2012-02-20

Jo vetëm vizita!


Shkruan: Refik HASANI
Të premten në Preshevë në vizitë ishte Edi Rama, kryetar i PSSH-së dhe ish-kryebashkiak i Tiranës që ta promovojë librin e tij “Kurban”.
Më shumë e porosisim ne, që partia e z. Rama që e udhëheq të ndihmojë dhe të na tregojë se çka mund të na ndihmojë konkretisht. Grupi Socialist në Parlamentin e Shqipërisë të kërkojë që të ngrihet zëri. Por, edhe, p. sh. që universitetet publike në Shqipëri për studentët nga këto tri komuna të lirohen nga pagesat, t’ua paguajnë konviktet me akomodim e ushqim në të gjitha drejtimet e fakulteteve, e studimeve post diplomike. Të investojnë në ndihmën që bibliotekat në këto tri komuna të furnizohen me libra, të investohet në monumente, të ruhen dhe konservohen nga buxheti i Tiranës, etj., etj.

***
Ne kërkojmë që vizita të tilla nga liderëve partiakë dhe shtetërorë të bëhen vazhdimisht nëpër vendbanime dhe lokalitete të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, edhe nga shkrimtarët të përmasave kombëtare, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj. Por, edhe nga akademikët tanë në zë, qofshin të Tiranës, apo Prishtinës nga ansamble profesionistësh e amatorësh të valleve dhe këngëve, nga artistë të teatrove kombëtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe qendrave të tjera. Vizita të bëhen edhe nga shoqatat e shkrimtarëve, katedra, institute që merren me ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore– historike, që të evidentohen, që restaurohen dhe ruhen nënë përkujdesje të shtetit. Kjo nuk duhet të bëhet si vizitë vetëm në Preshevë, por edhe në Bujanoc e Medvegjë. Nuk duhet harruar edhe shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri. Pa i lënë anash edhe Arbëreshët në Itali e Dalmaci të Kroacisë dhe diasporë në përgjithësi.

***
I përkujtojmë opinionit të gjerë se Ilir Meta e vizitoi Beogradin, por asnjë fjalë nuk shprehu se si i trajton shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, ku në atë kohë ishte zëvendëskryeministër njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme dhe kryetar i LSI-së. Por, edhe Edi Rama sa ishte kryebashkiak i Tiranës e kishte shpërblyer një artist serb me çelësin e Tiranës. Partia Socialiste e Shqipërisë është dashur kur ishte në pushtet të flasë dhe të na mbrojë të drejtat tona, kurse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha ia ka dhuruar një donacion Graçanicës- komunës serbe të formuar në bazë të pakos së presidentit Ahtisari në një vlerë bukur të madhe. Nexhat Daci, po ashtu e vizitoi Preshevën dhe Bujanocin, por kjo ishte vizitë shumë e vonuar që ishte dashur të bëhet sa ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës. Tirana duhet të na ndihmojë neve shqiptarëve në krahinën shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, duke ndihmuar në shkollimin e kuadrove, por edhe në shtruarjen e kësaj teme në të gjitha nivelet që çështja e shqiptarëve në këtë krahinë nuk është zgjidhur kur jemi të diskriminuar në të drejtat individuale dhe ato kolektive.

***
Parashtrohet pyetja sa janë duke i ndihmuar Tirana dhe Prishtina shqiptarët në këto troje të veta dhe në diasporë. A kanë dy qeveritë tona ndonjë program dhe strategji veprimi. Pse deri më tani dy parlamentet nuk ka pasur fare diskutime që të miratojnë ndonjë rezultat lidhur me shkeljen që bënë Beogradi për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj neve shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Në kuadër të komisioneve parlamentare të ngrihen grupe punuese që të kërkohen mundësi për ndihmë që duhet na afruar neve. Prishtina e Tirana për një dekadë kanë investuar vetëm në një mijë Abetare dedikuar neve shqiptarëve të kësaj krahine.
***

Manifestime, akademi dhe shënimet tjera kombëtare të ndryshme të mbahen edhe në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Jo vetëm të mbetemi dhe ngopemi me vizita, po na duhen edhe mbështetje morale, kombëtare e institucionale. Na duhet përkrahje konkrete të shijojmë të arriturat kombëtare në art, kulturë, arsim. Të gjejmë mbështetje të rregullt, të vazhdueshme të shprehura qartë se në cilat fusha duhet dhe ka obligim moral, kombëtar e institucional të ndihmojë Tirana dhe Prishtina.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...