2012-02-23

Racionaliteti dhe iracionaliteti mbi komentet e komentuesve në mediet tona


MA. sci. Ferdi Kamberi
Sociolog
Ferdi Kamberi
Përveç anës së errët të shumë shkrimeve/analizave publicistike, të shumë autorëve që shpeshherë ja fusin kot ose thënë më mirë (“kot futizëm” – term i përdorur së fundi tek shoqëria kosovare), duhet theksuar se një gjë që nuk bie pa u vëre është e komentimi i komenteve nga komentuesit të cilët komentojnë vend e pa vend. Andaj, motivi për këtë analizë vie si rezultat i shfletimit dhe analizës të komenteve në shkrimet, analizat, lajmet, informacionet në mediet tona, që shpeshherë janë paradoksale. Jemi dëshmitarë të asaj se mediet çdo herë e më tepër falë teknologjisë globale po arrijnë një përsosmëri të informatave nga njëri tek tjetri skaj i botës vetëm për disa sekonda. Njeriu, duke parë dinamikën e jetës, angazhimin me punë, problemet tjera të jetës, ndonjëherë nuk ka edhe kohë që t’i shikoj informatat, shkrimet apo analizat në media, kështu që preferon të paktën titujt e tyre t’i lexon sipërfaqësisht. Nga ajo që sheh në to, vërtet është një anomali tepër e madhe, komentet e ndryshme të vendosin në situata tepër të palakmueshme, shpeshherë njeriu bëhet nervoz në këto situata, shpeshherë irritohet? E kjo për fajin e të dy palëve. Në njërën anë komentuesve të cilët “shabllon japin komente pa i lexuar – analizuar lajmet apo informatat në fjalë dhe paragjykojnë që në start. Ndërsa, në anën tjetër pjesën ndoshta më të madhe të fajit e kanë edhe vet mediet, përkatësisht administratorët të cilët lejojnë komente të tilla shpeshherë: fyese, ofenduese, jo racionale, jashtë tematikës në fjalë. Sot, mediet konsiderohen si pushtet i katërt pas atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe ato janë prore të globalizmit modern. Megjithatë, frustrimi, euforizmi, emocionaliteti në këto raste duhet të ruhet, sepse vet mediet lansojnë lajme të tilla, të cilat më pastaj edhe mund t’i korrigjojnë. Të gabosh është njerëzore, ndërsa të bësh durim është madhështore thotë një fjalë e urtë popullore. Në këtë kontekst, edhe komentet nga komentuesit në mediet tona, si rezultat i analizës së metodës së vëzhgimit dalin se shumica e tyre, pothuajse mbi 90% të tyre kanë përmbajtje irracionale sesa racionale si p.sh:
Etiketimet e fytyrave publike – shpeshherë kemi parë raste, në fakt kemi lexuar komente se fytyrat publike tek ne pavarësisht elementeve pozitive a negative në profesion, ata etiketohen në forma dhe mënyra të ndryshme. Kjo bënë të mendohet se vërtet diçka nuk është në rregull këtu, sepse mbi të gjitha fytyrat publike paraqesin një karizëm të shtetit të Kosovës, dhe në momentin e shfletimit të këtyre mediave apo agjensioneve nga vizitorët jashtë Kosovës, apriori krijohet një bindje jo e mirë për Kosovën. Fytyrat publike janë kryesisht njerëz të artit, njerëz të sportit, njerëz të muzikës e kulturës dhe linçimet e tyre, etiketimet e tyre vazhdojnë duke i nënçmuar si pasoj e xhelozisë, frustrimit, pamundësisë për të arritur tek ajo shkallë që sipas psikologëve social janë raste të shumta, por edhe nga faktorë tjerë.
Fyerjet ndaj politikanëve – është bërë shprehi sa herë që politikanët japin deklarata në media, menjëherë fillon frustrimi, menjëherë fillon ofendimi, etiketimi si: “X politikani hajn”, ky ka dhënë tenderë të afërmeve të tij”, etj, të cilat pavarësisht këtyre fakteve japin konotacion negativ vet shoqërisë tonë, sepse mbi të gjitha këta politikan të mirë apo jo të mirë, janë përfaqësuesit tonë të cilët ne i kemi zgjedhur me votën e lirë dhe në mënyrën demokratike. Kritika mund të kuptohet në dy variante qoftë në variantin pozitiv ose negativ, madje sipas psikologëve social njerëzit ndryshojmë sjelljet, qëndrimet nga mënyra e të vështruarve nga tjerët, të tjerët janë ata që shpesh na sugjerojnë, na japin komplimente, na japin vërejtje, na japin kritika dhe falë kritikave të tilla njerëzit janë më aktiv në rrjedhën e integrimit shoqëror, në rrjedhën e një kohezioni social etj.
Rasti i pilotit Berisha – ish presidenti amerikan Kennedy dikur theksonte se “Mos shiko se çfarë bëri shteti për ty, por t’i çfarë bëre për shtetin”, në këtë relacion duhet thënë se të lobosh për vendin tënd është vepër e madhe, është kontribut jashtëzakonisht i madh e cila nuk mund të matet me asgjë! Ka kohë që piloti i njohur shqiptar James Berisha ka braktisur të gjitha gjërat për të lobuar për shtetin e Kosovë. Ku ka pasur edhe vështirësi nga më të ndryshmet, së pari ishte fatkeqësia me aeroplan që i ndodhi në një vend afrikan, më pastaj edhe arrestimi i tij në Eritrea, gjë që akoma nuk dihet asgjë për fatin e tij, pavarësisht deklaratave, situatave që së shpejti do të vijnë në Kosovë. Këto ditë në media u lansua edhe lajmi se Berisha mund të ishte akuzuar për spiunazh për Amnesty International, menjëherë komentet kapluan sajtet e ndryshme të mediave, agjensionet e shumta, duke bërë lloj lloj etiketimesh, ofendimesh, e gjëra tjera, të cilat rrjedhin si rezultat i një analizimi dhe efurizmi të tepruar. Komentuesit në vend që të përkrahin pilotin të paktën moralisht ose të bëjnë ndonjë peticion apo ndonjë iniciativë të tillë për përkrahje, ata mundohen në forma dhe mënyra të ndryshme ta akuzojnë atë. Ky fakt, edhe më tepër e ironizon jo vetëm faqen e caktuar të mediave, por në anën tjetër është edhe një dekonstrukt social që paraqet konotacion negativ, komentet e tilla janë mediokër dhe jashtë konteksteve të rregullave për komente.

