2012-02-20

Braktisja e mangallit, trendi i kaminave dhe kultura shqiptare mbi zjarrin

description



 
Zjarri ishte zbulimi që çau në mënyrë epokale historinë njerëzore dhe nxiti emancipimin e gjithfarshëm të njeriut dhe njerëzimit. Përmes tij, njeriu filloi të ndryshojë veglat e punës, mënyrën e prodhimit, përgatitjen e ushqimit, vendbanimin, varësi më të vogël kundrejt natyrës dhe kontroll më të lartë të ligjësive të saj, ndryshim të mënyrës së jetesës, zhvillim fizik, oscilim kulturor të organizimit të fiseve/komuniteteve, mistifikime religjioze dhe pagane që korrelojnë direkt me kultin mbi zjarrin dhe shumë e shumë ndryshime të cilat na sollën deri në kultin e teknologjisë së sotme. Komuniteti njerëzor u transformua dhe u ndryshua nga një fazë elementare e zhvillimit shoqëror duke ndërruar edhe relacionin e njeriut me vetveten, natyrën dhe marrëdhëniet shoqërore. Zjarri rezultoi ta çapalis njeriun dhe kulturën e fiseve/popujve/klaneve/komuniteteve, duke qenë i pranishëm pranë tyre kudo. Në gjendjen e lidhshmërisë absolute të shoqërisë së gjuetarëve, mbledhësve të ushqimit, shoqërisë blegtorale, shoqërisë bujqësore me mjedisin natyror, zjarri ishte gjithçka, madje edhe Hyjni që meriton lavdërimin apo edhe hakmarrës nëse nuk respektohet. Nga zjarri i hapur në natyrë, nga lëvizjet e mëdha dhe sezonale migruese, njerëzit filluan të kenë një vendbanim më jetëgjatë, më të përhershëm dhe më të qëndrueshëm. Kjo bëri që zjarret për ngrohje dhe funksione të tjera, pra vend-zjarret të ndryshojnë nga pjesët e hapura në pjesët e mbyllura në dhoma shtëpie. Kështu lindi ideja e oxhaqeve, mangallit (tangari) tradicional me prush, shporetit me dru, thëngjill, rrymë elektrike dhe kaminat estetike-funksionale, përkatësisht prania e këtyre të fundit te familjet e pasura shqiptare në Kosovë.
Oxhaqet
Shoqëria shqiptare është e njohur për oxhaqe. Tradicionalisht këto bëheshin në dhomën e ndejës, por edhe në ndonjë dhomë tjetër. Odat nuk mund të paramendoheshin pa oxhaqe. Ato funksionin përmes ventilatorit të betonuar dhe të vrimëzuar brenda murit. Si lëndë djegëse përdorej druri, por edhe thëngjilli, impiante bajgash, të cilat kalojnë në faza të ndryshme të transformimit të lëndës dhe përpunimit për djegie. Anëtarët e familjes, por edhe mysafirët, afroheshin afër oxhakut, ngroheshin pas ardhjes nga ambienti i jashtëm i ftohtë dhe më pas stabilizoheshin për të filluar bisedimet dhe për të ngrënë. Në raste të emocionalitetit festiv familjar e farefisnor, këndonin afër oxhakut. Të kënduarit e këngëve patriotike apo të motiveve rurale tradicionale, apo të dashurive të ndaluara, zakonisht bëhej në zjarre që bëheshin herë pas herë në ambiente të hapura, ku argëtoheshin edhe të rinjtë. Oxhaqet tradicionale nuk po zhduken, sepse në shoqërinë shqiptare ka filluar një ripërtërije e tyre për sharm estetik të dhomës, nxitjes së një hapësire të ngrohtë dhe pritje të mysafirëve në raste speciale. Sidoqoftë, ndër motivet e ulëta për t’u përhapur si atëherë, si sot, qëndron në faktin që shporeti tradicional me dru kryen funksionin edhe të ngrohjes së përgjithshme të dhomës, por edhe mund të shfrytëzohet për pjekje, fërgim dhe aspekte të tjera të amvisërisë dhe përgatitjes së ushqimit. Kushton më lirë ekonomikisht për shkak që energjia që përdoret luan funksione të shumëfishta.

