Rushit Ramabaja
Romani “Ndërgjegja” i Flori Bruqit, para së gjithash është
një kronikë e sublimuar me gjuhë specifike të viteve të hidhura të së
ashtuquajturës kohë e autonomisë, kur shkelësi shtypte Kosovën me ndihmën e
shqipfolësve të barbarizuar, të cilët emrin dhe identitetin e vet e bartnin
vetëm sa për t’i ndihmuar Beogradit që në sy të botës ta fshihte okupimin e
këtij krahu të dhimbshëm të Shqipërisë. Pothuaj, në çdo faqe të tij ndihet
pesha e mallit të autorit ( rrëfimtarit ) për t’u kthyer në vendlindje dhe
lufta e pandërprerë e të barbarizuarve që me anë të shpifjeve, shantazheve e
kërcënimeve t’ia mbyllnin udhën përgjithmonë për në shtëpinë e vetë. Këtë
dhimbje, që gjithnjë pikon helm e dashuri njëkohësisht, F.Bruqit ia del mbanë
me sukse që ta fisnikërojë me shkrimet mjaft të sukseshme për fytyrat më
eminente të mjekësisë botërore, por vet-veten e identifikon më së shumti me
arkitektët shqiptarë që krijuan vepra madhështore larg atdheut dhe që jo rrallë
bukuria mahnitëse e artit të tyre u bë kob për ta. Ne fejtonet për mjekësinë,
për njerëzit e mëdhenj të botës dhe për arkitektët tanë, unë kam parë, veq se
tjerash, përpjekjen e tërthortë të autorit që ndjekësve të vet t’ua kthejë
urrejtjen në dashuri, mërinë në dhimbje dhe harresën e nëmur në rinjohje. Kjo
dëshmon shkallën më të lartë të ndërgjegjes dhe vetëdijen skjshmërisht të
sublimuar kombëtare e qytetare për pajtim edhe me të pandërgjegjshmit dhe për
bashkim edhe me plangprishësit. Duke pasur parasysh këto që thamë si dhe vlerat
e tjera të këtij libri, mendoj se “Ndërgjegja”e Flori Bruqit do të ketë lexues
të shumtë të të gjitha shtresave sot dhe nesër, ngaqë në të gjithnjë shquhet
zëri që thërret që të mos përsëritet kurrë më e keqja e së kaluarës.
Prishtinë, 4 maj
1995