pambaruar kurrë
Është e dhembshme, shumë e dhembshme
Kur ke frikë t’i afrohesh detit
E Ti je deti vetë
Që me dallgët tua luftoje trishtimin me stuhi
Për të ardhur te Ti
Ti thua se mund të vijnë
Vetëm ata që besojnë se drita nuk vritet
S’ia vlen, s’ia vlen jo të nisen tek unë
Ata që lirinë e pandehin si një lavire
As ata që e kanë humbur udhën në oborr
As ata që nuk duan ta shohin diellin
Askush shpresën s’ka arritur ta vrasë
As Ty o Ymer Prizreni
Ti je vetë shpresa që s’vdes kurrë
4
Ku janë Kainët?
Ku i kanë shtretërit?
As varre s’do të ketë për ta
Se varri është në Tokë
E Toka është e shenjtë or tungjatjeta
Prandaj mos harxhoni kot asnjë grusht dhe
Për ata që ecin me arkivol në shpinë
5
Përse mendohesh o Ymer Prizreni
Buzëqesh he burrë
Se rrufeja çan dhe shkëmbin
Por kurrë Kalanë e Vjetër
Ti do të vish!
Do të vish se s’bën!
Po s’erdhe,
As zogjtë e detit nuk do të fluturojnë
Në hapësirën e kaltër
6
Kam mall për Ty o Ymer Prizreni
Si s’të desha pak më shumë
Po Ti do të na durosh patjetër mëngjeseve
Është dashuria për tokën
Që të shtyn ta bësh këtë, Ymer
Tingujt e jetës marrin frymë me emrin tënd
Vrasësit e ëndrrave të bardha kanë frikë
Nga Ti - statujë e lirisë
Dhe gatuajnë tragjedi të reja
E nganjëherë na kafshojnë
Duke dashur të na puthin
7
Ujqërit e vjetër janë të pakapshëm përsëri
Rrinë gati me tehun e shpatës në dorë
Po ti Ymer, e doje fort Shqipërinë he burrë
Por jo pa Kosovën
Ti edhe sot troket në zemrën e njerëzve
Ti i urren prometejt e rrejshëm
Përse Ymer Prizreni jemi atdhe i mërzisë
8
Ku është vatani - jepni çdo gjë për të
Atëherë çdo pikëllim do të rëndojë lirë
Edhe mbi supet e kohës sime
Sot hyjnë e dalin njerëzit në atdheun pa atdhe
E nga pak ankohen në Ju
Që s’ua sollët parajsën në këtë botë
Kanë brengë në shpirt
Prandaj presin si qentë e braktisur
O Ymer Prizreni
9
Edhe sot në kohë ka lypës kohe
Përpjekja për ta është diç e kotë
Edhe ndihmës të zotit ka sot
Me gur të shenjtë që ligjërojnë si ujku plak
Por, celulat lëvizin
Pa lëvizje s’do kishte jetë
Ani pse lypsarët rebelohen me pagjumësinë
Ata duan rosa
Për zotin rosa
Ama të majme
Kufomat kërkojnë botë tjetër
Pa plazhe me gjëra të dobishme
Të bëjnë shaka me identitetin
Për ta zgjatur natën
Mbajnë fijen e shkrepëses në dorë
As mërziten për vitet e djegura
10
Dhe Pelegrinët presin diçka t’u sjellë fat
Nga idhujt e rremë
Trishtohen nga hija që i ndjek pas
Ymer burri
I vetmuari i largët
Njeriu e koha nuk do të lënë gërmadhë
Shpirti yt do t’ua presë ëndrrat njerëzve pa pendim
Malli për Ty nuk është vetëm Dhjetë Qershori
Dashuria pas ndarjes harrohet vetëm nga ndjekësit e dashurisë
E sofra e historisë i shënon të gjitha o Ymer Atdheu
Emri Yt i thur himn flamurit
Me një gur e një trung
Të mos mërdhihen zogjtë dimrit
Emri yt – kujtesë atdheu me plisa të bardhë
Emri yt – psalm për tokën në çdo kohë
Emri yt – zgjim nga gjumi i fundvjeshtës
11
Do të nisemi udhës sate
Me këngën e Lumit në gojë
Frymëmarrje të lirë
Të kenë edhe rrudhat gjatë dimrit
Kemi nostalgji për ty Ymer
Që hyre në mbretërinë e amshimit
E ne s’harrojmë të të kujtojmë
Sidomos para shkreptimës
Kur përrenjtë fillojnë të thahen
Me emrin tënd në luftë çdo gjë gumëzhin
Se në gjumë as të qarat nuk kanë kuptim
12
Kujdes me fjalën e dëshpëruar thua Ti
Bukuri e ftohtë pa kallinj është ajo
Dijeni se bereqeti i saj është dëshpërimi
Mbrëmë dikush tha se të rënët
Janë këngët e lirisë
Pylli nuk rrallohet po t’i presësh lisin
Në luftë trimi tregon trimërinë
Pas lufte trimëri tregon vetëm frikacaku
Ruhuni nga kundërshtarët e mi
Nga tregtarët e flamujve
Nga kombëtarët që lindin pas luftës
E kur të jeni të mërzitur shumë
Mos harroni ndërtojeni Piramidën
Do të vij t’u ndihmoj dhe unë
Pjesë nga libri e poezi “Kënga e lumit”
|
2012-02-20
Bedri Halimi, “Kënga e lumit”
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...