2012-02-20

Republika nuk është pronë e Qeverisë, ajo është vlerë kombëtare


Shkruan: Ismajl Kurteshi
Ata që në bisedimet e Vjenës të vitit 2006 e pranuan decentralizimin në baza etnike, që për qëllim e kishte sigurimin e privilegjeve të pakicës, e cila përherë ka qenë e privilegjuar. Ata që në vitet në vijim e legjitimuan pabarazinë në mes të qytetarëve të Kosovës dhe e heshtën cenimin e sovranitetit të vendit nga Serbia.
Të njëjtit në vitin 2011, me kërkesë të Serbisë, për nevoja të saj dhe tema të ngritura për diskutim nga Serbia, që për qëllim kishin zhbërjen e Republikës, pa as një kusht të vetëm u kthyen në tryezën e bisedimeve, që filluan me rregullimin e brendshëm të Kosovës për të arritur te kontestimi i Republikës.

Bisedimet, kokë më vete
Ata që bisedimet me Serbinë i filluan kokë më vete, pa miratim nga Kuvendi; ata që marrëveshjet ndërkombëtare po i quajnë konkluzioni (për t’i ikur ratifikimit të tyre nga Kuvendi i Kosovës që është obligim kushtetues).
Ata qeveritarë që bisedimet për heqjen e Republikës në takimet ndërkombëtare po i quajnë bisedime teknike. Ata që pranuan të bisedojnë me Serbinë para se ajo ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Të njëjtit e hoqën Republikën nga vulat e doganave; kufirin shtetëror e reduktuan në kufi administrativ; pikat kufitare pranuan t’i quajnë pika të kalimit; origjinali i regjistrave civilë dhe dokumentet e kadastrave të Republikës së Kosovës pranuan t’i mbeten Serbisë. Ata pranuan që mbi tabelat RKS të vendosen katër “S” e Serbisë; pranuan që qytetarët e Republikës së Kosovës nëpër Serbi të qarkullohet me dokumente të lëshuara nga Serbia, e kanë humbur tërësisht legjitimitetin, që ta përfaqësojnë Kosovën.
Kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin (edhe ashtu të kontestuar për shkak të vjedhjeve të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit 2010), edhe brenda vendit, sepse përveç abuzimeve në procesin e privatizimit, tenderimit e sfera të tjera, e njëjta e ka imponuar Ligjin diskriminues mbi Trashëgimin Kulturore të Prizrenit dhe Ligjin për Hoqën e Madhe. Kjo Qeveri në vitin 2012 ka bërë presion për anulimin e vendimin të Kuvendit mbi reciprocitetin, ka urdhëruar rrahjen e protestuesve që dolën në mbrojtje të reciprocitetit më 14 dhe 22 janar në Merdar dhe te Dheu i Bardhë.
Paralajmërimi se do të heqin dorë nga Republika në takimet e nismave rajonale paraqet kulmin e të këqijave që po na vijnë nga kjo Qeveri, prandaj kjo nuk bënë të kalojë.
Të gjitha këto lëshime që po mundohen t’ia shesin popullit si suksese me kinse integrimin në Evropë, përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, heqjen e vizave, stabilitetin në rajon, integrimin e komunitetit serb etj. nuk do të kalojnë.

Problemet nga marrëveshjet e Brukselit
Qytetarët e Kosovës kanë filluar t’i kuptojnë gjërat ashtu si janë, sepse më bindëse janë problemet që po u dalin nga marrëveshjet e arritura në Bruksel, se deklaratat e negociatorëve të Brukselit.
Se marrëveshjet me Serbinë janë të dëmshme për qytetarët e Kosovës po e kuptojnë të gjithë ata që po udhëtojnë nëpër Serbi dhe ata që po përpiqen t’i eksportojnë prodhimet e tyre atje. Zëvendësimi i dokumenteve identifikuese të Republikës së Kosovës dhe tabelat e automjeteve të tyre me dokumente e tabela të Republikës së Serbisë, derisa një gjë e tillë nuk vlen për shtetasit serbë që vijnë në Kosovë, është vetëm njëra nga dëshmitë e pabarazisë që po e përjeton qytetarët tanë sapo po afrohen te kufiri me Serbinë.
Për Republikën e Kosovës është derdhur shumë djers, janë shpenzuar shumë para, janë bërë shumë sakrifica, shumë fëmijëve i është mohuar e drejta e shkollimit vetëm se i kishin shkruar shkronjat “RK”, prindërve të tyre u mohohej punësimi. Shumë të rinj e kaluan rininë në burgje, shumë nuse e pësuan më rëndë se Penelopa, nënat e kaluan pleqërinë në ethe.
Për Republikën u kall flakë Kosova, ndodhi eksodi i përcjellë me gjenocid. Për Kosovën Republikë ranë dëshmorë, bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës.
Republika ka çmim tepër të lartë. Ajo nuk është pronë e askujt. Ajo është vlerë e jona sublime. Prandaj, nuk ka autoritet dhe as justifikim që guxon ta cenojë Republikën. Kushdo që jeni ju kontribuues apo armiq të saj, mbani duart larg nga Republika, sepse ajo është vlerë sublime pa të cilën jeta nuk ka kuptim për mbi 95 për qind të qytetarëve të këtij vendi.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...