Braktisja e mangallit në kulturën shqiptare
Në kulturën shqiptare jemi mësuar edhe me të ashtuquajturin mangallin me prush, si mjet ngrohës. Tashmë përdorimi i tyre është i rrallë në familjet shqiptare në Kosovë dhe gjetiu, por sidoqoftë akoma janë të pranishëm te disa familje. Madje, jemi informuar nga mediet elektronike për një rast tragjik që ndodhi në Shqipëri këtë vit, siç ishte vdekja e një çifti të të moshuarve, e cila kishte ardhur nga mungesa e oksigjenit gjatë natës dhe krijimit të monoksidit të karbonit në dhomën e fjetjes, pasi kishin lënë mangallin e ndezur me prush gjatë natës. Kështu ka njoftuar policia pas hetimit të vendngjarjes. Sipas informacionit të policisë shqiptare që e pata lexuar në një portal të Tiranës, nusja e shtëpisë gjatë marrjes në pyetje ka dëshmuar se, për shkak të temperaturave mjaft të ulëta, ka vendosur në dhomën e fjetjes së të moshuarve një mangall me prush… Edhe gjenerata ime kujton kohën e përdorimit të tyre dhe në netët e ftohta jashtëzakonisht rrinim afër, meqenëse rreziku i tyre është i madh. Këtë e thonë edhe ekspertët, por edhe përvoja e shumë familjeve shqiptare, që ndodhte të sëmureshin dhe diagnoza e mjekëve rezultonte të ishte për shkak të mungesës së oksigjenit në dhoma të mbyllura dhe prekeshin direkt organet e frymëmarrjes dhe tërë organizmi nga mangalli. Në kohën e sotme, edhe në pjesët rurale thuajse është duke u braktisur mangalli me prush.

Shporeti tradicional me dru në shtëpitë shqiptare
Shporeti tradicional me dru thuajse është forma dominuese e mënyrës së ngrohjes në familjet shqiptare gjatë sezonit vjeshtë-dimër, por diku-diku përdoret për përgatitje të ushqimit gjatë tërë vitit, apo zhvendoset në ‘bodrume’ apo dhomë pre-kuzhine. Zakonisht lëndë djegëse është druri apo thëngjilli. Edhe shporetet tradicionalë e të thjeshtë me metal, nuk janë si më parë. Tashmë blihen në treg shporete mjaft efikas, estetik dhe shumë funksionalë. Janë të konstruktuar në formë, përmbajtje dhe me plan modern. Ky lloj shporeti është mbizotërues në zonat rurale të afërta dhe të largëta të Kosovës. Tipari dallues i shporetit me dru nga ai elektrik pa dyshim se qëndron në ruajtjen e shpenzimeve të energjisë elektrike dhe supozimit të kostos më të lire, ngase e njëjta energji shfrytëzohet për ngrohje dhe gastronomi. E meta e tyre qëndron se ngrohet e tërë dhoma e ndejës, por mbeten dhomat e tjera shumë të ftohta, apo thënë më saktë, e njëjta energji termike nuk mund të shfrytëzohet racionalisht për shpërndarje difuze në tërë dhomat dhe korridorin brenda shtëpisë. Realisht kjo varet edhe nga arkitektura e shtëpive tona, të cilat deri më tash kanë qenë të ndërtuara për familje të mëdha e të zgjeruara, për mysafirë të shumtë e të ngjashme, ndërsa planifikimi arkitektonik dhe ndërtimor i shtëpive të sotme është direkt i lidhur me ndryshimet e mëdha të familjes tradicionale shqiptare, lidhjeve farefisnore, ndikimit të tregut të ri të shporeteve, krahasimet gjithnjë e më të mëdha kulturore për mënyrën e ngrohjes, rritja e ekspertëve që japin këshilla për ngrohje etj. Mirëpo, ka edhe shtrirje përdorimi i shporetit tradicional përmes ventilatorëve për të ngrohur tërë ambientin e brendshëm shtëpiak.

Shporeti elektrik dhe diferencimi i energjisë për amvisëri
Shumë familje urbane kanë shporetin elektrik që e shfrytëzojnë për përgatitje të ushqimit, ndërsa për ngrohje përdorin ‘termot’ e ndryshme, me ngrohtore elektrike, kalorifer etj. Bie fjala, në banesat në Prishtinë, furnizimi me ngrohje është i kontraktuar nga “Termokosi”, pavarësisht se ka probleme të mëdha me furnizim dhe shpesh familjet detyrohen të përdorin edhe ndonjë ngrohtore elektrike, sidomos në acarin e lartë dimëror. Nuk do të thotë se familjet në fshatrat e Kosovës nuk kanë shporete elektrikë, as se familjet urbane nuk e përdorin shporetin me dru, sepse mënyra e jetesës si në fshatra, si në qytete ka filluar të homogjenizohet dhe në disa familje fshatare mund të jenë kushtet shumë të mira dhe mjaft luksoze të ngrohjes, sesa në disa familje të qytetit. Mirëpo, vetë jetesa familjare në fshatra dhe rrethanat rurale, por edhe mentaliteti kulturor më tradicional, e bën që në fshatra shporeti me dru të përdoret më intensivisht për dyjat: për ngrohje, por edhe për përgatitje të ushqimit (zierje, pjekje etj.).

