Shkruan:Mr. sci.Bislim ALIU
S’do mend se Serbia ndaj Kosovës gjithherë ishte shtet gjenocidal. Shtet që bëri masakra dhe tortura nga më të ndryshmet në popullin shqiptar. Ajo me këto të këqija asnjëherë nuk u ndal. Asnjëherë. Dhe, qe 150 vjet ajo bëri plane e plane të shumëllojta për shfarosjen e shqiptarëve. Masakrat më të tmerrshme ajo i bëri, duke i realizuar kapriciet e veta më çnjerëzore.
Dhe, asnjëherë nuk u ndal. E vazhdoi e vazhdoi dhe nuk u skuq fare. Këto plane, zaten, ishin të tmerrshme, që nga Garashanini, Çubrilloviqi, Cvejiqi, Andriqi, Millosheviqi, Tadiqi… Secili prej tyre u përpoq të jetë më i vrazhdë dhe më i keq se tjetri. Dhe, secili prej tyre u përpoq t’i realizojë me përpikëri planet që i bënte ASHAS. Ata, “akademikët” e famshëm, me këto plane e treguan “patriotizmin” e lartë për shfarosjen e shqiptarëve.
Dhe, qe 150 vjet asnjëherë nuk u ndalën së vepruari. Edhe tani Serbia e vazhdon këngën e vjetër duke e atakuar vazhdimisht Kosovën. Ajo tani hapur kërkon ndarjen e Kosovës. Mirëpo, kur kjo nuk lejohet, ajo për pjesën veriore të Kosovës kërkon status special. Në këtë vazhdë ajo krijoi struktura paralele dhe formoi barrikada të shumta. Tevona në nismat rajonale kërkon që Kosova të prezantohet me fusnotën pa Republikë, e në vend të saj të shënohet fusnota 1244. Ata vazhdimisht krekosen me plane të shumëllojta, duke e atakuar përherë Kosovën si shtet. E tani, vallë, kush është ai burri i dheut që do të pranojë heqjen e republikës në fusnotë dhe a duhet të japë llogari para popullit për këtë?
Dialogu “teknik” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, farsë e llojit të vet
Por, të gjitha këto të këqija që i bëri Serbia qe 150 vjet, sikur shpejt u harruan. Sikur fare nuk u mbajtën në mend dhe sikur nuk u kujtuan për të gjithë ata intelektualë, patriotë dhe heronj që e dhanë jetën për lirinë e vendit dhe për këtë tokë rrezatuese, për Kosovën e dashur. Dhe, pa hezitim, e pa një analizë gjithëpërfshirëse dhe përmbajtjesore, institucionet tona [Qeveria] e pranoi dialogun. Dhe, fare nuk u kërkua që Kosova të njihet si shtet. Që ajo të kërkojë falje për të gjitha të këqijat që i bëri Serbia qe 150 vjet. Nuk u kërkua që ajo të përgjigjet për dëmet që ka shkaktuar gjatë luftës 1999. Pra, nuk u kërkua asgjë dhe asnjë kusht. Dhe, a thua a ishte dashur kështu të veprohet? Assesi jo.
E, të gjitha u harruan dhe nuk u kujtuan fare për të ato të këqija që i bëri Serbia. Ishte koha dhe momenti i duhur që ajo të kërkon falje dhe të sanksionohet ky shtet gjenocidal.
E, aq më keq, fare nuk u debatua në Parlament si institucioni më i lartë i vendit dhe të japi vizën për dialog, sigurisht, duke i vënë disa kushte. Andaj, pa u pyetur Kuvendi, Qeveria e jonë hyri në dialog ‘teknik’ me Serbinë!
Pa hezitim u pranua ky dialog dhe, ishte ”dardhë me bisht”. Nuk u analizua dendur ky dialog teknik. Nuk u kujtuan se dialogu teknik zhvillohet vetëm kur dy shtete njihen në mes vete. Dhe, besa, është edhe më keq, meqë Serbia përherë deklarohet, se Kosovën nuk do ta njohë kurrë si shtet. Atëherë, pse të dialogohet me një shtet kur fare nuk të njeh! Pa dyshim, qe një vit ka filluar dialogu me Serbinë e marrëveshjet e biseduara fare nuk po realizohen. Dhe, ndoshta, asnjëherë edhe nuk do të realizohen.
