Iljaz Prokshi
Pas vëllimit poetik me titull “Zjarri I Diellit” (1995), romanit “Ndërgjegja”(1995), “Vrasësit
e Liridonëve (1996), që i botoi në Prishtinë, Flori Bruqi ditë më parë në Tiranë botoi edhe romanin “Ringjallja”. Tema e romanit
“Ringjallja”qon në një kohë këtu e shumë vite më parë. Është koha e
“kundërrevolucionit”, e shthurjeve të sistemeve, thyerjeve e digresioneve në
një ambient të caktuar, të cilat shkaktojnë dramën e individit dhe
kolektivitetit, që i përket edhe prozatori. “Ringjalljen” e karakterizon një
kompozicion i thjeshtë, ku rëfimi rrjedh i qetë dhe natyrshëm. Përmes ides
themelore që transmetohet këtu, dalin në spikamë edhe një varg problemesh
etiko-shoqërore të cilat i shkakton një pushtues jo njerëzor. Flori Bruqi, ka
përcaktuar fatin e një populli të lnë jashtë kufijve të atdheut, i cili
pareshtur i nënshtrohet torturave, ndjekjeve, dënimeve dhe mynxyrave të tjera
makabre. Për t’i shpëtuar kësaj dhune me shumë veta detyrohen të lëshojnë
vendlindjen dhe të ikën në ekzil, siç ndodh me ikjen e çlirimit për në Shqipëri, familjet e Ligan Shpatullgjanit, Demë
Ali Pozharit, Mërgim Bardhit e shumë të tjerëve në shkretëtirën e Anadollit. “Ringjallja” e Flori Bruqit
është një ekuivalent i kohës: me braktisje, vetmi, trishtim, që shqetësojnë
jetën e njeriut edhe në çastet më të gëzuara të tij. Një formë herë e çlirët e
rrëfimit e herë-herë me një organizim të dialogut krijon bagazhin e mundshëm të
ambientit nën pushtim. Asociacionet që zgjojnë dialogjet, toni që u jep ngjyrë proceseve
jetësore nëpër situata të veçanta dhe rrethanat e krijuara e zgjojnë kërshërinë
e lexuesit. Pa dyshim se tema është provokuese dhe jep mundësi konstruktimi
artistik i situatave që e bëjnë për vete lexuesin.
28 Qershor 1996