Kamina dhe klasa
Në kërkimet enciklopedike të fjalorëve të ndryshëm, thuhet se kamina mund të ketë prejardhjen nga gjuhët e vjetra latine e greke, “caminus”, “???????”, “káminos”, merr kuptimin e “furrës”, “ngrohëse zjarri”, “hapësirë zjarri”, “vatër zjarri”, ang. “fireplace”, etj. Dhe ky aspekt semantik, nuk është edhe aq i ndryshëm sot, por vetëm ndërron pak në aspektin e konstruktimit të aparatit ngrohës, e jo hapësirës; jo lokacionit, por aparatit. Kamina përdoret edhe në gjuhë të tjera si serbo-kroate, skandinave etj. Kamina ka marrë kuptimin në gjuhën shqipe të mjetit bashkëkohor në të cilin vendosen druri apo ndonjë lëndë tjetër djegëse, me pjesën hyrëse të lëndës, me një xham të tejdukshëm që shihet nga jashtë zjarri (krijohet edhe një ndjenjë më e ngrohtë nga spektri vizual në distancë) dhe me një gyp ose i vendosur për muri në një dhomë. Zakonisht këto kamina blihen nga familjet e pasura e të kamura, sepse kushtojnë shtrenjtë në treg, por edhe shpenzojnë shumë lëndë djegëse. Familjet e varfra e kanë të vështirë jo vetëm blerjen e tyre, apo instalimin e tyre variabil të kushtueshëm financiar, por edhe funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kaminat madje janë bërë sot në kulturën kosovare si ikona të luksit, komoditetit, pasurisë dhe shpërfaqjes së stratifikimit klasor. Sado që mund ta mohojmë, kaminat sot janë shenja identifikuese e shtresës shoqërore kosovare që kanë të ardhura të mira financiare dhe kanë shtëpi ‘për merak’. Kanë dalë edhe kamina me ventilatorë, analoge me instalimin e nxehëseve në të gjitha pjesët brenda shtëpisë, të cilat ngrohin tërë hapësirën brenda shtëpisë. Mirëpo, duhet përmendur se ndarja tradicionale e dhomave shqiptare ka ndryshuar dhe tani po rritet numri i shtëpive që nuk kanë dhoma të ndara strikte dhe fizike, prandaj shpërndarja e energjisë lartë-poshtë, poshtë-lartë dhe në të gjitha dhomat, është më se e mundshme dhe zvogëlon koston e lëndës djegëse. Sidoqoftë, familjet e pasura mund t’i bëjnë më lehtë këto përzgjedhje, për shkak se varet edhe nga izolimi i volitshëm dhe i jashtëm i shtëpisë dhe plani arkitektonik internal. Pa dyshim, kaminat sot lidhen edhe me klasën, në kuptim direkt material.

Zjarri dhe kultura shqiptare
Në ritualet tradicionale shqiptare ka qenë praktikë e shpeshtë rituali i largimit të shpirtrave të ligë edhe përmes ndezjes së zjarrit në vatër. “Besohej se foshnjën s’duhet lënë vetëm, as ditën as natën pa mos i mbushur gjashtë javë… Gjatë natës fëmijën e mbulojnë me tesha të zeza, në zinxhirin e zjarrit varin një kusi të zezë. Gjatë natës digjet një dritë, qoftë kandil, qiri, llambë vajguri apo gackë vaji, ngase shpirtligat ikin prej gjërave të zeza si dhe prej dritës. Rituali i ndezjes së zjarrit para se të lind fëmija. Se çfarë fëmije do të lindet, djalë apo vajzë, për këtë haset rituali pagan i ndezjes së zjarrit, dhe atë, në këtë mënyrë: Në vatrën e zjarrit vendojnë drunj të renditur me kujdes, pasi që turmën e drunjve e rregullojnë, atëherë e ndezin zjarrin. Nëse zjarri kallet përnjëherë, në popull besohet se shtatzëna do të lind djalë dhe do të rritet e të shtohet përparimi në bujqësi, blegtori e kështu me radhë. Por nëse zjarri nuk kallet, atëherë e fryjnë që prej saj del vetëm tym, që kuptohet se drunjtë nxihen, dhe për këtë besohet se shtatzëna pas shumë mundimeve pritet të lind vajzë.”(shih: http://fejashqiptare.org/showthread.php?t=96) Po ashtu, është e njohur edhe figura mitologjike e sendërtuar nga konteksti i zhvillimit shoqëror dhe shpirtëror të familjeve tradicionale në hapësirën tonë jetuese si “Nana e Votrës”, e cila ka “…disa tipare të zvetënuara të një hyjnie shumë të lashtë të vatrës, me origjinë nga matriarkati. Fillimisht ajo ishte një figurë pozitive. Madje, ndonjëherë Nana e Votrës quhej edhe ”të tretat e vatrës”, pra tri motrat që përcaktojnë fatin e fëmijës, natën e tretë pas lindjes. Më vonë dhe, sigurisht, me fillimin e rendit të patriarkatit, vetitë e saj ndryshuan. Ashtu siç përfytyrohet tani, Nana e Votrës u rrëfehet plakave që rrinë shumë vonë natën duke tjerrë li ose lesh. Ajo fanitet në trajtën e një plake të keqe flokëthinjur që rri gërmuq bri vatrës. Ndodh që, kur ngrihet nusja në mëngjes për të ngrohur ujë, sheh në vatër një plakë që kreh flokët me krehër apo që tjerr. Nusja kujton se është e vjehrra: i flet, por ajo s’përgjigjet. Kështu ajo e kupton se është Nana e Votrës...” (shih: http://kuqezi.albanianforum.net/t67-figurat-e-mitologjise-shqiptare)

