Dr.Izet S. Çuli
,shkrimtar dhe neuropsikiatër-Tiranë
Isha me fat kur mora pjesë për herë të parë në Mitingun e
përvitshëm mbarëshqiptar të Poezisë (i dyzetëekatërti) që zhvillohet në
Gjakovë. Aty u njoha nga afër me shumë figura të letërsisë e të krijimtarisë
nga Kosova, Maqedonia dhe Mali
i Zi.
Shkëmbyem me dhjetra libra me njëri-tjetrin. Kur i kalova të
gjitha në “sitë”, zgjodha për të filluar leximin e tyre me veprën frymëgjatë
“GUXIM SHQIPTAR” (2008) të Flor Bruqit. U ngusha me autorin kryekreje tek MURI
I DHEMBJES, ku ne homazhonim; si edhe në darkën përshëndetëse, kur grupit tonë
nga Shqipëria, iu dha rasti të ishte në një tavolinë me Z. Kadrush Radogoshi,
Abdullah Konushevski, Flori Bruqi, Kristaq Shabani, Agron Shele, Bora Balaj
etj. Mbasi e përpiva librin e Bruqit, iu ktheva përsëri dhe mendova nëse mund
të arrija të hidhja në letër diçka për të, ngase jo të gjithëve mund t‘ju bjerë
në dorë libri i tij. Po kush është vetë autori
i këtij botimi me 400 faqe, i cili studimet e larta i ka kryer në Prishtinë.
Shoh biografinë artistike: me plot 25 vepra të volumshme si: romane, poezi,
studime, hulumtime shkencore, historike etj. Një befasim i madh për mua, një
zbulesë do të thosha dhe me mjaft punime të virgjërta. Ky libër për mua
rangohet nga më të mirët në fushën e vet.
Interesat e Flori Bruqit janë të gjera e të shumanshme dhe
me një kohështrirje të madhe nëpër shekuj dhe jo rrallë me këndvështrime
origjinale duke na kthjellur më tej disa nga njohuritë tona.
* * *
Le t‘i hedhim një vështrim lbrit të tij “GUXIM SHQIPTAR”
ashtu sipërfaqësisht se për atë do të duheshin studime zanafillëse e të thella.
E nis ai me lashtërinë e popullit tonë dhe
pikërisht me Pirron e Epirit, i cili konsiderohet si strategu më i shquar i
kohës së vet, që e thërrisnin “Shqiponjë”. Betejës disaditëshe të zhvilluar në
Fushë Kosovë (1389), autori i lë mjaft vend në librin e tij stu dimor , e cila
ishte më tepër një bashkim rajonal dhe assesi vetëm serb, siç mundohen të thonë
sot grafomanët dhe politikanët dështakë, që fabrikojnë frazime të pavërteta
(për të serbizuar këtë betejë). Sot ndoshta ka mjaft historikanë të tillë
trumykur, të palogjiktë e trillanë dhe ndoshta të çmenduruar nga shkurtpamësia
e tyre, të cilët janë gjithnjë gojëhapur, po se ç‘thonë, pak rëndësi ka për ta!
Në këtë përplasje u shqua Milosh Kopiliqi, mbasi përveç trimërive të tjera, ai
vrau Sulltan Muratin I, varrharruar, ndërsa për Miloshin tonë, shqiptarët
këndojnë këngë dhe me veprën e tij vendasit mburren edhe sot e kësaj dite.
Serbët, të mbështetur nga ustallarët dhe ndihmestarët e tyre epsharakë, e
shfrytëzojnë aktin e tij për qëllimet e veta të mbrapshta, kinse për terrorizëm
dhe krim të organizuar islamik. Ata, nga ana tjetër, duan të pronarizojnë çka
s‘mund të pronarizohet, si praktikisht dhe me “studimet” e tyre xhelatore e
ekstazore.
Për perudhën skënderbejane dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeun,
hero real dhe jo i legjendtë, ky kryeluftëtar, ky “poet i madh i politikës
shqiptare” -siç shkruan Idro Montanelli, përimtohet shkurtazi këtu dhe çmohet
jo vetëm si strateg e prijës i talentuar dhe gjenial, i cili i bëri ballë një
superfuqie të kohës (duke shpëtuar Evropën), por edhe si një diplomat,
administrator e organizator i zoti, që dinte të përfitonte nga situatat, se
ndryshe nuk mund të rezistonte aq trimërisht për 25 vjet dhe të mbijetonte
midis ujqërisë. Ai mbetet gjithashtu një humanist dhe iluminist i shquar, një
rilindës evropian i klasit të parë.
