Ne jemi një shtet i ri, ne kemi emrin tonë, Republika e Kosovës, por ne ende kemi nevojë për t’i konsoliduar institucionet tona. Sipas mendimit tim, Kosova tani ka dy probleme të mëdha: mungesën e sovranitetit - dhe çfarë do të thotë një pavarësi pa sovranitet? - dhe papunësinë. Megjithatë, për të arritur një zhvillim socio-ekonomik, duhet të bëhemi shtet sovran. Kështu ka thënë lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti në një intervistë për të përditshmen zvicerane ‘24 Heures’, ndërsa citon Albinfo. Ai ka theksuar se nuk është kundër të gjithë ndërkombëtarëve, porse është kundër ndërkombëtarëve, si ata të EULEX-it, që, sipas Kurtit, i kanë të gjitha kompetencat. “Ata janë mbi institucionet e Kosovës, ata vendosin për ne, kurse kurrë nuk kanë qenë të zgjedhur! Unë, gjithashtu i fajësoj ata për menaxhimin e krizës në mënyrë afatshkurtër, pa menduar asnjëherë në afate më të gjata. Ata na trajtojnë sikurse Afganistanin”, ka thënë lideri i “Vetëvendosje”.
Në vazhdim të intervistës, Kurti thotë se “Qeveria është e korruptuar” dhe se drejtuesit e saj po “privatizojnë në mënyrë të shfrenuar” dhe se nuk shpjegojnë arsyet “e këtyre privatizimeve, aq më pak se çfarë janë përfitimet”. Edhe pse e konsideron të rëndësishëm liberalizmin e vizave, ai vlerëson se “edhe nëse ne fitojmë liberalizimin, njerëzit do të qëndrojnë këtu, e ne kemi nevojë t’i përmirësojmë kushtet e tyre të jetesës! Është si të jesh në një anije, që rrezikon të fundoset dhe në vend të riparimit të saj, të propozoni bileta të barkave për të ikur dhe mbijetuar”. Kurti mendon se problemi në negociatat me Beogradin qëndron në atë se “Serbia ende na konsideron si një krahinë! Ajo kurrë nuk ka kërkuar falje, e as ka paguar për dëmet. Ajo vazhdon të mbajë 1.800 trupa të të vdekurve tanë. Asnjëra prej këtyre pikave nuk është e paraparë në përmbajtjen e negociatave, kurse këto pika do të duhej të jenë një parakusht për çdo diskutim. Normalizimi i marrëdhënieve do të jetë i mundshëm vetëm nëse Serbia ndryshon, dhe jo Kosova.