Rrjedhimisht, Serbia ka hyrë në dialog, meqë ajo pretendon që ta marrë statusin e kandidatit për të hyrë në BE-në. Atëherë, pse ne ia plotësuam dëshirën asaj që të hyjë sa më shpejt në BE. E ne çfarë fituam? Asgjë.
Andaj, kemi hyrë në dialog pa e ditur fare rezultatin e këtij dialogu. E tani ne fare nuk mund të largohemi nga ky dialog, meqë BE-ja po i vë kushte Kosovës që të lëshojë pe në dialogun me Serbinë. Tani, pra, vë kushte Serbia, vë kushte edhe BE-ja. E, deri kur Kosova t’i pranojë kushtet e Serbisë! Kosova ka hyrë në qorrsokak e tani duhet t’i pranojë kushtet e rezervuara. Plotësisht jemi bindur se institucionet tona fare nuk kanë vizion të qartë se çka do të na sjellë ky dialog!
Zaten, kemi hyrë në dialog me Serbinë si për dialog “teknik”, megjithatë nuk kemi menduar mirë se ky dialog tërësisht është dialog politik. E, Serbia gjithmonë i politizon gjërat. Ajo di të bëjë politikë dhe e ka vizionin e qartë. E, ne si pa vizion të qartë dhe disi më tepër na intereson pushteti se sa shteti.
E, deri kur të vuajë ky popull, kur politikanët tanë mendojnë vetëm në pushtet?
Çka paraqet plani katërpikësh i Boris Tadiqit për Kosovën?
Edhe tani, së fundi, plani katërpikësh i kryetarit Tadiq është sulm permanent dhe atak direkt në punët e brendshme të Kosovës. Pra, Serbia me këto plane të vazhdueshme tregon interesim dhe propozon kinse rrugëzgjidhje për problemin e Kosovës. Thuajse ende Kosova është pjesë integrale e saj. Zaten, në Kushtetutën e saj, Kosova ende figuron si pjesë integrale e saj! E, BE-ja hesht për këtë.
BE-ja me vëmendje po i përcjell propozimet e Serbisë, e sidomos këtë të Tadiqit. Këtë propozim BE-ja as e ka përkrahur, por besa as e ka hedhur poshtë. Diçka po “zihet” edhe në BE. Dhe, për këtë tani BE-ja vazhdimisht po kërkon nga Kosova se çfarë plani ka për zgjidhjen e kësaj pjese të Kosovës. Thuajse planit të Ahtisarit duhet shtuar edhe diçka! Dhe, besa mu këtu është qëllimi, duke ia dhënë një status special. Dhe, unë e kam drojën e madhe se kështu edhe do të jetë.
Vetëm uniteti do ta shpëtojë Kosovën
S’do mend se vetëm uniteti i partive tona dhe i liderëve tanë do ta shpëtojë Kosovën. Andaj, edhe kur është fjala për probleme madhore të shtetit, ata nuk flasin me një zë dhe besa as nuk flasin ndërmjet tyre.
Dhe, sikur e kanë harruar shtetin dhe interesat vitale të tij. E, përçarjet e urrejtjet ndërmjet tyre vetëm sa thellohen vazhdimisht. Kjo përçarje sigurisht do të na kushtojë shtrenjtë.
Andaj, t’i lëmë inatet, përçarjet, bajraktarizmin dhe liderizmin e tepruar. Se Kosova nuk është pronë e asnjë parie, ose e ndonjë lideri. Kosova është e të gjithëve dhe të gjithë kanë hise në të.
Pa dyshim populli pret unitet partiak e njerëzor. Pret përparim dhe zhvillim në çdo cep të Kosovës. E, populli po pret e po pret. Dhe u mbyt duke e pritur këtë bashkim dhe unitet.
Dhe për të mirën e vendit, t’i lëmë ndasitë. Se mjaft kemi vuajtur. Plot 150 vjet. Ende duhet vuajtur, a?