Rasti i Arid Ukës – besoj që është emër i njohur për publikun pasi vrau dy amerikan në afërsi të aeroportit të Frankfurtit dhe plagosi një tjetër. Menjëherë postimet e komenteve fillojnë duke e akuzuar, duke e ofenduar jo vetëm atë, por tërë familjen e tij, pastaj religjionin islam duke etiketuar si religjion të dhunës, të radikalizmit, etj. Shikuar në përgjithësi asnjë religjion nuk promovon dhunë, radikalizëm, por grupet e ndryshme, individë të caktuar përdorin religjionin si instrument psikologjik për arritjen e qëllimeve të caktuara, të paktën këto leksione i kemi nga psikologët dhe sociologët e shumtë. Individi edhe pse është pjesë e kolektivitetit, është pjesë e shoqërisë, kombit, shtetit, ai medoemos nuk përfaqëson atë, por vetveten. Edhe rasti i tillë që ishte një ngjarje tragjike, dhe besoj që secili shqiptar e ndjen indinjatën e thellë për rastin në fjalë, kryerësi i krimit nuk përfaqëson kombin shqiptar dhe fenë islame, por veprimet e tij, gjë që duhet dënuar. Andaj, komentet e shumta në këtë drejtim, duke akuzuar apo replikuar ndërmjet veti dhe duke e ofenduar herë njërin e herë tjetrin religjion mund të qet në pah një dimension tjetër, e ky është përkeqësimi i bashkëjetesës fetare të cilën shqiptarët e kanë pasur qysh herët.

Pornografia shqiptare – ka kohë që në shumë media po qarkullojnë informacionet se shumë vajza shqiptare pozojnë nudo për shumë revista të njohura, dhe merren me aktrimet pornografike si dhe shumë fenomene tjera, të cilat shoqëria jonë nuk mund t’i akceptojë për shkak të kulturës, traditës, historisë si dhe elementeve tjera tradicionale. Ndërsa, komentet kur i shikon ke një laramani të tyre: disa i përkrahin këto gjëra, duke asociuar me një pjesë të feministeve të cilat pornografinë e shohin si diçka të mirë për ekspozimin e femrës, ndërsa të tjerët ofendojnë me komente. Problemi qëndron në atë se është çështje dhe e drejt e individit që të shpërfaq identitetin e tij/saj, të paktën këto janë leksionet nga demokracia.
Si përfundim mund të themi se kjo temë është e gjerë dhe kërkon kohë dhe mund jashtëzakonisht të madh për të elaboruar më detalisht. Megjithatë, elaborimi i kësaj analize në fjalë ka pasur për qëllim atë se komenti duhet të jetë racional, i argumentuar dhe tepër praktik. Kështu, që në vazhdën e këtij elaborimi edhe mediat, përkatësisht administratorët e monitorimit të faqeve duhet të kenë rregulla specifike dhe sanksionuese për komentuesit dhe komentet e tyre të cilat variojnë me ofendime, etiketime, nënçmime e të tjera.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...