Tym, dritë dhe ngrohje
Për të kuptuar ndryshimet në shoqërinë shqiptare dhe në Kosovë, mjafton të gjesh edhe këso temash. Ka ndërruar mënyra e ngrohjes te shqiptarët, bashkë me të edhe vetë jeta, botëkuptimet dhe idetë e tyre mbi zjarrin. Kaminat gjithnjë e më shumë po bëhen identifikim i shtresave të të pasurve. Familjet rurale dhe urbane kosovare në masë të jashtëzakonshme kanë braktisur praktikën e mangallit me prush. Janë përhapur ekstremisht shumë edhe bombolat e gazit, të cilat janë dominuese në hapësirat e ndërmarrjeve të vogla, kiosqe, bizneset me të ardhura të dobëta, për shkak të kostos më të lirë të gazit, por që nuk shpërndajnë energjinë në mënyrë ekuilibruese/difuzive, të nxehen këmbët dhe mërdhihesh në pjesë të tjera të trupit; me rrezikshmëri mjaft të theksuar, por edhe me kutërbim të pafalshëm! Ka edhe asosh që kanë shpërndarës difuzioni, por përdoren shumë pak! Është rritur vetëdijesimi shoqëror dhe kulturor për metodat më efikase, më të shëndetshme, më të lira dhe më estetike të mënyrës së ngrohjes, por akoma ka nevojë për rritje kulture familjare dhe shoqërore për të analizuar dëmet e secilës mënyrë të ngrohjes. Në kontekstin e vetëdijes njerëzore, zjarri është elementi bazë i doktrinave të lashta religjioze (p.sh. në religjionin e vjetër persian, shumica e ritualeve dhe adhurimeve lidheshin me zjarrin), doktrinat filozofike, alkiminë dhe filozofitë mbi elementet thelbësore të botës si: uji, ajri, toka, zjarri (Talesi, Anaksimandri, Anaksimeni, filozofia e afërt kineze, alkimistët e ndryshëm etj.). Zjarri lidhet edhe me mitologjinë, sidomos personazhi më i famshëm Prometheu, i cili vjedh zjarrin nga Perënditë dhe merr shumë guxim e sfida vetëm për t’ia dhënë njeriut këtë element për ta bërë më të fortë; ta përdorë për shkrirjen e metaleve që t’i lehtësohet jeta për të bërë vegla sa më të zhvilluara për mbijetesë etj. Zjarri lidhet edhe me simbolikën e djallit dhe të keqes, madje në krishterizëm dhe islam, bota tjetër e ferrit për mëkatarët do të jetë plot zjarr. Po ashtu, në islam edhe fjala për xhinët si botë paralele me njerëzit dhe melaqet, janë të krijuara nga zjarri. Zjarri në simbolikën e erosit lidhet pozitivisht si: pasion, afsh, eksitim. Në fakt, krejt perceptimet njerëzore dhe kulturore kudo në botë për zjarrin janë ashtu siç janë edhe gjendjet e zjarrit: tym, dritë dhe ngrohje.

Ekskluzive: Te villa e Millan Radojiçiqit policia ka gjetur listën e bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, ka edhe nga Maqedonia

Policia e Kosovës gjatë operacionit për gjetjen dhe konfiskimin e gjësendeve te villa e Millan Radojçiqit që mund të jenë pjesë e hetime...