Shkruan: Adnan ABRASHI
Protestat e janarit të organizuara nga lëvizja Vetëvendosje mendoj se nuk e kishin vetëm efektin e tyre të fuqishëm në drejtim të kundërshtimit apo mbrojtjes së një mocioni të aprovuar të Parlamentit të Kosovës në lidhje me zbatimin apo moszbatimin e reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë, por, nga aspekti i aktualitetit dhe mbulimit të tyre medial, ato na shpalosën edhe një të vërtetë tjetër të cilën shumica prej nesh e kemi ditur por këtë herë patëm rastin që të bindemi drejtpërdrejt.
Sikur ngjan zakonisht, vetë situata e tensionuar në lidhje me këto protesta, pa dyshim se, në punën e tyre informative, më së tepërmi i mobilizoj mediet tona të shkruara dhe elektronike, të cila, si gjithnjë, edhe këtë herë, patën rol kuç në formimin e opinionit të caktuar kolektiv për ngjarjet që ishin në vazhdimësi.
Edhe pse në mënyrë direkt apo indirekt Hashim Thaçi dhe pushteti i tij i ka nën kontroll disa prej medieve në Kosovë, më duket se tek pas 14 janarit edhe më seriozisht ata u bindën për fuqinë e tyre të madhe ndikuese. Andaj pas sa e sa premtimeve të bëra, as nuk mund të merrej si e rastësishme marrja e vendimit qeveritar për heqjen e ngarkesës së pagesës së tatimit në vlerë të shtuar ndaj tyre. Pa dyshim! Ky përfitimi ishte i vlefshëm për ta, por momenti i marrjes së këtij vendimi nga Qeveria reflektoi si karrem naiv për ta.
Sido që të jetë, edhe pas këtij përfitimi ligjor, shumica e medieve tona të shkruara dhe elektronike vazhduan punën e vet profesionale me ritëm të njëjtë në drejtim të informimit sa më objektiv të qytetarëve dhe në harmoni me politikat e veta të përcaktuara redaktuese.
Diskreditimi medial i disa kuadrove mediokër politikë
Përgjithësisht, nga mënyra dhe forma mediale e mbulimit të ngjarjeve të janarit, mua më së shumti më kanë lënë përshtypje debatet e shumta televizive, nga të cilat, përmes mysafirëve të ftuar në studio, përveç temës aktuale që debatohej, na u shpalos edhe një realitet i hidhur të cilën ndoshta edhe më parë e kemi ditur, por tani e vërtetuam edhe në flagrancë: zhgënjimi me nivelin e ultë elokuent, mediokritetin, injorancën dhe mungesën e kulturës debatuese të disa politikanëve, ku si më të ekspozues në këtë drejtim, u treguan nga tarafi qeveritar që aktualisht janë në krye të funksioneve përgjegjëse të pushtetit.
Duke i përcjell me vëmendje të shtuar shumicën e këtyre debateve televizive, shpesh në kokë më lindnin disa hamendësime praktike: A thua, partitë politike në pushtet (por edhe disa në opozitë) e kanë ndonjë qendër të tyre vlerësuese dhe këshillëdhënëse analitike të mënyrës së paraqitjeve mediatike?! A vërejnë ata se disa emra tanimë të diskredituar nga radhët e tyre, me paraqitjet e shpeshta televizive (përgjithësisht mediale), dita-ditës po dalin shumë qesharak në opinion, duke ndikuar kështu në zvogëlimin gradual të autoritetit partiak apo (përfaqësues) qeveritar në masë?!
Sido që të jetë, pa dashur që askush me këtë rast të më keqkuptoj si të njëanshëm, sipas një analize time personale, këtë aktualitet të shtuar mediatik gjatë ngjarjeve të janarit, më së miri e ka shfrytëzuar lëvizja Vetëvendosje!, e cila, pa dyshim, për një pjesë të madhe të shikuesve, gati në të gjitha emisionet debatuese televizive, emocionalisht reflektoi më stabile, logjikisht më e kapshme dhe intelektualisht më dominuese.
Jo vetëm si performancë e përsosur e tërheqjes së përqendrimit dhe lënies së përshtypjes momentale tek shikuesit, por Vetëvendosje në këto debate publike, arriti që nënvetëdijshëm në heshtje ta demantoj atë paragjykimi të gabuar dhe të imponuar me kohë tek shumica se, “këta të rinj axhami, përveç se dinë të protestojnë dhe të shkaktojnë trazira në rrugë, nuk kanë njerëz të aftë për marrjen eventuale të pushtetit në zgjedhje”?!!
Nga qytetarët e zhgënjyer diçka e re kaherë po pritet. E, në këtë hapësirë të brishtë dhe tejet konfuze politike gjithëshqiptare, lëvizja Vetëvendosje dita - ditës po promovohet, jo vetëm si një subjekt politik që gjithsesi pretendon të vijë në pushtet, por edhe si një qendër dhe shkollë e mendimit të ri filozofik dhe politik shqiptar në ekspansion . Një shkollë e cila në vete ngërthen kombinimin e idealizmit (të pa përmbaruar) politik kombëtarë të rilindësve tanë, nga njëra anë, dhe nevojave të natyrshme të njeriut si individ që përherë të jetë i lirë, i papërkulshëm, krenarë me veten dhe të kaluarën e vet dinjitoz, vigjilent, konsekuent dhe i pathyeshëm ndaj kujtdo qoftë që në çfarëdo mënyre do të tentoj t’ia rrezikoj këto vlera. Pra, ajo po shndërrohet në një kult të edukimit masiv ku përgatitet një brez i ri i cili refuzon të përkulet dhe nënshtrohet para sakrificave; nuk është pjatëlëpirëse dhe lajkatare; nuk frikësohet nga askush, e më së paku nga vetja; është gjeneratë që është kalitur t’i gjejë shkaktarët në pasoja; të dallojë realitetin nga iluzionet dhe të vlerësojë saktë ç’është patjetër për momentin.
Pa dyshim se faktori i vetëm argumentues, ose eventualisht demantues, në këtë konkludim timin do të jetë koha e cila çuditërisht këtë vit duket se po ecën shumë shpejt..