Me mjaft interes na duhet shkrimi për Napoleon Bonapartin
për të cilin sot, sipas shumë studimtarëve seriozë, flitet përherë dhe më shumë
për prejardhjen arbëreshe të tij dhe pikërisht nga një fshat i këtillë i
Korsikës. Për këtë ia vlen të lexohet edhe libri i shkëlqyer “Enigma” e të
madhit Robet d`Angely-t, i sjellë në shqip 10 vjet më parë nga prof. Xhevat Lloshi
(“Toena”,1998), ku shprehet për prejardhjen “sigurisht shqiptare, dhe për ta
thënë më me përpikëri shqiptare toske) të Napoleonit të madh.
Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë “(tetor 1879-janar 1880)”,
kthjellon këtu luftrat e mëdha të shqiptarëve, kur është fjala për tërësorinë
dhe mbrojtjen e tokave të të parëve tanë në shekuj dhe ku spikatin Ali Pashe
Gucia, Mic Sokoli, Sulejman Vokshi. Duhet vlerësuar si një shkrim mjaft i
domosdoshëm në librin “Guxim shqiptar” i Flori Bruqit . Ishin kohë të arta, kur
vepronte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ishin kohë kur derdhej shumë gjak (i
cili tanimë s`duhej të shkonte kot), kur kishte aq mllefosje e urrejtje dhe
baltosje në shpirt ndaj një vendi që gjithsesi ka ditur të fqinjërojë me të
gjithë. E si mund të strehosh kaq dashakeqësi për një popull kaq plagëshumë e
dhembjemadh në histori!
Me siguri disa studiuesve të huaj, gojëhelm e gjuhëgjatë,
kritikanë të sëmurë, ju mungo-jnë frenat. Shileri shkruante:”Ndër gjërat më të
shëmtuara në botë, më e shëmtuara është gjuha që shpif”. Po
lëri të notojnë në netërinë e tyre! Veç dicka është më se e sigurtë:”Kush nuk shkon përpara, shkon mbrapa”- thoshte Gëtja.
* * *
Në kapitullin pasardhës “Antropologji”, në 12 fletë të
mirëfillta shkencore, ndricohet nga kjo fushë shkrimi për Jakov Milaj (ky mik i
ngushtë i Migjenit) dhe librin e tij “Raca shqiptare”, në dy botime: 1944,1997.
Studimi i Milajt, ndonëse ai nuk ishte antropolog në profesion, ka vlera të
mëdha, është burimor dhe zë vendin e gurqoshesë. Aty del mirëfilli rrënjësia e popullit shqiptar,
gjenetikisht i përafërt, pa dallesa thelbësore në rrafshin fetar, gjeografik,
krahinor etj. Ai u kundërvihet me të drejtë disa kalemxhinjve letërnxirës e
shpifjanësh, të cilët duan të vërtetojnë me teoriçkat e tyre vjetërake e pabukse,
të kundërtën për racën tonë të pastër dhe me prejardhje të veçantë si askund të
ndonjë populli tjetër të Evropës. Është ky komb që ka nxjerrë aq shumë njerëz
të mëdhenj e me mendjendriturí në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore;
por ngandonjëherë jemi vetë ne shqiptarët që çuditërisht i minimizojmë vlerat e
tyre e jo rrallë duke i zeruar fare ato!
Në kapitullin e gjatë “Politikë” (në mbi 50 faqe) Flor Bruqi
trajton tema mjaft të mprehta e të rëndësishme, ku e hap siparin me
Arvanitasit, Çamërinë, Epirin e Veriut dhe gjendjen e sotme, ku i mëshon faktit
të tejhidhur “sesi erdhi dhe u tkurr Epiri shqiptar,i nisur nga interesat e
Fuqive të Mëdha dhe në dëmin tonë” –sic shprehet ai. Padrejtësitë nuk kanë të
mbaruar ndaj këtij kombi fattragjik, të shumëvuajtur e heqkeq nëpër shekuj. Ja
si shkruan romantiku i përbotshëm, poeti Bajron: “Nuk ka komb që të jetë parë
nga fqinjët e vet me aq urrejtje dhe tmerr sesa shqiptarët”! E kush nuk e di se
në fitoren e Pavarësisë së Greqisë (1829), që i parapriu kryengritja e vitit
1821, 90 për qind e tyre ishin arvanitas me prijës heronjtë legjendarë: Miauli,
Xhavella, Kolokotroni, Bubulina Laskarina, Bocari, Aleksandër e Dhimitër
Ipsilanti, Andruci, Karaiskaqi, Koleti, Vulgari,Kanari dhe sa të tjerë.!? Rreth
20 kryeministra në Greqi kanë qenë me prejardhje arvanitase dhe po kështu disa
presidentë të saj. Djallëzia është pakufi dhe arrin deri aty sa të
“argumentohet” ajo që s`mund të argumentohet, se kinse popullsia ortodokse në
Shqipëri, ishte greke, kurse ajo myslimane-shqiptare, duke u grabitur nga
grekët krahina të tëra mbas një hekatombe përbindshore, gjenocidi dhe eksodi
masiv të egërsirtë dhe të paparë. “O Zot, ç`padrejtësi !”-thërret me të drejtë
gjer në kupë të qiellit z. Bruqi. Si është e mundur të sillesh kështu me një
popull, i cili është thinjëruar me pushkë në dorë për vete e për të tjerët ?!
