Shkruan: Blerim GASHANI
Në “Kujtimet” e tij, që janë monument i historisë dhe publicistikës shqiptare, Eqrem bej Vlora na shpalos shumë informata të dorës së parë për gjendjen e shqiptarit para një shekulli. Të padëshiruara nga shqiptarët – në kohën kur këta e kishin lëçitur krejt botën - këto dëshmi autentike për jetën e shqiptarit, të shkruara nga një mendje shumë e kultivuar, fillimisht janë botuar në gjermanisht. Në mesin e shumë ngjarjeve, në të cilat kjo figurë poliedrike ka qenë dëshmitar, dhe shpeshherë protagonist, s’më shqitet nga mendja përshkrimi i pushtimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, në verën e vitit 1912. Autori është i mrekulluar nga shqiptarët e thjeshtë dhe, në anën tjetër, i shqetësuar e i trishtuar nga sjellja e prijësve të tyre, të cilëve, pa asnjë mëdyshje, ua faturon – për papjekuri politike – dështimin që ka shkaktuar plojën më të madhe në historinë tonë. Interesante, ndërkaq, është çështja se po të mos ishin datat, lexuesi mund të mendojë se narracioni flet për 100 vjet më vonë.
“Asnjë komb në botë, pas dy kryengritjeve të shtypura përgjakshëm, (dhe) pas një suksesi siç ishte pushtimi i kryeqendrës së provincës…(nuk do) të mund të sillej në mënyrë kaq të shkëlqyer, kaq të qytetëruar dhe njerëzore, si këta fshatarë të varfër…që zbërthenin nyjën e shamisë së tyre për të nxjerrë që andej një piastër – mbase të fundit – e të blinin më të pak bukë e djathë, ndërkohë që mbronin interesat e bashkësisë. Vetëm se ky popull zotëri, të cilin unë, si atëherë edhe sot, e dua me gjithë shpirt, sepse ai, me vetitë dhe veprat e tij fisnike përfaqëson këngën e fundit të eposit heroik evropian, ky popull nuk ka pasur kurrë fat me udhëheqësit e vet, të mëdhenj e të vegjël. …Shtresa e mesme dhe e lartë e Shqipërisë, me pak përjashtime, që nga mesi i shekullit 19-të e sot kanë qenë shpirtërisht, shpesh, në lartësi, por moralisht të padenjë për të udhëhequr këta njerëz të mrekullueshëm”. (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 279).
A është duke folur për vitin 1912, apo për 2012, njëri nga protagonistët e vitit të përmbytjes së madhe të shqiptarëve. Piktura e ardhshme na e kthjellon edhe më ngjashmërinë e hatashme. “Por krejt ndryshe ishte në rrethin e prijësve që unë vizitova me radhë. Binaja e udhëheqjes mezi mbahej në këmbë dhe në çdo ndryshim mendimesh vihej re qartë që uniteti i arritur në mënyrë artificiale (e vetëm në saje të kundërvënies me Turqit e Rinj) mund të shkërmoqej në çdo çast nga xhelozia dhe individualizmi.” (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 281).
Përpara se festë, përpara se krenari, përpara se entuziazëm e parada publike, përpara se fjalime patriotike e folklorike, shqiptarët, kudo që janë, duhet ta trajtojnë vitin 2012, si vit reflektimi. Pas një rrugëtimi njëqind vjeçar, nga viti që dikush e quan fillim i lirisë, dikush vit i ndarjes e copëtimit dhe dikush si fillim i robërisë, ne duhet, me kokë të ftohtë, me introspekcion të thellë dhe debat të gjerë, të bëjmë një bilanc se ku jemi. Ta shfaqim një pasqyrë të qartë se si kemi qenë dhe si jemi tash, pas njëqind vjetësh. Është lehtë të festojmë dhe të dalim rrugëve me flamuj e pankarta. Është më e vështirë t’u japim përgjigje pyetjeve të gjeneratës që po vjen. Ata nuk do t’i pranojnë arsyetimet monotone, me të cilat - po e shohim - e kemi harxhuar një shekull.
