Kosova Republikë?!


flamuri-ksNga: Beqir BEQAJ  

Nëse shtetësia e Kosovës bëhet temë e bisedimeve ndërkombëtare, apo edhe lajm për gazeta, atëherë vihet në dyshim, nëse Kosova përnjëmend është shtet! Dy vjet, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, disi po e teprojnë liderët shtetërorë dhe gazetarët, fjalën “Republikë”, sa herë që e përmendin Kosovën. Mbase kjo bëhet nga etja që ta thuash këtë fjalë për Kosovën, e të mos shkosh në burg! Apo edhe nga të menduarit se, sa më shpesh ta përmendësh, aq më parë do të bëhet! Një gjë është e qartë! Kosova nuk bëhet shtet me fjalë, por vetëm me veprime konkrete, punë dhe maturi. Kjo, sepse shumë punë e luftë është bërë, për të mbërritur deri këtu. Dhe, kur tashmë kemi mbërritur, ende pa e forcuar këtë Republikë, nis lufta se kush do ta udhëheq Republikën e re, apo edhe më e keqja, se kush do të përfitoj më së shumti nga kjo Republikë e re!
Rasti i fundit, nëse Kosova është përnjëmend shtet, tregon konferenca e planifikuar për të shtunën në Bërdo të Sllovenisë, ku organizatorëve iu kanë dalë para vetës njëqind telashe, sherri i Kosovës, apo më saktë, fjala Republikë, para emrit Kosova.
Derisa po vazhdojnë përpjekjet diplomatike të Sllovenisë për organizimin dhe përfaqësimin e të gjithë liderëve të rajonit në konferencën e Bërdos, Qeveria e Kosovës përsërit qëndrimin se në këtë takim, Kosova mund të përfaqësohet, vetëm si shtet i barabartë me vendet tjera.
Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, thotë se ftesa për pjesëmarrje, kryeministrit Hashim Thaçi i është dërguar në cilësinë e kryeministrit të një shteti sovran dhe, në këtë cilësi edhe do të shkohet në Bërdo. “Kosova do të përfaqësohet si e barabartë, kudo në forume ndërkombëtare. Edhe në rastin e takimit të Bërdos, jam i bindur se kryeministri i vendit do ta ketë përfaqësimin e shtetit të Kosovës në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë me të gjitha shtetet tjera, pjesëmarrëse në atë takim”, thotë Kuçi.
Pjesëmarrja e Kosovës, si shtet, është sfiduar nga Serbia, e cila ka kërkuar që emri i Kosovës të shënohet “UNMIK-Kosovo”.
Zëvendëskryeministri kosovar thotë se Serbia në vazhdimësi ka bërë përpjekje ta pengojë pjesëmarrjen e Kosovës, në takimet ndërkombëtare. Sipas tij, politika serbe, në raport me Kosovën, i takon një logjike të vjetër, e cila mund të ndryshojë me rritjen e trysnive diplomatike ndërkombëtare mbi Beogradin. “Unë besoj se Serbia do ta ndryshojë logjikën e konfrontimit. Do të kthehet në logjikën e bashkëpunimit dhe nuk ka arsye që të mos marrë pjesë. Po ashtu, besoj se presioni ndërkombëtar do të shtohet, që ndryshimet në Serbi të jenë më të shpejta”, thotë Kuçi.
Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë vizitës në Kosovë, pati deklaruar se nuk janë tejkaluar mosmarrëveshjet, në lidhje me organizimin e konferencës së liderëve të Ballkanit perëndimor, në Bërdo.
Për shkak të kundërshtimeve serbe, mbetet si problematikë përfaqësimi i shteteve, i simboleve dhe i nxjerrjes së një deklarate të përbashkët, nga kjo konferencë që ka për qëllim t’i tubojë liderët e Ballkanit perëndimor për të diskutuar bashkë me liderët e BE-së, rreth perspektivës evropiane të rajonit. Por, gjërat janë komplikuar, në momentin kur Beogradi kërkoi që Kosova atje të mos përfaqësohet si shtet, por si pjesë e delegacionit të UNMIK-ut, siç e parasheh edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, e cila ende ka mbetur në fuqi, pavarësisht se në Kosovë janë ndryshuar gjërat rrënjësisht.
Kjo rezolutë, e cila është transmetuar nga dy palët, vetëm pjesërisht, ashtu siç iu pëlqente dhe sipas nevojave të kohës, kishte shansin të zhbëhej, për tu zëvendësuar me një rezolutë të re, e cila parashihte që t’i jepte Kosovës statusin e një shteti, me kufizime të mëdha të sovranitetit. Por, ishte Serbia ajo që e kundërshtoi këtë dhe, duhet pranuar, se ajo ia doli të tuboj rreth vetës shtete të fuqishme për ta kundërshtuar atë.
Sado që kosovarëve mund t’iu ketë ardhur keq, që kjo rezolutë, sipas propozimit të negociatorit, Marti Ahtisari, nuk kaloi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo pasoi me një veprim tjetër të vetë kosovarëve, i cili është më i fuqishëm se ia që do ta bënte OKB-ja, por që merr më shumë kohë.
Kosova e shpalli vetë pavarësinë, nga organi më i lartë legjislativ i saj, Kuvendi.
Shpallja në këtë mënyrë e pavarësisë, është më e fuqishme, se sa që do ta bënte këtë KS i OKB-së, por që duhet më shumë kohë, derisa të arrihet shifra mbi 50% e shteteve që do ta njohin këtë shtetësi. Sot, pavarësisht numrit të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, fuqia e saj është më e madhe, se sa që do të ishte ajo e OKB-së, e cila me një rezolutë do t’i kontrollonte sektorët kyç të vendit, të cilët e përbëjnë sovranitetin e një shteti. Natyrisht, janë shumë sfida që kosovarët duhet t’i tejkalojnë. Njëra prej tyre është edhe nevoja, që këtë shtet të ri ta udhëheqin duar të pastra dhe shpirtrat demokratikë dhe nacionalistë, njëkohësisht. Vetëm një udhëheqje e tillë, do ta shkurtonte rrugën drejtë bërjes së Kosovës, përnjëmend shtet.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)