Si është e mundur të kesh hua për të shlyer dhe të kërkosh pjesë?! Po sa mirë
që dinë të tellallisin!
Përsa u përket përplasjeve dhe të drejtave midis shqiptarëve
në shtetin maqedon dhe a ka një Intifadë (një term arab, e ashtuquajtura
kryengritje violente kundër izraelitëve) të tillë në Maqedoni, autori
korrektësisht mbështet të drejtat e njeriut, njëjtësinë, ruajtjen e traditave
të shqiptarëve. Për heroin e demokracisë, Albin Kurtin, shpreh këtu nder,
respekt e krenari, qysh nga Nju-Jorku akademiku i Akademisë së shkencave
shqiptare-amerikane, prof.Namik Shehu, pikërisht më 12 Maj 2007.Është ky mjek i
talentuar dhe pasionant e patriot (një nga recensorët e vëllimit “Guxim
shqiptar”, i botuar përfund librit, me mbi 15 faqe), ku këtu kemi rastin të
lexojmë në 5-6 faqe edhe një intervistë të goditur, ku jepet një tablo e gjerë
e veprimtarisë së tij të madhe shkencore, pedagogjike e shkrimore duke merituar
kësisoj mjaft tituj e grada të tilla akademike. Ai tashmë është në plot
kuptimin e fjalës një personalitet i spikatur, për të cilin ne duhet të
krenarohemi.
Ritheksoj se për interesat e gjera e të gjithanshme të
Flori Bruqit flet dhe shkrimi “Kryqëzata e tetë”, ku ai jep të dhëna
gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Lindjen e Mesme mbas Luftës së tretë të
Gjirit, ku ndesh lloj-lloj prapaskenash, që të vënë në mendime: lufta për
interesa karburantesh dhe burimesh të mangëta ujore, probleme aq të ditës.
Kapitulli “Spiunazh” është i ndarë në disa nëntituj: I pari
bën fjalë për agjenturën greke që kryente masakra në dëm të popullit shqiptar
dhe tjetri shtjellon agjentët, sidomos ata serbë, me ndikesë në Kosovë,
veprimet e pashembullta të të cilëve janë të mirënjohura, sigurisht edhe
nëpërmjet përfshirjes të mijra kosovarëve të lëkundur e bashkëpunëtorë me të
huajin.
Flori Bruqi na njeh më tej me veprimtarinë letrare të Gani
Xhafollit, autor i mbi 20 librave, sidomos me poezi dhe romane( veçan atyre me
emra të shkurtër “Po ” e “Të dua”), të cilët
janë vlerësuar me disa çmime letrare. Gjithashtu ai është përkthyer në disa
gjuhë të huaja; premton mjaft në letërsinë tonë dhe botimet e mëpasme do t’a
vërtetojnë patjetër këtë. Ndërsa Nehat S. Hoxha me profesion ekonomist, ka
publikuar poezi,tregime dhe përkthime ( nga anglishtja sidomos dhe me një numër
relativisht të madh, afro njëzet prej tyre). E shoqëron edhe këtë autor me një
buqetë poezish, si ajo me titull “ Nojma e shqipes” ku nën të shkruan: “ I
kushtohet shqipes aq të kamur nga bukuria dhe kaq të drobitur nga robëria” dhe
dy të tjerat janë: “I mërguar në Atdhe” dhe “ Hëna në dritare” etj. Më tutje F.