A është ky shekull i humbur apo shekull i fitoreve për shqiptarët? A kemi më pak apo më shumë kilometra katrorë të populluara me shqiptarë? Në krahasim me popujt e rajonit, a kemi ecur përpara, kemi stagnuar apo kemi shkuar prapa? A jemi të lidhur me botën më shumë apo me pak pas njëqind vjetësh? A kemi pasur emër më të mirë në botë atëherë apo tani? A kemi pasur më shumë dashuri për botën para një shekulli apo tani? A kanë pasur bota më shumë dashuri për ne në fillimshekullin XX apo tash? Në proporcion me kohën dhe me rajonin, a jemi më të zhvilluar ekonomikisht apo jo, a jemi më të pasur apo më të varfër, a kemi më shumë dinjitet tani apo para një shekulli? A ka qenë shpirti i shqiptarit më i lirë para një shekulli se sa që është tani, apo në këtë sferë kemi ecur përpara? Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjemi edhe ne, shqiptarët e thjeshtë, por më parë duhet ta pyesim klasën e shqiptarëve që po përgatitet dhe po zgjedh ngjyrën e kravatës për podiumet e festës së pavarësisë.
Ata që na udhëheqin, në krejt trojet ku jemi strukur, tanimë janë duke menduar për markat e rrobave që do të kenë kur të dalin para nesh, më 28 nëntor. Sigurisht, se do të mendojnë edhe për veturat e veçanërisht për gardhin e truprojave që do t’i sjellin kryevendi, nga ku do të na drejtohen me fjalime patriotike. Detyrimisht, fishekzjarrët janë porositur dhe shumë miliona janë ndarë për shkëlqimin festiv. Qatipët tanimë janë duke u thelluar për fjalimet pompoze, që kur të lexohen (pa ngjyrë, pa jetë dhe me shumë gabime) nga shefat e tyre, do ta rrisin disponimin festiv në shkallë deliriumi. Të nxehur, pastaj, dhe me plot emocion, liderët e këtij kombi do të na tregojnë për të arriturat, që vetëm të tilla nuk janë.
Por, para se të na adresohen nga podiumet me shumë ngjyra dhe me fjalime patetike, le ta pyesim veten se kush i udhëheq sot shqiptarët! Kush janë liderët e kombit, ata në pozitë dhe në opozitë? Çfarë e dimë me siguri, edhe pas 100 vjetësh, ende ka liderë që e djeg shtetin e vet, që mbi pirgun e hirit të asaj çfarë ka mbetur, të del e të krekoset si gjel. Njëri lider nuk e di fare se ç’është republika. Tjetri nuk e pranon as republikën e as institucionet e saj, por kjo nuk e ndalon që – duke nxitur turmat në anarki - të thotë se është në mbrojtje të kësaj republike (të cilën si thamë, deri atëherë nuk e kishte pranuar, sic!). Tjetri lider i shqiptarëve nga foltorja e parlamentit tregon për profesionin më të vjetër në botë, që po e ushtruakan motrat dhe nënat e kolegëve të tij. Pastaj, del lideri që ka gjysmën e votuesve “londinezë” dhe lavdëron Top Chanel-in pse po ua mësuaka gjuhën shqipe shqiptarëve të Preshevës (sic!). Dhe liderthë të tjerë të mjerë, që të papërfshirë në listën e përvitshme të transfereve, kujtohen për denigrime që u paskan ndodhur shumë vjet më parë.
Duke i shikuar këta prijës, që na e mbulojnë realitetin e hidhur me festime, tupanë e fishekzjarrë, a s’është koha që të reflektojmë pakëz? A s’është momenti që në këtë 100 vjetor, ta bëjmë një bilanc të fitoreve, ngecjeve dhe dështimeve që kemi pasur? Dhe, derisa për çdo përparim, liderët tanë rrahin gjoks, atëherë kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për dështimet? Dhe, pyetja e fundit: çfarë profili mund të kenë këta drejtues të shoqërisë, që vetëm të tillë nuk janë? Dhe duket se përgjigjja na vjen, përsëri, nga muzgu i fillimshekullit XX. “Tani (1908-1912), drejtimi kishte kaluar në duart e një morie kryepleqsh të fshatrave dhe krerësh të fiseve, e këta manipuloheshin lehtë nga njerëz dinakë, që dinin se si të silleshin me ta.” (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 224). Më 28 nëntor 2012, para se të shpërtheni në duartrokitje për ata që na udhëheqin dhe për ata që po grithin fytyrat të zëvendësojnë të parët, ju lutem, pyetni veten tuaj: pas një shekulli të rëndë, a e meritojnë shqiptarët këtë gjendje?