Kur po ndizte cigaren e dytë, kishin kaluar 20 minuta nga mesazhi i fundit. I kishte shkruar se donte ta shihte. I kishte shkruar se donte të pinin bashkë një gotë verë. I kishte shkruar se… Tymi po i errte vështrimin dhe mendimet. S’ishte mësuar të pinte verë dhe të tymoste njëherësh. Dëshirën që ndjente për të lagur buzët me lëngun e magjisë së kuqe e shihte si nevojë për të ndenjur me veten. Për të folur me veten. Për t’i ikur realitetit dhe njerëzve. Ndonjëherë, edhe për të kënaqur veten. Intimiteti i vetmisë i ishte prishur nga kjo dreq cigareje dhe nga ardhja e tij e mundshme. Ai që po priste ishte krijesa e saj. Ashtu siç ajo do ta dëshironte të ishte. Edhe pse i shkruanin njëri-tjetrit, ishte, thjesht, si t’i shkruante gjithkush vetes; për t’i konfirmuar vetes ndjesitë dhe mendimet e përditshmërisë; për vetëvlerësim. Egoizëm? Mbase. Tani po i kujtohej se, nga hera e fundit që kishin qenë bashkë, kishte kaluar shumë kohë. Ja pra, një argument i mjaftueshëm, se s’ishte edhe aq e domosdoshme të rrinin me njëri-tjetrin. As të shiheshin. As të flisnin. Çuditshëm, dhe as të prekeshin. Atëherë, pse të rrinin në mendimet e njëri-tjetrit? Ajo e kishte krijuar atë dhe, po ashtu, mund të krijonte këdo tjetër. Këto po mendonte, ndërsa ish mësuar më shumë të priste mesazhet e tij, se sa atë vetë. Ndaj po rrinte si në gjemba. Donte, apo s’donte? I dukej se çdo gjë do të prishej, nëse takoheshin. Sidomos, pas kaq kohësh. Ai ishte tip i thjeshtë, aspak i sofistikuar. Ajo e trajtonte ndryshe. E kishte krijuar ndryshe. Si të përshtatshëm për gjithë inteligjencën e saj emocionale, madje edhe për fantazinë e saj, të cilës jo rrallë i jepte përmasën e jashtëreales. Sa më shumë përqendrohej në gjykime, aq më shumë i merreshin mendtë! Siç dukej, edhe nga turbullimi i verës dhe duhanit njëherësh. Telefoni kish kohë që po binte, por sytë e errur s’po e linin të lexonte e kthjellët emrin në ekran. Kujtesa dhe telefoni po insistonin me të njëjtat ritme padurimi. Alo! Nëna e saj në telefon. I kujtoi se kishte ende punë të pakryera: Pse nuk e kishte marrë…? Pse nuk kishte bërë…? Pse nuk kishte thënë…? Paaah. Po i vinte mendja rrotull edhe më shumë. Turbullimi e bëri të marrë mllef edhe me të ëmën. Për herë të parë guxoi. I mbylli telefonin. Ndonjëherë kishte qejf edhe të dëgjonte se kishte bërë shumë mirë…, ishte shumë e mirë…, e kishte marrë malli shumë…, e donte shumë…, i mungonte shumë… Eh. Kur gjykohej si fëmijë, pse të mos trajtohej edhe në dhembshuri ashtu. Që ta dëgjonte dashurinë e zëshme dhe të lumturohej prej saj. Ashtu, si fëmijë. Po edhe kujtesa e fëmijërisë nuk e ndihmonte dhe aq në percepsione ndjesish të shprehura me “shumë”, dhe as të dhëna ashtu, me tepricë a shumë. Tani ndjehej e lodhur edhe të dëgjonte. Kur s’mund të merrte atë që veshi kish nevojë ato çaste, atëherë, më mirë hiç. Ishte faji i saj që jetonte në një botë më shumë fantaziste se sa reale; që trashëgonte nga fëmijëria pamundësinë e të thënit të gjërave kur i kishte njerëzit përballë; që vetëgjykohej pastaj deri në pamëshirë. S’po ndihej mirë. Kërkoi një gotë të madhe me akull dhe lëng limoni. Çliroi stomakun dhe kokën nga gjithë ajo peshë turbulluese. Kur u rikthye në tavolinë, iu duk se edhe vështrimi i ishte qartësuar bashkë me mendimet. Nuk ishte dhe aq turbull përreth. Jo aq sa e kishte menduar ajo. E ëma po insistonte me telefonatën. Falë saj, i erdhi përsëri në ndihmë aftësia për të marrë vendime të shpejta. Madje, krejt të ndryshme nga ato për të cilat ishte bërë gati dhe po priste. Shtypi fort bishtukun e cigares. Rrufiti deri në gllënjkën e fundit gotën e verës me gjithë të vërtetat e saj brenda. Mendoi se s’mund ta priste më. Në asnjë dimension kohe. Në asnjë hapësirë. Jo më. Po këto nuk ia shkroi. I tha se duhej të shkonte urgjent në një mbledhje. Shkruhemi sërish ndonjëherë, darling! Përgjigjja erdhi në kohë. Aspak keqardhje. Aspak dëshpërim dhe padurim. E shkruar si me akull. Asnjë shumë…keq, shumë…mall, shumë…dëshirë. Vetëm: “shuuumë busy edhe unë, zemër”. Gjysmë shqip e gjysmë anglisht. Siç qe moda, gjoja.Më mirë kështu, mendoi. Të paktën, nuk ka “pse-ra?”. Asnjë “pse?”. Ato s’durohen edhe kur vijnë nga dashuria, jo më…
2012-02-21
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...