Bruqi në nëntitullin “Muxhahedinët si Goldon Boys” ftillëzon odisenë e
udhëtimeve të vështirshme të Bernard-Henry-Levit, i cili në librat e tij,
vërtet të veçantë në vlerat si në gjini dhe në atë përmbajtësore, homazhon për
gazetarin Daniel Pearl, i ekzekutuar nga strukturat gjakësore të Al-Kedës. Ky u
vra për të vërtetën që deshi të zbulonte dhe të shpaloste para botës, por e
deshën më mirë të ishte vetëm një gojëmbyllës i përjetshëm!
* * *
Kapitulli i fundit është ai mbi Psikanalizën ( për të cilën
kohët e fundit, kolegu im, neuropsikiatri i shquar Miltiadh Veveçka, nën një
përkthim mjeshtëror na ka sjellë nga anglishtja librin “Themelet e
Psikanalizës” të prof. dr. Çarls Bremerit. Vetë përkthyesi thekson se kjo
disiplinë shkencore është si një kockë e fortë për t’u kapërdirë). Po ashtu z. Bruqi tërheq vëmendjen dhe për astrologjinë e
erotikën. Pra Flori Bruqi e ka zgjeruar shumë diapazonin tematik duke na
paraqitur me kompetencë edhe tema të tilla, të cilat jo të gjitha janë brenda
sferës diturake e profesionale të tij. Dhe ja të bëjmë një vështrim të
shkurtër:
I lë vend figurës së mjekut neurolog me prejardhje çifute,
kandidat të çmimit “Nobel” gjeniut Zigmund Froid-it (Sigmund Freud-it), i
nismësit, themeltarit të psikanalizës dhe të psikoterapisë së vërtetë. Le të
përmendim p.sh. vetëm librin e tij “Shpjegimi i ëndrrës”, (1900) që mund të
themi pa drojë se ka revolucionalizuar shkencat psikonervore. “Një zbulesë e
këtij lloji i jepet ndonjërit vetëm njëherë në jetë”-shkruan vetë Frojdi më
1931.Shih për këtë përkthimin “Themelet e Psikanalizës të dr Çarls Brenerit,
(përkthyer nga dr. i shkencave Militiadh Veveçka 2008, fq.189).” Po Horoskopi a
duhet besuar? – pyet retorikisht F. Bruqi. Shkenca nuk ka si ta pranojë por as
“argumenta” nuk gjen ta kundërshtojë.
Në faqet e mëtejshme vazhdon me psikologjinë erotike, me
disa terma e njohuri të nevojshme për çdo njeri të kulturuar e të qytetaruar,
si dhe me 25 sëmundjet ngjitëse seksuale të njohura e të panjohura nga publiku
i gjerë. Ai me këtë rast tërheq vëmendjen për rrezikshmërinë e tyre, por
gjithsesi thekson se duhet konsultuar me mjekët përkatës specialistë:seksologë,
dermatologë etj.
* * *
Guximi shqiptar është shprehje e trimërisë shqiptare,
trashëguar brez pas brezi. Ta ruajmë e ta zhvillojmë këtë cilësi të rrallë të
të parëve tanë, që akademi kishim jetën, luftën, kalitjen me vështirësitë,
kulti i të cilëve ishte Atdheu, dëshira për ta parë vendin e shqiponjave të
lirë e të pavaruar, fitore kjo që na i siguroi guximshëm Plaku i madh i Vlorës,
simbloi i mëvetësisë së Shqipërisë, patrioti i shquar Ismail Qemali.
“Guxim,-thotë një fjalë e urtë-është cilësia e parë njerëzore, sepse garanton
gjithë të tjerat.” Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të përgëzoj guximtarin
kokëplot Flori Bruqi dhe të shpresojmë se në të ardhmen, pa e konfuzionuar
lexuesin, si ndonjë tjetër do të na dhurojë libra të këtillë kuptimthellë si “
GUXIMI SHQIPTAR” (2008), që pos të tjerave kur i mbaron ke dëshire t’u
rikthehesh ngase ke mësuar shume prej tyre. Një libër i vëllimshëm nuk të lodh
kurrë, kur ka tematikë të pasur dhe gjen mënyrën e bukur sesi i shtjellon.
Është kjo arsyeja që Flori Bruqit t’i dërgoj këtë telegram-urim a SMS. të
thjeshtë: “Të lumtë dhe mos e lësho penën nga dora! Ec gjithmonë përpara! Faleminderit!”
Le ta mbyll këtë parashtesë të këtij libri me një këshillë të Ismail Qemal
Vlorës, për të gjithë ne:”..... të punoni së bashku si vëllezër....!